Albspirit

Media/News/Publishing

Dr. Vlora Obertinca: Thyerja e tabuve në një kulturë tradicionale 

“Thyerja e tabuve në një kulturë tradicionale shekullore, sjellë shpresë për normalizimin e raporteve ndër njerëzore dhe shoqërore“, Dr. Vlora Obertinca.
Kalimi prej shekullit 20 në atë 21 ka sjellë me vete revolucione teknologjike, por edhe revolucione në raporte ndër familiare dhe ndër njerëzore.
Gjatë këtij urëkalimi apo tranzicioni shekullor, janë thyer edhe shumë ëndrra të të rinjve dhe të rejave asokohe por, fatëkeqësisht ky tranzicion po vazhdon ende.
Përderisa, në shtëpi predikohet morali, bujaria dhe fisnikëria, jashtë këtyre mureve të rinjtë ndeshen me një botë të ashpër dhe kontradiktore nga ajo që kanë mësuar në gjirin familjar. E dhimbshme kjo sepse në fund të ditës si pasojë e ndeshjes së standardeve të dyfishta të edukatës, lëndohet një familje e tërë por edhe një pjesë e konsiderueshme e shoqërisë.
Predikimet si “duhet të jesh më i miri dhe më i suksesshmi, duhet ta gjesh vetëm një partner të jetës, duhet të jesh baba apo nënë perfekte për të pasur fëmija shembull të mirë, duhesh të jesh i ndershëm dhe i moralshëm, nuk duhet ta konsumosh duhanin apo alkoholin, nuk duhet bërë tradhti në martesë, nuk duhet bërë fëmijët jashtë martese, mos u martoni me të huaj”, etj, etj…
Kushtëzime mbi kushtëzime, presione mbi presione, pritshmëri mbi pritshmëri… e tërë kjo një vorbull e një edukate dhe kulture fanatike tradicionale, e cila ndeshet me një realitet tërësisht të kundërt për kohën në të cilën po jetojmë.
Të dashurit e mi, hapuni me njëri-tjetrin, sepse të gjitha këto janë ngjarje njerëzore sepse, jemi njerëz që kemi përvoja dhe sprova të ndryshme në jetë. Këto janē leksione që i ka jeta dhe duhet mësuar. Hapuni me njëri-tjetrin dhe rrëfehuni sepse kur hapeni dhe rrëfeheni, i hapni rrugë edhe tjetrit të nxjerr jashtë helmin që e ka pllakosur ndoshta tërë jetën. E kështu i mësojmë leksionet e jetës duke e shëruar njëri-tjetrin, e me to ngadalë tërë shoqërinë.
Sheh rrushi rrushin e piqet!
Please follow and like us: