Rudina Muharremi Beja: SHKALLËT E SHPIRTIT
Unë nuk mund t’i kapërdij të djeshmet
pa zbritur më parë nëpër ato shkallë,
thërrimet pa ua mbledhur melankolive,
notat melodive,
pa i bërë edhe një herë dhimbjet gërshet,
pa u arratisur edhe një herë heshtjeve të bekuara
rebusit të labirinteve,
e thepnajave të lodhura darovitjes së reve
që me vete sjellin përherë rrufe…
Më pas mund të ngjitem shkallëve të shpirtit
e të fluturoj lartësive,
atje ku korbat nuk venë,
dhe me fije shprese në sqep
të ndërtoj folenë…
Please follow and like us: