Albspirit

Media/News/Publishing

Skënder Sherifi: Takimet e mia me Allen Ginsberg!

ALLEN GINSBERG-FILM BEFASUES ME POETIN BITNIK AMERIKAN

SEKS – COKE – ALKOOL dhe ROCK AND ROLL: ÇMENDURI TOTALE!

Çka e lidhte ikonën Jankee, me Malësorin e Valbonës?

 

Sinqerisht, kur e mendon mirë, jeta është mjaft e çuditshme dhe ngelet disa herë tepër misterioze, sepse ka dukuri që me shumë vështirësi mund të shpjegohen racionalisht. Nuk ka më antinomik sesa unë me çiftin e Allen Ginsberg, ngaqë, në shikimin e parë, asgjë nuk na lidhte së bashku, pos poezia, e pra, ai njeri më donte, më thirrte rregullisht kur vinte në Paris dhe ishte i tërhequr nga unë… Po pse?

Kam disa supozime fragmentare, por nuk jam as vet i sigurt, që e kam kuptuar arsyen e tij reale? Janë vetëm hipoteza…

Imagjinojeni ju vet, të dashurit lexues: çka mund ta bashkojë (pos artit dhe poezisë) një malësor anarshist i lirisë të lirë, heteroseksual si gjithë bota normale, komplet anti drogë, alkool dhe duhan, pos verës së kuqe madhore franceze, një avanguardist post modern, por me një kujtesë dhe një besnikëri të lashtë shqiptare, kanunore dhe zakonore, në sfond… me një poet madhor amerikan, lider ikonik i rrymës bitnike, e cila ka pasur deri sot një influencë të paimagjinueshme në fushën artistike, jo vetëm të poezisë, por edhe te kultura alternative, anti institucionale, i ardhur me shokët e tij nga New Yorku dhe Kalifornia, për t’u inspiruar pak kohë në Paris? Por ai vetë ishte me të gjitha të zezat dhe devijimet e mundshme, kishit me thënë që i koleksiononte… alkoolist, narkoman, kokainoman, homoseksual, komplet i shthurrur, çka për ne shqiptarët, tingëllon si një i degjeneruar total…

Porse, ishte figurë madhore evidente e kulturës planetare, na pëlqen e s’na pëlqen dhe mua më kanë pas mahnitur 3 vepra të tij emblematike, të cilat me të vërtetë e kanë pas shkundur gjer në ekstrem, poezinë tradicionale. Pos asaj, bitnikët amerikanë e viteve 1950 dhe 60 –  e kanë pas paraprirë apo influencuar direkt apo indirekt edhe Majin 68 – në Paris, rrymat muzikore hipike dhe pop, të simbolizuara me festivalin e famshëm të Woodstock-ut, do me thënë, që e kanë luajtur një rol historik gjigant në fushën kulturore dhe artistike. Pastaj, në aspektin më konkret të jetës së përditshme, dihet që nuk kishte asnjë shans, për të më ndryshuar mua, në stilin e veprimeve dhe të mendimeve kryesore, pra, në vijën apo në filozofinë time jetësore, por as unë, me modifikuar diçka tek ai personalitet aq margjinal dhe ekstrem.

Por tani, për mua, problemi ishte ky: “Okay, por si me komunikuar me Allen Ginsbergun, pa hyrë ku nuk duhet, aty ku nuk jam unë dhe çka me ndarë me të? Deri ku mund të shkoj unë si person në dialogun tim me të dhe ku mund t’ia vendos kufijtë e mi, atij të droguari delirant, por edhe gjenial si poet? Pra, me qenë vetvetja gjer në fund, sa më tolerant, por edhe i sinqertë dhe i pa kompromis, me natyrën dhe limitet e tua dhe me ia thënë Allenit, me plot vendosmëri dhe transparencë, por me një ton miqësor. (Deri këtu, mund të shkoj, por më andej: harroje)!

Sepse, unë nuk isha në Paris si moralist, as si përfaqësues i kanunit të Lek Dukagjinit, por si artist komplet i lirë dhe si aventurist kurioz. Të gjithë ishim në atë kryeqytet magjik francez, për të eksperimentuar dhe provuar disa gjëra të reja, eventualisht frymëzuese, e jo për ta gjykuar njëri-tjetrin në aspektin moral. Tani, pse po drogohet gjithë shoqëria rreth meje, kjo nuk do të thotë që edhe unë do veproj sikurse ata… e këtu është pikërisht forca ime».

Kjo është çështje edukate, vullneti dhe karakteri, autorespekti i normave të tua parimore. Dihet që tradicionalisht, si një ritual i përjetshëm, të gjithë krijuesit e mëdhenj botërorë kanë kaluar një moment të jetës së tyre në Paris, sepse ai qytet është i ngarkuar me kujtesë artistike dhe kulturore universale dhe e simbolizon atë atraksion, atë kujtesë planetare. Unë e shoh edhe me një pjesë të madhe të figurave të njohura kombëtare, duke u nisur me Ismail Kadarenë apo me Ibrahim Rugovën për shembull, por mund t’ua citoj edhe 10 apo 20 emra të tjerë, pa asnjë problem…

Franca dhe Parisi, ka qenë gjithmonë për personalitetet tona, epiqendra referenciale, ideali, modeli apo ëndrra e tyre, deri edhe tek diktatori Enver Hoxha. Dhe çka duket më e çuditshme, por edhe e dhimbshme për ne, është fakti që ajo marrëdhënie është mjaft e komplikuar, e pa qartë, e turbullt, me plot paradokse dhe moskuptime mes botës shqiptare dhe Francës, e konsideruar nga opinioni ynë global si një shtet anti-shqiptar, i cili nuk na do fare, na ka shitur apo tradhëtuar padrejtësisht gjatë historisë sonë politike dhe diplomatike, duke i favorizuar serbët, pra miqtë apo aleatët e tyre tradicionalë të botës sllave.

Kështu, që Parisi ka qenë një urë kaluese e detyrueshme edhe për bitnikët amerikanë të viteve ‘50 dhe 60, të ardhur nga New-Yorku, San Fransicko dhe Los Angelesi. Por a e dinë shqiptarët se çka do me thënë fjala bitnik?

Nga na vjen kjo rrymë bitnike dhe pse lind në Amerikë? Së pari, vetëm për nga ana puro etimologjike e emërimit, fjala bitnik, anglisht beatnik, vjen nga folja «to beat» do me thënë, me rrahur, me sjellur dhe është Jack Kerouaku ( autori i dy vepra ikonike: ‘On the road’, ose në Bredhje dhe ‘Les Clochards Célestes’ ose Kloshardat Hyjnore) i cili e ka përcaktuar këtë shkollë artistike dhe ekzistenciale me këtë epitet apo etiketë ‘Beatnik Generation’ ose Gjenerata e Bitnikëve dhe jemi në vitet 1950… çka do me thënë tekstualisht por edhe simbolikisht – «gjenerata e të rrahurve, të llomiturëve» nga vetë jeta, por edhe nga prindërit, nga gjeneratat e mëparshme… Pra, jemi ne «gjenerata e të dështuarëve, siç thonë amerikanët – e luzerave ( to loose), ata që kanë humbur çdo gjë, e së pari, shpresën e tyre.

Konkretisht, si rezultat, e kemi një gjeneratë të dëshpëruar, të frustruar dhe të revoltuar. Vjen nga shprehja popullore ‘I am beat’ ose ‘jam i lodhur, i mbaruar’!

Tani, të gjithë janë kundër rregullit moral dhe fetar, të imponuar nga familja, shkolla, ushtria, institucionet zyrtare, janë kundër çdo vije të quajtur legale, kundër hierarkive të konsideruara si artificiale dhe fiktive, janë kundër shoqërisë robotike kapitaliste, e cila predikon vetëm nënshtrimin, zbatimin dhe konsumimin, kundër kultit të dollarit, të viçit të artë, të Las Vegasit, bixhozit, simboleve ikonike të shoqërisë amerikane, pra, idealet bazike të asaj shoqërie. «Me pasur dhe me akumuluar pasurira në maksimum»! Janë pastaj kundër luftës së Vietnamit, rregullit borgjez tradicional, kufizimeve, tabuve dhe çdo lloj censurimi». Por, si kundra-punkt, nuk e kanë një program shoqëror apo politik preciz, vetëm se e predikojnë lirinë pa kufi, në të gjitha sferat e jetës, çlirimin e tabuve dhe përjetimin e epsheve. Praktikën e drogave dhe të mistikave budiste. Kjo është motoja e tyre… BAZA!

Dhe për ta shijuar atë liri, çdo gjë është e lejuar, orgjitë, kimitë, alkoolet, gjithë farë eksperience erotike, seksuale, filozofike, psikologjike apo mistike, ngaqë budizmi indian ka luajtur një rol serioz në jetën e tyre. Pra, duhet me i akumuluar të gjitha eksperiencat e mundshme gjatë kësaj jete tokësore. Prandaj, në çdo SHOQËRI, e ndërtuar mbi referenca morale dhe norma deri dikund normale, Bitnikët janë automatikisht ultra shokues, provokues, ekstrem dhe margjinalë, sepse nuk ju përgjigjen kriterëve të një shoqërie të qetë, të edukuar brenda një një logjikë të rëndomtë. Ju dukën të tjerëve si njerëz të çoroditur, të papërmbajtur, gati si kafshë të egëra, tipa të parregull, as parim… gati për t’i pushkatuar në mëngjes!

Tani, pasi janë automatikisht KUNDËR çdo norme shoqërore ekzistuese, janë të REVOLTUAR, të IRRITUAR dhe të FRUSTRUAR… janë në thelbin e tyre shpirtëror edhe DEPRESIV KRONIKË, të DËSHPËRUAR, nihilistë të pa shpresë… të cilët nuk besojnë në asgjë. Për fatin e tyre, nuk e kanë pas njohur Oso Kukën apo Prek Calin, se nuk do ishim tani këtu, duke i përmendur gjithë ata horra. Mirëpo, pasi kanë hyrë në histori, na duhet edhe ne për t’i njohur dhe për t’i mësuar deliret e tyre nëpër shkollat tona. Sepse, bile 10 veta do t’i kenë frymëzuar në gjithë botën shqiptare!

Ti, do i thuash vetes, si poet i Lushnjes apo i Junikut «po pasi ata janë shprehur poetikisht në këtë stil bruto dhe vullgar, pse mos ta provoj edhe unë, pa e njohur fare kontekstin, as historinë e tyre»! Si ata që e kanë lexuar Bukovskin dhe thonë, tani le të shkruaj edhe unë si Bukovski, porse problemi është që nuk mund të jetë kushdo Bukovski, autentik dhe i fuqishëm në atë lloj bote të degjeneruar, të cilën ai  e njeh gjer në palcë dhe nuk ka asnjë sekret për të… i rrjedh komplet e natyrshme,  e jo si një pseudo poeti apo poeteshë e jona, të ardhur nga një No Man’s Land nul shqiptar, ku ka pas mbretëruar vetëm mesjeta fshatare apo kanunore e jo realiteti  i pamëshirshëm dhe brutal i periferive bordelike të Los Angelesit apo të New Yorkut.

Janë TIPA delirantë, primitivë, shtazarakë, të cilët e shfrynë gjithë këtë mllef dhe mos kënaqësi të tyre ekzistenciale, në gjithëfarë overdoze droge, alkooli dhe seksi, sa për t’i çliruar nervat dhe epshet. Por problemi është që paralelisht, janë persona me një bazë kulturore, tipa që kanë shkruar, pikturuar, filmuar, fotografuar, interpretuar dhe sidomos lexuar. Po, po, sillen si në kohën e fiseve prehistorike të Neandertalit apo Kromanjonit, por edhe janë artistë dhe intelektualë. Ec e zgjidhe tani këtë pleqëri, në Kullën e Mulosmanaj në Tropojë apo të Kaloshëve të Dibrës? Çka dreqin me bërë me këta Bitnikë të droguar, si me i vlerësuar dhe si me i trajtuar? A t’i fusim të gjithë në burgun e Spaçit dhe në Burrel? Nëpër aksione për të punuar disa kanale dhe hekurudha!

Por tani, kemi ngelur mjerisht i vetmi shtet i Europës, bile çka nuk e ke as në Afrikë, pa ndonjë rrjetë serioze hekurudhore. Sa për sport, do e kisha marrur trenin e fundit për ato 40 kilometra që kanë ngelur kot pahir, në një vagon të thyer, të vandalizuar, me gjëmba dhe karriga të prishura dhe një zonjë që vjen për të bërë muhabet me ty, sa për ta kaluar kohën me humor, duke ta propozuar si shenjë mikëpritje, një xhezve me kafe turke.

Ha, ha, ha… më vjen për të qeshur kur e imagjinoj skenën! Mëshirë, o miq, mëshirë, se e kam pasur dikur mik Allen Ginsbergun! E di mirë, që i ka pasur të gjitha të zezat, por ka qenë me shumë talent dhe mua, nuk ma ka shkaktuar asnjë dëm në jetë. Bile më ka respektuar dhe vlerësuar jashtë mase. Kishte dëshirë me ndjejtur me mua.

Tani, ky grupi apo familja e bitnikëve i ka disa personalitete, por më emblematikët, ose liderët ikonikë kanë qenë natyrisht treshja magjike: Jack Kerouac, Allen Ginsberg dhe William Burroughs, por për opinionin publik ndërkombëtaë, ndoshta Ginsbergu ka qenë emri më mediatik, i cili e ka imponuar dhe popullarizuar këtë lëvizje poetike, humane dhe filozofike në masën pak më të gjërë.

Por brenda familjes janë sjellur edhe Ed Sanders – William F. Buckley – Alain Pacadis – Alain Fleisher – Jean Jacques Lebel dhe Claude Pélieu, dega francophone – John Giorno – Robert Frank – Nam June Park – Jonas Mekas – Philipp Glass – Gregory Corso – Robert Crunch – Peter Orlowski – Neal Cassady dhe Lawrence Ferlingheti. Ky i fundit ka qenë edhe botuesi i veprave të Ginsbergut dhe disa të Bukovskit.

Shumë prej tyre vinin rregullisht në Paris dhe kryeqyteti i Hekzagonit francez e ka pasur një rëndësi të posaçme për ta. Sepse atje takonin Henri Michaux, Man Ray, Marcel Duchamp, Tristan Tsara, Félix Guattari, e të tjerë figura të artit. Në kafën SELECT të lagjes parisiane Montparnasse, miku im Allen Ginsberg fillon për ta shkruar poemën e tij madhore, në kujtesën e nënës së tij të shkretë, e cila ka përfunduar në një azil psikiatrik, «Kaddish» një lloj lutje që iu adresohet të vdekurve në traditën e vjetër hebraike. Do të thotë që Parisi e ka luajtur një rol…

William Burroughsi do e përfundojë dhe botojë librin e tij: ‘Le Festin Nu’ – Festa nudo – dhe ‘Nova Express’, kurse poeti Gregory Corso do shkruaj tesktin e tij ‘Bomb- Bomba’. Bile më ka pas lindur dikur një ide për ta organizuar një xhiro me pretendim pak më intelektual, në Parisin e shkrimtarëve, duke i përfshirë pse jo, edhe piktorët dhe kineastët. Do ia vlente, për ta shijuar atë qytet sublim në një tjetër prizëm, e jo vetëm në anën karikaturore të turistëve aziatikë të robotizuar në ekstrem.

Allen Ginsbergu do e lexon për t’u frymëzuar veprën e Wiliam Blake dhe Ezra Pound, pastaj Yeats, Melville, po ashtu edhe autorët francezë, sikurse Henri Michaux, Antonin Artaud dhe Jean Genêt. Duhet që ta dini, që në vitet 1950, nga viti 1956-57, nëse nuk gaboj, kanë pas ardhur në një hotel mizerabël të Parisit, ‘The Beat Hotel’ ose hoteli i të mbaruarve, i të skaduarve, i të rrahurve, i të fikurve dhe të koriturve,  i të raskapiturve dhe i kloshardave, në numrin 9, rue Gît le Coeur – rruga ku pushon zemra… me vdekur duke qeshur… me nga 1 dollarë nata, por me nevojtore alla turke, duke i fshirë bythët me çopëza gazete dhe me banjon në katin përdhes.

Pronarja ishte një e krisur mendsh simpatike, e cila i donte shumë artistët, të cilët për të qendruar tek ajo disa muaj, kur nuk kishin mundësi për ta paguar me lekë, i toleronte, sepse i ofronin poezi, fotografi, piktura, vizatime ose i kërcenin. Jemi për «vëllazërim-bashkim» dhe duhet për ta ndihmuar njëri-tjetrin!

Më kujtohet mirë ajo rrugë e vogel medievale, super karakteristike, ngaqë dikur banoja aty afër në Quai des Grands Augustins, tek banesa e zotit Michel Leiris, numri 53 bis – dhe e kisha përballë meje «Le Pont Neuf» mbi lumin Senë, që të çonte tek magazina e famshme parisiane «La Samaritaine» aty ku ndodh intriga e filmit, të mikut tim Léos Carax, me Denis Lavant dhe Juliette Binoche- «Les Amants du Pont Neuf». Dhe në rrugën e atij Hoteli të Bitnikëve amerikanë, shkoja disa herë për ta pa mikun tim Marcel Julian, që ishte drejtori gjeneral i kanalit publik francez, France 2 – dhe e dirigjonte po ashtu revistën e tij letrare ‘Vagabondages’, pa harruar që ka pas shkruar skenare për filma francezë, të cilët kanë korrur shumë sukses. Më ka pas dërguar miqësisht tek miqët e tij Robert Sabatier, me çmimin ‘Goncourt’ dhe tek poeti francez Yves Bonnefoy, tek rruga Lepic, afër Montmartre. Dikur më tha, “shiko Sherif, do qëndrojmë më gjatë herën tjetër, se tani më vjen një studente e re japoneze nga Sorbona, e cila do konsultohet me mua, mbi doktoraturën e saj mbi veprën time”.

«A ke me çka me e pritur, se më kanë ngelur disa fara në xhep!  Kalofsh mirë Yves”!

Po në atë rrugë, ka qenë edhe poeti atipik Henri Michaux, me shoqen e të cilit kam pas kaluar një mbrëmbje gjeniale gjer nga ora 2 ose 3 të natës, duke i ndarë plot kujtime dhe mezi jemi ndarë së bashku, sepse e perceptova që na ndodhi diçka mjaft e fortë, jashtë fjalëve, por nuk e çuam gjer në fund… bile as vetë, tani, nuk e kuptoj sepse? Mister i madh intuitiv apo metafizik?

Sot, ai hotel katastrofik i Bitnikëve amerikanë në Paris, e ka ruajtur famën e tij legjendare, ngaqë ka hyr në histori, por është rinovuar dhe transformuar komplet në një hotel me 4 yje luksi, me emrin «Relais Hotel du Vieux Paris» veçse e ke një pllakatë që ua rikujton vizitorëve, atë periudhë të prezencës bitnike në atë rrugë. Janë disa vende speciale, të cilat për shumë arsye logjike, e kanë ruajtur një lloj fame historike, sepse pikërisht aty kanë ndodhur disa takime, ngjarje dhe evenimente… si për shembull Hotel Chelsea në New York, në 23-tën rrugë në 222 West, ku vinin Patti Smith, Janis Joplin, Bob Dylan, Leonard Cohen, Sid Vicious i grupit punk Sex Pistols, Jack Kerouac, Jane Fonda, Robert Mappelthorpe, Andy Warhol… etjerë. Po ashtu, kemi Hoteli Mills ose Albert, në N-Y… pastaj, Hoteli Wentley në San Fransicko, ose Le Château Marmont dhe Tropicana në Hollywood. Tani le ti rikthemi liderit simbolik të rrymës bitnik… se ngela pa darkë, o lexues, e nuk ma fal askush një sanduiç!

Nëna e Ginsbergut është depresive dhe përfundon në një institucion psikiatrik. Kurse babai i tij është më i ekuilibruar, por tepër konvencional dhe klasik, mirëpo, punon si profesor dhe është vetë po ashtu poet. Mister Alleni vuan shpirtërisht nga fraktura psikologjike e nënës së tij dhe nuk merret vesh me babain, sepse i duket vetja, që po jeton në një burg ose një rutinë morbide dhe asfiksuese. Dëshiron për të shpërthyer diqysh, por nuk e di sesi? Identifikohet me vuajtjet e personazheve të Dostojevskit!

Pos asaj, e ka edhe atë origjinë hebreje, e cila peshon rëndë, sepse i ke lidhjet me historinë tragjike të asaj popullsie me Holokaustin dhe shtoja tani, si mos të ishte e mjaftueshme me aq, edhe homoseksualitetin, addikt i drogave, fans i pijeve alkoolike dhe amator i të gjitha devijimeve… ec me gjithë këto vese delirante, për t’u adaptuar në një shoqëri krejt normale dhe pa probleme? Kështu, që është mjaft i çregulluar si tip dhe do e përjashtojnë nga Universiteti ‘Columbia’ i New Yorkut dhe më vonë nga puna e tij, në agjencinë e njohur amerikane ‘Associated Press’. Po pra, është personalitet i pastabilizuar në jetë, me kriza ekzistenciale, deri në atë shkallë, ku do jetë vetë i detyruar për ta ndjekur një kurim psikologjik serioz në një institut të specializuar. Por miku i tij Jack Kerouak e afron me filozofinë mistike budiste dhe hinduiste, e cila do e tërheq, sepse ia kanalizon pak të gjitha dreqëritë.

Kurse në fushën e krijimtarisë poetike dhe artistike, mund të thuhet që këta artistë bitnikë, ashtu siç i kam kuptuar dhe përjetuar unë vetë në jetë, duke kaluar kohë me ta… në thelb bërtasin, ularisin, shprazen dhe arti i tyre tingëllon si një britmë bazike burimore, britma e pikënisjes së jetës, tamam si në tablonë e Munch-it… ulurima, vajtimi i atij fëmije që bërtet, pse erdhi këtu në jetën tokësore, ngaqë ishte shumë më mirë në akuariumin e barkut të nënës. Tani kjo britmë revolte dhe refuzimi, do zhvillohet në lehje kafshërore, një vjellje, në diare foljore, në shkulografi poetike, në sllogane, në fraza dhe vargje haluçinogjene, epileptike, elektrike, rock and jazz, në vargje pulsionale që tingëllojnë si shuplaka, sqelme, bokse, që vijnë spontanisht me gjetje të rafinuara dhe me vullgaritete popullore argotike të slangut amerikan.

Kjo është poezia e tyre, por kur e lexon për herë të parë, pasi që ke përpi krijimet klasike të disiplinuara, sipas sallonëve letrare borgjeze ose aristokratike, të vjen sikurse një bombë revolucionare dhe e ka një efekt inovues gjigand. Imagjinoje vetën tani duke lexuar Esad Mekullin apo Alfred de Musset, Fatos Arapin apo Joachim du Bellay dhe tani e ke në dorë papritmas librin e Ginsberg-ut, ‘HOWL’… Do jesh komplet i destabilizuar, sepse je këtu në një planet tjetër. Është evidente… bile, ai i performonte vetë mjaft bukur tekstet e tia. Më ka ndodhur me lexuar me të poezi nëpër trotuaret e tarracave parisiane, për qejf dhe si një lloj sfide eksperimentale.  Ai, anglo-amerikanisht dhe unë në frëngjisht. Pastaj na i gjuajshin francezët disa monedha si shpërblim, si me ja hedhur një banane, një majmuni… ha, ha, ha… ose një lajthizë, një kitre në një park të Londrës. Më thoshte Alleni: “Hej Sherif, sa kemi mbledhur, a do na mjafton për një drekë apo një darkë”? – Po, po, mirë se vjen, por shtoj edhe 50 dollarë për një verë dinjitoze, e cila do e nderojë poezinë tonë!

Në realitet, e kishte më tepër për sport, se kishte qejf për nga nostalgjia e tij, për ta luajtur rolin e bohemit. Por në vitet 1970-80, ka qenë emër i njohur, i pranuar dhe i respektuar. Ginsbergu ishte mbi moshën 50 vjeçare, kur e kam pas takuar unë dhe kishte mjaft lekë në xhep. Ndërsa në vitet 1950, kur vinin për herë të parë në Paris, atëherë me të vërtetë kanë qenë klosharda dhe junkie. Por mos harroni që në vitin 1956 shkruan dhe e boton ‘HOWL’, veprën e tij ikonike, e pak më vonë në 1961, ‘KADDISH’… pastaj, ka punuar si skenarist, kompozitor, si aktor në disa filma apo dokumentarë, ka incizuar albume me tekstet e tij… do me thënë që ka pasur të ardhura financiare. Dhe kur vinte në Paris pas viteve 1970, nuk do mend që ishte i konsoliduar. Mirëpo, e kanë ruajtur atë psikologjinë e bredhjes, të aventurës dhe të kloshardizmit, sepse, nëse ju kujtohet, vepra ikonike e Jack Kerouak-ut, quhej ‘Kloshardat hyjnore’ dhe për atë gjeneratë krijuesish, ka qenë një filozofi jetësore në vete, edhe në qoftë se janë bërë dikur milionera të pasur. Ju ka ngelur ajo gjë në shpirt… nostalgjia e aventurave të rinisë!

Pastaj, më thoshte:

-Shiko Sherif, ti je pak më multidimensional dhe i zgjeruar sesa ne, po, po, je në thelb më i pasur dhe më i llojllojshëm si poet… si thua? Ne më duket, që jemi më monolitikë apo jo? Më intereson mendimi yt i egër dhe pa filtër! Fol o burrë…  por çka dreqin është ai shtet nga vjen ti, të cilin nuk e ka përmendur askush deri sot? Kishe me thënë që po na vjen nga Hëna apo Marsi!

-Po, po miku im, nuk e ke fort keq! Por a e di pse? Ngaqë, unë vi nga gjeneza shqiptaro-malësore dhe ilire, nga lirika dhe rapsodia tradicionale antike, pra nga Homeri… dhe e kam miksuar atë botë përrallore dhe oqeanike, apo atë rrënjë burimore timen, me të gjitha aventurat e modernitetit të shekullit 20, do me thënë, me të gjitha rrymat artistike dhe filozofike ekzistuese, të cilat unë nuk i kam thithur vetëm përmes teorive shkollore abstrakte, por i kam përjetuar nga afër, me liderët e tyre. Prandaj, siç thua ti Allen, e kam një diapazon, një horizont, një shtrirje pak më të gjerë! Dhe një farë distancimi humoristik dhe spontan me çdo gjë… Nuk dua për t’ua dhënë gjërave një rëndësi apo një solemnitet të tepruar, për ta ruajtur pikërisht gjithë atë liri totale dhe atë guxim inovues. Besoj që më kupton…

Këtu, në Europë institucionalizojnë, ceromonizojnë dhe solemnizojnë shumë shpejt çdo gjë e pastaj e mbyllin në një kafaz dhe e kloroformojnë. Çdo gjë bëhet pastaj, si e vdekur dhe muzeale, kurse unë i dua kulturat spontane, lëvizjet dhe improvizimet e gjalla… Sepse, pavarësisht që ju dua shumë si poet dhe jeni pa diskutim super origjinal, tema e juaj bazike ose globale është pak me e kufizuar, sesa tek unë, ku nuk ke asnjë kufi, sepse çdo gjë m’intereson, është e mundshme, kështu që unë e shpreh një kuriozitet pa limit ndaj rruzullit tokësor. Ndërsa ju thoni ‘jam kundër shoqërisë kapitaliste dhe imperialiste amerikane, të cilën po e denigrojmë, po e shajmë, në çdo mënyrë… dhe pastaj, po e predikojmë shthurrjen totale pa asnjë limit, gjer në overdozë dhe në vetvrasje’ kështu, që e reduktoni automatikisht horizontin e juaj.

Për fat, ju shpëton pak filozofia dhe mistika orientale! Por tek ju, kur ju lexoj, vjellja bruto, shkula diaretike, vjen ashtu mekanikisht e pafiltruar dhe ka gjithçka aty, larë e palarë, perla autentike të përziera me mutësihane. Momente mahnitëse gjeniale, me zhgënjime banale dhe përsëritje të neveritshme! A po më kupton miku im, ose po e bëjmë një duel si në filmat e Sergio Leonës? Pra, kjo është radiografia ime personale dhe krejt e sinqertë ! Nuk e di sesa të pëlqen? Por keni shpikur diçka! Keni momente imagjinative kulmore, bukurira të vërteta inovuese, imazhe të fuqishme, por të përziera me banalitete vullgare të rëndomta dhe të pavlerë fare… plus, me atë anën sistematike, automatike, mekanike të botës bitnike… që ti vet e përshkruan me plot të drejtë, si diçka monolitike dhe jam krejt dakort me ty, i dashur Allen. Ngaqë, kur mesazhi është i njohur paraprakisht – «FUCK everything – gjithë çka ekziston… po pshurri dhe po dhjes në çdo gjë, po e shpreh revoltën time radikale, me atë idenë bazë, që jam kundër gjithçka ekziston si normë jetësore dhe shoqërore… natyrisht, do përsëritesh, sepse mund të thuash FUCK në 10 variante, por jo në 100 dhe dihet dikur shumë qartë nga çdokush, që jeni kundër dhe pro lirisë totale… Pra, brumi ose subjekti poetik na del pak i kufizuar, edhe pse tek ju është mjaft interesant dhe origjinal në formë, sepse ka diçka të gjallë, gojore, gati si në një ring boksi: I ha disa goditje të fuqishme. Porse diapazoni ngelet pak i ngushtuar… Kurse unë, siç e thua ti, kam tema të pakufi në tekstet e mia, vetëm që i miksoj në stilin tim që mund të quhet multi gjithçka. Thank you my friend, se e ke nderuar Malësinë, Hasin, Plavën dhe Gucinë!

-Waou, great men, ma ke dhënë një leksion briliant, kam mësuar diçka prej teje, thanks a lot and take a wine! I ke formuluar gjërat shumë bukur…

Kjo është kritika ime letrare. Nuk e ka nivelin kulturorë dhe referencial të Roland Barthes, që e admironte aq shumë vëllai im shpirtëror në Prishtinë, zoti Ibrahim Rugova, as të Gaston Bachelard-it, as të Michel Foucault-së…. porse është vizioni im intim, me siguri, jo në top nivel të intelektualizmit parisian formal, abstrakt dhe universitarë, por pa dyshim, pak më njerëzor dhe i kuptueshëm. Më kujtohet ai momenti sublim, kur një daktilografe gati e pa formim shkollor, ia dha një leksion të fortë Godardit dhe Marguerite Durasit, mbi veprimtarinë e tyre me 3 fraza gati definitive, se tingëllonin si formula matematike. Pikërisht, atë çka nuk do ta arrinte kurrë një profesorë i Oksfordit! Pse? Sepse flasin vetëm përmes referencave dhe bibliotekat, rigorozitetit shkencor universitar dhe nuk ju flet në asnjë mënyrë shpirti, emocioni, ana fizike, perceptimi misterioz i tyre, ngaqë, i kanë të gjitha ato kanale qëllimisht të mbyllura me kohë. E këtu qëndron për mua disfunksionimi themelor mes kritikës ultraprofesionale, të asimiluar perfekt si teknikë analitike dhe perceptimit të lirë jetësorë! Unë, në ART e privilegjoj intuitivisht të dytën… Prandaj, e kuptoj sepse i kam fasinuar të gjithë këta kolosë francez në Paris! Ngaqë, pikërisht, ju mungonte tragjikisht ky lloj talenti natyror, për t’i perceptuar gjërat përmes antenave alternative, valëve, energjive, mistereve të pathëna…

Tek ata, çdo gjë vinte detyrimisht nga dituria kolosale, studimi, bibliotekat, struktura, disiplina, puna, leximi sistematik, referencat, teknikat shkencore dhe universitare… kurse tek unë ishte komplet e kundërta, si tek Arthur Remboja me ‘Anijen e dehur’.

Po pra, unë lundroja ku më drejtonte anija, shëtisja kudo lirisht si bleta, merrja aty ose këtu atë çka m’u deshte mua për momentin dhe e krijoja brumin, nektarin tim me ato elemente, porse dilte diçka interesante, origjinale dhe autentike më në fund.

Dhe natyrisht, shumë kush u befasonte… po qysh është e mundur, që ky anarshist primitiv albanez na propozon diçka aq të çuditshme, të pasur dhe moderne?

Mua m’intereson fjala shpirtërore, emocionale e një personi e jo gjimnastika e tij kulturore, sa për ta impresionuar dynjanë, por pa thënë asgjë të thellë.

Për t’i qetësuar, ju thoja: “Ddëgjoni, o miq të dashur… ju jeni dhjetë herë më të ditur sesa unë për nga bagazhi i juaj kulturor, kjo nuk do mend, as debat… porse, unë jam para jush si Pigmeu afrikan, si Bushmeni australian, si Indiani amazonian, me botën dhe propozimin tim krijues… dhe për ta arritur atë gjë, duhet një liri totale në vete, një siguri në atë çka je dhe çka përfaqëson ti në këtë tokë, një dekompleksim total, i cili të autorizon për të guxuar me qenë ai që je dhe për t’ia propozuar pastaj të tjetrit… dhe natyrisht një respekt formal, por në thelb një mos respekt total, i gjithë asaj çka jeni ju në esencë, sepse ne jemi të detyruar për t’iu shkundur, shokuar apo dhunuar, për t’ua tërhequr vëmendjen dhe për të na marrur seriozisht në konsiderim, pra për të ekzistuar. A po më kuptoni, të nderuarit, miq francezë? Nuk mund ta prodhoj poezinë e Skënder Sherifit, duke iu përkulur Akademisë Franceze, Muzeut të Luvrit, Sorbonës, historisë milenare franceze… është krejt e pamundur. Më duhet për të vepruar si të ishte fillimi i botës, viti zero dhe me propozuar diçka timen, me kapacitetin që kam unë! Me e ngrehur butonin e nevojtores dhe me fshirë çdo gjë që ka ekzistuar para meje, duke u nisur vetëm nga instinkti natyror dhe energjia e lirisë së lirë dhe duke pritur a mos do vjen një frymëzim interesant”.

Bile, kur e mendoj sot atë lloj gjuhe poetike bitnike, mua më flet dhe më pëlqen, ngaqë më tingëllon si diçka që e paralajmëron slamin dhe rapin aktual… atë flown special të tyre, ritmikën specifike urbane. E bravo u qoftë, sepse e kanë kuptuar evolucionin, e kanë parandjerë atë zhvillim të ardhshëm që në vitet 1950. Pra, qysh do shprehen rrugët, periferitë urbane, bandat dhe ganget, gabelët e lagjeve, horrat, të droguarit, alkoolikët, perversat, addiktët, gjithë margjinalët e shoqërisë kapitaliste amerikane, ata që nuk ua lëshon askush ndonjë sy, apo që ua kushton një kujdes?

Natyrisht, ka në atë gjuhë bitnike, (sepse fjala beat nuk është vetëm me rrahur, me llomitur dikënd me grushta dhe shqelma… por edhe beat… rrahja e zemrës, ritmi beat i muzikës… a po më kuptoni?) edhe tani pos rockut dhe popit, e kemi edhe një anë free-jazz bruto të improvizuar… pra, është një lloj ejakulacioni poetik pa filtër! Dhe është evidente, që e prefigurojnë RAPIN që do vijë më vonë… Kështu, që nuk mund të thuhet që kjo rrymë ka qenë komplet e kotë dhe e pa vlerë, me një grup të droguarish të degjeneruar. Përkundrazi, e ka luajtur një rol shumë më të madh, që atë çka mund ta mendojmë në fazën e parë. Bile, edhe pse e kam pas luhatur deri dikund me kohë, por po e kuptoj sot akoma më mirë, gjithë influencën e tyre!

Tani, historikisht, kur i analizon në thelb, BITNIKËT, janë një lëvizje origjinale dhe inovuese, duke i pasur para sysh këto kufizimet që i shpreha pak më parë, të cilat       i pranonte edhe vet Ginsbergu. Mirëpo, tani ky stil poezie rrebele, kjo gjuhë pulsionale e lehur, e pshurrur, e vjellur, e dhier, komplet e lirë dhe e pa tabu fare, ka provokuar efektin e saj befasues dhe revolucionarë evident, tek gjithë ata që e kanë dëgjuar për herë të parë… tamam si rock and rolli i Elvis Presleyt, tek Amerika e bardhë e asaj kohe, e cila ishte e gatshme për ta burgosur për provokim pervers seksual. Shikojeni ju vetë filmin e fundit mbi Elvisin, të Bazz Lurhmanit, me Tom Hanks-in!

Pos asaj, kjo lëvizje bitnike, ka ardhur si një shkundje sizmike në atë shoqëri aq konservatore (imagjinojeni tani 50 centin e fillimeve apo Tupac Shakurin në Tropojë, në Mirditë apo në Rugovë, brenda një shoqërie akoma fisnore dhe kanunore? Me qeshur gjer në lot!) dhe e ka pasur një influencë të madhe, gati baraz me surrealizmin, ndoshta më pak, por tepër të fortë, në stilin estetik e të shprehurit në art. Ka luajtur një rol frymëzues edhe në muzikë, me Lou Reed, Patti Smith, Allan Vega, Bob Dylan, Kurt Cobain dhe deri tek Bono, i grupit U.2… dhe siç  ju thashë kanë paralajmëruar dikund edhe Majin 1968 në Paris, pastaj rrymën e hipikëve me festivalin Pop të Woodstock-ut. Po dua me ju thënë, që ajo lëvizje e bitnikëve amerikanë, na i ka lënë disa gjurma të forta dhe nuk ka qenë aspak folklorike apo anekdotike. Është rrymë çliruese, antitabu, totalisht e shfrenuar, mjaft oksigjenuese dhe interesante, nëse e ke karakterin e duhur për ta menaxhuar siç duhet, pa dalur komplet mendsh, porse ka shkruar gjer në ekstrem, me plot devijime dhe teprime… kështu, që edhe ka shkaktuar disa deliriume, depresione dhe ndonjë vetvrasje brenda saj (se çdokush nuk e ka natyrisht ekuilibrin psikik të duhur për t’u përballur me ato eksperienca aq radikale)! Për mua, ka qenë interesant, sepse na ka mundësuar për t’i kapërcyer disa barriera tepër konvencionale dhe na e ka hapur rrugen për ta përfituar një liri maksimale në krijimtari dhe në komunikim me të tjerët… janë thyer disa norma dhe tabu dhe ia ka vlejtur globalisht.

Tani, a mund t’ia rekomandoj sot djalit tim adoleshent? Natyrisht, që jo, sepse nuk është fare i përgatitur… Ajo lloj eksperience (edhe në lexim) e do një pedagogji, një coaching të fortë, siç ka vepruar me mua në Paris, babai im shpirtëror, Pierre Seghersi. Por nëse më pyet, do t’i flas për bitnikët dhe për Ginsbergun, duke ia shpjeguar të gjitha pikat pozitive dhe negative të tij dhe se çka duhet për të nxjerrur nga ajo eksperiencë njerëzore dhe artistike për sot dhe për nesër? Fatkeqësisht  e kam vërrejtur që rinia shqiptare aktuale, si në Tiranë, si në Prishtinë, janë gati të lënur pas dore dhe e ndiejnë vetën si jetimë, të pakëshilluar, as menaxhuar siç duhet dhe ju mungojnë tragjikisht bazat dhe referencat kulturore, shpirtërore, historike, kombëtare, europiane apo amerikane… janë në një lloj luhatje, bredhje moderne absurde, duke flotuar në një No Man’s Land apo në Kozmos… dhe kanë nevojë për baba dhe vëllezër shpirtërorë, siç i kam pasur unë fatmirësisht gjatë jetës sime… për ndonjë lider apo model kulturor, ndonjë coach mendor, analitik, psikologjik, i cili e merr kohën e duhur për t’i dëgjuar dhe për t’ua pleqëruar të gjitha gjërat siç duhet, por me gjuhën e tyre të sotit e jo llafollogjira formale që nuk i pranon askush, kinse ne jemi super specialistë dhe dimë gjithçka më mirë se ju. Rinia e sotme nuk e ha fare atë lloj muhabeti apo posture… e ka kuptuar që jemi sharlatanë të pabesueshëm në asgjë! Sot edhe djali im e di dhe e gëzon një kredibilitet kur flas?

Shumica prej tyre i thonë vetes sot: “Qysh me ikur dhe me u larguar prej gjithë këtyre idiotëve, që po na bllokojnë dhe helmojnë përditë jetën tonë dhe ardhmërinë tonë në këtë vend dhe qysh me e lëshuar sa më parë, këtë shtet absurd dhe të pa lidhje”? A ju duket kjo situatë normale sipas jush dhe e pranueshme për një shtet demokratik, i cili nuk e ka kapacitetin për ta tërhequr dhe garantuar rininë e tij?

Ky quhet dëshpërimi, depresioni shqiptar kronik, denigrimi, mohimi, nihilizmi, mos besimi në asgjë brenda kombit… dhe na duhet për të ikur me shpëtuar diqysh, me pa diçka tjetër, pak më normale dhe të sistemuar qysh duhet, diçka më të drejtë dhe më demokratike! E kuptoj shumë mirë dhe e pranoj diagnozën pa problem. Por a mos do ishte më mirë me u bashkuar pak më tepër, me u organizuar pak më profesionalisht dhe me u angazhuar për t’i ndryshuar gjërat brenda shtetit tënd, për t’i fituar disa të drejta, disa progrese…? Sepse, tek e fundit, a është një zgjidhje me thënë: “Të gjithë po e braktisim shtëpinë dhe shtetin tonë, sepse asgjë nuk po na duket normale dhe nuk po na konvenon”? Në aspektin praktik dhe egoist, po, pse jo? Por në aspektin pak më të thellë kombëtar: mua më duket kjo ikje permanente pak e gabuar, e pa shpresa për të ardhmen tonë, sepse çdo ndryshim serioz mund të vijë vetëm nga një lëvizje e brendshme. Tek e fundit, deshët apo nuk deshët, a po flitet për vendin e juaj, e të parëve tuaj? Pastaj, shikoni pak lëvizjet e Pranverës arabe, e manifestimeve në Francë, lëvizjet në Ukrainë me Majdanin, në Amerikën Latine, në Iran…

Në një moment, duhet për t’u vendosur, për t’u bashkuar dhe për t’u organizuar me idenë për të ndryshuar diçka në vendin tuaj, bile së paku për ta provuar, tentuar… sepse, asgjë nuk do ju pikë ashtu falas nga qielli, pa e kërkuar, pa u investuar në minimum dhe pa lëvizur ju vetë, për t’i mbrojtur të drejtat tuaja, pra atë çka u takon legjitimisht në vendin e juaj ! Sepse, brenda Shqipërie apo Kosove, nuk jeni turistë italianë apo çek në kalim e sipër, por banorët dhe qytetarët, bijtë dhe bijat e atij vendi… e kjo gjë ua jep disa të drejta krejt normale, por edhe disa detyrime morale dhe atdhetare. Ngaqë nuk ka asnjë sens, për të vepruar me gjithë këtë indiferencë, tamam si me qenë të huaj nëpër trojet tuaja, të pa interesuar fare, mbi gjithë çka po ndodh në këtë vend dhe me vepruar si të ishte një fatalitet normal i përjetshëm. Sinqerisht, konsideroj që e keni plotësisht gabim!

Kjo gjë e do pastaj detyrimisht një kulturë dhe një përvojë politike, sociale, qytetare dhe demokratike, të cilën natyrisht nuk e kemi, e do një vetëdije dhe një koshiencë të lartë kombëtare, një ndërgjegjësim etik, çka edhe atë nuk e kemi… Prandaj jemi siç jemi dhe vazhdojmë ashtu në kaosin tonë ballkanik. Dhe dikur kur lodhemi dhe nuk durojmë më: ikim ! Por është diçka e mjerueshme për Kombin!

Por le ta pleqërojmë më mirë lëvizjen e bitnikëve përtej Atlantikut. Çka mund të mësojmë prej tyre? Tani, kjo është çështje dosazhi, ekuilibri, menaxhimi personal… ti vetë duhet ta dish së pari, se deri ku mund të shkosh, pa eksploduar komplet në një delirium irracional?

E kam pas diskutuar vetë me Ginsbergun, i cili afirmonte, që pas gjenerates sonë bitnike, nuk do ketë asgjë të re dhe revolucionare në poezinë amerikane. Nuk e kam besuar direkt në atë kohë, por sot, po e konstatoj edhe unë, që e kishte me plot të drejtë. Ishte vizionar!

Është një realitet objektiv! Më thoni, pas bitnikëve, cili poet amerikan ka sjellur diçka absolutisht të re, inovuese dhe revolucionare në poezinë amerikane? Për mua, asnjë! Dhe kanë kaluar po themi 50 vite…

Natyrisht, ka poetë të mirë, mbi mesataren, postmodernistë seriozë dhe në nivel, porse nuk kanë shpikur asgjë të re, veçse e kanë re-interpretuar në mënyrën e tyre, poezinë e mëparshme. Bile, ua kam thënë, më duket… të njëjtën gjë, ma thoshte mua në Paris, miku im Philippe Soupault, i cili afirmonte që pas gjeneratës sonë me Bretonin, pra, surrealistët dhe dadaistët nuk do ketë asgjë të re revolucionare në poezinë franceze, çka po ua konfirmoj edhe unë sot, pa pikën e dyshimit. Por kjo nuk do të thotë, që nuk ka sot poetë të mirë, seriozë dhe mbi mesatarën në Francë, tipa të konsoliduar, të cilët e zotërojnë perfekt artin poetik, në aspektet e tij teknike, porse nuk na kanë sjellur një botë komplet të re dhe befasuese.

Unë, e kam tentuar dy herë në jetën time, me veprat atipike dhe jashtë normave ekzistuese që janë: « Festivali i Pasioneve – Tirana, 2020 tek ILAR – dhe libri – LOVE – ky versioni i ri, botuar tek ILAR në Tiranë në shator të vitit 2022» dhe kaq ishte mundësia ime, për të inovuar diçka dhe për t’ua propozuar një univers të ri poetik, me parametra komplet të tjera. Diçka që nuk ka lidhje as referencë, me asnjë poet shqiptar të shekullit 20 dhe 21.

Ideja ime përmes atyre dy veprave ikonike kult, ishte për t’ia propozuar lexuesit shqiptar një udhëtim poetik në një planet komplet të panjohur dhe të pashkelur deri tani. Pra, eja me mua, lëshoje tokën dhe gjithë çka ke pas njohur deri sot, harroji të gjitha referencat e tua shkollore, familjare dhe personale dhe hyr tani në MARS… pra, në këtë gjuhë poetike timen postmoderne me referenca planetare, por edhe shqiptare, të orkestruara brenda një stili avanguardist revolucionar. Me e hapur një faqe komplet të re të poezisë shqiptare postmoderne. Përmes një shkundje sizmike të fuqishë 9 ballësh, e cila i vjen lexuesit, tamam siç kanë pas ardhur dikur muzika rock and roll, dadaizmi, surrealizmi dhe bitnikët amerikanë, pra diçka që e krijon një evolucion dhe revolucion të vërtetë, prej të cilit mund të inspirohen shumë poetë të tjerë në të ardhmen. Ashtu, siç më kanë frymëzuar mua vetë gjithë këto rryma gjeniale të shekullit 20 dhe ua di akoma sot, përjetësisht për nder. Tani, sesa e kam mbrri atë objektiv… do e thotë koha? Porse, e kam pasur atë ambicion!

Tani, duke u rithyer tek bitniki i droguar, ajo çka ishte pak më e komplikuar për ta menaxhuar me Allen Ginsbergun, ishte ajo ana e tij homoseksuale, por pak tepër kapriçioze dhe insistuese, e cila mua më irritonte jashtë mase. Zakonisht, unë jam për nga natyra ime e thellë mjaft i hapur dhe tolerant, dhe nuk më pengojnë njerëzit pavarësisht devijimëve që kanë, me kusht që të sillen korrekt në shoqëri dhe mos të imponohen tek të tjerët me atë ves… është bota e tyre intime private, okay… por nuk është model për t’u afishuar publikisht si një reklamim ‘ja qysh jam unë’ dhe për t’ua imponuar gjithë të tjerëve.

Kam njohur disa homoseksualë në jetën time, në Paris dhe në Bruksel, por kurrë nuk më kanë penguar personalisht, sepse rrinin në vendin e tyre dhe u sillnin siç duhet. Prapë sot, e kam një mik autor, regjisor dhe aktor italo-belg me origjinë nga Roma, që është homosesksual dhe që jeton  i stabilizuar me shoqin e tij, një inxhinier flaman, Vicentin, tash 30 vite… tip perfekt, humanist dhe më se korrekt kudo në shoqëri… i cili më vjen për çdo vit në festën e ditëlindjes sime në Bruksel, ma viziton nënën time, Xhevahire Sadrinë një dy herë në vit tek apartamenti i saj dhe e thrret në telefon nga Brukseli apo nga Italia, për krishtlindje, vitin e ri dhe ditëlindjen e saj. Quhet Pietro Pizzuti… shikoni ju vetë se cili është në ‘google’ apo ‘youtube’? Dhe të gjithë e kemi pranuar në familjen tonë, ashtu siç është dhe ai vetë, kurrë nuk na ka penguar me asgjë. Tek e fundit, jemi të rritur dhe të vaksinuar dhe çdokush është në botën e tij shpirtërore dhe intime, në lirinë e tij personale. Bile, ja heq kapelën nënës sime për tolerencën e saj njerëzore!

Me atë parakusht, për të mos i penguar të tjerët! Kurse, Allen Ginsbergu ishte pak limit, me ju thënë të drejtën, porse e kam menaxhuar me disa skenare filmi…

Më thoshte mua për shembull: “Ah Sherif, a mund ta kalojmë natën së bashku, se e ndiej vetën mirë me ty dhe më pëlqen si tip”? Ah, dreqi të hangërt… në vend se me ja futur një shuplakë apo një boks, çka nuk na kishte hije midis Parisit, e mora atë punë me diplomacinë europiane, shkolla e Çurçillit dhe Mitterranit dhe e mata me pak finesë situatën, një fije humor të ftohtë dhe klinik alla anglez, efikas por mjaft provokues. Se tani, me u sjellur si në Texas të Amerikës, nuk shkonte ajo punë!

Ju përgjigja seriozisht: “Faleminderit, o Allen për komplimente, por me mua, nuk do kesh shanse, as në ëndërr për ta kaluar natën, okay? Mbaje mirë në mend… Të respektoj në botën tënde, je poet i madh super interesant, më pëlqen dialogu miqësor dhe poetik me ty, disa eksperienca leximi që i kemi improvizuar së bashku, nëpër kafet e Parisit, deliret në bare dhe restorante, qeshjet tona, vendet tipike parisiane, ku e kemi pleqëruar botën dhe artin letrar apo filmik dhe muzikor, i cili na interesonte të dyve. Janë momente të bukura dhe të paharrueshme, o miku im Allen… por tani, dije që unë jam amator femrash, siç ka qenë Charles Bukovski, (e çova gjer në ekstrem me plot qëllim, që ta kuptojnë mirë) e jo homoseksual sikurse ti… pra, të respektoj pa problem, por do ma respektosh edhe ti botën time heteroseksuale, dakort? A u morëm vesh? Këto janë kufijtë e mi, Allen! Tani, je i rritur dhe i pjekur, apo jo… e jo si fëmija kapriçioz, i cili mendon që çdo gjë mund t’i lejohet dhe që gjithë bota do jetë detyrimisht në shërbimin e tij”.

E pashë menjeherë, që i ndryshoi çehrja dhe fytyra, e mori si një ofendim moral, porse u përmbajt deri dikund, edhe pse i tingëlloi tamam si një goditje shpirtërore mjaft e fortë… dhe nuk insistoi më tepër, por tërthorazi, ma ushtroi një lloj shantazhi psikologjik, me idenë, a mos do influencohesha dhe do lëshoj pe, për t’ia plotësuar dëshirën. Ha, ha, ha… komike dhe tragjike, kur e mendoj sot me distancë. Po reagoi duke më thënë: “Waou, mistër Sherifi, çfarë mjerimi i madh për mua, e ndiej vetën të leçitur dhe të thyer shpirtërisht, jam tani si një jetim i vetmuar. Si mund ta kaloj natën i izoluar në këtë hotel, pa asnjë prezencë njerëzore, pa kompani? Adios, mister Sherif, nuk e di a do njeh nesër apo jo? Ndoshta, mund të ngopemi me hapa, me kokainë, apo do kërcej nga ballkoni për të poshtë… ku me e ditur, nuk i dihet”?

– Ah jo miku im Allen, je duke më bërë pak shantazh psikologjik dhe nuk të ka hije, nuk është korrekte. – Ti kujton që çdo gjë që të tërheq dhe të pëlqen, mund ta kesh në dispozicion dhe mund ta konsumosh?  Jo, o zotëri, më fal, por nuk ndodh në jetë.

Pjekuria është pikërisht për t’i pranuar në dialog me realitetin, kufijtë, refuzimet dhe frustrimet. Brenda shoqërisë, nuk jemi në lirinë e botës sonë imagjinative.

Edhe mua, më pëlqejnë kur i shoh me sy, së paku nga 20 femra magjike në ditë, por nuk mund t’i kam në dispozicion për t’i ushqyer fantazitë e mia. Të thashë miqësisht harroje atë punë dhe tani mos insistoi duke më ushtruar shantazh… pranoje, që Jo-ja, është Jo! Okay dhe mos ekzagjero?

Dakort, Sherif, mund të shihemi apo mos të shihemi kurrë… fati do e vendos, më tha Ginsbergu! Ah, motherfucker, çfarë idioti, me ka futur tani, në një pozitë morale pak delikate. Dihet që jam i vendosur dhe krejt i qartë, si me veten, si me të tjerët, kjo nuk do mend, por tani, duke e ditur sesi sillet dhe si vepron ai poet bitnik, i pa limit, me droga, alkool, deliriume psikologjike, vizione të ndryshme, luhajtje të papritura… i thashë vetes, nga ana malësore e burrërisë, trashëgimia e Odave: – Po tani mirë, ti je i njoftuar dhe i informuar… e njeh deri dikund Ginsbergun. Po nëse i teket për ta asgjësuar veten tani, me akumulime drogash, farmacish dhe alkoolesh, ose nëse hidhet nga ballkoni i hotelit nga dëshpërimi… kush ta garanton veprimin e atij të çmenduri total? Por ti, do ta ndiesh vetën bashkëfajtor moral, pastaj! E ka zhdukur nga jeta tokësore Papën e bitnikëve amerikanë, një malësorë albanez i pa shpirt, nga Valbona… Bullshit Men! Më duhet për ta gjetur një skenar i pranueshëm…

Desha një herë për ta shpëtuar Jean Luc Godardin, duke ia ofruar shoqen time spanjolle dhe tani më ndodhi e njëjta sfidë delirante me Ginsbergun. Nuk jam psikologu i dynjasë që ka rrëshqitur komplet, që e ka lënë rrugën e Zotit. Ta thrras një herë, Bajraktarin e Junikut, për ta pleqëruar këtë problem serioz, me pleqët e urtë dhe përfaqësuesit e fiseve Gashe, Kelmendi, Krasniqi e Berishë… Dhe me erdhi një improvizim surrealist alla Sherifi!

I thashë Allenit, jo Woodyt, por tjetrit: “Shiko, e kam një propozim alternativ, nëse pajtohesh, por më premton që do sillesh si burrat me dinjitet, okay, se përndryshe, do të hanë kalukënxha!

Po, fol mister Sherif…

– Prit e ta vendosi revolën që ma ka falur Clint Eastwoodi – 357 magnum, në brez, se jam malësor, o zotëri! Ha, ha, ha…

Më tha: – Nuk e kam vetëm unë, një burmë mangu!

– Mirë e ke, por varet e cila burmë? Të miat janë të pa dëmbshme për mua, as për të tjerët.

Tani, me ta gjetur një partner Iks, sa për ta kaluar mbrëmbjen, a do të qetësohesh?

-Po, po, por ku?

– Eja me mua miku im, se do ta zgjidhi unë atë punë.

Dhe u futëm të dy, në lagjen Paris 4 – Le Marais, ku janë të gjitha kafet, klubet dhe baret Gay të Parisit. Dhe ju hyra me rrallë, duke i pyetur të gjithë klientët e tyre: «A e njeh dikush Papën e bitnikëve amerikanë, zotin Allen Ginsberg”? Dhe për fat, po themi 10 deri në 20 për qind në maksimum, e njihnin si emër, por nuk e kishin pa si figurë. Dhe ju thoja: “Ja ku është, ai tipi, ulur në këtë vend…” dhe shumica prej tyre u zhgenjenin, sepse ishte me të vërtetë një njeri i pa sharm, për pak mund të thuash, i shëmtuar për nga aspekti puro fizik, krejt e kundërta me Jack Kerouakun. Dhe tani, 90 përqind prej atyre që e njihnin si emër, edhe pse e admironin shumë si poet, e refuzonin çdo aventurë praktike me të, kur e shihnin me sy, sepse nuk ju pëlqente pamja e tij dhe pikë, çka kuptohet! Për fat, një pakicë e pranonin kundër një shpërblimi financiar, duke e adhuruar emrin e tij, si ikonë planetare.

Kur i thoja: “Ja Allen, ky tip a po të pëlqen, se në parim është dakort me e kaluar gjithë mbrëmbjen me ty, e kam rregulluar unë vetë me të atë farë çështje”? M’u përgjigjte: “Ah po, tek është super, ma prezanton” dhe kur vinte, ia fuste në xhep 100 dollarë, duke ia paguar pijet dhe darkën. M’i jipte edhe mua 100 dollarë, si shenjë falënderimi dhe mundimi, duke më thënë “rezervoje një eskortë miku im”

Eh, të marroftë Zoti… e di unë se çka mund të bëj!

Dhe kështu, e kishim gjetur një farë mirëkuptimi së bashku dhe një modus vivendi…

Shyqyr, që nuk e kam pas prezantuar atë tip, në Odat e Malësisë dhe ato të Kosovës!

Por në Prishtinë e kishte një fans absolut në ato kohëra, ku vëllai i poetit mjaft të mirë, Xhevdet Bajra, që emigroi ku me e ditur pse, tek kartelet meksikane, me emrin Fadil, i kishte lexuar disa herë me plot pasion, veprat e tyre dhe përkthyer pastaj në shqip. Kurse, në Tiranë, nuk e di se kush është marrur me literaturën bitnike?

Pastaj duhet pa se çfarë niveli kanë edhe përkthimet në shqip, se është një botë komplet jashtë të gjitha kodeve tona shqiptare dhe aty, nuk mund të luhet shumë.

Nëse vjen me idenë për t’i kodifikuar, kornizuar dhe zbutur në gjuhën shqipe, kinse për t’i bërë të pranueshëm për lexuesin shqiptar, e ke masakruar komplet veprën e tyre dhe është diçka skandaloze dhe e pandershme në aspektin artistik.

Një ditë, nga viti 2012, më duket, isha tek Hotel Grandi i Prishtinës, duke pirë kafe me mikun tim dhe të shtëpisë, ngaqe e kemi pasur mysafir në Bruksel, zotin Nazmi Rahmani, të cilin e dua shumë dhe e konsideroj simbolikisht, gati si babain tim në Prishtinë. Dhe po më thotë: “Ja ku e ke ulur atje matanë, Fadil Bajren, i cili ka përkthyer të gjithë bitnikët amerikanë”. U çova për ta përshëndetur dhe i thashë: “Më prit pak këtu, merre një kafe, se pas ca kohe, do vij me diskutuar me ty, këtu në tavolinën tënde. Besoj që ke për t’u befasuar”! Dhe kur u nda Nazmiu me mua, shkova tek Xhevdeti dhe ia shpjegova në detaje marrëdhënien që kam pasur me Allen Ginsbergun në Paris. U gëzua, u emocionua dhe u përqafuam instinktivisht…

Waouw tha: “A është e mundur? Një shqiptar që ka qenë i afërt me Ginsbergun? A e dini që unë i kam kult ata autorë bitnikë. Folëm për ta në detaje miku im! A je i lirë sonte, se kam me të prezantuar tek disa shokë të mi, që merren me rockun, popin dhe rrymat bitnike amerikane në Kosovë?  I thashë, okay my friend, por a ka asi tipash në Prishtinë?

– Jo si ti, nuk ka, por ka njerëz që i duan ato lloj stilesh edhe këtu tek ne! Dhe më çoi në të gjitha kafet dhe baret pak më alternative dhe mund të thuash underground të kryeqytetit të Kosovës, bile më kujtohet ajo kafja ‘Joni’, përballë kampuseve të studentëve. Ishte një klientelë rock dhe pop e viteve 70, me atë lloj muzike në sfond dhe mënyrë komunikimi. Kudo që hyjshim, me prezantonte Fadili “eh shikoni mirë këtu… po ua prezantoj mikun tim të ngushtë ose kushëririn e Allen Ginsbergut” Ah, gjenial… por e ke njoftur personalisht, si ka qenë, çka të ka thënë, a po e merr një pije alkoolike prej meje, a do pak hashash, për t’i rikujtuar ato vite fenomenale? Futu në atmosferën e duhur bashkë me ne, o burrë!…

– Jo, jo, faleminderit, ju dua shumë o miq, por vetëm mazë, kajmak, djathë dhie dhe verë të kuqe franceze! Ha… ha… ha… ha…

-Po pse, nuk kunsumon drogë dhe alkool, si bitnikët dhe rockmenët?

-Jo, vetëm verë franceze të nivelit të lartë dhe të shoqëruar me ca meze. Por mos u merzitni, o bashkatdhetarë të dashur, se më kanë pas konsideruar të gjithë në ato kohëra, si personin më të droguar, mes gjithë të droguarëve, por pa drogë, ngaqë, ma prodhonte vetë truri im drogën që m’u nevojiste mua, për të qenë në formë dhe i frymëzuar… isha me një fjalë ekspesioni i Parisit!

Waouw, gjenial… hajde e pije një whisky, që na more fytyrën, pa e pi asnjë gllënkë alkool… provoje këtë raki, se je i vetmi malësor, që ke ndejtur me Ginsbergun. Dije që na ke nderuar të gjithëve!

Faleminderit për respektin o burra dhe ma bëfshi natën e mirë!

Po çka je ka thue more, se nata po sa ka filluar!

Ishte ora 2 pas mesnatës…

Eja të shkojmë tek një mik i yni dhe arritëm tek Ari te diskoteka ‘Depo’.

Dhe kur më prezantuan atje, më tha bossi: “Gjenial, se unë e di se kush je, mirë se ke ardhur o Skënder, super… rri i qetë dhe je i ftuar nga unë sonte. Po t’i prezantoj disa njerëz, shokë dhe shoqe interesante… çka do me pi… dhe më thuaj se çfarë bari përdor (ishte fjala natyrisht për drogë), se këtu kam gjithçka në dispozicion.

Faleminderit zoti Ari, por vetëm një ujë, një verë të mirë me pak çipse, mjafton. Për sa i përket barit, përdori vetëm erëzat e kuzhinës!

Më thuaj kënd ke takuar për nga afër, o burrë, prej këtyre artistëve dhe personalitetëve, se është fantazi kjo punë… për ne është një përvojë dhe pasuri e madhe shpirtërore dhe intelektuale.

«Po të kuptoj, kam njohur Nebi Hoxhën, Brahim Bamin, Zef Delinë, Gjon Balën, Hamëz Bajramin, Fatime Ramën, Raz Dautën… por edhe Lenny Kravitzin në Paris, nganjëherë në bare dhe night klube speciale, Mick Jagger, Keith Richards,  David Bowie, Lou Reed e plot të tjerë, por nuk më kanë lërë ndonjë përshtypje, sepse ishim vetëm duke ndarë formula politese të rëndomta, apo duke i cingërruar gotat së bashku… diçka siperfaqësore apo protokollare”!

Në ato kohëra, vinin të gjithë pa roje apo bodyguard, në një liri krejt spontane, diçka e pakonceptueshme sot, ku nuk mund t’i afrohesh as Rita Orës, pa i kaluar 5 bariera me roje-idiotë në krye. I vetmi problem ishte për të hyrë në ato klube, por me një mik apo kumbarë që ishte i abonuar, u zgjidhte ajo punë dhe dikur të njihnin edhe ty si emër apo si figurë. Jam miku apo kushëriri i filanit, me ka rekomanduar Kolonel Muharrem Bajraktari!

«Ah, je i madh… me vdekur duke qeshur, merr çka të duash, prej meje! Provoje këtë duhan pak special këtu, tufate dy-tri herë. Je i mirëpritur kur të duash tek unë, a more vesh».

Okay thanks. All the best my friend, George Best! See you soon on the Moon…

Nuk e kuptoj, pse nuk më ka ftuar Armstrongu për ta ndarë atë moment unik dhe historik me të? Kam ëndrruar gjithmonë për të qenë i lehtë si fleta, për t’iu shpëtuar ligjeve gravitacionale… një farë flotimi në Kozmos, me muzikën e Pink Floyd, të Chopenit, të Mahlerit, të Mozartit, të Maria Callasit. Let’s go, DJANGO!

Ishin 32 vite që nuk e kisha shkelur Kosovën me këmbë, që nga fundi i vitit 1980. Më pat thënë me kohë Rugova: “Mbaje mirë në kujtesë, që pas meje, nuk do merret askush me ty në Kosovë, fatkeqësisht për ty… sepse, vepra dhe personaliteti yt i pëngon! Mediokriteti nuk e duron talentin dhe inteligjencën autentike, ngaqë e fut nën hije, e asgjëson, a po më kupton”?» -Po, po, Ibrahim… merre një birrë!

A të shkojmë për ta ngrënë një pulë të pjekur tek 3 sheshirat?

E kisha lënë një takim fiktiv me ministrin e anti-kulturës, një farë Astrit Haraçiu dhe  i thashë, nëse e ke mundësinë, nuk do ishte keq për ta financuar ndonjë përkthim dhe botim të një vepre timen, sepse mendoj bashkë me Rugovën dhe disa të tjerë, që mund t’i duhet dikur kombit dhe më specifikisht gjeneratave të reja shqiptare. Dhe tek e fundit, Ministria e Kulturës shërben për këto raste. Është funksioni i saj! M’u përgjigj: “Zoti Sherifi, nuk është vepra e juaj, një prioritet për ne dhe kemi mjaft preokupime të tjera më urgjente nëpër Kosovë”!

Dakort, e kuptova mesazhin e zoti minister që ishte angazhuar për të financuar pjesmarrjet në ‘Miss Albania’ apo ndonjë mbrëmbje private për qejf. Më vjen shumë keq për kulturën shqiptare dhe është diçka e dhimbshme. Diten e mirë, se nuk kemi çka me ndarë së bashku! Po ashtu, më pat thënë dikur edhe Ylli Pango në Shqipëri… dhe i kam harruar ministritë tona shqiptare, duke ua kuptuar shumë mirë logjikën dhe psikologjinë e veprimëve. Nuk jam personi i duhur për ata, me profilin që ju korrespondon atyre, për t’i zbatuar disa dredhina dhe manipulime të ndryshme, duke më përdorur mua si alibi, me herë do kur, një pikë kontrolli dhe shantazhimi të mundshëm ndaj personit tim. Pra, nuk jam ndonjë servil krejt i bindshëm dhe i cili ua ndjek perfekt kodet e komunikimit dhe të sjelljeve! Bile e kam pyetur vetën: për çka shërben Ministria e Kulturës tek ne?

E pse shqiptarët, por edhe belgët në realitet i frigohen aq shumë inteligjencës dhe talentit autentik? Pse çdo president apo kryeministër rrethohet automatikisht me njerëz të rëndomtë, banal, pa dimension, të cilët e ndjekin verbërisht pa e diskutuar fare dhe i servilosen duke i thënë – amen – në çdo minutë? Prandaj e kam një respekt për mbretin Zog, i cili pavarësisht nivelit të tij intelektual, e ka pasur një sens politik intuitiv të fortë dhe ka pasur përreth tij, njerëz të kalibrit të lartë profesional dhe kulturor. Dhe ai nuk ju ka frikësuar gjithë asaj inteligjence, por e ka përdorur me një farë mjeshtërie. Kurse sot, takon vetëm klouna robotikë dhe patetikë dhe i thua vetes… a këta janë në pushtet për ta përfaqësuar kombin tonë?

Po e shoh një fund pasditje, në errësirë, rreth orës 7 apo 8, një vajzë bionde, tip Marilini super seksy, një bombë provokuese erotike dhe seksuale, me një minifund radikal, ku iu dallonte prapanica e ruajtur vetëm me një string. Konkretisht, kjo gjë tingëllonte si me dalur në mes të qytetit me bythë jashtë, të lira për t’u admiruar nga gjithkush. Dhe u ndal për ta pritur një autobus, atje poshtë afër qendrës rinore, ku ka qenë dikur Rilindja. U mendova dhe i thash vetës: ‘po pse e vepron ajo vajzë sublime ashtu, me atë lloj radikaliteti provokues, çka nuk e sheh as në Bruksel, pra kryeqytet evropian? Kjo sjellje është e qëllimshme, për t’i shokuar njerëzit, për t’i ngacmuar, provokuar, për t’ua zgjuar epshet bazike primare dhe pastaj tingëllonte gati si një thirrje indirekte – ja ku jam Motherfuckers, nëse e keni guximin për të m’u afruar. Po si mund të reagonte pastaj, nëse dikush do ja bënte një propozim direkt apo t’ia vendoste dorën aty ku nuk duhet”? Një fjalim mbi feminizmin shqiptar?

Do bënte një krizë nervore dhe do e shante gjithë botën mashkullore? Dhe i shkova për afër me delikatesë duke i thënë: “Më falni, o vajzë, por jam një poet frankofon me origjinë shqiptare nga Brukseli e Parisi dhe desha sa për informimin tim, vetëm për t’ua shtruar disa pyetje krejt miqësore dhe me plot respect:?

– Po, çka doni për të ditur?

– Shiko, unë kam lindur gati në metropolet europiane dhe nuk kam pa akoma vajza, të cilat paraqiten me këtë stil ekstrem nëpër rrugët e qytetit, dhe pra, janë më të emancipuara në çdo aspekt sesa këtu, të më besosh! Pra, çka do me thënë për ty kjo sjellje.

– Po pra, dua me i provokuar, me i citur mendsh dhe me ua refuzuar të gjithëve çdo propozim… le të kopin nga inati! Dua me ju bë me kuptuar, ja ku jam super seksy, por nuk dua për t’iu ofruar asgjë, more horra muti! Sepse, të gjithë meshkujt shqiptarë janë të poshtër, vetëm me abuzuar me ty, me të përdorur dhe me të gjuajtur si një lëvore.

Dakort me ty globalisht o vajzë, porse metodologjia e jote e veprimit është komplet e gabuar dhe nuk e arrin rezultatin e duhur… sepse provokimi dhe skandali, do e shkaktojnë herët apo vonë një delikt, të cilin ti do ta denoncosh me furi të plotë, porse ndërkohë do jesh ti viktime e tij… ngaqë me këtë stil, ti po e bën gati një apel indirekt për ndonjë dhunim. Mos harroni, aq më tepër kur jeni në botën shqiptare.

Tani, mund t’i shpalosi disa teknika të tjera veprimi, por kjo varet nga objektivat e tu, mirëpo, donë pak kohë për t’i sqaruar dhe jemi të nxënun dhe në lëvizje.

Por ma thuaj një gjë, e nderuar: kur kthehesh tek shtëpia e jote, si reagon familja? Me kënd jeton?

– Nuk thojnë asgjë. Jam me babën, nënën dhe gjyshen. Çdokush është në punën dhe jetën e tij, përshëndetemi, e përballojmë rutinën e përditshme, por nuk kemi ndonjë dialog më të thelluar. Ata janë në botën e tyre dhe unë, në atë timën… të cilën natyrisht nuk e kuptojnë fare dhe nuk ju takon. Janë gjërat e ndara dhe nuk i ndërhymë njëri-tjetrit në privatësinë intime.

Po mirë, a hani së bashku? Po nëna dhe gjyshja si janë të veshura dhe si reagojnë kur të shohin ty, ashtu siç je?

– Nuk reagojnë, nuk thojnë asgjë, por e di që nuk ju pëlqen fare, por me lënë të lirë, me ba çka të dua unë. Nëna ime kuzhinon dhe i bën punët e shtëpisë, gjyshja e mban akoma shaminë… hamë të gjithë së bashku, folim për banalitetet e ditës dhe pikë! Çdokush e ka jetën e tij… thats it!

Okay, shumë faleminderit, ti vajzë… e kuptova, duke ta ditur ty për nder këtë bisedë, që në realitet nuk ndani asgjë të thellë, shpirtërore dhe serioze brenda familjes. Jeni vetëm së bashku mekanikisht për nevojat rutinore të jetës, për t’i respektuar deri dikund zakonet, për t’ia lehtësuar edhe vetes peshën ekonomike dhe financiare, por jeni shpirtërisht të ndarë dhe të izoluar çdokush në botën e tij, brenda një pseudo dialogu, i cili është vetëm një monolog me veten, për ta shprehur moskuptimin dhe vetminë, në të cilën jeni të gjithë të zhytur. Pra, jeni komplet të huaj njëri për tjetrin, por jeni së bashku, mirëpo ju bashkon teorikisht dhe fiktivisht ajo lidhje gjenetike dhe biologjike familjare, në bazë të kalkulimëve dhe interesave praktike… kaq!

Tani, po e kuptoj se deri ku paska arritur ndarja mes gjeneratave në Kosovë dhe më në përgjithësi në gjithë botën tonë shqiptare.

Moskuptimi dhe mos dialogimi tragjik mes tyre, me atë kontradiktë, që ne jemi akoma të varur nga disa rrethana më arkaike, atavike dhe zakonore, të cilat i kemi të shënuara dikund në subkoshiencë, në një praktike familjare të caktuar, kështu që nuk jemi komplet individualistë të çliruar dhe të dekompleksuar, sikurse në Europën e Përendimit, ku çdokush mundet për t’i thënë të tjetrit lehtësisht, që nga mosha 18 vjeçare… “Lamtumirë, se po iki tani në punën time dhe nuk dua më me ndarë asgjë me ju”! Është një pozicionim pak më i qartë, i sinqertë dhe racionalë tek e fundit, pavarësisht a është i drejtë apo i pa drejtë? Mirëpo, ne na lidhin shumë gjëra alla shqiptare, të cilat burojnë nga lashtësia jonë dhe e kemi më vështirë për t’i injoruar…

Tani, kjo humnerë mes gjeneratave shqiptare është me të vërtetë preokupuese. Sepse, jemi së bashku, pa qenë fare të bashkuar dhe të mirëkuptuar! Çdokush në planetin e tij, duke e ndarë të njëjtin kulm, kuzhinë, sallon e tavolinë, por plot kontradikta dhe komplet të vetmuar, se tek e fundit, çka jemi duke ndarë objektivisht së bashku? Konkretisht, më thoni: çka e lidh çiftin e Kadaresë, Agollit, Arapit, etjerë me rininë shqiptare të sotme, me atë të kampuseve universitare, me atë të bllokut dhe çka kanë për të ndarë mes veti? Në realitet, absolutisht asgjë! Po ashtu, çka e lidh Ali Podrimjen, Azem Shkrelin, Din Mehmetin, Esad Mekullin, Enver Gjergjekun, Sabri Hamitin me rininë e sotit në rininë e Kosovës? Asgjë! Mirëpo, problemi është që këta të rinj, janë siç janë, janë djemët dhe vajzat tona, tek e fundit dhe i kemi disa detyrime morale dhe familjare ndaj tyre… apo jo? Atëherë, shtrohet pyetja elementare dhe legjitime, bile shumë me rëndësi dhe thelbësore se “kujt i adresohen gjithë këta krijues, pra, autorë, kineastë, dramaturgë, piktorë” kur rinia e Shqipërisë dhe e Kosovës, nuk i shijon, nuk i konsumon, nuk ju intereson fare, ngaqë e kanë mendjen dikund tjetër në New York dhe në Londër…

Pra është pak problematike në aspektin puro njerëzor dhe moral, sepse do me thënë: po e anulojmë direkt që në fillim 60 deri në 70 përqind të popullsisë tonë, kinse nuk ekzistojnë fare apo nuk janë prezent me ne, në të njejtin shtet! E pra, unë kam pas menduar ndoshta gabimisht, që artisti e ka për mision logjik dhe prioritar etik, për t’iu adresuar popullit të tij së pari, dhe për të ndarë diçka me të… e pastaj gjithë botës së jashtme! Sepse, arti e ka një funksion komunikues, nuk është aty krejt kot. Por, e asimilova mirë, përballë realitetit që e pashë me sy në Prishtinë, Gjakovë, Pejë, etjera vende, që gjatë luftës së Kosovës dhe pas luftës, me gjithë ato ngjarje tragjike, evenimente çrregulluese që kanë ndodhur brenda shoqërisë dhe familjeve, nuk do shumë mend, që kanë eksploduar komplet kodet dhe normat tona shoqërore dhe familjare, ngaqë kemi qenë në një kontekst ekstrem mbijetese, lufte, dhunimi, mohimi, kërcënimi, okupimi, diktimi… dhe kanë ndodhur plot fatkeqësira, devijime e çka të doni… tolerime, dhunime, prostitucione, bashkëpunime, rezistime, etjera. Por të gjitha këto ngjarje të dhimbshme dhe të padëshiruara, kanë lënë pasoja të mëdha dhe të pashërueshme në mbarë shoqërinë dhe brenda familjëve kosovare, ku mbijetojnë akoma traumat, heshtjet, nëntekstet, vuajtjet shpirtërore… etjera. Dhe ne nuk e kemi zakon për të shkuar tek psikologu, për t’i shfryrë me fjalë. Mirëpo asgjë prej këtyre përjetimeve tragjike, ekstreme ose të padrejta, të diktuara nga forca, dhuna apo dëshira për të mbijetuar, nuk janë shprehur, pleqëruar, vajtuar, diskutuar, analizuar, pajtuar, falur, kuptuar, asimiluar… sa për të kaluar tani gjithë së bashku, por të mirëkuptuar mes veti, të paqëzuar dhe të pajtuar, në një kapitull të ri të ekzistencës sonë shqiptare.

Pra, nuk e kemi përjetuar atë katarsis kombëtar dhe duke heshtur çdo gjë, kanë ngelur të gjitha ato elektroshoke dhe kujtesa të shënuara në subkoshiencën tonë kolektive, por herë do kur, do shprehen brenda shoqërie. Prandaj përballemi me aq shumë kontraste, kontradikta themelore, paradokse të papara, porse i pultojmë dhe na duken krejt normale. Dhe jetojmë në realitet, pa e kuptuar as veten në thellësi dhe aq më pak të tjetrin pranë nesh dhe së pari, ata me të cilët jetojmë përditë… çka është me të vërtetë diçka absurde dhe e dhimbshme, e cila na afron me teatrin absurd të Beckettit, Ionescos, Alfred Jarry, Arrabal ose të mikut tim Anton Pashku, i cili do ta ketë asimiluar këtë realitet tragjik shqiptar. Unë, me ato konfuzione që i kam pasur vet në jetë, jam shtrirë disa herë tek divani i mikut tim psikoanist Jacques Lacan, i kam nxerrur disa gjëra toksike jashtë vetes. Por më dhimben bashkatdhetarët e mi shqiptarë, sepse nëna ime thotë shpeshherë: “Ky komb i yni është komplet për psikiatri” dhe në thelb, e shoh që e ka shumë me të drejtë. Dhe nuk e thotë fare për qejf, por nga dhimbja, sepse e kupton mirë, që diçka esenciale tek ne nuk funksionin siç duhet, dhe nuk është në rregull. Për të mos e humbur krejt fillin si të luajtur mendsh, le t’i rikthemi me not dhe 110 metra me pengesa, poetit tonë amerikan… se ‘kur humbin mendt, humbin dhentë’.

E imagjinoj Ginsbergun në një skeç dadaist provokativ përballë ‘Mërgatës së Qyqeve” të shokut Nasho Jorgaqi me pseudonimin që i kishte vënë Sigurimi i Shtetit, ‘Dargoi’. Tani, për ta pasur një vizion pak më global dhe linear kronologjik mbi këtë autor, ta dini që ka lindur në Newark (New Jersey) afër aeroportit me 3 qershor 1926 dhe ka vdekur me 5 prill 1997 në New York. Ka qenë hipik, bitnik, pacifist, homoseksual, budist, rock dhe pop, jazzmen, kokainoman dhe hashishoman, alkoolist, e të tjera… Babai i tij, Louis Ginsbergu ka qenë afërsisht normal, profesor anglishteje dhe poet klasik, kurse nëna e tij Naomi, ka qenë një militante komuniste e flaktë, por e cila ka përfunduar në psikiatri.

Pra bota e Allen Ginsbergut ka ushqyer dhe përdorur me shumë mjeshtëri, të gjitha këto elemente, kundër babait të tij, dhimbja ndaj nënës që e donte dhe admironte, ngaqë ajo e mbronte dhe e përkëledhte, përkatësia e tij hebreje dhe simbolika e saj speciale, siç e ka perceptuar bota mbarë apo mprapshtë dhe pastaj të gjitha çrregullimet dhe devijimet e tij, që përbejnë një katalog në vete. Por e ka pasur një luhatje gjeniale, një intuicion superior ndaj të tjerëve, sepse iu ka paraprirë modave që do vijnë në fuqi, e ka kuptuar se kah do shkonë evolucioni artistik i botës. Dhe është frymëzuar nga muzika (rock – jazz dhe pop por edhe country me balada) nga filmi dhe i ka bashkuar gjeneratat bitnike, pra shokët e tij, me këto të hipikëve (të cilët do e përbëjnë pak më vonë Woodstockun) pra, gjithë vitet 1950 dhe 1960… do me thënë 20 vite eksperimente të llojllojshme, gjer në ato pak më underground. E këtu, më ka pëlqyer ky poet jashtë mase dhe ia heq kapelën, sepse, ka qenë me të vërtetë vizionar, revolucionar dhe multidimensional. Pak kush ka mujtur për t’i bashkuar rreth tij aq shumë krijues super origjinalë të ndryshëm, me Gregory Corso, Jack Kerouakun, William Burroughsin, Neal Cassady apo Bob Dylanin, sot ikonë planetare dhe me çmim Nobel të Letërsisë. Bravo i qoftë!

I vetmi tip që e ka arritur atë dimension në Amerikë, ka qenë Andy Warholi, i cili ka bashkuar plot gjeni të ndryshëm rreth vetes, në fabrikën e tij të famshme në N.Y. që quhet «The Factory of New-York» … Kurse tek ne shqiptarët, është absolutisht e pamundur për të bashkëpunuar njëri me tjetrin, në një mënyrë konstruktive dhe të gjithë mendojnë që janë kryemjeshtra gjenialë, pa asnjë vepër universale, çka më bën për të qeshur, kur i mendoj të gjitha personalitetet franceze madhore, që ua kam përshkruar deri tani… Krahasojeni 5 minuta të kaluarën, biografinë e tyre jetësore dhe veprimtarinë e tyre, plus edhe veprat analitike që të tjerët specialistë i kanë shkruar mbi të gjithë këta krijues apo intelektualë të rangut të parë, që kanë qenë me përmasa, jo vetëm franceze, por edhe planetare dhe do e kuptoni se sa larg jemi… pos me narcisizëm, show dhe mitomani! Mjaft i degjeneruar ka qenë Ginsbergu në stilin e tij të jetës… krejt dakort me ju, çka nuk më pëlqen as mua natyrisht gjer në atë shkallë. Por nuk jemi moralistë, as prokurorë shteti tek e fundit dhe jemi të gjithë të rritur dhe të vaksinuar, në mosha të pjekura, për të ditur me i ndarë gjërat siç duhet. Tani, kur ja sheh veprimtarinë, jetën, eksperiencën që ka akumuluar, influencën që e ka pasur si poet dhe si lider ikonik i bitnikëve, në Amerikë së pari dhe pastaj edhe në Europë… a mundesh për ta mohuar dhe denigruar gjithë veprën e tij? Më thoni tani, se cili poet shqiptar, nga Tirana, Prishtina, Shkupi apo Tetova mund të rezistojë me dinjitet përballë tij, me atë fuqi inovuese dhe rëndësi historike?

Kur Allen Ginsbergu boton veprën e tij emblematike, e cila do ketë një jehonë planetare ‘HOWL’ ose ‘Britma’ në 1956, do jetë e ndaluar nga shitja, pra e censuruar, ngaqë konsiderohet tepër vullgare dhe amorale. Kështu, që e krijon një debat publik të ashpër në Amerikë, me ata që janë pro dhe kundër këtij vendimi, në bazë të amendamentit të parë të kushtetutës amerikane dhe një gjyqtar më  në fund e lejon veprën e tij duke shtuar që ka qenë e rëndësishme dhe emblematike, në lidhje me kontekstin e asaj epoke. Mirëpo, megjithatë, Allen Ginsbergu ngelet nën mbikëqyrjen dhe presionin e FBI-së, amerikane, e cila e konsideron këtë anarshist, si një person i rrezikshëm për sigurinë e brendshme të shtetit. Nga vitet 1959,  e thellon një miqësi me Timothy Leary (eseist, psikolog dhe guru i rrymës psikedelike) dhe John Cunningham (po ashtu psikoanalist, mjek, neurolog dhe guru) të cilët predikojnë në një mënyrë të pjekur dhe të kontrolluar, përdorimin e drogave që janë pozitive për zgjerimin e koshiencës njerëzore dhe perceptimin e ca horizontëve të reja. Dhe do e provojnë drogën në modë në atë epokë, LSD-në…

Pastaj, heroinë, kokainë e çka të dhuash, pa i harruar siç vepronte edhe poeti mjaft i njohur francez Henri Michaux, përdorimin e kërpurdhave halluçinogjene si Peyotl, që e njihnin shumë mirë fiset indiane dhe magjistarët e Amazonisë. Pastaj, në një mënyrë krejt të natyrshme, Ginsbergu bëhet militant aktiv dhe merr pjesë në disa protesta kundër luftës së Vietnamit, kundër diskriminimeve seksuale, përkrahës i grupeve të majta komuniste, të cilat perceptohen si pro bolshevike, pra pro ruse dhe si pasojë, si armiq të Amerikës me modelin e saj kapitalist. Dhe militon për përdorimin pozitiv të drogave. Në një periudhë delikate të Luftës së Ftohtë, ndarjes së hekurt dhe kundërshtimit në dy blloqe antagoniste, ku disa veprime mund të tingëllonin super keq dhe do figuronin detyrimisht në dosjet e Ministrisë së Brendshme për sigurinë e shtetit…

Allen Ginsbergu fillon një seri udhëtimesh në Meksikë, Indi, Japoni, Kinë, Rusi, Kubë, Marok dhe Çekoslovaki, (shtete të cilat nuk ishin miq natyrorë të Amerikës). Kështu bëhet një lloj dishepulli i një guruje të njohur, master i budismit nga Tibeti, zoti Chögyam Trungpa Rinpoché dhe nga vitet 1970 lidhet me disa poetë bengalezë të Kalkutës në Indi. Pastaj nga vitet 1960, boton veprën e tij të dytë emblematike me titullin ‘KADDISH’, si një lutje apo vajtim i gjatë poetik, kushtuar nënës së tij Naomi, viktimë e flijuar e një ekzistence të ushqyer me ideale, ëndrra por komplet jashtë realitetit shoqëror… libër i frymëzuar nga tradita antike e hebrejve, të cilët ju dedikojnë lutjet e tyre të vdekurve. I shkruan veprat e tij natyrisht nën ndikimin e disa drogave apo substancave haluçinogjene. Dhe nuk e kuptonte pozicionimin tim, kur i thoja që unë vetë nuk përdoi asnjë drogë, për arsyet që tani dihen…

“Okay men, take it easy… it’s not so clear, but i accept your theory for yourself”!

“Thanks Allen, take 5 qofte dhe një raki rrushi from Albania”!

Konkuron si finalist për çmimin prestigjioz Pullitzer me librin e tij, Cosmopolitan Greetings, poezi të vitëve 1986 – 1992, por e fiton një vit tjetër. Globalisht, poezia e Ginsbergut konsiderohet simbolikisht nga opinioni publik si një lloj «manifesti i Beat Generation» sepse është lideri natyror i asaj rryme dhe figurë ikonike. Thuhet që ky vetë e ka propozuar slloganin e gjeneratës së hipikëve amerikanë ‘Flower-Power’ ose ‘Pushteti i Luleve’, si simbol paqësor. Bile, ajo lëvizje ka pas lindur në San Francisko në vitin 1967 «Summer of Love» ku vinin të gjithë të stolisur me lule, me muzikë dhe dashuri, në çdo qoshe të rrugëve dhe të parqeve. Me siguri, mes influencave të tjera që i kam të incizuara në backgroundin tim intim, jam edhe unë dikund, një kushëri i largët albanez i tyre, sepse ma kanë lënë patjetër një gjurmë të pashlyeshme edhe mua. Dhe më duhet moralisht, për t’i falënderuar dhe për t’i ftuar në një kafe, një gotë raki dhe për t’ua hedhur një kuti me duhan, sipas zakonit malësor.

“Eja Xhevahire Sadria, se na kanë mësy një tufë të droguarish tek shtëpia… por janë të gjithë artistë… le t’i presim me nder siç duhet dhe lutu për ta, a mos do ju rivijnë mendt për së mbari, në vendin e duhur!

“Mirë se vijnë… shtëpia është tempull i hapur… Zoti i do artistat… por duhet për t’ua lehtësuar mundësisht problemet e tyre shpirtërore dhe tokësore, se janë në luftë me veten dhe me gjithë botën, e cila nuk i kupton”.

Bravo, se ke nderuar trojet shqiptare! Nuk jam aspak i sigurt që ndonjë profesorë, doctor, akademik, do na i kishte thënë këto fjalë aq të urta, të thella dhe të qëlluara, me aq thjeshtësi humane.

Allen Ginsbergu e ka pasur një botë spirituale mjaft speciale, ashtu siç e ka përjetuar ai vetë, diçka jashtë rregullave institucionale. Për mua, është diçka interesant, e cila e kompleton vizionin që mund ta kemi mbi të, që mos ta reduktojmë vetëm në drogë. Në vitin 1948 në Harlem të New Yorkut, lagje pak speciale, duke i lexuar disa tekste të poetit William Blake, e përjeton një lloj «halluçinacioni auditiv» do me thënë që i vjen një zë tjetër nga jashtë… Fillimisht, mendon që është zëri i Zotit, por pastaj thotë që është zëri i vet poetit William Blake që ju ka paraqitur. E koncepton më vonë atë teorinë, që jemi të kapërcyer, të banuar ndoshta edhe pa e ditur nga ai zëri universal i kohërave të kaluara. Fenomen i cili sipas tij, e krijon një lidhje misterioze, një lloj interkonektimi njerëzor global dhe universal brenda Universit. Dhe përsëri këtu, ia heq kapelën, sepse edhe unë vetë, e kam pas perceptuar këtë lloj fenomeni, ngaqë kam deklaruar shpeshherë që e ndiej veten të banuar, të populluar, me një porosi të lashtë misterioze, etjera… dhe Ginsbergu e ka shpjeguar akoma më qartë sesa unë! Mirëpo, pasi që i ka pas ardhur ai fenomen në vitin 1948, por në një mënyrë krejt spontane, të natyrshme dhe të papritur fare, pra, të pa programuar…

Ai ka tentuar pastaj më vonë, për ta përsëritur atë gjë, për ta përjetuar akoma këtë eksperiencë unike, por me ndihmën e drogave… çka natyrisht nuk është njëlloj!

Pastaj, eksperiencën e dytë spirituale e ka me budizmin dhe me induizmin, lidhjet e tij intime me botën orientale. Që në vitin 1950, përmes Jack Kerouakut, miku i tij, do interesohet për filozofinë dhe spiritualitetin budist. Çka figuron edhe në librin kult të vitit 1958 të Jack-ut, ‘Kloshardat hyjnore’. Bile në vitin 1962 shkon Alleni në një pelegrinazh shpirtëror në Indi, bashkë me poetin Gary Snyder, figurë e rëndësishme e lëvizjeve bitnik dhe hipike, i cili konsiderohet si trashëgimtar i filozofisë poetike dhe natyraliste të Henri David Thoreau, e cila ka ndikuar edhe te Whalt Whitmani.  Do e takon gjatë atij udhëtimi edhe Dalai Lamën e Tibetit dhe atë adjudantin e tij, Rinpoché, të cilin do e pret edhe në New York në vitin 1970. Do e studion muzikën dhe këngën indiane në Benarès dhe pas vitit 1964, kur do performon në publik, do i përziej «mantrat indiane» pra, formulat apo lutjet e shenjta budiste, me tekstet e tij të një tjetër natyre. Gjatë vitit 1966 do lidhet me liderin shpirtëror të lëvizjes «Hare Krishna» zotin Abhay Charan De, të cilin do e prezantojë dhe promovojë në të gjitha festivalet hipike të muzikës. Në të njëjtin vit, gjatë xhirimit të filmit ‘Chappaqua’ të regjisorit franko-amerikan Conrad Rooks takon zotin Philipp Glass, një ndër muzikologët dhe kompozitorët më të njohur të gjysmës së dytë të shekullit 20, në fushën e muzikës inovuese dhe eksperimentale bashkëkohore, i cili është edhe ai me origjinë hebreje dhe i pasionuar ndaj budizmit tibetian. Tani, nëse e marrim parasysh veprimtarinë e Allen Ginsbergut, duhen cituar rreth 16 vepra të botuara me Poezi, mes të cilave:

Reality Sandwiches – 1963 – Sanduiçët (poetike) të përditshmërisë; Planet News – Lajme nga Planeti – 1968; The Fall of America – rrënja apo dështimi i Amerikës – 1973; Iron Horse – 1974; Plutonian Ode – 1980 – 82; Illuminated – 1996; Death and Fame – Vdekje dhe Famë – 1993 – 1997; I kemi pastaj dy vepra me korrespondenca dhe prozë; The Yage letters, me William Burroughsin – në vitin 1963; Deliberate Prose – vitet 1952 deri në 1995 – një seleksionim tekstesh në prozë.

Pastaj, çka shumë pak kush e din, Allen Ginsbergu e ka një karrierë kinematografike mjaft interesante, së pari si aktor (në 11 filma, që natyrisht nuk i ka pa askush, sepse janë vepra eksperimentale, si ato të Andy Warholit), ka dy pjesmarrje si skenarist dhe tri bashkëpunime si kompozitor muzike. Pastaj janë xhiruar 4 dokumentarë mbi jetën dhe veprën e tij. Disa filma, 6 në realitet, me një formë pak më fictive, por mbi temat ginsbergiane. Sikurse: «Beat (2000), I am not there – i regjisorit Todd Haynes (2007), Chicago 8 dhe 10 (në 2009 dhe 2010), pastaj Howl – të regjisorëve Rob Epstein dhe Jeffrey Friedman (2010) dhe Kill you Darlings, të regjisorit John Krokidas në 2013. Dhe më në fund, po ju informoj që Allen Ginsbergu e ka një diskografi mjaft impresionuese me 30 albume të incizuara me çdo lloj eksperiencash muzikore dhe poetike,  3 ose 4 prej tyre, me atë gjeniun muzikor që është zoti Philipp Glass.

Do e merr çmimin prestigjioz amerikan që e ndajnë nga një herë në vit, që nga viti 1950, për ta celebruar një autorë madhor ‘National Book Award’ për poezi në 1974.  E merr çmimin e Festivalit të Strugës – në vitin 1986. Pastaj medaljen Robert Frost në 1986 (çmim prestigjioz që jepet nga Shoqata e poetëve amerikanë, një herë në vit, prej nga viti 1930), Çmimin e Pacifizmit dhe Bursin Guggenheim të New Yorkut, që jepet që nga viti 1925, një krijuesi madhor amerikan.

Këto ishin kujtimet e mia me këtë figurë ikonike të poezisë botërore, zotin Allen Ginsberg. Dhe siç ua thashë që në fillim, akoma sot, më befason interesimi që ka pasur ai njeri ndaj meje, afërsia e tij gjatë qëndrimeve të gjata që bënte në Paris. Deri dikund e kam kuptuar, por jo plotësisht dhe do mbetet për mua çdoherë një pjesë misteri. Edhe pse kemi pasur kur e analizoj sot qetësisht me distancë disa pika të përbashkëta: anarshinë, lirinë e lirë, disa shenja spiritualiteti të afërta deri dikund, anën eksperimentale dhe miksimet e ndryshme multidimensionale, nuk është pak. Pastaj, me të tjerat veprime praktike në jetë, kemi qenë në një planet komplet të kundërt, nuk do mend, me një tjetër lloj edukate dhe me të tjera norma në jetë. Por e kemi gjetur një rrugë të mesme dialogu, me disa vështirësi dhe skenare të ndryshme, një lloj ekuilibri dhe siç duket, e kemi respektuar njëri-tjetrin për diçka tjetër të rangut intelektual, poetik, filozofik dhe spiritual, sepse, i kemi perceptuar me siguri, intuitivisht, pa pasur nevojë fare për ta shprehur me gojë, vlerat dhe potencialet që i kemi brenda nesh… kanë folur disa antena të tjera në vendin tonë!

 

Bruksel, 25 shkurt 2023 në Brukselm me muzikën si shenjë homazhi – “The Future” të Leonard Cohen. Do i korrespondojë për mrekulli veprës “Howl” të Allen Ginsbergut. Një revoltë apokaliptike, me fjalë radikale dhe një fuqi poetike magjike.

 

Please follow and like us: