Amarda Ekmeçiu: Ana tjetër e medaljes
Një belbëzim i mundimshëm që rrjedh natyrshëm prej prejardhjes, prej gjakut.
Dita ndërkombëtare e gjuhës amtare
-Në rresht për foto. Një foto ju lutem… duhet të lemë sallën jemi 30-të minuta jashtë orarit. Po hajde pra… hyr këtu… rreshtohuni… ata që janë më të gjatë le të qëndrojnë në këmbë, të tjerët ulur. Po hajde pra këtu, midis meje dhe ambasadorit, në krahun tim të djathtë qëndro… do ti iki mendja gruas… do tërbohet… o ti… po hajde pra… kryebashkiakut foli të vijë këtu në qendër… deputetja… kush? Ish deputetja more sa i vë re, mor burrë!… zot çfarë sikleti…ç’janë këta njerëz more aman?!
-Jo, po unë, unë nuk jam… foli gjithë naze e ftuara.
-Na nderove, na erdhe nga Gjermania, na mbushe sallën.
Ju afrua edhe pak sikur donte t’i kafshonte veshin e një frymë fjalësh iu përplas përgjatë qafës së hollë e të gjatë.
– Zot sa e bukur je, të hëngsha zemrën. Si s’të njoha më parë. Po tani, tani s’të lëshoj, s’ke nga më ikën-dhe bëri sikur u gajas së qeshuri.
-Në foto edhe ti, mos e diskuto të lutem shumë.
Pastaj, siç dystohen të gjithë mirë e mirë me qëndrimet gati tu, me fytyra të ngërdheshura, me një lumturi të përvuajtuar për gjithë atë show, me krenari donkishotësh, ca me sytë në hava e ca me sy tangent, ca me flokë të rënë e ca pa flokë fare, ca të rruar e ca të pa rruar, disa të kredhur si pras i pjek e disa të shkrehur në biseda… U bë, më në fund, u bë. Fotoja u bë. Facebooku do vlojë nga hareja dhe buja e madhe. Në sfod flamujt kombëtarë. Nën ta, urimi i shkruar me shkronja të mëdha në gjuhën e shtetit pritës e përbri saj urimi në gjuhën amtare: Gëzuar 17 Shkurti… Gëzuar dita ndërkombëtare… bla, bla, bla… medet emri mbeti pa lakim. Mësuesit (misionarët) nuk dinë të shkruajnë një urim për festë. Domosdo, këta janë patriotët-nacionalistë me grada e tituj shkencorë, ca të tjerë edukues të sporteve fizike e të tjerë pa asnjë lloj ndjesie për gjithçka bëjnë. Thjesht iu mjafton të përfshihen në vorbullën që gatuajnë drejtuesit e tyre. Interesaxhinj e sanhanlëpirësa.
Të vetmit që nuk marrin vesh nga gjithë kjo rrëmujë e madhe janë të vegjlit. Të mirët, të pafajshmit, të padjallëzuarit e ardhmja të cilën po i ndërtojnë me nacionalizma e krijime heroike, me gjak e me lot, të cilat të gërryejnë shpirtin tek i dëgjon të belbëzojnë.
Se ashtu është gjuha amtare në buzët e tyre.
Një belbëzim i mundimshëm që rrjedh natyrshëm prej prejardhjes, prej gjakut.
Një belbëzim i cili duhej të kishte ngjyrat e moshës, nëse mësuesit e tyre nacionalistë do të kishin dy pare mend në kokë e do t’ju mësonin gjëra të bukura, ëndrrat për të ardhmen.
Ata kanë kënduar, recituar, veshur me qeleshe me kostume popullore, kush me çitjane e kush me opinga, me hir ose me pahir, me dëshirë ose jo, të lodhur e të përdorur, pas gjithë asaj feste të madhështore, pranojnë të dalin në foto mes të rriturve, që si të babzitur lëshohen pranë tyre, duke dëshmuar punën heroike plot stoizëm që bëjnë në emër të kombit.
Si për të marrë sado pak nga kthjelltësia e moshës.
Sa nevojë paskan për nektarin e tyre!
Dhe kjo është e gjitha.
Fillimi dhe fundi i dëshmive të kohës.
Të kohës që po na e neverit.
21 shkurt 2023.
Please follow and like us: