Albspirit

Media/News/Publishing

Poezia e Eseninit vjen në shqip nga Arqile Garo

 

Sergej Esenin: SHKOI DHE KJO DITË

 

Shkoi dhe kjo ditë, përtej po tretet horizonti,

gati për nisje, arrati, diku në një vend tjetër,

ngre gishtin lart dhe me një shenjë prej vagabondi,

e ndaj në mes misterin tim ujor të lashtë, të vjetër.

 

Në gurgullimin kaltërosh të fatit tim është shtuar,

një plagë e re, stisur me shkumë të ftohtë, të rëndë,

buza e plasur po vulos një robëri të shurdhëruar,

një tjetër rrudhë, një mall të ri, një brengë.

 

Ditët po shkojnë dhe unë veç ndihem i larguar,

nga vetja ime dhe nga jeta e njerëzve të tjerë,

në një vijë uji, mbi një arë me gardh qarkuar

trupi m’ u shqye dhe u nda nga hija ime e mjerë.

 

Iku e zhveshur dhe s’ e pashë më që atëherë,

mori me vete të dy supet e përkulur dhe të rënë,

tani është larg, shumë larg, nuk di ç’ është bërë,

ndoshta një tjetër puth dhe ledhaton ndën hënë.

 

Vallë – kush e di – me atë tjetrin është afruar,

dhe mua më harroi njëherë e përgjithmonë,

në errësirën pis dhe nga fantazmat e qarkuar,

do ketë ndryshuar buzët, ngjyrë, por edhe ton.

 

Dhe rron me tingujt e epokave që shkuan,

që sipër pyjeve porsi jehonë ushtojnë,

unë puth hijen e zezë që mbi portret ma shtuan,

dhe përqafoj qeniet e blerta q’ e rrethojnë.

Shqipëroi: Arqile Garo, Shtator 2020.

Please follow and like us: