Albspirit

Media/News/Publishing

Prova e vështirë e Kosovës

Prof. Ass.Dr. Rita Loloçi

Këtë 24 shtator, shteti më i ri i Europës, pra Kosova kaloi një provë të vështirë: një grup i armatosur, strehuar forcërisht në mesnatë në një manastir serb rrezikoi seriozisht integritetin dhe territorin e saj dhe ishte i gatshëm për të kryer një masakër mbi popullsinë e atjeshme dhe forcat e ruajtjes së rendit.

Natyrisht kjo nuk ndodhi nga kundërveprimi i menjëhershëm i policisë që përgatiti një operacion model ndërhyrjeje, të ngjashëm me ato në vendet më të zhvilluara perëndimore. Dokumentimi i arsenalit të madh të armëve sa për një batalion, zbulimi dhe fotografimi i trupave profesioniste që synonin sulmin terrorist bëri të mundur që gjithkush të shikonte panoramën e gjithë ndërhyrjes në veri të Kosovës.

Për fat të keq në këtë përballje të armatosur humbi jetën një pjestar i policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, por menaxhimi me profesionalizëm të lartë nga uniformat blu i këtij konflikti shmangu pasoja edhe më të tmerrshme, humbjet e jetëve të tjera.

Ngjarja u dënua forcërisht nga të gjitha kancelaritë botërore, përjashto vendet që janë në aleancë më shtetin në Beograd. Ambasadori amerikan në Prishtinë e cilësoi akt terrorist dhe kërkoi që personat e implikuar të viheshin para përgjegjësisë, të njëjtin qëndrim mbajtën edhe kryeministrat Kurti e Rama.

Qëndrim disi dyzues erdhi nga ndërmjetësuesit Borell dhe Lajçak që, edhe pas kësaj ngjarje të rëndë që mund të destabilizonte edhe një shtet të fuqishëm, kërkonin uljen në dialog, çka pati zemërim dhe kundërpërgjigje nga shumë diplomaci perëndimore.

Por grupi terrorist nuk është rast i veçuar për ndërhyrje në një shtet të pavarur. Serbia me presidentin Vuçiç nga njëra anë vazhdonte dialogun me kryeministrin Kurti dhe nga ana tjetër grumbullonte forca të shumta ushtarake dhe policore në kufi me Kosovën.

Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare John Kirby tha se SHBA po vëzhgon një grumbullim të madh ushtarak të Serbisë përgjatë kufirit me Kosovën, që përfshin artileri të avancuar, tanke dhe njësi ushtarake të mekanizuara, të cilin ai e quajti “të pashembullt”.

Ai tha se ky është një zhvillim shumë destabilizues, që ka ndodhur gjatë javës së fundit duke i bërë thirrje Serbisë të tërheqë forcat nga kufiri, që të kontribuojë në uljen e tensioneve dhe vëmendjes.

Shqetësimet e ngritura ishin pjesë e bisedës telefonike të këshilltarit të SHBA për Sigurinë Kombëtare Sullivan me kryeministrin Kurti dhe Sekretarit amerikan të Shtetit Blinken me Presidentin Vuçiç, me të cilin diskutoi “rëndësinë e marrjes së masave të menjëhershme për të ulur tensionet me Kosovën pas dhunës së 24 shtatorit”.

Ndryshe nga herë të tjera që klasa politike i përdor këto ngjarje për hesape politike, pozita dhe opozita në Prishtinën zyrtare mbajnë një qëndrim dinjitoz: kërkuan hetim ndërkombëtar për ngjarjen, sanksionim të Serbisë dhe vënien para përgjegjësisë të frymëzuesve dhe realizuesve të këtij akti brutal terrorist.

Megjithëse ende nuk ka të dhëna të plota që pjestarë të forcave policore dhe ushtarake serbe të kenë marrë pjesë në këtë ngjarje terroriste, fakti që brenda tyre kishte funksionarë politikë të Listës Serbe, truproje të ministrit Vulin, armatim ushtarak etj bëjnë përgjegjës strukturat shtetërore të presidentit Vuçiç.

Madje qëndrimi i presidentit serb duke shpallur ditë zie për terroristë të vrarë dhe duke u justifikuar për mospjesmarrje të shtetit serb e nxorri atë zbuluar tek ato kancelari që besonin ende se Serbia do të dilte më në fund nga aleanca e kahershme ruse dhe nga ajo e mëvonshme kineze.

Brenda kësaj jave, për shkak të ngjarjes së rëndë, Kosova u rikthye në qendër të shtypit botëror dhe të diplomacisë perëndimore, çka duhet të shërbejë për zgjedhje më të matura dhe në dobi të saj. Propozimi i saj për sanksione të menjehershme, ardhur nga vendimi unanim në pushtetin legjislativ, ka marrë përkrahjen e shumë shteteve europiane, mes të cilave Holanda, Belgjika, Finlanda, Letonia, Lituania, Luksemburgu, Republika Çeke dhe Polonia.

Formati i dialogut me dyshen Borell-Lajçak, jo thjesht e vetëm se ata vijnë si përfaqësues nga dy vende që nuk e njohin shtetin e Kosovës, por për mosefikasitetin e dritanishëm duhet të zëvendësohet me një format tjetër, atë të përfshirjes së drejtpërdrejt të Sekretarit të Shtetit Blinken dhe të tri shteteve me peshë që kanë kontribuar për lirinë në Kosovë, pra të Gjermanisë, Francës dhe Britanisë së Madhe.

Po ashtu një përpjekje më e madhe diplomatike nga Tirana dhe Prishtina zyrtare për njohjen e Kosovës nga katër vende që janë anëtare të NATO-s do t’i forconte më shumë pozitat e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

S’ka asnjë dyshim se kur ndodh diçka e rëndë në Kosovë, reagimi i parë do të jetë nga Shqipëria, por përtej kësaj edhe disa indicativa të tjera mund të ndihmonin në sigurinë e përbashkët të dy shteteve. Si shtet anëtar i NATO-s, Shqipëria ka të drejtë që të dërgojë trupa shtesë në Kosovë në cdo kohë që vjen kjo kërkesë si edhe në rastin e tanishëm.

Rezoluta 1244 e ndalon Kosovën të përdor forcë ushtarake në veri të vendit, prandaj del e domosdoshme ngritja e një fondi të përbashkët të mbrojtjes mes dy shteteve, gjë që ndodh edhe nga shtete të tjera të Aleancës së Atlantikut Verior, që do të kontrubonte në përballimin e sfidave që vijnë nga shtete jodashamirëse apo agresore ndaj tyre.

https://gazetadielli.com/prova-e-veshtire-e-kosoves/

Please follow and like us: