Bernard Zotaj: KËNGA SMOKTHINJOTE, LËVIZJET ARTISTIKE DHE GRUPI I RAMICËS
Krahina e Smokthinës ka një pasuri të madhe dhe të begatshme folklorike. Trashgimnia folklorike e saj flet për ndikimin që ka patur në botën shpirtërore e kaluara e saj. Folklori, kënga dhe etnografia kanë qenë të gjalla e dinamike. Nisur nga librat “Këngë popullore të Smokthinës” të autorit Dasho Matodashaj, “Duke përjetuar këngën labe” të autorit Haxhi Dalipit ku një kapitull ja kushton Smokthinës dhe këngës tradicionale të saj, të librave të autorëve Idajet Jahaj, Tomor Lelo “Mjeshtër i Madh”, Agim Ruka, Namik Jahaj, Xhevit Zeneli etj., po përcjell diçka për këngën dhe lëvizjen artistike në Smokthinë e deri në copëtim të saj në bazë të fshatrave të kësaj krahine. Të parët tanë smokthinjotë, na kanë lënë një pasuri të vyer, me vlera të mëdha historike, shpirtërore, kulturore, artistike, gojore e të shkruar, në fushën e folklorit, për të cilën është e natyrshme që të gjithë ndjejmë detyrim, nderim dhe krenari.
Fatosi i parë i këngës që njohim ka qenë Demir Ago Curraj (Vlonjati), i cili ka zënë një vend të rëndësishëm në fushën e krijmtarisë dhe të interpretimit. Mjaft krijime të tij gjenden në përmbledhjen e Spiro Dines “Valët e detit”. Fshatit Matogjin siç e quan Dasho Matodashaj “djepi i këngës smokthinjote”, ka nxjerrë poet popullorë e interpretues të këngës si Demir Ago Curraj (Vlonjati). Kënga smokthinjote mban emrin e birit të vet “Qazimademçe”, ku kthyes ka qenë Xhikua, e shoqja. Këtë melodi e vazhduan në mënyrë prefekte Saliko e Axhem Dalani, e më pas Hysen Ruka “Mjeshtër i Madh”, ku me një zë të thellë e virtuoz, ka qenë i rrallë për brezin e tij si Piro Tafili, Halil Kaçi, Selim Selaj, Barie Çobaj etj.
Haxhi Dalipi në librin e tij, ka shkruar se “Kënga tradicionale smokthinjote burrërishte shquhet lehtë nga simotrat e saj labe për disa arsye: këndohet shtruar; vargu i saj përsëritet; vargu i parë gërshetohet me vargun e dytë, etj. Ndërkohë, ekziston edhe një veçori tjetër: forma e saj nuk duhet që të jetë më e madhe se 6-8 vargje 8 rrokëshe; po ashtu, çdo varg duhet që të mbarojë me theks parafundor. Si përfaqësuese tipike të stilit muzikor smokthinjot të burrave, përmendim krijime të mirënjohura, si: “Kumbulla prapa shtëpisë”, “Bejkë shashaqe mëllënjë”, etj”.
Kënga tradicionale smokthinjote burrërishte quhet qazim-ademçe, biri i Smokthinës, Qazim Ademi (1870-1939), e këndonte bukur e lirshëm. Në Smokthinë është dalluar dhe Saliko Dalani dhe thuhet saliko-dalançe, me zërin e ëmbël dhe të kthjellët.
Grupi popullor i burrave të Smokthinës u ngrit në vitin 1967 me interesimin e veteranit Gilo Lame, një nga adhuruesit e stilit muzikor smokthinjot të burrave, qazim-ademçe ose saliko-dalariçe.
Sipas Haxhi Dalipit vallja tradicionale smokthinjote burrërishte, ka qenë e gjallë dhe e përpjekur. Në valle nuk futej kushdo, por vetëm ata që dinin ta ndiqnin atë. Rolin kryesor e luanin valltari i parë dhe i dytë, të cilët ishin marrësi dhe kthyesi i këngës. Atyre u takon të bëjnë rrotullime, ulje e lëvizje, kurse pjesëtarët e tjerë, veç mbushjes me zë të këngës, duhet të kërcejnë pa bërë asnjë lëvizje të tepërt duke mbajtur dhe ndjekur lëvizjet që bëjnë dy vallëtarët e parë.
Kënga tradicionale grarishte është thuajse e njëjtë për të gjitha gratë labe, kështu që dhe kënga tradicionale grarishte smokthinjote s’ka ndonjë dallim të dukshëm nga fshatrave fqinje. Thelbi melodik i saj është kryesisht valle grarishte që kërcehet dyshe. Nëna, gra dhe motra smokthinjote që vajtuan bukur me ligje, shquhen si Esma Deromemaj, Meme Zykaj, Dorrovi Pipa, Zelë Miftaria, Pashako Jaçe, Lelo Sullaj, Bylyre Tahiraj, Hamide Dervishaj, Emine Hasamataj, Fatushe Sullaj, Metullahe Karabina, Selvi Rukaj, Melo Canaj, Shefiko Derraj, Farfuri Birçaj, Sose Gabaj Qeriba Caushaj, Pashako Islamaj, Xhevo Veshi, Mamudi Gabaj, Manushaqe Kokallaj, Tare Deromemaj, Liljana Matodashaj, Pajame Llanaj, Esam Derraj, Ylvi Bazushaj, Pashako Cibaj. Këngët e kënduara në dasma nga vajza dhe gra, ku nuk ka munguar humori, të kënduar në formë valle dhe lojë, janë kënduar nga Hervo Deromemaj, Lale Demomemaj, Feride Nurhaj, Ervehe Zogaj, Nakie Liçaj, Bukuri Bullaj, Zonjë Kaçaj, Noshe Rukaj, Teferri e Gëzime Pronjaj, Belë Likoramaj, Xhevo Muçaj, Nefize Hoxhaj, Zybë Zotaj, Xhemile Derraj, etj.
Për krijues popullorë smokthinjotë janë dalluar Avdyl Imer Jahaj, Azbi Adem Rukaj, Perlat Hasani, Myslym Kokallaj, Hysen Ruka, Turhan Dervishaj, Xhevit Zeneli, Fejzo Karafil Islamaj, Namik Jahaj, Novruz Dervishaj, Tomor Lelo, Agim Rukaj, Nurçe Elezi, Saliko e Axhem Dalani, Ëngjëll Zotaj, Fuat Kokallaj, Astrit Zogaj, Foto Zeneli, Muhamet Derraj, Idriz Zogaj, ku disa janë bejtexhinj, që thurin vargje në çast. Ndërsa për gra rapsode janë shquar Esma Deromemaj, Pashako Jaçe, Shefiko Derraj, Esma Derraj, Meme Zykaj, Dorrovi Pipa.
Perlat Hasan Tafilaj, ka qenë për vite vjeshtori popullor, më i shquar në Vlorë, që vendlindje kishte Matogjinin (Smokthinë). Ai ka merita të shumta në fushën e krijimtarisë popullore dhe të humorit, ka qenë ushqyesi kryesor i grupi të Smokthinës, si një historian erudit, njohës i mirë i folklorit dhe krijues i talentuar etj.
Mbi lëvizjen artisitike në Smokthinë, dëshmohet se grupet e para u ngritën në shkollën e Matogjinit në vitin 1913, ku ishte mësues Halim Xhelo dhe më vonë, në vitet 1935-1937 kur ishte mësues Ramiz Treni.
Pas çlirimit të vendit, nga mësuesit, drejtorët e shkollave dhe punonjësit e vatrave e të shtëpive të kulturës u zbuluan, u njohën dhe u lëvrua kjo pasuri e folklorit të Smokthinës. Ngritja e grupeve të këngës smokthinjote, në bazë shkolle, fshati e njësie prodhimi, organizimi i veprimtarive të ndryshme, deri tek festivalet e konkurimet, bënë të mundur që të shpalosen, t’u jepet jetë, të mbeten gjithmonë të gjalla vjershërimet, këngët dhe etnografia e Smokthinës. Këta bij të saj ishin dhe janë Fuat Kokallaj, Dane Hoxha, Perlat Derraj, Miftar Pipa, Idajet Jahaj, Eqerem Canaj, Agim Ruka, Beqir Tahiri, Bedri Sullaj, Medin Veshi, Velo Malaj, Lefter Malaj, Petrit Derraj, etj. Vend të veçantë meriton Hysen Ruka i cili me grupin polifonik të Smokthinës, ka përgatitur mjaft këngë të inçizuara nga Radi-Tirana, si dhe konkurime në festivale zonale, në bazë rrethi, kombëtare dhe jashtë vendit.
Mjaft dashamirës në vite kanë ndihmuan në grumbullimin e kësaj pasurie të vyer, si Shahin Selim Tartaraj, Piro Maliqi, Hajro Leka, Alush Beqiri, Hetem Derraj, Rremi Demo Leskaj, Mato Rustemi, Çelo Deromemaj, Agim Rukaj, Avni Agaj, Idajet Jahaj, Bardhosh Gaçe, Seit Zogaj, Ago Agaj e Bako Dervishaj, që me punimet e ndryshme të tyre kanë bërë të njohur këtë pasuri shpirtërore.
Mjaft këngëtarë me zërin brilant dhe me ndjenjat e tyre të pastra, i dhanë jetë këngës labe dhe smokthinjote të Qazim Adem Rukaj, për nderin e madh që u ka bërë brezave, duke u lënë “Qazimademçen” e famshme dhe të papërsëritshme. Mirënjohja shkon për Haredin Meta (Dulaj), Hajro Leka, Saliko e Axhem Dalani (Salaj), Ali Nurçe (Elezi), Kaso Murat Liçaj, Xhemil Canaj, Gilo Lame, Safet Lilo Deromemaj, Qemal Abedin Tahiraj, Mato Rustem Matodashaj, Aliko Mehmet Zykaj, Mato Rustemi, Begë Birçaj, Brahim Birçaj, Ramo Kokallaj, Bimo Guaçi, Dafina Hoxha, Hydo Meçani, Idriz Zogu, Kastriot Deromemaj, Çelo Deromemaj, Bexho Iliazi, Derviosh Guaçi, Haxhi Zykaj, Arap Muçaj, Ismail Haxhiu, Jaho Spahaj, Manxhar Tartaraj, Petrit Canaj, Xhevit Zeneli, Kastriot Lusha, si dhe fyelltarët mjeshtra si Mitat Lekaj e Balil Alushi.
Grupet artistike u gjallëruan pas vitit 1951 kur u hap në Ramicë shkolla 7-vjeçare. Në festivalin e organizuar më 1954, me rastin e 10-vjetorit të çlirimit në Brataj, grupi artistik i shkollës zuri vendin e parë. Në dhjetorin e vitit 1957 u bë i njohur grupi karakteristik i Smokthinës. Ai u dallua në shfaqjet e dhëna në Tiranë, si dhe në konkurimet midis grupeve folklorike të rrethit të Vlorës. Me krijimin e disa kooperativave në Smokthinë (Ramicë, Matogjin, Bashaj dhe Shalës-Mesaplik) u ngritën dhe grupet artistike me të rinj e të reja. Më 1961 në Ramicë u inagurua Shtëpia e Kulturës, e cila zhvilloi një veprimtari të gjërë artistike. Grupi artistik i shtëpisë së kulturës, më 15 shtator 1962, në festën e Drashovicës dha një program me këngë e valle popullore smokthinjote. Vite më radhë grupi artistik i Smokthinës ka zënë vende të parë në festivalet e lokalitetit, si dhe është nderuar me flamuj e fletë nderi. Grupi i këngës smokthinjote në Festivalin Kombëtar të Gjirokastrës, në tetor të vitit 1968, mori fletë nderi dhe më 12 janar 1970, Presidiumi i Kuvendit Popullor e nderoi me medaljen “Naim Frashëri” të Klasit II. Në Festivalin e Gjirokastrës, në tetor të vitit 1973, ai mori çmimin “Laurant” i Festivalit Kombëtar.
Më 24 qershor 2001, me përgjegjësi qytetare dhe atdhedashurie morën një nismë “Të mbajmë ndezur traditën folklorike të Smokthinës me tërë koloritin e saj” bashkëfashtarët smokthinas: Idajet Jahaj, Bedri Sulla, Hysen Ruka, Namik Jahaj, Gjon Deromemaj, Shkëlqim Sulçe, Numan Cani, etj. Si fillim përcaktuan ngritja e grupit folklorik të pagëzuar me emrin “Kristalet e Smokthinës” me udhëheqës artistik të grupit polifonik “Kristalet e Smokthinës” poetin Namik Jahaj, president i ansamblit “Çipini” Tomor Lelo dhe me gjeneratën e bilbilenjve këngëtarë Hysen Rukaj, Piro Tafili, Valter Sulçaj, Gjon Deromemaj, Halil Kaçi, Astrit Zogaj, Arjan Rudaj, Piro Leka, Bashkim Hoxha, Vitri Leskaj, Olimbi Ruka, Numan Canaj, Esjona Curri, Pelivan Meçorrapaj, Arjan Kaçi, Irfan Boci, Mitat Deromemaj, Arsen Zotaj, Aleksandra Hodaj etj.
Misioni ishte të përgatiteshin këngë të trevës së Smokthinës, të gatuara me qumsht trëndeline dhe të realizoheshin filmime të grupit në pikat më mahnitëse si te rrapi i Gurrave, te burimet, shtëpia e Cane Miftarit, rrepet e Mesaplikut, te lumi etj. Grupi do të bënte prezantimin dinjitoz të vlerave të smokthinjotëve në folklor, ku biografinë e tij e kishte të përgatitur Idajet Jahaj, për ta prezantuar para një asambleje të përzgjedhur të vedlindjes etj. Nisma kishte si qëllim që Smokthina të caktonte një datë të shënuar, ku vit për vit, të festohej në vendin e organizimit të mblidheshin të gjithë… Grupi “Kristalet e Smokthinës” shkëlqeu në disa vite…
Grupi polifonik i Ramicë ka dalë në skenë në vitin 2012, me këngëtarë si Arben Gabaj, Besmir Zogaj, Filo Lekaj, Numan Canaj etj. Në këto vite të veprimtarisë së tij, ka një ecuri të mirë…