Albspirit

Media/News/Publishing

Rreth librit “Kujtime, mbresa dhe përjetime” të prof. Eshref Ymeri

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

Kujtime që nuk vjetërohen kurrë…

Nga fundi i muajt tetor 2023 u botua libri “Kujtime, mbresa dhe përjetime” të prof. Eshref Ymeri. Autori i bën një analizë të thelluar pse janë të domosdoshme kujtimet, pasi siç ka theksuar shkrimtari dhe poeti skocez, Robert Stivenson, “kujtimet nuk vjetërohen kurrë…”. Në librat me kujtime, autorët nuk rrëfejnë vetëm jetën e vet në vitet e lëna pas, por dhe ngjarje e fenomene të cilat kanë ndodhur në të kaluarën, por që të kanë shoqëruar në jetë rrëfyesin e kujtimeve. Në këtë libër me kujtime mbresa dhe përjetime të ndryshme, të cilat janë të shumëllojshme, autori i paraqet me një dukuri të re, duke i lidhur dhe me situatat, në të cilat po kalon shoqëria shqiptare.

Gjatë leximit të librit ndeshesh me ngjarje të natyrës nostalgjike, me përjetime të këndshme, por dhe torturuese. Kujtimet dhe mbresat e përshkruara në libër kanë nxjerrë në dukje përfytyrimin e autorit për figura dhe për situata nga e kaluara e jetës së tij. Profesori në libër ka sjellë në kujtesë çaste të jetës, të cilat i kanë ngjallur emocione, për arsye se ato përfytyrohen lehtë, duke shkuar deri në hollësi të vogla. Duke u nisur nga një studim i kryer në Universitetin e San Franciskos, autori nxjerr përfundimin se kujtimet dhe e mbresa pasqyrojnë dhe përmbushin kërkesat e njeriut në jetën e tij, në një nivel të kënaqshëm. Më tej autori nëpërmjet kujtimeve, sjell dhe një pasqyrë të vuajtjeve, të përjetimeve në të kaluarën si fatkeqësi të ndryshme të shkaktuar nga dhuna e diktaturës në burgje, në internime dhe në pushkatime. Ndaj kujtimet dhe mbresat pozitive apo negative përcillen përmes emocionesh të cilat kanë lënë gjurmët e tyre.

Autori thekson se personalitete të ndryshme mbajnë qëndrime të ndryshme ndaj kujtimeve dhe mbresave, disa i vlerësojnë negative, disa pozitive. Vlerësime pozitive për to ka dhënë shkrimtari i shquar gjerman Erih Maria Remark, ku shprehet se “kujtimet e mira nuk na lejojnë ta harrojmë njeriun”.

Roli i mësuesit është i shenjtë

Profesori thekson se “kujtimet dhe mbresat e pasqyruara në këtë libër, nuk bien në sy për informacione befasuese”. Por gjatë leximit të librit autori sjell mjaft informacion befasuse dhe të ri. Ai i nis kujtimet e tij me përshtypje të thjeshta nga vitet e shkollës, nga klasa e parë në shkollën fillore në Mesaplik, për të vijuar më pas në Ramicë e deri në përfundimin e gjimnazit “Ali Demi” në Vlorë. Nëpërmjet përshtypjeve të tij u ka bërë një homazh figurave shumë të nderuara të mësuesëve, pra, pas kaq vitesh ai ju ka ngritur një përmendore. Të tillë kanë qenë mësuesit Besim Femi, Petro Llazari, Rahmi Skënderi, Remzi Zahaj, Pëllumb Kikino, Atlie Çiftja, Sabih Baholli, Ndriçim Çeliku, Leonidha Pollo, etj., të gjithë këta në shkollën e Mesaplikut dhe të Ramicës. Më tej ai vijon me mësuesit e gjimnazit “Ali Demi” në Vlorës si Harilla Kuçulli, Anastas Dodi, Vangjel Pici, Kozma Vasili, Milo Duni, Gjon Çiftja, Lili Tirana, Janaq Syko, Jorgji Skrame, Astrit Isaraj, Kudret Velça, Eleonora Kaleshi, Selam Pulaj, Marika Bezhani, Besim Turdiu, Drago Rashoviçi, Rakip Korkuti, Kristaq Suli, Pëllumb Çeli, Harilla Kuçuli, Xhevdet Kofina, Brahim Zejno, Idajet Çoçolli etj.

Dihet se mësuesi është ai, që ju fut në gjak dashurinë për librin, ju nxit vullnetin për dije, dhe e përgatit për të ecuar më përpara e për të ngjitur me sukses shkallët e arsimimit. Ne respektin ndaj figurës së mësuesit, autorit i kanë mbetur të pashlyeshme ato çaste, kur ai, në një mënyrë mjeshtërore, dinte të gjente gjuhën e përbashkët me nxënësit dhe të ngjallte interesimin e tyre me lloj-lloj mënyrash për ndjekjen e mësimit. Nga largësia e kaq viteve që kanë kaluar, tani e kupton shumë më mirë se sa i shenjtë ka qenë roli i mësuesit në edukim, se mësimdhënia është art, se profesioni i mësuesit kërkon shprehi të ngulitura komunikative, kërkon durim, krijimtari dhe energji të përhershme. Në këndvështrimin e kohës dhe në saj të punës së mësuesit në ato vite, figura e mësuesit në jetë është dhe duhet të jetë më e nderuara në jetën e njeriut, fill pas figurës së prindërve, përfundon autori në kujtimet e tij.

Në libër autori, pas kujtimeve dhe mbresave në nderim të mësuesve, vijon me përshtypje nga vizita e parë në Kosovë dhe në Amerikë. Në pjesën më të madhe të kujtimeve dhe mbresave, zënë vend shkrimet që lidhen me realitetin shqiptar, sidomos pas zëvendësimit të sistemit komunist me demokracinë në vitet ’90 të shek. XX. Autori këtu ndalet më gjatë dhe analizon e përjeton fatkeqësinë e rëndë, që si popull dhe si komb, ka nisur nga përçarja, smira, urrejtja dhe xhelozia e shqiptarit ndaj shqiptarit në shekuj. Të gjitha këto janë bërë jatak në truallin dhe kanë zënë vend të përhershëm dhe të përshtatshëm për t’u bërë mercenar, servili në politikë ndaj të huajve, duke arritur dhe në tradhti të interesave kombëtare. Si shembull të urrejtjes për njeri tjetrin e ka përcaktuar mirë poeti Havzi Nela, të cilin diktatura komuniste, në vitin 1988, e ekzekutoi me varje në litar në Kukës: A e dini, shqiptarë, ç’greminë kemi ra?/ Hangrëm njeni-tjetrin, u mbytëm vlla me vlla…/ Hangrëm njeni-tjetrin me kurthe e pabesë,/ Me thase e intriga, shamata rri ndeze.

I largohen varfërisë…

Tradhëtia e disa kryepolitikanëve dhe sot mbetet shkaku kryesor i varfërimit të njerëzve të thjeshtë, të cilët, i largohen varfërisë, të detyruar për të braktisur atdheun e tyre. Duke bërë një analizë të thjeshtë me shifra, autori thekson se “këto janë shifra të frikshme. Janë shifra të tilla, të cilat nuk kanë ndodhur asnjëherë në historinë e kombit tonë. Ju rikujtoj, se pas vdekjes së Skënderbeut, sipas të dhënave historike, u largua më pak se një e treta e popullsisë. Kur themi se nuk ka ndodhur kurrë, kjo do të thotë se nuk ka pasur një largim të tillë as në kohën e pushtimeve, as të epidemive masive, madje as në kohën e barbarëve”.

Ai sjell si shembull profesorit Vedat Kokona, i cili, në librin tij me kujtime “Endur në tisin e kohës”, shkruan se “Sundimi i shqiptarëve mbi shqiptarët ka qenë më i rëndë se sundimi i huaj”. Në këto vite të demokracisë, zhgënjyer nga politika korruptive, më në fund, shqiptarët po votojnë me këmbët e tyre, largohen masivisht nga Atdheu i lashtë për në vendet perëndimore. Por nuk janë vetëm njerëzit e thjeshtë që braktisin vendin, në largimet nga Shqipëria, por janë dhe intelektualë të përgatitur, të cilët, të shpërfillur krejtësisht në vendin e vet, e gjejnë veten menjëherë në vendet e huaja, ku talentet i vlerësojnë lart. Në libër autori përmend rastin e një doktoreshe, ish-studente e talentuar, që i kishte përfunduar studimet me rezultate të larta dhe që zotëronte katër gjuhë të huaja. Punësimin e saj, dhe Fakulteti i Mjekësisë, nuk e mbajti si studente ekselence, por kur i propozuan një vend pune, i kërkuan të paguante… Kjo mjeke me dinjitet të lartë, nuk e shiti veten, aplikoi për punë në Gjermani, ku e pritën dhe e punësuan. Atje krijoi dhe familjen, kur mund ta kishte bërë këtë në Shqipëri. Shembull tjetër paraqet rastin e artisti të shquar, tenor, që ka shkëlqyr në shumë skena të botës, u kthye në atdhe, për t’i shërbyer artit skenik, por pas një viti pësoi një zhgënjim dhe u rikthye andaj nga erdhi duke thënë shprehjen lamtumirë Shqipëri! Shembull tjetër është një qytetare e talentuar shqiptare, që vite më parë ka braktisur vendin me dëshpërim, se nuk gjeti një vend pune, por e gjeti punën për asistent-pedagoge në degën e menaxhimit në Universitetin Gavle në Suedi, duke u shprehur mirë u pafshim Shqipëri. Autori shqetësohet për qëndrimin në përkrahje të Vuçiçit, për copëtimin e territorit të Dardanisë, si edhe qëndrimi deri në vetëposhtërim, ndaj shovinizmit greko-karagjoz, përfaqësuesit e të cilit, duke filluar nga Micotaqisi dhe kryetari i bashkisë së Athinës, vijnë në Himarë, organizojnë mitingje sa herë u do qejfi, ndërkohë që dele-mileti himariot valvit gjithë entusiazëm flamuj grekë. Përfaqësuesit më të lartë të shtetit grek pse të mos vijnë dhe të na poshtërojnë në tokën tonë, pasi piketat i kemi ngulur ne vet si: buste, kisha, varreza dhe kryetar bashkie, përderisa Shqipëria është vend pa zot, përderisa në Himarë, si kryetreva e Labërisë, nuk ka më burra trima, si shekuj më parë Damian Himarioti, deri te Nase Labi dhe Zaho Koka.

Krijim me vlerë në letërsinë shqiptare të kujtimeve…

Autori në libër sjell kujtime për mësuesit, të Kosovës kur e pa, shpreh dertet e një përkthyesi, kujton vjedhjen e votave dhe Amerikën kur e pa për herë të parë, kujton Arbnori, rrëfime të Vito Kapos dhe në gjurmët e letrës së Enver Hoxhës për Kosovën. Thekson traditën antikombëtare në veprimtarinë e Akademisë së Shkencave, kujton ortodoksisë shqiptare që i falet Janullatosit, kujtesë argatëve të kollarisur të Serbisë në Kosovë, si dhe kujton një figurë të nderuar të Mesaplikut, Sali Mustafai, kur kujtojme fjalët e ish-presidentit Moisiu… Më tej vijon me mbresa të përjetuara gjatë përkthimit gojor, nga takimet në Vlorë me katër artistë të penës, enciklopedia e mërisë europiane dhe e përçarjes ndërshqiptare, institucioni i mirënjohjes është nderim ndaj vetvetes, në nderim të Skënderbeut, emocione dhe trishtim, Europa i urren shqiptarët, kur flasim për përkthimin, gjuha shqipe për mua është “Nënë dhe Babë” etj.

Prof. Eshref Ymeri është një peson publik, i njohur për lexuesin shqiptar dhe për kontributin e tij të vijueshëm, në shkrime të detajtuara të kohës, por dhe i afirmuar si një pjesëmarërs aktiv në jetën shqiptare. Duke u afirmuar si një qytetar me bindje të palëkundura, i frymëzuar nga angazhimi për mbrojtjen e interesave kombëtare në të gjithë hapësirën shqiptare, mision që nuk i ndalet. Ky vizion dhe mision ka qenë i parnishëm dhe shprehet në çdo faqe të librit, ku duket qartë shqetësimi i tij i sinqertë për problemet e mëdha të grumbulluara në vite, por sidomos në vitet e fundit, në hallet e përditshme të njerëzve që e rrethojnë. Në të gjitha shkrimet shikohet një adhurim dhe dashuri për vendin, për mësuesit, për historinë, për luftëtarët, por dhe për politikën e për pespektivën e vendit të tij. Autori dëshpërohet kur shikon se si politikanët në vite e kanë varfëruar popullin, ai shikon dhe shqetësohet kur nderohen tradhëtarët, kur nëpërkëmben interesat kombëtare, kur fyen njerëzit e thjeshtë. Një cilësi e autorit është se ai nuk qëndron në sipërfaqe të problemit, por futet në thellësi të gjërave dhe del në përfundime konkrete të çështjeve. Prof. Eshrefi u bën një analizë të thellë problemeve të kohës, duke u fokusuar në fenomene, në politikën çakorduese, duke e bërë objekt të shkrimeve të 60 kujtimeve, mbresave dhe përjetimeve që përbëjnë objektin e librit. Shkrimi i librit paraqet një stil të veçantë të autorit, duke vepruar me gjuhë të përpunuar si studiues, publicist dhe përkthyes. Libri “Kujtime, mbresa dhe përjetime” i prof. Eshref Ymerit paraqet një arritje të shënuar të tij, një krijim të veçantë dhe me vlera në letërsinë e kujtimeve shqiptare, është një kontrbut i çmuar i mbresave dhe i përjetimeve në letërsi.

Please follow and like us: