Albspirit

Media/News/Publishing

Ndue Ukaj: Mbi kulturën e dialogut në shoqërinë shqiptare

Filozofi dhe autori kanadez, Charles Taylor, në librin “Etika e autenticitetit”, ka një kapitull të titulluar “Debati i paartikuluar”, në të cilin trajton problemet që shkakton debati i sotshëm. Autori flet për konceptin e relativizmit disi të kollajtë të çdo gjëje, e mbi bazë të cilit, “çdokush ka “vlerat” e tij ose të saj, dhe për këtë nuk ka çka të diskutohet.
Autori, me një sërë argumentesh dhe duke u thirrë në dije empirike e vë në pikëpyetje këtë lloj të kulturës së debatit të skematizuar, që është larg autenticitetit dhe moralit, sepse e tkurr njeriun dhe hapësirën e tij, të cilën ia kontrollon egërsisht ideologjia e debatit, se gjitha “vlerat” janë të barasvlershme, ndryshe nga ta zëmë ç’mendonte Aristoteli, i cili dëftonte se, disa aspekte të jetës janë të drejta e disa të gabuara dhe disa aspekte janë më të larta e më të mira se disa tjera.
Filozofi Taylor për të kundërshtuar teorinë e një relativizmi të kollajtë, që ka ndikuar në tkurrjen e lirisë së njëmend, pohon se relativizmi është gabim trashanik i kulturës së sotme, dhe shton: “Njerëz të pasigurtë në identitetin e tyre u drejtohen gjithfarësoj guidave dhe ekspertëve të vetemëruar të veshur me prestigjin e shkencës a të ndonjë spirtualiteti ekzotik”.
Kur e lexoj këtë pohim, shoh të ravijëzuar shumë shqiptarë të trullosur, të cilët përplasën nëpër kriza serioze identitare dhe trallisen pas gjithfarë guidash, në emër të cilave përrallisin si të çmendur në opinion publik.
Njeriu i sotshëm është bërë rob i disa konsensuseve publike dhe ai shpeshherë nuk është i vërtetë me vetveten dhe as me të tjerët, sepse i mungon një ideal moral, mendon autori Taylor.
Ky autori, më tej e analizon çfarë nënkupton ai me ideal moral, togfjalësh ky i cili, sipas tij është një kuadër i asaj, që do të ishte një mënyrë më e mirë a më e lartë e jetës, ku e “mira” dhe e “larta” nuk përkufizohen me termat e asaj çka ne dëshirojmë ose kemi nevojë, por ofrojnë një standard të asaj çka lypset të dëshirojmë.
Duke përsiatur rreth këtyre ideve, e shohim si në pasqyrë njeriun tonë: shpërfilljen, shkujdesjen morale, pasigurinë, kukurisjet, që as afërsisht s’i ngjasojnë debatit të artikuluar.
Ka kohë që është thënë e përsëritur shpeshherë se debati ynë çalon dhe atë në përmasa të frikshme. Ka kohë që është shkruar për inflacionin e fjalës dhe të ligjërimit publik.
Debati në shoqërinë tonë është stërkeq tej mase, kurse dialogu, kultura e dialogut, po thujase nuk ekziston fare.
Pa kulturë të dialogut, shoqëria ngulfatet, e ne tash jemi në këtë fazë, gati në asfiksi të plotë.
Please follow and like us: