Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj: Viti i dëshmorëve shkrimtarë
Nderim për Migjenin, Dëshmor i Atdheut
Organizata Kombëtare e Dëshmorëve të LANÇ-it dhe Dëshmorëve të tjerë të Atdheut po ndërmerr nismën për organizimin dhe zhvillimin e një veprimtarie kombëtare “Viti i dëshmorëve shkrimtarë”, (1 janar-31 dhjetor 2023), në nder të poetit dhe prozatorit të shquar shqiptar, Millosh Gjergj Nikolla (Migjeni), Dëshmor i Atdheut në kuadrin e 85 vjetorit të ndarjes nga jeta, por dhe në kuadrin e 80 vjetorit të rënies heroike të mjaft heronjve dhe dëshmorëve të atdheut gjatë LANÇ-it.
Veprimtaritë do të organizohen në Shqipëri, por dhe në vende ku jetojnë e banojnë shqiptar për të përkujtuar 80-vjetorin e rënies heroike të dëshmorëve shkrimtarë që ranë gjatë vitit 1943 në të gjithë Shqipërinë. Të mos harrojmë se në vitin 2023 kanë përvjetorin e 80 të rënies Heronjtë e Popullit: Fuat Babani, Ramiz Varvarica, Tom Kola, Ramiz Aranitasi, Asim Zeneli, Margarita Tutulani, Reshit Çollaku, Shyqyri Alimerko, Musa Fratari, Themo Vasi, Skënder Çaçi, Xhemal Kada, Gjok Doçi, Kastriot Muço, Maliq Muço, Abaz Shehu, Ali Demi.
Viti i dëshmorëve shkrimtarë është menduar të shtrihet në një hapësirën kohore një vjeçare, duke përfshirë institucione të ndryshme shtetërore, studiues, historianë, faktorë të tjerë të shoqërisë civile brenda e jashtë Shqipërisë, për të demostruar vlerat që pati tek rinia shqiptare antifashizmi, si një lëvizje e madhe e kohës, që me idealet e tyre përparimtare, luftuan dhe bënë të mundur çlirimin e vendit dhe nuk lejuan që Shqipëria e fashistëve, nazistëve dhe ballistëve të quhej me statusin “e një vendi të mundur, në Luftën e Dytë Botërore”.
Në këtë vit do të zhvillohen sesione shkencore, ekspozita, takime e publikime, ku do flasin studiues e historianë për Migjenin, Andon Zako Çajupin, Ismail Strazimiri, Memo Meto, guida historike me qëllim njohjen e botës së tyre shpirtërore dhe guximin për t’u përballur me fenomenet e kohës, por dhe të luftës për një botë të re. Një vëmendje do t’u kushtohet dhe publikime në medie me këtë objekt, emisione televizive e dokumentarë për veprës së Migjenit e cila sfidonte në çdo pikëpamje shqetësimet e mundimshme të jetës shpirtërore shqiptare.
Përvjetorët e lindjes dhe ndarjes nga jeta të heronjve dhe të dëshmorëve janë pika kulmore që u duhet kushtuar atyre që dhanë jetën për Atdhenë dhe çlirimin e tij nga pushtuesit dhe tradhëtarët. Përkujtimi i përvjetorëve, tashmë është kthyer në traditë, por meqenëse në periudhën kohore që përkon 112-vjetorin e lindjes dhe 85-vjetorin e ndarjes nga jeta të Migjenit, Organizata Kombëatre e Dëshmorëve ndërrmer një aktivitet të tillë kombëtar.
Migjeni, shkrimtari më i pëlqyer i rinisë
Millosh Gjergj Nikolla i njohur më shumë Migjeni, lindi në Shkodër më 13 tetor 1911-dhe ndërroi jetë më 26 gusht 1938. Ai ishte një poet dhe prozator i shquar shqiptar. Migjeni konsiderohet si një ndër shkrimtarët më të lexuar e më të rëndësishëm të letërsisë shqipe të shekullit të 20-të nga rinia. Për epokën në të cilën jetoi ishte një zë krejtësisht novator nga brendia dhe forma. Ndikimi i tij mbi letërsinë shqipe të kohës ishte tepër i madh.
Migjeni shkroi dhe botoi skica dhe tregime duke kaluar nga romantizmim revolucionar në realizëmin kritik gjatë jetës së tij. Ai trajtoi në mënyrë të veçantë varfërinë e viteve kur jetoi, me krijime të tij të bujshme si “Bukën tonë të përditshme falna sot’, “Bukuria që vret’, “Mollë e ndalueme”, “Legjenda e misrit”, “A don qymyr zotni?”, etj., që fshikulloi deh fiskullojnë dhe sot ashpër indiferentizmin e klasave të kamura ndaj vuajtjeve të popullit.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe pas saj mori një shtysë të veçantë përhapja e krijimtarisë së tij, ku regjimi dhe Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë mori përsipër botimin e plotë të veprave, të cilat në vitet ‘30 kishin qenë pjesërisht të pabotuara. Kështu trashëgimnia letrare e Migjenit u bë e njohur plotësisht në masën e gjerë të rinisë deh u fut në studim në tekstet e shkollave. Vepra e plotë e Migjenit është botuar në vitet 1954, 1957 dhe 1961, por më pas kanë dalë dhe një varg botimesh të tjera. Shkrimet poetike dhe në prozë të Migjenit janë përkthyer në disa gjuhë të huaja. Për jetën dhe shkrimet e tij janë botuar studime e artikuj të shumtë.
Me interesimin e Republikës Popullore të Shqipërisë eshtrat e Migjenit u sollën në atdhe në vitin 1956. Migjeni mban titullin “Mësues i Popullit” që nga viti 1957. Komiteti Ekzekutiv i rrethit të Shkodrës e ka shpallur Millosh Gjergj Nikola, Dëshmor të Atdheut me vendim nr. 129, datë 3.11.1969. Eshtrat e tij gjenden në varrezat e dëshmorëve të bashkisë Shkodër. Rrugë, shkolla dhe teatri në Shkodër mbajnë emrin e tij.
Migjeni është një personalitet me dimensione të gjëra që me punën dhe veprën e tij qëndron stoik dhe kohën tonë. Largësia kohore e 85 viteve nga ndarja nga jeta e nxjerr akoma më mirë madhështinë dhe thjeshtësinë njerëzore të figurës së tij.
Çajupi, dëshmor i fundit i Rilindjes
Andon Zako, i njohur me emrin e tij letrar Çajupi, lindi në Sheper më 27 mars 1866-ndërroi jetë më 11 korrik 1930, ishte i fundit veprimtar i Rilindjes Kombëtare.
Ai është i njohur me emrin letrar Çajupi, marrë nga emri i malit në krahinën e Zagorisë, ku dhe mori mësimet fillore në shkollën greke në Nivan të Zagorisë. Në vitin 1882 u vendos në Aleksandri, ku studioi në liceun francez dhe në vitin 1887 shkoi në Zvicër për studime për jurisprudencë, ku i vazhdoi studimet për pesë vjet në këtë disiplinë. Aty takoi bashkëshorten, Eugjeninë, me të cilën pati një djalë, Stefanin.
U kthye në Egjipt ku iu përkushtua lëvizjes kombëtare, duke u bërë një ndër figurat qendrore të kolonisë shqiptare. Në Kajro punoi për një kohe avokat. Më pas iu përkushtua letërsisë. Nga fundi i shek. XIX mori pjesë gjallërisht në lëvizjen patriotike shqiptare dhe mbajti krahun e saj më të përparuar. Në rrethet e gjera atdhetare u bë i njohur me një artikull që shkroi në kuadrin e diskutimit rreth çështjes së alfabetit, ku ishte kundër adoptimit të alfabetit grek në gjuhën shqipe. Më 1909 botoi shkrimin “Klubi i Selanikut”, një pamflet dërrmues kundër armiqëve të brendshëm të lëvizjes kombëtare shqiptare.
Patriotizmi i flaktë dhe qëndrimi i prerë ndaj pushtuesve të huaj, e nxorën Çajupi në krye të patriotëve që vepronin në Egjipt. Më 1919 u zgjodh kryetar i shoqërisë “Vëllazëria” me qendër në Kajro. Ai ishte frymëzuesi dhe njëri nga hartuesit e memorandumit që shqiptarët e Egjiptit, i dërguan Konferencës së Paqes më 1919, në mbrojtje të tërësisë territoriale të Shqipërisë. Më 1920 themeloi “Shoqërinë e Miqve”, e cila në vitin 1928 e ngriti zërin kundër shpalljes së monarkisë nga Ahmet Zogu.
Çajupi është një nga përfaqësuesit më të shquar të letërsisë së traditës, ai është shkrimtar atdhetar e demokrat, me veprën e tij i hapi udhë realizmit në letërsinë shqipe. Eshtrat e tij u sollën në Shqipëri në vitin 1957 dhe prehen në Memorialin e Rilindasve në Gjirokastër. Emrin e tij e mbajnë institucione kulturore e arsmiore si dhe rrugë.
Komiteti ekzekutiv i rrethit të Gjirokastrës Andon Zako Çajupi e ka shpallur Dëshmor të Atdheut me vendim nr. 3608, datë 26.11.1962, në kuadrin e 50 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë.
Motër e vëlla, shkrimtarë dëshmorë
Margarita Tutulani lindi në maj të vitit 1924 në qytetin e Beratit në një familje me tradita atdhetare e intelektuale. Ishte një nga figurat e shquara të LANÇ-it në qarkun e Beratit. Në vitin 1938 u regjistrua në Institutin Femëror të Tiranës, ku u njoh me idetë komuniste dhe filloi veprimtarinë antifashiste revolucionare. Duke qenë me kulturë të gjërë e talent letrar shkroi që e vogël poezi e proza të ndiera me frymë humane e përparimtare. Punoi pa u lodhur për organizimin e mobilizimin e grave dhe të rejave në luftën për çlirimin e vendit. E kapur befasisht nga armiqtë, u bëri ballë me trimëri torturave çnjerëzore. U ekzekutua nga fashistët italianë, së bashku me vëllanë Kristaq Tutulanin, më 6 korrik 1943.
Kristaq Tutulani, lindi në qytetin e Beratit, më 7 dhjetor 1919. Mësimet i nisi në shkollën qytetëse të vendlindjes, i vazhdoi ato në Liceun e Korpçë dhe i përfundoi në gjimnazin e Shkodrës. La studimet në Itali dhe u kthye në atdhe për të marrë pjesë aktive në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Ishte me kulturë të gjërë. Ka shkruar artikuj letrarë e politikë, poezi e prozë. U vra, së bashku me motrën e tij Margaritën, në Gosë të Kavajës më 6 korrik 1943.
Dëshmorë shkrimtarë…
Sulo Didi lindi në një familje të varfër gjirokastrite në vitin 1922. Në vitin 1936 familja e tij u vendos në Vlorë. Në bangat e shkollës bie në kontakt me idetë revolucionare. Sulo merrej me letërsi dhe karikaturë. Që në shkrimet e vizatimet e para të bie në sy urrejtja që kishte për regjimin dhe armiqtë. Në vitin 1940 Sulo përjashtohet nga shkolla si “… turbullues që bën propagandë dhe merret me veprimtari antifashiste…”. në këtë kohë shkroi dhe poezinë “Kushtrim”, e cila në gërmën e parë të çdo rreshti formohej parrulla “Poshtë fashizmi, rroftë populli”. Në vitin 1942 pranohet në radhët e Partisë Komuniste të Shqipërisë. U vra më 10 qershor 1943.
Myrteza Pengili lindi në një familje me tradita atdhetare të qytetit të Krujës. Gjatë jetës shkollore dallohej për vëmendjen dhe punën e tij të kujdesshme si nxënës, sidomos në aspektin moral dhe politik. Mori pjesë në demostratat e para të Tiranës bashkë me shokë të tjerë të Liceut dhe të njësitit gueril. Në aksionet e njësitit gueril shkroi dhe poezinë e parë “Të parët tanë trima me fletë”. Mori pjesë në shumë luftime të batalionit “Krujë-Ishëm” dhe u dallua në aksionet kundër armikut. U vra në përpjekje me armiqtë, më 13 shtator 1943.
Kryesia e Përgjithshme vitin 2023 e quan “Vit i dëshmorëve shkrmtarë”, për nder të përvjetorëve të përkujtimit të dëshmorëve që kanë lënë vepra dhe shkrime, duke bërë kështu më shumë të njohur veprimtarinë e tyre dhe degët e Organizatës së Dëshmorëve në bashkitë e vendit të programojnë veprimtari gjatë gjithë vitit. Qëllimi për të marrë masa dhe të organizohen veprimtari përkujtimore nga çdo degë në bashkëpunim më bashkitë dhe institucionet përkatës.