Behar Metohu: KAMARIERI ITALIAN
Tregim i jetuar
Atë pasdite vezulluese plot shkëlqim ndërsa dielli perëndonte vendosëm të shkonim në restorantin “Pelican” buzë detit. Ishte një restorant italian pranë hoteleve të “Pelican Beach”, ku komuniteti mbizotrohej nga italianë. Rrotat e kadillakut rrëshqiten lehtë pranë parkimit dhe nga xhami i makinës rrezja e diellit nga buza e detit më shkëlqeu fort në sy. U kujtova se vendi ku do të qendronim ishte pikërisht përballë detit që në këtë orë kishte diellin drejt prekjes së kaltërsisë marramendëse, prandaj vura syzet e errëta për mbrojtje.
Ishte 16 nëntori dhe ngrohtësia endej qetë në brigjet e gjirit të detit. U rehatuam në vendin ku e kishim menduar. Një fllad i lehtë ere fryu duke trazuar flokët e gruas, e cila psherëtiu lehtë!
⁃Çfarë do marrim?!
⁃ Pica – thashë pa e menduar gjatë! Ajo buzëqeshi dhe hodhi sytë nga pjesa ku hynin e dilnin kamarierët. Një burrë me shtat mesatar dhe flokë të zinj u shfaq papritmas dhe me dorën e djathtë përpara duke u përkulur pakëz bëri një përshendetje formale siç bëjnë të gjithe kamarierët. Ai buzëqeshi dhe tha në anglisht:
– Mirëserdhët! Dhe pa e zgjatur iu afrua tavolinës sonë dhe pasi rregulloi shandanin pa ndriçim shtoi: – porosia juaj Ju lutem!
Për ne ishte hera e parë që ndodheshim aty dhe pak të stepur për të mos shkelur ndonjë rregull tham shkurt njëherësh:
– Pica, pica italiane. Por unë se si e thash!
….. Pica italiane nga Italia kisha ngrënë për here të parë në nje hotel të vogel në Napoli të Italisë në vitin 1995. Isha i shoqëruar në atë kohë me kolonelin Elmas Leci, doktor në fushën e gazetarisë dhe me detyrë drejtor i shtypit ushtarak në Ministrine e Mbrojtjes. Fama e picave italiane dhe pikërisht nga vendi ku mendohet se janë krijuar për herë të parë Napoli – ishte përhapur në të gjithë botën. Por në Napolin e SHBA-së do ta shijoja për herë të parë në këtë mbasdite nëntori të ngrohtë e mjaft miqësor…
Tavolinat e bardha me poltrone ngjyrë bezhë në kombinim me ngjyrat e hapura të veshjeve të lehta prej doku, bluzave e pantallonave të shkurtëra ishin mjaft të dukshme në atë çast perëndim dielli duke dalluar fytyrat, krahët dhe këmbët e nxira të sapo ardhurve, ndoshta banorë apo turistë sezonalë të zbritur nga shtetet veriore të SHBA. Ata ishin të qetë dhe mjaft miqësorë. Dukeshin mbi 60-70 vjeçarë.
Kamarieri u shfaq tashmë me duart e tij të zënë me një tabaka të madhe në formën e një shandani të sheshtë ku në të ndodhej pica! Ai rregulloi diçka në tavolinë dhe i vendosi picat dhe pjatat shoqëruese përbri sipas një rregulli tipik për të darkuar! Ai uroi në anglisht duke vendosur edhe një shishe verë të kuqe, pjesë e menusë së porositur. Papritur dhe pavëmendje ia ktheva:
– Grazie amico!- Ai ngriu dhe hodhi vështrimin kurioz tek unë që sapo kisha gërmëzuar në italisht në një mënyrë krejt të veçantë.
– Signore tu sei italiano?!
– No amico! Viçino D’Italia! Io sono albanese.
Ai buzëqeshi dhe megjithëse fytyra i ndryshoi plotësisht, ai nuk uli ritmin e lëvizjeve për rregullimin e poltronave aty pranë dhe me sytë që nuk m’i ndante sikur donte të shprehte diçka. Iku shpejt siç erdhi dhe la pas vetëm sytë e vëmendshëm dhe buzeqeshjen e papritur! Dielli sapo ishte zhdukur dhe momenti kur qielli dhe deti jane njësh është një çast magjik sepse brezi ngjyre portokalli të jepte ndjesinë e ndarjes kohore në mënyrë të ëmbël. Dita ia kishte lënë vendin mbrëmjes që po vinte qetë dhe butë.
Kamarieri, i cili për momentin mendova se ishte me origjine italiane, por i rritur në Florida, kalonte sa nga një tavolinë në tjetrën duke shërbyer sipas porosive. Rritmi i tij mjaft i lartë dhe lëvizjet mjaft korrekte të llogaritura si një robot bënte një kontrast me moshën që dukej. Ishte mbi 50 vjeç e ndoshta edhe 60 e sipër. Ai ishte zeshkan me flokë të zinj të krehur me kujdes dhe me pak llak për të ruajtur formën. Mendova se duhet të ishte diku nga jugu i Italisë me origjinë. Për disa kohë më kishte rastisur të njihesha me italianë të ardhur vite me parë ose të rritur në SHBA. Por ata ishin natyralizuar dhe kishin fituar mjaft tipare të imponuar nga klima e veçantë e Floridës. Ndërsa kamarieri dallonte shumë për elegancën dhe tiparet fine të komunikimit dhe lëvizjeve. Edhe buzëqeshja ishte tipike mesdhetare. Ai papritur u shfaq pranë tavolinës sonë duke shërbyer për gotat e pecetat e nevojshme. Por, befas ai u përul shumë ndaj meje dhe më tha me zë të ulët në italisht:
– Unë jam lindur e rritur në Bari dhe kam disa vite këtu në Amerikë!
– Dmth ne jemi shumë afër?! – ia ktheva.
Po, – tha kamarieri dhe iku përsëri duke lënë një buzëqeshje edhe më të embel pas. Ai iku, por unë nuk po vazhdoja të haja! Pica jo vetëm që ishte shumë e madhe, por ajo vazhdonte të ishte e nxehtë.
…Mu kujtuan vitet 1970 dhe ‘80 të plazhit në Durrës. Ne në atë kohë me radiot e para të dorës ILIRIA qe sapo kishin dalë mundoheshim që nëpërmjet valëve të shkurtëra të dëgjonim kënget italiane të Klaudio Vilës, Xhani Morandit, Massimo Ranierit e shumë e shumë të tjerëve. Në netët e kthejllta të verës njerëzit thonin se po të hypje në kodrat ku ishin vilat e Zogut mund të shikoje dritat e qytetit të Barit. Ato drita se si na krijonin një ndjesi të veçantë mjaft mikluese dhe të bindur se nuk do të mundeshim t’i kishim pranë kurrë…
– Nuk po të pëlqen pica? Pse nuk po ha ?- më tha ime shoqe që më pa aq të hutuar dhe të përhumbur në kujtime.
-Të kujtohet se si na mbajtën në polici në vitin 1985, në verën e atij viti ku bënim ca ditë plazhi dhe kishim marre me vete edhe radion ILIRIA?!
– Po – më kujtohet- tha ajo! Po ç’ne tu k’ujtua tani?!
⁃ Ata donin që të mos na i jepnin radion!
⁃ Se ti po dëgjoje muzikë italiane në publik?!
⁃ Po! Por unë nuk e kisha ngritur zërin shumë. Dikush na spiunoi dhe polici u shfaq tek ne. Të kujtohet?!
⁃ Po – por ai të nxorri edhe problemin e favoriteve që mbaje më të gjatë se sa lejohej. Prandaj edhe na mbajtën deri vonë.
Eh- pshehrëtiva. – Kamarieri është në moshën tonë- vazhdova unë!
⁃E pastaj ku do te dalësh!
⁃ Ai e dëgjonte Adrianon, Modunjon rehat edhe jo si ne me vështirësi e me vërshëllima të valëve që vinin nga Bari qyteti më i afërt me Durrësin.
Nata po zinte shtat dhe dritat e shandaneve ishin ndezur. Sytë e darkuesve shkëlqenin duke xixëlluar nga fresku i mbrëmjes, por edhe nga ushqimi i veçantë italian i shumëllojshëm. Kamarieri italian u duk nga larg në pritjen e nje çifti pleqsh që sapo mbërritën.
Çuditërisht se si u rimblodhën kujtime të rinise me etjen për të mësuar sa më shumë nga vendi fqinj Italia.
…Vitet ‘90 ishin pranë dhe shumë shpejt shqiptarët do të vërshonin si të dalë nga errësira në dritë me një lëvizje vullkanike drejt perëndimit për ta prekur atë për të mësuar prej tij dhe për të thurrur ëndrrat…
Pjata tashme ishte në përfundim! Pica ishte përpirë bashkë me kujtimet e rinisë së këtyre viteve.
– Ata luftuan për një jetë më të mirë në vendin fqinj si dhe në mjaft vënde të tjera të Europës! – I belbëzova gruas. Ajo qeshi ndoshta nga mënyra se si po flisja apo nga pica?!
Ktheva gllënkën e fundit nga gota e verës! Kamarieri u shfaq me i qetë dhe me bllokpagesën që do të kryhej, ai qeshi perseri dhe më tha:
⁃Unë kam disa vite këtu dhe do të qëndroj edhe për disa vite dhe do të kthehem në Bari!
⁃Po pse?- e pyeta! Ju punoni shumë fort këtu nuk ju pëlqen?!
⁃ Thjesht do të bëj para dhe pleqërinë do ta kaloj në shtëpinë pranë Barit.
Qesha dhe i thashë: – Italia është vend i bukur, por edhe vendi im Shqipëria gjithashtu!
⁃ Të të them një sekret?! – vazhdoi i ngazëllyer.
⁃Po! – u bëra kurioz!
⁃ Italianët pleq, që kanë ardhur këtu vite më parë, e përjetojnë me mall Italinë dhe kanë mjaft nostalgji. Unë nuk dua ta përjetoj fundin e jetës sime kështu!
Ai bëri një lëvizje të shpejtë dhe u kthye me një shishe të dytë! Ishte një tretës limonate.
– E keni falas prej meje! -tha ai! – Ne fituam 3-1 në Tiranë – shtoi kamarieri italian! Nacionalja jonë fitoi kundër jush në ndeshjen miqësore.
Mua befas më lotuan sytë nga fjalët plot mallëngjim për Italinë. Por, mbi gjithçka për informimin në kohë reale të ngjarjeve që ndodhnin në Itali, megjithëse ai ishte mjaft i përkushtuar për punën e tij!
Ai vazhdoi punën me intesitet sikur sapo e kishte filluar. Nën ndriçimin e neoneve të restorantit vura re buzëqeshjen e tij plot entuziasëm
⁃Buonanotte amico! Grazie tante!- i thashë teksa ikëm drejt makinës.
Ndeza makinën dhe u larguam me një ndjesi të turbullt plot emocion. Pica, kamarieri, Bari, radio ILIRIA, anijet e mbushura me shqiptarë drejt Italise, Çelentano dhe përsëri kamarieri i plakur, i thinjur duke parë brigjet shqiptare nga Bari në vitet e pleqërisë m’u rishfaqën mes palmave të ndriçuara nga dritat e neoneve që ndodheshin anës rrugës.
Naples, FLORIDA, 20 janar 2023.