Shefqet Meko: “TURBULENCAT” E GARDIANIT TË LIGJIT
-Pakëz mendime për romanin e Ahmet Prençit “Brenga e Prokurorit”-
Kur njeriu u ndesh së pari me ligjin? A ishte instikti kriminal që “zgjoi” mençurinë njerëzore, për të krijuar ligje, apo guximi për tu ndeshur me të keqen? Fiton e mira apo e keqja, guximi apo frika, e drejta apo gënjeshtra, iluzioni apo realiteti, i pasuri apo i varfëri? Çdo brez ka sfidat e veta, por brezat e dy shekujve në Shqipëri kurrë nuk kanë qënë në mëdyshjen alarmante: Ne apo ata? E mira apo e keqja? Jeta apo vdekja? Djersa apo “zarfat”?!…
Heroi i romanit “Brenga e Prokurorit” është pergjigjia: Martin Guri “skalitur” mrekullisht nga pena krijuese e Ahmet Prençit , do t’ju shokojë. Njeriu që ka jetuar “dy kohët” vjen me këtë roman “rreze mëngjezi” që ngjall shpresë, optimizëm duke varrosur fatalistët shqiptarë. “Shqipërinë e bën dhe do ta bëjë drejtësia dhe ndershmëria”- ky është lajtmotivi i këtij romani bukurshkruar. Martin Guri, prokurori që i është betuar kushtetutës dhe ligjit është “Promete” i së drejtës shqiptare. Nuk friket,nuk tutet, beson faktet, të vërtetat, provat e dokumentuara, duke himnizuar jetën dhe të mirën. Me urtësinë e vet krijuese, talenti i Prençit ngjall shpresë,debat dhe pyetjen e madhe: A do na mundë e keqja kriminale? A është liria një zhgënjim apo shpresë që nuk vdes? Tek figura e kompletuar e një Prokurori Shqiptar nga Prençi, do gjeni të gjitha përgjigjet dhe po aq debatet pa fund dhe po aq befasuese. Mendoj, pra mendimi im është se Ahmet Prençi me “…Prokurorin” sjell një “Natë me diell” në kontrast me “Natën me hënë” të shekullit që shkoi. (Mos më thoni e teprova. Është mendimi im).
Ju nuk do mundeni të “mbani frymën” deri në faqen e fundit të “…Prokurorit”. Ahmet Prençi ka befasitë e veta krijuese, por risia e tij letrare është “unaza misterioze” që çiftëzon si askush më parë dy romanet e sukseshme të autorit “Anja” dhe “…Prokurori”. Mos lexo “…Prokurorin” nëse nuk je joshur nga “Anja” romani i parë i një poeti të konvertuar në romancier të kësaj dekade. Ahmet Prençi vjen tek lexuesi me një roman që të “le pa gjumë” për një të ardhme më të mirë. Ai si rrallëkush, me këtë punuar ka punuar “si prokuror”, duke qëmtuar fakte, fantazi, përjetime dhe mbi të gjitha duke “peshkuar” mendimet e sugjerimet më të dobishme të miqve shrimtarë që ua besoi “draftin e parë”. Në këtë kuptim shkrimtari Ahmet Prençi nuk është si “çdo kush që shkruan”. Ai filtron fantazinë e vet krijuese dhe si “bletë plot polen” vjen tek lexuesi me seriozitetin e një shkrimtari “të fermentuar”. Ahmet Prençi është mbi të gjitha një Vlerë Njeri, ndaj shumëkush do ta lexojë këtë roman ku ka një “fill moral” për një shoqëri që po e mbyt amoraliteti. “E drejta vjen me koston që duhet ta përballojmë”- kjo është “klithma” e autorit të librit që do bini në dashuri letrare…
Minneapolis, 17 Tetor 2023.