Vath Koreshi: LULET E SË KEQES TË NJË NJË MALI TË GURTË
“Shënime për filmin “Lule të kuqe, lule të zeza” të regjizorit Mevlan Shanaj
1.
Një komunitet njerëzor pa gjeografi dhe identitet, vijë ndarëse midis gjendjes primitive dhe qytetërimit, pamje të një shkatërrimi të përgjithshëm dhe makthi i asgjësimit të jetës, humbja dhe shpresa për ringjallje, përbëjnë metaforën e skajit të së keqes, si një rrezik dhe paralajmërim për të mos arritur gjer atje. “Lule të kuqe, lule të zeza” i Mevlan Shanajt, episod pas episodi, na fut në meditimin për të shpjeguar një shoqëri në apokalips, si Shqipëria e vitit 1997, ku një pjesë e katastofës shpirtërore shpjegohet me përçarjen e pjesës së ndritur dhe pjesës së errët të njeriut. Kataklizmat e mëdha shoqërore janë një përzjerje e trembshme gjërash të mira dhe gjërash të këqija, në mesin e të cilave fare thjesht mund ta humbësh orientimin. Një ka vital i mezikapshëm nga burra të fuqishëm që e ndjekin, si metaforë e shansit potencial; një ka i therur keq me hanxharë të shtrembët e thika të paprehura nga kasapë që s’e njohin zanatin, si metaforë e shpërdorimit të shansit potencial; një bashkëshort i tradhëtuar nga e shoqja dhe që zhduket pa lënë gjurmë, si metaforë e shpërbërjes së familjes; një nënë që i mëson të bijës të vetmen gjë që mund t’i mësohet në gjendje shkatërrimi dhe çoroditjeje totale, kurvërinë, si metaforë e shthurjes morale dhe e shkatërrimit të personalitetit; një kontraceptiv që ka mbërritur në këtë fshat të gurtë, si metaforë e shterpëzimit dhe i ndërprerjes së cikleve të përtëritjes; e qara dhe zërat e fëmijëve në sfond, si metaforë e një jete që nuk përtërihet në kushtet e një braktisje totale të jetës; një nënë e një vajzë që qëllojnë njera-tjetrën me gur në një peizazh drurësh të djegur, si metaforë e dëshpërimit të viktimës që nuk e di nga i vjen e keqja; një vajzë e re e vdekur, si metaforë e dhunës së trafikimit; shkallë të vjetra, të panumurta, të prishura e jofunksionale, si metaforë e një historie të lashtë, por edhe e dëshirës për t’u ngjitur, për të rritur dinjitetin dhe prosperitetin njerëzor; një pederast i huaj, një nga fundërinat që përzjehen me misionarët e ndihmave, si metaforë e rrezikut të importimit, krahas qytetërimit europian, edhe të së keqes; një trafikant i të gjitha llojeve, si metaforë e mashtrimit, dhunës dhe shkaterrimit të jetës; një prift tepër i dyshimtë në misionin të tij prej misionari, por me pretendimet e një pastori, si metaforë e shpresës për ringjallje; një mësuese dhe një mësues, që mbeten si një Adam e si një Evë në një fshat të braktisur, si metaforë e pamundësisë për ta ngjizuar jetën për shkak të degradimit të tyre fizik dhe shpirtëror. Siç vihet re, e keqja është servirur për të na kujtuar shkatërriminn e çdo gjëje që përbën normalitetin e jetës dhe për këtë arsye në çdo kuadër të këtij filmi ndjen dhimbjen që bie degradimi, braktisja, deformimi i jetës, humbja e shpresave, trafikimi, njerëzit që grabisin, që kërcënojnë, që vrasin. Njeriu me skelet si në baladën e Kostandinit dhe Doruntisës, si metaforë e vijës ndarëse midis jetës dhe vdekjes dhe, rrjedhimisht, mesazhi për t’iu ruajtur vetasgjësimit në periudha të tilla të daljes së lumit të jetës nga shtrati.
2.
“Lule të kuqe, lule të zeza”, veç mesazheve të rëndësishme, është një arritje e mënyrës bashkëkohore dhe moderne e të të shprehurit. Arti dhe letërsia, tashti edhe kinematografia jonë me shembullin e këtij filmi, bëjnë përpjekje jo të pakta dhe serioze që t’i përqasen, sic thotë profesor A. Uçi, platformave moderne edhe me anë të mjeteve të procedimit formal të strukturës artistike, duke shmangur proliksitetin natyralist dhe duke aktivizuar karakterizimin simbolik të personazheve. Në artin kinematografik kjo nuk ka qenë e thjeshtë të arrihej, mbasi semantika e filmit, për vetë natyrën e ngjashmërisë me jetën dhe të mungesës së konvencioneve, është shumë herë më pak fleksible se në gjithë artet e tjera. Por megjithatë, edhe në rrugën e simbolikës së filmit, eksperimentet nuk kanë munguar dhe jo rrallë është arritur që, nga këto përpjekje për një mënyrë të re të shprehuri, të realizohen vepra të një niveli të lartë artistik. Shembuj të tillë nuk mungojnë, ato i gjen dendur në kinematografinë botërore në vepra të përfaqësuesve të mëdhenj të kërkimit të artit novator si Kurosava, Tarkovski etj., po ashtu edhe tek ne, ndër të cilët do të thosha se “Lule të kuqe, lule të zeza” përbën një sukses në kërkim të një semantike të re të filmit.
3.
Mevlan Shanaj, tashmë një regjisor plotësisht i formuar, mbështetur në një skenar, ndoshta më të mirin të skenaristes së njohur Natasha Lako, na befason me guximin krijues dhe me realizimin e pikësynimeve të tij artistike, për të na dhënë, nëpërmjet filmit të tij, një mesazh sa bashkëkohor, aq edhe universal. Ky mesazh është të ruajmë jetën, duke treguar se gjer në çfarë shkalle mund të shkojë shkatërrimi i saj dhe i njeriut në një gjendje kaotike. Në këtë rast, duke luajtur në një fushë jo edhe aq të thjeshtë, siç është ajo e marrjes në shqyrtim të një periudhe mjaft të turbullt të historisë sonë, si ajo e tranzicionit dhe ngjarjeve të vitit ‘97, ka qenë pranë rreziku i rënies në ato lloj veprash të letërsisë dhe arteve tona, ku nevojën për të bërë katarsis dhe për të treguar një realitet si yni përmes analizës, kritikës dhe stigmatizimit të çdo gjëje negative, e kanë zëvendësuar me një frymë denigrimi ndaj historisë, dinjitetit tonë njerëzor dhe njeriut shqiptar, ndaj të cilit nuk janë kursyer përçmimet, mallkimet, demonizimet dhe vetdemonizimet. Shanaj, përkundrazi, në një film ku zor se gjen një element pozitiv në pamje të jashtme, këlthet me dhimbje për të ardhmen e vendit dhe të njerëzve të tij, duke u treguar honin ku mund të arrihet në çdo çast, nëse nuk kuptojmë thelbin e nevojës për ndryshim dhe rrugën e drejtë të zhvillimit. Në kushtet e mungesës së përgjithshme të rendit, të shthurjes së moralit dhe idealit njerëzor të një shoqërie të sunduar nga kaosi, regjisori tregon me rënkim shpirtëror se çfarë dramash dhe tragjedish e presin njeriun nëse humb orientimin dhe sensin e jetës. Më tepër se një realitet, filmi i tij është një metaforë pikërisht e kësaj klithme dhe dhimbjeje që bie shkatërrimi, thirrje për të hequr dorë nga epidemia e braktisjes dhe shkretimit, një mesazh shprese për rend shpirtëror, moral e shoqëror në këtë tranzicion të rrëmujshëm dhe jashtëzakonisht të lodhshëm.
4.
Më vjen keq që zhurma politike, kaq e ndezur dhe shurdhuese këto ditë për shkak të një prapambetjeje bizantino-anadollake të saj dhe të mjaft politikanëve në kuptimin e demokracisë, të një etheje për pushtet dhe padurimi për të zënë sa më parë karriget, nuk lë të dëgjohet ajo çfarë na thotë ky film! Nuk le të vijë në ndërgjegjen e gjithsecilit zëri i mençur dhe britma e shpirtit të artistëve, të cilet, si sizmografë që ndjejnë edhe lëkundjen më të vogël, tmerrohen para marrëzisë që përfshin gjithçka në një shoqëri, së cilës i mungon orientimi në rrugën e vështirë të zhvillimit dhe të aderimit të saj në shoqëri europiane. Aty janë fshatrat e gurtë, peizazhet e vendeve me bukuri të mahnitshme të maleve e të luginave, aty është një histori e vjetër, e fiksuar në dhjetra monumente, në shkallët nëpër të cilat ky komb është ngjitur e ka zbritur kaq e kaq herë, aty janë burrat dhe gratë e dëshpëruara, vajzat dhe djemtë që u është errësuar perspektiva e jetës në trojet e të parëve, aty janë të gjitha: e djeshmja, e sotmja, e nesërmja me njerëzit dhe me shpresat e tyre për një jetë më të mirë, me dëshirën për t’u kthyer tek shpresa, tek përtëritja e prosperiteti, por që të gjitha mund t’i përfshijë eksodi biblik i braktisjes tërësore në rrugën e ecjes nëpër terr. Njeriu shqiptar është para vetes, para vendit dhe historisë së tij, para prapambetjes për shkak të kësaj historie dhe dëshirës për zhvillim, para gjendjes së tij ballkanike dhe europiane, para botës se multientiteteve, multiideve, para një shpërfilljeje tradicionale të të mëdhenjve ndaj më të vegjëlve, para një komuniteti europian e botëror që kërkon ta ndihmojë dhe e ndihmon të zhvillohet, por edhe para recidivëve shovinistë, raciale, para sherreve ndërnacionale e ndëretnike, para ëndërrave për prerandori ekonomike, për perandori kulturore, pse jo, edhe për perandori ushtarake, pra para shumë hartave gjeopolitike, para vetvetes në proceset formuese e transformuese të botkuptimeve, psikologjisë, etikës, moralit që lidhen me jetën, me familjen, me pronën. Ky njeri është i braktisur, në kurrizin e këtij njeriu bien shumë shqota të një jete që tallazitet, atë e shkundin baticat dhe zbaticat e një rendjeje të çoroditur, britmat politike e çorjentojnë edhe më shumë dhe ai nuk ndjen qetësi, nuk mund të mbledh kockat nga lodhja raskapitëse, i helmohet shpirti në një jetë që i mërzitet dhe në këtë mënyrë vjen e çvleftësohet gjithçka tek ai, që nga dashuria për vendin dhe për njerëzit e tij e gjer tek virtyti e morali, që i duken tashmë si sende pa vlerë dhe që mund t’i këmbejë me çdo lloj vesi dhe çdo lloj negacioni. Për këtë bën thirrje filmi: kuptojeni dhe ndihmojeni këtë njeri!
5.
Kjo dendësi idesh, emocionesh, përjetimesh e përsiatjesh filozofike është dhënë artistikisht me një shkallë të lartë realizimi përmes figurave të realizuara nga një trup elitarë aktorësh, duke filluar nga më e reja dhe nga më e përshendetura Elia Zaharia, Yllka Mujo, Enver Petrovci, Bujar Lako, Kastiot Caushi, Petrit Malaj etj., një fotografi padyshim nga më të arriturat e kinematografisë sonë dhe e krahasueshme me nivelet europiane si ajo e Afrim Spahiut, me muzikë të njerit prej mjeshtrave më të spikatur të muzikës së filmit Kujtim Laro dhe me gjithë grupin e teknicienëve profesionalisht mjaft të kënaqshëm. Filmi e mbërthen spektatorin për 100 minuta para ekranit të madh në një dialog të dyfishtë: me atë çka vjen e të kumtohet nga figura që projektohet dhe me atë çka nis e bisedon me vetveten secili shikues, si refleks i rezonimit brenda tij të mesazheve të tij. Një skenar padyshim nga më të vështirët për t’u konceptuar, por që skenaristja Natasha Lako, njëkohësisht një poeteshë e shquar, ka mundur ta organizojë si një kompleks harmonik një lëndë mjaft origjinale për film, të cilën Mevlan Shanaj e ka mishëruar si një mjeshtër i vërtetë i artit kinematografik. Mbasi pash premierën dhe një intervistë të regjisorit Shanaj në TV Teuta, ku shpjegonte se në ç’kushte shumë të vështira dhe brenda 42 ditëve kishte realizuar një film të tillë, kuptoja fare mirë se çfarë i është dashur të kapërcejë, për realizimin e një vepre të tillë kinematografike, grupit të kineastëve e të teknicienëve të mbyllur në një fshat të gurtë të Gjirokastrës. Si kineast i përshëndes dyfish kolegët, për arsyen se veç talentit, kanë dëshmuar qytetarinë dhe dashurinë ndaj kinematografisë sonë, në këto kushte vështirësish të mëdha që po kalon ajo. Nuk duhet ta braktisim filmin, në kuptimin që duhet ta duam, ta ndihmojmë dhe ta vlerësojmë si vetë ne, ashtu edhe strukturat shtetërore, që duhet t’i rrijnë më pranë atij dhe t’i kuptojnë më mirë nevojën, shqetësimet dhe kërkesat e kineastëve. I përshendes edhe një herë realizuesit e këtij filmi për artin, talentin, sakrificën dhe dashurinë e tyre për kinemanë.