Gjelok Marko: Të mos lejojmë të na e vrasin shpirtin!
Bibla na dëshmon se Zoti e çliroi popullin nga skllavëria e Egjiptit; i dha premtime të mrekullueshme, i dha edhe një territor, por populli i Izraelit duhet të luftonte që të merrte zotërimin e këtyre premtimeve. Problemi më i madh ishte se skllavëria u ish futur në shpirt. Po është fakt se kur një popull vuan shumë e për një kohë të gjatë bëhet viktimë, pushtohet nga shpirti i skllavërisë. Kjo është tragjedia më e madh që mund t’i ndodhë një personi, një kombi. Bibla na dëshmon se nga më tepër se 2 000 000 hebrenj që Zoti çliroi nga Egjipti vetëm 2 mundën të futen në Tokën e Premtuar, vetëm 2 vetë arritën të përjetojnë gëzimin e fitores. Të gjithë të tjerët vdiqën gjatë rrugës, vdiqën në shkretëtirë. Për këtë temë kemi shkruar më parë te https://alb-spirit.com/2022/07/19/gjelok-marko-shpirti-skllaverise/ Dhe për këtë arsye e quajtëm si një temë të mbyllur deri disa fakte na detyruan ta trajtojmë përsëri. Dje për artikullin tonë https://alb-spirit.com/2023/09/28/perse-mbyllen-syte-per-krimet-e-aleksander-vucicit/ Një shqiptar nga Kosova që tani jeton jashtë na shkruante komentin e mëpshtëm: “I forti i bën rregullat të dobtit duhet t’i zbatojnë. Asgjë e re! Ne shqiptarët… Mua personalisht më pëlqen Kosova se kam lind atje por…”. Në këtë koment nuk ka asnjë revoltim ndaj padrejtësisë, ndaj krimit e kriminelëve, ndaj indiferncës së BE, përkundrazi akuzohen e quhen fajtorë viktimat shqiptarë nga Kosova, tragjikisht nga një bashkëatdhetar i tyre. Ky person nuk është dashakeq përkundrazi mendon se kjo që komenton është logjike dhe sipas parimeve të drejtësisë. Sipas logjikës së tij, logjika e shpirtit të skllavërisë, të metat e shqiptarëve viktima, të cilat padyshim janë reale, janë faj më i madh se krimi, vrasjet masive të serbëve kundër të shqiptarëve të pafajshëm. Të metat e shqiptarëve konsiderohen më të mëdha dhe e revoltojnë këtë shqiptar më tepër se indiferenca ndaj krimeve të Vuçiçit nga ana e Bashkimit Europian dhe Gjykatës së Hagës. Para pak ditësh pamë intervistën e një palo gazetari shqiptar, i cili, i verbuar apo i paguar nuk e dimë, u qante hallin serbëve të veriut Kosovës, të cilët na qenkan shumë të traumatizuar, prandaj duhet me doemos që policia e shtetit të Kosovës të largohet nga Veriu i Kosovës dhe aty duhet të vijë KFOR. Po ky palo-gazetar, i verbuar apo i paguar, nuk tha asnjë fjalë për shqiptarët në Luginën e Preshevës, nuk e mori mundimin të bënte krahasimin midis veprimeve e qëndrimeve të policisë së shtetit legjitim të Kosovës ndaj pakicës serbe në veri dhe qëndrimeve e veprimeve të policisë dhe shtetit serb ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës për të nxjerrë konkluzionin e duhur, për të nxjerrë në dritë se cilët janë të persekutuarit e të traumatizuarit e vërtetë. Kjo është në fakt detyra e tij si gazetar e komentator. Si “pare e kuqe” , një figurë qëndrore që e gjen sot kudo është bërë Baton Haxhiu. Gjatë gjithë karrierrës së tij si gazetar ka qënë avokat i planeve të Vuçiçit. Fakte të pamohueshme: Aleksandër Vuçiç: Ish ministër i propagandës të Sllobodan Millosheviçit, Joseph Goebbels i Millosheviçit dhe SS i idesë së Serbisë së Madhe. Përfaqësues dhe ndjekës së idesë të baballarëve të kombit serb: “Sa më shumë shqiptarë të vrisni e të shpërngulni, aq më të mëdha janë meritat tuaj ndaj atdheut…”. Të gjitha këto Baton Haxhiu i di mirë e megjithatë ai gjithmonë mundohet të bindë opinionin shqiptar se këto plane duhen pranuar. Herë do të na bindë se këto plane janë zgjidhja më e mirë, herë të tjera do të na mbushë mendjen se është rruga e vetme e mundur dhe një e keqe e domozdoshme që duhet ta pranojmë… E keqja më e madhe është se ai ftohet kudo të japë komentet e tij. Pothuaj çdo natë po të hapesh emisionin e fefziut shikon Hazhiun… Askush nuk heton burimet financiare të Batonit, avokatëve të planeve të Vuçiçit. Këtë disa duan të na e shesin si demokraci. Këtyre personave duam t’u kujtojmë ligjet e demokracive të para, demokracisë së Athinës. Sipas këtyre ligjeve oratorët mashtrues dënoheshin me vdekje. Ata detyroheshin të pinin një kupë me helm: “Nga goja juaj ka dalë helm dhe ka mashtruar popullin. Këtë helm po ja u kthejmë përsëri ta pini vetë” u thuhej në ditën e dënimit. Nuk kërkojmë zbatimin e ligjeve të Athinës, por vlerësim publik e të drejtë të fakteve. Nuk duhet krijuar terreni i duhur propaganduesve të rremë. Dhe më në fund do të përmendim kulmin e së keqes, Edvin- Edi Kristaq Rama për të cilin kësaj radhe nuk do të japim asnjë koment. Faktet dihen, të vërtetat janë të njohura. Në shumicën e rasteve njeriu nuk ka mundësi të zgjedhë: përballet me probleme dhe situata të cilat ose duhet t’i përballojë e t’i zgjidhë ose të fundasë dhe të humbasë. Kjo është e vërtetë si për individët ashtu dhe për familjet, kombet. Në vitet 30 të shekullit të kaluar hebrenjtë në Europë i përballën me një problem të madh, Nazizmin. U detyruan të përballen: U detyruan të hapin sytë të shikojnë, të hapin veshët të dëgjojnë, të mësojnë të njohin të vërtetën e të kuptojnë, u detyruan të luftojnë. Ata që luftuan, mbijetuan e fituan, të tjerët… Pasi ardhi Adolf Hitleri në pushtet u armatos dhe krijoi arsenalin më të madh të mundshëm të armatimeve. Pastaj në vringëllimën e armëve, nën kërcëninmin: ose më kënaqni ose ka luftë, filloi t’i parashtronte kërkesat e tija ndaj Europës. Me të njëjtën taktikë po vepron Aleksandër Vuçiçi sot, deri tani i mbështetur në shumicën e rasteve nga Edi Rama. Fatkeqësisht tani Bashkimi Europian po reagon ndaj qëndrimit agresiv të Vuçiçit ashtu si reagoi në vitet 30 të shekullit të kaluar Neville Chamberlain, ish kryeministri i Anglisë. Chamberlain në atë kohë doli me teorinë e së ashtuquajturës ‘Appeasement-Politik’. Kjo politikë kish si parim: Plotësoja kërkesat agresorëve dhe kështu evitohet lufta. Prandaj edhe Chamberlain dhe aleatët e tij nuk iu kundëvunë hapave agresive të Hitlerit, përkundrazi e mbështeti politikisht në bashkimin me Austrinë, etj, nuk reagoi kur u pushtua Çekosllovakia… Të gjitha këto lëshime në vend që ta ngopnin agresorin, përkundrazi i hapën oreksin, i rritën fuqinë dhe e bënë edhe më të rrezikshëm. Të njëjtin gabim po bën edhe BE sot me Vuçiçin. Chamberlain dhe Europa në vitet ’30 të shekullit të kaluar u mashtrua nga retorika politike dhe diplomatike e Nazistëve e orkestruar me mjeshtëri nga Joseph Goebbels, ndërkohë që qëllimet e vërteta të Hitlerit ishin shprehur qartë në librin e tij “Mein Kampf”. E njëjta gjë po ndodh edhe sot. Qëllimet e vërteta të Vuçiçit i gjejmë të shprehura jo në retorikën e tij diplomatike por në teologjinë e Kishës pansllaviste të Sërbisë dhe të Rusisë: “Serbia e madhe, kufiri deri në Adriatik”! Të gjitha retorikat e marrëveshjet politike të Vuçiçit janë instrumenta për realizimin e këtij qëllimi:
-T’i marrim Kosovës veriun, ta lemë pa industri, pa rezerva uji, të varur nga ekonomia dhe mallrat serbe.
-Ta lemë Shqipërinë thjesht një vend turistik, pa industri, një komb kamarierësh, guzhinjerësh e hotelxhinjsh, të mësuar të jenë shërbëtorë të të tjerëve, kështu nuk do të na kundërvihen kur ti pushtojmë hap pas hapi… etj… Sot na flitet në Shqipëri vetëm për zhvillimin e turizmit. As që ekzistojnë plane për ndërtimin e industrisë. Dihet që edhe në SHBA vendet më të varfëra, atje ku lulëzon më tepër krimi janë ato zona ku të ardhurat janë të varura nga turizmi. Përse po ndodh kështu në Shqipëri ? Rastësi apo plan bashkëpunimi Rama -Vuçiç? Pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore hebrenjtë ishin në një gjendje të mjerueshme. Vetëm tani pas kaq viktimave shtetet të cilat para fillimit të Luftës u kishin mbyllur dyert, duke i hapur kështu rrugën Hitlerit t’i çonte në dhomat e gazit, tani deshin të tregoheshin të hapur dhe bujarë. Po hebrenjtë kishin mësuar në Kampet e Përqëndimit Naziste një të vërtetë të madhe:
Hapi i parë i lirisë: Të çlirohesh nga shpirti i skllavërisë, nga mëndësia e viktimës, nga mbështetja te mëshira e të tjerëve.
Hapi i dytë: Ndërto shtetin tënd, krijo ushtrinë tënde kombëtare! Kështu ata që u liruan nga Kampet e Përqëndrimit në vend që të shkonin si azilantë e të merrnin ndihma sociale, u bënë luftëtarë, morën pushkët, ndërtuan shtetin e tyre. Edhe sot ka njerëz që i urrejnë hebrenjtë. Kryesisht i urrejnë për arsye shpirtërore dhe teologjike. Por, edhe ata që i urrejnë janë të detyruar t’i respektojnë. Askush nuk mund t’i marrë sot si dikur: të rreshtuar dhe t’i çojë në dhomat e gazit, pastaj me eshtrat e tyre të ndërtojë një biznes sapuni. Sot ata kanë ushtrinë e tyre. Në betimin ushtarak, të gjithë vajza e djem, burra e gra rezerviste betohen: Kurrë më! Edhe ne shqiptarët duhet të betohemi: Kurrë më skllevër! Kurrë më si në kohën kur na shpërngulte e vriste Millosheviçi e Vuçiçi! Hapi i parë është të çlirohemi nga shpirit i skllavërisë, të mos e shohim vetveten si viktima e azilantë, po si zotë shtëpie në Europë. Historikisht këtu jemi autoktonë, madje të parët. Të mos pranojmë të na shkelin mbi varret. Kur një kryeministër si Edi Rama pranon të shkelë mbi varret e gjakun e pafajshëm thjesht për hir të miqësisë së tij me Joseph Goebbelsin e Millosheviçit, për hir të muzikës së çetnikëve të Bregoviçit, si mund t’i besojmë vizionit e planit të tij për fëmijët tanë, për të ardhmen e kombit?! Shteti i Izraelit na ka dhënë një model të qartë. Le të mësojmë prej tyre. Le të krijojmë ushtrinë tonë dhe të betohemi: “Kurrë më”! Le ta konsiderojmë veten që sot si ushtarë. Le të luftojmë sa e si të mundemi duke u betuar: “Kurrë më”! Aleancat janë të dobishme, të domosdoshme po në fund të fundit, po nuk qe i zoti i vetes, po nuk ndërtove shtetin, industrinë dhe ushtërinë tënde, edhe aleati të shet. Izraeli, shembulli i tij na tregon se si duhet sjellë edhe me aleatët: dinjitoz jo skllav. Skllavi mbetet skllav, të gjithë e përbuzin dhe e shesin, edhe aleatët më të afërt.