Albspirit

Media/News/Publishing

Instituti (Universiteti) Bujqësor me zemër të madhe

Memories: Instituti (Universiteti) Bujqësor me zemër të madhe! -nga E. Kaceli

Me kërkesën e disahershme të mikut, kolegut dhe bashkëstudentit, profesorit të nderuar Zef Gjeta, për të shkruar disa nga kujtimet më pikante të katër viteve e gjysëm student në Universitetin Bujqësor të Kamzës, Tiranë, rashë në një hall e vështirësi të pazakontë!
Kanë kaluar shumë vite e kujtesa ka filluar të mjegullohet nga mosha! Shumë gjëra duam ti kujtojmë e nuk mundemi, siç kujtojmë shumë gjëra që nuk kena dëshirë ti kujtojmë për një mijë e një arsye!
Për shembull nuk kam dëshirë të kujtoj mencat e varfëra në ushqim e pastërti ku ushqeheshim rreth tre mijë e 500 studentë, e ardhmja e shkencës bujqësore shqiptare! (Ah se mu kujtuan edhe tufat e minjve që shëtisnin natën, të pashqetësuar, nëpër raftet gjysëm bosh të mencave)
Apo dhomat e akullta të fjetjes, ku më fatlumët prej nesh ndaheshin vetëm me ndonjë ftohje të lehtë në mushkëri!

Megjithatë ishte moshë e bukur, me ëndërra të bukura, kur guxonim të ëndërronim! Këto ëndërra më sillen nëpër mjegullën e kujtimeve edhe sot e kësaj ditë!
Fati im i madh ishte dëshira e papërmbajtshme për tu bërë dikush në letërsi! Një ëndërr e çmendur fëmijërie, e rinie, që çmenduria e kohës kërkoi të ma mbyllte në degën e studimeve, me detyrim, për agronomi!

Fati i madh deshti që në Institut (Universiteti i sotshëm) ishte një gazetë “Studenti i Bujqësisë” me kryeredaktor të atëhershëm Shefqet Meko-n, një njeri pasionant, jashtëzakonisht njerëzor e dashamirës, që e kishte kthyer gazetën e studentëve të bujqësisë një një strehë të mbrojtur të talenteve të poezisë, gazetarisë dhe shkencëtarëve progresivë, sa ç’mund të flitej për progresivitet larg skemave mbytëse të kohës!
Aty pata fatin të gjej, njoh, e bashkëpunoj me emra që më vonë u bënë të njohur si Marash Mirashi, Jakup Gjoçaj, Tonin Kaçaj, Jak Përpali, Riza Doda, Agim Deva, Vojsava Zagali, Gjergj Zefi, Zef Gjeta, e dhjetëra të tjerë që lanë e vijojnë të lënë emrat e tyre në poezi, letërsi e gazetari.

Mos ia bëj qejfin armikut!
Student në vitin e parë shkollor 1985-1986! Aty diku afër, nga 16 tetori, për ditëlindjen e Diktatorit, na dërguan tek varrezat e dëshmorëve! Na mbushën me autobuzët fizarmonikë duke na u zënë fryma, të gjithë studentëve të agronomisë. Rreth 1200 veta! Tek varrezat e Dëshomorëve të Kombit një solemnitet makabër! Na rrjeshtuan si fëmijëve në radhë e do të kalonim me grushtin lart, të preknim shkronjat e emrit të Enverit, të nderonim për disa sekonda e të iknim.
Përpara meje kisha dy shoqe grupi nga jugu. Sapo iu afruam varrit, filluan të qanin me dihajte! Me zor mbaheshin në këmbë!
Kaloi e para, e lotët i rridhnin çurgë! E dyta, që ishte veshur krejt në të zeza, u shtri mbi varrin e Enverit duke qarë me zë të lartë e lotë! Pas saj shtrydhesha unë, por si natyrë që nuk qaj kollaj, e për shkak të skenës para syve, për dreq nuk më vinte asnjë kokërr loti! Kjo skenë zgjati gati një minutë!
Dikush nga ata civilët në të zeza, që vëzhgonin varrin 24 orë ma bëri me shenjë ta ndihmoja shoqen se duhej lëshuar radha të tjerëve! Iu afrova me ngadalë e i pëshpërita në vesh:
-Ngreju tani! Na është dhimbsur të gjithëve! Ngreju! Kemi mësimet e Tija! Bëju e fortë! Mos ai bëj qejfin armikut!
Tani pas vitesh kur e kujtoj skenën, pyes veten deri në çfarë shkalle e kisha seriozisht e deri në çfarë shkalle rrezikova pa dashje? Isha disident? Jo!

Ulliri sa një top futbolli!
Për dreq më pëlqente humori dhe kisha publikuar disa shkrime të shkurtëra edhe tek revista “Hosteni”, e vetmja, dhe më e mirë revistë satirike shqiptare, e botuar në vend, qysh pas viteve të Luftës Civile të ’44!
Më kujtohet, për shembull, aksioni i famshëm i identifikimit dhe regjistrimit të ullinjve në mbarë Shqipërinë! Angazhuan krejt kurset e Agronomisë, nga i pari deri tek i fundit! Nga mëngjezi deri në darkë shtypi fliste për aksionin kombëtar të Ullirit! Dhe për direktivat e shokut Ramiz Alia, pasardhësi dhelparak i Diktatorit!
Në entuziazmin e moshës, dhe të aksioneve që organizonte Partia, ndoshta paksa edhe me hile humori, shkrova:

Aksionistëve të Ullirit

Pema më e lashtë e këtij trolli
e bëftë kokrrën sa një top futbolli!

Shefqet Meko me entuaziazmin e tij tipik, e publikoi në këndin satirik. Plasi në Komitetin e Partisë së Tiranës, e thirrën urgjent edhe në Partinë e Institutit! Partia e lexonte gazetën me laps në dorë! Kishin thirrrë urgjent Shefqet Mekon e madh! Pse talleni me objektivat e Partisë! Kush është ky djali! Hidhini një sy biografisë së tij! Mekoja, falë edhe dashamirësisë së profesor Abdulla Kapidani-it, sekretar partie në Institut, kishte përmendur menjëherë se ky djali ishte shumë premtues në fushën e humorit, dhe shkruante me partishmëri, madje shkruan edhe në Hosteni!
Hosteni ishte garanti i partishmërisë!

Si bën fjala pyll në gjirokastritçe?

Në universitet një herë në javë bënim lëndën e quajtur Ushtarake. Oficerë aktivë të Brigadës Studenti Kamëz, na mësonin rregullat, rregulloret, taktikat e luftës e një mijë e një marrëzi të tjera!
Problemin më  të madh e kishim me një oficer, nga Gjirokastra, emri nuk më bie ndërmend! Ai na spjegonte taktikat e luftës kundër Desantit Ajror Armik!
Rreth 200 studentë në sallën e madhe të leksioneve! Dëgjonim e mbanim shënim! Tema: Lëvizja e Desantit Ajror në Rajonin e Pyllëzuar dhe Lufta jonë ndaj tij! Imagjinoni!

Oficeri gjirokastrit: Sot do shpjegojmë Lëvizjen e Desantit Ajror Armik në rajonin e pillëzuar dhe kundërveprimet tona në pill!

Një valë të qeshurash nën hundë trazoi sallën!
Dikush nga vajzat e ulura në radhët e fundit, me origjinë nga Shkodra, ngaqë nuk iu besoi mirë veshëve, pyet: Profesor lutem na e përsërit se nuk e kuptova mirë temën!
Oficeri: Shkruaj shkurt: Desanti ajror në rajoni e pillëzuar dhe lufta jonë në pill!
Në fillim i përmbajtëm pak të qeshurat, por kur për rreth 3 orë leksion dëgjuam të paktën treqind herë fjalën pyll të thënë në gjirokastritçe, të qeshurat nuk përmbaheshin!

Si përfundova në Radio Studenti!
Universiteti kishte një qendër zërit të lidhur me të gjitha godinat. 90% të rasteve nuk funksiononte brenda dhomave. E quanim me përkëdheli Radio Studenti i Bujqësisë! Nuk funksiononte brenda dhomave, ama altoparlantët të çanin veshët nga ora 6 e mëngjezit deri vonë në mbrëmje. Dy studentët, që rrinin aty i zgjidhnin, ose për partishmëri, ose nga që shkruanin në gazetën Studenti i Bujqësisë!
Detyra ishte të lexonin lajmet e shtypin e ditës, sidomos komunikatat, fletërrufetë, rezultatet e aksioneve, gazetën “Studenti i Bujqësisë”, e të lidhnin radio Tiranën me muzikën e ditës, e këngët revolucionare.
Studentët që flinin aty, si më të priviligjuarit, kishin mundësi të dëgjonin, fshehtas, edhe muzikë të huaj, pa limit, nëse njëri prej tyre nuk do të denonconte. (Në fakt në gjirin e studentëve kishte gjithmonë një solidaritet, relativ, bëhet fjalë për vitet 86-90!)

Më kujtohet qe në qendër të zërit, aty nga viti ’87, shkoi një bashkëstudenti im Fatmir Demirxhiu, me një tjetër!
Një mëngjez ndodhi e papritura: Në vend të muzikës së zakonshme të Radio Tiranës, nga altoparlantët e Qendrës së Zërit, dilnin këngë të muzikës së lehtë italiane! Të gjithë studentët e godinës së Agronomisë, ku ndodhej qendra, dolën në dritare dhe ashtu gjysëm të zhveshur mbanin ritmin nëpër dritare! Kjo zgjati disa minuta të bollshme! Pastaj heshtje!
Ç’kishte ndodhur? Fatmiri me shokun e vet në mbrëmje vonë, pasi kishin stakuar altoparlantët kishin ndërruar stacion, e për llogari të tyre, kishin dëgjuar deri vonë muzikë italiane! Në mëngjez, i pari që u ngrit nga gjumi, lidhi Qendrën e Zërit, pa ndërruar stacionin! Një gabim që minimalisht iu kushtoi largimin e menjëhershëm nga qendra e Zërit! Them minimalisht, sepse dikush kërkoi edhe përjashtimin e tyre, po ndonjë nga tolerantët e shumtë në udhëheqjen e partisë e të rinisë, në ILB i shpëtoi!

E kështu me ndërhyrjen e mikut tim kryeredaktor Shefqet Meko dhe të sekretarit të rinisë së institutit profesor Ernest Gocaj, përfundova në Qendrën e Zërit së bashku me Agim Devën një shok i mrekullueshëm nga Dibra.
Natyrish gjatë karrierës time tre vjeçare aty, i kontrollonim mirë fishat dhe stacionet e radios, përpara se të nisnim transmetimin!

Një këngë me tra- la- la!

Aty nga viti i katërt i shkollës së lartë kishim lidhur një miqësi jo fort të zakontë të gjithë letrarët e ILB-së. Na mblidhte Meko në gazetën tonë! Veçanërisht kisha lidhje, ngase vinim nga Lezha, me Marash Mirashin, një poet i rrallë, që më vonë e pata edhe koleg në gazetarinë profesionale pas viteve ’90.
Si gjysëm poetë për kohën, rrinim thuajse gjithmonë bashkë ose tek zyrat e gazetës studenti ose në kafen e pallatit të kulturës!

Një ditë muzikanti i pallatit të kulturës Arqile Pilkati i thotë Marashit se kishte nevojë për një tekst kënge për ta paraqitur në një nga festivalet e këngës në Radio Televizionin Shqiptar!
Marashi, një talent i pazakontë në poezi, iu vu punës! Një baladë dashurie në bankat e universitetit, një djalë e një vajzë, etjerë! Ia paraqiti Arqilesë që iu vu menjëherë kompozimit të muzikës!
Të nesërmen e thërret në sallën e provave të pallatit të kulturës. Ashtu siç ishte Ai, një talent në muzikë, krejt serioz hapi fizarmonikën e filloi. Arriti deri aty nga mesi i këngës -poezi e ndaloi!
Djema nuk më ecën më tej!
Marashi i preokupuar për tekstin i thotë: Ka ndonjë problem me tekstin? Se është kënga e parë që shkruaj!
Arqileja krejt natyrshëm i thotë: Teksti është i bukur, shumë i bukur! Qëndron si nga pikëpamja estetike, ashtu edhe partiake. Por unë si muzikant kam nevojë për një rresht ku të thuhet kjo, dhe godet ritmikisht fizarmonikën duke thënë: Tra-la-la-laaaa, laa! Se ndryshe nuk më del muzika!

Si profanë në muzikë ia futëm të qeshurës dhe u larguam! Me Marashin, kur takohemi, fort rrallë për
shkak të kohës që na ndau, ndonjëherë i them: Marash kam nevojë për një tekst kënge ku të ketë të paktën një Tra-la-la-laaaa, laa të fuqishme se ndryshe nuk na del muzika!

Profesorët që erdhën nga Greqia!

Në vitet e fundit për nevojat e zhvillimit të shkencave bujqësore, dhe sipas orientimeve të partisë, qeveria shqiptare e kohës kishte dërguar disa nga studentët e sajë ekselentë, dhe pjesë e stafit pedagogjik, për studime e specializime në Greqi! Një gjë e rrallë për kohën! Këta sapo ktheheshin në Institut dalloheshin nga pjesa tjetër e stafit pedagogjik për një tjetër klas në veshje e mirëmbajtje, veçse edhe ishin më të hapur e më komunikues me studentët, sidomos me studentët e viteve të fundit!
Një prej tyre, specializuar në Greqi ishte edhe profesori i nderuar, më vonë ministër bujqësie, Rexhep Uka.

Në vitin e katërt, (1988- 1989) për fatin tonë të madh, na caktuan që si komandant kompanie gjatë stërvitjes ushtarake, profesor Rexhepin!
Një njeri i pazakontë jo vetëm në fushën e bujqësisë por edhe me një kulturë letrare të rrallë për kohën!
Sapo ishte kthyer nga specializimi në Greqi.
Ashtu të veshur ushtarakë e me armë në dorë, na bëri të niseshim nga godinat e studentit, (në katin përdhes kishim depot e armatimit e të veshmbathjes ushtarake) me këngë partizane!
Ditën e parë e morëm me përtesë. Por pasi marshuam, disa kilometra duke hequr këmbët zvarrë e duke zvarritur këngët partizane nëpër gojë, u futëm në një nga pyjet e zonës e profesori na dha urdhër të shpërndaheshim për pushim!
Caktoi nja tre katër veta si roje, për të dhënë alarmin në rast se na vinte ndonjë kontroll nga oficerët aktivë të Brigadës së Studentëve. Rreth tij u ulëm disa më të “zgjedhurit” gati si rastësisht: Unë, Marash Mirashi, Arben Ndoj, nga Lezha,  Ramiz Rrustemi nga Tropoja, Besnik Tota nga Kukësi, Astrit Kuteli nga Vlora e ndonjë tjetër që nuk më bie ndërmend nga kalimi i viteve.
Ishte hera e parë që dëgjuam një njeri, aq më tepër një profesor tonin, të na fliste hapur për zhvillimin e shkencës bujqësore në botën kapitaliste! Për arritjet e Greqisë në Bujqësi, për jetesën atje!
Asnjë pedagog nuk kishte guxuar të na hapte sytë në një mënyrë të tillë. Fliste krejt avash, me një qetësi të jashtëzakonshme!
E duke parë një lloj frike, të natyrshme për kohën, në sytë tanë theksoi: Unë këto mendime i kam mbrojtur edhe më lart! Ua kam thënë se i mbroj e do ti mbroj. Kemi mbetur në vendnumëro! Nuk ecet më kështu!
Për 14 ditë rresht në stërvitje bënim të njëjtën gjë! Niseshim me këngë partizane në gojë, fshiheshim në pyll. Flisnim në një rreth të ngushtë me profesorin e nderuar, e kurajoz, për letërsinë e artin, për bujqësinë, për bujqësinë kapitaliste! Në kthim, sapo i afroheshim godinave të Instituti, ia merrnim këngës partizane me zë të lartë si një kompani shembullore!
E theksoj: Nuk ishim kundërshtarë -oponentë të mirëfilltë të regjimit, pasi frika ishte e madhe, por na ishin hapur sytë pak më shumë se një pjese të madhe të bashkëmoshatarëve tanë që vinin kryesisht nga zonat fshatare ku varfëria e madhe përzier me partishmërinë proletare të diktaturës, indoktrinonin në fazën më të lartë të mundshme!
 
Shenim: Keto kujtime do te perfshihen ne librin me kujtime te studenteve te Agronomise te kursit 1985- 1990 te pergatitur nga profesor Zef Gjeta. Libri eshte ne proces.
Please follow and like us: