Feride Istogu & Kemal Libohova: Olga Schweitzer, një pianiste daneze dhe një heroinë shqiptare
“Madame Olga vazhdon të jetojë në zemrat e njerëzve të Libohovës edhe sot. Vetëm pas rrëzimit të komunizmit në 1991, filloi të flitet për të e të bëhet e njohur për heroizmin e saj jashtë Libohovës dhe jo vetëm. Por njohja e Olga Schweitzer duhet të shtrihet edhe përtej kufijve të Shqipërisë –në veçanti edhe në atdheun e saj, Danimarkë”.
Olga Schweitzer ka lindur më 4 janar 1886. Ajo njihet më tepër si “Madame Olga” ose “Zonja Olga”. Edukimin fillestar Olga e ka marrë në Danimarkë dhe më pas në fillim të viteve 1900, ka vazhduar studimet për piano në Paris. Pas përfundimit të studimeve në Francë, ka dhënë koncerte për piano në kryeqytete të ndryshme të Europës, përfshirë dhe Stambollin. Stambolli ishte edhe vendi ku ajo u njoh me intelektualin shqiptar Mufid Bej Libohova, i cili studionte në Akademinë Ushtarake të qytetit. Dashuria me shikim të parë i Olgës dhe Mufid Bej Libohovës, u kurorëzua me fejesën e më pas me martesën e tyre. Në vitin 1909 ata vendosin të kthehen në Shqipëri, kohë kur Mufid Bej Libohova ka luajtur një rol të rëndësishëm në ngjarjet që pasuan në krijimin e kombit shqiptar. Në vitin 1912, pas 500 vjetësh pushtimi nga Perandoria Osmane, Shqipëria shpalli Pavarësinë e saj. Mufid Bej Libohova u bë ministri i parë i brendshëm i vendit, më vonë ministër i financave dhe themelues i bankës kombëtare dhe monedhës kombëtare. Që në atë kohë, Mufid Bej Libohova është konsideruar si një figurë e rëndësishme në historinë e hershme të kombit. Olga Schweitzer e donte Shqipërinë dhe shqiptarët. Pasardhësit e saj tregojnë histori për këtë dashuri të Madame Olgës. Dhe ishte pikërisht dashuria për Shqipërinë, që e bëri të vendoste të qëndrojë në Shqipëri edhe pas vdekjes së bashkëshortit, në vitin 1927. Zonja Olga është kujdesur për libohovitët me zemër dhe me përkushtim të madh. Ndoshta këto ishin dhunti që lidheshin edhe me edukimin e saj danez.
“Ushtarët nazistë rreshtuan 100 burra të Libohovës për t’i ekzekutuar. Kur pa çfarë po ndodhte, Madame Olga, doli menjëherë nga shtëpia e saj dhe pa ju trembur syri, eci drejt oficerit gjerman. Pikërisht në momentin që ai ishte gati të urdhëronte ushtarët të hapnin zjarr, Olga me një gjermanishte të rrjedhshme, e pyet oficerin se çfarë ishin duke bërë? Oficeri komplet i hutuar, për çka po dëgjonte, s’po u besonte veshëve të tij, që një grua në një qytet të vogël, Libohova, një zonjë të fliste aq rrjedhshëm gjermanisht”!
Pikërisht për këtë përkushtim dhe mirësi të saj libohovitët e kanë dashur dhe nderuar Atë, e në shënjë respekti, ta quanin “Madame Olga”. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, ushtria gjermane ndërmori një fushatë hakmarrjeje kundra partizanëve në zonën e Libohovës. Ushtarët nazistë rreshtuan 100 burra të Libohovës për t’i ekzekutuar. Kur pa çfarë po ndodhte, Madame Olga, doli menjëherë nga shtëpia e saj dhe pa ju trembur syri, eci drejt oficerit gjerman. Pikërisht në momentin që ai ishte gati të urdhëronte ushtarët të hapnin zjarr, Olga me një gjermanishte të rrjedhshme, e pyet oficerin se çfarë ishin duke bërë? Oficeri komplet i hutuar, për çka po dëgjonte, s’po u besonte veshëve të tij, që një grua në një qytet të vogël, Libohova, një zonjë të fliste aq rrjedhshëm gjermanisht! Dhe menjëherë pyet se kush është. Ajo i përgjigjet: “Unë jam një banore në këtë fshat, si të gjithë këta burra të rreshtuar aty. Unë jam një banore që jetoj me shqetësimet, hidhërimet dhe gëzimet e përditshme, si të gjithë këta, as më mirë as më keq se ata. Unë gëzoj respekt të madh nga të gjithë bashkëfshatarët e mi këtu dhe prandaj ju lutem lirohini”. Oficeri gjerman u bë më tëpër konfuz, ndërsa Olga vazhdonte të thonte se janë të pafajshëm dhe këta njëqind burra janë pjesë e një qind familjeve, të gjitha të njohura prej saj. Nuk ka partizanë mes tyre. Por oficeri vazhdonte të përsëriste se ka marrë urdhër për t’i ekzekutuar ata.
“Mufid Bej Libohova u bë ministri i parë i brendshëm i vendit, më vonë ministër i financave dhe themelues i bankës kombëtare dhe monedhës kombëtare. Që në atë kohë, Bej Libohova është konsideruar si një figurë e rëndësishme në historinë e hershme të kombit. Olga Schweitzer e donte Shqipërinë dhe shqiptarët”.
Madame Olga nuk hoqi dorë duke këmbëngulur se nuk ka partizanë mes tyre dhe më në fund i thotë: “Unë jam një prej tyre, kështu që më trajtoni njësoj si ata”. Dhe më pas shkon e futet në mes të gjithë burrave të rreshtuar duke thënë: “Unë ju garantoj se këta burra nuk janë fajtorë, por nëse ju mendoni se janë vërtet të tillë, qëlloni mbi mua të parën”! Ky ligjërim i Olgës u pasua nga një heshtje varri, “Kush jeni ju”, e pyet përsëri oficeri gjerman. Dhe përgjigja e saj ishte “Kjo nuk ka fare e rëndësi”. Pas këmbënguljes së vazhdueshme të oficerit se kush ishte Madame Olga i tregon se ajo është gruaja e Mufid Bej Libohovës. Kjo gjë e shtyn oficerin të telefonojë qendrën e komandës gjermane në Tiranë. Kur komandanti i lartë dëgjon emrin e Mufid Bej Libohovës, ai jep urdhër që të gjithë burrat të lihen të lirë. Pasardhësit e atyre që shpëtuan atë ditë dhe mbijetuan luftën kanë treguar për këtë trimëri e guxim të Olgës. Madame Olga vazhdon të jetojë në zemrat e njerëzve të Libohovës edhe sot. Vetëm pas rrëzimit të komunizmit në 1991, filloi të flitet për të e të bëhet e njohur për heroizmin e saj jashtë Libohovës dhe jo vetëm. Por njohja e Olga Schweitzer duhet të shtrihet edhe përtej kufijve të Shqipërisë –në veçanti edhe në atdheun e saj, Danimarkë.
Rrethimi gjerman i Libohovës, gruaja daneze shpëtoi 100 burra nga pushkatimi