Albspirit

Media/News/Publishing

Presidenti Zelensky, në samitin e Europës Juglindore në Tiranë

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky ndodhet në Tiranë ku do të marrë pjesë në  samitin për Ukrainën që mbahet sot në kryeqytetin shqiptar.

Kryeministri Edi Rama vlerësoi vizitën e Zelensky-t dhe organizimin e samitit si moment krenarie.

“Krenari për Shqipërinë, që sot mikpret në Samitin e Europës-Juglindore, liderin e rezistencës heroike ukrainase, Presidentin Volodymyr Zelenskyy, në një takim solidariteti e angazhimi të mëtejshëm të demokracive tona kundër agresionit rus”, u shpreh Rama në rrjetet sociale.

Presidenti ukrainas u prit mbrëmjen e djeshme në aeroport nga ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani.

Vizita e Presidentit Zelensky parashikohet me disa takime të rëndësishme përveç pjesëmarrjes në samitin e paqes.

Sipas axhendës së publikuar nga Kryeministria, takimet nisin me pritjen zyrtare të Kryeministrit Rama  dhe më pas nga një takim kokë më kokë mes tyre në Kryeministri.

Më 09:30 bëhet një takim bilateral mes dy delegacioneve, firmosja e marrëveshjeve më 10:10 dhe më pas palët do t’i drejtohen Pallatit të Kongreseve nga ku në tapetin e kuq do të mbërrijnë në Samitin e organizuar nga Qeveria Shqiptare, 13 udhëheqës të 13 shteteve nga Europa Juglindore.

Pas mbërritjes së liderëve, pjesa e parë e samitit në Pallatin e Kongreseve do të jetë e hapur për mediet, ndërsa më pas Rama dhe Zelenski do të kenë edhe një dalje për mediet.

Kjo është vizita e parë e Presidentit të Ukrainës. Këtë shkurt u bënë dy vjet nga agresioni i paprovokuar i Rusisë në Ukrainë.

Please follow and like us: