Albspirit

Media/News/Publishing

Fritz Radovani: Një monument nën dhé (2)

NGA NA ERDHËN KËTA PARTIZANË?

 

“Të ngjeshuna dhe të papushueshme ndiheshin qitjet e mauzerëve rusë, me të cilat ishte paisë ushtria malazeze”.

Gino Berri, 1913.

 

Ma shqip:  KUSH DREQI NA I SOLLI?

Në vitin 1951 ishim një grup fëmijësh që ndihmonim  meshë në Kishën Françeskane të Gjuhadolit me Nikolin Lekën, Tonin e Bepin Ljarën, Kolec Ljarën, Karlo Marlekën, Tish Serreqin etj. Me datën 13 Qershor ditën e Shna Ndout, që për atë Kishë ishte ditë e veçantë se besimi në këtë Shenjt në Shkodër asht shumë i madh, At Marjan Prela, që kishte “mbetë” si administrator na mori të gjithëve dhe na hypi në kompanjel. Ngjitja ndër ato shkallë thik ishte pak e frikshme. Kur mërrijtëm tek balkoni u mahnitëm me atë bukuri që të përfshinte syni. Për né ishte hera e parë që shikonim nga nalt krejt Shkodrën në të katër anët, me lumenj, fusha, kodra e male që e  rrethojnë. Liqeni dukej i pafund si një tepsi e kallaisun prej rrezeve të diellit. Edhe pullazët e shtëpive karakteristike me tjegulla dukeshin si kuadrate të kuqe si ufulla mjedis gjelbërimit që mizotnonte, sidoemos zonën e banueme nga myslimanët. Aty-këtu ngrihej ndonjë bajonetë e mbrojtjës së fesë së këtij qyteti besimtar; ishin minarët e Xhamive dhe kompanjelat e Kishave të tjera. Secili prej nesh kërkonte me sy rrugën dhe pullazin e shtëpisë së vet. At Marjani me durimin e tij karakteristik na shpjegoi se të gjithë këta gur e parmakë të këtij kompanjeli janë daltue me dorë nga mjeshtrat shqiptarë, madje, edhe kupola e vogël që kishim mbi kokë mbi të cilën ishte vëndosë Kryqi, ishte punue prej mjeshtërve të drunit, mandej e kishin veshë sipër me fletë metalike. Nën balkue ishin katër sahatët me një mekanizëm të thjeshtë, në të cilin varej një kovë shumë e randë e mbushun me hekra që shërbente për kurdisje. Njëherë kishte ra poshtë tue thy krejt shkallën. Mbas asaj herë ishte sigurue mjaft mirë lidhja e saj me mekanizmin. Prej atij balkoni At Fishta kishte lidhë kandilat e dritave të vumë në varg me minarën e Xhamisë së Fushës së Çelës, një minare shumë e bukur edhe ajo me gurë të daltuem dhe, e ngritun me derdhje plumbi. Kjo lidhje me kandila isht kenë ba natën e Festës së Flamurit si shenjë vllaznimi në vitin 1913.

Pika e vëndosjes së këtij kompanjeli tregonte qendrën ku asht vendosë kompasi kur asht vizatue qyteti i Shkodrës. Ai sahat shihej në çdo kand të qytetit mbasi i tillë ishte mendue ndërtimi i tij.

Edhe kompanjeli i Katedralës kishte pamje madhështore kur pata hypë ma vonë, madje, ma i naltë, por zona e Kirit zbehte gjallninë, atë që nuk i mungonte pejsazhit nga kompanjeli i Fretënve.

Në anën perëndimore të balkonit ku ishim na, nën parmakët e gurit lidhej me derdhje plumbi ndër gur një shufër hekuri, në kokën e të cilit kishte një unazë. Në atë unazë Françeskanët vendosnin Flamurin Kombëtar në ditën e Festës së tij. Valëvitja e tij kje kërcnue me topa nga t’ huejtë, po Flamuri ynë vazhdoi me qëndrue prapë atje nalt. Nën za At Mariani këndonte: “Porsi fleta e Engjëllit të Zotit”!…

Partizanët më 29 nandor 1944, pa pritë me dalë drita aty vendosën një flamur të zhgarravitun me yllin e kuq. Shumë prej atyne që e kujtojnë atë ditë morti kanë mendue: “Ma mirë të ishte rrëzue me top flamuri bashkë me kompanjel, se kështu si po e shofim sot!”. Më duket, se nuk e kishin pasë gabim, të paktën marrja u mbetej tjerëve e jo “shqiptarëve”, nëse i thërrasim kështu. Tue mos i njohtë për shqiptarë gjithmonë  populli thonte: “Kur kanë hi këta…!”, pra, “këta”, të pa emën dhe të pa atdhe. Pikërisht ishin “këta” që për demagogji në shumë prej këtyne Kishave e Xhamive ngjitën nga një copë teneqe, ku shkruhej: “Monument Kulture, mbrohet nga Shteti” dhe nuk zgjati shumë, fjala “mbrohet”, u zëvendsue me fjalën “shkatërrohet”. E, kush i shkatërroi? Mbas 50 vjetësh këtë e tregon me gojën e vet Ramiz Alia, kur thotë: “Ne nuk jemi as Lindje as Perëndim…” , po shka jemi, kur nuk jemi as mish, as peshk? Simbas tij na nuk jemi kurrkushi. Ai kur flet për vehte, nuk e ka gabim, por besoj, nuk ka turp ma të madh për një “president” se me mohue identitetin e vet. Këtë e ban një “president” që ka ardhë në  pushtet kur kanë hi “këta”.

Shfarosja e atdhetarëve, lufta kundër besimeve dhe zhbimja e intelektualëve në fillimet e vëndosjes kulturës evropiane perëndimore, e pasueme me grabitjet e florinit dhe të pasunive private, futja e frikës, skamit dhe terrorit në popull ishte rruga që i hapej shkatërrimit kombëtar të filluem me aq vështirësi në Shqipni.

Ky shkatërrim kujt i interesonte? Vetëm shovenistëve sllavë dhe fanatikëve aziatikë të mbetun nga regjimi anadollak, me mentalitet antiperëndimor, me përvetësue pasuninë e tjetrit me grykën e pushkës edhe pse ai kishte derdhë shumë djersë me e fitue.

Gjaja e yte asht e jona, me pikësynimin, nesër do të jetë e emja. Fjalët “çlirim, plaçkitje dhe vorfnim” fillojnë në njëditë, ky asht tipari i parë i pushtetit komunist.

Askush nuk llogariti se kujt po i shërbenin!

Më tregonte njëditë në Tiranë Luigj Filipi, shkodran i vjetër, rreth 84 vjeç, komunist ndër të parët me Zef Malën. Kishte shkue në Kishën e Jezuitëve aty nga viti 1938 sa ishte ndërtue Kisha e re. Mbasi kishte predikue At Meshkalla, i ishte drejtue Luigjit, që mbas Meshe me u takue pak për një problem personal. Luigji kishte pranue tue ulë kokën. Kishte shkue në sakristi dhe ishin ulë në dy karriga. At Meshkalla e kishte pyetë, Luigj, ti je komunist? -Luigji kishte pohue se po, mbasi nuk kishte frikë nga At Meshkalla. Ai i ishte drejtue Luigjit me këto fjalë: “A e din ti Luigj se kujt i shërben me këtë ideologji? Komunizmi asht vetëm utopi. Ai nuk ka me u realizue kurrë, por për fat të keq ju, të rinjtë, tue mos e njohtë jeni futë në një rrugë shumë të rrezikëshme për kombin, mbasi nesër keni me e pa vedin ushtarë të Titos dhe të Stalinit. Ti vepro si të duash por me më ndigjue mue largohesh nga ajo rrugë antishqiptare!”.

Pa kërkue përgjegje, i kishte dhanë dorën dhe ishin nda. Biseda kishte mbetë për 60 vjet e pahapun. Në vitin 1998 Luigji ma tregoi, që në rasën e parë që të paraqitej mundësia unë me e botue. Në fund të bisedës, më tha: “Të lutem, ke me shënue edhe këte, se unë jam një ndër ata komunistë që kam dashtë me dalë ma i mendshëm se At Meshkalla!”.

Për komunistët ishte “nder e lavdi“ me vdekë tue brohoritë “Rroftë Stalini”, “Rroftë Bashkimi Sovjetik”, “Druzhe Tito, rrofsh sa…”.

Vëndimet e Jaltës janë kenë dhe janë vendimet ma fatzeza për popullin shqiptar.

Shumë gjermanë para largimit nga Shqipnia, u treguen miqëve të tyne se do të kishte ndryshim sistemesh në Shqipni, këtu do të vinin në pushtet komunistët dhe se kjo zonë i asht lanë Rusisë stalinjane nën influencë. Shqipnia do të mbetët për 50 vjet nën kontrollin e Rusisë. Ikni, se komunistët do të ju zhdukin nga faqja e dheut!

Po anglezët e amerikanët shka u thanë miqëve të tyne?

“Mos ikni, edhe pse njëherë do të drejtojnë komunistët, na do të vijmë prapë. Këtu do të vëndoset shtet demokratik, do të bahën zgjedhje të lira, pushteti i ardhshëm do të jetë i të gjithëve”.

Pak vetë iu besuen gjermanëve, shumica u tradhëtuen nga Aleatët. Sot ruhen në arkivat e tyne letrat e Muharrem Bajraktarit, Ahmet Zogut dhe të Klerit Katolik Shqiptar, që u kanë dërgue atyne pikërisht, për problemin kombëtar deri në vitin 1946, nëpërmjet të ambasadave dhe misioneve të tyne këtu. Përgjegjën e di edhe populli: “Pritni gjethin!”, me siguri ishte fjala se nuk asht larg koha kur shqiptarët do të mbulohen me gjeth fiku…. Dhe me të vërtetë ajo kohë erdhi!…

Po Atdhetarët Shqiptarë shka banë?

ATA SHKRUEN ME GJAKUN E TYNE HISTORINË E LAVDISHME TË REZISTENCËS ANTIKOMUNISTE NË TROJET SHQIPTARE.

  • 24 shtator 1943: “Besëlidhja e Veriut” e Malësisë së Madhe, Rranxave dhe të Postribës, në pikën e parë të së cilës shkruhet: “Mbrojtja e kufijve të sotçëm të Tokës Shqiptare”.
  • 17 nandor 1943: Bahet Program-Veprimi i “Besëlidhjes së Veriut” dhe Betimi. Me “Besëlidhjen e Veriut” asht organizator edhe Muharrem Bajraktari për krahinën e tij shka përfshinë Dibër etj.
  • 12-13 janar 1945: Kryengritja e Kelmendit nga Prenk Cali.
  • 13-14 janar 1945: Kryengritja e Koplikut nga Llesh Marashi.

Vetëm në këto dy kryengritje u pushkatuen 118 burra të Malësisë së Madhe pa gjyq.

  • Shkurt 1945: Lufta e Bërdices dhe Anës së Malit nga Jup Kazazi dhe Abaz Ermenji.
  • Maj 1945: Përpjekja e parë për formimin e Partisë Demokristjane Shqiptare, me kryetar Andro Petroviq, në shtëpinë e Mark Gjon Shllakut, në Rus, Shkodër.
  • Maj 1945: Formohet Organizata “Bashkimi Shqiptar” nga Mark Çuni.
  • 26 maj 1946: Demostrata e Parë Antikomuniste e Rinisë Shkodrane, me rastin e vorrimit të Imzot Gaspër Thaçit, Argjipeshkëv Metropolitan i Dioçezit të Shkodrës.
  • 9 shtator 1946: Kryengritja e Postribës.

1944-1948: Ndër male në Dukagjin janë mbi 400 burra të armatosun ndër shpella dhe të organizuem nga Gjergj Vata, Pal Thani, Mark Mala, Nik Sokoli, Ndue Pali, Gjon Destanisha, Martin Sheldija etj.

  • 1944-1954: Në Mirditë, Mark Gjon Marku organizon rezistencën, të cilën mbas vrasjes së tij në vitin 1946, e vazhdoi i vëllai Lleshi, që edhe ky vritët më 10 gusht 1947. Lufta vazhdon në këtë krahinë ma vonë se kudo tjetër, deri në vitin 1954.
  • 1944-1950: Në rrethin e Tiranës shquhet për qëndresë “Çeta e Hekurt” e Sul Selimes.
  • 1944-1947: Në Shqipninë e Mesme, Prof. Alush Leshanaku organizon çetat e malëve, një tmerr i vërtetë për komunistët dhe brigadat e Ndjekjes. Në vitin 1950, Mark Zef Pali, Alush Leshanaku dhe Gjon Mark Ndoj formojnë “Frontin e Bashkuem të Rezistencës Shqiptare”, që përfshinë edhe malët e Dukagjinit, Mirditës, Pukës, të Matit, rrethit të Tiranës dhe Elbasanit. Kryetari ishte H. Frashëri.
  • 1945-1950: Grupet antikomuniste të studentëve të Gjimnazit të Shtetit në Shkodër, deri në vrasjen e studentit Bardhosh Dani.
  • 1944-1950: Nuk pushojnë asnjëherë shkrepjet e armëve nga Atdhetarët e Kosovës që vdesin për liri, si: Prof. Ymer Berisha, Maria Shllaku, At Bernardin Llupi, Prof. Kol Parubi dhe mësuesi Gjergj Martini, të gjithë t’ekzekutuem e të vramë në Prizren, më 15 nandor 1946.
  • Korrik 1947: Kryengritja e Myzeqesë me burrin e lindun me “këmishë”, Hamid Matjanin, i kapun trathtisht nga komunistët, të njoftuem për zbritjen e tij me parashutë në Shqipni nga spijuni anglez, kolonel Kim Filbi, në Londër.

***

  • “Shumica e tyne ecin zdathë, kështu, që, atij që i sheh nëpër ata shkambij i dukën dhi të egra”, shkruen Mariano Bolica, në vitin 1614, në “Relacione”, fq. 277, Vëllimi I.

Historia e rezistencës antikomuniste në Shqipni fillon pa mbarue Lufta e Dytë Botnore. Atdhetarët e vërtetë nuk u pajtuan kurrë me komunizmin gjakatar. Volume të tana nuk mund të plotësojnë qëndresën shqiptare të Pjetër Dedës me gruen e tij, Maria (Zojzi), të Angjelina Markut, të Ludovik Saraçit, të Jup e Seit Kazazit, të Pashuk e Pal Bibë Mirakajt, të Frano Mirit, të Gjon Dodanit, të Hasan Isufit, të Dod Nikollës, të Marash Ndue Mirit, të Pashko Zef Hotit, të Hysen Lepenicës, të Zagoll Shenos, të Sami Lepenicës etj. Gjithmonë tue vue në fletën e parë të këtyne volumeve Gjelosh Lulin, që nuk e ban ma nana.

Secili gur mali në tokën shqiptare ka të daltuem një emën Heroji, që kohëve të ardhshme do t’u ngjasojnë me shkronjat e sarkofagëve, por mos harroni kurrë, po e përsëris, kurrë, se atë shka serbët i banë Kosovës në vitët e fundit, 50 vjet ma parë ia kanë ba Shkodrës, tue rrafshue për tokë kulturën, tue zhdukë inteligjencën, tue pushkatue e mbytë me hû mbi 131 meshtarë, tue grabitë bibliotekat e thesaret e tyne, tue plaçkitë e vjedhë shtëpi e magazinë tregtari, tue grumbullue dupa e flori me arka nga gratë shkodrane mbasi i lanë të veja, tue angazhue vllaznit tanë spijuj të Sigurimit, tue i detyrue me paditë vëllan tue i torturue si kafshët dhe, në fund, sot na rrimë tue kërkue eshtnat e këtyne Martirëve e shka asht ma keq, se nuk dimë edhe ku janë!

Sot, na dimë vetëm një fakt se pothuej, të gjitha përpjekjet e shqiptarëve për liri u shtypën me gjak, hekur dhe tradhëti.

Koçi Xoxe deklaron: “Për vrasjet pa gjyq kam qenë këshilluar dhe janë bërë me urdhër të shokut Komandant. Ka pasur edhe vendim Byroje për këtë!”(Dosja 1623)

Torturuesit dhe kriminelët Zoi Themeli, Vaskë Koleci, Lefter Lakrori,  Muço Saliu, Siri Çarçani etj. tregojnë, se kur ishin në Shkodër, në janar të 1945, ishte në dijeni edhe Mehmet Shehu për operacionin e Veriut, “…që kishim urdhër me vra dhe me i tretë në proskë njerëzit e  dyshimtë dhe Parinë e vendit….”  (po aty, Dosja 1623)

 

  • Asht e shkrueme e nuk e lot topi:

“Më 23 prill 1913, mbaroi lufta. – Shkodra ra!”…

 

KUSH  KISHTE  MA  SHUMË  VLERË  PER  LIRINË  E  ATDHEUN, “BESË–LIDHJA  E  MALËSISË…”

APO “LUFTA  NACIONAL –ÇLIRRIMTARE” ?!

 

Kur “historianët” do të shkruejnë të vërtetën, që Rinia Shqiptare me e mësue “até”?! Sa do të më pelqente sikur “prof. dr. e akademikët” me e dijtë këte emen, kush ishte kjo “Besë – Lidhja e Malësisë së Madhe, Rranxave dhe Postribës”, kush e krijoi dhe pse u krijue, apo cili ishte qellimi i Saj Atdhetar?!

Nuk dij a e kanë lexue ndonjëherë Programin e Saj!!

Prej vitit 1941 krahinat Veri – Perëndimore të Shkodres, tue fillue prej Ulqinit, Tivarit, Hotit dhe Grudës, ishin të lira nga jugosllavët dhe malazezët, mbas sa luftave per Lirinë e Tyne, dhe shpejt ishte e lirë edhe Kosova e Maqedonia, deri poshtë ku kishin hy forcat gjermane që kërkonin shkëputjen e Trojeve Shqiptare nga zgjedha sllave. Menjëherë ndër ato krahina u hapen 120 shkollat shqipe me 250 mësues nga ministri Ernest Koliqi dhe qeverisjet lokale të tyne ishin nga Shqiptarët, të cilët, filluen edhe organizimin e policisë dhe administrimin e vendit.

Kur ushtria gjermane filloi terheqjen nga Ballkani me humbjen e luftës, ndihej nevoja e organizimit ushtarak ndër ato krahina për me mujtë me sigurue “Lirinë” e Tyne, e cila, jo vetem, do të rrezikohej, por pritej edhe përdhosja e Tyne nga forcat komuniste jugosllave të Titos, i cili kërkonte edhe njëherë aneksimin e tyne në vathen e vjetër sllave, por këte herë i ndihmuem nga forcat ushtarake sovjetike dhe nga komunistët shqiptarë, që ndihmoheshin materialisht nga forcat ushtarake të Aleatëve. Nga fundi i vitit 1943 forcat nacionaliste shqiptare “Balli Kombëtar”, “Legaliteti” dhe Indipendentët, luftoheshin haptas nga forcat komuniste “partizane” të drejtueme prej agjentëve jugosllavë, që kryesoheshin gjoja nga anadollaku Enver Hoxha, që tashti kishte shpalosë haptas flamurin e tradhëtisë, me luften civile në Shqipninë e Jugut…dhe pritej që Shqipnia Europjane t’ ishte tansisht nën pushtimin bolshevik komunist të Titos. Me këte vepër tradhëtije pajtohej edhe blloku i Aleatëve, nen parullen e “Konfederatës Jugosllave”; i cili ndihmonte me të gjitha mjetet financiare dhe materiale “nacional – çlirimtarët” e bllokut komunist të Stalinit.

Me daten 23 Shtator 1943, kapiten Gjelosh Luli, major Mul Bajraktari, major Dodë Nikolla (Ivezaj), kapiten Llesh Marashi, të mbledhun per me shpëtue Atdheun, nga një robni e ré që po kercnonte krahinat e Shqipnisë së Veriut të porsalirueme nga sllavët dhe italianët, që po administroheshin nga Shqiptarët, kur gjermanët ishin në terheqje, Këta Burra, në një mirëkuptim të plotë edhe me krenët e vendit, të gjithë bashkë, formuene “Besë – Lidhjen e Malësisë së Madhe, Rranxave dhe Postribës”, e cila, kishte si pikësynim kryesor: 1. Mbrojtja e Kufijëve të sotëm të Shtetit Shqiptar…2. Qetësia e mbrendëshme në krahinat Shqiptare…dhe një Program të plotë, që perputhej me interesat kombtare të Lirisë, Pavarsisë dhe të zhvillimit e përparimit të Tyne, me kahun e pikpamjet Europjane – Perëndimore.

Të nisun edhe nga sakrificat e Familjes së Atdhetarit Dedë Gjo’ Lulit në vitin 1911, trashigimtarit të Gjakut të Tij, po edhe pasues i divoçem per nga Atdhetaria, kapiten Gjelosh Lulit, nga të gjithë drejtuesit iu besue drejtimi dhe organizimi i mandejshem i Saj.

Të parët që miratuen dhe u bashkuen me këte “Besë – Lidhje të Veriut” ishin Krenët e Hotit, Grudës, Kelmendit, Kastratit, Shkrelit, Triepshit, Koçës, Fundës (Luare – Ledhe) , Reçit, Lohes, Rrjollit, Koplikut, Buzë-Ujit dhe Postribës. Shumë shpejtë me ta u lidh edhe koloneli Atdhetar i Dibres Muharrem Bajraktari. Me daten 19 Dhjetor 1944, drejtuesit e Besë – Lidhjes i drejtojnë një kerkesë edhe anglezit, kolonelit Nill (Neell), që ndodhej në Veri…i cili “premton po, nuk mban asnjë nga ata që premtoi.” (Dosja 1883, Arkivi Min. Mbrendshme Tiranë, 1998).

Të parët që iu përgjegjen Lidhjes ishin grupi i ushtarakëve ndër shpellat e Shllakut, që kryesohej nga kapiten Gjergj Vata (Cukali), Martin Sheldija, Zef Agostini, Kolë Ashiku, Zef Jakoviq, Loro Vata dhe ma vonë, organizatori i Rinisë Katolike Shkodrane, Ndoc Jakova.

U gjet perkrahja e grupit ushtarak të shpellave të Dukagjinit, ku ishin oficerat Gjon Destanisha, Pal Thani, Mark Mala, Nik Sokoli, Ndue Pali, Zef Kol Prela etj. Në Postribë ishte Jup Kazazi, Abdullah e Nuh Kazazi, që mbeshteteshin tek Parija aty. Pa kalue as pak muej në perkrahje të “Besë – Lidhjes së Veriut” vihet edhe Puka me të ushtarakët e njohun e trima, Mirakajt, Mirdita me major Markun dhe Lleshin e Zi Markagjoni…

Me kenë se Gjelosh Luli ishte edhe mik i At Mati Prennushit, provinçialit Françeskan të Shqipnisë, i cili kishte lëshue një urdhen të premë mbas vrasjes së At Lekë Lulit, kur bashkpunoi me Legalitetin dhe u vra tradhëtisht, Ai urdhnoi që “asnjë Klerik Katolik nuk duhet të perzihet në politikë”, në këte “Besë – Lidhje të Veriut” nuk u angazhue asnjë nga Klerikët e këtyne zonave. Por edhe pse Kleri Katolik nuk u perzi fare, Ai u godit ma keq se kushdo, tue fillue nga data 25 Mars 1945 që u pushkatue Don Ndre Zadeja, dhe mbas tij, me rradhë dijetarë e Atdhetarë për 47 vjet rresht panderpremje deri tek Don Lazer Sheldija në vitin 1988, që u vra nga sigurimi komunist i yni në Amerikë, vetëm, se ishte Bir besnik i Atyne trojeve të Besë – Lidhjes së Veriut.

Kur forcat komuniste të Mehmet Shehut e Koçi Xoxes, e sa e sa “gjeneralëve” halabakë, sulmuen mbas shpine Atdhetarin Prekë Cali, bashkë me forcat jugosllave që kishin pushtue Gruden, me “Besë – Lidhjen e Veriut” u bashkuen edhe çetat e Shqipnisë së mesme me Alush Lushanakun, Mark Zef Palin dhe Gjon Mark Ndojin, të cilët ruenin lidhjet e veta me “Çeten e Hekurt” të Sul Selimes në rrethinat e Tiranës. Rezistenca antikomuniste në Shqipni fillon pa mbarue Lufta e Dytë Botnore. Atdhetarët e vërtetë nuk u pajtuen kurrë me komunizmin gjakatar. Në Shkoder asht i pari në Europë Mark Çuni, që formon organizaten antikomuniste “Bashkimi Shqiptar”, me anen e së ciles, kerkoi pluralizmin politik dhe zgjedhje demokratike. Askush nuk mund të harrojë qëndresën heroike shqiptare të Pjetër Dedës me gruen e tij Maria (Zojzi), të Ludovik Saraçit, të Pashuk e Palë Bibë Mirakajt, të Frano Mirit, të Gjon Dodanit, të Hasan Isufit, të Marash Ndue Mirit, të Pashko Zef Hotit, të Hysen Lepenicës, të Zagoll Shenos, të Sami Lepenicës etj., po gjithmonë tue vue në fletën e parë të këtyne volumeve të qendresës heroike Shqiptarin Gjelosh Lulin e Hotit dhe të Maleve të Veriut, që nuk e bân kurrmâ Nana.

Në vitin 1999, në muejn Tetor, më ka shpjegue zonja e Nderueme Helena (Lena) Luli (Mirakaj), e shoqja besnike e Gjelosh Lulit, që atë natë kur Gjeloshi, do të merrte malet, u vesh me rrobat ushtarake, vuni nën koletin e xhaketes një Kryq të vogel, puthi dy vajzat e veta të vogla, Klaren dhe Belen, i kishte kerkue zonjës Helena revolverin që e ruente të mbyllun me çels. Kjo ia kishte sjellë dhe Ai e kishte marrë në dorë, e kishte shikue dhe i kishte thanë: “Mos e thashtë as mos e premtoftë Zoti, që unë me këte armë me rrëzue Landen e Tij!”

Mbasi e kishte vue në brez, ishte perqafue me Té dhe kishte dalë nga shtëpia për mos me u kthye kurrmâ. Me daten 31 Dhjetor 1946, tek zyret e ndjekjes së Koplikut asht ekspozue vetëm koka e preme e Gjelosh Lulit, për me terrorizue Malet e Veriut dhe krahinat antikomuniste! Pothuej të gjithë Emnat e Atyne Burrave që kam përmendë ma siper janë vra e zhdukë edhe trupat e tyne, kush pa krye, kush pa kambë, kush pa sy e kush pa krahë, perfundimisht gati të gjithë janë “pa Varr”!

Po monument per Këta Atdhetarë, viktima të komunizmit a ka sot kund!?…

– Jo, “monumentet” janë per vrasësit e tyne, per kriminelët e dekoruem atëherë e sot!

“Monumentet” janë e do të jenë per “nacional – çlirimtarët” tradhëtarë e kolaboracionistë me bolshevikët sllavo – komunistë të Jugosllavisë së Titos, Rusisë terroriste staliniste dhe Kinës së Mao Ce Dunit…shfarosës e barbar, me etiketen e “Revolucionit”…të cilëve, u kanë sherbye dhe vazhdojnë me u sherbye me perkushtim, se i lidhë të gjithë bashkë “ideali antiatdhetar”…

Po “ideali i antarëve të parë të partisë komuniste” cili ishte?

– Sot, dimë vetëm një fakt, se pothuej të gjitha përpjekjet e Shqiptarëve për liri u shtypën me gjak, hekur, torturë, vrasje dhe tradhëti. Koçi Xoxe deklaron: “Për vrasjet pa gjyq kam qenë këshilluar dhe janë bërë me urdhër të shokut komandant.”(Dosja 1623). Torturuesit dhe kriminelët Haxhi Lleshi, Zoi Themeli, Vaskë Koleci, Lefter Lakrori,  Muço Saliu, Siri Çarçani, Mestan Ujaniku, Nesti Kopali, etj., tregojnë se kur ishin në Shkodër, në janar të 1945, ishte në dijeni edhe Mehmet Shehu dhe Enver Hoxha për operacionin e Veriut, ku pasonin ushtarakët Sheuqet Peçi, Gjin Marku, Rahman Perllaku, Ramiz Alia etj. “…që kishim urdhër me vra dhe me i tretë në proskë njerëzit e  dyshimtë dhe Parinë e vendit….” Ata partizanë që u vranë në Luften Nacional – Çlirimtare, të gjithë pa perjashtim, vrritën per një “ideal”, per “idealin” komunist: “Bijtë e Stalinit jemi né, rroftë Stalini i math, babai ynë!”…

E dij se e kanë të veshtirë me arsyetue me trunin e tyne marksist-leninist të mykun nga “historia e PPSh” e parimet komuniste “prof. dr. e akademikët” e Tiranës anadollake, por duhet të tregojnë haptas se cilat ishin programet e tradhëtisë prej 8 nandorit 1941, të komunistëve të Tiranës, Permetit, Beratit, e deri tek Ramiz Alia, në 1991, në sherbim të komunizmit gjakatar?

Në 1991 Ramiz Alia thotë: “Edhe gjak do bëjmë..!”, ja “ideali” i kriminelit të 1943…!

E verteta historike asht vetem një: Komunistët anadollakë të Shqipnisë për me sigurue një kolltuk, até të Enver Hoxhës, shiten Atdheun, shiten Trojet Shqiptare, vranë e masakruen të gjithë Atdhetarët dhe inteligjencen Europjano Perëndimore, kthyen një Popull në bujkrob per me punue terroristët e tradhëtarët, vodhen e vorfnuen vendin dhe pushtetin ua dorzuen veglave të tyne besnike, per me ua sigurue edhe mbasardhësëve pushtetin e perjetshëm… antiatdhetar!

Mundohen “disa” me gjetë krraba me varë “programet” e Mukjes apo te Bujanit tash nga pleqnia…e aty, nga fundi kujtojnë se u ka ardhë prap koha edhe “këtyne” me u thirrë “pashallarë” …dhe askush nuk thotë të verteten historike! Mashtrojnë dhe gënjejnë edhe pse janë në gryken e vorrit…E nuk kujtohen se mbi rrasen e “mermerit” të tyne Populli Shqiptar, ka me i daltue se:

“Këtu asht edhe një tradhëtar i Shqipnisë Europjane të Gjergj Kastriotit!”.

 

“PO SHPELLAT A M’I PRET KUSH?”

DED GJO’ LULI

 

Nuk kishte përfundue së kënduemi kanga e Gjeto Basho Mujit:

“A  p’e marrim malin për me tretë?

A po biem ma mirë në lum me u mytë?

A po hypim n’curr teposhtë me u rrxue?

A po him n’ at kullë për me u ngujue”?

E, jemi në vitin 1945! Nuk kanë kalue as njëzet vjet që edhe njëherë po ndihen gjamët e paharrueshme, kur ndër ata male të egra si bishat që jetojnë ndër to e, kur, ende nuk ishin rritë ato lule të freskëta të Alpeve, ku mendja, ndalon për një çast mendimin; kah sheh vigajë të rreshtuem përreth asaj kunore që s’njihte marre.

Janë dukagjinasit po, rreshtue përbrij atyne currave, përrojeve, gurrave e lumit që zbret rrëmbyeshëm, harrlisë tue marrë me vete ma shumë njerëz se cingla, cokla e trungje pishe, për me ushqye ushujzat e Velipojës, të pangopuna me gjak shqiptarësh të Kosovës, për të gjatë atyne brigjeve, në Ulqin e deri në Tivar.

Janë po, djelmët e Lokes, që shputat sëpari zdathë, shkelën mbi shqeme, e therë në murriz e kujza pishe, e ça ndër tehe gurësh, nën të cilët ende gurgullon në rrjedhje rrëkajë nëpër vizatje të ballit të Shqipes: GJAKU I GEGËVE.

Janë po, djelmët e Lekës, që para se me u mbathë në opinga janë regjë ndër shekë e vozga të mëdha me shëllinë, për mos me i ça e shkye shpata e bajoneta e hasmit.

Janë po, ata, që mbas nanës e babës nuk njohin tjetër fëtyrë veç atë të dhisë e brinat e saj gëdhenë në lahutë… me i këndue perjetë të Madhit Gjergj.

Shpatullat, e vetmja shpnesë e kallximit, tregojnë cuba me shenjë gjaku në ballë.

Huta e martina janë strukë ndër golle e shpella se veglat e serbit i kanë ba batall.

Burrat kanë marrë malet. Gratë kanë shkepë postavë e sermt, për me i grahë kaut kularit. Nata i zen në përpjetë të malit ngarkue me hebe e buljera për me u çue bukë e duhan trimave ndër shpella.

Sigurimi i Shtetit ka marrë përsipër me shburrnue Bjeshkët e Nêmuna, si për qejfë të serbit.

Janë mbi 400 burra dukagjinas ndër male shka merr në Qafë të Agrit tue zbritë në Urë të Shtrejtë, që nuk dorëzojnë as armët, as vedin, as shpellat. Janë lidhë njëbesë me u vra dhe në dorë komunistëve mos me u ra. Kërcnohen me vrasje, plaçkitje, djegëje kullash e kësollash, zhdukje të djelmëve të mbetun tek shtëpia, pa gjyqe, shfarosje fisi, grabitje bereqeti e buke, therje bagtishë, me skam e vorfni, e prapë se prapë nuk shtrohen.

Asht fakt që shumë krahina kanë qendrue me armë në dorë për mos me u shkelë nga komunistët, kanë luftue deri ndër skutat ma jugore, por krahina e Dukagjinit do të zajë vend të veçantë në fletët e asaj historie të lavdishme. Rezistenca e popullit aty ishte shumë aktive, e gjatë, me vorfni të pashoqe, heroike dhe gjithmonë e papajtueshme me pushtetin komunist, sidoemos deri në vitin 1948. Çdo pëllambë e asaj tokë asht la me gjak. Bajraktarët, vojvodët, shtëpitë ma në za për kah ndera, burrnia, besa e trimnia e gishtit kanë qëndrue me shekuj mburojë.

Nuk përjashtohet ndikimi e roli i madh i Klerit Katolik kryesisht atij Françeskan, në formimin e shpirtit atdhetar. Ata e kishin ba të padiskutueshme e të palëkundshme ndaj çdo fortune formulën Fé-Atdhé, me të cilën lindte dhe vdiste malësori. Kjo dhe vetëm kjo ishte arësyeja që ai malsuer nuk mund të pajtohej me komunizmin. Kjo dihej edhe nga komunistët. Disa herë Enver Hoxha ka folë e shkrue, madje, edhe ndër “vepra” ai vé theksin në qëndrimin antikomunist të katolikëve. Në të vërtetë asht e vetmja gja ku nuk ka rrejtë asnjë rresht, mbasi aty bahet fjalë pikërisht për këto malësi që e kanë faktue qëndrimin kundër tij, përderisa për 40 vjet ai udhëheqësi “i dashtun dhe i shtrenjtë”, që rrinte “gju më gju me popullin”, nuk e ka shkelë asnjëherë me kambët e tij tokën e Dukagjinit, madje, edhe ai “trimi legjendar i luftës” krimineli Mehmet Shehu, që ishte komandant i Operacionit të Veriut, nuk pati as burrni as trimni me shkue me luftue kundër anmiqëve shaljanë, pra, megjithëse kishte pushtetin dhe armët me të cilat krenohej, por gjithmonë të përdoruna mbas shpine si me Prenkë Calin, ose kur Atdhetarët ishin të lidhun duersh e kambësh të çarmatosun, ose rob, e gjithmonë të kapun trathtisht si Llesh Marashi r Hamid Matjani me shokë.

Për këto arësye duhej fillue me njerëzit që kishin influencë në ato krahina. Vëprimet komunistët i filluen kundër Parisë së Malësisë dhe Klerit Katolik (ndonëse i pakët në numër, por shumë i fuqishëm), veprime të  shpejta, të doemosdoshme dhe shumë kriminale për me u ba shembull për gjithë Shqipninë kundërshtare, si në kohën e luftës aty ku i shkeli kamba tue vra e plaçkitë, kryesisht në krahinat jugore, mbasi largohej gjermani. Instruktorët ishin agjentat shovenistë jugosllavë, anmiqtë shekullorë të atyne Alpeve aq shumë të lakmueme prej tyne. Mbas rezistencës së Prenkë Calit e Llesh Marashit filloi terrori ndër male.

Qé, pra, i erdhi dita! Më 17 janar 1945 të parët arrestohen At Gegë Luma dhe At Dioniz Maka, të dy klerikë atdhetarë. Ata në malësi zakonisht mbanin armë të lejueme, mbasi në kohën e turqve ata luftonin përkrah malësorëve, ashtusi kundër malazezve dhe serbëve. Armët i kishin edhe për vetmbrojtje nga plaçkitësit. Asht i njoftun rasti i Don Nikoll Kaçorrit, kur një natë për fat nuk u ndodh në qelë kur i pat shkue krimineli Haxhi Qamili me bandën e tij anadollake, i plaçkiti të hollat, i vrau shërbëtorin, tue i pre kokën dhe i dogji qelën bashkë me bibliotekën e pasun të tij. Ndoshta kjo asht edhe arësyeja që Enver Hoxha këtë shok të tij kriminel e cub malesh, e pat ba “hero”….Një arsye tjetër ishte edhe qarkullimi ndër zona të rrezikueme nga kafshët e egra kohë pa kohë për shërbime fetare. Asht e kuptueshme se atëherë nuk njiheshin bishat komuniste, tue i kujtue si “shqiptarë” prej shumëkujt. Këta klerikë shpëtuen vetëm se nuk kishte dalë ende ligji i dorëzimit të armëve. Dënimet nuk u dhanë të randa mbasi ndikoi shumë fjala e fundit në gjyq e At Gegës, siç më ka tregue At Dioniz Maka, i lidhun përdorë me tè.

Ndër të parët pushkatohet Syl Martini, pa gjyq, para Kishës në Kodër Shën Gjergj mbasi nuk pranon me dorëzue armët, i njohun për burrni ndër kuvende malësoësh. Ai u tha para pushkatimit: “Shka i duhet jeta shqiptarit maleve pa armë? Nuk ua jap!”. Pra, filluan vrasjet!

Në Palç të Nikaj-Merturit porsa At Mëhillë Miraj mbaron meshën, tue dalë njerëzit prej Kishe, partizanët e Ndjekjes kërkojnë prej Fet Sadikut, burrë afër të 70-tave me dorëzue armët. Feta nuk i dorëzon, atëherë, ndihen krisma armësh në afërsi mbas një kodrës. Partizanët i thonë Fetës, se, me që ti nuk pranon me na i dhanë armët na të kemi pushkatue djalin 30 vjeç, Marashin dhe vëllain Ademin, (kjo nuk ishte e vërtetë, por kishin shkrepë armët për me ligshtue Fetën që ai me tregue armët), atëherë Feta iu përgjegjet: “Mo’ brè, ju kishe dhanë edhe djalin tjetër, por vllain jo!”, e prapë armët nuk i dorëzoi. Tue pa vendosmëninë e Fetës, partizanët shtien mbi trupin e tij dhe ashtu të lamë me gjak dhe të shtrimë përdhé e lanë aty me e pa katundi.

Kështu fshati u njoh me ata që thirreshin “çlirimtarë”.

Gjatë kësaj kohe nga mesi i 1945, në Pult kërkohej At Anton Harapi, mbasi ishin sigurue se nuk ishte me Cafo Beg Ulqinin ndër krahinat e tij, ku Cafi u ruajt me besnikëri nga bashkëfshatarët e vet derisa u shpall amnistia. Siç më ka tregue vetë i ndjeri Cafo Beg, me të vërtetë e kishte ftue me shkue bashkë me Lef Nosin, por këta të dy nuk kishin  pranue për mos me rrezikue farë e fisin e Cafo Begut, mandej, thonte, Cafo Begu, u dukej, se po dalin jashtë kufijve e po vriten nga malazezët a serbët. E pranonin vdekjen me kënaqësi prej shqiptarëve. Cafo Begu  e vërtetonte këtë me takimin e At Antonit në Podgoricë me gjermanët që po largoheshin nga Shqipnia. Edhe atje At Antoni, nuk kishte pranue me shkue me ta në Gjermani, ose në ndonjë vend tjetër ku të dishronte Ai i mbrojtun nga forcat gjermane. Cafo Begu ishte shumë i sigurt se At Antonin e ka tregue në Sigurim një shirokas, kushrini i tij (L.B.), mbasi ai ishte thirrë nga ndjekja e mbajtë 2-3 ditë tue u torturue, se mos i kishte kalue me lundër nëpër liqenin e Shkodrës dhe mos e kishte dorëzue At Antonin bashkë me Lefin, ndër miqtë e Cafo Begut. Tue u nisë nga siguria e kenjes së At Antonit në Dukagjin, Ndjekja fillon masakrat. Marrin 10 djelmoça të rijë, gjoja me i angazhue me brigadën, por meqë ata kundërshtojnë me iu kundërvue bashkëfshatarëve të vet, në fshatin Xhan i pushkatojnë pa gjyq.

Fillojnë edhe arrestimet. Në Shalë arrestohet bajraktari Kol Ndou, pak ditë mbasi në Breg-Lumi sekretari i frontit të Qarkut të Shkodrës, komunisti terrorist Spiro Pano (organizatë nën të cilën mëshefej Partia Komuniste), atje organizon një mbledhje ku Sigurimi futë me vra Mark Sadikun, i shtëpisë së bajraktarit të Shalës. Vrasësi Ndok Pëllumbi vritet po aty prej Bal Markut, kështu fillon pushka… Për me ndalue gjakmarrjen dhe përçamjen e krahinës bajraktari Kol Ndou, hyp mbi një shkamb dhe thërret: “Në emën të Zotit burra, me prâ pushka!”, dhe pushkët pushuan. Sigurisht një burrë me kaq influencë që ndalon vëllavrasjen, nuk kishte si me u lanë pa pranga. Nipi i tij Prel Marku ikë ndër shpella dhe një ditë bashkë me familje arratiset dhe nuk këthehët ma në atdhé, si shumë të tjerë ndër ato krahina.

E njajta gja kërkohet me u ba me bajraktarin e Shoshit, Lulash Gjeloshin, por ndodhë shka nuk e pret Ndjekja! Fshatarët lidhin besën mos me pranue thirrjen e frontit (ose të partisë). Kur forcat e Ndjekjes shkuan atje krisi pushka dhe vriten tre vetë të Ndjekjes.

Bajraktari del në mal. Bashkë me té janë edhe gjashtë djelm sokola mali që syni s’u ban vék. Koha e gjatë bani që shpesh këta trima me u përpjekë me Ndjekjen dhe gjatë përpjekjeve u vranë pesë djelmë nga çeta e bajraktarit. Në Shkodër pushkatohet edhe prof. Gjelosh Lulashi me Organizatën “Bashkimi Shqiptar”, kështu bahën gjashtë vetë të një oxhaku. Me Lulashin mbeti vetëm një djalë që për mos me dalë faret fisi, e detyron Lulashin me u dorëzue. I shtymë në moshë dhe i vramë në shpirt nga fatkeqësitë nuk e pushkatojnë, por e lanë me plasë në burg tue e dënue 101 vjet. Gjatë kohës së burgut tregojnë se rrinte i vetmuem, nuk fliste, veç kalonte kohën tue dredhë duhan ose tue mbushë llullën. I vinin miqë në takim dhe nuk e lenin me vuajtë nga ana materiale, po shpirtit të brengosun nuk kishte  kurrkush shka me i ba. Ai nuk shërohej.

Rreziku i daljes farët të fisit asht kenë ba shkak që shumë burra janë detyrue me u dorëzue. Kështu si Lulash Gjeloshit i ka ngja edhe Llesh Marashit e Prenkë Calit që dij unë, po kushedi sa të tjerë që jo vetëm janë dorëzue por, edhe ua kanë pushkatue djelmoçat e fundit ashtu si Prenkë Calit. Ashtu i pat ndodhë edhe një burri tek ura e Breg-Lumit që i çuan fjalë në shpellë: “Eja, se, për një orë po nuk u dorëzove të pushkatojmë djalin 14 vjeç!”. Ai erdhi ma shpejtë. Aty ishte krimineli katil Xhemal Selimi tue thye arra me revolver mbi kokën e një të pushkatuemit. Porsa u dorëzue burri i malit Xhemali ma parë i vrau djalin, mbasandej atë. Trupat e tyne u hodhën në Lumin e Shalës.

Kur në Tiranë mendohej se rezistenca e malëve po dobësohej, ndër male ndodhë e kundërta. Më tregonte Ejëll Gërdani, shpellat sa vinin e u mbushnin me djelmë të tjerë. Ma siguri kishin ndër shpella se tek shtëpia. Forcat e Ndjekjes vazhdonin me lanë të vramë nga mosnjohja e krahinës, shkonin e binin si miza në qumësht ndër shtigje ku u fluturonte koka bashkë me “yllin e kuq” në ballë. Me u largue nga brigada prap pushkatohej si dezertor kështu, vazhdonte sa të shkojë kjo punë. Për këtë arësye në muejn prill-maj të vitit 1946, Mehmet Shehu, dërgon një brigadë të drejtueme nga një terrorist tjetër i njohun, major Ndreko Rino. Dokumentacioni i Ministrisë së Mbrojtjes Popullore që ruhet edhe sot tregon ma së miri masakrat, pushkatimet pa gjyq, djegëjet e shtëpive dhe arësyet pse këta kriminelë dekoroheshin e thirreshin “heronjë të popullit” e, për fat të keq vazhdojnë t’i kenë edhe sot! (Lexoni vetëm radiogramet që vinin në Ministri dhe “komandantit” nga këto zona!).

Majori i porsaardhun filloi detyrën në Kuvendin e Bashkimit të Shalës e të Shoshit tek Ura e re e Dukagjinit. Aty pushkatohen katër vetë pa gjyq pse nuk kishin dorëzue armët. Në Vuksanaj vritën dy të tjerë, ndërsa në përpjekje me forcat e ndjekjes plagoset randë Zef Kol Prela, i cili mbasi mjekohet, torturohet në qeli nga Xhemal Selimi e Sabri Shema, dhe i përcillet Aranit Çelës në Shkodër me i dhanë plumbin ballit. Edhe Araniti si terrorist i njohun e kreu porosinë më 11 mars 1948 tue e vue në rresht me Atdhetarë të tjerë, në Zallin e Kirit.

Kur Nik Sokoli formon Komitetin për çlirimin e Dukagjinit fillon një fazë e re. E rrethonin Nikën por nuk ua kapte plumbi, tregonte Ejëlli… Fillon marrëveshja për organizimin e një Kryengritje të përgjithshme në Veri. Lidhja e malësorëve me Muharrem Bajraktarin, forconte besimin në fitore. Puka me Mirakaj, Mirdita me Markagjonët e i pavdekshmi Alush Leshanaku në Shqipninë e mesme, tronditën pushtetin qendror, i cili në këtë kohë forcoi edhe ma shumë lidhjet me druzhe Titon, për me realizue interesat e përbashkëta antishqiptare.

Me plasjen e “parakohshme” (po i themi) të Lëvizjes së Postribës, planet dështuen. Edhe pse dështoi papritmas plani malësorët vazhdonin rezistencën e tyne. Lufta sa vinte e bahej ma e rrebtë. Arrestimet e pushkatimet nuk pushonin asnjë çast. Arratisjet vazhdonin pa pushim. Shkak u ba ma vonë edhe prishja me Jugosllavi. Forcat e Ndjekjes u trefishuan. Mjaft malësorë dëzertojnë nga mobilizimi ushtarak. Shumë bashkohen me shokë ndër male. Disa arratisën. Atëherë u ikë përduersh komunistëve At Danjel Gjeçaj i njoftuem nga një malësuer për arrestim.

Me shkuemjen në Dukagjin të Idriz Çobës si kryetar dege, kriminelat Xhemal Selimi dhe Sabri Shema kryejnë aq shumë krime atje sa pak shtëpi mund të kenë mbetë pa të pushkatuem, të arrestuem ose pa u djegë e plaçkitë. Edhe jugosllavët u kanë dhanë ndihmesën e tyne edhe pse në dukje ishin të prishun me ne. Ata dërguan prej Jugosllavisë njëfarë Prel Nika, i arratisun, që ishte vue në shërbim të komunistëve (të këndejshëm e të andejshëm) dhe mbasi bashkohet me të arratisunit që ishin ndër malët e Veriut, një natë tradhëtisht vret komandantin trim të shpellave Gjergj Vatën, i njohtun me pseudonimin “CUKALI”, një emën tmer për komunistët dhe brigadat e Ndjekjës

Një ndër betejat e paharrueshme asht edhe ajo që asht ba në Palaj të Shoshit, ku edhe pse u plagos komandanti i 87 burrave të armatosun Mark Mala, lufta vazhdoi e përgjakëshme dhe me ikjen e turpëshme të forcave të Ndjekjes që lane disa të vramë në atë betejë.

Perpjekjet dhe qendresat e Oficerëve trima Martin Sheldija, Gjon Destanisha, Kol Mark Toma, Ded Mirash Zefit (vra në gusht 1946), Mëhill Ndoja etj. janë një epope në vedi në lavdinë e atyne malëve.

Këtë epope jo vetëm, nuk e njohim por as nuk e gjejmë kurrkund të shkrueme… prej kurrkujt… Vazhdon heshtja!

Aq shumë e urrenin malësorët tanë komunizmin sa asnjeni nuk pranonte me marrë ndihmat e UNRRA-s, sëpse thonin se janë dërgue nga ata që na sollën komunizmin këtu (nuk janë gabue aspak), gjithmonë nën arësyen “se nuk dimë me përdorë kutijat e mishit dhe kemi frikë se mielli asht i prishun e po na helmatisë!”…

E vetmja gja që u dhanë me dhunë ishte DDT-ja, si ilaç, mbasi gjithkah ishin mbulue me morra. Fshatarët thonin se edhe këta na i kanë sjellë partizanët, e vetmja gja që na ka sjellë Partia Komuniste e “shoku” komandant në malësi janë morrat!

Pat edhe ndonjë malësuer të kërcnuem që punoi me Sigurimin si Martin Shllaku (ish sekretar i komitetit të partisë), por edhe ky u arratis ma vonë se ndiqej nga vetë Sigurimi. Ndërsa Pëllumb Ndoka nuk zbatoi urdhnin me vra një malësuer dhe u vra ai vetë nga shokët e tij “besnikë” të Sigurimit. Të gjithë bashkëpuntorët e tyne e mbyllën jetën si këlkazat.

“Nuk shihnim ma larg se majën e hundës, atëherë..”, më pat thanë në vitin 1992, Mark Uli, kur pata bisedue çështjen e Ndue Palit me tè, mbasi Marku, ishte kenë atje kur u pat kapë trathtisht Ndou dhe ka pasë ba një deklaratë të turpëshme në gjyqin e tij.

Vetë fakti që në vitin 1947 në krahinën e Dukagjinit nuk kishte asnjë komunist të luftës dhe asnjë të ri komunist asht prova ma e saktë, që tregon ma së miri së kush ishin DUKAGJINASIT E LEKËS, burrat besnikë të Kanunit ku kryet e vendit e xen pushka dhe jo furka!

Oooooooo jepni brè kushtrimin… ku jeni,  BURRA!?…

Please follow and like us: