Albspirit

Media/News/Publishing

Gjelok Marko: Mirësevini zoti Blinken!

Zoti Blinken,

E quajmë një nder tepër të madh vizitën tuaj dhe megjithë zemër ju urojmë mirseardhjen. Megjithatë kemi një shqetësim dhe me respekt të thellë duam t’iu tërheqim vemendjen për një fakt:

Pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore ju, amerikanët priteshit me lule në Francë, Itali, Greqi e kudo që ju kishit ardhur si çlirimtarë. Të gjitha këto vende e popujt e tyre ju ishin mirënjohës për gjakun që kishit derdhur dhe për lirinë që u kishit sjellë. Por fatkeqësisht, me kalimin e viteve ju e dini se gjërat ndryshuan. Sot nuk mund të thuhet se amerikanët, përfaqësuesit politikë të SHBA priten me të njëjtën dashuri e entuziazëm në Itali, Francë, Greqi, etj. etj., ashtu si dikur, përkundrazi antiamerikanizmi është një dukuri mjaft e përhapur, edhe në vendet ku amerikanët ardhën si çlirimtarë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Përse? Siç e dini mirë edhe ju, për këtë çështje ka shumë komente, analiza e mendime të cilat shprehin pikpamje të ndryshme, po pothuaj të gjithë bashkohen në mendimin se pas Luftës politikanët e përfaqësuesit e shtetit amerikan në vendet e sipërpërmendura, të cilët zyrtarisht propagandonin parimet e drejtësisë e së vërtetës, në fakt mbështesnin politikanët më të korruptuar e amoralë të këtyre vendeve. Në qoftë se një politikan vendor me përulësi prej skllavi pranonte çdo tekë të zyrtarëve e politikanëve të llastuar që përfaqësonin SHBA-në këta politikanë mbyllnin sytë madje dhe ndihmonin këta politikanë të korruptuar vendorë të konsolidonin pushtetin politik dhe të vazhdonin vjedhjet e tyre. Kjo bëri që me kalimin e viteve dashuria e mirënjohja të zëvendësohet me zhgënjimin, kundërshtimin e hapur e madje urrejtje e cila sot ka evoluar deri tek mentaliteti i antiamerikanizmit. Ky mentalitet sot shikon jo vetëm me dyshim po edhe me paragjykim, mohim e urrejtje gjithshka e gjithkënd që vjen ose ka lidhje me SHBA-në.

Një zhvillim tepër tragjik. Për këtë arsye në shumë vende europiane bazat ushtarake dhe prania amerikane nuk janë të mirseardhura.

Fatkeqësisht duket se politika amerikane nuk ka mësuar shumë nga kjo përvojë pasi shohim se në Shqipëri po përsëriten të njëjatat gabime. Sot SHBA. në Shqipëri mbështetin pa rezerva kryeministrin Edi Rama. Problemi është se ka jo pak persona dhe shumë argumente që dëshmojnë se kryeministri Edi Rama është një nga politikanët më të korruptuar që ka njohur historia e shtetit shqiptar.  Për zgjidhjen e problemit të korrupsionit ju na ofroni si zgjidhje prokurorinë speciale SPAK.

Problemi është se ka zëra dhe fakte që tregonë se pikërisht SPAK, në vend të luftojë korrupsionin mbështet më të korruptuarin, kryeminstrin Edi Rama të luftojë e të neutralizojë kundërshtarët e tij politikë dhe të “disiplinojë”  rebelët, “armiqtë e brendshëm”  të Partisë Socialiste.

Shumë i nderuar zoti Blinken!

Ju lutem i verifikoni me kujdes këto fakte. Do të ish tragjike sikur ju dhe qeveria amerikane të mbështetni personat e gabuar. Si ju ashtu edhe ne nuk duam të dëmtohet imazhi i qeverisë amerikane dhe imazhi juaj si përfaqësues i saj.

Gjelok Marko: Welcome to Albania, Mr. Blinken!

Please follow and like us: