Irlandezët e parë në Shqipëri shfaqen që në vitin 1322
Irlandezët e parë në Shqipëri që në vitin 1322
– Rrugëtimi nga Irlanda drejt Tokës së Shenjtë
Nga NDREK GJINI
Në vitin 1322, dy pelegrinë anglofonë irlandezë, Simon Fitzsimons dhe Hugh the Illuminator, mbeten të impresionuar nga qëndrimi i tyre i shkurtër në Shqipëri. Simon Fitzsimons shkroi me shumë dashuri e pasion rreth atyre gjërave që pa. Në përgjithësi rrëfimet e pelegrinëve që udhëtuan për në Tokën e Shenjtë ofrojnë burime të rëndësishme informacioni për pjesën më të madhe të Mesdheut Lindor në gjysmën e parë të mijëvjeçarit të dytë.
Shumica e pelegrinëve treguan pak interes për vendet që vizituan gjatë udhëtimeve të tyre, por dy pelegrinët irlandezë u mahnitën me atë që panë gjatë atij udhetimi të rrallë në bregdetin shqiptar në gjysmën e parë të shekullit XIV.
“Itinerarium Symonis Semeonis ab Hybernia ad Terram Sanctam"”. (Udhëtimi i Simon Fitzsimmons nga Irlanda në Tokën e Shenjtë) përmban informacione për gjithçka, nga kontrollet dhe procedurat doganore te veshjet, monedhat, materialet dhe produktet në vendet që ai vizitoi. Përmban informacione dhe sigurisht, përshkrime për kishat dhe vendet e shenjta.
Duket se nga rrëfimi i tij del qartë se në vitin 1322, porti i Durrësit nuk ishte rikuperuar plotësisht nga tërmeti i rëndë që e kishte goditur gjysmë shekulli më parë. Popullsia fillestare e qytetit, thotë ai, ishte zëvendësuar në një masë nga një valë nomadësh shqiptarë nga fshati. Mund të konkludohet se në atë kohë shqipja duhet të flitej nga një shumicë e njerëzve në rrafshnaltën bregdetare dhe në zonat malore. Kjo bazuar në vëzhgimet e Simonit, kur shkruante se krahina kishte gjuhën e saj, d.m.th. shqipen. Megjithatë, brenda qytetit të Durrësit, ‘shqiptarët’ përmenden vetëm si kategoria e katërt, pas latinëve urbanë, grekëve dhe hebrenjve, një tregues se ata nuk ishin ende shumicë. Është interesant fakti që Simoni iu referohet edhe ‘barbarëve shqiptarë’ në Dubrovnik, duke vënë në dukje: “In eadem Dominentur Veneti, et ad eam confluunt Sclavi, Barbari, Paterini et alii scismatici negotiatores qui sunt in gestu, habusu et lingua dibus Latinis in omni”. (Dubrovniku, thotë ai, dominohej nga venecianët dhe shpesh ka sllavë, barbarë, paterinë dhe tregtarë të tjerë që janë krejtësisht të ndryshëm nga latinët në zakone, veshje dhe gjuhë).
Pasi kaluam disa ditë në Ulqin, thotë ai, kaluam qytetin e Rashkës, i cili është në pronësi të mbretit të Rashkës, dhe u nisëm për në Durrës, qytet dikur i famshëm dhe i fuqishëm në për tokën dhe detin. Kjo në kohën kur qyteti ishte nën sundimin e perandorit të grekëve, thotë ai. Duhet theksuar, thotë ai, se Shqipëria është një krahinë midis Sllovenisë dhe Rumelisë dhe ka gjuhën e saj. Mbreti i Rashkës e ka nën kontroll Durrësin tani, nënvizon ai në shënimet e tij.
Shqiptarët janë të ngjashëm me grekët në veshje dhe sjellje, pasi rrallëherë mbajnë kapuç, thotë ai. Ata janë shumë krenarë dhe tërheqës për sytë e udhëtarëve. Kapelet e tyre janë të ngjashme me ato të grekëve. Sllovenët, nga ana tjetër, thotë ai mbajnë një kapele të bardhë ovale dhe një gëzof të gjatë, për të rënë në sy të fshatarëve. Kjo për t’i bërë ata më të identifikueshëm nga pjesa tjetër. Qyteti i Durrësit është i madh jashtë mureve të tij, por i vogël dhe i dobët brenda mureve të tij. Kjo pasi ai pasi u shkatërrua nga një tërmet i disa dekadave më parë. 24,000 njerëz raportohet të kenë vdekur si pasojë e këtij tërmeti, shkruan ai.
Qyteti i Durrësit tani është më pak i populluar dhe i ndarë në fe, zakone dhe gjuhë të ndryshme. Monedhat e përdorura në treg, thotë ai, janë të vogla dhe secila vlen një dukat venecian. Këto monedha janë në përdorim në të gjithë qytetin. Ky qytet është dyqind milje nga Dubrovniku. Më pas, duke përdorur erërat e favorshme, ne vazhduam për në Vlorë, thotë ai, një kala e perandorit të grekëve, dhe më pas ne shkuam në ishullin e Korfuzit, i cili është i banuar nga latinë, grekë, hebrenj dhe shqiptarë.