Britania vendos sanksione të reja ndaj Rusisë
Britania ka zgjeruar sanksionet e saj kundër kompanive ruse, individëve dhe entiteteve jashtë Rusisë që dyshohet se po ndihmojnë në shmangien e sanksioneve ekzistuese, tha Qeveria britanike më 22 shkurt.
Në deklaratën lëshuar dy ditë para përvjetorit të dytë të nisjes së pushtimit rus të Ukrainës, sekretari i Jashtëm, David Cameron, tha se listës së sanksioneve i janë shtuar mbi 50 individë dhe entitete, teksa shteti i tij po synon të kufizojë dhe dobësojë industrinë ruse të mbrojtjes.
Sanksionet po ashtu shënjestrojnë kompani në Kinë, Turqi, Emirate të Bashkuara Arabe dhe shtete të tjera, të cilat akuzohen se kanë shmangur sanksionet e vendosura më herët.
“Pas dy vjetësh, ne vazhdojmë të jemi të bashkuar në mbështetje për Ukrainën. Presioni ndërkombëtar ekonomik nënkupton që Rusia nuk mund ta financojë më këtë pushtim të paligjshëm. Sanksionet tona po shterojnë burimet e presidentit rus, Vladimir Putin, për financimin e kësaj lufte”, tha Cameron.
Sipas tij, këto sanksione do të pengojnë aftësinë e Putinit për të pajisur ushtrinë e tij me pajisje të teknologjisë së lartë dhe armatime.
Tani, në listën e sanksioneve britanike janë më shumë se 2.000 individë rusë, kompani dhe grupe.
Sanksionet britanike u morën një ditë pasi Bashkimi Evropian miratoi paketën e re të sanksioneve, ku u përfshin pothuajse 200 entitete dhe individë të akuzuar se po ndihmojnë Moskën që të blejë armë.
Shtetet e Bashkuara do të paraqesin paketën e re të sanksioneve ndaj Rusisë më 23 shkurt lidhur me vdekjen në burg të liderit opozitar, Aleksei Navalny.