Sejmen Gjokoli: NJË TELEFONATË DHE NJË TAKIM…
Sa kisha rrufitur kafen e mëngjezit kur zilia e celularit nisi të bjerë.
Hedh sytë dhe ekrani shënonte emrin, Manxhar Binaj.
Kisha kohë pa e parë, madje kur kisha pyetur më patën thënë se prej kur filloi dimri, s’para dilte më nga shtëpia, i druhej të ftohtit.
– Mora vesh se ke botuar një libër për këngëtarët e rapsodët e Labërisë, pres të ma dërgosh – u dëgjua zëri matanë telefonit.
Nga zëri mu duk mirë, sa kaq e hoqa merakun që kisha prej kohës që se kisha parë.
– Pa merak, shoku Manxhar, i thashë, tani që të dëgjova me zërin si kohë më parë të siguroj që shumë shpejt do ta kesh në dorë.
Kujtova kohën kur u bëmë bashkë në Tepelenë, thuajse në të njëjtën kohë, viti 1979 ishte kur unë sa kisha nisur punën si inxhinier në minierën e Memaliajt e ai i pari i partisë të rrethit.
Manxhar Binaj dukej se prej ditës së parë e kuptoi se në rrethin e Tepelenës, Miniera e Qymyrgurit ishte gjithëçka, ajo ishte edhe industria, edhe bujqësia, edhe blegtoria.
Kjo ishte arësyeja që u përqëndrua edhe vetë drejtpërdrejt në sektorët e saj, aty arritëm ta takojmë sa herë e të njihemi nga afër.
Gjashtë vite i kaloi në Tepelenë ndërkohë që po kaq në rrethin fqinj, Gjirokastrër.
Dymbëdhjetë vite mes njerëzve të jugut, dy rretheve të shquara edhe për këngë e trashëgimi shpirtërore, me këngëtarë e rapsodë të shquar.
Në festivalin kombëtar të tetëdhjetë e treshit, me një mozaik këngësh e vallesh nga më të bukurat ndonjëherë, në Gjirokastër do të vinte me Tepelenën, ndërkohë që pesë vite më pas, në tetorin 1988, aty në Kalanë e Gjirokastrës, si zot shtëpie do të priste gjithë Shqipërinë.
Më shtyu kjo ndjesi që “Korifejtë” nuk mund t’ja dërgoja, ndaj vendosa t’ja dhuroj vetë, në shtëpinë e tij, aty te Kali i Trojës.
– Këtu i ke shumë prej tyre, edhe Paron e Golikun, edhe Lefter Çipën e Muhamet Tartarin, edhe Feti Brahimin e Kujtim Micin, edhe Xhevat Avdallin e Dhimitër Varfin, edhe Ermionin e Katinën, Arapin e Leskon e Çeloleske, Arjan Shehun e Nazif Çelën…e plot të tjerë i thashë.
I ndritën sytë, folëm gjatë për këngën e trashëgiminë, për Labërinë të tërë.
Kujtuam kohën e Minierës po edhe vështirësitë për të përballuar presionin e madh të kohës…
Kujtimet nga jeta e tij në shërbim të atdheut i ka hedhë në libra, tani do të lexojë “Korifejtë”, shumë prej të cilëve i ka njohur nga afër si një drejtues me dashuri të madhe për produktin shpirtëror të popullit të tij.
Të Labërisë edhe më shumë.
Manxhar Binaj, ky burrë i nderuar dhe me vyrtyte të larta i krahinës së Kudhës-Gërhotit i cili ka dy – tri vjet që i ka mbushur Nëntëdhjetë…
11 dhjetor 2023.
Please follow and like us: