Albspirit

Media/News/Publishing

Dorian Koçi: Një histori e shkurtër e Azerbajxhanit

 

 

 

Parathënie

Nga imagjinata drejt realitetit historik

 

Masivi malor i Kaukazeve përngjan me Ballkanin. Kjo ngjashmëri, që nuk u ka shpëtuar historianëve dhe antropologëve, ka bërë që shpeshherë në veprat e tyre të nënvizojnë tiparet e përbashkëta antropologjike të këtyre popujve, si ashpërsia, mbajtja e fjalës së dhënë dhe trimëria. Sigurisht që në këto përcaktime ka edhe teprime e ngjyrime nga ndikimet orientaliste, ku letërsia e shkruar ka shërbyer si lëndë kryesore për përcaktimin e këtyre imazheve. Kontakti im i parë kulturor me Kaukazin dhe popullsitë që banojnë aty, sikundër për një pjesë të madhe të njerëzimit, kanë qenë historia dhe mitologjia. Gjeografi dhe historiani antik grek, Herodoti, në “Historinë” e tij, territorin e hershëm ku banojnë sot azerbajxhanasit e përmend me emërtimin Albania, si një mbretëri e fortë në Kaukaz. Herodoti thotë se në mbretërinë e Albanisë jetonte një popull barbar, por i bardhë. Sipas tij, Albania e Kaukazit banohej nga një popull që kishte një vitalitet të jashtëzakonshëm dhe, ndryshe nga të tjerët aty pranë, mund të udhëhiqej edhe nga gra mbretëresha. Një rast i tillë ishte ai i mbretëreshë Tomrisit, e cila, në vitin 529 para Krishtit, u vu vetë në krye të ushtrisë për të thyer trupat e mbretit pers Cyrus II e madje edhe për ta vrarë këtë të fundit. (Shih për më tepër: Herodoti. Historitë. Botimet IDK. Tiranë, 2014). Ndërkaq, territori dukej që ishte sërish përcaktues për tipologjinë e kulturës dhe jetesës në hapësirën ku shtrihet Azerbajxhani i sotëm. Në mesjetën e hershme andej kalonte Rruga e Madhe e Mëndafshit që lidhte Kinën me Europën, çka është ringjallur sërish në formën e shkëmbimit të të mirave, mallrave dhe korridoreve energjetike, duke i dhënë Azerbajxhanit të sotëm një rol të rëndësishëm në gjeostrategjinë botërore.

Kontaktet e shumta me europianët në shekullin XIX krijuan një stereotip kulturor që mbijetoi për një periudhë kohe në imagjinatën europiane, por pa iu përgjigjur përherë realitetit. Vendet e vogla të përfshira në qytetërimin lindor, si Azerbajxhani, për shkak të besimit fetar të shumicës në vend, vuajnë shumë për sa i përket imazhit të tyre në kancelaritë europiane. Kjo prirje e ka origjinën në ndërthurjen e veçantë mes turkofobisë dhe islamofobisë, si dhe filoarmenizmit në mendimin politik europian, si rezultat i përzierjes së udhëtimeve diplomatiko-turistike dhe interesave të Fuqive të Mëdha në Kaukaz. Për pasojë, kjo përqasje e re e Europës, që zuri fill me udhëtimet dhe pushtimet ruse në rajon në fillimet e shekullit XIX, theu karakterin e njësuar të botës orientale dhe krijoi premisat për rizbulimin e Kaukazit në mendimin europian. Ky rizbulim shkon hap pas hapi dhe me ndryshimin e emërtimeve të këtyre viseve nga provinca iraniane në fillim të shekullit XIX në provinca të Perandorisë Ruse në mes të shekullit, për të fituar emrin Transkaukazi në fillim të shekullit XX. Përdorëm termin “rizbulim”, pasi këto vise, si pjesë përbërëse e ish Perandorisë Romake dhe asaj Bizantine, më vonë ekzistonin në kujtesën kolektive të Europës dhe në historiografinë e saj në formën e emërtesave të provincave romake dhe temave bizantine, siç dëshmohet lehtësisht nga burimet historike. Gjatë studimeve të mia në Cairo University, u njoha me shumë studentë që u shndërruan shumë shpejt në miq e shokë, të cilët më ravijëzuan një imazh tjetër të Kaukazeve dhe Azerbajxhanit në veçanti. Gati çdonjëri prej tyre kishte një histori të të afërmve, si dhe për të rrëfyer për përpjekjet identitare gjatë viteve 1988-1991, shpalljen e pavarësisë më 1991 dhe konfliktin e dhimbshëm në Nagorno-Karabak, të riemëruar sot si Karabak. Njohja me literaturën rreth historisë së tij dhe mbajtja e shënimeve për ngjarjet më të rëndësishme që shënjuan historinë mijëravjeçare të Azerbajxhanit, janë zanafilla e këtij libri. Ngjarjet e vitit 2020, kur Azerbajxhani rifitoi territoret e humbura që nga viti 1993 dhe vendosi sovranitetin e tij në kryeqytetin kulturor Shusha, më bënë që t’iu rikthehem sërish shënimeve të mia të hershme, kësaj here për të shkruar një histori të shkurtër të këtij kombi fisnik për publikun shqiptar. Atëherë rizbulova dhe mrekullitë arkitektonike dhe kulturore të Shushës, qytetit që u themelua në gjysmën e dytë të shekullit XVIII dhe brenda një kohe të shkurtër u bë një nga qendrat kryesore ekonomike dhe kulturore të Kaukazit të Jugut, duke tejkaluar në këtë drejtim shumë qytete antike të khanateve të tjera në Azerbajxhan. Sot ka pikëpamje të ndryshme mbi origjinën dhe kuptimin e emrit të qytetit të Shushës. Sipas legjendës popullore, era në këto zona quhej “Susha” (“xham” në gjuhën azerbajxhanase), sepse ishte shëruese dhe e pastër si kristali. (Dr. Firdovsiye Akhmedova. Shusha, kryeqyteti kulturor i Azerbajxhanit! Qytetit të dytë më të madh dhe më të vjetër të Karabakut i është rikthyer jeta dhe gjallëria! Gazeta Panorama, 25 prill 2022) Në vitin 2022, Shusha u shpall kryeqyteti kulturor i Azerbajxhanit – për të promovuar panoramën historike të këtij qyteti, lavdinë e mëparshme, kulturën e pasur, arkitekturën dhe planifikimin urban të Azerbajxhanit në arenën ndërkombëtare.

Qëndrimi i opinionit publik europian ndaj politikës koloniale ruse në rajon dhe konfliktit në Nagorno-Karabak ka kaluar në tri epoka: në periudhën cariste, komuniste dhe paskomuniste. Ky qëndrim ka vënë në provë të rëndë ndërgjegjen ruse dhe europiane. Për fat të keq, shumica e shkrimtarëve dhe intelektualëve rusë, madje edhe ata që kishin pasur për flamur liberalizmin dhe të drejtat e njeriut, si Aleksandër Solzhenicini, nuk i qëndruan dot kësaj prove. Provës nuk po i qëndrojnë dot as disa nga vendet demokratike e që, për interesa të çastit, kanë mbyllur sytë përpara tragjedisë së rajonit të Karabakut. Sfida, në këtë rast për të hedhur dritë në zhvillimet historike dhe politike në rajonin e Kaukazit, kthehet në sfidë profesionale dhe qëndrim ndaj së drejtës historike si pjesë e sistemit referencial dhe jo preferencial ndaj historisë dhe ngjarjeve politike që kanë shënjuar rajonin.

 

Please follow and like us: