Albspirit

Media/News/Publishing

Petraq Risto: E dashur…

2.
E dashur,
Jetoj në një karusel të mplakur nga rrotullimi
Për bosht ka një ylber të ndryshkur
Sa herë ngjitet lart ti më puthë sytë me buzët prej shiu.
Një karusel i madh vërtitet në kahun e kundërt të rrotullimit të Botës
Lindjen na e bën Perëndim
me krahë engjëjsh krijojnë erëra demonët
vërtitet karuseli: Dashuri në flijim.
Vërtitet karuseli, ne qeshim me flakët e zemrave shpalosur në ajër
Shohim hënën përgjuese: do të përplasemi e do të thyejmë, i themi
I shkojmë pranë e ajo kriset me një cinizëm porcelani:
Urnë ku ka mbledhur gjithë hirin e natës së djegur.
Një karusel i madh me boshtin e ndryshkur: azil rrotullues
Sa herë zbret poshtë zgjatem dhe kap një fije bari
Ligji i Rëndesës më sheh si një gjykatës përçmues
Me çekiçin e drunjtë në formë arkivoli.
Sfidues ngjitem lart në krahun e dritave dhe fluturave që vijnë të vriten
Përplasem me rrymat e një vallëzimi ajror të viteve të ikur
Sërish po vij lart ku urna e thyer e hënës ka derdhur hirin e yjeve
E buzët e tua prej vese do më puthin sytë e mbyllur…
3.
Jam lart. Era rrotullon karuselin nga ana e kundërt e akrepave të orës
Karuseli mu kthye në Makinën e Kohës. Vërtitem.
Takoj stërgjyshërit, gjyshërit, babain dhe nënën
I shoh si lodhen, si gëzojnë, si ndriten
Heeej, më thërrasin, përpiqu të shohësh
ato që në të ardhmen nuk mund të shihen!
Vërtitem me ca argumente më shumë, me ca bindje më pak
Salmonët që rridhnin në lumë, u hutuan, më rrjedhin në gjak.
Vërtitet karuseli, kërcet si çikrik pusi: trak – trak…
4.
Në një karusel s’është nevoja të lëvizësh, të lëvizin të tjerët:
Era, përshembull
Më lëviz Era nga mëngjesi në darkë, herë mbi pegaso, herë mbi një varkë
Dhe kur zbres poshtë, dhe kur ngjitem lart
I freskët nën vesë, i ngrohtë nën gjak
I afrohem présë, bie vetë në çark…
Të jetosh në një karusel, të gëlltitësh lotin
ngecur në mollën e Adamit
si në një ingranazh.
Në një karusel: i vetëm.
Zbres poshtë: zë miqësi me një bletë
Një zog më mëson si ndërtohen foletë
Ushtari i vrarë më zgjat helmetën:
“peshon ndaj vendose në karuselin e shkretë
ta përdorësh në betejën tjetër…”
Betejë dhe pse i vetëm…
—-
(Nga poema “Jetoj në një karusel të ndryshkur”)
Please follow and like us: