Albspirit

Media/News/Publishing

MISTO ÇIPA, NJË JETË KUSHTUAR LIRISË SË ATDHEUT

(Në kuadrin e 80 vjetorit të çlirimit të vendit si dhe në nderim të bijëve të Lunxhërisë që u bashkuan në frontin e madh antifashist dhe posaçërisht në nderim të patriotit, luftëtarit partizan Misto Çipa, që u pushkatua padrejtësisht për shkak të ideve dhe mendimeve, një absurditet që çoi në ekzekutimin fizik në Cepo, ndaj një kuadri partizan që kishte rrëmbyer armët vullnetarisht kundër nazifashizmit)

Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI

Lunxhëria dhe Qestorati. Madhështinë dhe emrin e krahinës e bëjnë njerëzit, shkëlqimi i tyre në shekuj trupëzohet me krahinën, fshatin. Kështu ndodh edhe me Lunxhërinë, krahinën e shquar etnografike që bashkë me krahinat fqinje të Kardhiqit e Rrëzomës, Kurveleshit, Zagorisë, Dropullit etj. Lunxhëria është fqinji i parë i Labërisë, këtij rajoni të gjerë etnografik të mirënjohur. Banorët lunxhiotë preferojnë të vetëidentifikohet si zonë e toskërisë në pikëpamje kulturore. Lunxhëria ka tradita, kulturë, zakone e veshje me emër dhe nga më të bukurat në mbarë kombin shqiptare. Fshatrat e saj janë një pjesë e rëndësishme e fisnikërisë shqiptare, një krahinë plot lezete në të gjithe pikëpamjet, ndërkohë që fshatrat e saj janë një copëz dritë e civilizim që plotësojnë më së miri këtë ansambël krahinor të shquar në mençuri, trimëri dhe lavdi. Po të flasim për Qestoratin sikurse gjithë Lunxhëria është një shkëlqim në të gjithe kohrat jo vetëm në shek. XIX. Kurbetllinjtë/ gëçmenët kanë rol të madh në sjelljen e europianizmit në fshat e krahinë, në rrugët me kalldrëme, meremetime, ndërtime dhe jo vetëm. Qestorati habiti, por edhe frymëzoi Lordin anglez Xhorxh Gordon Bajron për kulturën dhe traditat e lashta të shqiptarëve. Këtu në Qestorat ka qenë edhe skena e parë e teatrit shqiptar ku është luajtur pjesa teatrale “Dasma lunxhiote”. Nga ana tjetër burra dhe gra të dëgjuar të shek. XIX nga familjet e moçme të Qestoratit kanë qenë të shumta si: Koto Hoxhi bashkë me Vasillo Hoxhi si dhe djemtë e tyre Niko, Anastas e Janko; Kristaq Zografi dhe Dhomeniqi Zografi dhe djemtë Jorgo dhe Solomon; Koto Dudi dhe Kaço Dudi me djemtë, Mitro Papavasili, Lame Leku, Lame Nasti, Mako Doko, Leko Çipi, Anastas Floku, etj. Njerëz të shquar të Qestoratit ishin edhe Anastas Rumbi, Kito Kostlili, Koto Koçi, Nik Mitrokosta, Naqo Çipi, Nik Çuçi, Noto Qendri, Lame Papavasili, Petro Floku, Petro Papavasili, Petro Stavri, Nik Stavri, Sevo Foti, Sevo Doku, Thanas Kondili, por edhe shumë të tjerë. Në historinë e krahinës nuk mund të lëmë pa përmendur edhe Misto Naqo Çipi kuadro i batalionit partizan “Misto Mame”.

 

Lunxhëria dhe bijtë e saj, supbashkuar në betejat e historisë

Lunxhëria sikurse mbarë krahinat shqiptare përgjatë Luftës së Dytë Botërore u shndrua në sheshbetejë. Të përbashkuar bijtë e bijat e saj idealet dhe shpresat e e lirisë dhe çlirimit i varën tek Nacionalçlirimtarja. Djemtë e Lunxhërisë ose sikurse e quajnë veten ata “lunxhotët” kanë qenë një “uragan lufte” të përbashkluar në ideale për lirinë. Në Luftën e Dytë Botërore, Qestorati, si dhe gjithë Lunxhëria, Labëria e më gjerë u bë disa herë fushëbeteja midis forcave partizane dhe pushtuesëve. Popullsia dhe djalëria qestoriote, që vazhdimisht ka qenë me ndjenja të thella atdhetare, morën pjesë aktive për çlirimin e vendit dhe i përbashkuan artmët me frontin e madh antifashist të vendit. Fshati u kthyen në arenë të luftimeve dhe betejave të përgjakshme. Që në prill të vitit 1939 Lunxhëria dhe fshatrat e saj ranë nën pushtimin e trupave pushtuese të ushtrisë fashiste italiane. Qestorati dhe gjithë Lunxhëria u bë shesh lufte ku u kryen luftime të përgjakshme, që nisën në tetor 1940 mes forcave të ushtrisë italiane dhe greke, në luftën absurde italo-greke, duke “përfshirë” edhe shqiptarët, ku nga ky absurditet edhe sot e kësaj dite ka një ligj lufte midis Greqisë dhe Shqipërisë. Fronti i luftimeve dhe zotërimi i qytetit prej tyre u këmbye disa herë, ku edhe dëmtimet në njerëz, përgjakja dhe sidomos dëqmet materiale ishin të pallogaritshme. Banorët e Qestoratit dhe të Lunxhëeisë u përfshinë qysh në muajt e parë në rezistencën antifashiste dhe u lidhën ngushtë me LANÇ-in. Burra e gra, djem dhe vajza mbushën formacioneve luftarake të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, çetat partizane e “Rinisë” dhe “Koto Hoxhi” etj. Ndërkohë që këto çeta me zgjerimin e radhëve u organizuan në batalionin “Misto Mame” dhe më pas në brigadat sulmuese. Këshilli nacionalçlirimtar u formua në tetor 1942. Në Qestorat më 7-8.2.1944 zhvilluan luftime forcat e BrVIS me forcat gjermane dhe bashkëpunëtorëve të tyre, e cila ishte një nga betejat më të ashpra midis forcave partizane dhe gjermanëve e bashkëpunëtorëve, e cila arriti deri në luftimet trup me trup. Në histori ka hyrë si “Lufta e Qestoratit”, ku atë ditë forcat gjermane e bashkëpunëtore dogjën Qestoratin, dhe disa saraje i kthyen në shkrumb e hi dhe njerëzit ngelën të pastrehë në qiell të hapur. Nga fshati Qestorat me vullnetarizëm dolën partizanë dhe luftëtarë të lirisë: Misto Naqo Çipi, zëvendëskomandant i batalionit “Misto Mame”, Sofo Lame Papavasili, Ndriko Pandeli Kushta, Panajot Pilo Leku (i shpallur dëshmor), Stavro Petro Floku, Telo Sevo Mitrokosta, Leko Qiro Çipi, Leko Pilo Leku, Llambo Pilo Leku, Mako Aleks Maku, Noto Koço Duka, Petro Mihal Zografi, Zoto Gole Qirjazi, Mihal Gole Qirjazi, si dhe shumë të tjerë. Përkrahja pa rezerva e Lëvizjes Antifashiste në Qestorat dhe në mbarë Lunxhërinë bëri që nga fshati Qestorat të rreshtohen 14 partizanë nga të cilët dy dhanë jetën duke derdhur gjakun Vangjel Jorgji Milingu dhe Panajot Pilo Leku, të cilët mbajnë titullin e lartë:  “Dëshmorë të Atdheut”.

 

Partizani trim që u pushkatua për idenë e luftimit dhe ngeli dëshmor i pashkruar

Biri i Qestoratit Misto Naqo Çipi ishte lindur në pranverën e vitit 1880 në një familje të nderuar, të respektuar e patriote të Lunxhërisë. Babai i ti, Naqoja ishte i dëgjuar në krahinë për trimëri dhe miqësi, për burrë zakonlli ku në shtëpnë e tij kuvendonin burrat për të ardhmen e vendit. Oxhaku i tyre ishte prush atdhetarizmi, ndërkohë që ishte koha kur Qestorati lulëzonte dhe fshati kishte pamjen e një qyteti që rrezatonte kulturë e dije, një copëz civilizimi në krahinën e Lunxhërisë. Në këtë ambjent në fshatin qestoriot erdhi në jetë, u rrit, mësoi dhe u burrërua dhe trimi Misto Çipi. Në jetë ai eci në rrugën e të atit, Naqos, që nderohej, respektohej dhe i merrej mendim për probleme të fshatit, por dhe të krahinës. Rrugën atdhetare të të atit e vazhdoi dhe Misto, i cili në të gjitha dallgët e jetës të përplasjeve atdhetari të kohës ishte në krahun e ndershmërisë dhe të drejtësisë. Misto Çipi duke pasar miqësi me burra patriot si Lipe Bogai, ishte i pari që deklaroi hapur qëndrimin e tij antifashist dhe u bë pjesëmarrës aktiv në formacionet e LANÇ-it. Kontributi i tij ishte i gjithanshëm, me fisnikëri dhe autoritet, fjala e tij dëgjohej e respektohej nga qestoriotët e më gjerë. Familja Çipi u lidh ngushtë me Luftën çlirimtare, duke dhënë një kontribut të shquar për çlirimin e vendit. Andon Çipi, kuadër i lartë në organet shtetërore të qeverisë Mbretërore, ju kundërvu fashizmit dhe provoi vuajtjet e torturave të internimit në Porto Romano dhe jo vetëm. Nga ana tjetër patrioti i moshuar Lipe Bogai nga Saraqinishta dhe Misto Çipi nga Qestorati, dhe të gjithë lunxhiotët duke patur me vete dhe çetën partizane të “Rinisë” të inaguruar në Stegopul në 20.6.1943, bënë përpjekje të shumta për krijimin e një batalioni partizan në zonën e Lunxhërisë. Në këtë nismë meritë të veçantë e tij ishte shtimi i radhëve me partizanë qestoriotë. Në kohën që u ngrit formacioni luftarak Mistua ishte burrë i pjekur dhe me mendim plotësisht të pjekur, një burrë që kishte 63 vite “në lëkurë”. Kështu ai u caktua zëvendëskomandant i batalionit partizan  “Misto Mame”. Kjo bëri që gjithë rrethi familjar Çipi të lidhej edhe më fuqishëm me luftën partizane. Njgjarja e kundërshtimit të idesësë vendimit për vendosjen e luftëtarëve nga Lunxheria në vijë të parë në Cepo për mbrojtjen e saj dhe në vijë të dytë partizanët e zonës, bëri që të merrej një vendim ekstrem ndaj tij, pushkatimi, që ishte një veprim tejet i nxituar dhe pa marrë parasysh kushtet dhe rrethanat, pasi djemtë e lunxhit nuk ja përtonin dyfekut kudo që të ishin por ngjarjet dhe rrëmbimet e kësaj kohe jo të gjithë mundo të përshkruhen. Para ishte kohë lufte dhe vendimet e papeshuara dhe të papjekura plotësisht në disa raste e dëmtuan edhe vetë luftën. Komandanti i batalionit partizan “Misto Mame” kur mori vesh ndodhinë, u step dhe  mendoi gjatë deri në dorëheqje si i moshuar… Pas çlirimit u rehabilitua dhe krahina e konsideruan dëshmor. Por kjo ngeli një njollë lufte, një dëshmi që duhet treguar, edhe se si mundo e duhen marrë vendimet në kohë lufte, edhe kur “koha nuk pret”. Pasojat ishin dhe mbetën të rënda, edhe kur është kryer rivlerësimi dhe rinderimi për ndershmërinë, drejtësinë dhe patriotizmin. Më gjatë, më saktë dhe më drejtë kanë folur bashkëkohësit si dhe dokumentacioni që ngelet përherë i freskët.

 

Publikimet për Misto Çipën dhe testamenti i ndershmërisë dhe së drejtës

Faktet janë kokëforta, kur flet dhe tregon e vërteta. Kështu veteranët Sofo Papavasili, Thimjo Muçi, Luto Haxhi, Piro Koçi, në librin “Batalioni Misto Mame” të botuar në Tiranë në vitin 2000 kanë shkruar: “Misto Çipi, zëvendëskomandant, rridhte nga një fis i dëgjuar lunxhiot, me rreth familjar, që kishte autoritet të madh në krahinë. Duke qenë pjesëmarrës aktiv në Luftën Nacionalçlirimtare, ai dha një kontribut të çmuar kundër pushtuesve. Mistoja qe një burrë fisnik e me autoritet. Fjala e tij zinte vend në popullin lunxhiot, ndaj ai përpiqej ta tërhiqte atë në veprimtarinë antifashiste. Me fillimin e luftës, megjithëse në moshë të thyer, u hodh në rreshtat partizane dhe me formimin e batalionit “Misto Mame” u emërua zëvendëskomandannt i tij. Mistoja luajti një rol të veçantë në mobilizimin e lunxhiotëve në rreshtat partizane. Ai ka një meritë të posaçme për shtimin e radhëve të partizanëve në batalionin “Misto Mame”, bashkë me Lipe Boganë. Në disa rrethana të dyshimta e të sajuara në prapaskena, ai u mënjanua në kulmin e aktivitetit të tij luftarak. Pas çlirimit u rehabilitua dhe partizanët e batalionit, si dhe krahina e konsideruan dëshmor të nderuar. Tase Çorri në librin “Në emër të lirisë, botuar në Tiranë në vitin 2008 ka shkruar: “Në ato çaste të rënda patëm edhe viktima nga nxitimi e mos thellimi i veprimeve siç ishte ai Misto Çipi, i cili për një gabim shprehje apo takti luftarak në Cepo u gjykua e u pushkatua. E them me bindje se ai nuk mund të quhet armik. Pavarësisht të metave, ato nuk duhet të shkonin deri në ekzekutim fizik ndaj një partizani që kishte rrëmbyer armët vullnetarisht kundër armikut. Masa ekstreme që merrej ndaj tij s’duhet të kalonte më tepër se shkarkimin nga posti i zëvendëskomandant në partizan të thjeshtë. Ai ndëshkim ndaj Mistos më ka ngelur në mëndje dhe më ther në shpirt njëlloj si të tri plagët që kam në trup nga nazistët në çlirimin e Tiranës.”. Të dhëna rrënqethëse, port ë vërteta që vijnë nga radhët e fisnikërisë partizane. Faje dhe gabime kanë ndodhur në gjithë luftrat e njerëzimit, edhe gjatë luftës sonë antifashiste. Fakt është se edhe pse u kërkua falje pas çlirimit për pushkatimin e zëvendëskomandantit të batalionit “Misto Mame” Misto Çipi, nuk u bë kurrë një kërkesë për t’u shpallur Dëshmorë i Atdheut. Ai kujtohet në përvjetorët e festës së batalionit dhe emri i tij është radhitur në listën e partizanëve të batalionit, por në listën e gjatë të dëshmorëve të batalionit, emri i tij ende mungon, dhe kjo është një brengë në zemrën e fshatit që e lindi, të Lunxhërisë, por dhe të shokëve të tij të rreshtave partizane. Rivlerësimi i tij nga strukturat kompetente bazuar në Ligjin nr. 109/2018, “Për statusin e Dëshmorit të Atdheut”, të aktit legjislativ të nenit 5, “Kriteret për shpalljen e statusit “Dëshmor i atdheut”, gjykojmë se është një akt I vonuar. Strukturat e shtetit gjykojmë se me ndërmarrjen e një nisme të tillë do të vendosin në vend nderin si dhe do të korrigjojnë një gabim të rëndë të vendimmarrësve të asaj periudhe, porn ga ana tjetër do të qetësojë shpirtin e një krahine të tërë, që lavdinë e shkroi me grykën e pushkës, krahinën e Lunxhërisë. Gjykojmë se propozimi është pse është i vonuar, është i drejtë të bëhet në këtë vit të 80 vjetorit të clirimit të Atdheut. Koha është sot për ta bërë një propozim mbi bazën e rregullave të shtetit. Publikimet për Misto Çipa, për birin që jetën ja kushtoi atdhetarisë dhe kombit janë të shumta, por mundëm të dallojmë, disa nga penat që i janë përpushtuar atdhetarisë dhe dëshmorëve, të rënëve në të gjitha epokat që për këtë rast sinjifikativ kemi hulumtuar në shkrimet e Profesor Bernard Zotaj, “Qestorat, si duron për bijtë e tu?” (gazeta Demokracia), Jorgo Qirko, vecanërisht libri në emër të lirisë libër i Tase Çorri, Gazeta “Kushtrim Brezash”, Revista “Pavdekësia” dhe shumë të tjera. Që të gjithe flasin për atdhtari, e cila në fakt ka buruar dhe buron nga ndjenja e lidhjes së ngushtë me fshatin, krahinën, Shqipërinë, që shprehet në formën e dashurisë, nderimit dhe respektit për atdheun dhe bashkësinë shqiptare, por dhe në respektin dhe nderimin e atdheut për bijtë e tij, që ka gjetur shprehjen klasike në fjalën e urtë shqipe: ”Guri i rëndë në vënd të vet”. Andon Zako Çajupi gdhëndi në vargje: “Në ç’vend kemi lerë?, Ku na bëjnë nderë? Në Shqipëri”. Për Misto  Çipën për burrin që ja kushtoi jetën Atdheut, nyja lidhëse ishte besa për shqiptarizmën dhe ngeli në historinë tonë kombëtare. E drejta vonon por nuk harron, sepse burrat që shkruajnë histori me bëmat e tyre nuk kërkojnë lavde nga Atdheu. Ata ngelen frymëzim brezash me idealet e tyre, ndërkohë që edhe pa e ditur atë që thoshte John Kennedy: “Mos pyet çfarë mund të bëjë vëndi im për mua, por ç’farë mund të bëj unë për vëndin tim”, ata e zbatuar në praktikë këtë devizë që ka ngelur në shekuj dhe për shekujt. Kështu gjaku, fisi, fara, nderi i shqiptarizmës është gdhendur në dy vargje lapidary të Naimit të madh kur shkruan me frymë poetike dhe thellësisht idealiste: “Ti Shqipëri më ep nderë,/Më ep emrin Shqipëtar”. Testament i Atdhedashurisë i Misto Çipës ishte ndershmëria, e drejta, e ndershmja. Sot është koha të rivlerësovet kërkesa e Lunxhiotëve dhe mbarë atdhetarisë që Misto Çipa, luftëtari, atdhetari, partizani i orëve të para të rivlerësohet me titullin e lartë të dëshmorit të Atdheut. Në këtë mënyrë, ndjenja atdhetare, e drejta “zhytet, por nuk mbytet”, e vërteta nuk vdes kurrë!.

 

Please follow and like us: