Asie Duka: Portretet e njerëzve të famshëm te Gazmend Freitag
Qëllimi i këtij ‘djaloshi’, i të gjithë aktivitetit të tij, tek e mira morale, joshet nga pikëpamja e vet e brendshme, ky është qëllimi përfundimtar i gjithë njerëzimit. Interesi i tij për pikturën, për të bukurën është shenjë e karakterit të mire moral, këtij pohimi mund t’i kundërvihen shumë njerëz që bazohen mbi faktet e eksperiencës, që i trajtojnë si rregulla të përgjithshme, të kota, kapriçoze, apo si shtojca të pasioneve të dëmshme, këta s’kanë synime për përmbushje parimesh morale.
Interesi i Gazmend Freitag është shije në vlerësimin e natyrores, ta ngresh të bukurën në art, ky zotëri i referohet rreptësisht formave të bukura të natyrës, duke lënë mënjanë të gjitha magjepsjet, të cilat shija dëshiron në mënyrë aq zemërgjerë t’i kombinojë me vetveten. Interesi i tij mbetet empirik, ky djalosh nuk synon komunikim të vëzhgimeve të tij me të tjerët, e trajton formën e bukur njerëzore, përtej çdo ndjenje admirimi apo dashurie, duke i lënë kështu magjepsjet, me dëshirë jashtë vëmendjes së tij, qoftë edhe përballë rrezikut të kanosjes së ndonjë fatkeqësie – mjaft që ti japin avantazh në të ardhmen – vetem një person i tillë mund të arrijë të përfitojë një interes të drejtpërdrejtë e, në fakt, intelektual ndaj bukurisë në natyrë, ai nuk kënaqet vetëm me formën natyrore të bukurisë, por kënaqet dhe me vetë ekzistencën e kësaj bukurie. Madje duke e arritur diçka të tillë pa ndihmën e ndonjë magjepsjeje të ndijimeve që mund të pranohet prej trajtës së objektit apo pa shoqërizimin e tij me çfarëdolloj qëllimi.
Arti i Freitag dallohet nga natyra, pasi ky e krijon këtë të fundit nëpërmjet aktit të veprimit. Një produkt i arritur në liri dhe përmes një akti të vullnetit që e vendos arsyen në themel të veprimeve të veta, përfton piktura të tilla, art të vërtetë. Shkenca rrjedh nga dija, arti nga mjeshtëria, teknikë dhe teori. Freitag ka dijen e mjaftueshme në zotërim dhe njohjen e rezultatit të dëshiruar që arrin të bëjë art, ky zotëri shprehet diku; se rruga më e mire për të çuar përpara pikturën e lirë është flakja tej e të gjitha shtrëngesave dhe shndërrimi i saj nga punë thjesht në një lojë.
E bukura te z. Freitag është forma e finalitetit të një objekti që arrin të përceptohet e tillë, veçan nga përfaqësimi i një qëllimi. Piktura juaj quhet e bukur sipas shijes dhe aftësisë sonë vlerësuese, por edhe si mënyrë përfaqësimi e tij nëpërmjet një kënaqësie apo kundërshtie të lindur veçan nga çfarë do lloj interesi. Bukuri që rrjedh nga momenti juaj i parë. E pëlqyeshmja është çeshtje e çdolloj individi, e mira mbështetet mbi koncepte, ndërsa e bukura është një gjykim shijeje (kënaqësia e një pikture arrin ti bashkëngjitet mendimit të çdokujt). Qëllimi juaj është universalizimi një faktor tejet thelbësor i një gjykimi. Të gjykojmë një art jo mbi bazën e koncepteve, por mbi ndjenjat është një gjykim shije që jep idenë e një gjykimi të përgjithshëm. Të jesh i aftë të parashtrosh një gjykim shijeje, është pasojë e shkaktuar nga loja e lirë e fuqive tona njohëse.
Piktura e z. Freitag është mirfilli art, përderisa ajo zotëron në vetëvete kohën dhe dukjen e të qenit natyrë. Ky zotëri ka dhunti natyrore që vendos rregulla arti. Artet e bukura domosdoshmërisht duhet të përzgjidhen dhe të shihen si art të gjenive. Kur ky zotëri nxjerr nga duart një pikturë (krijim) të gjenisë së vet, ai kurrë s’mund të tregojë me saktësi se si mund ti jetë përndezur në mendje ideja e kësaj pikture, ai nuk zotëron dot fuqinë e sajimit të diçkaje të ngjashme me kënaqësine, që më pas në mënyrë metodike t’ua komunikojë atë, dhe të tjerëve, në mënyrë që ata ta përdorin si normë për të bërë piktura të ngjashme me te.
Pra aftësia e Freitag si një shpirt i veçantë, mbrojtës e udhërrëfyes që i falet njeriut që në lindje të tij, në saj të frymëzimit të të cilit arrihen të përmbushen tërë ato ide origjinale, të cilat i përmend në heshtje vepra e tij, pra piktura e tij.
Natyra parashtron rregulla për ju z. Freitag, jo nëpërmjet shkencës, por nëpërmjet artit, me kusht që ky i fundit të jetë art i bukur, tashmë ju e keni realizuar më së miri vetveten. Përgëzime, përunjësisht dhe mirënjohje të thellë për veprën tuaj.
Bota është një mrekulli e përzier me tmerr
Bota është një mrekulli e përzier me tmerr, shpreh në veprën e tij ”Ibrahim Kodra“. Në pikturën e tij ai ka përfshirë botën mbarë, sepse u flet njerëzve për realitetin e tyre në secilin vënd, në mënyra të ndryshme. Ai dha një kontribut të pakrahasueshëm për Shqipërinë, për ato që e kuptojnë domethënien e veprës së tij. Çdo pikturë e tij është e shoqëruar me një lumë fjalësh. Për Kodrën mbyllja në vetvete është humbje e personalitetit, sepse njerëzit kërkonjnë siguri në një shoqëri uniforme, ai ishte kundër totalitarizmit, por edhe kundër demokracisë, nga mënyra se si praktikohet, sepse ajo detyrimisht përfshihet në totalitarizëm, ai ishte për aristokracinë ose për ata që e meritojnë, pra ai ishte për seleksionimin, pra të vlerësohet artisti që e meriton, zgjedhja të realizohet sipas aftësisë dhe meritës. Kodra ç’mitizoi duke çuar drejt kritikës çdo ideologji, përfaqësuesi më dinjitoz, duke na befasuar dhe mrekulluar me pikturën e tij.
Ju zoti Gazmend Freitag, zgjodhët figurën me simbol të pikturës shqiptare për ta ngritur në piadestal ku ai aktualisht qëndron. Nuk ka gjë më tragjike se të shohësh sesi një vënd boshatiset dhe se si piktorët dhe krijuesit e tij e braktisin atë, njeri pa atdhe gjer kur atdheu të bëjë ”revolucion” vlere, për t’i rikthyer vlerën. Ju zoti Freitag keni thënë, se çdo epokë në atmosferën e vet përmban ngjarje, të cilat kanë ndodhur e do të ndodhin dhe se artistët, ju, nëpërmjet antenave delikate jeni në gjendje t’i kapni ato dhe t’i paraqitni në tablo, duke i shndërruar në art artin, atë që qëndron në ajër, i paqartë dhe i pashprehur. A është personazhi i pikturës tuaj kaq i fuqishëm sa të ndikojë në histori?!
Unë them ajo që ju bëni ju është materializuar tashmë. Juve ju ka frymëzuar zoti Kodra saqë ju jeni vetë tani një i tillë. Të realizosh do të thotë të ekzistosh. Populli shqiptar nuk është aq i mprehtë, sado që thuhet se është inteligjent, sepse nuk arrin të kuptojë atë që ndodhet jashtë kufinjve të tij. Ju po përpiqeni të realizoni një ëndërr. Ç’është ëndrra për ju?! Ju nëpërmjet ëndrrës thoni se imagjinarja është fantazia më e fortë, më e vërtetë, më e aftë, më e përshtatshme dhe që e paraqet realitetin si të dokumentuar. Ai që dëshiron të jetë realist gjithmonë është përkrahës i diçkaje. Piktori nuk gënjen ai paraqet bukur. Ëndrra është qëndrimi juaj ndaj botës. Piktura ju ndihmon të ekzistoni. Nëse do pushonit së pikturuari do ndjeheshit plotësisht i pashpresë, kështu jeni shprehur. Ngjyrat janë e vetmja gjuhë me të cilat mundoheni dhe vazhdoni të flisni. Në to ju gjeni atë që fjala e ka humbur. Ato janë fjalë, ligjërim, mirëkuptim, jetë që ju lidh me gjërat e tjera, me universin. Ju frikeni se mos zëri i tyre zhduket…! Me zell dhe dëshirë, ndiqe ëndrrën, mbroje kulturën.
Piktura më e bukur dhe më e thellë
Piktura është poezi, është muzikë, është epokë, është ekzistencë njerëzore, është natyrë.
Piktura më e bukur dhe më e thellë; Gazmend Freitag, lindi nga një dashuri e zjarrtë për të dashuruar me zjarr, e cila rrjedh nga përkushtimi e pasioni, për të cilin edhe sakrificat më të mëdha janë kënaqësi të ëmbla.
Kjo është dashuria që e bën të ndjejë dhe të krijojë këtë “burrë”, të hedhë në tablo me pastërtinë dhe pasionin e engjëjve jetë dhe frymë njerëzore, kolosët dhe titanët e mendimit dhe të veprimit botëror. Janë ato çaste që mendja i shndërrohet në stuhi mendimesh, si një uragan, si një Niagarë, kërkon të derdhë në letër, për të kapur të pavdekshmen, përjetësinë. O vepër e përsosur, pikturë e bukur, e dehur nga frymëzimi e pasioni, dritë kumbuese, për gjeniun e letrave shqipe: Ismail Kadarenë dhe aradhen e atyre që lanë gjurmë në ekzistencën njerëzore, ritmi juaj i mahnitshëm i mendjes, i zemrës dhe dorës tuaj, dominon me ndjesitë e thella duke përsosur poezitë e tyre, në një pikturë të vetme, me më të dëlirat dhe më të lartat shqisa. Dora juaj fisnike dhe mendja juaj e mprehtë dominon pa sforco çdo penelat e pëlhurë, është si muzikë që këndoni, duke i shkrirë gjithë dobësitë dhe arritjet me joshjen e magjishme të veshur me art, ju jetoni me vërtetësi dhe lartësoni gjithçka nga vini, duke plotësuar varfërinë e ideve me vrullin e fuqishëm të së bukurës brenda jush, të fantazisë, me penelin tënd hyjnor, duke mposhtur dobësitë e botës dhe duke lartësuar vlerën, fitimtar, i dëlire si yll i qetë, lartësohet prej jush, gjithçka që i përket. Ne duam të rilindim vazhdimisht. Ndiqi ëndrrat, mos hiq dorë, tashmë i keni lënë gjurmët tuaja në këtë botë gjigante.
Gratë që frymëzojnë kryeveprat botërore. A janë gratë udhëheqëse dhe frymëzuese të dashurise dhe artit!
I nderuar artist!
Dashuria dhe pasioni juaj për artin ndjek rrjedhen e gjithë historisë njerëzore përgjatë shekujve, të cilat e kanë shoqëruar njeriun si forcat më elitare të realitetit krijues të shpirtit njerëzor. Të transformimit të ndjenjave, për t’i blatuar ato në pikturë, duke i shenjtëruar këto mrekulli shpirtërore, këto realitete krijuese, në vullnete të penelatave të zgjedhura unshëm nga zoti, siç jeni ju zoti Freitag! Ju merrni nga zemra e njerëzve ‘të mëdhenj’ diellin që ndez brenda tyre, sakrificën, dashurinë, vetmohimin, mirësinë dhe fisnikërinë, si vullnet i adhurimit tuaj për këto krijesa të zgjedhura nga vetë ju, edhe pse vuani dhe jetoni në ‘varfëri materiale’, askush si ju nuk e ndjen dhe shpreh magjinë e artit si shpërblim për njeriun, për t’i ngjitur këta njerëz në altarin më të lartë të besimit.
Janë gratë që frymëzuan artistët, kompozitorët, muzikantët, piktorët, që frymëzuan për kryeveprat e mëdha botërore, pa u djegur në llavën e dashurisë nuk krijohet nje zjarr, dashuria dhe pasioni lindën kryeveprat. Fatkeqësia mbetet te ato njerëz që e ndalojnë artin, nuk i japin vlerën e duhur në kohën e duhur, asaj ‘esence’, atij thelbi jete, tharmit te këtyre pikturave të realizuara me dhimbje dhe trishtim, me zjarr dhe pasion, me mund e sakrificë, të paguara me kohë jete, e cila zgjat sa koha e një përshpërime.
Zemra e Gazmend Freitag, e këtij mjeshtri të madh të pikturës që ngre dhe lartëson në perjetësi popullin e tij, figurat e rëndesishme dhe perfaqesonjëse të këtij vendi, t’i jepet ajo që meriton, në kushtet në të cilat punon ky „njeri i madh“, ka mospërputhje me mrekullitë qe pikturon dhe ngjiz, me anë të ngjyrave dhe imagjinatës, realitete që dehin dhe dhembin njëkohësisht, ju që merrni rrezet dhe ngrohtësine nga ky përfaqësues dinjitoz i kombit, dielli shkëlqimtar i adhurimit dhe shijes, për vlerën dhe të bukurën, ktheni syte nga ai!
Me madhështinë e shpirtit dhe të penelit tuaj ju keni pikturuar një njeri si: Havzi Nela, i cili mbart mbi vete, jetën dhe fatin e mijëra jetëve
I nderuar Zoti Freitag, i nderuar artist, më lejoni të shpreh mendimin tim, për pikturën tuaj në përgjithësi dhe veçanërisht për pikturën e fundit që ju keni realizuar për dëshmorin e demokracisë shqiptare, për të flijuarin për të përhapur dije dhe kulturë, i cili u dënua me varje nga përbindëshat e diktaturës shqiptare!
Askush si ju zoti Gazmend Freitag, nuk i ka pasqyruar në tablo, tmerret e kobshme, tē asaj kohe të përbindshme dhe mostrash që vrasin intelektualë të pafajshëm, që këpusin fijet e inteligjencës që lartësojnë një komb. Ju z. Freitag i jepni jetë dhe frymë, i jepni përjetesi duke e nxjerrë nga errësirat e harresës, duke e mëkuar me përfytyrim, duke e njerrë në dritë drithëronjëse, përmes penelit, dorës dhe mendjes suaj, dhe sidomos shpirtit tuaj selektiv dhe përzgjedhēs. Ju sot jeni piktor që nuk njiheni mjaftueshëm në krahasim me atë vizualitet që shpalosni, ndoshta i nënshtruar nga harrimi dhe mospërfillja… Zēri i atyre tablove, i atyre jetëve që ju i mëkoni me shpirt përjetësie, thërret unshëm të dëgjohet jehona e tyre, të ndryshohet korsia e kohës që pret tē vdesin talentët, për tu shpallur të tillë… Pikturat tuaja janë të gjithëkohëshme, me personazhe të spikatur që ju vetëshpallin “Artist”. Arti juaj prodhon me dashuri larminë e figurave vetmohuese e sakrifikuese për njerëzimin, këtu qëndron së pari madhështia e penelit tuaj.
Ju dini t’i jepni simbolikë dhe përfaqësim rrënjëve prej nga vini, planetit në të cilin jemi mysafirë, dhe personazhëve më përfaqësonjëse, e më të vyer që ne përulemi me nderim dhe përkushtim shpirtëror, para madhështisë së tyre përfaqësonjëse të Kombit shqiptar dhe mbarë botës. Ju z. Freitag ia keni kushtuar jetën, këtyre jetëve njerëzore, që kalojnë në altarin më të lartë të epokave, këtyre Titanëve të veprimit e mendimit botëror. Sot ndoshta ju jeni tē pakonsideruar nga bashkëkohesit… por koha dhe jeta kanë treguar të kundërtën për të gjithë ato Piktorë, artistë, elitarë që janë shpallur “Të mëdhenj”.
Me madhështinë e shpirtit dhe të penelit tuaj ju keni pikturuar një njeri si Havzi Nela, i cili mbart mbi vete, jetën dhe fatin e mijëra jetëve. Një artist i përkushtuar si ju z. Freitag, që harron vetveten… Askush deri më sot nuk ka realizuar diçka të vyer, pa u mbyllur në studio, pa u përkushtuar, pa u vetmohuar.
Jam e bindur që piktura dhe puna juaj do zërë vendin që meriton në altarin e gjithkohjes.
Uroj që sytë dhe mendja e elitave dhe kritikëve, të vëzhgojnë, të analizojnë dhe të gjykojnë mbi këtë frymë dhe djersë që derdhet mbi pëlhurë, për hir të njerëzimit, pa pritur asgjë në këmbim veç mirënjohjes.