POLIFONIA SHQIPTARE DHE HAPËSIRAT E SAJ BALLKANIKE
Prof. dr. Bardhosh Gaçe
Fragment studimi
Në kulturën kombëtare shqiptare polifonia zë një vend të rëndësishëm, jo vetëm pse ajo është një zhvillim i hershëm i konstitucionit shpirtëror të shqiptarëve, por dëshmon një marrëdhënie të një sërë faktorëve kulturologjikë dhe jetikë të shqiptarëve në zhvillime të vazhdueshme kohore dhe historike. Duke qenë një zhvillim i hershëm, polifonia shqiptare, përveçse ka arritur të ruajë mjaft mirë origjinalitetin e vet, ajo përbën një strehë në të cilën janë bërë të pranishme elementë të tjerë të zhvillimit kulturor, shpirtëror, të zhanreve të tjera të kulturës dhe të vetë asaj.
Studiuesit e shumtë evropianë dhe vendës kanë arritur të zbulojnë elementë të shumtë, të cilët kanë shtegtuar nëpër kohë nga një mjedis në tjetrin, apo aspekte të tjera që janë bjerrë me zhvillimet kohore, ndërsa vetë polifonia, si një strukturë e qëndrueshme shpirtërore e pa dhënë, ka mbetur e tillë, duke përftuar gjendje emocionale të vazhdueshme dhe duke mbartur vlera të veçanta shpirtërore të popullit shqiptar. Polifonia shqiptare përbën një nga dëshmitë autentike të hershme shqiptare, në të cilën është ngjizur një harmoni e jashtëzakonshme talenti prej artisti i popullit shqiptar, që si i tillë ka qenë dhe vazhdon të jetë i pasur dhe në radhën e popujve kulturologjikë të hershëm jo vetëm të gadishullit ballkanik, por dhe të popujve të tjerë të Evropës dhe të botës. Etnokultura e popullit shqiptar është e hershme dhe autentike, ajo afron jo vetëm kujtesë dhe veçanti për studiuesin, vizitorin apo udhëtarin e huaj, por dhe kulturë dhe dije, pasi përbën një pasuri të fondit botëror të kulturës.
Pas një këmbëngulje të vazhdueshme të studiuesve shqiptarë dhe të huaj, referimet e shumta në konferencat ndërkombëtare, botimet në shqip dhe në gjuhët e huaja të studimeve të shumta mbi këtë kulturë të lashtë dhe aktuale siç është polifonia shqiptare, në vitin 2005 ajo është marrë nën mbrojtjen nga UNESCO, organizimi ndërkombëtar më prestigjioz dhe më i rëndësishëm që kujdeset për kulturën e njerëzimit. Në garë mes 60 kandidaturave, “Polifonia” me votimin e 14 specialistëve më të njohur nga gjithë bota, që në 25 nëntor 2005 u shpall “Kryevepër e trashëgimisë gojore të njerëzimit” mbrojtur nga UNESCO.
Polifonia shqiptare i vjen si një gur i çmuar pasurisë së UNESCO-s, pasi ajo dëshmon një kulturë të hershme dhe specifike në Ballkan, pavarësisht përhapjes dhe praktikave që ajo ka në një hapësirë të konsiderueshme të Ballkanit, sipas veçorive e tipareve të saj. Në polifoninë shqiptare mishërohen praktikat kulturologjike dhe konstitucioni shpirtëror i shqiptarëve që nga kohët më të lashta e deri në kohët tona. Ajo, polifonia, është si një libër i shkruar ditë pas dite dhe kohë pas kohe, në të cilën gjenden marrëdhëniet e njeriut me jetën, kulturën, natyrën, zhvillimet shpirtërore, historike, zhvillimet e artit të të kënduarit, pasi gjithçka rrjedh dhe është objekt i gjenisë popullore.
Nga studimet e derisotshme, studiues shqiptarë dhe evropianë, që janë marrë posaçërisht me polifoninë shqiptare, janë të mendimit dhe argumentojnë se polifonia jonë është ndër më të lashtat dhe më rezistueset ndaj gjithë zhvillimeve kulturore në vend dhe në rajon. Si e tillë ajo sot gëzon kujdesin e institucionit më prestigjioz të botës për pasurinë kulturore dhe objektet e rëndësisë së madhe kulturore për mbarë njerëzimin. Kur sot, ne të gjithë e kemi këtë pasuri të çmuar dhe të papërsëritshme, duhet thënë se studimet për të kanë nisur relativisht vonë, diku nga mesi i shekullit XIX, por ajo mbijetoi në shpirtin e popullit, pasi ashtu siç kishte lindur, si një nevojë e madhe shpirtërore, mbeti në shpirtin popullor, u transmetua brez pas brezi, si të ishte një libër i rëndësishëm shkolle dhe dije. Polifonia shqiptare ende vazhdon të plotësojë shpirtin artistik popullor me emocione dhe triumf dashurie për vendin, zakonet, jetën dhe hallka të tjera të rëndësishme, duke iu nënshtruar studimeve të gjera e komplekse të studiuesve të vendit dhe atyre të huaj.
Rreth viteve ’50 të shekullit XX dhe në vazhdim, studimet mbi polifoninë shqiptare kanë qenë të vazhdueshme, shkencore, krahasuese në të gjithë shtrirjen që ka kjo praktikë gojore e hershme, argumentuese në të gjithë komponentët e saj, me ndihmën dhe mbështetjen dhe të fushave të tjera, të cilat mund të sjellin kontribut për këtë traditë të muzikës popullore shqiptare. Këto kontribute shkencore dhe studimore, duket se e kanë vënë në vendin e duhur, jo vetëm si pasuri, por edhe si “objekt” studimi në vazhdim polifoninë shqiptare dhe për të ardhmen, si për studiuesit vendës dhe ata të huaj. Kulturologë, muzikologë, instrumentistë, specialistë dhe studiues, deri të gjuhësisë dhe folklorit e kanë prekur temën e lakmueshme të polifonisë, duke sjellë secili diçka për të plotësuar rrugëtimin dhe kontekstin e gjerë historiko-shpirtëror në të cilën ka lindur, është zhvilluar dhe ka mbijetuar kjo pasuri gojore e pashoqe shqiptare.
Veçanërisht me shumë interes janë vlerësimet e studiuesve të huaj për polifoninë gjatë Festivaleve Folklorike, të cilët janë befasuar nga vlerat e artit popullor. Ndonëse të ardhur nga pika të ndryshme të kontinenteve, nga shtete me bindje ideologjike e shkolla folklorike të gjithfarëllojshme, studiuesit e huaj kanë shfaqur një interes të jashtëzakonshëm. Ata nuk e kanë vëzhguar polifoninë thjesht si një kuriozitet ekzotik, por i kanë dhënë një kuptim më të thellë historik, si shprehje ndjenjash e pikëpamje mbi jetën, botën, si mjet për të zhvilluar kulturën kombëtare të popullit shqiptar.
Kryetarja e seksionit të kërkimeve të Qendrës së Studimeve të Arteve Popullore në Egjipt, Sania Kotby, ka shkruar për festivalet e Gjirokastrës: “Ripërtëritja e folklorit nëpër krahina dhe shfaqja e origjinalitetit të tij, tregon dashurinë e popullit për atdhe, për unitet, për t’u mbrojtur nga çdo kërcënim dhe për të nxitur në punë përparimin e vendit”152. Drejtori i Fonogramarkivës në Vjenë dr. Ditrih Shuler, në një letër që i dërgon profesorit anglez, A. Lloyd nënvizon se “Festivale folklorike zhvillohen edhe në disa vende të tjera të Evropës, por me sa di, ai i Gjirokastrës qëndron mbi të gjithë, se vetëm në Shqipëri mund ta gjesh folklorin të pastër, ashtu siç praktikohet në popull.”.
Dr. Shuler i magjepsur pas polifonisë, pas kësaj mënyre të të kënduarit, ku pleksen edhe harmonizohen në një mënyrë të përsosur melodi, zëra, nuanca etj., thotë se “Shqipëria përfaqëson ndofta qendrën më interesante në Evropë… Polifonia shqiptare është origjinale, pa ndikime të huaja, dhe paraqet vlera të mëdha studimi e kërkimi… ndoshta, asnjë vend në Evropë nuk ka një variant kaq të gjerë të polifonisë vokale tradicionale sesa Shqipëria.”.
Profesori i bizantologjisë në Universitetin e Vicburgut në Gjermaninë Perëndimore, Evangjelus Kostandinus është shprehur: “Besoj se në asnjë vend të botës populli nuk është i lidhur kaq shumë me traditën e tij siç është këtu në Shqipëri dhe mendoj se ky fenomen i jep popullit forcën, guximin e kurajën të ngjitet e të ecë mbi burimet, truallin e traditat e tij.”.
Polifonia, si i gjithë folklori, është shpirti i Labërisë dhe mjaft viseve të tjera, e kaluara e tij, fytyra e një populli, njohje dhe pohim i identitetit të tij. Studiuesit e huaj kanë ngritur lart vlerat e shquara artistike të krijimeve folklorike, të ekzekutuesve, pasurinë e madhe të varianteve, zhanret, gjinitë e llojet, si dhe larminë e pasurinë e veshjeve popullore. Gjatë festivaleve ata kanë folur me admirim të veçantë për polifoninë vokale të jugut, duke e cilësuar si “të mrekullueshme”.
Të njëjtin vlerësim ka dhënë edhe prof. A. L. Lloyd, me rastin e prodhimit në Angli të disa disqeve me këngë polifonike shqiptare, në pjesën e hyrjes ka shkruar: “Ndoshta asnjë vend në Evropë, nuk ka një variant kaq të gjerë të polifonisë vokale tradicionale sesa Shqipëria”. Studiuesit e huaj kanë vlerësuar interpretimin polifonik për spontanitetin e thellë, për gjallërinë e vitalitetin që “sjellin vërtetësinë dhe thjeshtësinë”, për zërat e bukur që ngjajnë me “profesionistët”. Tedor Djidjev, etnomuzikolog në Institutin e Muzikologjisë të Shkencave në Bullgari, impresionuar nga kënga polifonike, është shprehur: “Folklori juaj është i shumëllojshëm, i larmishëm. Një përshtypje të veçantë më bëjnë grupet polifonike. Edhe në vende të tjera të Ballkanit, ka elemente polifonike apo diafonike, por mënyrat shqiptare të të kënduarit polifonik, janë vërtet të veçanta, qofshin këto vokale burrash e grash… natyra improvizuese e artit popullor shqiptar është pjesë përbërëse e artit tuaj popullor, rinovuar mbi themelet origjinale të traditës”153.
Në një event të kësaj natyre, ku flitet për polifoninë, unë besoj se cilido që ka një përjetim të vetin sa herë që dëgjon një këngë polifonike të natyrës tipike të saj ka diçka për të thënë, dhe këto mendime kanë vlerë gjithmonë, pasi e pasurojnë thesarin e kësaj kulture të lashtë. Ndër njerëzit që i kanë kontribuar mjaft polifonisë shqiptare, studiues si Beniamin Kruta, kulturologu i shquar dhe i njohur, Ramadan Sokoli, studiuesi Spiro Shituni, por edhe E. Çabej, Zh. Ciko, A. Xhagolli, P. Miso, H. Filja, Sh. Kushta, S. Shupo, Z. Çipa, K. Loli, E. Koço, B. Lapi, A. Peçi, N. Kasaruho, H. Dalipi, F. Daja, F. Çaushi, studiues të huaj si: N. Kaufman, E. Shtokman, A. Elshekova, L. Tardo e të tjerë, do të përbëjnë një burim të rëndësishëm dhe orientues, pavarësisht thellimit të studimeve në të ardhmen për këtë fenomen të lashtë shpirtëror kulturologjik shqiptar.
Në mjaft studime krahasuese në Evropë, polifonia shqiptare këndvështrohet në raportet, përbashkësitë dhe veçoritë me vende të tjera, ku është përhapur kjo kulturë muzikore popullore: ndër arumunët, bullgarët, grekët, boshnjakët, serbët, por edhe më gjerë në Poloni, Itali, Kaukaz, vendet baltike e gjetkë. Ashtu si prof. Eqrem Çabej në veprën e vet “Për gjenezën e literaturën shqipe” 1939, edhe studiues të tjerë si N. Kaufman apo E. Shtokman dhe A. Elshekova, polifoninë shqiptare dhe atë të viseve të tjera të Ballkanit e kanë specifikuar si një kulturë muzikore para bizantine. Në këto dhënie marrje kulturore muzikore midis këtyre popujve, prof. Çabej vë në dukje se: “Pjesa dhënëse këtu janë shqiptarët, sepse arumunët dhe grekët e tjerë, që nuk rrojnë pranë shqiptarëve nuk i njohin këto melodi”.154.
Studiuesi Beniamin Kruta, në punimin shkencor, argumentues, krahasues, historik dhe bashkëkohor të titulluar “Vendi i polifonisë shqiptare në polifoninë ballkanike”,155 shtjellon çështje të rëndësishme mbi polifoninë që nga lindja e saj e deri në ditët e sotme. Studiuesi Kruta është konkret dhe korrekt me dëshminë e polifonisë shqiptare si një vazhdim i kulturës së lashtë shqiptare, e cila për shkak të tabanit të plotë në truallin dhe konstitucionin shpirtëror të shqiptarëve arriti t’i mbijetojë erozionit dhe zhvillimeve kulturore të kohëpaskohshme dhe në vendin ku lindi kjo pasuri gojore.
Siç edhe vërtetohet, polifonia ka një shtrirje të konsiderueshme, duke zënë një gjeografi malore dhe fushore, që nga Jugu e deri në Veri, në Çamëri dhe në Kosovë, ku në një pjesë vendesh ajo ka mbijetuar në rudimente të caktuara, apo është shoqëruar në zhvillime të tjera dhe në disa vende të tjera, kryesisht në Labëri, ruan strukturën e saj më origjinale. Studiuesi arrin të depërtojë në inde të caktuara të zhvillimeve muzikore dhe të krijimtarisë gojore, në rastet e ritualeve të dasmës apo të vdekjeve, në çështjet e homofonisë dhe dyzëshmërisë, tipike për këngët e lashta shqiptare të Eposit të Kreshnikëve, ku gjenden bashkëpërkime të kulturës gojore, të lindura në një taban të përbashkët kulturologjik dhe historik. Në këtë përqasje korrekte të studiuesit, mendimi se “polifonia, më shumë e më pak, gjallon në pjesën më të madhe të truallit të shqipes” është i drejtë dhe i besueshëm. Në vijim të kësaj çështjeje të rëndësishme, jo vetëm për polifoninë, por dhe për hapësirën kulturologjike shqiptare, duke iu referuar “karakterit unitar të kulturës muzikore popullore shqiptare”, studiuesi është i bindur, se në një formë apo tjetër, polifonia shqiptare “përkon plotësisht me ato troje ku është bërë kalimi nga kultura e ilirëve në kulturën e kombësisë shqiptare”.
Studiuesi Beniamin Kruta ka njohuri të gjera mbi studimet që janë bërë mbi fenomenin e polifonisë, qoftë përmes interesimit të botimeve diskografike, siç njofton Arbaski, studimet nga studiuesit bullgarë si: Stoin, Kaufman, Kukudova, studiuesit grekë si Peristeri, në Jugosllavi studiuesit Rihtman, Petroviç, në Rumani studiuesi G. Marku në Poloni, A. Elsechecova e për të ardhur në Shqipëri me ekspeditat e studiuesve të njohur A. Paparisto dhe Ramadan Sokoli bashkë me gjermano-lindorët Shtokman dhe Filder, të cilat i kontribuojnë një reference të gjerë dhe të besueshme, jo vetëm për shtrirjen, historinë e fenomenit kulturologjik të polifonisë, por dhe shumë çështjeve interpretuese shkencore të saj. Interesimi dhe mbështetja që shteti shqiptar i dha punës kërkimore dhe studimit dhe për polifoninë shqiptare gjatë mesit të shekullit XX me krijimin e Institutit të Kulturës Popullore, bëri që të evidentohet kjo pasuri kolosale e polifonisë, duke e trajtuar atë për herë të parë mbi kritere shkencore dhe studimore.
Studiuesi Beniamin Kruta, në mjaft studime të tij, duke kuptuar rrënjësisht fenomenin kulturologjik shqiptar, si një thesar i çmuar dhe i pa eksploruar ka bërë mjaft përpjekje të shpjegojë dhe t’i evidentojë të gjitha zhvillimet e polifonisë, të shfaqura praktikisht në shumëllojshmërinë e formave të saj si tek dy-, tre- dhe katërzërëshe. Siç u tha dhe më lart, polifonia zë një hapësirë të konsiderueshme të praktikës së saj dhe në ditët e sotme, sado që kohët dhe erozionet kanë bërë punën e tyre, ajo ka pësuar dhe zhvillimet e saj, nga njëra zonë në tjetrën. Specifikat e veta kanë zona nga zona, po ashtu dhe në ndarjen e madhe dhe të dukshme që polifonia labe, si më e vjetra dhe më origjinalja ka me vendet apo zonat e tjera siç është ajo çame, e Myzeqesë, e Skraparit, e Devollit, e Kolonjës, e gjetkë. Në këtë pikëpamje B. Kruta shtjellon mjaft mirë nënsistemet që veprojnë tek polifonia toske dhe tek polifonia labe. Në këtë koncept ai shënon: “Kështu, mund të thuhet që nënsistemi polifonik tosk vepron me një koncept më shumë horizontal sesa vertikal, ndërsa ai lab ka në bazë vertikalitetin, d.m.th. simultanitetin e pjesëve. Ndërsa vertikaliteti ka në bazë artikulimin e njëkohshëm të pjesëve (zërave melodikë), horizontaliteti u jep mundësi veprimeve limitative të tipit temë/ përgjigje temës”. Imitacioni kuptohet është një nga elementët e lashtësisë dhe të origjinës së polifonisë shqiptare.
Autori interpreton zhvillimin e zërave nëpërmjet parimit të kontrastit melodik-ritmik, çështjet e teknikave të përdorura në kryqëzimin e zërave si: paralelizmi, kontrapunkti, burdoni, teknika e antifonave, imitacioni, polimelodika dhe çështje të tjera, duke i dhënë polifonisë natyrën dhe statusin e një dukurie të nevojshme për t’u studiuar thellësisht. Pavarësisht dy-, tre-, apo katërzërëshit, që përdoren në polifoninë shqiptare, tipari themelor i saj është karakteri kolektiv i interpretimit, si një nga dukuritë e hershme të saj, plotësisht të besueshme, nëse do t’i përmbahemi veçmas polifonisë labe, e cila është konservatore në të pranuarit e elementëve të rinj nëpër kohë. Raportet e individit me kolektivin polifonia shqiptare i ka zgjidhur mrekullisht, thuajse si një instrument modern muzikor që arrin t’i ndajë zërat apo t’i bashkojë në një ansambël të përbashkët.
Rëndësi të veçantë në tërësinë e studimeve merr çështja e etnogjenezës së polifonisë shqiptare. Përmes studimeve krahasuese dhe depërtimit në elementët bazikë të zërit, instrumentit muzikor që mbush vendin bosh të kolektivitetit në polifoni, Ramadan Sokoli, Spiro Shituni, Beniamin Kruta dhe autorë të tjerë gjejnë gjurmë të hershme që te Këngët e Kreshnikëve, por të pranishme polifoninë shqiptare e gjejmë në kohën e Mesjetës, pasi ajo praktikohej tek arbëreshët e Italisë madje dhe sot, që u larguan më së shumti nga fundvitet 1400 e në vazhdim.
Teza se polifonia “perimetrin” e vet e ka në truallin ilir, është interesante dhe e rëndësishme, pasi studiuesit gjejnë argument tek Anteu (vitet 220 të erës sonë), i cili njofton për polifoninë tek fiset ilire (kur flet për molosët), ku ndër të tjera shënohet se “kishin një kërcim të tipit jambik, të njohur me emrin “jambi molosë”, që ishte një valle më e shpejtë se vallet e tipit daktilik”. Ritmi jambik është tipik në këngët greke dhe bullgare, por edhe në këngët njëzëshme të Shqipërisë së Jugut, i cili gjen shprehjen e vet të plotë në polifoninë vokale të burrave dhe grave labe e toske, në këngët rituale, në këngët e dasmës dhe baladat, që zakonisht shoqërojnë vallet.
Dyzërëshi është shumë i rëndësishëm për të gjurmuar historinë e polifonisë shqiptare, pasi ai është një element racional dhe në depërtimin e veglave muzikore më vonë që shoqërojnë këngët apo krijimet e tjera popullore. Lidhur me këtë studiuesit janë marrë shkencërisht dhe teknikisht me cylëdyjaren- fyellin, diaulosi-n dhe veglat e tjera organo-logjike të vendeve ballkanike. Karakterin e lashtë dhe autokton të polifonisë shqiptare e dëshmojnë edhe praktikat ende të gjalla të polifonisë në të gjithë hapësirën ilire të Epirit, Bosnjës, Hercegovinës, Kroacisë, të cilat mbështetet dhe nga studiues të huaj dhe të këtyre vendeve, siç janë studiuesit e njohur: Rihtman, Kaufman, muzikologë të huaj dhe interpretues të polifonisë në të gjitha format e shfaqjes së saj.
Në trajtesën e tyre studiuesit e njohur të polifonisë shqiptare, merret dhe me ndarjen e dukshme të polifonisë shqiptare në atë të Labërisë dhe të polifonisë toske dhe shtegtimet e saj nga stanet e Gramozit, Korçës, Përmetit, Myzeqesë (Beratit, Fierit e Lushnjës), të cilat i gjejmë tek popullsia arumune e Kosturit, arumunët e Bullgarisë, në Rumani e ndonjë vend tjetër. Fenomeni shtegtues është i njohur dhe interesant lidhur me shtrirjen e polifonisë shqiptare. Pavarësisht kohëve të hershme dhe depërtimit të kulturave të tjera, glosat e shqipes në tekstet e këngëve e vërtetojnë këtë, siç janë rastet e glosave: bilbil, corba (korba), screta (e shkreta), samia di guse (shamia e gushës), toponime dhe të dhëna të tjera.
Me mjaft interes është debati që studiuesi shtron me studiuesin e njohur, Kaufman, mbi tezën trake-ilire. Mbështetur mbi dyzërëshin, B. Kruta sjell gjashtë argumente mbi një burim të përbashkët të polifonisë shqiptare si taban i asaj ballkanike. Dyzërëshi sipas studiuesit është burimi, është produkti i formave të zhvilluara të tre dhe katërzërëshit, që në të gjithë rastet kanë karakter kolektiv.
Ramadan Sokoli, një nga kulturologët e shquar shqiptarë, ka sjellë një kontribut shkencor dhe të rëndësishëm për polifoninë shqiptare, duke bërë një vështrim të imët, përmes studimit të instrumenteve, nëpërmjet të cilëve studiuesit e dijeve muzikore kanë arritur të shkojnë deri në lashtësi për të marrë informacione të rëndësishme mbi dukuritë muzikore, qofshin ato përmes instrumenteve, qofshin dhe mbi krijimtarinë gojore. Në gati 51 nyjëtime të studimit me titull “Drejt burimit të polifonisë sonë popullore”156 studiuesi sjell një kontribut të veçantë shkencor, për shkak se ai ka njohuri të shumta dhe korrekte për të gjithë referencën e kulturës shqiptare, kulturën instrumentale dhe dijen e huaj për këto çështje. Përmes instrumenteve muzikore, veçmas një vegël frymore, prej dy tytash, që në ndonjë rast quhet diaulos dhe në ndonjë rast bicule, autori njofton sfondin e kulturës polifonike që para 2400 vitesh në Apoloninë shqiptare, që gjendet në Basorelievin e Apolonisë.
Përmes interpretimit të fenomenit polifonik, referencës që shumë studiues të huaj janë marrë me këtë fenomen njerëzor të përhapur shumë, studiuesi Ramadan Sokoli opsionin e tij e mbështet në informimin e plotë strukturor të ardhur nga opinioni dhe studimi shkencor, jo vetëm ballkanik, por botëror, që nga Kaufmani, Hornsbostel, Kurt Sahs, Andre Shefener, Marius Shnaider, Valter Viora, muzikologët si Pol Kolaer dhe shumë të tjerë, që ai i ka studiuar dhe njohur mirë. Sokoli është i mendimit se polifonia shqiptare, si pasuri e lashtë kulturore e popujve ku ajo ka vepruar duhet të studiohet në kompleksin e saj, për shkak se në të ka një konvertim të jashtëzakonshëm të kulturës, jetesës dhe historisë së popujve që herët.
Lidhur me polifoninë shqiptare, autori sjell në vëmendje mendimin e kompozitorit Feim Ibrahimi, i cili na thotë se: “folklori i krahinave tona jugore (d.m.th. i Labërisë, Toskërisë dhe Çamërisë) ka begati modale me prirje pentatonike…”. Gjithashtu autori u referohet dhe dy studiuesve të njohur, Beniamin Kruta dhe Spiro Shituni, mbi diferencat e dy dialekteve të mëdha të polifonisë shqiptare, studiuesve të tjerë si: Ferial Daja, Kosta Loli, studiuesit kosovar, Lorenc Antoni, të cilat i konsideron të rëndësishme për kuadrin e plotë të interpretimit të nevojshëm të kryeveprës së krijimtarisë gojore shqiptare.
Studiuesi i njohur, Ramadan Sokoli, ka bërë disa ekspedita në mbledhjen e pasurisë së madhe të polifonisë shqiptare, qoftë dhe me të huaj, gjermanë dhe rumunë, e për këtë shkak ai është kritikues për punën e dobët që bëhet në ndonjë rast, siç është shqyrtimi i njëanshëm, pohimet e prera dhe të paargumentuara shkencërisht, përfshirja e të gjithë dialekteve në studimin e polifonisë shqiptare, mohimi i muziktarit, mungesa e botimeve të polifonisë instrumentale dhe vokale-instrumentale dhe çështje të tjera. Posaçërisht me polifoninë shqiptare, studiuesi mendon se ajo nuk është një fenomen i mbyllur, por valorizues nëpër një gjeografi të konsiderueshme, deri në Bosnjë e në Hercegovinë, por Labërinë e quan qendrën e rrezatimit, aty ku kemi faktet e katërzërëshit, të cilat vijnë duke u pakësuar sa më shumë i largohemi kësaj qendre të njohur të polifonisë.
Një çështje tjetër e rëndësishme për të cilën flet studiuesi është edhe polemika e tij me studiues të huaj, të cilët e shohin origjinën apo valorizimin e polifonisë si huazim i liturgjisë kishtare bizantine, për të cilën studiuesi nuk është dakord. “Një shqyrtim sado i përciptë, të bind se polifonia popullore shqiptare, e cila shtjellohet në shkallë të gjymta pentatonike nuk ka ndonjë lidhje morfologjike me liturgjinë bizantine, e cila shtjellohet në shkallë modale heptatonike. Vetë emërtimi krejt shqip i përbërësve të polifonisë sonë popullore, ashtu si dhe tiparet e saj origjinale dëshmojnë se ajo është trashëgimi e një tradite të lashtë që ka lindur këtu në këtë vend”.
Më pas studiuesi argumenton se përmes morfologjisë së polifonisë popullore shqiptare arrihet të mësohet se këngëtimi polifonik i vendit tonë është i trashëguar që nga lashtësia, d.m.th. përmes ndërtimit të shkallëve të gjymta pa gjysmëtone rreth shtrirjes së ngushtë të joneve, rreth skeleraturave ritmike e metro-prozodike, rreth mënyrës së këngëtimit, të kthyerit me “grykë” a me “zë”, d.m.th. rreth stileve arkaike. Sipas tij, çështja e polifonisë është e hapur për studime të mëvonshme, një objekt i rëndësishëm për të cilën mbeten studimet muziko-logjike, pasi polifonia shqiptare ka të bëjë me tiparet më qenësore të identitetit tonë kombëtar. Ai këshillon, që studiuesit duhet t’u shmangen kurtheve që ngrihen zakonisht në studime të tilla të rëndësishme. Interpretimi shkencor, skrupuloz, krahasues, intuita, referenca dhe lënda faktike janë të rëndësishme për ta vënë këtë pasuri të madhe mbi themele të forta kulturologjike kombëtare.
Studiuesi Spiro Shituni na ka afruar një studim të plotë mbi polifoninë shqiptare, të titulluar “Dialektet kryesore të polifonisë popullore shqiptare”,157 të cilën e quan një “përmasë të rëndësishme brenda tërësisë së muzikës sonë popullore”, duke profilizuar një vështrim të munguar në studimet mbi polifoninë. Të vështruar në terrenin praktik, autori gjen katër dialekte në të cilat ndahet polifonia shqiptare siç janë: ajo e Myzeqesë, Toskërisë, Çamërisë dhe e Labërisë. Ndër to shquan dhe një radhë stilesh muzikore siç shfaqen në terren me emërtime të tilla: skraparlli, devolli, kolonjar, përmetar (brenda polifonisë toske) dhe ndarje të tjera të kësaj natyre. Ndarja vijon edhe nga pikëpamja strukturore si: polifonia me dy zëra, me tre zëra dhe katërzërëshe, të cilat identifikohen në fshatra apo krahina të caktuara ku ato praktikohen. Në punën e studiuesit të polifonisë është e rëndësishme nevoja për të bërë të njohur strukturën nëpër të cilën kalon një interpretim (këngë) polifonike, që nga marrësi, solisti i parë, hedhësi, solisti i dytë, solisti i tretë, isoja, mekanizmi që ndërton një harmoni të përkryer zërash, për të krijuar një sfond emocionues dhe kumtues për shikuesin dhe dëgjuesin.
Elementët që i diferencojnë dhe që i bëjnë të dallueshëm dialektet e polifonisë shqiptare janë të rëndësishëm pasi: “një radhë faktorësh të brendshëm i ndan ata në dy grupe- njërin prej këtyre grupeve e përfaqëson polifonia labe, ndërsa tjetrën- polifonia myzeqare, toske e çame së toku”. Studimi krahasues mes këtyre ndarjeve është i nevojshëm dhe i arsyeshëm sipas studiuesit, ato konsistojnë në disa çështje bazike: Karakteri recitativ dhe arioz, që në polifoninë labe janë të shkallëve të ndryshme, motive që këndohen nga shumë këngëtarë dhe shfaqen në arioze, ndërsa kur këndohen nga këngëtarë të veçantë paraqiten më deklarative. Specifikisht në këto raste luajnë rol fjalitë e ndërmjetme, fjalitë fillestare, fjalitë përmbyllëse, të cilat sipas rregullit paraqiten më deklarative. Një vend të veçantë zënë edhe çështjet e melodisë, roli që ka së pari karakteri deklarativ, pastaj isoja, që në linjë muzikore përbën një notë të mbajtur gjatë. Së dyti, karakteri recitativ, pastaj linja e hedhësit, solisti i tretë, pra, gjithë linja melodike frymore, e cila krijon një ansambël të vetëm kumtues pavarësisht hallkave që marrin pjesë në të.
Polifonia labe konstatohet se ka stilet e veta muzikore, pasi stilin deklarativ të saj “e përfaqëson stili karakteristik dyzërësh, pa iso e grave të Gjirokastrës, ku, jo vetëm fjalitë fillestare dhe ato përmbyllëse, por mbarë fjalitë muzikore dallohen prej notash folëse”. Stile të tilla gjenden siç thuhet ndryshe, te kurveleshasi, lopësioti, lunxhioti, zagoriti etj. Po ashtu ka stile të njohura për ritmin e saktë siç janë dukatasi, tragjasioti, tërbaçioti, po ashtu dhe stile novatore të shumëzërëshit lab si: bënçioti, pilurioti, tragjasioti, dhe raste të tjera të veçanta apo specifike.
Debat të gjerë shkencor në studimet tona zënë dhe çështjet e llojeve dhe zhanreve folklorike, të shfaqura përmes polifonisë labe. Kanë karakter të theksuar deklarativ zhanret satire-humoristike dhe karakter recitativ këngët që shoqërojnë vallet labe. Lidhur me karakterin recitativ S. Shituni arrin në përfundimin se “në polifoninë labe, karakteri recitativ objektizohet ngaherë në mënyrë relative-motive, fjali, fraza, melodi, stile, lloje e zhanre folklorike të ndryshme janë deklarative në shkallë të ndryshme. Porse, duke qenë relativ, karakteri folës mbetet, në të njëjtën kohë, faktor i rëndësishëm i përcaktueshmërisë së saj cilësore”.
Ndërsa për polifoninë myzeqare, toske dhe çame studiuesit mendojnë, se muzikalisht është më e zhvilluar se polifonia labe, e cila shquhet për konservatorizmin e saj, muzikalitet i cili ka ndikuar në zhvillimin e ndjeshëm të mjeteve shprehëse në përgjithësi dhe të melodikes në veçanti, megjithatë linja e isos vazhdon të jetë e njëjtë. Elementë të tillë si: këndueshmëria e rrallë, natyra improvizuese, drithërima e vazhdueshme, zbukurimet e shumta, metro-ritmika gjysmë ose krejtësisht e lirë, regjistri i lartë etj. i japin kësaj polifonie një bukuri e poezi me ngarkesë të veçantë ideo-emocionale. Në polifoninë myzeqare, çame e toske tashmë shquhen stilet e tyre, për shkak të zhvillimit të diferencuar siç konstatohet në polifoninë e kënduar nga kolonjarët, skraparllinjtë, ashtu siç vërehet recitativiteti tek zhanret e veçanta te këngët satire-humoristike dhe të këngëve që shoqërojnë vallet e grave. Studiuesi Shituni arrin në përfundimin se: “në polifoninë myzeqare, çame dhe toske, karakteri arioz materializohet gjithmonë në mënyrë relative-melodi, stile, lloje e zhanre folklorike të ndryshme janë të zhvilluara në shkallë të ndryshme. Porse, duke qenë relativ, karakteri arioz mbetet, në të njëjtën kohë, faktor i rëndësishëm i përcaktueshmërisë së saj cilësore”.
Interesant, për t’i bërë diferencimet mes dy degëve të mëdha të polifonisë shqiptare, asaj labe dhe asaj myzeqare, çame dhe toske është dhe çështja e marrëdhënieve harmonike mes bazës parësore apo dytësore me tingujt e tjerë mbi to, përmes të cilave shquhen tipare dhe cilësi qenësore, të shpjeguara mjaft mirë nga njohësit muzikorë, instrumentalë dhe shkencorë të polifonisë. Në këtë pikëpamje studiuesi Spiro Shituni arrin të vendosë krahasimisht dhe në mënyrë interpretuese cilësi, dukuri dhe çështje të pentatonikës labe me natyrë të dyfishtë dhe asaj myzeqare, çame dhe toske me natyrë të papërcaktuar. Në këtë pikëpamje, studiuesi mendon se “shfaqja më thelbësore e origjinalitetit të pentatonikës myzeqare duhet quajtur ngjyra minore mbi gradën e dytë”. Në përqasjet korrekte, si njohës i mirë, etnomuzikologu Shituni arrin në përfundimin se: “varësia e dyfishtë, horizontale dhe vertikale, e tingujve të pentatonikës shqiptare, ndaj bazës themelore modale duhet konsideruar shfaqje qenësore e origjinalitetit të saj”.
Një çështje tjetër që prek studiuesi Spiro Shituni është dhe ai i karakterit kontraktues dhe imitues të polifonisë shqiptare, krahasimisht të dy ndarjeve të njohura, asaj labe dhe asaj myzeqare, çame dhe toske. Në polifoni karakteri kontraktues përbën thelbin e saj. Në polifoninë labe kjo parakupton ngjizjen e kësaj polifonie në thelb, prej raportesh të ndryshme intonative, modale, harmonike, ritmike mes këngëtarëve të saj, në përgjithësi, dhe dy solistëve kryesorë, në veçanti”. Pas interpretimit të hallkave që organizojnë kontrastin në polifoninë labe, S. Shituni arrin në një përfundim konkret mbi një çështje të tillë, kur shënon se: “brenda polifonisë labe, marrësi dhe kthyesi kontrastojnë mes tyre veçanërisht në rrafsh intonativ, modal, harmonik, ritmik. Ndërkohë, ata unifikohen njëri me tjetrin, jo vetëm si rrjedhojë e harmonisë, ritmikës plotësuese etj., por edhe e rregullsisë formale në thurjen e linjave muzikore”.
Në polifoninë myzeqare, çame dhe toske bie në sy karakteri imitues. Studiuesi vëren se: “Karakteri imitues parakupton ngjizjen e këngës polifonike myzeqare, toske, çame, në thelb prej raportesh të njëjta intonative, modale, harmonike, ritmike mes këngëtarëve të saj, në përgjithësi dhe dy solistëve kryesorë, në veçanti”. Kështu në polifoninë myzeqare del në pah uniteti i këngëtarëve, pasi “brenda kësaj polifonie prerësi e imiton marrësin, sidomos në planin intonativ, modal, harmonik, ritmik”.
Polifonia shqiptare në thelbin e vet njihet si një pasuri e madhe e lashtë gojore dhe pa shoqërim të veglave muzikore, të cilat depërtuan vonë në disa variante apo dialekte të saj. Në këtë kuptim çështja e karakterit zanor të polifonisë është e rëndësishme dhe bazike, e cila parakupton natyrën e polifonisë sonë popullore për të mos u përcjellë prej veglave muzikore. Ajo vetë përcillet, e njohur ndryshe si iso. Lindja e isos përbën një veçori të rëndësishme të polifonisë, pasi ajo mban të pa luajtur bazën e këngës shumëzërëshe, rrit ngarkesën emocionale, ndihmon bashkëtingëllimin e melodive të polifonisë dhe lartëson nivelin interpretues të këngës polifonike.
Ky fenomen veprues në Shqipërinë e Jugut është i njohur, pasi shumë valle nuk përcillen me vegla muzikore, por përmes ritmit që krijon polifonia. Këtu zërat e këngëtarëve valltarë realizojnë një linjë muzikore ritmike, që përbën atë që në ndonjë rast tjetër bëjnë veglat muzikore, duke dëshmuar origjinën e hershme të polifonisë shqiptare. Çështjet e tingullit zanor janë studiuar dhe është e nevojshme të ketë studime të vazhdueshme mbi të, pasi ritmi dhe sfondi zanor (i zërave) të njerëzve përbëjnë thelbin e vetë polifonisë, si një krijim i lashtë gojor.
Depërtimi i veglave muzikore dhe në polifoni, praktikisht në polifoninë myzeqare, çame dhe atë toske daton vonë, gjysmën e dytë të shekullit të XIX, në krahasim me historinë e vetë polifonisë, ndërsa dialekti lab i qëndroi anash shoqërimit instrumental, pavarësisht se në shekullin e XX-të aty-këtu filloi depërtimi me vegla muzikore, me ç’rast e gjallëroi, e përtëriu dhe e pasuroi më tej polifoninë shqiptare.
Në historitë e popujve ka ca themele, gurët e të cilëve janë të shenjtë. Popujt autoktonë dhe etnikë, qofshin të mëdhenj apo të vegjël, i kanë këto gurë të shenjtë, të cilët përveçse i kanë ruajtur, i kanë bërë ato më të dukshëm dhe më me shkëlqim, duke i ushqyer në rrënjët e veta të hershme dhe me atë ushqim që ato janë rritur. Në tabanin tonë kombëtar trashëgimia jonë, polifonia, si njëri nga popujt më të hershëm të Ballkanit, është një trashëgimi e rëndësishme, në historinë dhe mbijetesën e së cilës pleksen jeta, vdekja, historia, gëzimet familjare, natyra, mjedisi familjar, etnologjia, lufta, të rënët, luftëtarët, zoti, malet dhe fushat, duke qenë njëkohësisht “libri” më realist, më i gjerë dhe më i rëndësishëm i kohës dhe njerëzve që e këndojnë polifoninë, por dhe për historinë dhe kulturën tonë kombëtare.
Pavarësisht ndikimeve që kulturat e popujve marrin dhe japin tek njëra-tjetra, polifonia shqiptare dëshmohet një kulturë autoktone, e cila ka lindur dhe është zhvilluar në një mjedis të caktuar historik, social dhe e dëshmuar që në kohët e hershme ilirike. Ajo është pasuruar dhe ka zënë vendin e vet në kulturën tonë kombëtare, duke u zhvilluar në shtratin e saj, pa huazuar asgjë nga kulturat e tjera. Ajo ka historinë e saj dhe identitetin e pakundërshtueshëm.
Si shumë studiues dhe njohës të rëndësishëm të polifonisë, duke pasur detyrimin e studiuesit, por dhe të njeriut që e ndjen dhe e do me zemër këngën polifonike, me të cilën është përkundur në djep dhe është rritur, po reflektoj mendimin tim në debatin për polifoninë, lidhur me një qëndrim dhe sjellje aspak shkencore të studiuesit V. Tole, i cili me një të rënë të lapsit përpiqet t’i heqë historinë, identitetin, vlerën dhe thelbin shqiptar polifonisë labe.
Një ndërgjegje e errët, okulte dhe aspak shkencore, e kamufluar, e një “zyrtari”, i cili ka përdorur mjaft keq dhe në dëmin e kësaj trashëgimie të rëndësishme të kulturës shqiptare, të qenit punonjës dhe drejtues në institucionet shkencore shqiptare (Ministrinë e Kulturës dhe Akademia e Shkencave të Shqipërisë), ky studiues ka arritur deri aty sa polifoninë shqiptare ta paraqesë në autoritetin më të rëndësishëm botëror të kulturës dhe ruajtjes së këtyre vlerave (UNESKO) si iso- polifoni. Kjo është thika pas shpine dhe shërbimi më i keq që mund t’i bëhet një pasurie të tillë kombëtare. Kjo është një sjellje tinëzare, e cila prek në sedër jo vetëm krahinën e Labërisë, por gjithë Jugun dhe kulturën e lashtë shqiptare në të gjithë trojet etnike shqiptare.
Polifoninë shqiptare nuk e lidh asgjë me korin e sirenave apo “kultet” e Bizantit, por e lidh me jetën dhe vdekjen, me dhimbjen dhe Zotin, dhe si e tillë, polifonia, siç ka udhëtuar që nga koha e Homerit apo tempulli i Dodonës (duhej t’i kishte lexuar mirë V. Tole këto burime të lashta të dëshmisë së polifonisë), ajo ka dalazotët e saj.
Pa sjellë në vëmendje reagimet e shumta argumentuese dhe njohës të mirë të polifonisë shqiptare në shtypin e përditshëm dhe rrjetet sociale, dua të sjell në vëmendje disa argumente bazike zotërisë V. Tole, dhe t’i kërkoj UNESKOS të reagojë dhe të rregullojë emërtesën iso-polifoni me polifoni në statusin si pronë e kulturës botërore të saj.
-Polifonia është një trashëgimi shpirtërore shqiptare, e cila është mbledhur në terren për disa kohë (disa dhjetëvjeçarë), është sistemuar, në arkivat respektive dhe e gjithë kjo lëndë e konsiderueshme është studiuar dhe interpretuar shkencërisht në të gjithë elementët e saj, që nga origjina, historia, struktura (d.m.th. si ajo ka funksionuar dhe funksionon në harmoninë dhe unitetit interpretues), pasurimin dhe përsosjen e saj, stadet nëpër të cilat ka kaluar deri në ditët e sotme. Polifonia studiohet dhe interpretohet shkencërisht edhe nga mjaft studiues të njohur evropianë.
Studiues të njohur dhe etnomuzikologë si: Ramadan Sokoli, Beniamin Kruta, Çesk Zadeja, Spiro Shituni, Kosta Loli, Zhani Ciko, Aleksandër Peçi, Limoz Disdari, Fitim Çaushi, Sokol Shupo, Piro Misa, Hysen Filja dhe të tjerë, njerëzit me autoritetin shkencor të njohur në këtë fushë, argumentojnë se polifonia kurrsesi në pikëpamjen etno-muzikore nuk mund të konsiderohet iso- polifoni dhe si e tillë polifonia ka gjenezën e saj. Mjafton t’i sjellë në vëmendje studiuesit V. Tole një nga argumentet shkencore, në të cilin thuhet: “Karakterin autokton të polifonisë shqiptare dhe lidhjet e saj me kulturën muzikore të lashtësisë ilire, e provojnë, veç të tjerash dhe gjurmët e saj të ruajtura në trojet e vjetra ilire të Epirit“.
Një veprim kaq i papërgjegjshëm, i cili bie erë të ndotur të qarqeve nacional-shoviniste, duhet të çmontohet sa më parë, duke filluar me një korrigjim dhe ndjesë për praktikën e gabuar të UNESKO-s, dhe marrjen e përgjegjësisë të Vaso Toles, i cili ka keq-përdorur institucionin shqiptar (Ministrinë e Kulturës dhe Akademinë e Shkencave të Shqipërisë) që i ka mundësuar kontaktet dhe bashkëpunimin me UNESKO-n. Kjo gjë vë në përpjekje edhe albanologët e Akademisë së Shkencave, të cilët “heshtin” përpara tjetërsimit të polifonisë shqiptare.
Referenca
152 S. Kotby, gazeta “Drita”, 15 tetor 1978.
153 Kultura Popullore, nr. 1, Tiranë 1989.
154 E. Çabej: “Për gjenezën e literaturës shqipe”, Tiranë 1939, fq. 58.
155 Beniamin Kruta: “Vendi i polifonisë shqiptare në polifoninë ballkanike: në “Kultura popullore”, Tiranë, nr. 1, 1990. Më gjerë shih: B. Kruta: “Polifonia dyzërëshe e Shqipërisë jugore”, Tiranë 1989.
156 R. Sokoli: “Drejt burimit të polifonisë sonë popullore”, gazeta “Amza letrare”, Romë, 20 mars 2004.
157 S. Shituni: “Dialektet kryesore të polifonisë popullore shqiptare”.