Linda Mala: E thëna dhe e pa thëna në librin “Pezhishka e padukshme”
Libri është botuar nga Shtëpia Botuese “Fad”, Prishtinë, 2023
Libri “Pezhishka e padukshme”, i autorit Nexhat Halimit ngërthen në vete një tufë të larmishme të tregimeve, në të cilat ka ngjarje të ndryshme, ka ankthe, ka dhembje, ka dashuri të pa përmbajtur. Duke filluar nga tregimi i parë me të cilën hapet libri dhe tregimi i dytë “Pa titull” për të vazhduar deri në fund të librit, të gjitha tregimet kanë për tematikë njeriun e tokës sonë dhe ballafaqimin e tij me gurin mitik dhe përgjakjet e tij në unazat e ndryshme të jetëmbetjes në këtë hapësirë.
Proza në përgjithësi e autorit njihet për shtjellimin dhe trajtimin e vuajtjeve, në të cilat ka kaluar i përgjakur populli shqiptarë.
Libri nuk ndahet në cikle, por është realizuara me përpikëri duke shtjelluar tema dhe çështje me të cilat preokupohet njeri ynë, njeriu vendas. Tregimet kanë rrjedhë të qartë, dialogë të qartë dhe të forta – të ashpra që është karakteristikë e vetëm këtij autori.
Karakteristika tjetër e këtij autori është se krijimtarinë e tij e filloi me tingëllima, forma klasike të poezisë, që shumë të rralla ndodh tek ne, ja që Nexhat Halimi filloi dhe krijimtarinë e vet letrare, që nga libri i parë lexuesi është njoftuar me stilin e shkrimit të tij, njërin ndër autorët me të shquar të brezit te vetë dhe jo vetëm. Ky lloj i letërsisë ishte i veçantë dhe e ngritin në piedestalin më të lart autorin, i cili tash më tek ne njihet si njëri ndër krijuesit më të mirë dhe më produktiv të të gjitha llojeve të letërsisë.
Tregimi i tretë me radhë është “Djegia e fluturës” që flet në dialog me personazhe, që në këtë rast është një vajzë e cila pretendon se e njeh mirë letërsinë. Ata shtyhen për krijimtarinë letrare e cila krijohet në rrethin e tyre, për autorët e ndryshëm me vlera dhe pa vlera artistike. E gjithë ngjarja zhvillohet në mes të shkrimtarit dhe njohëses së letërsisë-studentes. Tregim ka çaste dhe ngjarje tejet interesante, e realizimi, si nga ana artistike dhe nga tematika është i klasës së parë, siç janë të gjitha tregimet në këtë libër.
Nexhat Halimi ka të botuara deri më tani mbi shtatëdhjetë libra në poezi për fëmijë dhe të rritur, disa romane dhe disa drama për fëmijë dhe të rritur, pra kemi të bëjmë me një autor shumë dimensional. Dihet se një nga parimet e njohura të krijimtarisë së Nexhat Halimit është ai që e quajtën kritikët letrarë, “parimi i ajsbergut”. Fuqia e një ajsbergu, ka shkruar Heminguej, qëndron pikërisht në faktin që vetëm një e teta e tij lundron mbi ujë kurse shtatë të tetat, nën ujë. Edhe forca e një vepre letrare, sipas tij, qëndron pikërisht në gjërat që shkrimtari nuk i thotë shprehimisht po i lë te nënkuptohen. Sipas tij, vepër e madhe letrare është ajo që pjesën më të madhe të saj e le nën ujë”. Pikërisht këtij parimi, më tepër se çdo vepër tjetër e Halimit i përmbahet libri me tregime “Pezhishka e padukshme”, në të cilën duket sikur ka shumë vende bosh dhe shumë gjëra të pathëna gjer në fund që lexuesi mund t’i plotësoj vetë gjatë leximit. Të mos harrojmë se këtë parim e ndjekin edhe veprat e tjera të autorit, që janë mbi shtatëdhjetë, sidomos romanet, “E çara në zotin”, “Vigma e fajkoit”, “Demi i Tërbuar” dhe librat me tregime “Ombrella”, “Vapë”, ”Unë me Unë” për të vazhduar tek librat me poezi “Dega e varur mbi varr”, Udhëtimi në vete”, “Kaq vetëm Fedorë”, etj. Libri ‘Pezhishka e padukshme’ është pikërisht vazhdim i kësaj dore e cila shkroi e latoi vargje deri në maksimum pastaj i nënshkroi. Dhe ishin pikërisht ato vargje që e ngritën lartë autorin edhe vetë edhe veprën duke qenë njëri ndër krijuesit e mirë të letërsisë sonë.
Dorëshkrimi mbyllet me tregimin “Robëria e përhershme”, tregim ky që flet jetën e rënd të njeriut tonë të robëruar e të ndjekur nga thika gjakatare e pushtuesve të ndryshëm.
Libri ka 90 faqe dhe është i shkruar me një stili mjaftë joshës, me emocione të forta.
Një libër i shkruar me shumë përkushtim ku në të secili lexuesi e gjen vetën pothuajse në secilën varg, në secilën faqe, në secilin tregim.
Libri i përmbush të gjitha kriteret e librit të mirë dhe është një pasurim i radhës i letërsisë shqipe te ne. Me secilën fjalë, varg, poezi, secilën shenjë në mbarë krijimtarinë e vet artistike shkrimtari e ka matur një kohë të gjatë mirë e mirë, ia ka dëgjuar ritmin dhe muzikën e brendshme, ia ka dëgjuar secilin tingull dhe vetëm atëherë do ta ketë hedhur në letër, që të bëjë jetë jashtë shpirtit dhe gjakut të tij, të bëhet pjesë e pandarë e lexuesit. Dhe kjo, padyshim, ka bërë që krijimtaria e tij të rrjedh siç rrjedh lumi herë fare i qetë, herë me shkulma dhe gurgullima, deri në bubullimë, deri në vërshim. Ai, vetë është ai lumi, i cili ndonjëherë rrjedh qetë, ndonjëherë shpërthen. Kështu, krijuesi e shpreh botën e vet të brendshme, shqetësimet, dilemat, zhgënjimet. Në këtë sferë të rrethit nëpër të cilin ecën dhe shkruan gjithherë është i pranishëm uji dhe zjarri. Ndërmjet këtu ndonjëherë të shfaqet edhe thatësia si diçka e fshehur.
Në librin “Pezhishka e padukshme” të autorit Nexhat Halimit kemi insertet të ngjarje që mund të themi se janë margaritar të prozës së sotme shqipe të shkruar në Kosovë.
Tregimet e Halimit janë të forta dhe me plot emocione. Ato asnjëherë nuk të lënë vetëm, të shoqërojnë zëshëm; në të gjitha horizontet për ta përfolur dashurin dhe jetën, janë flutura me krahë të shkruar, që fluturojnë mbi kallinjtë e grurit dhe qiellit me plot yje, janë personazhe dhe metafora me plot ngjyra, që të marrin me vete dhe të shpien nëpër buzëqeshjen e mendimit artistik. Tregimet të cilat e përbëjnë këtë libër janë:“Fluturimi mjegullës së njohur, Pezhishka e padukshme / Pa titull / Djegia e fluturës / Udhëtimi në vete / 13-të / Loja në shi / Zoti nuk vdes dhe Robëria e përhershme”
Në tregimin e fundit në këtë dorëshkrim autori shpreh mllefin e jetës:
“-Ike ti prej vetes prapë, apo jo, -më ra kokës një zë.
-Apo ndoshta prapë kthehesh te vetja, ha-ha-ha, – ra zëri tjetër.
-Hajt, gëzuar, gëzuar, – më shikoi i treti, e afroi gotën pranë gotës e qeshi. E cakërroi pastaj gotën ashpër dhe prapë gjatë përplasjes së tyre ra një pikë verë në çarçaf. E shikova sumbullën e verës nga shtrihej çarçafit e mendja më iku ndërmjet brigjesh të mjegullës së dendur të rënë mbi rrjedhën e Drinit të Zi, pikërisht aty ku uji derdhet në liqenin e Ohrit dhe pastaj i njëjti, pa e humbur rrjedhën, del me ushtimë të bubullimës në Strugë… Uji i imgjinuar e muzika që shpërndahej rreth hënës së trilluar në tisin e tymit të shprishur mbi kafene më robëronin udhën, në të cilën ecja i vetmuar. Më digjte copëza e këputur e mendimit; më vinin vetëm pjesë të shkatërruara tërësisht. Në gërmadhat, nën një mjegull pluhuri, shfaqej ndonjë dizgë e tokës së butë, apo copëz tjetër e pathyeshme.”
Në tregimin “Djegia e fluturës” flet për dy krye-personazhet Esa dhe Guri që janë të dashuruar, por për shkak të traditave dhe zakoneve bashkimi i tyre është i pa mundur. Për këto zakone ata fajësojnë pushtuesi e shumtë që na robëruan dhe na lanë zakonet a tyre të na ndjekin edhe sot e kësaj dite.
Ndërsa në tregimin e radhës paraqite në mënyrë brilante rrugën e fundit të një të vdekur deri tek varrezat, pra fletë për njerëzit të cilët gjatë gjithë jetës i konsideruam të denjët dhe dhamë gjithçka për ta, e ata sot në udhën e fundit e shprehin mllefin e tyre ndaj të vdekurit i cili ishte një punëtorë i vyer dhe shikonte vetëm punët e veta.
Vepra e tij është e vlerësuar dhe e pranuar. Çdo varg i tij është zotë në vetën e vet. Krijimtaria e Halimit letërsinë e bën më joshëse dhe më të bukur.
Po e mbylli këtë ese të shkurtër të kohës së poetit. Jam mbytur me pyetje e kurrë asgjë kurrkujt nuk i thashë, sa jemi të ndryshëm aq jemi dhe të njëjtë. Çdo varg i im, thotë poeti, në vetvete ka përjetimin, shëlbimin dhe të pashprehshmen e ashpër.
Nexhat Halimi është përfaqësuar në shumë antologji në poezi dhe prozë, është fitues i shumë shpërblimeve brenda dhe jashtë vendi.