Konsujt e nderit në Gjermaninë e Hitlerit
Në vitin 1942, ndërsa Gjermania naziste filloi të dërgonte qindra mijëra hebrenj në qendrat e vrasjeve, policia braziliane kreu një operacion në një qytet port në vendin e Amerikës së Jugut dhe arrestoi një pronar të pasur tokash. Për vendasit, ai ishte Otto Uebele, një menaxher brazilian i një kompanie të njohur tregtare kafeje. Ai gjithashtu shërbente si konsull nderi për Gjermaninë – dhe akuzohej si spiun naziste. “Një nga liderët e spiunazhit gjerman në Amerikën e Jugut”, shkruan agjentët e inteligjencës në një dokument sekret, të publikuar më vonë nga CIA. Një gazetë lokale në atë kohë e quajti Uebelen një burrë me “dukje të respektueshme, që gëzonte prestigj dhe ndikim të madh në qarqet shoqërore dhe tregtare”. “Askush”, shkruante gazeta, “nuk mund ta imagjinonte atë një spiun. Kjo gjë ra si një bombë, aq e madhe ishte befasia”. Historianët kanë treguar prej kohësh përdorimin klandestin të ambasadorëve dhe diplomatëve të tjerë profesionistë nga shërbimet e inteligjencës naziste. Shumë më pak vëmendje është përqendruar në aktivitetet e konsujve të nderit, të cilët për shekuj kanë punuar nga vendet e tyre për të përfaqësuar interesat e qeverive të huaja. ProPublica dhe Konsorciumi Ndërkombëtar i Gazetarëve Hulumtues përdorën dokumente të deklasifikuara të inteligjencës, artikuj mediatik dhe raporte të tjera për të identifikuar rreth 20 konsuj nderi që dyshoheshin se mbështesnin Rajhun e Tretë përmes spiunazhit dhe aktiviteteve të tjera të paligjshme. Konsujt përfshinin një nënkryetar të një salle sociale, një tregtar plehrash dhe një kimist. Ata kryesisht jetonin dhe punonin në vende neutrale në Amerikën Latine, Evropë dhe Afrikë, ku Gjermania naziste kërkonte të kultivonte aleatë ose të fitonte një avantazh në portet kritike dhe vendndodhje të tjera strategjike. Shumica e konsujve të nderit u emëruan direkt nga Gjermania, ndërsa disa u emëruan nga vende të tjera. Përdorimi i konsujve të nderit nga Rajhu i Tretë për të kultivuar pushtet dhe ndikim nuk është një anomali historike. Një investigim në vazhdim nga ProPublica dhe ICIJ ka ekspozuar shfrytëzimin e gjerë të sistemit kryesisht të pakontrolluar të konsullit të nderit, i përqafuar tani nga shumica e qeverive të botës. Në këmbim të shërbimit të tyre, konsujt e nderit marrin disa nga të njëjtat privilegje dhe mbrojtje që u ofrohen diplomatëve të karrierës. Ata mund të lëvizin valixhet diplomatike përtej kufijve pa inspektim dhe zyrat dhe korrespondenca e tyre mbrohen nga kontrollet. Grupet terroriste dhe udhëheqësit e regjimeve të korruptuara kanë përdorur diplomatët vullnetarë si agjentë përçarjeje, pjesë e një strategjie për të çuar përpara axhendat politike dhe ideologjike, zbuloi investigimi i ProPublica dhe ICIJ. Konsujt e nderit të lidhur me grupin terrorist libanez Hezbollah janë akuzuar për lëvizje droge dhe parash. Shërbimi i inteligjencës në Maqedoninë e Veriut pretendoi se dy konsuj nderi të emëruar nga Kremlini lejuan që zyrat e tyre të përdoreshin si “baza të inteligjencës” ruse. Konsuj të tjerë nderi kanë mbështetur pushtimet brutale të Ukrainës nga presidenti Vladimir Putin. Emrat e konsujve të nderit të dyshuar për mbështetjen e regjimit nazist shfaqen në një seri raportesh të deklasifikuara që përshkruajnë një përpjekje më të gjerë për mbledhjen e inteligjencës së ambasadave gjermane. Spiunët nazistë “zakonisht futeshin në stafin diplomatik të akredituar në një qeveri neutrale, udhëheqësit e tyre maskoheshin si konsuj nderi ose funksionarë të tjerë”, sipas një raporti të ushtrisë amerikane të vitit 1946 mbi inteligjencën gjermane gjatë luftës.
Në Brazil, Uebele u kap dhe u burgos. Ambasadori i SHBA-së në atë kohë u tha zyrtarëve në Uashington se Uebele kishte siguruar karburant për anijet naziste dhe kishte ndihmuar në furnizimin e nëndetëseve, tregojnë të dhënat arkivore. “Unë jam një konsull dhe spiunazhi ynë do të duhet t’i besohet hijes së konsullatës”, tha Uebele, sipas një transkripti të një interviste me një tjetër spiun të akuzuar të botuar në mediat braziliane në vitin 1949 me titullin “Diplomacia dhe spiunazhi në Gjermaninë e Hitlerit”. Uebele përfundimisht u shpall i pafajshëm në Brazil pas një çështjeje të gjatë ligjore, por qeveria refuzoi t’i kthente pronën e tij të sekuestruar, sipas një raporti mediatik. Ai vdiq në vitin 1956. “Kjo është mënyra se si i bënin gjërat gjermanët”, tha Priscila F. Perazzo, një profesoreshë historie në Universidade Municipal de São Caetano do Sul Municipal në Brazil dhe autore e një libri mbi spiunazhin e kohës së luftës që përshkruante Uebelen. “Qendra e spiunazhit në Brazil kalonte përmes njerëzve të pasur dhe të fuqishëm në sektorin privat me lidhje me ambasadën”. Në Spanjë, Gjermania emëroi si konsull nderi ish-menaxherin e fabrikës së birrës Wilhelm Leissner, i cili përdorte gjithashtu emrin Gustav Lenz. Ai thuhet se mbikëqyrte një rrjet të madh spiunazhi në Evropë, duke përgjuar komunikimet dhe duke përcjellë informacione në Berlin në një valixhe diplomatike, tregojnë të dhënat e deklasifikuara. “Ai përshkruhet zyrtarisht si “Atashe Nderi” në ambasadën gjermane, por në realitet është kontrolluesi i një rrjeti të madh oficerësh, agjentësh dhe nënagjentësh”, sipas një dokumenti të deklasifikuar të vitit 1942 të titulluar “Aktiviteti i zbulimit të armikut në Spanjë”.
Në vitin 1944, Leissner miratoi një pagesë për një amerikan, i cili kishte rënë dakord t’u jepte gjermanëve informacion rreth pushtimit aleat në Francën jugore, sipas të dhënave të marrjes në pyetje në një raport të inteligjencës ushtarake të SHBA-së. Gjermanët “do të kishin djem të tillë që do të kujdeseshin për rajone të caktuara. Janë ata që kontaktojnë gjermanët e tjerë dhe sjellin njerëz të tjerë në rrjetet e tyre të spiunazhit”, tha historiani David A. Messenger, i cili ka shkruar një libër për spiunët nazistë në Spanjë. “Një diplomat i nivelit të ulët ka kontakte në qeveritë spanjolle, njeh njerëz në ekonomi, njerëz në industri”. Të dhënat tregojnë se Leissner u kthye në Gjermani në paraburgim në SHBA në vitin 1946, por është e paqartë se çfarë ndodhi më pas. Diku tjetër, të paktën dy konsuj nderi që punonin për një kompani të njohur anijesh dyshoheshin se siguronin inteligjencë nga brigjet e Afrikës Perëndimore. Në Argjentinë, një punues peliçesh që kishte shërbyer si konsull nderi u bë një nga spiunët më të shquar në Amerikën e Jugut. Rrjetet gjermane të spiunazhit në Amerikën Qendrore dhe Jugore ishin një shqetësim i rëndësishëm për FBI-në, e cila deri në vitin 1946 identifikoi rreth 900 spiunë nazistë, sipas agjencisë. Konsujt e nderit e mbështesnin Gjermaninë naziste në mënyra të tjera, tregojnë të dhënat arkivore. Njëri në Suedi i dha para një anëtari të partisë naziste dhe fondit gjerman të “ndihmës së dimrit”. Një tjetër në Spanjë u dyshua në fund të vitit 1945 se kishte marrë masa për të lëvizur bizhuteritë dhe një koleksion të vlefshëm pullash postare jashtë Gjermanisë. Në vitin 2005, ministri i jashtëm i atëhershëm i Gjermanisë bëri thirrje për një hetim të Ministrisë së Jashtme, duke ngarkuar katër historianë. Ata zbuluan se zyra, e cila më parë ishte distancuar nga gjenocidi nazist, ishte përfshirë në mënyrë aktive në vrasjen masive të hebrenjve. Këtë vit, ministrja e jashtme e Gjermanisë e njohu publikisht rolin që luajtën diplomatët gjatë Holokaustit. Deklaratat e Annalena Baerbock u bënë në 80-vjetorin e Konferencës së Wannsee të vitit 1942, kur zyrtarë të lartë të Partisë Naziste dhe gjermanë u mblodhën në një periferi të Berlinit për të komplotuar atë që ata e quajtën “zgjidhjen përfundimtare të çështjes hebreje”. “Ne kujtojmë gratë, burrat dhe fëmijët e vrarë hebrenj dhe ata që i mbijetuan Holokaustit”, tha Baerbock. Zyrtarët e Ministrisë së Jashtme “të cilët e vënë veten në shërbim të krimeve dhe gjenocidit të regjimit nazist gjithashtu mbajnë përgjegjësi për vuajtjet e tyre”, tha ajo./Reporter.al