Ilir Levonja: Doktor Berisha jep dorëheqjen
Doktor Berisha, zgjedhjet u vodhën, u shqyen, u shkërdhyen etj. Edi Rama i ka të gjitha të këqijat dhe ty të rrofshin faktet. Se sado fakte e video të kesh, asnjë gjykatë nuk ka për të të dhënë të drejtë. Drama më e madhe e shqiptarëve fillon tek shifra 38% e pjesëmarrjes. Vlora 24%. Shkodra ra, Tirana thelloi më tutje rezultatin. Tani nëse humbjen do na i kthesh në fitore, duhet të themi, se, na nxorre mallin e Lul Bashës. Nisur nga gjithë eksperienca e këtyre 3 viteve, ku i re cep më cep Shqipërisë, bëre një guidë politike për t’u patur zili në rrafshin personal e politik, por edhe për sedrën e demokratëve, në fund të fundit ishit historia e tyre. Unë e shoh krizën e madhe tek rënia në pikiatë e numrit të votuesve. Mungojnë tmerrësisht të rinjtë. Askush tjetër veç Edi Ramës nuk e dëshironte pjesëmarrjen e ulët, shumë e thjeshtë, donte vetëm votën minorancës shqiptare, atyre që janë të angazhuar. Kjo është arsyeja që sot Edi Rama ka fituar thellë, por me të njëjtën numër votash si në vitin 2019. Kjo mungesë e madhe fillon nga mosbesimi. Nuk mund të konsiderosh më opozitë një grup rithemelimi dhe një grup vule. Madje ky grupimi i fundit i ka bërë po të njëjtin dëm elektoral shqiptarëve aq sa qeveria. Por dëmin më të madh historik, ia kanë berë demokratëve. Mund të kishin ofruar komisionerët, por nuk e bën. Madje me kalimin e ditëve dhe vetë demokratët do habiten me dëmin elektoral që u shkaktoi grupi vula. Nëse do kishte vullnet, sot opozita do kishte edhe Kuçovën, Mallakastrën, Këlcyrën, Finiqin. Kësisoj si bordi drejtues i grupit të rithemelimit si bordi i vulës duhet të tërhiqen deri në rangun e anëtarit të thjeshtë. Në këto momente fuqinë e ka statuti. Kurrë mos u trëmbni nga qarkullimi, rrotacioni, diku atyre radhëve mund të jetë një lider më i fortë se ju, i cili do dijë se si të bashkojë demokratët, se si të përballet me makinerinë e pushtetit më antidemokratik në Europë. Se sot siç e thonë shumë demokratë, askush nuk po e kupton dot se ku ndodhet Shqipëria. Çfarë kursi politik ka? Kujt i afrohet? Bllokut europian apo atij të lindjes së mesme dhe të largët. Pa diskutim që grupimi i rithemelimit konkuroi në 61 bashki, biles gati me të pamundurën, pasi në Shqipëri nuk kryhen zgjedhje, por votime. I ka të gjitha qeveria vërtetë, por këto i dinim, i pranuam me bindjen se do fitonim mbi të keqen. Mirëpo në rrugicat e lagjeve dhe fshatrat e periferisë akoma ndahen pako me ushqime. Akoma blihen karta identiteti. Njerëzit nuk ia kanë ngenë grindjeve të demokratëve. Pse të kemi frikë ta pranojmë, mjekra e Alibeut dhe tifozët e tu nuk e mundën dot gogolin. U treguan indeferentë dhe nuk dolën të zgjedhin. Përpara se t’ia ngjeshin fajin qeverisë ta kërkojmë tek vetja. Në 1992 gogoli shtet ishte më i egër, megjithatë fitorja qe plebishitare sepse pjesëmarrja në votime ishte e lartë, jo 38%. Shiko pjesëmarrjen në Pukë, 57% dhe ja pse aty fitoi opozita. Lulzim Basha dilte dhe thoshte “humbje pas humbje, na vodhën, unë po ngrij, do shkrihem kur të vendosi kryesia”. Përjetuam një gjë të bukur në rikthimin e garës brenda opozitës, por kjo nuk jep domethënien se pushtetit i njëshit është absolut. Thjesht, jep dorëheqjen.