Albspirit

Media/News/Publishing

Geron Kamberi: DISA NGA ÇMIMET MË TË NJOHURA NDËRKOMBËTARE NË LETËRSI

 

 

 

 

Në mendjen e secilit prej nesh që është i apasionuar pas letërsisë gjithmonë gjatë muajit Tetor presim me kuriozitet fituesin e Çmimit Nobel në Letërsi. Tashmë ky çmim është bërë sinonim i famës dhe suksesit të një shkrimtari në nivel ndërkombëtar.

Ndërkohë sot në botë ekzistojnë edhe një sërë çmimesh të tjera ndërkombëtare në fushën e letërsisë që bëjnë të mundur nxjerrjen në pah të shkrimtarëve më të njohur me veprat që ata kanë shkruar dhe kanë patur ndikim

Jam përpjekur të përzgjedh e të shpjegoj ato që më janë dukur më të njohur në bazë të rendit kronologjik, ashtu sikurse besoj se mund të ketë edhe çmime të tjera që mund ti shtohen kësaj liste……

ÇMIMI NOBEL – NOBEL PRIZE FOR LITERATURE (1901)

Çmimi Nobel në Letërsi është një çmim ndërkombëtar në fushën e letërsisë që jepet çdo vit, prej 121 vitesh (1901) nga Akademia Suedeze, një institucion i themeluar më 20.03.1786 nga mbreti suedez Gustavi III (24.01.1746-29.03.1792). Çmimi i jepet  një shkrimtari–e , i cili  apo e cila sipas testamentit të industrialistit suedez Alfred Nobel (21.10.1838-10.12.1896), që ka themeluar këtë çmim “ka krijuar në fushën e letërsisë veprën më të shquar me një drejtim idealist” (origjinali i tesktit sipas testamentit në suedisht: den som inom litteraturen har producerat det utmärktaste i idealisk rigtning). Megjithëse gjatë dhënies së Çmimit Nobel në letërsi citohen vepra të veçanta të shkrimtarit si më të rëndësishmet, çmimi bazohet në tërësinë e veprave të tij apo të saj. Akademia Suedeze e shpall emrin e fituesit të Çmimit Nobel në Letërsi në fillim të Tetorit. Për të përzgjedhur kandidatin fitues, që do të marrë Çmimin Nobel në Letërsi çdo vit, Akademia Suedeze (emri në origijinal: Svenska Akademie) dërgon kërkesa në institucione të ndryshme anë e mbanë botës që të nominojnë kandidatë për këtë çmim. Të drejtën për të propozuar vetëm 1 kandidat (nominuar) e kanë edhe anëtarët e Akademisë Suedeze, anëtarët e akademive të tjera dhe të shoqatave letrare, ish-fitues të Çmimit Nobel për Letërsi dhe kryetarët e shoqatave të shkrimtarëve e artistëve në vende të ndryshme. Këto propozime i paraqiten Akademisë Suedeze brenda datë 1 Shkurt të çdo viti, të cilat më pas shqyrtohen nga Komiteti i Çmimit Nobel për Letërsi që përbëhet nga 4 deri në 5 anëtarë. Nga data 1 Shkurt deri në 1 Prill, anëtarët e Komiteti të Çmimit Nobel për Letërsi shqyrtojnë të gjitha propozimet që kanë ardhur dhe hartojnë një listë me vetëm 20 kandidatë. Ndërkohë nga 1 Prill deri në 1 Maj lista e kandidaturave ngushtohet në një listë të shkurtër me 5 emra kandidaturash. Gjatë katër muajve të mëpasëm (Qershor, Korrik, Gusht, Shtator) realizohet leximi dhe analiza e veprave të 5 kandidatëve finalistë për Çmimin Nobel në Letërsi. Në Tetor, anëtarët e Akademisë Suedeze votojnë të 5 kandidaturat dhe kandidati që merr më shumë se gjysmën e votave zgjidhet fitues Çmimit Nobel në Letërsi. Askush nuk mund ta marrë çmimin pa qenë të paktën 2 herë në listën e kandidatëve dhe kjo është arsyeja që shumë shkrimtarë ripropozohen për këtë dhe merren në shqyrtim në mënyrë të përsëritur gjatë viteve. Akademikët që marrim pjesë në votim i lexojnë veprat  në gjuhën e tyre origjinale, por kur një kandidat që hyn në listën e ngushtë (5 kandidatë) ka shkruar në një gjuhë që nuk e zotëron asnjë nga anëtarët e Akademisë Suedeze, ata thërrasin përkthyesit dhe ekspertë të letërsisë të cilët nënshkruajnë një deklaratë nën betim lidhur me përkthimet e veprave të atij shkrimtari. Akademia Suedeze përbëhet nga 18 anëtarë, të cilët zgjidhen me mandat të përjetshëm dhe deri në vitin 2018 teknikisht nuk lejohen teknikisht të largohen. Më 2 maj 2018, Mbreti suedez Karl Gustaf XVI (30.04.1946-) ndryshoi rregullat e akademisë dhe bëri të mundur dorëheqjen e anëtarëve. Rregullat e reja parashikojnë gjithashtu se një anëtari, i cili  ka qenë joaktiv në punën e akademisë për më shumë se dy vjet mund t’i kërkohet të japë dorëheqjen. Anëtarët e Komitetit të Çmimit Nobel për Letërsi zgjidhen për një periudhë tre vjeçare nga radhët e anëtarëve të Akademisë Suedeze dhe asistohen nga këshilltarë dhe ekspertë që u caktohen posaçërisht. Një fitues (laureat) i Çmimit Nobel për Letërsi merr një medalje ari, një diplomë dhe një vlerë në shumë parash. Ndërsa medalja prej ari ka një foto të gdhendur të Alfred Nobelit, fituesit e marrin diplomën drejtpërdrejt nga Mbreti i Suedisë. Ajo përmban një foto dhe tekst që tregon emrin e fituesit (laureatit) të çmimit dhe në të është vendosur një citim se përse e kanë marrë çmimin. Çmimi Nobel në Letërsi është dhënë 115 herë midis viteve 1901 dhe 2022. Këtë çmim e kanë marrë deri në vitin 2022, 119 shkrimtarë e shkrimtare, ku 102 janë  burra dhe 17 gra. Fituesit (laureatët) përfshijnë shkrimtarë që kanë shkruar në 25 gjuhë të ndryshme. Fituesi (laureati) me moshën më të re ka qenë shkrimtari anglez  Rudyard Kipling (30.12.1865-18.01.1936) që kur e mori Çmimin Nobel për Letërsi  në vitin 1907 ishte 42 vjeç, ndërsa fituesja (laureatia) më e vjetër që e Çmimit Nobel për Letërsi ishte shkrimtarja britanike Doris Lessing (22.10.1919-17.1.2013), e cila ishte 88 vjeç kur e mori këtë çmim në vitin 2007. Shkrimtari i parë që ka marrë Çmimin Nobel në Letërsi është autori francez Rene (Sully) Prudhome (16.03.1839-06.09.1907), ndërsa shkrimtari që e mori në vitin 2022 ishte autorja franceze Annie Ernaux  01.09.1940-) që konsiderohet shkrimtarja e parë franceze që e ka marrë atë.

Faqe Web: https://www.nobelprize.org/…/all-nobel-prizes-in…

ÇMIMI GONCOURT- LE PRIX GONCOURT (1903)

Çmimi francez i letërsisë Goncourt (Le Prix Goncourt)  është një nga çmimet më prestigjioze letrare që jepen në Francë që prej vitit 1903 dhe renditet mes 6 çmimeve që jepen për letërsisë në këtë vend siç janë Le Prix Femina, Le Prix Renaudot, Le Prix Interallié, Le Prix Médicis dhe Le Grand Prix du Roman de l’Académie Française. Në krahasim me vendet e tjera ai është i krahasueshëm për nga rëndësia me Çmimin Booker që jepet në Mbretërinë e Bashkuar-UK ose me Çmimin amerikan Pulitzer. Çmimi Goncourt (Le Prix Goncourt) jepet nga Shoqata Letrare apo Akademia Goncourt (Société Littéraire des Goncourt /Académie Goncourt) për autorin që ka shkruar “veprën më të mirë dhe më me imagjinatë në prozë përgjatë një viti”. Nga ana tjetër Shoqata Letrare apo Akademia Goncourt (Société Littéraire des Goncourt /Académie Goncourt), prej nga mori emrin ky çmim, u krijua në vitin 1900 nga shkrimtari dhe botuesi francez Edmond de Goncourt (26.05.1822–16.07.1896), i cili donte të krijonte një mënyrë të re për të inkurajuar letërsinë në Francë dhe nuk  pajtoheJ me politikat që ndiqte në atë kohë Akademia Franceze (Académie Française) e themeluar që në 22 Shkurt 1635. Çmimi mbart një shpërblim simbolik prej vetëm 10 eurosh, por ai i sjell njohje të gjera autorit nga lexuesit dhe shitje të konsiderueshme të librit. Ndërkohë në këtë ceremoni jepen edhe katër çmime të tjera të tilla si: Çmimi Goncourt du Premier Roman, Çmimi Goncourt de la Nouvelle, Çmimi Goncourt de la Poésie dhe Çmimi Goncourt de la Biographie.  Origjina dhe emri i këtij çmimi lidhet me shkrimtarin dhe botuesin francez Edmond de Goncourt (26.05.1822–16.07.1896) që la trashëgim pasurinë e tij për të themeluar Akademinë Goncourt (Académie Goncourt). Për nder të vëllait dhe bashkëpunëtorit të tij, shkrimtarit francez Jules Alfred Huot de Goncourt (17.12.1830–27.06.1870) që ndërroi jetë në moshë relativisht të re, akademia ka dhënë Çmimin Goncourt (Le Prix Goncourt) çdo Dhjetor që nga viti 1903. Juria që përcakton fituesin mblidhet në restorantin Drouant në Nëntor për të marrë vendimin e saj. Çmimi u krijua fillimisht për t’u siguruar autorëve të rinj të talentuar një çmim monetar që do t’i lejonte ata të shkruanin një libër të dytë. Sot, Çmimi Goncourt ka një shumë simbolike të çmimit (rreth 10 euro), përafërsisht të njëjtën shumë të dhënë në vitin 1903 dhe në këtë mënyrë prestigji i çmimit lidhet jo për shkak të vlerës në para, por “me  shitjet e  jashtëzakonshme të librave nga fituesi i Çmimit Goncourt duke e shndërruar atë në  një milioner”. Sipas traditës së hershme të çmimit, ceremonia zhvillohet në restorantin Drouant, që është i vendosur në Paris tek Pallati Garnier (Palais Garnier), pallati i famshëm ku është vendosur Opera Garnier apo Opera e Re e Parisit, duke mbajtur emrin e projektuesit të saj Jean Garnier (06.11.1825-03.08.1898). Restoranti mban emrin e master-shefit francez Charles Drouant që e hapi atë në vitin 1880 dhe ishte i njohur për gatimin e midhjeve që rriteshin në rajonin francez të Britanny-së. Çmimi Goncourt është i ndarë në tre faza përzgjedhëse. Gjatë Fazës së Parë përzgjidhen zakonisht 15 autorë finalistë . Në Fazën e Dytë të Përzgjedhjes nga këta 15 autorë anëtarët e jurisë arrijnë të përzgjedhin 8 autorë. Ndërkohë në Fazën e Tretë arrijntë të përzgjidhen katër finalistët e fundit që i nënshtrohen votimit përfundimtar. Votimi për të përzgjedhur autorin fitues mund të zhvillohet deri në 14 raunde. Për të filluar procesin e diskutimit dhe votimit mbi autorin që do të shpallet fitues, emrat e katër finalistëve vendosen në një enë shampanje. Nga ana tjetër, tërhiqet një emër finalisti nga kjo enë dhe secili anëtar i jurisë voton me zë të lartë në favor ose kundër autorit të përzgjedhur. Për të përzgjedhur autorin fitues deri në raundin e 10-të të votimit kërkohet  që ai/ajo të marrë një shumicë absolute nga vota e anëtarëve të juries. Ndërsa pas raundit të 10-të derinë raundin e 14-të të votimit kërkohet një shumicë e thjeshtë votash për të caktuar kandidatin fitues. Nëse, pas katërmbëdhjetë raundeve, nuk ka fitues, atëherë vota e presidentit të jurisë llogaritet si e dyfishtë për të përcaktuar votën e shumicës. Në orën 12:45, Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës Letrare apo Akademisë Goncourt (Société Littéraire des Goncourt /Académie Goncourt) del përpara turmës së gazetarëve dhe shpall fituesin. Fituesi zakonisht pret në një kafene pranë restorantit Drouant në mënyrë që ata të arrijnë në kohë dhe intervistohet nga media duke iu ofruar një çek simbolik prej dhjetë eurosh. Fituesi i parë i Çmimit Goncourt (Le Prix Goncourt) ishte shkrimtari francez Eugene Torquet (19.11.1860-17.03.1918) me romanin ‘Force Ennemie’, ndërkohë që shkrimtarja e parë që e ka marrë këtë çmim është autorja franko-ruse Elsa Triolet (12.09.1896-16.06.1970) me romanin ‘Le premier accroc coûte…’. Në vitin 1987, u krijua edhe Çmimi Goncourt për Liceistët (Prix Goncourt des Lycéens) si një bashkëpunim midis akademisë Goncourt, Ministrisë Franceze të Arsimit dhe Fnac, një  rrjet shitje me pakicë të librave, muzikës dhe filmave. Ndërkohë në të njëjtën ceremoni jepet edhe Çmimi Renaudot (Prix Renaudot) që shpallet në të njëjtën ceremoni kur jepet Çmimi Goncourt. Ai është bërë i njohur si një çmim për vendin e dytë dhe  është një çmim letrar francez që u krijua në vitin 1926 nga dhjetë kritikë të artit , në pritje të rezultateve të jurisë për Çmimin Goncourt (Prix Goncourt). Çmimi mban emrin e mjekut, filantropit e gazetarit francez Théophraste Renaudot (05.12.1586-25.10.1653) i cili krijoi gazetën e parë franceze në 1631. Edhe pse zyrtarisht nuk ka lidhje me këtë çmim, ai mbetet një plotësues i tij,  ndërkohë që fituesi shpallet në të njëjtën kohë dhe vend me Çmimin Goncourt, përkatësisht të Martën e parë të Nëntorit në restorantin Drouant në Paris. Juria e Renaudot zgjedh gjithmonë një fitues alternativ në rast se kandidati i tyre fitues arrin të marrë paraprakisht çmimin Goncourt.

Faqe web: https://www.academiegoncourt.com

ÇMIMI  PULITZER- THE PULITZER PRIZE FOR FICTION (1918)

Çmimi Pulitzer për Letërsi (The Pulitzer Prize for Fiction) është një nga shtatë Çmimet Amerikane Pulitzer (American Pulitzer Prize) që jepen cdo vit prej 1918 në SHBA, për Letërsi, Dramë dhe Muzikë. Ai vlerëson krijime të shquara të një autori amerikan, që mundësisht kanë në qendër të tyre jetën amerikane dhe që janë botuar gjatë vitit kalendarik paraardhës. Çmimi u themelua në vitin 1917 në bazë të  dispozitave të  testamentit të  politikanit e botuesit amerikano-hungarez Joseph Pulitzer (10.04.1847-29.10.1911) që e kishte bërë pasurinë e tij falë botimit të gazetave ‘St Louis Post Dispatch’ dhe ‘New York World’. Këtë testament ai ia dorëzoi Shkollës së Gazetarisë së Universitetit të Kolumbias (Columbia School of Journalism) që menaxhon dhënien e këtij çmimi. Ndërkohë programi për dhënien e çmimeve Pulitzer fillloi në vitin 1917 ku fillimisht u dhanë 4 çmime. Përgjatë viteve 1918-1947 ai ishte i njohur si Çmimi Pulitzer për Romanin (The Pulitzer Prize for the Novel). Më pas në vitin 1948  emri i këtij çmimi u ndryshua në Çmimi Pulitzer për Letërsinë (The Pulitzer Prize for Fiction) dhe u përshtat duke u zgjeruar drejt zhanreve të tjera të letërsisë duke përfshirë tregime të shkurtra, novela, poezi si edhe romane. Që nga viti 1980 për të marrë këtë çmim shpallen gjithmonë 3 finalistë. Çmimi Pulitzer (The Pulitzer Prize) është një çmim në SHBA për arritjet e individëve në 21 kategori që lidhen me fushën e gazetarisë së shkruar në revista e gazeta, fotografi, letërsi, poezi, histori dhe kompozim muzikor. Secili fitues merr një certifikatë dhe një çmim prej 15,000 dollarësh. Siç përcaktohet në versionin origjinal të testamentit, çmimi do të jepet “çdo vit, për romanin amerikan të botuar gjatë një viti, i cili do të paraqesë më së miri atmosferën e shëndetshme të jetës amerikane dhe standardin më të lartë të sjelljeve dhe burrërisë amerikane”( which shall best present the wholesome atmosphere of American life, and the highest standard of American manners and manhood). Megjithëse kishte disa debate nëse fjala e shëndetshme (wholesome) duhet të përdoret në vend të fjalës të tërë (whole), në testamentin e tij u shkruajt fjala Pulitzer. Në vitin 1927, Bordi Këshillues për Çmimin Pulitzer vendosi në heshtje zgjedhjen e fjalës së Pulitzer, duke e zëvendësuar fjalën e shëndoshë (wholesome) me tërësi (whole). Me 1929 u bënë disa nga ndryshimet më thelbësore të këtij çmimi. Bordi e ndryshoi formulimin duke vendosur frazën “mundësisht një vepër që do të paraqesë më së miri të gjithë atmosferën e jetës amerikane” (preferably one which shall best present the whole atmosphere of American life) dhe hoqi frazën e cila këmbëngulte që romani të portretizonte “standardin më të lartë të sjelljeve dhe burrërisë amerikane” (the highest standard of American manners and manhood”). Në vitin 1936, motivacioni u ndryshua përsëri nga Bordi Këshillues për Çmimin Pulitzer, duke theksuar se  çmimi do të jepej për “një roman të shquar që ishte botuar gjatë vitit nga një autor amerikan dhe që mundësisht  merrej me jetën amerikane”. (a distinguished novel published during the year by an American author, preferably dealing with American life). Nga ana tjetër në vitin 1948, Bordi Drejtues e zgjeroi fushëveprimin e Çmimit Pulitzer duke hequr fjalën roman dhe duke vendosur formulimin “Për krijimin letrar më të shquar, të botuar në formë libri gjatë një viti nga një autor amerikan dhe që  mundësisht merret me jetën amerikane”. (For distinguished fiction published in book form during the year by an American author, preferably dealing with American life). Ky ndryshim lejoi që Çmimi Pulitzer për Letërsinë (The Pulitzer Prize for Fiction) të mund të jepej jo vetëm për romane, por edhe  për përmbledhje tregimesh shkurtra, sic ndodhi për herë të parë, me përmbledhjen “Përrallat e Paqësorit të Jugut” të shkrimtarit amerikan James Michener (03.02.1907-16.10.1997). Në këtë mënyrë që prej vitit 1948 ai u emërtua si Çmimi Pulitzer për Letërsi (The Pulitzer Prize for Fiction) dhe është dhënë 62 herë në 69 vitet e para nën kategorinë letërsi (“Fiction”). Asnjëherë ky çmim nuk është ndarë mes dy autorëve dhe deri tani kanë qenë katër shkrimtarë amerikanë të cilët kanë fituar nga dy çmime secili në kategorinë Fiction siç janë Booth Tarkington (29.07.1869-19.05.1946) në vitet 1919 e 1922  dhe William Faulkner (25.09.1897-06.07.1962), 1955, 1963 (i dhënë pas vdekjes) John Updike (18.03.1932-27.01.2009), 1982, 1991 Colson Whitehead (06.11.1969), 2017, 2020). Për herë të parë çmimin Pulitzer në vitin 1918 e mori shkrimtari e dramaturgu Ernest Poole (23.01.1880-10.01.1950) me romanin ‘His Family’, ndërsa në vitin 2022 këtë çmim e mori shkrimtari Joshua Cohen me romanin ‘The Netanyahus:  An Account of a Minor and Ultimately Even Negligible Episode in the History of a Very Famous Family’. Ndërkohë shkrimtarja e parë që e ka marrë këtë çmim është autorja Edith Wharton (24.01.1862-11.08.1937) me romanin ‘The Age of Innoncence’.

Faqe Web: https://www.pulitzer.org

ÇMIMET KOMBËTARE PËR LIBRIN NË SHBA- NATIONAL BOOKS AWARDS (1936)

Çmimet Kombëtare të Librit (National Books Awards) janë një grup çmimesh letrare vjetore që jepen në SHBA që prej vitit 1936. Ceremonia e Çmimeve Kombëtare për Librin (National Book Awards Ceremony) zhvillohet çdo Nëntor në SHBA nën drejtimin e Fondacionit Kombëtar për Librin (National Book Foundation), i cili përveç çmimeve tradicionale jep edhe dy çmime për shkrimtarët që kanë patur arritjet më të mëdha gjatë jetës së tyre. Çmimet Kombëtare të Librit (National Books Awards)  u krijuan në vitin 1936 nga Shoqata Amerikane e Librashitësve (The American Booksellers Association) që pas Luftës II Botërore u rithemelua sërish nga tre organizata të industrisë së librit . Para Luftës II Botërore këtë çmim e përfitonin edhe autorët që nuk ishin nga SHBA. Ndërkohë pas kësaj periudhe këtë çmim e përfitojnë vetëm autorët nga SHBA që kanë botuar veprat e tyre përgjatë një viti në këtë vend. Fondacioni Kombëtar për Librin (National Book Foundation) u krijua në vitin 1988 për të administruar dhe përmirësuar Çmimet Kombëtare të Librit (National Books Awards) që jepen në pesë kategori të ndryshme të tilla: 1)Çmimi Kombëtar i Librit për Vepra Letrare (National Book Award for Fiction); 2) Çmimi Kombëtar i Librit për Vepra Jo-Letrare (National Book Award for Nonfiction); 3) Çmimi Kombëtar i Librit për Poezinë (National Book Award for Poetry); 4) Çmimi Kombëtar i Librit për Letërsinë e Përkthyer (National Book Award for Translated Literature) dhe 5) Çmimi Kombëtar i Librit për Letërsinë e të Rinjve (National Book Award for Young People’s Literature). Çmimet Kombëtare të Librit (National Book Awards) i jepen çdo vit autorit të një libri në secilën nga pesë kategoritë e sipërmendura. Më parë ka pasur edhe shumë kategori të tjera, por ato janë hequr ose janë përfshirë në pesë kategoritë ekzistuese. Fondacioni Kombëtar i Librit (National Book Foundation) jep gjithashtu dy çmime për arritjet e jetës çdo vit: “Medaljen për Kontribut të Shquar në Letërsinë Amerikane”(Medal for Distinguished Contribution to American Letters) dhe “Çmimin Letrar për Shërbim të  Shquar ndaj Komunitetit të Letërsisë Amerikane” (Literarian Award for Outstanding Service to the American Literary Community). Vetëm botuesit nominojnë libra për Çmimet Kombëtare të Librit, por anëtarët e jurisë mund të kërkojnë nominime të veçanta nga botuesit. Çdo juri përbëhet nga pesë anëtarë, duke përfshirë shkrimtarë, bibliotekarë, shitës librash dhe kritikë letrarë. Çdo juri shqyrton qindra libra çdo vit në secilën nga pesë kategoritë e mësipërme. Kategoria Çmimi Kombëtar i Librit për Letërsinë e Përkthyer (National Book Award for Translated Literature), u shtua në vitin 2018, duke marrë në konsideratë për këtë çmim të gjitha veprat letrare që ishin përkthyer për herë të parë në SHBA që nga viti 1983. Ceremonia e ndarjes së Çmimeve Kombëtare të Librit zhvillohet çdo Nëntor në qytetin e Nju Jorkut. Autorët që shpallen fitues  nga kryetari i jurisë në secilën prej pesë kategorive, marrin një çmim në vlerë monetare prej 10,000 dollarë dhe një skulpturë bronzi. Nga ana tjetër edhe çdo finalist merr një çmim prej 1,000 dollarë, një medalje dhe një citim të shkruar nga juria.

Faqe Web: https://www.nationalbook.org

ÇMIMI STREGA- I PREMIO  STREGA (1947)

Çmimi Strega për Letërsinë (I Premio Strega) është çmimi më prestigjioz letrar në Itali. Ai jepet çdo vit prej 1947 për veprën më të mirë të shkruar në prozë në gjuhën italiane nga autorë të çdo kombësie dhe që janë botuar për herë të parë përgjatë një viti. Çmimi lindi në vitin 1944 kur shkrimtaria, historiania e gazetarja italiane Maria Bellonci (30.11.1902-13.05.1986) së bashku me bashkëshortin, gazetarin e kritikun letrar Goffredo Bellonci (05.09.1882-31.08.1964) filluan të organizonin gjatë të dielave një sallon letrar në shtëpinë e tyre në Romë. Këto mbledhje të së dielës me shkrimtarë, artistë dhe intelektualë u zgjeruan duke përfshirë shumë nga figurat më të shquara të jetës kulturore italiane. Grupi u bë i njohur si ‘Miqtë e së Dielës’ (Amici della Domenica). Në vitin 1947, çifti Bellonci, së bashku me aktorin dhe biznesmenin italian Guido Alberti (20.04.1909-03.08.1996), që prodhonte likerin ‘Strega’, vendosën të krijojnë Çmimin Strega për Letërsinë (I Premio Strega), ku fituesi zgjidhet nga grupi që u bë i njohur si ‘Miqtë e së Dielës’. Veprimtaritë e rrethit apo sallonit letrar Bellonci dhe krijimi i çmimit u panë si një kthim në normalitet të jetës kulturore italiane, pra si një tipar i rindërtimit që pasoi vitet e rënda të kaluara nga Italia siç ishte fashizmi, lufta, pushtimi dhe paslufta. Që nga vdekja e Maria Belloncit në vitin 1986, çmimi është administruar nga Fondacioni Maria e Goffredo Bellonci. Anëtarët e jurisë që tashmë përbëhet  prej 400 individësh nga elita kulturore e Italisë, njihen ende si ‘Miqtë e së Dielës’. Që një libër të merret në konsideratë, duhet të ketë mbështetjen e të paktën dy prej anëtarëve apo “miqve”. Kjo listë e gjatë fillestare me libra të autorëve të ndryshëm të botuar në gjuhën italiane pas votimit reduktohet në një listë të shkurtër prej pesë autorësh. Raundi i dytë i votimit, i ndjekur nga shpallja e autorit fitues, zhvillohet të enjten e parë të Korrikut në nimfeumin e Villa Giulia në Romë. Ndërkohë edhe kompania ‘Telecom Italia’ i është bashkuar së fundimi kompanisë ‘Liquore Strega’ si sponsore e çmimit. Një fakt interesant është se në vitin 2006, me rastin e 60 vjetorit të hartimit të saj u dha Çmimi Special Strega (I Premio Speciale Strega) për dokumentin e Kushtetutës së Italisë i cili u hartua dhe u miratua në vitin 1946. Fituesi i parë i Çmimit Strega, i zgjedhur nga rrethi letrar ‘Miqtë e së Dielës’ ishte shkrimtari, skenaristi e dramaturgu Italian Ennio Flaiano (05.03.1910-20.11.1972), për romanin e tij të parë dhe të vetëm ‘Tempo di uccidere’, i cili përkujtonte ngjarjet e luftës në Afrikë (Etiopi) nga ushtria italiane. Ndërkohë në vitin 2022 Çmimin Strega e mori shkrimtari Mario Desiati (13.05.1977) me romanin ‘Spatriati’. Nga ana tjetër shkrimtarja e parë që e ka marrë këtë çmim në 1957 ka qenë autorja Elsa Morante (18.08.1912-25.11.1985) me romanin ‘L’isola del Arturo’.

Faqe Web: https://www.premiostrega.it/

ÇMIMI GEORG –BUCHNER – GEORG-BUCHER PREIS (1951)

Çmimi për Letërsinë Georg Büchner (Georg-Büchner-Preis) është çmimi më i rëndësishëm letrar për letërsinë në gjuhën gjermane, së bashku me çmimin Goethe. Çmimi mban emrin e dramaturgut dhe shkrimtarit  gjerman Georg Büchner (17.10.1813-19.02.1837). Çmimi Georg Büchner jepet çdo vit për autorët “që shkruajnë në gjuhën gjermane, të cilët kanë spikatur në mënyrë të dukshme përmes krijimtarisë së tyre si kontribues thelbësor në formësimin e jetës kulturore bashkëkohore gjermane”. Çmimi Georg Büchner u krijua në 1923 në kujtim të shkrimtarit Georg Büchner dhe iu dha vetëm artistëve që vinin ose ishin të lidhur ngushtë me shtëpinë e Büchner-it në Hesse. Fillimisht këtë çmim e përfitonin kryesisht artistë si piktorë, poetë, aktorë dhe këngëtarë. Në vitin 1951, çmimi u shndërrua vetëm në një çmim letrar, që jepet çdo vit nga Akademia Gjermane për Gjuhën dhe Poezinë (Deutsche Akademie für Sprache und Dichtung). Që prej vitit 2002, në ceremoninë e dhënies së këtij çmimi që zhvillohet në qytetin e Darmstadit, çmimi është pajisur me 50,000 €. Çmimi Georg Büchner shihet shpesh si një tregues për fituesit e ardhshëm të mundshëm të çmimit Nobel që shkruajnë në gjuhën gjermane. Këtë e vërteton fakti se pesë fituesit e çmimit Georg Büchner, siç ishin shkrimtarët Günter Grass (1965), Heinrich Böll (1967), Elias Canetti (1972), Peter Handke (1973) dhe Elfriede Jelinek (1998) u nderuan me Çmimin Nobel në Letërsi në vitet e mëvonshme megjithëse është rasti i shkrimtares gjermane Herta Müller që ka marrë Çmimin Nobel në Letërsi, por ende nuk i është dhënë çmimin Georg Büchner. Deri në fund të vitit 2022 këtë çmim e kanë marrë 70 shkrimtarë. Për herë të parë Çmimin për Letërsinë Georg Büchner (Georg-Büchner-Preis) e ka marrë shkrimtari Gotffried  Benn (02.05.1886-07.07.1956), ndërkohë që shkrimtarja e parë që e ka marrë atë në vitin 1955 është Marie Kaschnitz (31.01.1901-10.10.1974). Nga ana tjetër shkrimtari që e mori këtë çmim në vitin 2022 është autorja gjermano-turke Emine Ozdamar (10.08.1946)

Faqe Web: https://www.deutscheakademie.de/…/georg-buechner-preis

ÇMIMI HUGO PËR LETËRSINË FANTASTIKO-SHKENCORE- HUGO AWARD FOR SCIENCE FICTION (1953)

Çmimi Hugo (Hugo Award) është një çmim vjetor letrar për veprat dhe arritjet më të mira të letërsisë fantastiko-shkencore. Ky çmim jepet rregullisht prej vitit 1953 nga Konventa Botërore e Letërsisë Fantastiko-Shkencore (World Science Fiction Convention- Worldcon), i cili është aktiviteti që zhvillohet në mënyrë të përvitshme nga Shoqata Botërore e Letërsisë Fantastiko-Shkencore (World Science Fiction Society) e krijuar në SHBA më 2 Shtator 1939. Hugo konsiderohet gjerësisht si çmimi kryesor në letërsinë fantastiko-shkencore. Emri i këtij cmimi është i lidhur me botuesin luksemburgo-amerikan Hugo Gernsback (9 16.08.1884-19.08.1967), themeluesi i revistës pioniere të fantashkencës ‘Amazing Stories’. Çmimi i parë Hugo është dhënë në vitin 1953 gjatë zhvillimit të Konventës së 11-të Botërore të Letërsisë Fantastiko Shkencore më 05-07 Shtator 1953 në Filadelfia të SHBA (11th World Science Fiction Convention) dhe ky çmim është dhënë rregullisht çdo vit që nga viti 1955. Fillimisht çmimet Hugo janë dhanë për shtatë kategori. Këto kategori kanë ndryshuar me kalimin e viteve dhe çmimi aktualisht jepet në shtatëmbëdhjetë kategori veprash të letërsisë fantastiko shkencore që janë: 1) Best Novel, 2) Best Novella, 3) Best Novelette, 4) Best Short Story, 5) Best Series, 6) Best Related Work, 7) Best Graphic Story, 8) Best Dramatic Presentation (Long and Short Forms), 9) Best Semiprozine (Semi-professional magazines), 10) Best Fanzine (Non professional magazines), 11) Best Professional Editor (Long and Short Forms), 12) Best Professional Artist, 13) Best Fan Artist, 14) Best Fan Writer, 15) Best Fancast, 16) Best Game or Interactive Experience, 17). Fituesit marrin një trofe që përbëhet nga një raketë e stilizuar që është e vendosur në bazën e nisjes. Çmimet Hugo konsiderohen si “çmimi kryesor në zhanrin e letërsisë fantastiko-shkencore”. Çmimet e vitit 2022 u prezantuan në Worldcon e 80-të, “Chicon 8” që u zhvillua në Çikago më 4 Shtator 2022. Të drejtën për ta marrë Çmimin Hugo e kanë të gjitha veprat e letërsisë fantastiko-shkencore që janë botuar në një vit më parë ose janë përkthyer në anglisht në atë vit. Nuk ka rregulla të shkruara se cilat vepra kualifikohen si fantastiko shkencore dhe vendimi për këtë qëllim u lihet votuesve që janë anëtarë të Konventës Botërore të Letërsisë Fantastiko-Shkencore (World Science Fiction Convention- Worldcon) dhe jo komitetit organizativ. Të nominuarit dhe fituesit e çmimit Hugo zgjidhen përmes mbështetjes dhe pjesëmarrjes së anëtarëve të Konventës Vjetore Botërore të Letërsisë Fantastiko-Shkencore Annual World Science Fiction Convention- Worldcon) ose Worldcon dhe mbrëmja e ndarjes së këtyte cmimeve përbën ngjarjen e saj kryesore. Procesi i përzgjedhjes është përcaktuar në rregulloren e organizatës ku në çdo kategori përzgjidhen deri në 6 kandidatë që më pas i nënshtrohen votimit për të nxjerrë fituesin. Për çdo kategori të Çmimit Hugo-s, ku janë paraqitur kandidatë, çdo votues mund të përzgjedhë alternativën “Jo Çmim-No Award” si një nga zgjedhjet. Votuesit udhëzohen që duhet ta bëjnë këtë zgjedhje nëse mendojnë se asnjë nga të nominuarit nuk është i denjë për çmimin Hug. Të gjithë veprat që renditen më lart se ato që kanë marrë vlerësimin “Jo Çmim-No Award” nënkupton se konsiderohen nga votuesi si të denja për Çmimin Hugo, ndërsa ata që renditen më poshtë nuk vlejnë për këtë çmim. Nominimet fillestare bëhen nga anëtarët e Konventës Vjetore Botërore të Letërsisë Fantastiko-Shkencore (Annual World Science Fiction Convention- Worldcon) ose Worldcon nga Janari deri në Mars, ndërsa votimi në fletën e votimit të gjashtë veprave kandidate për çmim në çdo kategori, realizohet nga muaji Prill deri në Korrik. Aktiviteti vjetor i Worldcons ku shpërndahen Çmimi Hugo mbahet në përgjithësi afër fillimit të muajit Shtator dhe zhvillohet çdo vit në një qytet të ndryshëm të botës. Ideja e dhënies së çmimeve në Worldcons u propozua nga shkrimtari, aktori e skenaristi Harold Lynch (13.11.1927-05.10.2006) gjatë zhvillimit të Konventës së 11-të Botërore të Letërsisë Fantastiko-Shkencore SHBA -11th World Science Fiction Convention, më 5-7 Shtator 1953 në Filadelfia. Ideja u bazua tek modeli i Çmimeve Oscar por tashmë me emrin “Çmimet Hugo”. Çmimet e para u dhanë nga gazetari i apasionuar pas letërsisë fantastiko-shkencore Robert A. Madle (02.06.1920-08.10.2022). Trofeu i çmimit u krijua nga Jack McKnight dhe Ben Jason në 1953, bazuar në dizajnin e mbulesave të makinave të viteve 1950. Ai përbëhet nga një raketë në formë pende që ishte vendosur mbi një pllakë druri. Çmimi Hugo nuk shoqërohet me një shpërblim monetar, përveç trofeut të sipërmendur që u jepet fituesve gjatë ceremonisë.

Faqe Web: https://www.thehugoawards.org

ÇMIMET HANS KRISTIAN ANDERSEN- HANS CHRISTIAN ANDERSEN AWARDS (1956)

Çmimet Hans Christian Andersen (Hans Christian Andersen Awards) janë dy çmime letrare të dhëna nga Bordi Ndërkombëtar mbi Librat për të Rinj (International Board on Books for Young People IBBY). Krijimi i kësaj organizate i ka rrënjët në vitin 1952, kur gazetarja, shkrimtarja dhe përkthyesja gjermane Jella Lepman (15.05.1891-04.10.1970) organizoi një takim në Mynih, Gjermani, të quajtur Mirëkuptimi Ndërkombëtar përmes Librave për Fëmijë (International Understanding through Children’s Books). Shumë autorë, botues, mësues dhe filozofë të kohës morën pjesë në këtë takim dhe si rezultat u caktua një komision për të krijuar Bordin Ndërkombëtar mbi Librat për të Rinjtë (International Board on Books for Young People – IBBY). Një vit më vonë, në vitin 1953, IBBY u regjistrua si një organizatë jofitimprurëse në Zurich, Zvicër ku ka edhe selinë e saj në qytetin e Bazelit. Anëtarët themelues përfshinin shkrimtarët për fëmijë Erich Kästner, Lisa Tetzner, Astrid Lindgren, Jo Tenfjord, Fritz Brunner, Bettina Hürlimann dhe Richard Bamberger. Sot, IBBY përbëhet nga më shumë se 70 seksione kombëtare të IBBY që janë të shpërndarë në të gjithë botën që bëjnë aktivitete lidhur me botimin dhe promovimin e librave për fëmijë. IBBY gjithashtu bashkëpunon me shumë organizata ndërkombëtare dhe institucione të librit për fëmijë në mbarë botën dhe ekspozon rregullisht çdo vit veprimtarinw e saj në Panairin Ndërkombëtar të Librit për Fëmijë në Bolonja (International Children’s Book Fair in Bologna) dhe panaire të tjera ndërkombëtare të librit. Që nga themelimi i saj në 1953, IBBY ka rritur numrin e çmimeve dhe të projekteve që mbështetet në raport me shtrirjen e tyre gjeografike, duke synuar inkurajimin e letërsinë cilësore për fëmijë dhe për të mbrojtur të drejtën e çdo fëmije për t’u bërë lexues. Psh në këtë kuadër Çmimi IBBY-Asahi për Promovimin e Leximit (The IBBY-Asahi Reading Promotion Award) i jepet çdo dy vjet një grupi ose institucioni, aktivitetet e të cilit japin një kontribut të qëndrueshëm në programet e promovimit të leximit. Ndërkohë Çmimi IBBY-Promovuesi i Shquar i Lexuesit (IBBY – iRead Outstanding Reading Promoter Award) u jepet çdo dy vjet, dy individëve të shquar që po punojnë për të promovuar zgjerimin dhe zhvillimin e leximit tek fëmijët. IBBY përpilon gjithashtu një Listë Nderi IBBY (IBBY Honour List), që botohet çdo dy vjet, me vepra të rekomanduara për fëmijë nga shkrimtarë, ilustrues dhe përkthyes të shquar që u përkasin Seksioneve Kombëtare të IBBY. Çdo vit, një Seksion Kombëtar i IBBY sponsorizon Ditën Ndërkombëtare të Librit për Fëmijë (International Children’s Book Day) që mbahet në javën e parë të Prillit dhe përkon me datën 2 Prill, përvjetorin e ditëlindjes së shkrimtarit danez për fëmijë Hans Christian Andersen (02.04.1805-04.08.1875). Kjo ditë festohet për të frymëzuar dashurinë për të lexuar dhe për të tërhequr vëmendjen te librat për fëmijë. Si pjesë e besimit të saj se çdo fëmijë ka të drejtë të bëhet lexues, IBBY dhe donatorët e saj, ofrojnë fonde për disa projekte të zhvillimit të leximit. Fondi IBBY-Yamada mbështet projekte për promovimin e leximit, krijimin e bibliotekave, trajnimin e mësuesv dhe prindërve, si edhe seminare për shkrimtarët, ilustruesit e redaktorët e librave për fëmijë. Ndërkohë Fondi IBBY për Fëmijët në Krizë (IBBY Children in Crisis Fund) u themelua në vitin 2005 për të ndihmuar fëmijët e prekur nga fatkeqësitë natyrore, konfliktet civile ose lufta. Fondi kërkon donacione për projekte që zëvendësojnë ose krijojnë biblioteka/koleksione të librave të përshtatshëm për fëmijë dhe ofrojnë bibliografi, si edhe përdorim terapeutik të librave. Nga ana tjetër IBBY ka krijuar disa koleksione librash për fëmijë, ku më i madhi është Koleksioni i Librave IBBY për të Rinjtë me Aftësi të Kufizuara (IBBY Collection of Books for Young People with Disabilities), i vendosur në Bibliotekën Publike të Torontos në Kanada. Ndërkohë çdo dy vjet ato hartojnë një katalog të librave të shquar për të rinjtë me aftësi të kufizuara (Outstanding Books for Young People with Disabilities). Gjithashtu Koleksioni i Librave të Heshtur (IBBY Silent Books Collection) është një koleksion librash për fëmijë që nuk mund të flasin në një gjuhë të caktuar, i krijuar si përgjigje ndaj nevojës për libra në ishullin italian të Lampedusa, destinacioni i shumë refugjatëve që ikin nga Afrika e Veriut dhe Lindja e Mesme. IBBY ka mbështetur gjithashtu krijimin e dy koleksioneve virtuale të librave për fëmijë, siç janë Librat për Fëmijë në Evropë (Children s Book in Europe), një koleksion librash në gjuhët europiane dhe Librat për Afrikën (Books from Africa) që nxjerrin në pah librat e botuar në gjuhët afrikane nga Afrika. Ndërkohë që prej vitit 1991 jepet Medalja Jella Lepman (15.05.1891-04.10.1970), gazetarja, shkrimtarja dhe përkthyesja gjermane qw themeloi IBBY, si një vlerësim të personave ose institucioneve që kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm në letërsinë për fëmijë. Në vitin 1956 Bordi Ndërkombëtar mbi Librat për të Rinjtë (International Board on Books for Young People – IBBY) themeloi një çmim ndërkombëtar mbi letërsinë për fëmijë dhe që atëherë Çmimet Hans Khristian Andersen (Hans Christian Andersen Awards) kanë vazhduar të jepen çdo dy vjet. Çmimet jepen për një shkrimtar të letërsisë për fëmijë dhe ilustrues të këtyre librave që janë gjallë ku motivacioni kryesor është për “kontributin e tyre të qëndrueshëm në letërsinë për fëmijë”. Çmimi Hans Khristian Andersen për shkrimtarët për fëmijë u dha për herë të parë në vitin 1956. Ndërsa Çmimi Hans Khristian Andersen i ilustruesit të veprave të letërsisë për fëmijë u dha për herë të parë në vitin 1966. Çmimi i parë ndonjëherë emërtohet si “Çmimi Nobel për letërsinë për fëmijë”. Çmimet janë emëruar sipas shkrimtarit danez të letërsisë për fëmijë Hans Christian Andersen (02.04.1805-04.08.1875). Secili fitues i këtij çmimi merr një Medalje Hans Khristian Andersen Medaille (një medalje ari ku është gdhendur busti i Andersenit) si edhe një diplomë. Çmimi u krijua pas Luftës së Dytë Botërore për të inkurajuar realizimin e librave për fëmijë me cilësi të lartë. Çmimi ishte caktuar të jepej çdo dy vjet dhe fillimisht u nda për veprat individuale që ishin botuar në dy vitet e mëparshme. Në vitin 1962, kriteret formale të çmimit u ndryshuan, duke bërë që ky çmim të jepej “për një shkrimtar të gjallë, i cili vlerësohej se kishte dhënë një kontribut të qëndrueshëm në letërsinë fëmijë duke u nisur nga vlera e jashtëzakonshme e veprës së tij ose të saj”. Duke patur parasysh rëndësinë që po merrte cilësia e librave me ilustrime (figura) për fëmijë, në vitin 1966 çmimi e zgjeroi rrethin e individëve që mund ta përfitonin atë duke përfshirë edhe ilustruesit. Nga viti 1966 deri në 1996, kandidatët që përzgjidheshin për të marrë këtë çmim emërtoheshi si “Më të Rekomanduarit” (Highly Recommanded). Në vitin 1998 ky emërtim zëvendësua me një listë prej tre deri në katër shkrimtarësh që konsideroheshin si “Finalistët”* Finalists). Nganjëherë çmimi emërtohet si “Çmimi i Vogël Nobel” apo “Çmimi Nobel i Letërsisë për Fëmijë”. Midis viteve 1992 dhe 2022, sponsorizuesi i çmimeve ishte Mbretëresha Margarethe II e Danimarkës (16.04.1940). Në momentin e dhënies së këtij çmimit botohet një numër special i revistës ‘Bookbird’ që është një revistë periodike që botohet nga IBBY. Çdo vend anëtar i Bordit Ndërkombëtar mbi Librat për të Rinjtë (International Board on Books for Young People – IBBY) ka organizatën e vet, të njohur si “Seksioni Kombëtar i IBBY-it”. Të gjitha vendet anëtare mund të nominojnë kandidatë që mund të merren në konsideratë për të fituar Çmimet Hans Christian Andersen. Disa shtete anëtare mund të emërojnë në mënyrë të përsëritur të njëjtin autor ose ilustrues ndërkohë që të tjerët mund të emërojnë një kandidat të ri çdo here që jepet ky çmim. Për të propozuar një kandidat që kërkon të marrë Çmimet Hans Christian Andersen, përgatitet një dosje që ofron informacione duke përfshirë listën e punimeve dhe skicën biografike. Portofoli duhet të ketë nga pesë deri në dhjetë libra nga kandidati, të cilët u dërgohen jurisë, presidentit të IBBY dhe “Sekretarit të Jurisë”. Psh për çmimet Hans Christian Andersen që u dhanë në vitin 2022 u paraqitën 66 kandidatura nga 33 vende anëtare të IBBY.-it. Fituesi i Çmimeve Hans Christian Andersen zgjidhet nga një juri e cila formohet nga Komiteti Ekzekutiv i IBBY ndërkohë që Presidenti i jurisë zgjidhet nga Asambleja e Përgjithshme e IBBY. Fillimisht juria e Çmimeve Hans Christian Andersen kishte shtatë anëtarë më pas u rrit në tetë dhe në vitin 2000 u bë me dhjetë. Në vitin 2002 juria u nda në pesë anëtarë që do të përqëndroheshin tek përzgjedhja e shkrimtarit më të mirë të letërsisë për fëmijë dhe pesë anëtarët e tjerët që do të përzgjidhnin ilustruesin më të mirë të librave për fëmijë. Nga momenti i paraqitjes së kandidaturave deri në shpalljen e autorit fitues, jurisë në përgjithësi i duhen gjashtë muaj për të vlerësuar kandidaturat e paraqitura dhe për të përzgjedhur fituesin. Deri tani çmimin e ka marrë 35 shkrimtarë dhe 29 ilustrues. Për herë të parë çmimin e ka marrë shkrimtarja angleze Eleonor Farjeon (13.02.1881-05.06.1965), ndërsa çmimin si ilustruesi më i mirë e ka marrë grafisti zviceran Alois Carigiet (30.08.1902-01.08.1985) në vitin 1966. Ndërkohë në vitin 2022 çmimin për veprën më të mirë të shkruar për fëmijë e mori shkrimtari slloven Peter Svetina, ndërsa si ilustrues këtë çmim e ka marrë grafistja nga Koreja e Jugut Suzy Lee (09.02.1974). Nga ana tjetër shkrimtarja e parë që e ka marrë këtë çmim ka qenë në vitin 1957 autorja suedeze Astrid Lindgren (14.11.1907-28.01.2002), ndërkohë që ilustruesja e parë, fituese e këtij ka qenë grafistja ruse Tatjana Mavrina (07.12.1902-19.08.1996)

Faqe Web: https://www.ibby.org/…/hans-christian-andersen-awards

ÇMIMI MAN BOOKER – THE MAN BOOKER PRIZE

Çmimi Man Booker (The Man Booker Prize) u krijua në vitin 1969 dhe fillimisht prej vitit 1969 deri në vitin 2001 u njoh me emrin si Çmimi Booker për Letërsinë (The Booker Prize for Fiction). Ndërkohë nga viti 2002 u riemërtua si Çmimi Man Booker (The Man Booker Prize). Ky është një çmim letrar që jepet çdo vit në Britani për romanin më të mirë të shkruar në anglisht dhe të botuar në Mbretërinë e Bashkuar ose Irlandë apo edhe në vendet e Komonwelthit britanik. Çmimi u krijua në vitin 1969 dhe fillimisht u njoh me emërtimin Çmimi Booker për Letërsinë (The Booker Prize for Fiction) dhe më pas ai u bë i njohur zakonisht si “Çmimi Booker” (Book Prize) ose “Booker”. Ai mori këtë emër, pasi çmimi u sponsorizua prej vitit 1969-2001 nga kompania Booker, McConnell Ltd, një kompani e njohur e tregtimit të produkteve ushqimore përmes rrjetit të supermaketeve ‘Tesco’, e krijuar në vitin 1835 nga George (12.03.1799-17.10.1866) and Richard Booker. Në vitin 2002 kur administrimin e dhënies së këtij çmimi e mori Fondacioni i Çmimit Booker (The Booker Prize Foundation) sponsorizuesi i këtij çmimi u bë kompania e investimeve ‘Man Group’, e themeluar në 1783 nga biznesmeni anglez James Man (09.11.1755-23.08.1823). Për këtë arsye që nga viti 2002 çmimi mori emrin Çmimi Man Booker (The Man Booker Prize). Procesi i përzgjedhjes për fituesin e çmimit fillon me formimin e një Komiteti Këshillues (Advisory Committee), ku bëjnë pjesë një shkrimtar, dy botues, një agjent letrar, një librashitës, një bibliotekar dhe një kryetar të emëruar nga Fondacioni i Çmimit Booker (The Booker Prize Foundation). Komiteti Këshillues më pas zgjedh Panelin Vlerësues (The Judging Panel) që përbëhet prej pesë personash, anëtarësia e të cilit ndryshon çdo vit, megjithëse në raste të rralla një anëtar mund të zgjidhet për herë të dytë. Anëtarët e këtij paneli zgjidhen midis kritikëve letrarë, shkrimtarëve, akademikëve dhe figurave kryesore publike. Procesi i vlerësimit për të dhënë çmimin Booker dhe vetë koncepti i “librit më të mirë” që përzgjidhet nga një numër i vogël individëve që merren me letërsinë është i debatueshëm. Gazeta e mirënjohur britanike ‘The Guardian’ ka prezantuar një anketë të emërtuar “Not the Booker Prize” që ku votojnë lexues për libra që nuk janë pjesë e këtij çmimi dhe si një reagim. Fituesi i Çmimit Man Booker (The Man Booker Prize) zakonisht shpallet në një darkë zyrtare në Guildhall, godinën ceremoniale të Bashkisë të Londrës, një godinë e shek XV në fillim të muajit Tetor. Deri në vitin 2022 këtë çmim e kanë marrë 53 shkrimtarë e shkrimtare nga Britani dhe vendet e Komonwelthit britanik. Fituesi i parë i Çmimit Booker (Booker Prize) ishte shkrimtari britanik Percy. H. Newby (25.06.1918-06.09.1997) në vitin 1969 për romanin e tij ‘Diçka për t’u përgjigjur’, (Something to answer for) ndërsa në vitin 2022 këtë çmim e mori shkrimtari nga Sri Lanka Shehan Karutinalaka. Ndërkohë në vitin 1970, shkrimtarja nga Uellsi Bernice Rubens (26.07.1923-13.10.2004) u bë gruaja e parë që fitoi çmimin Booker. Fituesi i këtij çmimi merr një vlerë në para prej 50,000 paund duke e bërë atë një nga çmimet më të pasura letrare në botë si edhe një medaljon apo trofe të çmimit që është disenjuar nga artisti polako-britanik Jan Pieńkowski (08.08.1936-19.02.2022). Ndërkohë secili prej shkrimtarëve që përfshihet në listën e ngushtë të finalistëve për të marrë këtë çmim merr një vlerë 2500 £ dhe një botim të lidhur në mënyrë të posaçme të librit të tyre. Një fakt interesant lidhur me këtë çmim lidhet me vitin 1971 kur u ndryshuan rregullat për dhënien e çmimit Booker. Deri në atë vit, çmimi ishte dhënë në mënyrë retrospektive për librat e botuar një vit më parë. Në vitin 1971 u mor vendimi që çmimi t’u jepej vetëm librave që ishin botuar në të njëjtin vit kur do të jepej ky çmim. Për rrjedhojë kjo do të thoshte se librat e botuar një vit më parë, pra në vitin 1970 nuk do të merreshin në konsideratë për t’i dhënë Çmimin Booker në asnjë nga vitet e mëpasme. Në këtë kuadër Fondacioni i Çmimit Booker (The Booker Prize Foundation) krijoi në vitin 2010 një çmim special që u mërtua “Çmimi i Humbur Man Booker (Los Man Booker Prize), me fitues që do ta zgjidhte nga një listë e gjatë prej 22 romanesh të botuara në 1970. Fituesi i Çmimit Man Booker (The Man Booker Prize) falë këtij çmimi gëzon një publicitet ndërkombëtar i cili zakonisht çon në një rritje të shitjeve të librit. Kur u krijua çmimi në vitin 1969 vetëm romanet e shkruara nga shtetas të Komonuelthit britanik, irlandezë, afrikano-jugorë dhe më vonë nga Zimbabveja, kishin të drejtë ta merrnin këtë çmim. Në vitin 2014, kriteret për të fituar këtë çmim u shtrinë për të gjithë romanet të botuar në gjuhën angleze, çka ngjalli debate. Fondacioni i Çmimit Man Booker (The Man Booker Prize Foundation) nëpërmjet një jurie prej 4 personash që përbëhet nga shkrimtarë, bibliotekarë, agjentë letrarë, botues dhe librashitës mblidhen çdo vit për të zgjedhur librin dhe autorin fitues të këtij çmimi. Çmimi Man Booker (The Man Booker Prize) konsiderohet një çmim letrar i profilit të lartë në kulturën britanike dhe pritet me shumë kureshti e ngjall shumë interes. Një çmim i njëjtë me të është edhe Çmimi Ndërkombëtar Booker (The International Booker Prize), i cili jepet për një libër të përkthyer në anglisht dhe të botuar në Mbretërinë e Bashkuar ose Irlandë. Paratë e çmimit prej 50,000 £ ndahen në mënyrë të barabartë midis autorit dhe përkthyesit të romanit fitues.

Faqe Web: https://thebookerprizes.com

https://alb-spirit.com/2018/10/02/times-of-indiakadare-dhe-fituesit-e-tjere-te-cmimit-nderkombetar-man-booker/

 

ÇMIMI NDËRKOMBËTAR NEUSTADT – NEUSTADT INTERNATIONAL PRIZE FOR LITERATURE( 1970)

Çmimi Ndërkombëtar i Letërsisë Neustadt (Neustadt International Prize for Literature) është një çmim ndërkombëtar që jepet prej vitit 1970 çdo 2 vjet për letërsinë në SHBA, i sponsorizuar nga Universiteti i Oklahomas dhe botimi i tij periodik letrar, World Literature Today. Konsiderohet si një nga çmimet më prestigjioze letrare ndërkombëtare, shpesh i krahasuar me Çmimin Nobel në Letërsi, “Nobeli i Oklahomas” apo nganjëherë referohet si “Nobeli Amerikan”. Që kur u themelua në vitin 1970, rreth 30 prej laureatëve, kandidatëve ose jurisë së tij së këtij çmimi janë vlerësuar gjithashtu me çmimin Nobel. Ashtu si Nobeli, ai u jepet individëve për të gjithë veprimtarinë e tyre letrare dhe jo për një vepër të vetme. Fillimisht ky çmim u emërtua si “Çmimi Ndërkombëtar i Letërsisë për Librat Jashtë Vendit (Books Abroad International Prize for Literature) dhe nisi si një nismë modeste që në disa aspekte, synonte të korrigjonte atë që shumë e perceptonin si të metat e Çmimit Nobel për Letërsinë, një kritikë që dëgjohet shpesh edhe sot kur Akademia Suedeze bën njoftimin e saj vjetor për të shpallur fituesit e Çmimit Nobel për Letërsinë. Ai u prezantua zyrtarisht në Shtator 1969 me emrin “Çmimi Ndërkombëtar i Letërsisë për Librat Jashtë Vendit”, (Books Abroad International Prize for Literature) nga ana e studiuesit letrar amerikano-estonez Ivar Vask (17.12.1927-23.09.1992) në Kongresin e 36-të të organizatës PENA Ndërkombëtare (PEN International) në Menton të Francës. Organizata PENA Ndërkombëtare (PEN International) është një shoqatë shkrimtarësh në mbarë botën, e themeluar në Londër në vitin 1921 për të promovuar miqësinë dhe bashkëpunimin intelektual midis shkrimtarëve dhe e cila ka qendrat autonome ndërkombëtare PEN në mbi 100 vende. Nxitjen për të krijuar një çmim të tillë studiuesi letrar amerikano-estonez Ivar Vask (17.12.1927-23.09.1992) e mori kur u emërua kryeredaktori i revistës letrare të Universitetit të Oklahomës në SHBA, Books Abroad e cila më vonë u emërtua World Literature Today. Ai ishte një ndër kryeredaktorët më të gjatë kësaj reviste për gati 24 vjet nga viti 1967 deri në vitin 1991. Në Dhjetor të vitit 1964 gjatë takimit të Shoqatës së Gjuhëve Moderne (Modern Languages Association-MLA), Herbert Howarth – një përkthyes i arabishtes me origjinë britanike dhe profesor i anglishtes nga Universiteti i Pensilvanisë, me kërkesë të Rober Vlach, kryeredaktorit të atëhershëm të i revistës letrare “Books Abroad” të Universitetit të Oklahomës, mblodhi një panel studiuesish për të diskutuar historikun e Çmimit Nobel në Letërsi. Ato bisedime formuan thelbin e “Simpoziumit të Çmimit Nobel” të mëvonshëm të botuar në numrin e vitit 1967 të revistës letrare Books Abroad, ku u përfshi edhe eseja e Horwarth, “Një peticion drejtuar Akademisë Suedeze” (A Petition to the Swedish Academy). Kjo ese nga ana e saj do të shërbente si shkëndijë për të nxitur krijimin e “Çmimit Ndërkombëtar të Letërsisë për Librat Jashtë Vendit”, (Books Abroad International Prize for Literature) nga ana e studiuesit letrar amerikano-estonez Ivar Vask (17.12.1927-23.09.1992). Çmimi i parë iu dha poetit italian Giuseppe Ungaretti (08.02.1888-01.06.1970) më 13 Mars 1970 me një vlerë prej 10,000 USD dhe një pendë shqiponje të punuar në argjend. Ndërkohë shkrimtarja e parë femër që e ka marrë këtë çmim është shkrimtarja amerikane Elisabeth Bishop (08.02.1911-06.10.1979). Në pamundësi për të gjendur fonde për financimin e këtij çmimi, pas 2 vitesh studiuesi letrar amerikano-estonez Ivar Vask ( 17.12.1927-23.09.1992) iu drejtua për ndihmë familjes Neustadt nga qyteti Ardmore të Oklahomës. Në këto kushte Dolores dhe Walter Neustadt i Riu, që kishte bërë MA në këtë universitet, të cilët ishin i biri dhe vejusha e biznesmenit dhe filantropit amerikan Walter Neustadt i Vjetri, vendosën më 17 Maj 1972 të bashkëpunonin me Universitetin e Oklahomës për ta financuar këtë çmim. Nga viti 1972-1976 çmimi u emërtua si Çmimi Neustadtt & për Librat Jashtë (Books Abroad-Neustadt Prize), ndërsa nga viti 1976 ky çmim për nder të kësaj familje u emërtua Çmimi Ndërkombëtar Neustadt për Letërsinë (Neustadt Prize for Literature). Karta e Çmimit Neustadt (The Charter of the Neustadt Prize) parashikon që çmimi të jepet për arritjet e jashtëzakonshme që ka patur një autor në poezi, letërsi apo dramë. Çmimi jepet vetëm në bazë të meritave letrare. Çdo autor i gjallë që shkruan në çdo gjuhë mund të konkurojë për ta marrë këtë çmim, me kusht që të paktën një pjesë përfaqësuese e veprës së tij ose të saj të jetë e disponueshme në anglisht që është gjuha, e cila përdoret gjatë diskutimeve të anëtarëve të jurisë. Kandidatët përzgjidhen nga një juri që përbëhet prej të paktën shtatë anëtarësh. Përzgjedhja e autorit apo autores që do ta marrë këtë çmim nuk kufizohet nga zona gjeografike, gjuha në të cilën shkruan apo zhanri letrar. Çmimi Ndërkombëtar Neustadt për Letërsinë (Neustadt Prize for Literature) është i vetmi çmim ndërkombëtar letrar i kësaj fushe që jepet Shtetet e Bashkuara dhe është një nga çmimet e pakta ndërkombëtare ku poetët, romancierët dhe dramaturgët mund të marrin pjesë pa dallim. Çmimi përbëhet nga një pendë shqiponje e argjendtë, një certifikatë dhe një vlerë prej 50,000 dollarë USD. Nga ana tjetër që prej vitit 2003 është krijuar dhe jepet për shkrimtarë të ndryshëm edhe Çmimi Ndërkombëtar Neustadt për Letërsinë e Fëmijëve (Neustadt Prize for Childrenès Literature). Për herë të parë këtë çmim në vitin 1970 e ka marrë shkrimtari italian Giuseppe Ungaretti (08.02.1888-02.06.1970) ndërkohë në vitin 2022 këtë çmim e ka shkrimtari senegalez Bobacar Diop ( 26.10.1946). Ndërkohë shkrimtarja e parë që e ka marrë këtë çmim ka qenë në vitin 1996, autorja algjeriane Assia Djebar (30.06.1936-06.02.2015)

Faqe Web https://www.neustadtprize.org/

https://alb-spirit.com/2019/10/17/albanian-author-ismail-kadare-won-2020-neustadt-international-prize-literature/

 

ÇMIMI SERVANTES- PREMIO DE LITERATURA EN LENGUA CASTELLANA “MIGUEL DE CERVANTES”

Çmimi Miguel de Cervantes (Premio de Literatura en Lengua Castellana Miguel de Cervantes) jepet çdo vit për të nderuar arritjet e një shkrimtari të shquar në gjuhën spanjolle. Çmimi u krijua në 1975 nga Ministria e Kulturës e Spanjës dhe u dha për herë të parë në vitin 1976. Ai konsiderohet çmimi më prestigjioz dhe më i çmuar që jepet për letërsinë e shkruar në gjuhën spanjolle. Fituesi merr një çmim monetar prej 125,000 euro, duke e bërë atë një nga çmimet letrare më të pasura në botë. Çmimi i jepet çdo autori që ka shkruar në gjuhën spanjolle, jo vetëm në Spanjë dhe është mirënjohje ndaj punës e kontributit të tij letrar. Nga dyzet e shtatë fituesit që kanë marrë deri tani çmimin Servantes, vetëm gjashtë shkrimtare femra e kanë marrë atë deri tani. Në vitin 1988 do të ishte shkrimtarja spanjolle María Zambrano (22.04.1904-06.02.1991) e cila do të bëhej shkrimtarja e parë femër që u nderua me këtë çmim. Çmimi mban emrin e shkrimtarit të njohur spanjoll Miguel de Servantes (29.09.1547-22.04.1616), autor i romanit të famshëm Don Kishoti. Kandidatët për këtë çmim propozohen nga Shoqata e Akademive të Gjuhës Spanjolle (Asociación de Academias de la Lengua Española, ASALE) e krijuar në Madrid më 26 Prill 1941. Një fakt që duhet përmendur është se 3 nga 45 fituesit e çmimit Miguel de Cervantes kanë fituar edhe Çmimin Nobel në Letërsi siç janë shkrimtarët Octavio Paz (Servantes 1981, Nobel 1990) dhe Mario Vargas Llosa (Cervantes 1994, Nobel 2010), ndërkohë shkrimtari Camilo José Cela fillimisht mori çmimin Nobel në 1989 dhe iu dha çmimi Cervantes në 1995. Shkrimtari i parë që mori Çmimin Servantes në vitin 1976 ishte poeti dhe kritiku letrar spanjoll Jorge Alvarez (18.01.1893-06.02.1984), ndërkohë që vitin 2022 këtë çmim e mori poeti dhe eseisti venezulian Rafael Cadenas (08.04.1930).

ÇMIMI I LETËRSISË PËR GRATË- WOMEN ‘S PRIZE FOR FICTION (1996)

Çmimi i Letërsisë për Gratë (Women’s Prize for Fiction) është një nga çmimet më prestigjioze letrare të Mbretërisë së Bashkuar-UK. Në vartësi të emrave të kompanive që kanë sponsorizuar këtë çmim, fillimisht ka qenë i njohur me emrat Orange Prize for Fiction (1996-2006); Orange Broadband Prize for Fiction (2007-08); Orange Prize for Fiction (2009-2012) dhe Baileys Women’s Prize for Fiction (2014-2017). Ai i jepet çdo vit një shkrimtare femër nga çdo vend që ka botuar në vitin paraardhës romanin më të mirë në gjuhën angleze, në Mbretërinë e Bashkuar – UK. Çmimi u krijua në vitin 1996, për të vlerësuar arritjet letrare të shkrimtareve femra. Frymëzimi për çmimin ishte Çmimi Booker (Booker Prize) i vitit 1991, kur asnjë nga gjashtë librat që u përzgjodhën për të dhënë këtë çmim, nuk përfshinin asnjë shkrimtare, pavarësisht se rreth 60% e romaneve të botuara në atë vit ishin nga autore femra. Një grup grash dhe burrash që punojnë në industri – autore, botues, agjentë, shitës librash, bibliotekarë, gazetarë – u mblodhën për të diskutuar këtë çështje. Hulumtimet treguan se arritjet letrare të grave shpesh nuk pranoheshin nga çmimet kryesore letrare. Çmimi fillimisht u emërtua si Çmimi Orange për Letërsinë (Orange Prize for Fiction) pasi nga viti 1996 deri në 2006 ky çmim u sponsorizua nga kompania britanike e telekomunikacionit Orange. Çmimi ka “prodhuar” disa konkurse dhe çmime në disa nën-kategori: 1) Konkursi i Tregimeve të Shkurtëra Harper’s Bazaar Broadband, (The Harper’s Bazaar Broadband Short Story Competition), 2) Çmimi Orange për Shkrimtarët e Rinj (The Orange Award for New Writers), 3) Çmimi i Grupit të Lexuesve të Penguin/Orange, (The Penguin/Orange Readers’ Group Prize), 4) Grupi i Leximit për Librin e Vitit (The Reading Book Group of the Year). Në mbështetje të çmimit të vitit 2004, u publikua një listë me 50 libra të botuar që duhen lexuar në mënyrë të domosdoshme. Librat u zgjodhën nga një kampion prej 500 personash që merrnin pjesë në Festivalin Guardian Hay dhe përfaqësonin librat “e domosdoshëm” të shkrimtarëve të gjallë që duhen lexuar nga lexuesit në Mbretërinë e Bashkuar. Lista quhet “Lista Bashkëkohore e 50 Librave të Domosdoshëm për t’u Lexuar”, (Orange Prize for Fiction, A List of 50 Contemporary “Essential Reads”). Çmimi fillimisht u emërtua sponsorizua nga Orange, një kompani telekomunikacioni në Mbretërinë e Bashkuar-UK. Në Maj 2012, kompania britanike e telekomunikacionit Orange njoftoi se do të tërhiqej nga sponsorizimi i këtij çmimi. Për këtë arsye sponsorizimi i këtij çmimi për vitin 2013 u bë nga individë donatorë nën drejtimin e Cherie Blair, bashkëshortja e ish –kryeministrit britanik Tonny Blair dhe shkrimtarët Joanna Trollope dhe Elizabeth Buchan. Duke filluar nga viti 2014, çmimi u sponsorizua nga marka e pijeve Baileys Irish Cream që ishte në pronësi të konglomeratit të pijeve Diageo. Ndërkohë në Janar 2017, kompani Diageo njoftoi se kishte vendosur t’i hapte rrugën një sponsori të ri dhe do të tërhiqej pasi të shpallej fituesi i këtij çmimi në Qershor të vitit 2017. Në këtë periudhë u njoftua se çmimi do të ndryshonte emrin e tij duke u riemërtuar thjesht si “Çmimi i Letërsisë për Gratë” (Women’s Prize for Fiction)” dhe duke filluar nga viti 2018 do të mbështetej nga një familje sponsorësh. Fituesja e çmimit merr një vlerë monetare prej 30,000 £, së bashku me një skulpturë bronzi të quajtur Bessie, krijuar nga Grizel Niven, motra e aktorit dhe shkrimtarit David Niven. Mënyra e përzgjedhjes së kandidatit fitues bëhet duke u shpallur një listë e gjatë me kandidate rreth muajit Mars të çdo viti, e cila pasohet nga një listë më e reduktuar në Qershor. Fituesja e këtij çmimi zgjidhet çdo vit nga një Bord prej pesë shkrimtaresh femra. Shkrimtarja e parë që e fitoi këtë çmim në vitin 1996 ishte autorja britanike Helen Dunmore (12.12.1952-05.06.2017) me romanin ‘A Spell of Winter’, ndërsa në vitin 2022 këtë çmim e mori shkrimtarja kanadezo-amerikane Ruth Ozeki (12.03.1956-) me romanin ‘The Book of Form and Emptiness’.

Faqe Web: https://www.womensprizeforfiction.co.uk

 

https://alb-spirit.com/2018/09/23/premio-principe-delle-asturie-per-la-letteratura-ismail-kadare/

 

 

 

Please follow and like us: