Albspirit

Media/News/Publishing

Reforma u miratua, çfarë ndodh më pas me Kushtetutën?

 

 

Amendamentet Kushtetuese ose siç njihet reforma në drejtësi, kaloi më votë unanime në Parlament, në minutat e para të datës 22 Korrik. Por cilat janë hapat e mëtejshme ligjore për implementimin dhe hyrjen në fuqi, të të ashtuquajturës Kushtetuta e re e Shqipërisë?
Kuvendi i Shqipërisë i kërkon Presidentit të dekretojë ndryshimet kushtetuese të miratuara në seancë.
Kreu i shtetit ka në dispozicion 20 ditë për tu shprehur, dhe në bazë të nenit 177 të Kushtetutës, parashikohet që ai nuk ka të drejtë ta kthejë për rishqyrtim ligjin e miratuar nga Kuvendi për rishikimin e Kushtetutës.
Në këto kushte parashikohet që afati maksimal kur kreu i shtetit të shprehet është data 12 gusht, nëse Kuvendi i drejtohet këtë të premte Presidentit.
Pas botimit në Fletoren Zyrtare, ndryshimet kushtetuese pritet të hyjnë në fuqi në datën 27 gusht.
Hapi tjetër është nisja e procedurave për zgjedhjen e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED), i institucion i ri Kushtetues, brenda 5 ditëve nga hyrja në fuqi. Është Institucioni i Presidentit që organizon procedurën e shortit për zgjedhjen e anëtarëve të këtij Këshilli.
Siç dihet, ky institucion do të përbëhet nga 9 anëtarë të cilët zgjidhen me short, 2  anëtarë nga trupa e Gjykatës Kushtetuese, 1  nga trupa e Gjykatës së Lartë, 1 prokuror nga Prokuroria e Përgjithshme, 2 prokurorë nga trupa e Gjykatave të Apelit, 2  gjyqtarë nga Gjykatat e Apelit dhe 1 gjyqtar përzgjidhet me short nga Gjykatat Administrative.
Në këto kushte në fillim të shtatorit do të jetë zgjedhur trupa  prej 9 anëtarësh e Këshillit të Emërimeve.
Pas ngritjes së këtij Këshilli, do të nisin procedurat për funksionimin e procesit të vettingut. Nëntë anëtarët e KED-së do të zgjidhen pa iu nënshtruar këtij procesi, pasi ende nuk janë përcaktuar strukturat e reja për vettingun dhe as ekspertët ndërkombëtar që do ta monitorojnë atë.
Ky proces pritet të nisë në muajin shtator me nisjen e sesionit të ri parlamentar. Lajmërohet që këtë të hënë do të jetë seanca e fundit e këtij sesioni ku nuk janë përfshirë në rendin e ditës së Kuvendit 7 projektligjet shoqëruese të paketës Kushtetuese të reformës në drejtësi.
Nëse shtatë ligjet të cilat përcaktojnë organizimin dhe funksionimin e institucioneve të reja sipas Kushtetutës së re, nuk miratohen brenda muajit Korrik, ato shtyhen për sesionin e ardhshëm parlamentar, në kushtet kur do ketë hyrë në fuqi Kushtetuta e re.
Votimi i këtyre ligjeve bëhet me shumicë të cilësuar prej 84  votash në Kuvend.
Please follow and like us: