Albspirit

Media/News/Publishing

KRYEMINISTRI I PARË SHQIPTAR I MAQEDONISË SË VERIUT TALAT XHAFERI, VIZITON KOLEGJIN AAB

6 Mars 2024

Kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut z. Talat Xhaferi ka vizituar sot Kolegjin AAB ku mbajti ligjëratë për studentët me temën “Marrëdhëniet miqësore ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut”.

Rektori i Kolegjit AAB Blerim Olluri, i uroi mirëseardhje z. Xhaferit në emër të stafit të institucionit, duke shprehur vlerësimin e lartë për kontributin dhe angazhimin e kryeministrit ndër vite për Kosovën dhe qytetarët e saj.

“Kolegjin AAB e kanë vizituar shumë personalitete të jetës publike dhe politike, shkrimtarë, artistië e poetë eminent, por prezenca juaj është e rëndësisë së veçantë dhe domethënëse e motivuese veçanërisht për studentët tanë”, u shpreh Olluri.

Kryeministri Xhaferi tha se “është kënaqësi e veçantë të gjendet para stafit dhe studentëve të Kolegjit AAB, në ambientet e bukura i rrethuar me intelektualët aktual dhe të ardhshëm të vendit mik, fqinj dhe mbi të gjitha vëllazëror Kosovës”.

Tutje ai në ligjëratën e tij foli për marrëdhëniet që gëzojnë ndër vitet dy republikat ajo e Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, të cilat janë trashëguar brez pas brezi me të gjitha sfidat, të përbashkëtat dhe çdo proces tjetër të rëndësishëm për dy palët.

“Bashkërisht gjenerata të tëra kanë renditur kontributet e tyre për shtetndërtim dhe ne kemi të kaluar të përbashkët. Historia jonë është e dhimbshme dhe e hidhur për pasojat që ka lënë dhe përjetimet që i kemi pasur të gjithë. Sot me rastin e shënimit të marsit të lavdishëm për 26 vjetorin e epopesë së UÇK-së, kam pranuar ftesën që të jem në këtë periudhë në Kosovë dhe kjo më kthen pas tek ato vite”, tha Xhaferi.

Si shenjë mirënjohje për praninë e tij kryeministrit Xhaferi iu dhurua një pikturë nga studentja e Fakultetit të Arteve në Kolegjin AAB, kurse pati edhe shumë pyetje të parashtruara nga studentët që ndërlidheshin me integrimin e dy shteteve në BE, thellimin e raporteve, bashkëpunimin ekonomik, kulturor dhe arsimor etj.

z. Xhaferi përveç ligjëratës zhvilloi takime edhe me Këshillin Drejtues të Kolegjit AAB dhe vizitoi hapësirat e shumta të institucionit.

Kryeministri i parë shqiptar i Maqedonisë së Veriut Talat Xhaferi, viziton Kolegjin AAB

Please follow and like us: