Andrea Gudha: Një sëmundje, si asnjë tjetër sëmundje
Përshtatur nga literatura e huaj ‘Presses de l’Université de Montréal’.
Në vend të hyrjes
“ I kemi kthyer mjekët në zota dhe i falemi hyjnisë së tyre duke u ofruar trupat dhe shpirtrat tanë, pa përmendur të mirat e kësaj bote.
…Mjekët, ngaqë janë të vetëdijshëm deri në dhimbje për pamundësitë e mjekësisë ndaj shërimit të sëmundjeve të ndryshme dhe, që, nuk mund t’i kënaqin shpresat e të sëmurëve dhe të familjarëve të tyre, shkalla e vuajtjes së tyre është e pamatshme. Ata janë quajtur me plot të drejtë “shëruesit e sëmurë”.
…Student të vitit të parë në Shkollën e Mjekësisë të Harvardit (viti 1962) ishin mbledhur në sallën D për të dëgjuar fjalimin e mirëseardhjes nga Dekani Kortni Holms. Dekanit nuk iu desh të kërkonte të mbahej qetësi. Thjesht buzëqeshi dhe studentët ranë në heshtje.
-Zotërinj, – ia nisi, – ju të gjithë po nisni një udhëtim të madhërishëm drejt tokave të pashkelura të dijeve mjekësore prej nga do të filloni kërkimet individuale në territorin ende të paeskploruar të vuajtjeve dhe sëmundjeve. Ndonjëri i ulur në këtë sallë mund të zbulojë një kurë për leuçeminë, diabetin, tumoret vdekjeprurëse me metastaza, epilepsinë, psikozat…
Më lejoni, ta mbyll duke thënë një sekret, njëlloj poshtërues si për mua, që e nxjerr në shesh, edhe për ju, që e dëgjoni. U kthye dhe shkrojti diçka në dërrasën e zezë pas vetes. Dy shifra të thjeshta: numri 26.
Një gumëzhinë habie përmbushi sallën. Dekani priti të kthehej qetësia, mori frymë dhe pastaj ia nguli sytë auditorit gojëhapur.
-Zotërinj, po ju nxis, ta skalitni këtë në kujtesën tuaj: ka mijëra sëmundje në këtë botë, mirëpo shkenca mjekësore zotëron kura emiprike vetëm për 26 prej tyre. Kusuri është…hamendje.
Dekani doli nga salla. Studentët u habitën kur dëgjuan që, edhe mjekët më të mëdhenj kishin njohuri aq mjerisht të pamjaftueshme për sëmundjet, që mësynin trupin njerëzor…”*
***
Informacion mbështetës për prindërit me një fëmijë skizofren
Psihiatrit e klasifikojnë skizofreninë si psikozë. Psihiatri zviceran Eugen Bleueler, për herë të parë, sëmundjen e ka emëruar “skizofreni”, fjalë, e cila vjen nga greqishtja, që do të thotë “shpirt i ndarë”. Sipas klasifikimit të dhënë nga manualët e ndryshëm diagnostikues (DMS, OBSH, ICD-10), skizofrenia, në individë të veçantë, paaraqitet me shenja të ndryshme, por, gjithmonë, me karakteristika të përbashkëta.
Në ditët e sotme skizofrenia ka një frekuencë: 4 raste në 1000 banorë. Skizofrenia shfaqet në mënyrë të barabartë te meshkujt dhe femrat, por, te meshkujt manifestohet, si rregull, disi më herët, në forma të ndryshme në adoleshencë, ose, rreth moshës 20-25 vjeçare, që, fatkeqësisht, është forma më e rëndë për të ardhmen e pacientit.
Ka shumë rendësi për evoluimin e sëmundjes që, prindërit duhet t’i vlerësojnë shenjat e para ,jo normale, që shfaq fëmija, që në orët e para, në ditët e para, të cilat janë të papritura, të shpejta dhe të shumëllojshme.
Zakonisht, shqetësimet, pikëpyetjet dhe nevojat e para, që shprehin prindërit, janë të marrin informacion mbi diagnozën e skizofrenisë, mjekimin, perspektivën e fëmijës dhe, të mësojnë se, si të sillen kur jetojnë me një person skizofren. Më pas, kur prindërit e kanë pranuar diagnozën e fëmijës, shprehin dëshirën për të shkëmbyer mendime me njeri-tjetrin për të larguar emocionet traumatike, që kanë përjetuar në momentet e para me shenjat jo normale të fëmijës, me fjalët e mjekut psihiatër dhe, në vazhdimësi, diskutojnë për mundësitë e tyre në ndihmë të kujdesit për fëmijën, veçanërisht përballë mungesës së mbështetjes mjekësore dhe psiko-sociale të fëmijës nga ana e Institucioneve Shëndetësore.
***
Faza e parë
Gjatë fazës së parë, prindërit marrin informacion dhe mësojnë strategji për përballimin e skizofrenisë.
Këto momente për prindërit janë shumë shqetësuese, të papritura dhe nuk kuptojnë ngjarjen, përse ndodhi dhe se, çfarë duhet të bëjnë me fëmijën…?
Në fillimet e kësaj faze është e domosdoshme konsulta e menjëherëshme me mjekun më të mirë psihiatër.
Pasi të vendoset diagnoza dhe mjekimi, për prindërit dhe për fëmijën fillon një epokë tjetër e jetës: do të ndryshojë stili i jetës familjare dhe shoqërore. Ndoshta, për problemet e vështira që do të ndeshen, prindërve do t’iu duhet të ndryshojnë vendin dhe mjedisin familjar dhe shoqëror…
Së pari, prindërit duhet ta pranojnë diagnozën e fëmijës, të ndërgjegjësohen, të jenë të përgjegjshëm dhe të ndërtojnë sa më parë një strategji për marrëdhëniet midis tyre dhe me fëmijën. Prindërit (nëna dhe babai), nga njera anë, duhet të krijojnë besim të plotë te fjalët e mjekut psihiatër, nga ana tjetër, prindërit (nëna dhe babai) duhet të mirëkuptojnë sjelljet dhe veprimet e pa ndërgjegjëshme të fëmijës skizofren. Duhet të jenë tepër të kujdesshëm dhe të mbajnë qetësinë në reagimin ndaj fëmijës. Duhet të mirëkuptojnë fëmijën, sepse, këto veprime janë brenda kuadrit të sëmundjes!
Së dyti, pasi vendoset diagnoza, ka shumë rendësi trajtimi mjekësor i rregullt qysh në orët e para, në javët e para dhe në 6 mujorin e parë.
Nëqoftëse. brenda 6 mujorit të parë dominohen shenjat jo normale te fëmija, fëmija e kapërcen pragun e derës së shtëpisë dhe gradualisht fillon jetën normale, ky është një shans shumë i mirë për të ardhmen e fëmijës. Në rast të kundërt, problemi shëndetësor te fëmija do të zgjatet me ulje dhe ngritje për vite të tëra, ndoshta, për tërë jetën…
Faza e dytë
Faza e dytë është shumë më e përqëndruar në aspektin psikologjik dhe social.
Objektivi: Fëmija të ndërgjegjësohet për problemin e tij shëndetësor dhe të pranojë mjekimin. Të jetë në gjëndje mendore: të ketë aftësi gjykimi, mendimi dhe përqëndrimi për të kryer shërbimet e tij personale dhe të pranojë afeksionin psiko-social.
Te fëmija i sëmurë dominon suporti psikologjik dhe social nga ana e prindërve dhe shoqërisë, krahas trajtimit mjekësor.
Në këtë fazë dhe në vazhdim, prindërit duhet të reflektojnë në sjelljen, duhet të ngrenë “ura” komunikimi me fëmijën, por, dhe në marrëdhëniet midis tyre.
Kjo sëmundje, ka shumë vështirësi për t’u përballuar vetëm nga prindërit, sepse skizofrenia është një sëmundje, si asnjë tjetër sëmundje! Përse?
Pacienti është tepër i vështirë në komunikim, “nuk zbërthehet” gjatë bisedës, inkoshient për sjelljet që bën, “mashtrues”, ”rrebel”, “kokëfortë”, i kamuflon dhe nuk i tregon gjërat, që ndjen përbrenda vetes.
Nga ana e prindërve kërkohet shumë durim, shumë sakrifica, tolerancë, qetësi psikologjike, mirëkuptim, bashkëpunim dhe përballim ndaj stigmatizmit nga ana e shoqërisë, apo dhe nga rrethi familjar. Prindërit janë të vetmit ndihmës natyral të përditshëm për fëmijën.
Faza e tretë
Faza e tretë, e karakterizuar nga procesi i fuqizimit drejt autonomisë të fëmijës së sëmurë dhe riintegrimi i tij social. Rehabilitimi.
Kjo fazë është shumë delikate për të ardhmen e fëmijës dhe për prindërit!
Objekti i rehabilitimit është shumë i ndryshëm për pacientë të ndryshëm, sepse konsiston në individualitetin e pacientit: në tipin e karakterit të pacientit dhe në llojin e skizofrenisë, në kulturën dhe në zhvillimin e aftësive të nevojshme të pacientit për jetën në shoqëri.
Në këtë fazë, në vartësi të ecurisë të gjëndjes shëndetësore të fëmijës, gjithmonë, në konsultë me psihoanalistin, që e ka ndjekur fëmijën, prindërit mund të kërkojnë shërbime më të mira për fëmijën e tyre si: qendra punësimi dhe shërbime sociale. Kjo fazë, përveç familjes, është totalisht në vartësi të organizimit të Sistemit Shëndetësor të një vendi: sa social është një shtet për kujdesin që tregon për personat me aftësi të kufizuar?
Shtetet perëndimore janë të avancuara në këtë drejtim.
Psihoanaliza
Pacienti i diagnostikuar me skizofreni, në trajtimin në vazhdimësi, në fazën e dytë dhe të tretë, ka nevojë për ndjekjen mjekësore nga ana e psihoanalistit me përvojë në këtë fushë dhe jo, të psikologut!
–Psihoanalisti: Specialiteti im është Pavetëdija. Sigurisht, që një psihoanalist do ta kishte vështirë t’ia nxirrte me grepa një pacienti kokëfortë, me psihikë të vulosur me çimento,nëqoftëse nuk zotëron çelësin e fsheht për t’u futur në mendimet e pacientit më të pavetëdijshëm.
Pjesa më e rëndësishme e psihoterapisë fillon vetëm kur pacienti ngrihet si feniksi nga hiri i frenimit të vet, qëndron në këmbë dhe fillon të ecë në labirintin e jetës së përditshme.
Psihika e tij, tashmë është si një busull që do ta çojë (me shpresë) pacientin në drejtimin e duhur: aftësinë për të gjykuar dhe vepruar si njeri i pjekur-*
***
Nuk mund të trajtojmë çështjen e skizofrenisë apo të ndonjë psikoze tjetër pa shtruar pyetjen e pashmangshme: a është sëmundje, apo jo?
Përgjigjet kontradiktore për këtë pyetje tregojnë se, njerëzit, që punojnë me persona me probleme të rënda të shëndetit mendor, janë të ndarë në dy kampe kundërshtare.
Psihiatrit dhe ekipet, që punojnë në spitale, i bazojnë të gjitha ndërhyrjet e tyre në nocionin e sëmundjes mendore. Psihiatri “heton” trurin njerëzor. Psihiatri, deri më sot, bazohet te anamneza dhe në shenjat klinike, që paraqet pacienti. Psihiatria pagëzohet shpesh me termin “kura e bisedës”* Në bazë të shenjave klinike: pozitive apo negative, psihiatri administron sëmundjen me anë të ilaçeve.
Shënim. Në të ardhmen e afërt, në ndihmë të mjekëve psihiatër dhe të pacientëve me sëmundje mendore, do të jenë zhvillimet në Bio-teknologji dhe në Inxhinjerinë gjenetike…
Në mjediset shkencore dhe në shoqatat e pacientëve psihikë, mendimet janë shumë të ndara, që e hedhin poshtë konceptin e sëmundjes mendore. Shumë “njerëz të sëmurë” vetë refuzojnë ta konsiderojnë veten si të tillë. Për ta, trajtimi mjekësor shoqërohet me një përpjekje për shtypje, për shembull, si “shtypja e popullit Akadian” (Saint-Amand, 1989).
Shumë grupe për të drejtat e pacientëve janë shfaqur hapur si anti-psihiatrikë. Disa nga këto lëvizje flasin për pacientët si “të mbijetuar”, që do të thotë se, njerëzit, që kanë arritur të mbijetojnë janë viktimizuar nga sistemi psihiatrik. Rryma antipsihiatrike është nxitur fuqishëm nga vetë psihiatrit, të cilët vënë në dyshim nocionin e sëmundjes mendore.
Fakti, që pacientët ngrihen kundër mjekëve të tyre psihiatër dhe, që, mjekët psihiatër denoncojnë kolegët e tyre, është padyshim rast unik në analet e mjekësisë. Ky fenomen nuk ndeshet në specialitetet e tjera të mjekësisë, p.sh. pediatrit nuk ngrihen kundër pediatrit…
– Nëse, ndonjë psihiatër mjeshtër do të vinte në spital gjatë kohës që, mjekët psihiatër zhvillojnë ndonjë mbledhje të stafit të tyre, ai nuk do të ishte në gjëndje të dallonte se, kush janë mjekët psihiatër dhe kush janë pacientët e çmëndur…Patologët dinë gjithçka dhe nuk bëjnë asgjë, kirurgët nuk dinë asgjë dhe bëjnë gjithçka. Po…ndërsa psihiatrit, as dinë dhe as bëjnë gjë.-*
Skizofrenia do të ishte një sëmundje, edhe, nëse, ende, nuk janë gjetur faktorët etiologjikë specifikë si dhe një trajtim specifik i vërtetë, siç është rasti i diabetit. Në rastin e skizofrenisë, mjekimi ndikon vetëm në simptomat e ashtuquajtura “pozitive”: deluzione, delir, halucinacione, inkoherencë etj.
Polemika vjen për faktin se, kjo “sëmundje” nuk është vetëm Bio-fizike, por edhe Sociale. Ajo dëmton në thelb karakteristikat njerëzore: gjykimin, mendimin, përqëndrimin, personalitetin.
Diagnoza psihiatrike ka pasoja të konsiderueshme në udhëtimin kritik të personit skizofren dhe familjes së tij. Sjelljet e para simptomatike ngatërrojnë familjarët, të cilët përpiqen që, të arrijnë të kuptojnë dhe të interpretojnë arsyen e këtyre sjelljeve të papritura apo të çuditshme të fëmijës. Në kokën e tyre u vijnë shumë pikpyetje dhe dilema në marrëdhëniet me fëmijën e tyre në të kaluarën.
Diagnoza psikiatrike në mjediset e ndryshme shoqërore ka si pasojë stigmatizimin e pacientit si “të çmendur”. Është utopike të mendosh se shoqëria do të fillojë ta konsiderojë sëmundjen mendore si çdo sëmundje tjetër për shkak të këtij procesi stigmatizimi. Tani përdoren shprehje të tilla si “persona me aftësi të kufizuara” në vend të: “të paaftë mendërisht” apo “të vonuar mendërisht”. Njerëzit, ndonjëherë, për ta lehtësur situatën si jo stigmatizuese, përdorin shprehje të tilla si: “ai është nervoz” ose “ai është në depresion”.
Trajtimi psihiatrik, duke u marrë vetëm me trajtimin bio-kimik të simptomave me anë të ilaçeve, në fakt, ky trajtim mjekësor shoqërohet me tërheqjen e personit nga mjedisi social dhe përkeqëson pasojat e tyre sociale. Pikërisht, në fillim të moshës madhore (mosha 20-25 vjeçare) shfaqen simptomat e para dhe fillon trajtimi psihiatrik në spital apo në shtëpi.
Ndaj, personi skizofren pengohet në zhvilliminin e tij intelektual dhe në realizmin e dëshirave në një moment vendimtar të jetës: në marrëdhëniet e para romantike me vajzat, në studimet dhe në fillimet e punës së parë në jetë. Prandaj, trajtimi psihiatrik ka efektin e rëndimit të bllokimit të personit në këtë moment vendimtar të jetës dhe, rrjedhimisht, të theksimit të paaftësisë sociale të skizofrenit në perspektivë.
Shënim. Në mjekimin simptomatik duhen patur parasysh edhe efektet anësore të psikotikëve te pacientët!
Shtrimi në spitalin psihiatrik
Shtrimet e përsëritura në spital kanë si pasojë kronicizimin e situatës së keqpërshtatjes, sepse sjellin çarje për skizofrenin në rrjetin social jashtë familjar.
Tre efektet kryesore negative të procesit të shtrimit në spitalin psihiatrik janë: 1. Margjinalizimi; 2. Pasiviteti dhe qëndrimi pritës nga të tjerët dhe 3. Izolimi.
1.Margjinalizimi, Stigmatizimi
Njerëzit kanë një mendim negativ për personat me të meta mendore. Këta janë objekt përbuzjeje në shoqërinë në tërësi. Procesi i trajtimit psihiatrik zhvillohet edhe jashtë mureve të spitalit psikiatrik, si në qendrat ditore të shëndetit mendor.
Vetëkuptohet se, frekuentimi i rregullt në të ashtuquajturat qendrat ditore apo klubet sociale, në vet-vete ruan margjinalizimin.
Kur universi social i skizofrenit kufizohet në kontaktet vetëm me pacientë të tjerë me probleme mendore, por, dhe me stafin e institucioneve psihiatrike, që kërkesa e vetme e tyre e pranimit është që, personi të jetë i paaftë social, në të vërtetë, ambienti nuk është i favorshëm për riintegrimin e pacientit. Rezultati është një “getoizimi”!
Shumë programe synojnë të zhvillojnë aftësitë sociale të skizofrenëve për të korrigjuar ngathtësinë sociale, që ata shfaqin shpesh. Pavarësisht nga popullariteti i tyre i madh, këto programe nuk janë një ilaç. Shumë programe, të frymëzuara dhe të destinuara për skizofrenët, janë shumë sipërfaqësore dhe të parëndësishme dhe, se, ato fokusohen kryesisht në sjelljen e jashtme dhe jo mjaftueshëm në elementet afektive, emocionale dhe motivuese.
Në përgjithësi, skizofrenët kanë aftësitë sociale të nevojshme për të funksionuar në shoqëri. Pengesë për ta do të ishte mungesa e motivimit (apo i energjisë pozitive) nga familja dhe nga shoqëria.
Tek skizofrenët do të kërkohet më shumë funksionimi i llogjikës: kuptimi dhe gjykimi, sesa kapaciteti intelektual. Në çdo rast, cilësia e jetës, mirëqenia psikologjike dhe sociale e personit janë kriteret më të mira për vlerësimin e suksesit të rehabilitimit.
2. Pasiviteti dhe qëndrimi pritës i skizofrenit nga të tjerët Psihiatrit merren me shërbime psihiatrike, që janë autoritare dhe tutolitare. Shumicën e kohës, pacientët nuk përfshihen në vendimet, që ndikojnë në jetën e tyre, por presin nga të tjerët me indiferentizëm.
Psihiatrit thonë: “Personat me të meta mendore, brenda edhe jashtë institucioneve psihiatrike, zbulojnë se, mbështetja psihiatrike, që ata marrin, më tepër “mbyt”, sesa zhvillon potencialin e tyre. Modelet mbështetëse, brenda edhe jashtë institucioneve psihiatrike, janë kryesisht tutolitare, nuk promovojnë autonominë dhe nuk i lejojnë njerëzit të arrijnë potencialin e tyre maksimal” (Hutchison et al., 1985).
Fakti i të qenit i “mësuar të pres kujdesin”, sa nga familja, aq edhe nga institucionet, lind te skizofreni një formë pasiviteti dhe qëndrimi pritës përballë kujdesit dhe vëmendjes që, ai merr prej tyre.
3. Izolimi
Procesi i shtrimi në spitalin psihiatrik fillon së pari, me një ndërhyrje, që ndan dhe e shkëput personin nga mjedisi i tij familjar dhe shoqëror. Edhe, pas daljes nga spitali, psihiatri vazhdon ta vendosë personin mënjanë shoqërisë, duke promovuar një zgjerim të padrejtë të lidhjeve me prindërit, me personelin e ekipeve psihiatrike në qendrat ditore të shëndetit mendor dhe me pacientë të tjerë psihiatrikë, që jetojnë në të njëjtën situatë të paaftësisë sociale.
Në rrethin e marrëdhënieve shoqërore, pacientit i sygjerojnë t’i shtohen, ndonjëherë, takimet e herëpashershme me prostituta apo kërcimtare. Kjo situatë nuk e lehtëson rehabilitimin e personit, pasi personi përjetëson përjashtimin nga shoqëria, e ndjen veten si të pa aftë seksualisht dhe të pa përshtatshëm social.
Një studim i kryer nga Corin (1990) dhe Corin dhe Lauzon (1992) vërtetojnë qartë se skizofrenët:
- të cilët, ri-shtrohen në spital kanë marrëdhënie kryesisht me pacientë të tjerë psihiatrikë. ndërsa pacientët, që arrijnë pa u ri-shtruar në spital, por integrohen në qendrat ditore, kanë kontakte me persona të tjerë, që jetojnë të njëjtën situatë të paaftësisë sociale, qoftë edhe me personelin e ekipeve psihiatrike. Vetëkuptohet që, kjo situatë nuk e lehtëson rehabilitimin e personit, pasi personi përjetëson përjashtimin nga shoqëria, domethënë e ndjejnë veten si të papërshtatshëm social.
- Për më tepër, i njëjti studim tregon se, skizofrenët, që arrijnë të përshtaten më mirë, pa qenë nevoja të ri-shtrohen në spital, do të jenë të prirur që, të rrinin më mirë në vënde publike, si në kafene etj, ku do të përfshiheshin në një lloj socializimi sipërfaqësor, si për shembull të bisedonin me kamarierët.
***
Ndërhyrjet familjare kanë tre objektiva: 1.Të rivendosin komunikimin afektiv; 2. Të çlirojnë familjen nga simptomat e skizofrenisë; 3.Të sjellin një ndarje konstruktive nga familja me fëmijën skizofren.
- Të rivendosin komunikimin afektiv
Ajo, që bie në sy, kur takojmë familje me një fëmijë skizofren është klima familjare e karakterizuar nga konfuzioni dhe turbulenca emocionale. Kjo gjëndje, duket se çon në një lloj imobilizimi të kohës, sikur kjo e fundit të kalonte pa pasur ndryshime të rëndësishme; koha është e ndalur, madje e harruar sipas Ausloos (1995).
Në fakt, dinamika e familjes karakterizohet nga një lëmsh ndërlidhjesh, që ndikon në paralizimin e jetës familjare. Në familjet me një fëmijë skizofren, shpesh, rezistenca shprehet tek prindërit përmes ndërveprimeve të tërthorta, të paplota, plot fjalë, grindje, akuza për njeri tjetrin se, kush e ka fajin dhe sekrete të pathëna. Në këto raste, i ndjeshëm është fakti, kur nëna është e pakënaqur nga martesa…
Duke përmirësuar komunikimin, anëtarët e familjes gradualisht do të inkurajohen të komunikojnë me njeri-tjetrin dhe të shprehin ndjenjat dhe mendimet e tyre.
- Çlirimi i familjeve nga simptomat e skizofrenisë Që nga momenti, kur sjellja e fëmijës përkufizohet nga familja si shenja jo normale, dhe, veçanërisht, kur është vendosur një diagnozë psihiatrike, gradualisht fillon një proces, që përfundon, duke paralizuar të gjithë jetën familjare. – Jeta familjare përfundon duke u rrotulluar rreth simptomave dhe familja mbahet peng nga sjelljet simptomatike e fëmijës- (Brendler,1990).Fakti që, shumica e ndërveprimeve familjare janë reagime ndaj sjelljeve simptomatike të fëmijës, kanë efektin e tjetërsimit emocional të anëtarëve të familjes nga njeri-tjetri. Pasoja kryesore është se, një “mur i ngurtë” ngrihet midis anëtarëve të familjes. Ata bëhen të pavëmendshëm ndaj nevojave të njeri-tjetrit dhe, askush nuk e di se çfarë ndjen njeri dhe, çfarë ka nevojë tjetri. Më e theksuar ndodh në prindërit intelektualë dhe, që kanë një fëmijë…?! Në rastin e familjes me fëmijë skizofren, bisedat në fillim kanë qenë shumë nervoze, sepse aty ishin grumbulluar shumë zhgënjime dhe inat për fëmijën e tyre. Në këto raste, anëtarët e familjes duhet ta pranojnë diagnozën e fëmijës dhe të flasin për efektet e sjelljeve simptomatike të fëmijës së tyre në jetën familjare.
Përvoja prindërore dhe “barra” mbi familjet e pacientëve me çrregullime të rënda mendore
Prindërit shprehin ndjenjat e humbjes dhe pikëllimit në lidhje me imazhin, që kishin për fëmijën e tyre përpara fillimit të simptomave të skizofrenisë.
Mund të vëzhgojmë tek prindërit: gjendje ankthi ose depresive, një ndjenjë faji dhe një përvojë stigmatizimi. Për më tepër, ata shpesh ballafaqohen me dilema të vështira në lidhje me vendimet, që duhet të merren p.sh.shtrimi në spital i fëmijës?
Ndikimi pozitiv i familjeve dhe perspektiva aktuale
Mbështetja nga familja dhe miqtë është e lidhur pozitivisht me tregues të shumtë te fëmija skizofren me: reduktim të recidivave, rritje e kohës ndërmjet shtrimeve në spital dhe reduktim në situata krize, përmirësim në pajtueshmërinë terapeutike, mbi të gjitha, përmirësimi i cilësisë së jetës.
Faktor i rendësishëm te evoluimi i predispozitës psiqike është qetësia psikologjike e fëmijës (dashuria, emocionet, siguria, besueshmëria) në raport me marrëdhëniet me prindërit, por, dhe prindërit në raport me fëmijën. Në marrëdhëniet duhet të dominojë Dashuria. “Dashuri, do të thotë të mos thuash asnjëherë, më vjen keq” * Në vëmendje për prindërit! Komunikim i qetë midis tyre, harmonia, entusiazmi para fëmijës dhe, asnjëherë të mos grinden para fëmijës! Fëmija të mos kufizohet, të mos frikësohet, por të motivohet, që të shprehet lirshëm për gjithëçka “Interpretimi, që mund t’i jepet fëmijës, simptomat e të cilit intensifikohen kur konflikti midis prindërve është i hapur, është se, fëmija po përpiqet të shpëtojë prindërit dhe, për të ruajtur ekuilibrin e familjes, “duke u çmendur vet”, në vend të njërit prej prindërve”.
Ndërprerja e lidhjes prind-fëmijë është reagimi i anëtarëve të familjes ndaj simptomave negative (ankthi, depresioni), pra, mospërmbushja sociale dhe profesionale e fëmijës. Ky mosrealizim është një shqetësim i madh për prindërit dhe është burim i vështirësive brenda familjes. Ky shqetësim i vazhdueshëm shpesh rezulton me mbi-investim nga ana e një prindi (babai apo nëna). Natyra e pandryshueshme e lidhjes prind-fëmijë do të thotë se, ky mbiinvestim shtrihet shumë përtej kohëzgjatjes normale dhe parandalon zhvillimin e autonomisë në fëmijë.
Psihiatrit shpesh përdorin termin “mbrojtje e tepërt”, që i fajësojnë pa të drejtë prindërit, por investimi i tepërt i prindërve është plotësisht i ligjshëm, veçanërisht në mungesë të shërbimeve të duhura nga ana e Sistemit Shëndetësor.
Disa terapistë italianë (Palazzoli et al, 1989), që punojnë me familjet me një fëmijë skizofren, u kërkojnë prindërve që të “zhduken” pa i thënë fëmijës se, ku po shkojnë ose, pa thënë asnjë fjalë për daljen e tyre.
Direktiva “bëni prindërit të zhduken” synon të ndihmojë familjen të dalë nga ngërçi. Çdo situatë familjare është unike dhe nuk mund të standardizosh të gjitha situatat, pasi pa parashikueshmëria është një nga karakteristikat e qenieve njerëzore.
Fëmija me skizofreni ndjehet rehat në marrëdhënie me nënën e tij, veçanërisht, kur ai ka patur shumë shtrime në spital.
Ky cikël ndërveprimesh familjare shpesh është mjaft afër dinamikës së “trurit të prishur”, pasi shqetësimi i prindërve ka bërë që, fëmija të përfshihet në sjellje, që normalisht nuk duhet të toleroheshin. Fakti i lejimit të shumë gjërave të ndodhura në familje gjatë fëmijërisë së tij, ka pasur pasojën e përjetësimit të ngjarjeve tek fëmija në moshë më të rritur. Me pak fjalë, duhet të prishen lidhjet midis prindërve dhe një fëmije, që ka arritur moshën madhore, në mënyrë që të afrohen bashkëshortët dhe të çohet fëmija në krijimin e lidhjeve në rrjete jashtëfamiljare.
Ndarjet prind-fëmijë shpesh herë janë të vështira për t’u aktualizuar, sepse prindërit kanë investuar shumë dhe për shumë nëna është bërë arsyeja e tyre për të jetuar. T’i privosh prindërit nga kjo marrëdhënie do të thotë të heqësh çdo kuptim nga jeta e tyre. Ndaj, është e nevojshme të bisedohet me ta për mirëqenien e fëmijës së tyre dhe të kuptojnë se, në çdo rast fëmija i tyre do ta gjejë veten pa mbështetje, kur ata të mos kenë më shëndetin për t’u kujdesur për të.
Kujdes! Përpjekjet për të thyer lidhjen prind-fëmijë mund të kenë efektin e përforcimit të rezistencës ose provokimit të një krize nga ana e fëmijës. Shpërthimi i krizës mund të bëjë që, fëmija të sulmojë fizikisht babain.
Emigracioni
Autorët përshkuajnë raste dramatike, kur ndahet lidhja e ngushtë e fëmijës me prindërit. Kjo ndodh kur fëmija (djali apo vajza) shkon në emigracion, larg familjes, për studime apo për punë, për një jetë më të mirë. Rasti bëhet shumë i komplikuar kur fëmija paraprakisht është i pa diagnostikuar për çrregullime psihike. Kjo ndodh, nga njera anë, kur prindërit nuk arrijnë që t’i kuptojnë sjelljet dhe veprimet jo normale të fëmijës dhe i keq interpretojnë ato si teke të adoleshentit, apo të një fëmije të përkëdhelur. Nga ana tjetër, prindërit, me çdo sakrificë, duan t’i plotësojnë dëshirën fëmijës për të vazhduar studimet jashtë shtetit, duke gjykuar se, ndoshta, largimi nga familja do të ndikojë pozitivisht në gjykimin dhe në formimin e tij…
– Alberti, pas mbarimit të shkollës së mesme, u nda nga prindërit dhe u nis për studime në Amerikë , në Universitetin e Harvardit, dega Administrim Biznes. Në konvikt ishte në një dhomë me Xhudin, student në Shkollën Mjekësore. Alberti ishte djal i sjellshëm, fisnik dhe i dashur me shokët. Në javët dhe në mujat e parë Alberti shkëmbente mesazhe optimiste me prindërit…
Në një nga pasditet, Xhudi e pyet Albertin:
-Më thuaj, Albert, – të dëshpëron ndonjëherë jashtë mase, që je larg prindërve të tu dhe shoqërisë tënde? A ndihesh ndonjëherë sikur do të çmëndesh? A nuk është depresuese?
Alberti iu përgjigj me eufori: – Jo, mendoj se tani jam i lirë, i pavarur, bëj çfarë të dua, do të realizoj dëshirat dhe ëndrrat e mia. Dua të bëhem biznesmen i suksesshëm. Pas studimeve do të shkoj në Libi për të menaxhauar një nga hotelet më të mira. Do të ndihmoj edhe prindërit e mi.
-Oh, kjo është e lavdërueshme – komentoi Xhudi.- Po, nuk të duket se po humbet diçka…e di aspektin emocional, që na bëri të largohemi nga prindërit dhe atdheu dhe t’i futemi një rruge të pashkelur, ëndrrës tonë: unë për t’u bërë e mjek dhe ty, për t’u bërë bizesmen? Rrugë, që janë të pa shkelura dhe nga prindërit tanë.
Alberti psherëtiu dhe vazhdoi: – Mendoj, se asgjë nuk ta mbush më shumë shpirtin në të gjithë botën, sesa paraja, palestra Body-building, kazinoja dhe një veturë Volvo. Dhe kur jam në mësim, nuk jam i përqëndruar te pedagogu kur shpjegon mësimin. Shoqja ime spanjolle e bangës, më tërheq shpesh vëmëndjen me ëmbëlsi, por unë nuk jam i përqëndruar në mësim, por te ëndrrat dhe dëshirat e mia.
Në një nga pasditet, Alberti ishte shumë i shqetësuar. U takua me Xhudin dhe i thotë:
– Kam të rrahura të shpejta në zemër. Kam nevojë për psikologun…, më duket sikur po çmendem…
Në kokë më vijnë zëra që më flasin, mendime të ndryshme, që më shqetësojnë dhe më lenë pa gjumë, por nuk jam në gjëndje që t’i shpjegoj dhe t’i gjykoj…
Xhudi, e dëgjoi me vëmëndje Albertin. U shqetësua shumë. I erdhi ndërmend ngjarja e hidhur e shokut të tij të klasës, Anxhelo, gjatë orëve të para në mësimin e Anatomisë së përgjithshme para kufomës..
– Xhudi, mezi po marr frymë, nuk qëndroj dot. Po më bie të fikët. Më del para syve gjyshja ime, që e kam dashur shumë. Pësoi arrest kardiak. Para se të mbyllte sytë, përmëndëte emrin tim…- i përshpëriti Anxhelo me zë të ulët, i dërmuar.
– Do të mësohemi,- ia ktheu Xhudi .- Është era e materialit ( formalina), që mbron trupat nga dekompozimi. Ka studentë, që nuk e përballojnë dot këtë pjesë. Disa, prej tyre, vjellin ose u bie të fikët. Madje, kam dëgjuar që edhe ndonjë student ka dalë nga dhoma dhe ka hequr dorë përfundimisht nga Shkolla e Mjekësisë.-
Pas disa muajsh, Xhudi dëgjoi lajmin e hidhur se Anxhelo kish bërë vetvrasje, qe hedhur nga ballkoni i dhomës së konviktit.
Dekani, pas kësaj ngjarje, u thotë studentëve se, diagnoza klinike dhe anatomo-patologjike e Anxhelos ishte skizofrenia.
Xhudi, u mendua në çast. Ndjeu përbrenda një keqardhje. E pa Albertin në sy. Me dashamirësi dhe, si një shok i mirë, i thotë:
– Albert, ty duhet të bisedosh sa më parë me prindërit e tu dhe të kthehesh në atdhe, pranë familjes.
Alberti kështu bëri. U kthye menjëherë në atdhe, pranë familjes.
Alberti qëndronte i mbyllur në vetvete, fliste pak me prindërit, nuk dilte nga shtëpia edhe, kur e kërkonin shokët për të dalë…
Pas disa muajsh, në një ditë Prilli, në një drekë familjare, Alberti papritur, ishte në një gjëndje alerti: me shenja të plota të psikozës…
Pas konsultës me mjekun psihiatër, Alberti u shtrua urgjent në spitalin psihiatrik…
***
Integrimi social
Integrimi social presupozon ndarjen jo vetëm nga familja, por, edhe nga spitali e qendrat ditore, në mënyrë që, skizofreni të mësohet të jetojë në shoqëri me autonominë, iniciativën dhe shkathtësinë e nevojshme vetjake.
Mund të thuhet se trajtimi psikhiatrik tradicional ka objektiva parandalimin e rishfaqjes së simptomave dhe stabilizimin e sëmundjes, domethënë shtypjen e simptomave pozitive (delir, halucinacione, iluzione).
Psihoterapia praktikohet ndonjëherë, gjithmonë në kombinim me mjekimin, por përpjekjet fokusohen në të ashtuquajturat programe rehabilitimi, ku nuk synohet shërimi i skizofrenisë, por promovimi i integrimit të skizofrenit në jetën sociale.
Medikamentet e bëjnë të mundur riintegrimin e pacientit, por, gjithashtu, duhet pranuar se, ato nuk e lehtësojnë atë, pasi nuk ndikojnë në simptomat negative. Reduktimi i simptomave e bën personin më të “pranueshëm” në shoqëri, por, duhet këmbëngulur gjithmonë në integrimin social.
Krijimi i një marrëdhënie me mjedisin shoqëror
Nëse skizofreni thotë se po vepron nën ndikimin e forcave jashtë tij ose, po dëgjon zëra, kjo interpretohet si refuzim për të hyrë në një marrëdhënie familjare apo shoqërore.
Në përgjithësi, skizofreni shmang hyrjen në një marrëdhënie të re apo të vjetër, duke refuzuar kontaktin, qoftë, edhe me prindërit e tij për shkak të njerës apo tjetrës prej simptomave, që lidhen me sëmundjen e tij. Në të vërtetë, një nga karakteristikat e thella të skizofrenit është mos motivimi i tij dhe refuzimi hapur për të ndjekur propozimet apo këshillat e të tjerëve, qofshin edhe prindërit. Ai nuk bën atë që i kërkohet, ose nuk merr përgjegjësi për të. Ai thotë se është shumë i zënë, shumë i pushtuar nga ankthet e tij ose ka një humbje të kujtesës për shkak të mjekimit.
Në të njëjtën kohë, prindërit duhet të përpiqen gjithmonë me takt, me shumë durim dhe vendosmëri, që të inkurajojnë dhe të motivojnë fëmijën skizofren, që të përfshihet aktivisht në programin e rehabilitimt të tij.
Tipologji e rrjeteve sociale (rehabilitimi)
Suksesi social tek skizofreni do të varej nga aftësia për të krijuar rrjete të reja sociale jashtë familjare në mënyrë që të depërtojnë në universin e skizofrenit.
Ajo, që është thënë për socializimin e skizofrenëve, është e mundur të përmblidhet në formën e një tipologjie, që përfshin tre lloje të zakonshme të sjelljes sociale.
1) në qendër është familja
2) fokusuar në shërbimin psihiatrik
3) tërheqje nga shoqëria dhe përshtatja me vetminë
Në lidhje me karakteristikat personale me socializimin, pacientët psihiatrikë mund të kenë dy qëndrime:
a. të prirur për të qenë autonomë, d.m.th. shumë të pavarur nga shpirti dhe hezitues për të kërkuar ndihmë (+);
b. të prirur për të krijuar një lloj marrëdhënieje me botën në të cilën ata presin kujdesin (-);
c. mund të jenë mjaft të shoqërueshëm dhe të kërkojnë kontakte (+) ose të priren të tërhiqen në vetvete dhe të mbeten vetëm (-).
Lloji i pjesëmarrjes së tyre në komunitet lidhet me dy lloje ambientesh:
a. ambiente, ku mbahen pacientë të tjerë psikiatrikë.
b. ambiente, që frekuentohen nga të gjithë njerëzit e tjerë, si kafene, restorante. Ata mund t’i frekuentojnë këto vende (+), ose të qëndrojnë larg tyre (-).
Lloji i parë lidhet me fëmijën, që varet nga familja e tyre.
Ndonjëherë thuhet se “fëmijët” (shpesh të rritur) fshihen me sjelljet e tyre në familje, sepse u vjen turp prej tyre. Për familjet mund të thuhet se, dhe ato janë të izoluara, domethënë kanë ndërprerë gradualisht kontaktet me botën e jashtme, me të afërmit dhe shoqërinë, me përjashtim të kontakteve të rastësishme me fqinjët.
Ndërsa, prindërve u kalon mosha, barra bëhet gjithnjë dhe më e rëndë për ta, megjithëse thuhet se, në këto raste, prindërit kanë zgjedhur t’i shërbejnë dhe të qëndrojnë me fëmijën e tyre skizofren, si “post pleqërisë”.
Lloji i dytë përkufizohet si i psihiatrizuar, sepse të gjitha marrëdhëniet e tyre sillen rreth ambientit psihiatrik. Personi i psihiatrizuar frekuenton burimet e ndërmjetme si: spitalet, qendrat ditore. Kontaktet e tyre janë me pacientë të tjerë të psihiatrizuar ose me anëtarë të ekipeve mjekësore të shëndetit mendor.
Edhe pse skizofreni është mjaft i shoqërueshëm, në mënyrë ideale ai nuk do të përshtatet me shoqërinë, sepse dyshon në veten e tij, dyshon se, nuk ia del mbanë në këtë pikë.
Marrëdhënia e tij me familjen nuk është shumë harmonike, sepse atë e mundon brenga se, nuk ia ka dalë në jetë, e ndjen veten të dështuar në iluzionet e tij dhe se, prindërit enuk e kanë marrë veten nga zhgënjimi i tyre me të.
Lloji i tretë, “tërheqja nga kontaktet me njerëzit e tjerë”.
Personi skizofren nuk mban marrëdhënie të thella ndërpersonale dhe mbetet disi i tërhequr nga shoqëria. Ai është i shkëputur nga realiteti! Ndjehet mirë me vetminë në mjedisin familjar dhe shoqëror dhe është relativisht i kënaqur me fatin e tij. Personi skizofren nuk është shumë i shoqërueshëm, por mund të mbajë kontakte veçanërisht me njerëzit e suksesshmën në fitimin e parave si: bizesmenë, bankierë, pasi në mëndjen e tij ka mbartur iluzione për t’u bërë bizesmen etj.
Shumë prej tyre kanë gjetur kuptim në jetën e tyre duke iu bashkuar grupeve fetare, si alternativë qetësie.
Roli kryesor i shoqëruesit konsiston në shoqërimin e pacientit në mjedisin e tij të jetesës, për ta ndihmuar në aktivitetet e tij të përditshme rehabilituese psikologjike dhe sociale, kryesisht në lidhje me aftësitë, që lidhen me aktivitetet e jetës së përditshme (higjiena personale, veshmbathja, ushqimi, udhëtimi, pastrimi i ambientit personal, sendet, menaxhimi i buxhetit, strehimi…
Nga përvoja e disa psihoanalistëve, këshillojnë që: për pacientin e seksit mashkull, shoqëruesi të jetë i seksit femër dhe për pacientin e seksit femër, shoqëruesi të jetë i seksit mashkull.
Nëpërmjet këtij shoqërimi, shoqëruesi shërben si model për skizofrenin, e inkurajon dhe e stimulon atë se, si të sillet, si të rindërtojë një rrjet social dhe, si të vendosë marrëdhënie ndërpersonale. Është kryesisht cilësia dhe intensiteti i angazhimit të shoqëruesit, që përbëjnë asetet kryesore të këtij punonjësi, i cili mbi të gjitha duhet të ofrojë mbështetje, inkurajim, mirëkuptim dhe një qasje normalizuese. Qasja e normalizimit niset nga parimi se skizofreni gëzon, jo vetëm të njëjtat nevoja si të tjerët, por, edhe të njëjtat detyrime.
Shënim. Me shoqërues kuptojmë një person, i cili është i çertifikuar dhe i paguar në një shtet social. Në Francë u shoqërua me ligjin e 11/02/2005.
Në të kundërt, kjo detyrë i bie njerit nga prindërit e fëmijës për të kryer rolin e shoqëruesit. Zakonisht, kujdeset nëna për djalin dhe babai për vajzën. Detyrë shumë e vështirë, veçanërisht, kur prindërit janë të moshuar!
Së pari, nga ana e prindërit shoqërues kërkohet një angazhim të përditshëm, ditë e natë, me një ndjekje simptomatike të shoqëruar me mjekimin, me suport psikologjik e social, si dhe me mbështetje financiare për daljet e fëmijës nga shtëpia.
Së dyti, nga ana e prindërit shoqërues kërkohet që të ketë kulturë shëndetësore rreth sëmundjes, protokoll kujdesje: për ecurinë e simptomave, për mjekimin, mbi efektet anësore të tyre, mbi psikologjinë dhe sociologjinë, taktin pedagogjik në komunikim dhe në fund të ditës: gjykimin e impaktit të shoqërimit tek fëmija skizofren.
Rezultati-riintegrimi psiko-social…
Për prindërit, si shoqërues të fëmijës skizofren, kjo përkujdesje është jo vetëm lodhje fizike, por, dhe vuajtje shpirtërore e rëndë, përballë të pamundurës në ndihmë të fëmijës.
Shumë e ndjeshme është për prindërit, kur mungon shërbimi specifik në qendrat sociale nga ana e shtetit! Prindërit, për t’i ardhur në ndihmë fëmijës, sakrifikojnë, duke emigruar drejt vëndeve perëndimore...
Shprehja dhe kontrolli i emocioneve
Është e rëndësishme të ndihmosh skizofrenin fillimisht të shprehë emocionet e tij dhe, më pas, të mësojë t’i kontrollojë ato.
Riintegrimi i suksesshëm kërkon që, emocionet e ndrydhura të dalin në sipërfaqe në mënyrë që, skizofreni të mësojë t’i rikuperojë dhe t’i zbusë ato, në vend që, të vazhdojë të bllokojë shprehjen e tyre. Shpesh, kjo paaftësi për të treguar ndjenjat, shprehet si një vetvete e ndarë.
Pra, tek skizofreni, një pjesë e vetes vëzhgon tjetrën. Ky, uni vëzhgues, është shumë racional, një lloj egoje, që vëzhgon, komenton dhe analizon sjelljet e skizofrenit, por në mënyrë të shkëputur. Shpesh, gjatë përpjekjeve për të shprehur emocionet e tij, skizofreni ka pasur kriza në sjellje, që e kanë çuar në shtrimin në spital. Këto episode të humbjes së vetëkontrollit të ndjekura me shtrime në spital janë shumë traumatike dhe kanë efektin e gjenerimit të pasigurisë së thellë dhe humbjes së vetëbesimit tek pacienti.
Skizofreni ka shumë frikë nga emocionet e tij. Për disa skizofrenë, emocioni është gjithmonë ekstrem dhe i dhunshëm. Shumë pacientë nuk bëjnë dallim mes asaj që ndjejnë dhe asaj që shprehin hapur. I vetmi realitet është emocioni i përjetuar brenda tyre.
Skizofreni jeton midis imagjinares dhe reales
Përveç bllokimit në fillim të moshës madhore, skizofreni mund të konsiderohet si një person, zhvillimi i të cilit është ndalur në fillim të periudhës së latencës: ngelet infantil, apo si “adoleshencë e vonuar…”?
Në periudhën e latencës, me mbarimin e adoleshencës, fëmija zhvillon intelektin e tij, ka interes për të mësuar dhe konsolidon marrëdhëniet shoqërore. Tek fëmijët me predispozitë gjenetike skizofren, energjia seksuale dhe dëshirat, të pranishme në të gjithë zhvillimin psiko-seksual të fëmijës, në periudhën e adoleshencës bien nën shtypje, në “tenxhere me presion”.
Kujdes! Normalisht, që në moshën 6-7 vjeçare bota imagjinare e fëmijës, që normalisht mbizotëron në lojën e fëmijës, tek fëmijët me predispozitë gjenetike (mutacion gjenetik), gradualisht ua lëshon vendin lojërave me sjellje dhe veprime jo normale nga ana e fëmijës, që bien në sy nga të tjerët. Në skizofreni, kjo periudhë zgjatet dhe universi imagjinar ndonjëherë duket po aq real, sa realiteti i jashtëm. Në këtë “mjegullnajë normaliteti”, bien dhe prindërit pa e kuptuar se, çfarë ndodh me fëmijën e tyre.
Fantazitë, në formën e iluzioneve apo halucinacioneve përbëjnë pengesën kryesore të skizofrenit për riintegrim, sepse ato përjetohen sikur të ishin të vërteta.
Dëshira ose fantazia tek skizofreni shoqërohen shpesh me frikën për t’i parë të realizuara.
Duke pasur shumë frikë nga emocionet e tyre, skizofrenët besojnë se një fatkeqësi do të ndodhë, nëse i lejojnë vetes t’i shprehin ato pa kufizim.
Prandaj, është e nevojshme të ndihmohen skizofrenët, që të përjetojnë lirinë totale të fantazisë dhe, në të njëjtën kohë, të heqin frikën e tyre se, imagjinarja do të bëhet realitet, por gjithmonë “me këmbë në tokë” dhe të kuptojnë realitetin ku jetojnë.
Skizofreni, shpesh kapet pas simptomave të tij për mendimin për jetën, sepse ai është i tmerruar nga emocionet, që do të lindin gjatë jetës. Analistët flasin për frikën e vdekjes, nëse hiqen simptomat pozitive.
Kur shprehja e emocioneve është e lidhur me botën e fantazisë dhe pacienti ka të bëjë me persekutues, që kontrollojnë emocionet dhe mendimet e tyre, kjo situatë është kritike për pacientin. Pikërisht, në momentet e krizës shoqëruesi duhet të jetë gati për të luajtur rolin se është më i fortë se persekutorët, që e torturojnë skizofrenin.
Në këto momente, shoqëruesi apo prindërit duhet të jenë të qetë, dhe të sigurojnë fëmijën se, halucinacionet t’i konsiderojnë si makthe zgjimi dhe të sigurojnë fëmijën, që po lufton me një ëndërr të keqe, që do të kalojë.
Është thelbësore që, shoqëruesi apo prindërit të mos kenë frikë, veçanërisht kur ka agresion nga skizofreni. Skizofrenët kanë shumë frikë nga zemërimi i tyre dhe mendojnë se do të shkatërrohet gjithçka rreth tyre.
Nëse ata ndjejnë frikë nga ne, kjo rrit pasigurinë e tyre. Me pak fjalë, duhet t’i bëjmë ata të ndiejnë se, ne e kemi situatën në dorë, gjë, që është thellësisht qetësuese për ta.
Probleme të tjera lindin kur skizofreni braktis disa sjellje simptomatike si delirin dhe halucinacionet, pasi, bëhet më pak i tërhequr emocionalisht dhe bie në depresion.
Vërejmë se, kur ai është i vetëdijshëm për emocionet e tij dhe i prezantohet tjetrit, ai shpesh kalon një fazë akute depresive…
Skizofreni ndërgjegjësohet me dhimbje se, i ka munguar jeta, është pa punë, pa të dashur etj. Skizofreni , shpesh, për këto mos realizime të iluzioneve në jetë, do të fajësojë prindërit.
Duke qenë se ndihen shumë keq, ata mund të ndërpresin terapinë pas kësaj rritjeje të ndjenjave negative. Por, mund të ndodhë e kundërta, që t’i kërkojnë si shërim, ilaçet pa orar…
Ndërveprimi i pacientit psihiatrik me qytetarin e zakonshëm
Ky ndërveprim ndodh me qytetarin e thjeshtë, pra ai është personi i tretë i procesit të riintegrimit social, pas prindërve dhe pacientit psihiatrik. Qytetari i zakonshëm është një personazh shumë i rëndësishëm në procesin e riintegrimit social të skizofrenit, si: kamarieri, shitësi i dyqanit, berberi, komshiu etj, të cilët janë në kontakt të përditshëm me të.
***
Faktorët e rrezikut dhe ndikimi familjar i çrregullimeve psiqike tek fëmija.
Fëmija skizofren nuk ka faj…!
Familja patogjene
Padyshim që, ekzistojnë familje patologjike. Prindërit janë mbartës të historisë së tyre familjare, të konflikteve të kaluara, aktuale, të fshehta apo të gjalla. Mbetet fakt se, nocioni i një “familje me trashëgimi skizofrene”, nënkupton se, mënyrat e sjelles dhe e komunikimit familjar janë përgjegjëse për sjelljen e fëmijës.
Zhvillimi i skizofrenisë te një fëmijë i atribuohet lehtësisht shtrembërimeve në marrëdhëniet e çiftit prindëror, si ajo e përçarjes martesore, divorci.
Fëmija do ta gjente veten të bllokuar në situatat e shkaktuara nga këto marrëdhënie prindërore dhe, për këtë arsye ai do të përpiqet të specifikojë mënyrat e komunikimit brenda këtyre familjeve, duke identifikuar modele dialogu, që mund të shpjegojnë fillimin e skizofrenisë.
Duhet theksuar se, te fëmija lënë gjurmë të rënda, të pashlyeshme psikologjike, kur nëna dhe babai grinden midis tyre. Për të ruajtur ekuilibrin familjar, fëmija (skizofreni i ardhshëm) merr rolin e “të çmendurit” të familjes, për shembull, një i ri e do nënën e tij aq shumë sa sakrifikon individualitetin e tij për të mirën e simbiozës thelbësore për funksionimin e nënës.
Transmetimi nga prindërit tek fëmija
Që në momentin e konceptimit, fëmija mbart transmetimin gjenetik (ADN) nga prindërit: 50% nga babai dhe 50% nga nëna.
Rezultatet e studimeve gjenetike ngrejnë çështjen e transmetimit të mutacioneve gjenetike lidhur me sëmundshmëritë e trashëguara nga prindërit tek fëmija si: diabeti, hipertensioni etj, apo dhe të psikozave.
Në rastin e skizofrenisë, studimet gjenetike theksojnë transmetimin gjenetik: nga nëna tek djali dhe, nga babai tek vajza, me frekuencë në 10-15%.
“Duhen të paktën tre breza që të lind një fëmijë skizofren“.
Sipas një studimi të vitit 2014 të botuar në Nature nga një konsorcium prej 300 studiuesish, citojnë se ekzistojnë 108 lokacione gjenetike të “ndjeshmërisë” ndaj skizofrenisë.
Kështu, hipotezat gjenetike në asnjë mënyrë nuk e kanë zvogëluar fajin e prindërve, përkundrazi, ato nxisin kërkimin e paraardhësve të sëmundjeve psikiatrike tek paraardhësit e tyre me fantazinë e trashëgimisë së “gjeneve të këqija” të familjes në brezat e ardhshëm.
Kjo predispozitë gjenetike (faktor endogjen) e mbartur nga prindërit tek fëmija, me kalimin e viteve, mund të lehtësohet ose të agravohet deri në kronicizim për tërë jetën.
Me lehtësim do të nënkuptojmë që, këta persona në jetë mund të funksionojnë nga ana intelektuale në një drejtim të caktuar, ndoshta, në aspektin kreativ si, në fushën artistike: letërsi, muzikë, pikturë etj. p.sh. Dostojevski, Van Gogu etj, në tekonologjinë e informacionit etj.
Në jetën e përditshme mund të kryejnë një punë të lehtë fizike.
Me agravim do të nënkuptojmë që, këta persona me aftësi të kufizuar mund të funksionojnë vetëm për të kryer nevojat e tyre personale.
Fatkeqësisht, me gjithë trajtimin mjekësor dhe psiko-social, halucinacionet dhe zërat te pacienti mund të persistojnë për tërë jetën!
***
Konkluzion në përfundim të diskutimit
“Neurozat, psikozat nuk janë gjëra të identifikuara, që pluskojnë në ajër. Vijnë prej një vendi të përcaktuar dhe ky vend është një fjalë me pesë shkronja e quajtur SHTËPI ”*.
- Si në çdo qenie biologjike dhe, në qenien njerëzore është i pranishëm gjithmonë faktori endogjen (ADN): mbartja dhe transmetimi gjenetik (normal) nga prindërit tek fëmija, por, ndodh dhe transmetimi i mutacioneve gjenetike (“gjeneve të këqija”) nga prindërit te fëmija, të mbartura nga paraardhësit e prindërve.
- Në raport me faktorin endogjen psihik, në evoluimin e predispozitës gjenetike, në përmirësimin apo, në avancimin e sëmundjes së skizofrenisë te fëmija, rol të rendësishëm luajnë dhe faktorët e jashtëm psikologjik dhe social.
- Faktorët e jashtëm: prindërit, mjedisi familjar, mjedisi kulturor dhe shoqëror në periudhat e ndryshme të rritjes së fëmijës. Kujdesi psikologjik dhe social duhet të fillojë nga prindërit, që nga konceptimi i fëmijës, i porsalinduri dhe në vazhdim, me kujdesin e shtuar në periudhën para dhe gjatë adoleshencës.
- Kujdesi (vigjilenca) prindërore duhet treguar ndaj fëmijës, gjithmonë, në marrëdhënie me drogën, kompjuterin dhe shoqërinë, veçanërisht, para dhe gjatë adoleshencës!
Fund i një përvoje jetësore. Fati i njeriut…! ________________________________________________________________
*Romani “Mjekët”, shkruar nga Erik Segal, Akademik, Profesor i Letërsisë klasike greke dhe latine në universitetin Harvard dhe anëtar nderi i kolegjit Wolfson në Oksford. Ai ka vuajtur nga sëmundja Parkinson për rreth 30 vite. Ka ndërruar jetë në vitin 2010, në moshën 72 vjeçare në Londër.
**Ankogu, student në Shkollën Mjekësore në universitetin e Harvardit.
Shkurt 2023.