Albspirit

Media/News/Publishing

4 mars 1946, masakra masive kundër klerit në Shqipëri!

4 mars 1946, është data e fillimit të masakrës masive komuniste kundër klerit në Shqipëri!
Më 4 mars 1946 u pushkatuan në Shkodër: At Giovanni Fausti e At Daniel Dajani, së bashku me nxënësin Mark Çuni, At Gjon Shllakun ofm, Qerim Sadikun dhe Gjelosh Lulashin. Ata u akuzuan si sabotues e armiq të popullit, në të vërtetë u pushkatuan me urdhër të diktatorit Enver Hoxha pse besonin në Zot dhe mbronin të drejtat themelore të popullit e të atdheut.
Ata u akuzuan si sabotues e armiq të popullit, meqë ishin anëtarë të Shoqatës “Bashkimi shqiptar”.
Vrasja e këtyre martirëve ishte vetëm fillimi i rrugës së kalvarit, që përshkoi kleri e populli shqiptar gjatë regjimit komunist, kalvar që ngadhënjeu mbi errësirën dhe tmerret e përbindshme të diktaturës komuniste në Shqipëri.
Ja shkurtimisht disa të dhëna mbi martirët e parë të Kishës shqiptare në kohën e diktaturës komuniste:
1. At Daniel Dajani S.J.
Lindi në Blinisht (Zadrimë), më 2 Dhjetor 1906. Pas shkollës fillore, të cilën e kreu në fshatin e tij, shkoi në Torino ku ndoqi kurset e filozofisë dhe të teologjisë. U shugurua meshtar në Kieri (Itali), më 15 korrik 1938. U rikthye në Shqipëri dhe dha mësimin e latinishtes në Seminar. Meshtar shumë i ndershëm dhe i zellshëm, i kujdesshëm për të mirën e shpirtrave, e mbi të gjitha për formimin e seminaristëve, me të cilët ishte shumë i afërt dhe i gatshëm, ishte si një vëlla; shumë i dashur nga të gjithë. U arrestua bashkë me At Faustin, u dënua me vdekje dhe u pushkatua më 4 mars 1946. U torturua në mënyrë çnjerëzore.
2. At Giovanni Fausti S.I.
Lindi në Broco të Breshës (Itali), më 19 Tetor 1899. Studioi në qytetin e vet, në seminarin ipeshkёvnor. U shugurua meshtar në Romë, më 9 korrik 1922. Pas hyrjes në Shoqërinë e Jezusit, e dërguan në Shqipëri. Person me kulturë të gjerë dhe përshpirtëri shumë të madhe. Në Shqipëri kishte detyrën e zëvendësprovincialit. Ndërsa po i shpinin drejt pushkatimit, forconte vetveten dhe të tjerët me fjalët e psalmistit: “Të shkojmë në shtëpinë e Zotit”. U arrestua më 31 dhjetor 1945, së bashku me At Dajanin, dhe pastaj u pushkatua më 4 mars 1946.
3. At Gjon Shllaku
Lindi në Shkodër, më 27 Korrik 1907. Shkollën fillore dhe të mesme e kreu tek françeskanët (Shkodër). Vazhdoi studimet në universitetin e Lovanios në Belgjikë, për shkenca; për filozofi e teologji në Holandë dhe në Sorbona të Parisit, ku mori doktoratin. U shugurua meshtar më 15 mars 1931. Kur u kthye në Shqipëri, qe profesor i filozofisë në liceun “Illyricum” të françeskanëve (Shkodër). U arrestua para studentëve të tij gjatë orës së mësimit, në janar të vitit 1945 dhe u pushkatua më 4 mars. Fjalët e tij të fundit, siç del nga aktet, qenë: “Rroftë Krishti Mbret! I falim armiqtë tanë!”.
4. Mark Çuni, seminarist
Lindi në Rranxa të Bushatit (Shkodër), më 30 shtator 1919. Pas shkollës fillore, kryer në fshatin e vet, shkollën e mesme e kreu në Shkodër dhe tetëmbëdhjetëvjeçar vazhdoi studimet në Seminarin Papnor në Shkodër. Qe themelues klandestin i organizatës politike “Bashkimi Shqiptar” brenda seminarit. Eprorët e tij nuk e dinin një gjë të tillë. Kur organizata u zbulua nga qeveria, u arrestuan At Fausti e At Dajani, si eprorë dhe përgjegjës të Seminarit. Pastaj seminaristi u arrestua dhe u dënua me vdekje, bashkë me eprorët e vet. U pushkatua më 4 mars 1946.
5. Gjelosh Lulashi, besimtar laik
Lindi në Ndreaj të Shoshit të Dukagjinit më 02.09.1925. I Dioqezës së Pultit, tani Shkodër-Pult. Qysh në moshën 7 vjeçare ndoqi shkollat në Shkodër te Fretërit Minorë dhe pastaj në Seminarin Papnor Shqiptar. Ushtarak. Sekretar i Spitalit Ushtarak të Shkodrës. U arrestua dhe u burgos në Shkodër më 03.12.1945. U dënua me vdekje më 22.02.1946. U pushkatua në Shkodër, në orën 5 të mëngjesit, më 04.03.1946, dhe u la aty, së bashku me At Danjel Dajanin S.I., At Giovanni Fausti-n S.I., At Gjon Shllakun O.F.M., Seminaristin Mark Çuni, të riun Qerim Sadiku e të tjerë.
6. Qerim Sadiku, besimtar laik
Lindi në Vuthaj të Shkodrës më 12.02.1919. I martuar me Marije Vatën në shtator të vitit 1944, djali i vetëm që patën, të cilin e quajtën Gaspër, lindi 6 muaj pas arrestimit të tij dhe Qerimi nuk e pa kurrë atë. I Dioqezës së Shkodrës, tani Shkodër-Pult. U arrestua dhe u burgos në Shkodër më 03.12.1945. U dënua me vdekje më 22.02.1946. U pushkatua në Shkodër, në orën 5 të mëngjesit, më 04.03.1946, dhe u la aty, së bashku me At Danjel Dajanin S.I., At Giovanni Fausti-n S.I., At Gjon Shllakun O.F.M., Seminaristin Mark Çuni, të riun Gjelosh Lulashi e të tjerë.
(Material nga “Radio Vatikani”)
Please follow and like us: