Fritz Radovani: Një monument nën dhé (5)
PËR NJË SHQIPNI TË ARDHSHME …
“Duhet të kërkojmë bashkimin e Kosovës me një Shqipni të ardhshme e, jo, me të sotmen“, Maria Shllaku.
Shkodra nuk harron kurrë Ata që vdesin për Fé, Atdhé, Përparim!
Neroni që pat djegë Romën, po të shihte shka bahëj në Shqipni mbas 1944, me zili do të na thonte: “Shqiptarë, ma keni kalue edhe mue”!
Në nandorin e 1944, na dukej se vazhdonin me u shkrepë armët e fitorës, kujtonim se mbaroi lufta por, po përsërisë, kishte fillue një tjetër luftë që për né shqiptarët asht kenë ma e përgjakshme, ma shfarosëse dhe ma shkatrruese, se Lufta e Dytë Botnore.
Ishte lufta vëllavrasëse 50 vjeçare e “fitores” së komunizmit.
Kur pritej çlirimi nga okupatorët dhe dalja e Shqipnisë në dritën e demokracisë së vërtetë, forcat nacionaliste e përparimtare morën malet, tue mbetë vendi nën thundrën gjakatare komuniste.
Shqipnia u la nën kujdesin e Titos, me mbikqyrjen nga Bashkimi i “lavdishëm” Sovjetik, ku të drejtat dhe liritë e njeriut për “vetvendosje”, “mbroheshin” nga Stalini i “Madh”.
Në të gjitha “Demokracitë Popullore” mbizotnonte frika, terrori, pushkatimet pa gjyqe e me gjyqe, interrnimet dhe propaganda komuniste: “Shpif e shpif… se dishka mbetë!”
Burrnisë e besës, ndër shumë votra ia zuni vendin tradhëtia. Jemi në atë kohë të historisë kur Tivari e Ulqini laheshin me gjak kosovarësh të premë në besë. Ishin sjellë si karvan 12000 vetë, burra të çarmatosun gjoja me u organizue në Shqipni për me çlirue Kosovën dhe, mbasi mërrijtën në Tivar nuk kishin mbetë as 2000 vetë. Të gjithë u zhdukën rrugës gjoja si dëzertor. Ata që mbetën gjallë tue kujtue se vrasjet i bante Tito, filluen me ikë tue kalue Bunën në pikën e dimnit me mendimin me shpëtue kokat në tokën nanë. Pa dijtë ku vunë kambën ranë në kurthën e komunistëve shqiptarë që ishin veglat ma besnike të “druzhe” Titos.
Ikën nga shiu dhe ranë në breshën.
Tue lexue librin “50 vjet kujtime” të Z. Lekë Harapit, në faqën 108, Dan Hasani tregon: “Riza Dani (aso kohë Kryetari i Komitetit të Shkodrës), i kërkon mendim dr. Omer Nishanit, si President, për me shpëtue ata kosovarë që kanë kalue në tokat tona, tue i angazhue me partizanët që shëtisnin nga një katund në tjetrin si “çlirimtarë”.
Dr. Omer Nishani, mbasi konsultohët me Enver Hoxhën dhe Koçi Xoxen, i përgjegjet: – Ata janë të gjithë kriminela dhe duhët t’ia kthejmë sa ma parë Jugosllavisë që të mos na zemrohet Tito”. Këto ishin fjalët e Presidentit dr. Omer Nishani, që u dekorue në vitin 1993 nga Tirana “demokratike”.
Si mendoni ju, të lëshonin karrigat e tyne udhëheqësit tonë për hirë të disa mijra kosovarëve? Këtë, nuk besoj se e kërkonin as kosovarët, për derisa shumë nga bijtë e atyne kosovarëve që ushqyen ushujzat e kënetave të Velipojës, për vite me radhë në dhomat e tyne në Kosovë, mbanin fotografinë e terroristit Enver Hoxha, apo pritnin e qitnin si mik tradhëtarin Ramiz Alia. Një mëkat që nuk rrëfehet as në ditën e vdekjes!
Asgja nuk ishte e papritun, madje, ishte vazhdim i asaj vepre të fillueme nga serbët me At Paliq e Gjeçovin, me At Lorenc Mitroviq e Leonard Targaj, asht krimi i shëmtuem mbi fratel Gjon Pantalinë e pavdekshëm, asht dëshmia e shfarosjës ndër burgjet komuniste e At Pal Dodës, asht krimi i pashoq i bamë mbi Don Shtjefën Kurtin që “për një Pagëzim fëmije”, u ba masakra ma e madhe që njeh historia moderne e, që do të shtrihet në trojet shqiptare; pra, asht “komunizmi”.
Vetëm ndër Alpe kishte ndonjë çerdhe shqipesh ku kishin zanë vend bijtë e sajë.
Krahas atyne trimave që nuk duronin dhunën komuniste në të dy anët e asaj ndarje të turpshme të 1913, që thirret kufi, dy vajza shkodrane luftojnë për liri. Ndër rrethina të Shkodrës asht Maria Zojzi, e ndër malët e Kosovës asht Maria Shllaku. Historia përsëritet ndër ato male.
Asht edhe sot gjaku i plagve të Norës Ded Gjo’Lulit, e prap ma ndejë vazhdon me vlue gjaku i Shote Galicës e Maria Tucit me shoqe. Prandej toka Shqiptare asht thirrë e paprekshme nga armiqtë shekullor.
***
“Unë, MARIA SHLLAKU, e lindun më 22 tetor 1922, në Shkodër, jam bija e Mark Simon Shllakut dhe e Dila Shllakut.
Jam shqiptare, me nënshtetësi shqiptare, e pamartueme, studenteshë e filozofisë në Romë, flas dhe shkruaj shqip, latinisht, italisht, frengjisht, gjermanisht, greqishtën e vjetër dhe pak serbisht..” Kështu fillon deklarata për biografinë e bame në hetuesi të Prizrenit. Vetëm njohja e disa gjuhve tregon horizontin e kulturës së saj!
Fillon hetimet me spijunin serb Nazmi Kursani dhe i vazhdon me Mazllom Nimanin dhe Misho Popoviq, nga data 19 dhetor 1945 e deri nga mesi i qershorit 1946.
Muhamet Vokshi në librin “Shqipëria e Marije Shllakut”, me autorë Ramiz Kelmendin dhe Viktor Gashin, botue në Pejë në 1995, libër i cili më ka dhanë shtysën me dijtë për rezistencën që asht ba në trojet shqiptare të Kosovës kundër komunizmit, ka një përshkrim të bukur të portretit të kësaj luftare trimneshë: “…Edhe pse e zbetë dhe e dërmuar nga shumë plagë, ajo kish një fytyrë shumë të këndshme, kish flokë të gjatë, të lëshuar, një hundë të mprehtë, me buzë e faqe të skuqura. Ishte inteligjente, impresive, e bindshme”. (fq. 90).
Maria në vitin 1943 shkon me punë në Kosovë si arkëtare në një degë finance. Në fund të vitit 1944, kur komunistët marrin pushtetin pak ditë para 9 nandorit, ajo merr malët me luftue për liri. Qëndroi disa ditë në shtëpi të Zefit të Fanës, në fshatin Polec, i cili ma vonë aty nga gjysa e dhetorit 1944 për arsye të mungesës së sigurisë e përcolli tek shtëpia e Dan Pjetrit (Berisha), në Dobërdol. Aty u mirprit nga gjithë rrethi i Danit, Pjetri, Pjetri i axhës Tomë, Martini etj. Në gjysë të qershorit të vitit 1945, forcat e OZN-ës, rrethojnë kullën e Dan Pjetrit dhe Maria e shoqnueme nga njerëzit e Danit, Martin Pjetri e Pjetër Toma mundën me ça rrëthimin dhe të gjithë bashkë dalin në mal.
Më 3 gusht 1945, në Dobërdol, në vendin e thirrun Lluga e Madhe e Dan Pjetrit, u mblodhën mbi 200 luftarë në Kuvendin e Dobërdolit. Alush Smajli i Llazicës i bante roje Flamurit me shqiponjën dykrenare, që valvitej mbi kokat e luftarëve të lirisë. Kuvendi kryesohej nga burri i njoftun Prof. Ymer Berisha, ndërsa, proçes-verbali mbahej nga luftaria e vetme Maria Shllaku.
Më 12 shtator 1945, forcat partizane mërrijnë me ra ndër gjurmët e luftarëve dhe mbas një përpjekje të fortë e të rrebtë, ku Maria u dallue për trimninë e saj, çanë rrëthimin me vështirsi, mbasi kishte marrë shumë plagë por edhe kishte humbë njeriun besnik Pjetër Tomën, i cili iu gjet kudo ku rreziku i jetës për Marijen kje i madh. Kur hyni ndër fushat e misrit të fshatit Açarevë nuk mujti me vazhdue rrugën nga hemoragjia e madhe prej plagëve që kishte marrë. Nga mungesa e mjekimit humbi ndjenjat. Njëfarë Rexhep Selimi, agjent serb ia dorzoi OZN-ës.
Në dhetorin e 1945, në Prizren u formue Komiteti i NDSH (Nacional Demokratike Shqiptare), për Kosovën me kryetar Hajdar Pllaneja, prof. në Gjimnazin e Prizrenit, mik i Mit-hat Frashërit, Kol Parubit, Gjergj Martinit, Muhamet Vokshit etj. Marsel Vuçaj vepronte në Pejë. Kjo organizatë ka një veprimtari shumë të gjanë mbasi ishte e organizueme mirë, por për fatin e keq të trojëve shqiptare që nuk u ndihmuan nga asnjë fuqi e jashtme përfundoi me humbjen e bijve të sajë, që shumica u vranë në luftë për liri ndër male. Disa nga këta u arrestuan dhe kështu filloi proçesi në të cilin pa diskutim përfshihej edhe Maria Shllaku, edhe pse nuk ishte kur u krijue Komiteti.
***
“Gjyqi i Popullit” filloi më 29 qershor 1946 dhe vazhdoi deri me 11 korrik 1946, në Prizren. Trupi gjykues përbahej nga: Kryetari i gjyqit të Qarkut Dragutin Janjiqin, antarë: Ismet Mula dhe Selajdin Ahmeti, prokuror Ali Shukriu dhe sekretar Branisllav Kijariq. Mbrojtës i të akuzuemve Bozhidar Zyleviq, si ndihmës sekretar, ndërsa i vetmi avokat ishte rusi Vlladimir Znamenski, nga Gjakova. Në bankën e të akuzuemve ndodhëshin 27 “anëtarë të Organizatës” NDSH- Nacional Demokratike Shqiptare: MARIA SHLLAKU, AT BERNARD LLUPI, KOL PARUBI, GJERGJ MARTINI, MARSEL VUÇAJ, ISA CAVOLLI, MASAR BEGOLLI, HAMZA BEGOLLI, JUSUF HAXHIYMERI, MUHAMET VOKSHI, VIKTOR GASHI, FRANO CIVLAKU, JAK KRASNIQI, OSMAN BASHA, SKËNDER RIZAJ, ENGJËLL BERISHA, SHEFQET KELMENDI, RAMIZ KELMENDI, KAMBER PAJAZITI, SEBË MATEJA, JAK SHAHINI, GITA MJEDA, LUÇIJE LEKA, SEBË KOLA, MIFTAR BALA, BINAK DEMA dhe GJERGJ DEDA.
Nga këta persona unë kam njohtë përsonalisht zotni Shefqet Kelmendin, i cili arratisët nga Kosova dhe arrestohët prap nga Sigurimi i Enver Hoxhës, në Shqipni. Mbasi doli nga burgu rreth vitit 1990, kam pasë fatin me bashkpunue me të, per “Katër Martirët Shkodranë” në vitin 1996, në kumtesën e mbajtun në Teatrin “Migjeni” në Shkodër, për 50 vjetorin e pushkatimit të Maria Shllakut. Me këtë rasë njohta dhe autorët e librit zotnitë Kelmendi dhe Gashi, që erdhën në Shkodër.
Edhe sot mbas 50 vjetësh kujtonin me respekt heroinën e palëkundun para gjyqit serb.
Maria në seancën e parë të gjyqit mohon proçesin e hetuesisë, mbasi kur asht ba ajo asht rrah dhe torturue.
Të vërteta ajo quen vetëm deklarimet para gjyqit.
Ajo pranon se dishronte një Shqipni të lirë e demokratike: “Deri në vitin 1944 kam kenë për Lëvizjen N. Çl., mirpo kur erdhën partizanët në 1944 me flamurin e tyne që kishte drapnin me çekan, u bana kundër tyne.”. Kur pyetët nga Kryetari i gjyqit se a ka kenë për Shqipninë e Enver Hoxhës, ajo përgjegjet: “Unë nuk dij shka don Enver Hoxha, po na duam që Kosova t’i bashkohët Shqipnisë. Unë nuk jam për Shqipninë e Enver Hoxhës. Unë jam kundër gjermanëve, por dua që Kosova t’u takojë shqiptarëve të Shqipnisë së vjetër… Ne kemi luftue kundër partizanëve, që t’i rrëzojmë nga pushteti. …Unë kam kenë antifashiste e përbetueme, i tillë ka kenë edhe Luan Gashi… Propaganda e jonë në popull ka kenë që populli të qëndrojnë si burrat dhe të kërkojnë bashkimin e Kosovës me një Shqipni të ardhshme e, jo, me të sotmen!”
Maria flet me respekt për Prof. Ymer Berishën, i cili kishte lind në Gjurgjevik të Madh të Klinës në vitin 1912, kishte krye Normalën e Elbasanit. Kishte vazhdue studimet për Shkenca Natyrore në Romë e mandej edhe Akademinë Ushtarake po aty. Kishte punue si mësues në Krujë, Kukës, Peshkopi, Lushnje, Berat dhe me hapjen e shkollave shqipe në Kosovë, në vitin 1941, kishte shkue profesor i Gjimnazit dhe i Normalës “Sami Frashëri” në Prishtinë. Në vitin 1944 kishte dalë në mal me atdhetarët tjerë me luftue kundër pushtuesvë të rijë.
Asht njoftë si ideolog i platformës politike për mbrojtjën e kufijve Etnike të trojeve shqiptare të Kosovës dhe bashkimin e sajë me Shqipninë. Ka formue Organizatën atdhetare shqiptare “Besa Kombëtare”. Ka luftue kundër forcave komuniste serbe në Kosovë. Asht vra burrnisht në korrik të vitit 1946, në malët e Hereçit të Gjakovës.
AT BERNARD LLUPI O.F.M.
Ka lé në Shkodër me 7 shkurt 1886, prej prindve Filip e Luçia Llupi. Asht pagëzue me emnin Mati, asht vëllai i pestë i Cinit, Zefit, Ejllit e Franos. Vjen prej një familjes së vjetër me tradita qytetare shkodrane. Studimet i ka krye në Insbruk të Austrisë, ku mori medalje nderi si student i shkëlqyeshëm. Shugurohët meshtar në Romë dhe shërben në Palç (Mërturë), Hot, Grudë, Bizë të Durrsit, Vlonë dhe Shkodër.
Kur Kuvendi Françeskan ndodhët keq ekonomikisht në atë kohë lufte e zije për bukë në vitin 1942 dërgohet në Pejë famullitar, mbasi njihej si ekonomat i përkryem.
Prej andej ban të mujtun mos shpërndamjen e xhakojve në Shkodër, tue i dërgue vazhdimisht ushqime. Për këtë ndihmë të madhë ekonomike ban fjalë në procesin e tij edhe At Çiprian Nika, rektori i Fretënve në Shkodër. Asht bashkohës i Etënve Harapi, Doda, Prennushi, Cani dhe mik i Don Nikoll Ashtës. Asht ndër misionarët e njohtun që me dinjitet ka bajtë zhgunin e Sh’ Françeskut. Autoritar në fjalë dhe i palodhun në pajtime gjaqësh e ngatrresash që kishin kapërthye malët tona. Edhe pse në 1939 asht operue në Padova, ku ka heq një eshke, asnjëherë nuk i shmangët misionit të tij, madje, shkon me qejfë malësh për me ndihmue çështjen kombëtare dhe niset për Kosovë.
Atje ka shërbye në famullitë e Zllakuçanit, Zym’të Hasit dhe Pejë. Ndihmon shqiptarët që kanë marrë malët për liri nga fashizmi dhe komunizmi, me ushqime dhe medikamente mjeksore. Mban afër Prof. Kol Parubin, Marije Shllakun, Marsel Vuçën, Prof. Ymer Berishën dhe të tjerë luftarë shqiptarë. Porositë fshatarët “me e ruejtë dhe me e ndihmue këtë vajzë atdhetare!”. Theksova fjalët e ti ndër thojza, mbasi me dashtni dhe burrni vlerson virtytet e femnës shqiptare, ashtu si ma parë vëllaznit e tij, Norën e Kelmendit. At Llupi asht “ATI I DYTË” i Marijes.
Maria tek Ati i saj i dytë sheh shpresën dhe të mirën, tue i kërkue si vajza e tij: “Lutju Zotit për mue!” Ai lutej për të gjithë shqiptarët pa dallim feje. Kjo asht arsyja që të gjithë e donin dhe e ndigjonin misionarin e përvujtë. Ai njihej si misionar i Atdhetarizmit prandej qela e tij ishte vatra ku delnin shkëndijat e lirisë. Shovenistët serb, shërbëtorët e tyne komunistë dhe tradhëtarët e shitun të Atdheut nuk e duronin zhgunin e Françeskanit në Pejë, prandej, në marsin e 1946 e arrestojnë si një organizator i “Katoliçeskaja Banda”, organizatë që nuk ka kenë kurrë. Krijuesi i këtyne bandave, organizatave, grupeve terroriste, duerve të zeza, të futjes së armëve ndër Kisha etj, asht një për të gjithë Shqiptarët: Komunistët e shovenistët jugosllavë me qendër Moskën.
Edhe para trupit gjykues At Llupi asht kryenaltë, trim dhe i pathyeshëm ashtusi në tortura të mnershme që i bahën në hetuesi. Nuk pranon asnjë akuzë. Nuk i trembet vdekjes fare, aq sa edhe tallet me prokurorin Ali Shukriu, gjatë procesit gjyqsor kur ai e pyet, se ç’ke menduar kur ke thënë: “Ishalla e pështon Zoti Kosovën!”? – At Llupi përgjegjet: “Kam mendue që të shpëtojë nga sëmundjet dhe hallet e ndryshme!” Kur prokurori e pyet se a i ke dërgue djath në mal, At Llupi nuk i përgjigjet, mbasi nuk kam ardhë këtu për djathë.
Kur pyetët Maria, edhe ajo përsëritë: “Nuk përgjigjem, nuk kemi ardhë për djathë këtu!”. Kur flitët për njerzit e vramë ndër male, At Llupi thotë: “Ata kanë vdekë si trima, si burrat, prandej, duhët të jenë shembull për né të gjithë!”.
Autori z.Muhamet Vokshi, shkruen për At Llupin: “…Fliste anglisht, italisht, gjermanisht, spanjisht, serbisht, latinisht…
Ishte komunikativ, modest, shakaxhi. Fishtën e adhuronte… Italianët nuk i donte aspak… i quante “bretkocarë”… e ka dashur vendin dhe popullin e vet pa urrejtur kurrkend tjetër.
E deshti dhe dha jetën për Shqipërinë brenda kufijve të saj etnikë“.
Fjala e fundit e At Llupit para pushkatimit ishte:
“Vdekja si kjo, vdekja për shqiptarizëm, asht kupë e artë!”…
Mbas të shtimeve të automatikve At Llupi, kishte mbetë në kambë edhe pse zhguni i panjollë ishte la me gjakun e këtij martiri…
Ai thirri edhe njëherë: “Rrnoftë Shqipnia”, xhullinjtë iu afruen tue shti mbi tè, derisa Frati 60 vjeçar u shtri mbi tokën shqiptare për të cilën dha jetën.
PROF. KOL PARUBAJ
Ka lé në Pentar të Dajçit të Bregut të Bunës në Shkodër, më 5 dhetor 1905, prej prindve Tomë e Tone Parubaj. Fshati dallohet për banorët e tij me cilësi squtsie. Kola nuk asht indiferent ndaj kësaj cilësie prandej mbasi kryen studimet e larta vjen dhe hapë shkollën e Pentarit, ku jep kontribut fetar e atdhetar. Paisë një klasë modeste me banka, libra e fletore, tue ruejtë kontakte me misionarin Don Alfons Tracki dhe priftën tjerë përparimtarë të asaj zone. Asht i pajisun me kulturë Perëndimore dhe punon që në fillim përveç mësimeve të shqipës, katër blejt e parë të gjuhës italiane dhe njohuni të para të frengjishtës. Asht dallue si njeri me enfazi konferencieri. Në vitin 1939 tue mos gjetë mundësinë e marrëveshjes me klerin e Shkodrës për me kalue në rritin greko – latin, i këshilluem nga Tracki kalon në tokat e Jugosllavisë, andej Bunës.
Ndihmohët nga Kuvendi i rrethit të Uzhicës e Bihaçit. Mbas shumë “peripecishë”, në vitin 1942 emnohet profesor në Gjimnazin e Prishtinës e ma vonë në Pejë. Gjatë kësaj kohë njihët me Riza Drinin nga Shkodra, me At Llupin, tek i cili flenë një natë. Mban lidhje miqësore me H. Pllanejën, Ymer Berishën, Enver Sudin etj., me të cilët edhe punon dhe lufton për çështjen e Kosovës së lirë.
Asht njeriu nga i cili hetuesia kërkon shumë, arrestohët në mars të 1946, dhe me 21 të ati moji fillon hetimet i akuzuem si “agjent i fashizmit”, tue e dijtë mirë se ishte antifashist. Ai ishte edhe antizogist, gja që e dëshmon edhe ish nxanësi i tij Gjergj Laca.
Përveç kujtimeve të mira që ruen për mësuesin e parë ashtu si Maksut Shehu në Kosovë etj. Gjergji edhe sot mban ndër mend kangën: “Kur sorra bori skjepin”, të cilën ia ka mësue në shkollën fillore Prof. Kol Parubaj, kangë e ndalueme nga regjimi i Zogut.
Ndaj veprimëve kriminale të komunistëve në Kosovë, profesori mban qëndrim kundërshtar. Ai ban një përpjekje për me formue një Komitet Qendror të Organizatës Nacional Demokratike Shqiptare të Kosovës (NDSH), në vitin 1945. Vetëm ky mendim i tij, pa krye asnjë vepër e çon në pushkatim.
Lidhjet me Enver Sudin konsiderohën gjoja të rekomandueme nga At Llupi. Parubaj nuk i pranon tue hjedhë poshtë të gjitha akuzat në lidhje me Fratin. Lidhjet me Enver Sudin kërkohën shumë në hetuesi, mbasi Enveri ishte pjestar i një bërthame prej tre vetësh që kishin organizue vrasjën e Milladin Popoviqit, të cilin e kishte vra Haki Taha. Kjo lidhje për të cilën ngulë kambë edhe Marsel Vuçaj se “asht kenë e vërtetë”, i jep dorë trupit gjykues, me marrë vendimin e pushkatimit për Prof. Kol Parubaj, me gjithë mohimet dhe qëndrimin burrnor të Kolës. Në fjalën e fundit thotë: “Ma keni kujdes vajzën! Rrnoftë Shqipnia Etnike bashkë me Kosovën!” Maksut Shehu shkruen: “Ishte i butë!… Granit!”
Mësuesi GJERGJ MARTINI
Gjergj Martini ka lé në Hot të Shkodrës, më 29 gusht 1917.
Ka krye paragjimnazin në Shkodër në Konviktin “Malet tona”, ndërsa të mesmën në Normalen e Elbasanit. Punoi mësues në Kukës dhe në Shkodër. U martue me mësusen Zografe Harodhambi nga Kavaja, e datëlindjes 1920. Ka pasë një vajzë nga kjo martëse. Në vitin 1945, kur ishte Gjergji në Gjakovë, i vdiq grueja tue i lanë vajzën e vogël me ia rritë gjyshja. Nuk u shkëput asnjëherë nga kjo vajzë, mbasi edhe me martesën e dytë që bani me Linën e Simon Shkrelit, u mirkuptue. Ajo u kujdes për vajzën jetime dhe nuk ia prishi zemrën Gjergjit deri në fund. Edhe Lina ishte grue e kulturueme dhe njihët me Gjergjin kur ishte mësuese në Gjakovë, ndërsa Gjergji ishte drejtor i asaj shkolle.
Martesën me Linën e bani më 18 nandor 1945, dhe në mars 1946 arrestohët. Jetoi me gruen e dytë vetëm 4 muaj.
Akuzohet edhe ky si të tjerët për bashkpunim me Prof. Kol Parubin e At Llupin në Organizatën NDSH të Kosovës. Merrët në pyetje vetëm pesë herë dhe vehët në bankën e të akuzuemve, pa dijtë pse asht aty si shumë të tjerë që ishin ndër ato banka. Edhe Gjergji akuzohët nga Marsel Vuçaj njësoj si Parubaj Dukët se akuzat që u ban shokve të vet e lanë me 12 vjet burg, të cilat ndoshta, si shpërblim çpifje nuk i ka krye në burg. Gjergji në veçansi nuk ka akuzë mbasi “faji” i tij përfshihet ndër akuzat e shokve. Kur flitët për Gjergjin, gjithnjë thohët “janë fajtorë” …dhe rreshtohët me At Llupin e Kolën. Paknaqësia e Gjergjit shfaqet vetëm kur asht fjala për nënshtetësinë shqiptare që kishte dhe, nuk i epej e drejta e votës si shqiptar.
Në faqen 132 autorët e librit shënojnë: “Krimet” e tij, që u mbyllën me dënimin më të rëndë, me vdekje, me pushkatim, konsistuan vetëm në faktin se ishte shqiptar, se ishte patriot, se ishte intelektual, dhe se ishte shkodranë (i Hotit) njësoj si tre të parët – Maria, At Bernardi dhe Kola.
Do të ishte e tepërt me kërkue shkaqe të tjera pse u pushkatuan këta atdhetarë. Zonja Lina Martini shkruen në kujtimet e saja: “Gjergji ishte njeri universal, kishte za të bukur, këndonim duet, ishte shumë i çmuar dhe i respektuar. Unë tash plot gjysëm shekulli, kujtoj ato ditë të pakta e të bukra që jetova me té… I kam ruejtun këtu me xhelozi, e besa edhe me frikë të madhe disa fotografi që i kam prej tij dhe me té; unë dhe Gjergji ditën e kunorzimit… Gjergjin me shokët e tij… me nxanës… që i shikoj përditë tash 50 vjet…”.
Dr. Pajazit Nushi shënon: “…tue shkrue këta pak rreshta kam në vedi përfytyrimin e një mësuesi të rrallë, që përjetonte vuejtjet e të tjerve si të tijat”. Me të drejtë Mësuesi Gjergj Martini u mësonte nxanësve të vet kangën që ai e këndonte me zanin e tij të bukur: “Po vjen prendimi dhe larg asht dielli”…. Si dukët, ia ndinte zemra largësinë e dritës së diellit!…
***
- Me datën 15 korrik 1946, trupi gjykues dha vëndimin për 27 vetë të “Katoliçeskaja Banda”.
- Ndërsa, më 15 nandor 1946 nga ky grup u pushkatuen:
MARIA SHLLAKU 24 vjeç,
AT BERNARD LLUPI 60 vjeç,
Prof. KOL PARUBAJ 40 vjeç,
GJERGJ MARTINI 29 vjeç.
- Tregon z.Viktor Gashi:
Në mbrëmjen e 14 nandorit dikush përshpëriti sikur kishte dëgjuar nga biseda mes dy rojeve se nesër në mëngjes do të pushkatoheshin të dënuarit me vdekje. U tronditëm shumë dhe vendosëm me i treguar At Bernardit. I thamë në veçanti: Padër, nesër… ndoshta… nuk e dijmë… por… Ai ndërpreu fjalën dhe tha :- Shumë bukur që erdhi kjo ditë dhe mbas pak sekondash iu drejtua Kolës, – Kolë, eja pak këtu! Shkuan në qoshen e dhomës, At Llupi bashkoi dy duart, ndërsa Kola u ulë në gjunjë. Kur Kola desh të fliste diçka, At Llupi i tha: – Kolë, i dij gjynahët tuaja por ban punën e Pendimit, se Zoti do t’i falin të gjitha fajet mbasi ti po lanë me gjakun tand tokën që të ka lindë, ti po shkon tek Zoti jo si mëkatar, por si martir, ti je i zgjedhun prej Atit të Pushtetshëm, me dhanë shembull si duhët me vdekë për të mirën e popullit shqiptar dhe të Atdheut, që po e lamë të robnuem, por shpejt Zoti dhashtë e u bashkoftë edhe Kosova me Nanën Shqipni! Mbas tij shkoi edhe Gjergji.
Atë natë nuk fjeti njeri. Biseda mbahej nga At Bernardi, të cilit edhe atë natë nuk i mungoi humori e gazi, sikur të nesërmen po lirohej dhe jo…
Ishin orët e para të mëngjezit, kur u dëgjuan çelsat e randë të dyerve. Mbretroi një heshtje e përmortshme… Menjëherë e mori fjalën At Bernard Llupi: – Ç’keni o burra që heshtët? Mos u shtangni, se vdekja nuk na frikson. Kushdo që lind do të vdes herët a vonë aqsa ka thanë Zoti. Na po vdesim ballhaptë dhe po shkojmë nga kjo botë të bindun se me vdekjen tonë do ta ndihmojmë çlirimin e Kosovës dhe bashkimin e sajë me Atdheun Nanë… Shqiptari shkon në vdekje si në darsëm sëpse lufton dhe vdes për popull, për liri, për jetë ma të lumtun”.
Sakaq u dëgjua zani i ambël i Gjergj Martinit: “Po vdesim për Atdhe, burra, se Atdheu mbrohët me gjak. Kështu me gjakun e shqiptarëve të ramë, krijohët Shqipnia. Gjaku i derdhun s’ka sesi të mos japë fryt, tue mbjellë atdhedashtni, mirësi, mirëkuptim, ai do të ngjallë edhe ma tepër ndjenjat kombëtare”:
U hap dera me rrëmbim: – Hajde, hajde, brze, majku vam vasu!- briti roja.
At Bernard Llupi, pa iu trembur syri dhe pa u nervozuar fare iu drejtua rojës: – Ndaluni pak, se due të përshëndetem për herë të fundit me vëllaznit e mijë. Në përqafim nuk muejta t’i mbaj lotët, mos u trego i ligësht, – më tha, – të dijmë si xunxarë, kështu me quanin në burg. U drejtua – Gjergj, Kolë, ejani, të shkojmë krenarë, le ta shohin ata se nuk ia kemi frigën plumbit! Duhët të jemi të lumtun që po vdesim për idealet e kombit.Atëherë Gjergji na u drejtua: “Lamtumirë, o vëllazën! Tregoni botës mbarë se Kosova dhe Shqipnia ka trima që japin jetën për vatan dhe nuk ka anmik që na tremb!…
Shqiptari nuk përkulet kurrë”…
Roja e shtyri, e ai thirri edhe ma më të madhe: “Rrnoftë Shqipnia bashkë me Kosovën”!
Edhe Kol Parubaj me një za të shteruar, na tha: “Lamtumirë vëllazën!… Ma keni kujdes vajzën… Rrnoftë kombi shqiptar!… Rrnofshin shqiptarët”!
Zëri i tij treti dhe nuk u dëgjua më, sëpse roja e shtyri me rrëmbim dhe pas tij u mbyll dera.
Të gjithë ne që ishim mbrenda mbetëm të shtangur. Pas pak u ndigjua zëri i thekshëm i Maria Shllakut. Të gjithë vrapuam kah dritarët që ta shikonim në oborrin e burgut dhe pamë hijen e sajë, meqë bënte shumë terr.
Nuk pranonte të dilte nga dera e burgut pa përfunduar këngën që bënte fjalë për Ymer Berishën, dhe luftën për çlirimin e Kosovës. Fjalët e këngës sot nuk më kujtohen por zëri i sajë ishte tamam pushkë dhe jehoi në tërë burgun.
At Bernard Llupi atëherë i tha me zë të naltë:
“Të lumtë, bylbyli i shqiptarizmës!
Le ta marrin vesht bota si shkon me vdekë femna shqiptare, me kangë në gojë”!
Maria ia këtheu me za të fortë: “RRNOFTË SHQIPNIA E MADHE!.. RRNOFTË BASHKIMI I SHQIPTARËVE”!
- Me të drejtë Miss Durham shkruan: “Zotnimet e hueja kanë kalue mbi kombin shqiptar pa lanë në té kurrfarë gjurmët, si ujë që kalon mbi shpinën e rosës”.
NATË SHËN KOLLI
”Kur të mbarojnë burrat, luftën do ta vazhdojnë gratë”, Mark Kakarriqi, Vjenë, 1913.
Shkodër, më 5 dhetor 1946. Nata e Shën’ Kollit. Një mbramje jo e zakonshme në këtë qytet të lashtë, që gjithmonë ka përcjellë brez mbas brezit doket e zakonet e të parëvet të vet. Edhe pse shumë qytetarë janë largue ndër krahina të ndryshme të vendit zakonet i ruejnë, ashtusi atë ditë që festohën në Shkodër.
Atë natë të duket sikur qyteti asht prush ose ma mirë me thanë, sikur toka asht ndezë flakë prej dritave që depërtojnë jashtë dritarëve e kafazlijeve karakteristike të qytetit. Rrugët janë paqtue mjaft herët mbasi sejcili e ka mendue dishka para se me ra muzgu. Një gjel asht flijue edhe ndër shtëpitë e pazarit të vjetër ndër kodrat përreth Kalasë, sëpse festa ka kohë që ka shkapërcye muret e nalta, të veshuna me shermashek e lulevile të shtëpive katolike.
Kjo festë kremtohet në të gjitha anët ë qytetit. Dugajtë janë mbyllë njëherësh tue urue njeni-tjetrin: “Për shumë mot festën“,
Në çdo votër asht vu buzmi, sigurisht jo, ma i madhi, mbasi ai ruhet për natën e Këshnellave, por secili oxhak nxjerr tym simbas forcës se asaj mbramje përzie me erën e gjellëve, që amvisat pergatisin me mjeshtrinë ma të madhe të grave të njoftuna në këtë natë feste. Ajo që e ban ma të veçantë këtë natë asht qiri që ndezet në çdo shtëpi. Qiri i Shën’ Kollit asht i pikturuem me lajle e lule shumëngjyrëshe që vëndoset në krye të vendit dhe ndezet nga i zoti i shtëpisë e, festa fillon!
Fëmijët janë ma të gëzuemit dhe me sytë e tyne vezullues kontrollojnë çdo qoshë pa u rrëshqitë asgja. Aty kanë vargjët e fiqëve të thatë, arrat e lejthijat që aq shumë ua kande, molla e fruta të stinës, dikund shihet edhe ndonjë ftu e portogal. Gjyshet, prej kohësh ndër kanavetat e tyne kanë ruejt për këtë natë të mbështjellun në letra xhami, qyfterin e derdhun ndër format e bukura të peshkut. Vena nuk i mungon as ma fukarasë. Ulen ndër sofrat e shtrueme me sofrabezat e kuq, fillon urata prej ma të moshuemve dhe mbas sajë kanga e Shën’Kollit: “Vjen Shën’Kolli prej Misirit…” Vazhdon zani ma i bukur i shoqnuem prej korit të pjestarëve të familjes. Naltohet zani me u ndigjue edhe prej komshive, mbasi asht kënaqësi kur të nesërmen bisedohet prej grave se kujt i asht ndigjue zani ma larg. Prej sofrës së fëmijve vjen lajmi se kur, do të vinë në sofrën e tyne bukfikja e pitegjarpni i bamë me arra e rrush të thatë Selaniku. Mbas vitit 1942 na e festonim festën tek daja Don Kolec, mbasi baba vdiq dhe atje na mblidhte gjyshja. Në vitin 1949 gjyshja bani një bakllavë të madhe se atëherë doli edhe daja nga burgu. Kujtoj dajën me një pjatë të madhe në dorë mbasi kishim ngranë bukë, me buzë në gaz si gjithmonë më vuni pjatën përpara mue. Aty kishte gjashtë kallëpe të mëdhej bakllave e më tha: “Kjo pjatë asht e ytja, ké me hangër sa të mundesh”! Ai ishte Shën’Kolli i fundit në shtëpinë tonë.
Mbas sofrës, fëmijët e gzuem e të marrakotun nga gzimi për pak kohë vazhdonin laradashat në dhomën e fjetjes ndër dyshekët e shtruem përtokë. Gaz e hare në atë dhomë, ndërsa në dhomën tjetër bisedohej: “Ku e merr me pasë mendjën e tyne”.
Ma plaku rrëmon zjarmin e në plasat e trungut të lisit me mashë kërkon me ba xhixha e shkëndia që çohen përpjetë. Krizmat e tyne i kujtojnë fishekzjarret që zbërthejnë në naltësi. Sigurisht shenjë nervoziteti… Gratë i heqin vërejtje: “Boll ma, mos e luej se bukuri tèk asht!” Lodhja e ditës e shoqnueme me atë të pijes bajnë punën e vet e, kështu, bie qetësia.
…Ndërsa, ndër sofra shkrepën gotat e vëndosuna mbi sofrabezat e bukur që sonte kanë sipër gjithë të mirat, ndër mjaft shtëpi asht i treti Shën’Kollë që gratë kanë hapë arkat e baulat e nusisë dhe kanë hjedhë mbrendë, ndoshta, përgjithmonë fustanet e bukura me lloj-lloj ngjyrash, se ato janë zëvendsue me futat e zeza dhe degërmitë e bardha ashtusi në shtëpijat e Dedejakupëve, Kazazëve e sa të tjerëve, burrat e të cilave janë pushkatue. Janë mjaft në Seksionin e Mbrendshëm tue u torturue e kushedisa ndër birucat e qelitë e këtij qyteti, ku çdo ditë djelmët e sa nanave hidheshin si thasë prej dritaresh me u thye kokat dhe me u hapë rrashtat ndër kalldramët e oborreve, ku ndihej, vetëm era e shfarosjes së qytetnimit shkodran e atij kombëtar evropian, nën parullën e njohtun të komunistëve: “Borgjezëve e reaksionarëve, plumbin ballit!”
Mbas mesnatës ndigjohen vetëm gjurmët e randa të këpucëve me thumba të disa patrullave, zhurmat e xhipsit të Sigurimit të Ahmet Sujit e topolinos së Dulaç Lekiqit që merreshin me arrestime. Punojnë vetëm zyrat e hetuesisë së Seksionit të Mbrendshëm, ndonjë zyrë e qarkorit të Partisë, që vazhdon në ilegalitet tue shpërnda urdhnat e sajë me spijujtë e agjentat terroristë të natës që tashma kanë pushtue qytetin.
Këto zyra, të drejtueme nga Qazim Kapisyzi, Arif Gjyli, Lilo Zeneli, Ndrekë Nallbani, Ali Qorri, Zoji Themeli, Pjerin Kçira, Rasim Dedja, Nesti Kopali etj. nuk i fikun dritat kurrë mbasi ditë e natë dritaret janë të mbylluna, për mos me u ndigjue ndër rruga virrmat e britmat e të torturuemve të shkallmuem për vdekje.
Ka mjaft nana që nuk i zë gjumi tue mendue se në duert e kujt ka loçkën e zemrës. Një prej këtyne nanave asht edhe fatzeza Pina, e shoqja e Shtjefën Zojzit, që zemra i ndien dishka… Ajo, atë natë feste rri me sy të ngulun harû ndër gaca tue vrojtue kah votra, nuk i bahet me u ulë në sofër. Ajo asht e veçantë në të gjithë Shkodrën! Ajo ka në mal vajzën me emnin Maria. Vetë emni të ban me kujtue pa e njoftë, një grue të pastër, besnike dhe trimneshë. Asht grueja fisnike e Pjetrit të Dedëjakupëve, që për besën e dhanun një ditë në kunorën Shenjtë kur në gisht vuni rrethin, merr malët bashkë me fatin e sajë dhe del me luftue komunizmin.
Nuk ishte jo hov rinie edhe pse ishte 30 vjeçe, por në zemër kishte mullâ urrejtjen e vrasjes së kushrinit nga komunistët, ingj. Ludovik Zojzit, arkitekt i vorrëve të Rrëmajit. Vllaun e saj prof. Rrok Zojzin, e kishin torturue në Sigurim se kishte guxue me thanë se, sa ka vra Zogu për 15 vjet komunistët i kanë vra për 15 ditë. Kjo grue zgjodhi rrugën e malit mbasi nuk mund të jetonte pa lirinë e Atdheut, një dëshirë e pathyeshme edhe e burrit të sajë, që nuk kishte pranue bashkpunimin me komunistët. Ata nuk dinin me nda Shqipninë nga familja ashtusi dikur, burrat e motit bashkë me gratë burrnesha që morën malët për liri.
Edukata e sajë qytetare e atdhetare ishte brumosë edhe prej dy axhave klerikë të njohtun të familjes Zojzi.
Në heshtjen e asaj natës kriminelët mendojnë vetëm për krime e vrasje. Këtë punë do ta kryenin ma së miri Zoji Themeli, Toger Baba, Vaskë Koleci, Dulaç Lekiqi, Fadil Kapisyzi e Zenel Cani me shokët e Ndjekjës. Në të dalun të dritës së datës 6 dhetor, rreth orës 04.00 të mëngjezit, në luginën e prronit të Hijes së Madhe, në Meshkallë të Sheldisë, kur Maria e zgjueme doli nga çadra e vendosun prej tyne në atë vend, u ndigjue një za: “Dorëzou Marije, se nuk të vrasim”.
Ajo, u përgjegj: “Për së gjalli kurrë, mor qena….!”, nxori armën nga brezi sepse, e njihte mirë “besën” e komunistëve.
Gjuejtjet e automatikëve të katilëve komunistë nga pozicionet e vëndosuna gjatë natës, e rrëzuen përdhé…
Ajo u vra me pushkë në dorë. Gjaku i pastër i Marijes u derdh në përrue dhe zbriti në Dri, për me përshëndetë ma afër Shkodrën.
Ajo me ujët e Drinit pershëndeti edhe Nanën e vet për me i tregue Asaj, se, kur më linde Ti, bashkë me qumështin gjaku më mori erë baroti, ashtu si më pate mësue qyshë të re, në besë të burrit qëndrova e bashkë me Pjetrin e dashtun u vramë për liri!..
Maria nuk ishte as e para shkodrane e as e fundit që doli malësh me armë në dorë mbas vitit 1944 me luftue kundër komunistëve. Ishte edhe Maria Shllaku po prej Shkodret, që zani i sajë do të jehonte për 50 vjet ndër malët e Kosovës. Vajza shqiptare u tregue gjithmonë e denjë për armët që mbante në brez. Ajo nuk u përkul as para pushkatimit, as para torturës, as para yllit të kuq. Ajo i provoi burgjet komuniste, ajo provoi malët e Tepelenës, ajo provoi baltat e kënetave të Myzeqesë, ajo nuk iu tremb as presionit moral, shpirtnuer e fizik të hetuesisë, as interrnimëve, as punës së randë të fermave e kooperativave bujqësore por, gjithkund mbas burrave vuejtën për një kafshatë bukë, lindën dhe rritën fëmijë që njëditë… do të ishin ndera e Atdheut.
***
Vajzat e vërteta shkodrane në ballin e Rozafës vendosën dafina!
Vajzat e vërteta Shqiptare, Shkodra i ka pa edhe më 2 prill 1991!
Ishin vajzat e djelmët e shkollës “Jordan Misja” që me Flamurin e ngjymë në gjakun e djaloshit trim shkodranë Arbën Broci, marrshuen drejt Demokracisë! Ishin po ato vajza që më 14 janar 1990 i trandën thëmelet bustit të diktatorit të shekullit Stalin. E, prap më 2 prill, do të djegin tankun para diktatorit tjetër që nuk i la gja mangut atit të tij, tue paralajmërue fundin e veprës së tyne: Turpit të Shekullit XX-të.
Toka shqiptare i ruen në gjiun e sajë Herojtë, edhe pse sot na nuk dimë ku pushojnë shumica e tyne. Fshatarët e Meshkallës e ruajtën për 45 vjetë Marijen në tokën e tyne, me një rrasë të vogël si shenjë nën kaçuba ferrash. Aty çobanët kishin shkrue: “Këtu pushon Maria e Shtjefën Zojzit, besnike e burrit të saj”.
Njëditë ata fshatarë bashkë me krahinat e Jubanit, të Gurit të Zi, të Sheldisë e përreth e përcollën për në Rrëmaji, Heroinën e tyne. Aty e priti Shkodra, sigurish, Ajo nuk erdhi me petkun e bardhë të nusisë por me atë visar që asht ma i shenjti dhe ma i shtrenjti, Ajo erdhi e veshun me Flamurin e Shqipnisë si një zonjë e randë, me atë Flamur që Maria, me gjakun e sajë i ka shlye yllin.
Edhe Flamuri, në shenjë nderimi për Heroinën e vet në zemrën e tij ka vu portretin e saj: SHQIPËN DYKRENARE.
Ajo sot prehët me nanën Pinë, mbasi burrin e besës komunistët e zhdukën, tue e pushkatue për së vdekuni në Zallin e Kirit, pranë vorreve të Rrëmajit, mbasi nuk kishin shka me i ba ma shumë. Edhe Ai asht aty afër Marijes, aty ku janë shumica e Martirëve të Shkodrës.
- Marije! Më duket se, për kërkend ma shumë se për Ty…
Shkruente dikur… i madhi At Fishta:
“… Ju besën
Ka për t’ua dhanë mbi vorr, se kurr për s’ gjalli
S’ ka me e koritun namin t’uej e nderën,
Se ka me dekë p’ r Atdhé si desin burrat
Si diqet, qé, ju për nji Shqipni t’lirueme”.
LËVIZJA E POSTRIBËS
(9 shtator 1946)
“Historia e Shqipnisë së lirë asht kaos luftash, ngatrresash, trathtinash, ambicionesh, partinash kaq të mëdhaja, të shpeshta, të ndyta e të damëshme, që nuk i gjenë askund shoqen në botë”, “Zani i të dekunit” nga Y (D. L. Shantoja).
“Rreziku nga e vërteta ishte ma i madh se gënjeshtra”.
Asht shkrue e do të shkruhet e prap do të vazhdohet me u shkrue për këtë ngjarje aq të randësishme, por e vërteta do të dalin në shesh vetëm atëher kur historianët e paanëshëm do të kenë mundësi me pa e me studjue arkivat e mbulueme nën dhé.
“Deri njerëzit e zhdukun dje prej skenet, na dukën si të kishin hi kaherë në radhën e mumjeve.”, shkruente At Gjon Shllaku, dhe vazhdon: “Për né ideja asht nji mjet me u kapë té realiteti, për filozofinë moderne ideja asht nji perde që e ndanë njeriun prej realitetit”.
Mendimet e kundërta të shprehuna ndër libra, broshura, artikuj dhe konferenca përkujtimore, më kanë shty me kërkue dishka të mbulueme me dashje, ose padashje, por në të dy rastët, jo, me qëllim të mirë. Tue u nisë si u organizue, si shpërthei dhe si përfundoi me dështim të plotë kjo lëvizje që asht ndër ma të mëdhajat e trojeve tona, asht me të ardhë keq dhe do të bindemi se frutin e kanë përfitue vetëm komunistët.
Përmbytja mori me vedi fshatarë, profesorë, oficerë akademistë, deputetë, intelektualë, klerikë, studentë, tregtarë, shumë të kënaqun e të pakënaqun nga pushteti, madje, edhe pushtetarë që deri pak ditë përpara kishin nënshkrue edhe “urdhën-arreste”, ose në mendjen e tyne pritnin kur po vjen “demokracia”.
Me plot gojë dami për Veriun nuk llogaritet asnjëherë.
Vetë ardhja në Shkodër në janar të 1945 e kryekriminelit Mehmet Shehu, me një tubë të pa pame ndonjëherë terroristesh si: Sheuqet Peçi, Dali Ndreu, Gjin Marku, Rahman Parllaku, Tuk Jakova, të shoqnuem nga bandat e Sigurimit të Shtetit të drejtueme prej Koçi Xoxe, Zoji Themeli, Vaskë Koleci, Ramadan Çitaku, Ndrekë Nallbani, Ali Qorri (Bushati), toger Baba etj. që me krimet e vrasjet e tyne të bame me gjyqe e pagjyqe, tregojnë pikësynimin e tyne: Përdorimi i çdo dredhije e mjeti mashtrues, për me shkatrrue rezistencën atdhetare antikomuniste dhe çerdhën e tyne.
- Unë do të rreshtoj vetëm disa fakte:
Me datën 29 janar 1945, prokurori Jonuz Mërsini i thotë D. Lazër Shantojës: “Më dt. 20 – 21 janar 1945, malësorët janë çue kundër Luftës N.Çl. të inspiruar prej këtij fashisti” (Dosja 174).
- Don Ndre Zadeja deklaron: “Aty nga shtatori 1944, ka ardhë në Sheldi nji kolonel anglez i quejtun Nill, me do ushtarë e Jup e Halit Kazazin, gjithashtu me té ishte nji oficer gjerman dhe nji ushtar italjan. Këta vijshin prej Cukalit, shkojshin në Shëngjin dhe së andejmi për Itali. Në qelën teme kanë qëndrue vetëm nji natë. Gjatë ndejtjes në qelen teme, unë ju mbajta nji bisedë, ku i kam theksue nëvojën që ka populli shqiptar i varfën në mes të armiqve shekullorë, të cilët janë: Sllavi, Bullgari, Greku dhe Italia. Shqipnia ka nëvojë për nji mbrojtje nga fuqitë e hueja”. (Dosja 677)
- Riza Drini i kërkon bashkpunim Riza Danit prej malit në tetor të 1944, dhe Këshilli N.Çl. e pranon. Arësyeja e kërkesës së Riza Drinit asht: “….për me evitue gjakderdhjen që parashof se do të bahët në Shqipni.” (Deklarata e Riza Danit d.v. dt. 30 prill 1945).
- Llesh Marashi deklaron në korrik 1946: “Nuk dij sesi tri ditë para shpërthimit të Lëvizjes së Koplikut e ka dijtë organizata “Bashkimi Shqiptar”, unë nuk e kam dijtë vetë”.
- ●Martin Sheldija (ish oficer), i arratisun me Gjergj Vatën, dorzue në kohën e anmistisë, i dënuem për jetë, dhe i liruem më 14 shkurt 1966, deklaron: “Me datën 5 shtator 1946 ka ardhë Shuk Gjoka, e më tha, se don me më takue Shaban Abdullahi e Zyber Hyseni, dhe me datën 8 shtator më ka sjellë lajmin me sulmue Shkodrën. Shuk Gjoka shkoi në Ganjollë, Spathar e Juban. Unë kam organizue Gurin e Zi. Më 8 shtator, bashkë me Pjetrin (Dedën, i vramë), kemi ardhë te Ura e Kirit e kemi shprazë pushkët, nuk na u përgjegj kush dhe kemi shkue prap. Nuk kemi hy në Shkodër.
“Martin Sheldija ka rrezikshmëri shoqrore shumë të theksuar…”, shënon Ministri i Mbrendshëm Mehmet Shehu d.v. më 29 qershor 1949. (Dosja 141).
- Jakup Dan Alia, i arrestuem për Lëvizjen e Postribës deklaron: “Në mbledhje për Postribën jemi qenë: Osman Haxhija, Abdullah Seiti, Muho Duli, Selim Raci, Emin Zyberi, Dervish Nuzi, Ram Vasi, Taip Isaja, Seit Duli etj. Foli Abdullah Seiti, dhe tha me i ra Shkodrës. Luftën e Postribës në fushë të aeroplanave e ka fillue Seit Duli”.
- Rrok Gjok Luli, i arrestuem më 12 shtator 1946, për Lëvizjen e Postribës dhe i dënuem 20 vjet, deklaron: “Kam bisedue me Mustafa Jakupin, Mustafa dinte se do të sulmohet Shkodra që sonte, një gja të tillë ia kishte thanë korieri i Jup Kazazit, një katundar prej Postribët, dhe më thote, Rrok, sande sulmohet Shkodra prej Postribët, e duhet të dalim që sonte me katundarë. Unë i thashë se do të sulmohet më 15 shtator 1946 se një gja të tillë ma ka thanë vëllai, dhe jo sonte. Por, Mustafa më kallxoi se jo më 15, por sonte se Postribësit nuk donë me dhanë ushtarë. Më ka thanë për Jupin se nuk asht këtu në Shkodër dhe ka dalë jashtë se asht i mërzitun, se do ta fillojnë luftën sande dhe për këtë, do të hidhen në sulm. Veç luftës nga jashtë do të plasin edhe këtu mbrenda, se Jupi asht marrë vesht me të huej, megjithse një pjesë e kanë kundërshtue Jupin…”.
“…Unë nuk shkova me lajmërue as vëllain për këtë punë.”
- Pjetër Gjok Luli, vjeç 43, vëllai i Gjeloshit e Rrokut, deklaron: “…Unë nuk kam takue as vëllain Gjeloshin, në sa të kam pa ndonjëherë ty… (i drejtohet kryetarit të gjyqit, Misto Bllacit) … As nuk dij se asht ba mbledhje, as nuk kemi organizue gja”.
- Pjetër Prendush Pali, vjeç 32, nga Hoti (Jugosllavi), mësues, deklaron: “…akuza nuk asht e vërtetë, në furrë tek Mustafa nuk asht e vërtetë se kam bisedue unë për Postribën, ato që thonë këtu nuk janë të vërteta. Për akuzat që më bajnë Gjelosh Vata, Gjon Leka e Mustafa Jakupi nuk janë të vërteta. Gjon Leka më ka thanë, se jam me punë në Seksion të Mbrendshëm, dhe rri urtë se kam në dorë me të ba keq”.
Vendimi i gjyqit Pjetrit iu dha me vdekje, dhe u ekzekutue më 11 mars 1948.
- Mustafa Jakup Vodaj, vjeç 48, nga Shkodra, i dënuem për jetë, deklaron: “Nuk kam asnjë lidhje me Postribën, por mue më ka tregue Brahim Isufi se sande Postriba sulmon Shkodrën. Unë i thashë Gjeloshit, por ky më tha se nuk asht e vërtetë. Kemi shkue me Gjonin në shtëpi të Gjeloshit (Vatës), aty në mesnatë ka ardhë me na thirrë Abdullah Seiti e Ismail Duli dhe jemi takue tek fusha me Murat Haxhinë. Aty pamë se nuk ishte gja ajo punë dhe u këthyem ndër shtëpia.”
- Don Nikoll Deda: deklaron në gjyq më 7 janar 1948: “…Për sulmin e 9 shtatorit 1946, nuk kam bisedue as nuk kam kenë i deleguem nga Kleri për me marrë pjesë ndër këto mbledhje. Don Tom Laca nuk më bie ndër mend të ketë kenë në mbledhje…
Unë nuk e dija se asht formue parti Demokristiane…
Për përpjekjen e 9 shtatorit s’kam dijtë kurrgja, por kur e mora vesht se e kishte bërë Kazazi”.
- Imz. Frano Gjini: “…për ngjarjen e 9 shtatorit nuk dij gja”.
- Don Tom Laca: Deklaron: “…Nuk asht e vërtetë që të kemi pergatitë 9 shtatorin me Riza Danin e Paulin Palin (avokatin)”.
- Zef Haxhija, deputet i 2 dhetorit në Kuvendin Popullor për Shkodrën, deklaron: “Për ngjarjën e 9 shtatorit e kam marrë vesht në nesre, si gjithë bota…!”.
***
- Për Lëvizjen e Postribës së 9 shtatorit 1946, u pushkatue: Imzot Frano Gjini, At Mati Prennushi, Don Nikoll Deda, Kolec Deda, Pjetër Deda me gruen Maria, Cin Serreqi, Riza Dani, Dulo Kali, Caf Dragusha, Simon Darragjati, Rasim Gjyrezi, Guljelm Suma, Ing. Fahri Rusi, Murat Hysen Haxhija, Bilbil Hajmi, Pjetër P. Pali, Gaspër Simon Gaspri, Xhelal Hardolli, Prof. Kol Prela, Av. Paulin Pali, e sa e sa të tjerë pagjyq që, edhe sot, nuk dij a figurojnë apo nuk në rregjistrin e të pushkatuemëve…
- E vërteta asht vetëm një: Ajo ishte Lëvizje antikomuniste!
AVOKAT PAULIN PALI DHE PROF. KOLË PRELA
“Avokat PAULIN MARK PALI është i datlindjës 1914. Prindët e tij ishin Mark e Shaqë Pali. Ka një vëlla Gaspër Palin, ishoficer i naltë. Paulini është beqar, i pa dënuar, i varfër, me universitet të kryer për drejtësi, profesor avokat, nga Shkodra, i arrestuar më 14 gusht 1946…”.
Kështu i fillon hetimet krimineli Zoji Themeli në dosjën 1333, kundrejt të pandehurit Profesor avokat Paulin M. Palit, proçes i cili do të vazhdonte me vite…
Me datën 18 tetor 1946 major Zoji Themeli, në Seksionin e Mbrendshëm të Shkodrës (në shtëpinë e Pjetër Çiurçisë), fillon me dokumentacionin që për fat ruhet edhe sot. Në proçes nuk shënohen torturat që i janë ba Paulinit, por dëshmitaria okulare që jeton edhe sot, zonja Terezina Zorba (Pali) tregon: “…kur po më dërgonin në dhomën e pyetjeve polici shoqnues më la pak minuta në koridor, mbasi ai hyni tek oficeri pyetës ku dukej se kishte shumë njerëz. Aty afër derës ishte një baul e vjetër e mbyllun me dry. Ndigjova një za të lehtë e të mekun: “Terezinë…Terezinë! Jam Paulin Pali!”, unë e tronditun ju përgjegja: “Kush?”…Ai u përgjegj prap: “Paulini moj, Paulin Pali!”.”Isha aq e tronditun sa edhe sot më tmeron ai kujtim i mnershëm i asaj dite, kur mendoi atë djalë aq të pashëm e të gjatë si bajrak dy metër, të palosun dyfish në atë arkë aq të vogël, sa mezi mund të futej një fëmijë.
Aty i shkreti Paulin ka qëndrue me ditë e javë të tana… derisa njëditë nuk u ndigjue ma zani i tij që ndigjohej çdo natë në tortura.”
***
Avokat PAULIN PALI deklaron: “Jam arrestue nga forcat partizane tue u arratisë në Itali, me datën 15 shtator 1946,” (ndërsa flet-arresti ka datën 14 shtator 1946), mos vallë shkaku i arratisjes asht lëshimi i flet-arrestit njëditë para? Asht edhe varianti tjetër, mos ndoshta Sigurimi e dinte se Paulini don me u arratisë dhe shkon në vendin e caktuem me flet-arrest të lëshuem njëditë ma parë në xhep? – Për mue, qëndron varianti i dytë, mbasi zhvillimi i proçesit, indirekt zbulon dishka!..Vazhdon ma poshtë: “Kam krye fakultetin Juridik në Firencë në vitin 1942. Kam ardhë në Tiranë, prej ku kam shkue në Prizrend. Për Kosovën mendojshe se do të fitojnë lirinë dhe, nuk do të rrinte nën sundimin e Krajl Pjetrit.
Kështu, bisedonim me avokat Sokol Dobroçin, në Prizrend.
U ktheva në Shqipni dhe shoqnohesha me shokë si: Ragip Metën, Galip Jukën, Adem Bazhdarin, Ranko Cerankoviq, Pjerin Koliqin, Pashko Gecin e Filip Ndocaj. Kisha shokë Qemal Shehun e Muzafer Pipën. Idetë e mija kishin karakter liberal. Kritikonim vëprimet e Pushtetit sotëm. Nga Fronti Demokratik ishe i paknaqun. Fronti kishte marrë fuqinë dhe përfshinte Partinë Komuniste. Elementët që drejtonin ishin pa eksperiencë. Kishte papunësi, sëpse njerëzit që kishin ardhë nga mali kishin zanë të gjitha vendet e punës. Kishte vetëm një Parti, na dishrojshim edhe grupe të tjera politike, gja që na bante me mendue se duhët të bashkohemi edhe na. Për këtë jemi mbledhë tek Muzafer Pipa, ku mendonim për një veprimtari politike intelektuale. Muzaferi tha: “Intektualët nuk kanë dhanë asnjëherë shenjë bashkimi, megjithqë forca e tyne asht e madhe duhët një organizim”.
I kam kërkue Xhevat Danit një takim me Rizanë. Ishte edhe Jup Hoxha nga korriku i 1945. Rizaja ka përkrahë idenë teme të një grupi intelektual, mbasi zhvillohet vendi. Jupi tha se, kështu asht ba edhe në Tiranë me Gjergj Kokoshin. Rizaja mori përsipër me bisedue me Gjergjin.
Me datën 10 gusht 1945, kam shkue në shtëpinë e Muzaferit, unë dhe Adem Bazhdari. I vuna në dijeni pa përmendë emnin e Rizasë. Ma vonë kemi ndejë prap në kafe Adriatik me Ademin e Muzaferin.
Me datën 30 tetor 1945, kemi ba një mbledhje në shtëpinë e së shoqës së Bajram Currit, kur pritshim ndërhymjen e Aleatve dhe biseduem për gjendjen ndërkombtare ku foli edhe Ragipi (Meta). Pak ditë ma vonë kemi ba një mbledhje në shtëpi të Riza Danit. Kemi propagandue kundër ligjit elektoral, jo vetëm një parti. Kemi folë me Luigj Mjedën, Abdyl Urën, Iljaz Krajën. Zgjedhjet treguen se na shkoj puna kot. Muzaferi më tha, nga Dibra mendohet me u ba kryengritje me armë. “Asht keq që një grusht komunista të na imponojnë mendimin e tyne”, i kam thanë Riza Danit.
“Na që kemi kenë në mal e që kemi luftue kundër okupatorit, nuk kemi të drejtë me zbatue pikëpamjet tona”, i ka thanë Muzaferit, Rizaja.
Rizaja bisedonte me Luigj Koliqin. Na mendonim për një Organizatë ilegale me parime demokratike. Përveç të sipërmëve mendonim me kenë edhe Brahim Dibra, Luigj Franja, Dan Dibra, Asim Ulqinaku, Dan Hasani, Xhevat Bekteshi, Kol Prela, Rizaja, një farmacist etj., që nuk i kujtoj.
Në Durrës ishte formue një parti por nuk kishim marrë lidhje me té. Me Kol Prelën kishim lidhje politike, ndërsa lidhje pune kishim me Riza Danin. Me Dionis Miçaçon dhe Rexhep Mborjën kemi bisedue për gjyqet…
Më 15 qershor 1946 u takova me Lec Shirokën, dhe më tregoi se prëgatitet një barkë me ikë për Itali dhe i thashë, po të ketë vend vij edhe unë, por pare me pague nuk kam. Ai më tha, se paguen tjetër kush në Tiranë, e tri ditë para të diftoj. U nisa të shtunën në Tiranë me takue Hasanin, mik i tij në Bulevardin “Qemal Stafa”, dhe ai do të na udhëzonte si me ikë për Itali. Mbas tri ditësh me Namikun u takueme edhe më tha se na mungon italiani (mekaniku), nisja nuk bahët të dielën, po u la për të mërkurren dhe vjen edhe mekaniku.
Ditën e mërkurrë me datën 14 gusht 1946, u nisëm për Shtoj dhe mbasi barka nuk erdhi, ditën e enjte në mëngjez na arrestoi këshilli i vendit dhe na përcolli për në Komandën e Durrësit. Prej Durrësit në Tiranë e, prej Tiranet në Shkodër”.
Deklaruesi: Paulin Pali d.v. Asistoi: Dul Rrjolli d.v.
Oficeri pyetës: Major Zoi Themeli d.v.
Me datën 19 dhetor 1946, Abdyl Kokoshi deklaron: “Prej Gaspër Palit e Bahri Koplikut më asht rekomandue Paulin Pali, me të cilin lidhej Mehmet Daiu, Kel Çoba dhe Simon Daragjati. Këta kishin lidhje me Jup Kazazin i cili i ka dhanë Paulinit 25 stërlina. Ndërsa Eduard Suma, Abdullah Garuci etj. do të na ndihmonin. Jam takue me Dionis Miçaçon dhe kemi bisedue për këto çështje”.
Proçesi vazhdon i gjatë me Abdylin, i cili si dukët, nga torturat mendon me i dhanë fund jetës tue pranue gjthshka shkruen hetuesi, ai vetëm në fund ven firmë. Asht me të vërtetë me t’ardhë keq!… Për martirin Simon Darragjati fatkeqësisht nuk kam muejtë me gjetë material, mbasi asht mbytë pa mërrijtë me pregatitë gjyq falso ndër dhomat e vdekjes.Do të ishte me shumë interes me u studjue dosja e plotë e këtij grupi martirësh të kombit që, edhe pse nuk m’u dha mundësia me e pa këtë material të plotë, mërrijta me kuptue nëpërmjet atyne pak rreshtave të ballafaqimeve, qëndrimin heroik dhe të palëkundun të Burrave që s’ njohën frikën: Kol Prelës, Kel Çobës, Abdyl Rusit dhe Kol Kurtit. Edhe pse të ndodhun para gjakajtorëve vrasës: Zoji Themeli, Dul Rrjolli, Nesti Kopali, Vehbi Fishta, Xhemal Selimaj, Lilo Zeneli, Vaskë Koleci, Ali Xhunga etj. asht e pakuptueshme për né, forca e qëndresës së tyne dhe këtë e tregon ma mirë se çdo gja, fundi i jetës së tyne. Mbas 18 muejsh hetuesi, Prokurori Ushtarak i Zonës Ushtarake Shkodër, kap. Namik Qemali d.v. përpilon akt-akuzën për të pandehurit: “1. Paulin Mark Pali, 2. Kol Prel Gjoka, 3. Kel Gjon Çoba, 4. Dhionis Kristo Miçaço, 5. Shyqyri Bajram Shpuza, 6. Abdyl Riza Rusi dhe 7. Mehmet Mahmut Daiu.
– Kanë punuar për formimin e organizatës terroriste në Shkodër.
– Lidhën me Komitetin Qendror të Organizatës terroriste të Tiranës dhe marrin direktiva për formimin e Organizatës së Shkodrës. Formojnë grupe klandëstine terroriste intelektuale etj.
– Bien në lidhje me shoqëritë fashiste demokristjane të krijuara në gjirin e Klerit Katolik e bashkëveprojnë në aktivitetin e tyre kundërshtar.
– Nga të pandehurit, Kol Prela, ka qenë efektiv i Komitetit Qendror Demokristjan, dhe bashkpuntor i Organizatës terroriste.
– Kanë mbajtë lidhje me armiqtë mbrenda e jashta shtetit.
– Kanë qenë për ndërhyrjen nga jashtë nga të huajtë imperialistë.
– Direktivat nga Komiteti Qendror i Tiranës ua ka dhënë Abdyl Kokoshi. Janë prëgatitë për kryengritje të armatosur.
– Këta kanë prëgatitë edhe 9 shtatorin e 1946. Janë përpjekur me sabotuar Reformat e Pushtetit Popullor.
– Paulin Pali i autorizuar nga Komiteti Qendror i Organizatës terroriste të Tiranës, tenton të arratiset në Itali, për të shpurë punën e organizatës, për të cilën pregatitë barkën e udhtimit dhe kapet në buzë të detit…”.
“Trupi Gjykues i përbërë nga: Kryetari, kap I Misto Bllaci, antarë, kap II Përtef Alizoti dhe nëntoger A. Koroveshi, prokuror kap. Namik Qemali dhe sekretar Shaban Q. Dautaj, me datën 14 janar 1948, ditën e mërkurrë, hapi seancën me pyetjen e të pandehurit:
Prof. KOL PREL GJOKA: I biri i Prelës dhe i Katrinës, vjeç 30, i pamartuar, i padënuar, i varfër, ka mbaruar fakultetin e letërsisë, Profesor, ka vëllain në burg (Markun), i arrestuar më 19 shtator 1946, deklaroi:
– Në akt-akuzë, diçka, ndonjë fjalë asht e vërtetë. Jam kenë me studime në Itali. Në vitin 1940 kam ardhë në Shkodër, profesor. Në 1943 jam ilegalizue në Dukagjin, se mora pjesë në formimin e Këshillit Nacional Çlirimtar të Shkodrës. Qëllimi em ishte të luftojshim fashizmin. U lidha me Zija Dibrën e Arif Gjylin. Sidomos Mark Mala më ka shkrue të hiqesha nga Lëvizja N. Çl., por unë i shkrova, bashkou me né.
Më pëlqente demokracia me shumë parti si në Angli e në Francë. Jam lidhë me Mark Ndojën e Bajraktarin, në favor të lëvizjes N. Çl.
Në 1945 kam ardhë nga Elbasani. Vllai kishte bisedue me P. Gjon Shllakun për votimet me shumë parti.
Jam kenë dy muej përgjegjës i Seksionit Ekonomik, mandej tetë muej në Normalën e Elbasanit, mandej profesor në Lice të Shkodrës. Vllait, P. Gjoni i ka tregue se mund të bisedohet ma vonë për një grup demokratësh, nuk dij për demokristjane. P. Gjoni më ka thanë, që bane mirë që ké vue kandidaturën dhe shyqyr që u hoqe nga Dukagjini, se bie borë e ban të ftoftë. Për grupe nuk kam denoncue. Për Organizatën e Tiranës nuk më ka folë as ai, as Paulin Pali. Padër Gjoni njëherë më ka ardhë në shtëpi për emën. Në shkurt jam takue me Paulin Palin por nuk kemi bisedue gja me rëndsi. Padër Gjonin e kam pasë mik përsonal.
Padër Franja, Filipi e Aleksi, kanë ardhë për një deklaratë që i kam dhanë për P. Gjonin. Me Gjelosh Lulin prej Shoshit jam takue dy herë, në shtator të 1945 dhe në prill të 1946. Më tha se ban mirë me u ilegalizue por unë i thashë, nuk kam ba gja. Mbasi nuk kam marrë pjesë në organizata nuk mund ta quej trathti”.
Kush ishte Prof. Kol Prel Gjoka?
Me datën 7 shkurt (fruer) 1947, oficeri pyetës Zoji Themeli shënon:“Kol Prela ka lé në Shkodër në 1918. Banues në rruga Kokaj Nr. 4, Rus Katolik. Në 1928 ka krye shkollën e ultë ndër Jezuit, ndërsa të mesmën në Gjimnazin e Shtetit, në Shkodër, në 1935.
Fakultetin e Letërsisë e ka përfundue në Torino, në 1940.
Në vitin 1944 në Shkodër, ishte përgjegjës i Seksionit Ekonomik dhe, Drejtor i Normalës së Elbasanit, deri në nandor 1945.
Më 2 dhetor 1945, Deputet i nën/prefekturës së Dukagjinit, deri më 14 shtator 1946, që asht arrestue në Tiranë. Mbas dy javësh asht sjellur në Seksionin e Mbrendshëm në Shkodër.
Prof. Kol Prela deklaron: “Me Padër Gjon Shllakun kam bisedue kundër Italisë, kemi kenë dakord të dy që né duhet të çlirohemi. Po kështu, im vëlla Marku dhe Gjelosh Luli. Që në 1940 e njifshe P. Gjonin dhe kemi bisedue çështje politike, letërsi, histori dhe filozofi. Ai njifte të gjitha shkencat. Kam ndejë në shtëpi të Gjelosh Lulit dhe kam pasë lidhje me Mark Malën. Kemi shkue me pa provat e “Juda Makabé” në Shtëpi të Kulturës. Pjetër Prendush Palaj, me ka ardhë dy herë në shtëpi që të ndërmjetsoja për transferim dhe nuk kam bisedue për probleme politike. Kur ka ardhë ky, vllait i kam thanë me dalë jashtë, se ky ka hallët e veta, e nuk dishronte t’a dëgjonte kush. Luigj Ljarja më ka tregue se punonte në Pukë. Loro Vatën e njof për ftyrë por nuk kam pasë lidhje. Me Gjelosh Lulashin kam pasë lidhje, ai më ka thanë me ikë, por unë i kam kundërshtue.
I kam tregue për Konferencën e Paqës që ose do të bahët paqë, ose bota do të ndahët në dy bloqe.
(Kol Prela) d.v ( Zoji Themeli) d.v.
- Shënim: Kola ballafaqohet me vëllain Markun, për Organizatën “Bashkimi Shqiptar”, se Kola, i ka dhanë udhzime asaj Organizatë, por Kola thotë se nuk asht e vërtetë. Madje, Kola nuk ka pasë fare dijeni se asht formue një organizatë e këtillë. Kola mohon edhe ekzistencën e ndonjë oganizate ose partie demokristjane, mbasi P. Gjoni thotë ai, do të më kishte tregue mue…
Zoji Themeli d.v.
- KEL ÇOBA: Mohon thanjet e Xhevat Metës, Karlo Sumës dhe Syrri Anamalit.
- ABDYL RUSI nuk pranon asnjë nga thanjet e dëshmitarëve.
- KOL KURTI thotë: Takimet me shokë nuk kanë pasë karakter politik. Tjerat çka thohën këtu, nuk janë të vërteta.(Dosja 1333).
Avokat PAULIN MARK PALI para gjyqit. (Se ku ishte kjo sallë që nuk e pau njeri nuk dihët!?)
I shtati u pyet avokat Paulini, i cili tha: “Akuza pjesërisht asht e vërtetë, sidoemos se kam dashtë me ikë. Në 1940 jam kthye nga Italia. Okupacioni më ka xanë në Itali. Edukatën fashiste në shkollë e kishim mësim. Kur erdha u emnova në Këshillin e Epërm Korporativ. Detyra ime ishte me luftue okupatorin, por unë nuk e kam ba. Lëvizjën N.Çl. e kam njoftë, por nuk jam interesue. Në fund e kam simpatizue dhe kam kontribue për shlirimin e Shqipnisë. Për kundra sajë, përsa i përket diktaturës nuk e kam dashtë, sidoemos kufizimin e partive të tjera dhe shkrimjen e fuqive të tjera ekonomike. Fuqinë do ta merrte proletariati dhe kjo u ba realitet dhe të gjithë punojnë. Ky do të shtypte klasën kapitaliste dhe do të përfaqsonte fshatarë e puntorë. Reformat u aplikuen për katundarët e fabrikat u shtetizuen. Tatim-fitimet u banë për puntorë në favor. Lufta N.Çl. në fillim ishte bloku antifashist, deri në çlirimin e plotë më 1944. Shpirtnisht e kam proklamue në favor. Unë e konsideroj të kishte një demokraci Prendimore. Ku sundon kapitalizmi; fabrikat e bankat i kanë kapitalistët. Një puntor në Angli kur i mungojnë mjetët ekonomike nuk mund të bahët ministër e të marrë pjesë në qeveri. Sistemi i juej mund të japë lehtësi, por kjo asht faza e parë e shlirimit, e dyta ristabilizimi në ushtri e Pushtet. Unë si princip nuk e kam pra, me diktaturë, edhe pse vegjëlia e mori Pushtetin, por këto ishin principet e mia… Gjatë okupacionit gjerman kam kenë në Prizrend avokat me Sokol Dodoshin dhe bisedonim për këto vëprime që po baheshin në botë. Fashizmi përjashtohet nga demokracia Prendimore. Spanjën e mban Anglia dhe Amerika. Edhe në Greqi – unë, nuk e konsideroj fashizëm ku ka liri. Franca autentike asht rregjim fashist. Sikur ta mpronin edhe ata fashizmin pse nuk e aplikojnë edhe ata vetë diktaturën? Në 1942-43 ishe në Kosovë. Mbas 1944 erdha në Shkodër. Për shlirimin e Shqipnisë pa Kosovën e kam konsiderue nji gja të mangët, se Kosova asht Shqiptare dhe asht marrë nga shovenistët serb padrejtësisht. Me forcë nuk mund t’a marrim, por me drejtësi internacionale dhe simbas Blokut Antifashist do të pyetej populli, dhe kjo mund të zgjidhesh në mënyrë miqësore. Korça dhe Gjinokastra janë shqiptare dhe i kërkon Greku. Mendimi i em për Kosovë ka kenë arësyeja ekonomike, politike, kombësia. Unë nuk dij në se populli kosovar rron i lirë apo jo, por minoritetët në vendin tonë rrojnë njësoj, edhe popujt e Maqedonisë e Kosovar rrojnë si këtu, thoni ju, unë s’e dij! Populli shqiptar ka vllaznim me shqiptarin. Idetë e mija kanë kenë këto, dhe me ke kam njoftë kam bisedue dy-tre herë, kur më asht paraqitë rasti. Ëndrra ime ishte nji Kosovë e lirë! Por, në konfërenca nuk kam bisedue me popull, se atë liri nuk e kishim mbas shlirimit, por me shokët e mij si: Galip Juka, Adem Bazhdari, Muzafer Pipa, Ragip Meta etj. kam folë. Kur filluen Gjyqet e Popullit nuk më pëlqenin, se nuk garantohej si duhej drejtësia. Gjyqi bahej publikisht, por proçedura që ndiqej më epte atë përshtypje, dhe Trupi Gjykues nuk i jepte atë që duhej, pra, atë që meritonte. Trupi Gjykues nuk ishte i aftë. Gjykatësi duhej të ishte i paanëshëm. Po citoj nji shembull qysh në fillim e deri në mbarim, këtë ide e kam pasë formue, Riza Alinë, as e kam njoftë, as e dij se ka kenë element i keq. Ekzekutimi i tij më ka ba të vuej shpirtnisht, gjithashtu edhe Ymer Lutfija që nuk e ka meritue me u dënue me vdekje. Kanë kenë me Ballin e okupatorët kanë ba trathti. Ndue Pali ka kenë ballist, me sa dij unë. Unë mund të jemi i mbrapësht dhe i keq, por këto kanë kenë konceptet e mia. Unë nuk dij ç’të tham!…
Për të mbetat e gjyqeve kam bisedue me Xhemal Brojën, Skënder Luarasin, Kol Prelën dhe Dhionis Miçaçon, të cilët rastësisht në biseda pajtoheshin në pikpamje. Me Skënder Luarasin kam folë me nji ton tjetër, se ai ishte në Pushtet dhe i kam thanë të ishte ma butësi. Gjatë Luftës, kam ndigjue se janë vra njëzetetetëmijë vetë, ndërsa, mbas Luftës deri në 1946, mund të jenë vra nja 500 vetë. Unë nuk kam dashtë të ruaj kuadrot e reaksionit, as më ka shkue mendja, ndoshta nuk i kam dashtë kujt të keqen, ju e keni marrë ashtu, por kur asht ba nji vrasje, unë nuk kam dashtë nji tjetër mbasi jemi popull i vogël. Nuk kam asnji ambicje politike. Jam fajtor vetëm për politikën që kam ndjekë kundër Gjykatave Ushtarake, për Kosovën, dhe politikën kundrejt Blokut antifashist ndaj vendit tonë, mbasi i konsideroj të padrejta. Që të marr përsipër nji aktivitet konkret për këtë gjendje nuk kam fillue. Nuk asht e vërtetë që të kemi aktivizue intelektual, as të kemi ba mbledhje në shtëpi të ndryshme. Kam luejt poker tek Riza Dani, Ragip Meta e Xheudet Luloçi dhe në tjetër vend nuk kam shkue.
Nuk kam shtrue biseda as për organizatë, as për komitete e as nën/komitete. Me Klerin nuk kam mardhanje politike, por biseda në Tiranë kam pasë me Padër Viktorin edhe këtu me Padër Gjon Shllakun, ku ka kenë edhe Kol Prela, në atë mbledhje që i thoni ju, por ajo nuk asht kenë mbledhje, por kemi bisedue për probleme politike të mbrendshme dhe të jashtme, gjendjen e randë e kemi pranue, por nuk kemi ba gja ose mendue vepra kundër shtetit. Kol Prelës nuk i kam thanë gja për deputetllëk, dhe nuk kam pasë qëllim për të dërgue përfaqësuesit tonë në Kuvendin Popullor. Ma vonë mendojshe me ikë. Për demokristjanen nuk kam bisedue, as nuk kam dijtë, as nuk kam dijeni, as nuk kam dijtë se ka kanë Padër Gjoni, por si nji parti e krijueme jashta shtetit, e dij se asht ndër shtete tjera, por, as që kam bisedue për té me njeri. Para zhvillimit të Gjyqit Ushtarak kam shkue tek Riza Dani, i kam kërkue të vinte dëshmitar për Ymer Lutfinë, për mënyrën e organizimit nuk kam bisedue. Kur asht këthye nga Tirana i kam thanë që fjalimi i tij ka ba përshtypje, natyrisht, tek na. Mbledhje nuk kemi ba në shtëpi të Muzafer Pipës, në proçes hetimor i kam pranue por, i kam përgënjeshtruar. Me Jup Hoxhën e Xhevat Danin kam bisedue biseda të rastit. Me Jupin kam shkue me lujtë poker, dhe kur kam bisedue me Rizanë nuk asht kenë Jupi.
I pandehuri Xhevat Dani tha: “Më dukët se po”.
I pandehuri Paulin Pali, tha se nuk asht e vërtetë se Rizaja do të bisedonte me Gjergj Kokoshin, apo, me ndonjë njeri në Tiranë. Për Gjergj Kokoshin nuk më ka thanë gja. Në kjoftë se jam i tepërm për shoqninë njerzore, mund të më zhdukni! E dënoj vedin se kam ba gabime, kam pasë edhe të mbeta, kam ba edhe faj. Gabimet, e thashë këtë frazë se ju do të më dënoni. Para se të shkonte Riza Dani në Tiranë, nuk kam bisedue për organizata dhe nuk i kam thanë se do të takoheni me Gjergj Kokoshin. Nuk asht e vërtetë që kam thanë se duhet propagandue me futë frymën tonë në rini. Siç thashë, nuk kam ba asnji mbledhje në shtëpinë e së shoqës Bajram Currit kam kenë, por familja nuk ishte aty. Çilsin e kishte dhandrri i tyne Ragip Meta, ndërsa na kami shkue me lujtë pokër aty.Për sabotimin e votimeve nuk kam marrë asnji masë. Kur u zbulue Organizata “Bashkimi Shqiptar”, e kam marrë vesht vetëm në gjyq. Për mue, Padër Gjoni, nuk ka kenë për Organizatën “Bashkimi Shqiptar”, ajo asht krijue ndër Jezuit, ku janë kenë Padër Dajani e Padër Fausti. Me Riza Danin nuk kam ba asnji mbledhje, dhe organizatë nuk kemi pasë. Me komitete nuk kam marrë pjesë dhe nuk kam kenë ndër to. Me Pushtetin nuk kam kenë dakord, por nuk kam ba asnji aktivitet kundra. Kam shkue shpesh në Tiranë, jam takue me shokë, njiherë me Gjergj Kokoshin e Suat Asllanin kemi bisedue përciprisht dhe ishim dakord dhe të nji mendimi.
Abdyl Kokoshin e kam njoftë në Kosovë, mbas shlirimit jam takue në Shkodër mbasi kishte gruen këtu, por jo, për organizatë klandestine dhe nuk kam ba ndonji mbledhje me té. Nuk dij se kush e ka organizue përpjekjen e 9 shtatorit, dhe me të arratisun nuk kam pasë anji lidhje. Nuk kam krijue grupe klandestine, por kam pasë shpresë tek zbarkimi Anglo- Amerikan, mua më pëlqente dhe nuk i quaja okupator se mendonin për liri politike. Unë kështu mendojshe! Për ikje në Itali, e kishim lanë me u takue rrugës me Hasan Menikun. I shkova në shtëpi dhe lamë takim për të mërkurrën dhe, u nisëm. Për këtë kam kenë lidhë me Lazër Shirokën, të cilin ma ka paraqitë Kol Kaçulini, por nuk ishe i ngarkuem me komitete për të ikë. Barkën e kanë pague të tjerët Aqif Toptani e Hasan Myniku, por unë nuk kam kenë i ngarkuem me mision dhe nuk më kujtohet të kemi lanë gjyq përgjysë. Adem Bazhdari më ka thanë, me kenë si ti kishe me ikë, por jo, se donte me ikë ai. Në breg të detit na kanë kapë, por nuk kam djegë dokumenta dhe as nuk kam hjellë gja poshtë, përveç tre napolonave flori. Kam pasë do letra dhe nji sahat, letrat ishin kangë serbe, këto i dorzova. Unë tham kështu zoti Kryetar, jam ose ma mirë, nuk dij ku jam! S’dij, se çiltas (haptas) tham nji gja: Deri para arrestimit dal si Paulin Pali dhe ndiej vedin fajtor për disa gjana, por për disa jo, dhe nuk e quej vedin fajtor! Unë dal si Paulin Pali para arrestimit, por ma pas (mbrapa), nuk dij gja dhe mos më pyetni! Jam marrë në proçes dhe nuk jam dakord në përgjithësi me té. Unë dua të tham këtë: “Ma mirë të hesht”. Ju kënduan thanjët e hetuesisë dhe i vërtetoi pjesërisht. Ju këndua proçesi i Abdyl Kokoshit dhe e mohoi”.
- Shenim (F.R.): Besoj, asht e kjartë per lexuesit se cila asht arsyeja që Avokat Paulin Pali u pyet i fundit. Në gjyq, Paulini asht “një tjeter” nga Ai i hetuesisë… Mohon të gjitha akuzat ndaj shokëve.
Më 15 janar 1948 u pyetën të pandehurit për herë te fundit:
- PAULIN PALI tha: Më Abdyl Kokoshin nuk kam pasë lidhje, as nuk kam njoftue Komitetin, as kam marrë pare, as nuk i kam dhanë Jup Kazazit. Me Klerin nuk kam pasë lidhje dhe për Kel Çobën nuk dij të jenë kenë në Komitete. Moralisht nuk jam i pastër, karakteri i fortë burrnor më mungon. Përsa i përket faktit të organizatës kundër Pushtetit, pjesrisht e pranoj e pjesrisht jo! Kërkoj mëshirë!
- KOL PRELA tha: I lutem Trupit Gjykues, të mos hjedhë poshtë aktivitetin tim që kam dhanë gjatë Lëvizjes Nacional-Çlirimtare. Si kam ardhë nga mali kam ra në pasivitet, por jo, se kam pasë urrejtje kundër Pushtetit por, disa gabime më kanë shty të baj faj, sëpaku, tue marrë parasyshë në përgjithsi kërkoj mëshirë!
- ABDYL RUSI tha: Në bazë të deklaratave të Syrri Anamalit mund të më dënoni, por ato s’janë të vërteta, e la në dorën tuej. Kam ba gabim se jam i pakënaqun!
- KEL ÇOBA tha: E quej vedin fajtor se në kundërshtim me ligjet e Pushtetit kam strehue në shtëpinë teme kriminelin e Luftës, jo tjetër, por vllaun tem Ejëll Çobën, për këtë pranoj të më jepet dënimi që meritoj.
- Kryetari i Gjykatës Ushtarake të Shkodrës, me datën 16 janar 1948, dha vendimin: PAULIN MARK PALI dhe KOL PREL GJOKA, me vdekje, me pushkatim, dhe konfiskimin e pasurisë së luajtshme dhe të paluajtshme. Të dënuarit kanë të drejtën e apelit në Gjykatën e Naltë”.
- V.O. Për zotnitë Abdyl Rusi dhe Kel Çoba, nuk kam pasë në dorë material tjetër, ndërsa, gjatë procesit të gjyqit nuk kam asnjë pyetje të gjykatësve ose ndërhymje prokurori. (autori). Bashkë me dosje për shqyrtim vendimi nga Gjykata e Naltë asht dërgue edhe fletë-arresti: “Paulin Mark Pali, datlindja 1914, nga Shkodra, avokat. Dobësimi i Mbrojtjes Kombëtare e kryeme vazhdimisht, me nenin 7, paragrafi II, Ligja Nr. 368 dt. 5 dhetor 1946. Prokurori: Hys Zaja, data e lëshimit 15 gusht 1946. Seksioni i Sigurimit Shkodër.”
- Shif me kujdes nënvizimet, në flet-arrest asht vue data e ligjit, që asht aprovue katër muej mbas arrestimit të P. Palit. Vendi i lëshimit, asht Shkodra, arrestimi asht ba në Durrës!…
- Në Durrës, fletë-arresti ka dt. 14 gusht 1946…. në Shkodër, 15 gusht… Pse dy fletë-arreste?
“Gjykata e Naltë mblodhi Këshillin e sajë me datën 23 mars 1948 dhe me vendimin nr.108, E përbërë nga : Kryetar, major Niko Çeta, antarë, kap. I Nexhat Hysejni dhe kap II Mustafa Iljazi, asistent, aspirant Thoma Rino, prokuror ushtarak i Ushtrisë K.Shqiptare, kap. I Nevzat Haznedari, vendosi:Refuzimin e kërkesës së të pandehurve për falje jete, të dënuar nga Gjykata Ushtarake e Shkodrës
- PAULIN PALI 2. KOL PRELA. Mbetët në fuqi edhe shtetizimi i pasurisë”.
- Cili ishte vullneti i tyne i fundit?
- Kur u ekzekutuan?
- Kush i ra mbas kokës?
- …Thonë, se i kanë pa të pushkatuem bashkë me dy të tjerë të panjoftun… Po, ku?…
Kur kunata e Paulinit Roza, zonja e Gasprit kishte marrë rrobat e tij që këthehëshin nga hetuesia mbas pushkatimit, kishte gjetë në vendin e ushkurit të brekëve të gjakosuna një pustull të vogël, ku ai kishte shkrue: “Bani çmos e më bini dishka me hangër, se u fika unit”, pikërisht, kur ajo e shkreta i çonte çdo ditë katër sofratasa me ushqime… të cilët, ngopnin zagarët e Sigurimit, Dulaçin, Elez Mesin, Minirin, tetar Dhimitër Çifligarin, Pjerin Kçirën e Karabecët me shokë. Ishte ajo kohë kur uria dhe etja nuk kishin cak….Tregonte zonja Terezina Pali, se i burgosuni Sami Barbullushi asht detyrue me pi urinën e vet, mbasi kishte dy ditë që nuk i jepnin ujë…
***
- Dihet vetëm se një ditë kur shkoi në qelinë e tij Adem Bazhdari, gjeti të shtrimë përdhe një njeri, pothuej i vdekun, ishte i lamë me gjak, përmbys, ia solli fëtyrën nga drita e shikoi, por nuk e njohti… E pau se merr frymë dhe, e pyeti: “Kush jé ti”?
Ai u përgjegj: – “Jam Paulin Pali”…
- Faik Konica shkruente dikur: “…U përket me lexue brimët e dhimbëshme të të gjithë atyre atdhetarëve që gjimojnë me tërë lotët e Atdheut, që do të derdhin në padrejtësitë e atyre që donë me na pa të koritun e, që dishrojnë që nëpër skam të popullit të vijnë e mbramja”.