Albert HABAZAJ: DITAR NGA VITI I COVIDIT
Në mbështetje të krijuesve të rinj, Biblioteka Shkencore “Nermin Vlora Falaschi” e Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë dhe Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve “Petro Marko”, Vlorë organizuan përurimin e romanit të shkrimtares shqiptaro-amerikane Esmeralda Zaçe Bregaj “Një vit nga jeta jonë: kurajua, emocionet dhe të vërtetat” në mjediset e Bibliotekës Qendrore të Universitetit. Në këtë aktivitet morën pjesë pegagogë, studentë, shkrimtarë dhe artistë të qytetit të Vlorës; miq dhe të ftuar të autores.
Moderator i veprimtarisë ishte Albert Habazaj, përgjegjës i Bibliotekës Shkencore “Nermin Vlora Falaschi”, të Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë, njëkohësisht kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve “Petro Marko”, Vlorë, i cili mbajti dhe kumtesën kryesore, që po publikojmë bashkëngjitur këtij informacioni: “Ditari i vitit të zi Covid – 19 i një familjeje emigrante nga Vlora në Idaho, SHBA nëpërmjet një romani moral”.
I dhanë një frymë shumë të ngrohtë, dashamirëse dhe të dobishme kuumtimet dhe përshëndetjet në vijim nga Eqerem Canaj, shkrimtar, poet, estet, sekretar iShoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve “Petro Marko”, Vlorë;Laureta Petoshati, shkrimtare, poete, përkthyese, gazetare; Anila Toto, poete, mësuese; Besnik Aliaj, regjisor; Ahmet Demaj, publicist, kryetar i degës së Vlorës për shoqatën “Labëria” – Nderi i Kombit”; Tartar Aliaj, shkrimtar dhe artist i qytetit, Enrieta Sina, poete, prozatore dhe botuese e njohur;Ruzhdi Bajrami, poet, historian, nënkryetar i shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve “Petro Marko”, Vlorë; Agim Ruka, mësues, monografist; 9. Elisabeta Aliaj, mësuese, përkthyese, mikeshë e autores: “Dy fjalë për Aldën”; Çuman Skëndaj, veprimtar, dajo i autores.
Mark Simoni, shkrimtar, kritik letrar, botues i librit, drejtor i shtëpisë botuese “Muzgu” nuk mundi të vinte për arsye shëndetësore.
Shumë emocionuese dhe me mesazhe të edukimit qytetar ishte Fjala e Falënderimeve nga autorja, Esmeralda Zaçe Bregaj (23 vjet larguar nga Shqipëria në mërgimnë Itali dhe SHBA) e cila erdhi në këtë veprimtari të veçantë me të dy vogëlushët e saj, djalin Aleksandër dhe vajzën Iris.
Ditari i vitit të zi Covid – 19 i një familjeje emigrante nga Vlora në Idaho, SHBA nëpërmjet një romani moral
Dy fjalë për romanin “Një vit nga jeta jonë: kurajua, emocionet dhe të vërtetat” i shkrimtares Esmeralda Zaçe BREGAJ
Msc. Albert HABAZAJ
përgjegjës i Bibliotekës shkencore “Nermin Vlora Falaschi”, Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë; kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve “Petro Marko”, Vlorë
Ka Çajupi një shprehje thesar: “Ku është balta më e ëmbël se mjalta?” Në Shqipëri. Në Vlorë. Ne sot presim bijën tonë, kapedanen tonë në shtëpi, në Vlorën e saj, në Vlorën tonë. Esmeralda Zaçe Bregaj vjen me mall të madh nga larg si një Nënë Terezë e vogël vlonjate e amerikanizuar. Mirë se erdhe në shtëpinë tënde, Alda!
Mirënjohje, Mark Simoni, fisnik i vërtetë dhe mik i ndritshëm i autorëve vlonjatë, jo vetëm me “Muzgun” e tij, me “Muzgun” tonë! Mungon për arsye shëndetësore në këtë veprimtari që vetë e deshi në Vlorë.
“Një vit nga jeta jonë: kurajua emocionet dhe të vërtetat”, i cili mund të kishte dhe emrin: “Do t’ja dal!” është libri i parë në shqip i autores Esmeralda Bregaj, botuar nga Shtëpia Botuese “Muzgu”, 2023, i cili vjen pas katër librave të botuara në italisht.
Libri është një panoramë e jetës familjare të një çifti shqiptar emigrant, i familjes Rossi, më saktë i një nëne me dy vogëlushët e saj, që lanë Italinë dhe fluturuan drejt “Tokës së Premtuar” në Idaho, që në SHBA njihet si Shteti i “Gurëve të Çmuar” pikërisht në kryeqytetin e Idahos – Boisenë e bukur juglindore, vendin e minierave të arit, një qytet poetik i rrallë, i veçantë, si njerëzit e tij shpirtbukur.
Ngjarjet zhvillohen në një lagje të shkëlqyer humane të qytetit Boise.
Koha është vetëm një vit, 2020-a, viti i pandemisë, viti i izolimit, vit në të cilin edhe vetë gogoli fshihej se kishte frika se mos dhe atë e rrufiste.
Personazhet janë: familja Rossi: nëna (në fakt është vetë autorja), 2 fëmijët e mrekullueshëm dhe po aq fantazistë e të talentuar: djali Aleksandër 8 vjeç dhe vajza Iris 6 vjeçe; babai (në fakt imazhi i tij, sepse ai shfaqet si meteor hyjnor, ngaqë pamëshirshëm e rrëmbeu tumori, megjithë sakrificat epike të nënës, sidomos të tijat. Ishin kuartet, janë tashmë trinia e bekuar nga fryma e dashurisë hyjnore.
Ky libër është një ese përshkruese interesante, një hartim i gjatë shkruar në relievin e realitetit, një rrëfim mallëngjyese si prozë poetike. Ky libër është një roman morali, i moralit të lartë familjar, që na paraqitet në formën e një ditari të përmuajshëm, ku çdo muaj me ngjarjet e tij realo-artistike përfshihet në një kapitull më vete.
Kreu i parë: Janar 2020 na njeh me jetën familjare të nënës dhe dy fëmijëve. Kur bota u mbyll në kafaz, se u trondit në ndjenja, në mendime, në veprime, nëna gjente forca e qeshte dhe lozte, dhe bëhej fëmijë si fëmijët, ishte dhe grua dhe burrë. Ajo i mbushte me frymëzim gëzimi fëmijët, sepse ata nuk i kuptonte dot pa buzëqeshje në buzë, në fytyrë, në shpirt. Fshihet frika bukur… Këtë e thotë dhe e bën Alda – nëna poete, Kur di ta mbash prozën roman morali në udhë të mbarë letrare, siç ndodh me E. Bregaj, je një misionare e denjë e letërsisë, përndryshe bie në llagëmet e rrezikshme të një romani moralizues.
Fatmirësisht, vërej se autorja përdor një gjuhë sa të natyrshme, aq të zgjedhur, shumë fjalë dhe shprehje të saj mbahen mend se janë të urta, të bukura, kuptimplotë dhe simbolike.
Kush ka qenë emigrant, e kupton më mirë këtë rrëfim të gjatë e mbresëlënës, të tjera ndjesi përfton dhe gjendjet e zhvillimet muaj pas muaji i përjeton po as sa familja Rossi në këtë roman.
Kreu II, Shkurt 2020 na njeh me gjeografinë e vogël të pandemisë së Covidit, deri në imtësi, shkruar me vërtetësi dhe gjuhë drithëruese, siç është edhe “lufta” për letrën higjenike me zonjën plakë. Një nënë luftarake e pamposhtur, gardiane e betuar e 2 ëngjëjve të vegjël, një nënë amazonë, një shqiponjë në trajtë njeriu, marathonomakja e jetës bën gjithçka, edhe ato gjëra që s’i rrok mendja njerëzore, vetëm e vetëm që Aleksandri dhe Irisi të jetonin një jetë të këndshme fëminore. Në sajë të asaj heroine të familjes së vogël, ata dy jetonin në botën e tyre të bukur, plot ëndrra të kaltra nga më fantastiket, jetonin një natyrë të qetë dhe çdo gjë e merrnin lehtë dhe e prisnin mirë. Asnjëherë nga dita e të treve apo dhe netët pa gjumë nuk shkëputet babai. Ai është me ta, falë artit të shkëlqyer të komunikimit të nënës me fëmijët e saj. Duke lexuar, faqe pas faqeje, në mendjen tonë heqim paralele me situata strukturore si te filmi “I teti në bronz”, por sigurisht në një tjetër trajtë, kohë, vend, subjekt.
Ndoshta dhe për shkak të panikut që përhapnin mediat sociale të frymëzuar a infektuar nga bosët e dollarit, jenit a euros, pandemia i shpërfytyroi njerëzit, i çnjerëzoi keq. Kujtojmë nga teksti skenën e “luftës” me zonjën plakë, që mendojmë, se e kishte lënë Covidi me pasoja, që dogji fare pa motiv kartën e mirësjelljes.
Kreu III, Mars 2020 na paraqet botën e madhe të dy fëmijëve të vegjël. Dy heronjtë e vegjël të një bote frikshmërisht të çmendur bëjnë veprime të sakta, ato që përcaktonte Protokolli i Shëndetsisë me pikat përkatëse kundër armikut të padukshëm, por më të flamosurit armik se çdo mizor tjetër. Ata kryenin me përpikmëri detyrat që u jepte nëna dhe veprimet e tyre ishin më të pjekura se ato të të rriturve. Në këtë kre ravijëzohet shenjtëria e familjes dhe sakrificat që duhen për ta ruajtur këtë lartësi.
Vjen si një kujtesë historike në rrjedhat e kohës shprehja e vjetër: “Në luftë arma është nder e prestigj, po aq dhe kushtrimi në Covid: “Dashuri dhe kurajo për të jetuar si njerëz. Në luftë kemi njerëz trima, në gjëmën e re njerëz hije.
Në këtë kre vjen bukur bota e epikës fëminore, heroika e aventurave të tyre, që di t’i japë aq natyrshëm vetëm një autore e përkushtuar që është nënë e devotshme.
Shohim dhe bulëza donkishoteske, sidomos te skena me pica.
Herë pas here, rrëfimi/ narracioni na shëmbëllen në variantin shqiptar të filmit “La bella e vita, skenat e Roberto Benjinit me të birin, por rrëfimi i Bregajt është i tëri origjinal, i jetuar, me dramat, gëzimet, synimet e larta të nënës.
Kreu IV, Prill 2020 – na shfaqet prilli i makthit, sfidës, po aq dhe i diellit të ngrohtë të jetës. Luftë titanike bën nëna me sëmundjen e 2 vogëlushëve. Dhe atje prilli është ende dimër.
Duhet të them se taktikisht, autorja ka ditur që të gjeni një shteg nga ku romani i saj të shkojë tek lexuesi i njomë, tek vogëlushët e sotëm: futjen në tekstin shqip të fjalëve, fjalive dhe frazave anglisht, sidomos bisedat, dialogët, urimet që bëhen midis nënës, Aleksandrit dhe Irisit në gjuhën e botës – anglisht, të cilën pothuaj gjithë fëmijët e globit , domosdoshmërisht edhe fëmijët e shqiptarëve e flasin rrjedhshëm, qysh 3 vjeç a më herët. Po ashtu vizatimet e 2 artistëve të vegjël, imazhet e pamjet magjike të qytetit të dashur ku banojnë. Semantika e leksikut të përdorur nga autorja është plot ngjyra artistike, estetike, edukative e morale të larta.
Siç u shpreha më sipër, Bregaj përdor e thur në tekst pa sforco epitete metaforikë, krahasime, similituda, qëndis fjalë të urta, aforizma të bukura, tërheqëse e të dobishme si: “Mund t’u hedhësh ujë luleve që të mos thahen, por nëse dielli nuk u ngroh është e kotë t’i ujisje” etj. Meqë kritiku i njohur Mark Simoni në parathënien e librit u ka kushtuar goxha vend, që të mos përsërisim njëri – tjetrin, unë nuk po i përmend, duke falënderuar Markun.
Shpesh herë në roman shikoj poeten e befasishme, ndaj po shprehem se sikur ta sitësh këtë tekst poetikisht, del një vëllim poetik simpatik.
Ç’magji ka peneli shkrimor i autores Bregaj në gdhendjen e personazheve. Ajo i vizaton portretet si një piktore e vërtetë, me ngjyra të bukura, të ndezura, optimiste. Kujtojmë Helenën, Remon, Thomasin etj.
Jo thjesht si mesazhe humane, por si gurë të çmuar altruist na duken fjalët që Remo i thotë Aleksandrit ende të vogël, të burrëruar para kohe.
Covidi që vrau sa e sa ëndrra në botë, nuk mundi të mposhtte kalanë e fortë të familjes Rossi. Edhe lexuesi e përjeton rrëfimin me të priturat dhe të papriturat , me gëzimet dhe hidhërimet, me dhembjet dhe lumturitë. Të paktën unë kam gëzuar, kam qeshur, por ndërkohë edhe kam qarë kur Irisi digjej në shtrat, kur Aleksandri s’ndihej mirë, kur ndihma ishte arratisur nga ky glob…Oh, sa vështirë ishte të kërkoje ndihmë!
Këtu në Vlorë, në festën e librit të Aldës ka ardhur dhe nëna me motrën të festojnë me dashuri e ta mbështetësin Aldën, shkrimtaren e tyre të talentuar. Ndjenja e dashurisë për motrën e madhe jepet me gjithë fuqinë e talentit shpirtëror. E quan zonja e hekurt, e bukur si vjeshta, e shkujdesur si gjethet. Marrëdhënia aq e ngrohtë e atyre të trijave është forcë dhe frymë. Autorja e shkruan me shkronja të mëdha, me dashuri pa kufi.
Pikërisht kreu V, Maj 2020 na njeh me trekëndëshin dybrinjishëm të veçantë, ku dy motrat janë brinjët e barabarta dhe nëna e tyre – baza, Mëma Mbretëreshë, flori e kaluar floririt, ashtu siç dhe ka emrin Flora. Jeta rrjedh si në film. Atje pranvera fillon në maj. Peizazhi i majit vjen si prelud pranvere, që na kujton këngën e Loretta Goccit : “Che fretta c’era, maledetta primavera, che fretta c’era= Pse duhej nxituar pranverë e mallkuar, pse duhej nxituar?!”
Maji 2020 parqet edhe simfoninë e dashurisë për jetën të nënës me dy strategët e saj të vegjël: Irisin – artistja e ëmbël e familjes dhe Aleksandri arkitekti me projekte të guximshme.
Kreu VI, Qershor 2020 trajton ngjarjet e bukura, nga ku veçoj imagjinatën e Irisit, që edhe matematikën e bën artistike; organizimin spektakolar të festës së diplomimit parashkollor të zonjushës Iris; njëkohësisht të datëlindjes së saj dhe i diplomimit të Nderit të Aleksandrit, por ndërkohë edhe si festë e jetës, paqes, harmonisë dhe dashurisë.
Në qershor u bë festa e fitores së fëmijëve fitimtarë të qeshur që fituan luftën kundër Covidit finok e fare të fëlliqur.
Fëmijët dinë t’i thonë: “Prapa diellit!” Covidit, dhe të festojnë siç dinë ata, duke qenë rreptësisht korrekt, si të ishin luftëtarë të heshtur, gjithsesi pa dalë nga bota e tyre. Dhe feston jo vetëm klasa, por gjithë shkolla. Na ngelet në mendje dëshira e Irisit që e do mamin e saj shqiponjë e gjakftohtë si Xhorxh Uashingtoni – komandanti i përgjithshëm i Ushtrisë Kontinentale gjatë luftës Revolucionare Amerikane, që më 1789-1797 u bë president i parë i SHBA. Irisi kishte mësuar në shkollë, se pavarësisht disfatave të pësuara, ai tregoi gjakftohtësi dhe aftësi të jashtëzakonshme koordinuese, duke mos shfaqur asnjë shenjë nervozizmi edhe kur gjatë betejës u vranë të tre kuajt mbi të cilët kalëronte. Ai nuk u dorëzua ndonjëherë dhe Irisi e vogël donte që mami i saj të mos dorëzohej, një logjikë pak si e çuditshme për një 6-vjeçare.
Jo vetëm në këtë kre, por në gjithë librin ne mësojmë mbi edukimin në SHBA dhe ndoshta ky tekst mund të shfrytëzohet si një libër plotësues edukimi në arsimin parashkollor
Kreu VII, Korrik 2020. Mbarë bota e di që 4 korriku është festa kombëtare e SHBA. Sidomos për 2 bukuroshët e familjes Rossi, për gjithë fëmijët e lagjes më të edukuar në Idaho, 4 korriku është më i miri i të gjitha kohërave, kur fëmijët gëzojnë e festojnë duke mbushur qiellin amerikan me fishekzjarret më të bukura të botës. Ata e dinë që më 4 korrik 1776 u miratua Deklarata e Pavarësisë, nëpërmjet së cilës 13 kolonitë u shkëputën nga Mbretëria e Britanisë së Madhe, që ishte në atë kohë nën sundimin e Gjergjit III.
Në lagje u rikthye buzëqeshja, edukata dhe shëndeti mendor, bashkëjetesa civile.
Në familje krenaria ishte përgjegjësi, ëndrrat e vogëlushëve fluturonin me zogjtë. Ato ishin motori i pafikur i nënës për ta, bekimi shpirtit të babës.
Irisi vazhdon me logjikën befasuese aq të bukur sidomos në bisedat me mamin e saj.
Ç’ gjetje fëmijësh aspak fëminore. Mendje vetëm.
Në familjen Rossi kemi një përhumbje në kujtime të ëmbla të dashurisë besnike. Nëse në botë Covidi bëri njerëz prej akulli, 4 korriku në Boisenë juglindore bëri njerëz prej dielli.
Siç vërejmë, romani është i lehtë në të lexuar nga të gjitha grupmoshat, edhe nga fëmijët, të cilët mund ta shfrytëzojnë edhe si tekst mësimor për lëndët e historisë dhe gjeografisë. Pse jo, ky tekst mund të shfrytëzohet edhe për të bërë një skenar filmi për fëmijë.
Kreu VIII, Gusht 2020. Në Amerikë shkollat çelen në gusht, ndryshe nga në Shqipëri dhe Europë, që mësimi fillon në shtator.
Gushti i shkollës fillore ç’ emocione dhe krenari fal, sepse është i veçantë për familjen Rossi gushti. Pikërisht më 12 gusht Irisi bëhet e madhe, e pret krahëhapur klasa e parë dhe ajo niset drejt saj me aq dashuri, sepse siç thotë vetë çupa, nga shkolla do të bëhet shkencëtare. Ndërsa Aleksandri… Ehu, ai është bërë burrë tashmë, princi i klasës së tretë dhe do të bëhet doktor, do të vizitojë Japoninë e do të hanë sushi. Më vonë e ndryshon mendimin, do të bëhet arkeolog. Vëreni sa natyrshëm dhe harmonishëm futet autorja në lëkurën e fëmijëve (dhe pa qenë mosha e tyre), njësohet me ta, i përshkruan me mjeshtëri e vërtetësi.
Shkolla ka rregulla të reja, mësimi online dhe i alternuar vazhdon për mrekulli. Maskat sa janë torturë aq domosdoshmëri. Imazhet me babain nuk u shqiten nga kujtesa, ai shpesh herë u vjen si zog e u çon mesazhe. Maskat kanë dhe një dobi tjetër, ato fshehin lotët e nënës në sy të 2 vogëlushëve.
Kreu IX, Shtator 2020. Lajmet e shtatorit janë shpresëdhënëse, sepse bota futet në kërkim të vaksinës çudibërëse. Jemi në fazën e dytë të luftës së heshtur kundër virusit Covid-19. Edhe pse skenografinë e jetës e ka bërë Zoti, siç shkruan autorja, familja Rossi i përballon me stoicizëm skenarët e jetës së egër.
Shtatori është muaji i ngjarjeve të mëdha për vogëlushët dhe nënën e tyre: Aleksandri dhe Iris “dekorohen” nga supermarketi i lagjes…
Fundshtatori është ditëlindja e marinarit të lindur, detarit me zemër, babait të tyre engjëllor, të cilin e përjetësuan me mbjelljen e një peme në tokë publike, që në Idaho arrihet me aq sakrifica e krenari. Engjëlli i tyre mbrojtës është me ta çdo çast, në gjak, në kockë, në frymë. Ai është frymëzimi i tyre, sepse ai i shikon nga yjet, që të tre janë në udhë të mbarë dhe i bekon.
Shtatori është muaji i betimit të shenjtë familjar: Para Zotit jemi të vegjël, por të mëdhenj përpara ndershmërisë.
Faleminderit, Alda për këto mesazhe të larta qytetare, që na jep me kaq thjeshtësi.
Kreu X. Tetor 2020. Tetori ka 3 piketa në udhëtimin familjar: – Së pari, 1 Tetorin e refleksionit të nënës që uron: Gëzuar 1 Tetorin dashuri hyjnore. Vërtet Covidi qe botërisht i mprapsht dhe donte të shkruante epokën e zezë të ligësisë, për të rrëmbyer dhe të miturit, por nuk mund ç’të bënte më tepër në familjen Rossi, falë karakterit luftarak të nënës dhe unitetit familjar.
Së dyti, ditarin e 7 tetorit, ku gjejmë si të thuash CV-në e nënës/ autore, ku nëna nuk është thjesht mësuese, nënë dhe edukatore, se dallgët e jetës e mësuan të bëhej dhe hidraulike, dhe mekanike, dhe elektriciste, dhe financiere, sepse ajo nuk shkruan vetëm poezi e shkruan libra, sepse ajo jo thjesht e do profesionin e marketingut dhe përditshmërisht të kopshtares, porse krahas virtyteve në botën njerëzore, tek nëna spikasin dhe virtytet në botën profesionale. Ajo ishte luanesha modeste, syri, shpresa, besimi, orientimi i dy yjeve të bukur të familjes fisnike.
Së treti, festa e Halloween – it me atë ritual të përpiktë si homazh për shpirtrat e të vdekurve, në kushtet e rrepta të masave kundër Covidit, më 31 tetor, kur gjithë bota s’mundej. Fëmijëve u dukej e habitshme të maskoheshe në një botë të maskuar…
Nuk mund të le pa përmendur besimin te fqinjët që ishte ushqimi më i mirë, më i shëndetshmi në pjatën e qetësisë të Lagjes së Paqes.
Kreu XI. Nëntor 2020. Pas 10 muaj agonie virusiane, çel shpresa e vaksinës së re, që çon jetën në binarët e normales. Dhe kështu nëntori vesh pektun e pozitivitetit jetësor.
Veçse për nënën – motër ato 24 ditët e para të atij nëntori qenë ndoshta më të errëtat ditë, më të frikshme se vetë frika, sepse Covidi për pak i rrëmbeu vëllain.
Nën shi nëntori a lot gëzimi (shiu është flori në Boisenë juglindore), data 26 qe Dita e Falënderimeve me një menu të veçantë, falë kurajës, fatit, Zotit dhe infermierëve – heronjtë të kohës.
Po në këtë kre vërej një cilësi tjetër të autores, që pak personalitete shqiptare e përdorin: autoktoninë. Lexoni faqen 157 ç’sinqeritet i bukur autoironik (kuptohet i padëmshëm)nëpërmjet një krahasimi simpatik (që kur ishte e vogël, si bufe që ishte hante nga pjata e vëllait…)
Kreu XII. Dhjetor 2020 nis me një vjershëz të Aleksandrit për borën (në anglisht dhe shqip). Dhjetori bujar i borës së bukur dhe trime, i plakut prej dëbore nuk ishte dhe aq i bukur, se kishte trishtim brenda, pasi baba mbushte 1 vit në parajsë. Dhjetori qe dhe një hutim e fat, sepse nëna, për mrekulli të fatit, shpëtoi nga një aksident rrugor me makinë. Dhjetori qe imazh drite dhe realitet i përqafimit të çlirimit të lotit. Nëna jetonte për vete dhe për fëmijët sidomos. Një sekondë nuk kishte për të humbur.Një familje, tre jetë, shumë të tjera të lidhura me familjen Rossi, nëna në ballë të udhëtimit familjar, fëmijët, edukata e tyre, devotshmëria, modeli, humori, ëndrrat, mënyra sesi nëna eci në rrugën e saj, si ia doli, si jetoi janë morali i këtij rrëfimi të shkrimtares shqiptaro – amerikane Esmeralda Zaçe Bregaj.
Pasi ke përfunduar së lexuari këtë roman familjar në formë ditari, vetvetiu të vjen ndër mend shprehja e Shën Terezës: “Me dashuri të madhe, mund të bëjmë gjëra të vogla”, që kanë shumë vlerë. Aq më tepër kur kemi kuptuar që personazhi kryesor të romanit është nëna – vetë autorja, luanesha modeste e kësaj familjeje të veçantë me ëndrra të bukura e synime qytetare të larta, model i heroinës së heshtur, i luftëtares së paepur që fëmijëve të saj mos t’u mungonte asgjë, që ata, duke u rritur, të dalloheshin ndër më të shkëlqyerit në klasë dhe në shoqëri.
Autorja Bregaj është personazhi kryesor, vetë nëna në këtë roman autobiografik. Ajo është Shqiponja e tyre, mbretëresha në qiellin e vogël familjar të madh për të sa bota!
Me dëlirësi dua t’i them dhe dy fjalë këshilluese, duke menduar se i bëjmë mirë shëndetit letrar të autores, po aq edhe shëndetit tonë letrar, si shoqëri letrare që jemi.
1 – Ruajtja nga përshkrimi moralizues e gazetaresk apo dhënia e disa personazheve pa veprim.
2 – Në tekst shikojmë se ka personazhe (me emër apo pa emër) janë sporadikë, ikin pa lënë një gjurmë në kujtesën tonë si lexues.
I them këto, se kam besim tek autorja, asaj nuk i mungon talenti, as këmbëngulja shkrimore, përvoja artistike me lexime të zgjedhura dhe botimet vijuese në rritje të nivelit artistik.
Kam besim se në të ardhmen, Bregaj do të ravijëzojë një profil letrar të dinjitetshëm e qytetar.
Mendoj se çdo nënë me siguri e gjen vetveten në një formë apo në një tjetër tek ky libër, i pari në shqip i Aldës. I uroj autores jetë të gjatë, t’ia falë Zoti familjen e saj të shtrenjtë e të shenjtë. Diell – Udha e Dinjitetit, Esmeralda!