Albspirit

Media/News/Publishing

Ndryshe nga mercenarët pro-Handke, poeti serbo-amerikan që denoncoi Millosheviçin

Sharles Simic

 

Ruben Avxhiu

Për ata që nuk e njohin ka qenë poet serbo-amerikan. Nuk do t’ia ul askujt vlerat për shkak të prejardhjes. Simic ka qenë një nga poetët më të mirë të Amerikës.

Mes vlerësimeve të shumta, ka merituar Çmimin Pulitzer për Poezinë në 1990. Në 2007 Biblioteka e Kongresit e shpalli Poetin Laureat të Vitit.

I lindur në Beograd, si Dushan Simiq, në vitin 1938, poeti nuk u bë asnjëherë pjesë e lobit serb në SHBA. Ndryshe nga disa serbo-amerikanë nuk u përpoq asnjëherë të justifikonte krimet kundër njerëzimit të regjimit të Millosheviqit.

Përkundrazi ka qenë therrës në disa ese për kafshërinë e nacionalizmit serb, por edhe është përpjekur të kundërshtojë dënimin masiv të serbëve, shumë prej të cilëve sipas tij kanë ngecur në një mjedis ku mbizotërojnë të çmendurit dhe nuk e meritojnë njollën e turpit që u ka vënë historia (apo media amerikane, sipas tij).

Simic – kuptohet – ishte sentimental për rrënjët e tij e pavarësisht se mund të mos biesh dakord me shumë nga gjërat që ka shkruar, sikur intelektualët serbë në Ballkan të ishin si ai, rajoni nuk do të ishte ky që është sot. Nuk do të kishim pasur shekullin e masakrave që lamë pas.

Ndër të tjera e ka quajtur një idiotësi premtimin e udhëheqësve politikë serbë se nuk do ta njohin kurrë Kosovën. Dyshimet e tij për kritikat ndaj serbëve dhe kundër pavarësisë së Kosovës nuk vinin nga pozitat e nacionalistit, por nga ato të intelektualit dhe vëzhguesit të sinqertë, ndonëse pak të njëanshëm e të paedukuar mirë të historisë dhe çështjeve ndërkombëtare.

E megjithatë, pikërisht për shkak të sinqeritetit dhe armiqësisë ndaj nacionalizmit, shkrimet e tij kishin potencial për të dëmtuar çështjen tonë në mos edhe vetë paqen e sigurinë në Ballkan. Ato hapnin një dritare për t’i parë edhe serbët si viktima të nacionalizmit serb, gjë që ndonëse shumë e vërtetë, këtu në SHBA mund të përdorej dhe shfrytëzohej nga propaganda nacionaliste serbe.

Shkrimet e tij për këto tema e për shumë çështje të artit dhe kulturës mund të lexohen në të përmuajshmen e respektuar “The New York Review of Books”.

Kur Kosova shpalli pavarësinë, qëlloi që Simic ishte atë vit Poeti Laureat i Amerikës. Në një shkrim kritik që bëri menjëherë pas shpalljes, kishte cituar nga një letër që kisha botuar në gazetën “Boston Globe”, ndonëse pa ma përmendur emrin. “Shkruan një shqiptar…”.

E mbaj mend mirë sepse kisha bërë një numër me atë letër.

Kisha hall në atë periudhë sepse disa demokratë, e sidomos media kryesore amerikane që vazhdimisht fajësonte Presidentin republikan George W Bush për çdo qendrim në fushën ndërkombëtare, do ta kritikonin njohjen e menjëhershme nga SHBA të pavarësisë së Kosovës.

Kosova kishte shumë mbështetës mes demokratëve, por lufta politike me Bushin kishte përparësi. E mbaja mend kur vetëm pak muaj më herët, disa analistë antirepublikanë në CNN e në kanale të tjera televizive u tallën me Shqipërinë kur Bush u prit me entuziazëm aty. Druhesha që për inat të Bushit do të flisnin kundër Kosovës.

Në fakt, nuk ndodhi ashtu. I vetmi medium disi i njohur i kohës që e vuri pak në dyshim njohjen ishte “Boston Globe”, kështu që ua nisa menjëherë një letër, të cilën e botuan të nesërmen.

Në letër, në vend që ta mbroja Presidentin Bush që e kishte njohur Kosovën, e kritikova që ishte vonuar në vendimin e tij. Administrata Bush, në vend që ta kishte nxitur shpalljen e pavarësisë së Kosovës, që në mandatin e parë, u shkrova, kur Rusia ishte e zënë me probleme të tjera dhe nuk kishte ridalë ende në skenën ndërkombëtare, kurse serbët ishin ende të shokuar nga humbja në luftën me NATO-n, u kujtua tani kur është shumë me e vështirë.

Kështu që ua dhashë një mundësi liberalëve të papajtueshëm që mund ta kritikonin Bushin për vendimin pa qenë nevoja që të ndëshkonin Kosovën.

Të them të drejtën më shijoi spërdredhja që i kisha bërë argumentit.

Simici i cili siç duket e kishte vënë re dhe lexuar letrën e fillonte pikërisht me të, duke më cituar dhe më përmendur në paragrafin e tretë madje duke më dhënë të drejtë. Mirëpo shkrimi ishte i mbushur me shtrembërime nga injoranca dhe paragjykimi i tij negativ ndaj Administratës Bush dhe politikës së jashtme amerikane.

Për shembull, që në fillim shkruante se SHBA e kishte nxjerrë procesin jashtë OKB-së se aty parimi i integritetit territorial ishte i shenjtë. Apo se Kosova kishte 90% shqiptarë për shkak se tani e kishin pasur radhën serbët që të dëboheshin. E të tjera si këto.

Në fakt, procesi doli nga OKB për shkak të vetos ruse në Këshillin e Sigurimit. Por më e rëndësishmja, OKB ka të shenjtë edhe parimin e vetëvendosjes prandaj që nga themelimi i OKB-së mbi 60 shtete të reja janë shkëputur nga territori i vendeve që i mbanin në pushtim dhe u është njohur pavarësia e janë anëtarësuar në OKB. Po ashtu, shqiptarët kanë qenë 90% e popullsisë Kosovës që përpara vitit 1999.

E meritonte t’ia shkruaja një letër edhe këtij.

Gjithësesi, tri arsye ndikuan që nuk ia shkrova. E para, pavarësisht nga këto më lart e të tjera, Simic kishte shkruar gjëra që më pëlqyen. Ai e shihte Kosovën si të humbur përgjithmonë për serbët dhe më e rëndësishmja sipas tij serbët e kishin merituar që ta humbnin.

“E vërteta e thjeshtë është që herët a vonë mund të paguash për vrasjen e grave dhe fëmijëve dhe dëbimin e qindramijëra njerëzve të pafajshëm nga shtëpitë e tyre”, shkruante Simic për serbët. Sikur ta shkruanin kaq edhe intelektualët kryesorë të Beogradit.

E dyta, “The New York Book Review” mbetej një qoshe e intelektualëve të majtë në rrethet e të cilëve është gjithmonë e modës të flasësh kundër politikës së jashtme amerikane. Ky nuk ishte një lexues që mund të dëmtonte Kosovën apo të devijonte qendrimet e SHBA-së.

Së treti, ndryshe nga të përditshmet që i mbaja vazhdimisht në vëzhgim, numri tjetër i kësaj reviste dilte pas një muaji. Kisha kohë për ta shkruar nëse ndërroja mendje e në fund harrova. Kur më erdhi në mend më vonë më erdhi pak inat. Mund të kishte dalë letër e bukur, thjesht për hir të debatit, me një nga ata serbët e rrallë për të cilin ruaja pak respekt.

E kam menduar nganjëherë se pse një poet e njeri i ngritur si Simic merrej me këtë temë kaq jashtë fushës së tij. Nuk kishte asnjë detyrim të shkruante për konflikte të armatosura, për të drejtën ndërkombëtare, për historinë e Ballkanit etj. Për nacionalistët serbë dukej se nuk kishte respekt, madje i shkaktonin neveri. Pse dilte nga fusha e artit dhe kulturës për të cilën ishte ekspert e përfshihej në tema për të cilat nuk kishte as edukimin e as informacionin e majftueshëm?

Mbase si poet e pedagog, në pension, këto shkrime kanë qenë mundësi për të ardhura shtesë, për një njeri me një profesion që shpërblehet pak financiarisht. Mbase mosha e ka bërë nostalgjik për vendin nga erdhi, për fëmininë e tij si emigrant në lëvizje.

Në fakt, edhe si poet, Simic nuk u shkëput kurrë nga rrënjët e tij. Ndonëse ishte në radhë të parë një “poet amerikan”, ishte e kaluara e tij para-amerikane nga buronte fantazia e frymëzimi poetik.

“Jugosllavia e tij është një gadishull i mendjes”, shkruan një kritik. Simic “ndjen të djeshmen europiane t’i rrjedhë në deje”.

U largua me babain për në Itali, në fund të luftēs, në 1944. Ndoshta për t’u shpëtuar partizanëve. Jetuan në Itali, ndërkohë që nënës iu desh kohë që të largohej edhe ajo. Në fund u bashkuan në Paris. Babai mbërriti i pari në SHBA ndërsa Simic mbërriti bashkë me nënën kur ishte 16 vjeç.

Një nga gjërat e para që bëri ishte që e ktheu emrin nga Dushan në Charles. Përqafoi atdheun e tij të ri, shërbeu në ushtrinë amerikane, shkroi vetëm në anglisht e ia kushtoi jetën poezisë, mësimdhënies dhe krijimtarisë në tërësi. Ashtu si kolegë të botës së kolegjeve të artit liberal mbeti deri në fund kritik i ashpër i Amerikës. Por ky ishte vendi që ia përmbushi ëndrrat, ku sado shkarazi na u kryqëzuan trajektoret e jetës.

Please follow and like us: