Albspirit

Media/News/Publishing

Enver Memishaj: NJË LETËR E PA NJOHUR E NEKI YMERIT

Botohet për herë të parë.

 

 

Nga e majta: Neki Ymeri dhe Qazim Çakërri, komandanti dhe komisari çetës “Plakë” të Vlorës

 

 

 

Pushka e tij bëri jehonë në të gjithë Shqipërinë.

Neki Ymer Hoxha i njohur me pseudonimin e luftës “Vangjo”, ka lindur në Gjorm të Vlorës në vitin 1918 dhe do të vritej me atentat, me pabesi, nga një njësit komunist i urdhëruar nga Hysni Kapua më 27 gusht 1943.

Nekiu ishte trim, organizator i zoti dhe kishte cilësitë e një udhëheqësi.Ai shumë aksione kundër fashizmit i kreu vetëm me çetën e tij dhe të tjerat në bashkëpunim me çetën e Ballit Kombëtar me në krye Hysni Lepenicën, apo me çetën e Mallakastrës me në krye Mehmet Shehun. Pushka e tij bëri jehonë në të gjithë Shqipërinë.

Falë cilësive të Neki Ymerit, oratorike, organiztaive, trimërisë dhe trashëgimisë familjare ai u zgjodh komandant i njësitit të parë partizan, çetës “Plakë”, të cilën e udhëhoqi sa qe gjallë në 24 aksione kundër fashizmit dhe të gjitha me fitore.

Nga Gjormi në çetën Plakë kanë qenë rreshtuar 26 djem, nga 41 partizanë që kishte çeta ditën e formimit.

Neki Ymeri shpëtoi gjallë, nga kurthi i pabesisë që i kishte përgatitur Mehmet  Shehu në Mallakstër në maj të vitit 1943, që të dëshmonte të vërtetën se ç`po përgatitej pas krahëve nga Partia Komuniste. Pas largimit nga forcat partizane erdhi në vendlindje, në krah të Sadik Premtes dhe dëshmoi se Enver Hoxha në takimin që bëri me të në Çorrush, i kishte kërkuar të vriste Sadik Premten, kunatin, bashkëfshatarin dhe bashkëluftëtarin e e tij.

Nga ky propozim çnjerzor, atij i kishte lindur urrejtja ndaj udhëheqësve të Partisë Komuniste

Gjatë diktaturës komuniste ai dhe familja e tij ishin shpallur armiq të popullit!!! Në liri pas vitit 1990 ai u vlerësua e dekorua:

–   “Për veprimtari patriotike”, me motivacionin: “Luftëtar trim që dha jetën për një Shqipëri të lirë”.

–   “Martir i Demokracisë” me motivacion: “Antifashist i orëve të para, organizator dhe luftëtar në luftë për çlirimin e vendit nga pushtuesit e huaj. Iu kundërvu që në fillim vijës antikombëtare të diktatorit Hoxha, duke sakrifikuar edhe jetën”.

–  Medalje e Artë të Shqiponjës” me këtë motivacion: “Vrarë në LANÇl, 1943, Komandant i çetës Plakë- Vlorë. Student, drejtues në Lëvizjen Kombëtare e Antifashiste. Franksionist në Partinë Komuniste Shqiptare”

 

Fraksioni i Vlorës.

Në historinë e Luftës Antifashiste kontraditat brenda Partisë Komuniste ndërmjet grupit të udhëhequr nga Anastas Lula dhe Sadik Premtja dhe Komitetit Qëndror të Partisë Komuniste është quajtur Fraksioni i Vlorës, ose i Sadik Premtes.

Në pranverën e vitit 1943, Sadik Premtja, Pali Terova, Neki Ymeri, Qazim e Xhemil Çakërri, Hydajet Micolli, Qani Shenaj dhe pasonjësit e tyre, nuk menduan dhe nuk vepruan në fshehtësi. Ata haptazi biseduan dhe kërkuan mbajtjen e një konference për të analizuar aktivitetin e Partisë Komuniste të Vlorës. Duke qënë se ata përbënin shumicën, Liri Gega, Dushan Mugosha, Mehmet Shehu dhe Hysni Kapo u trembën se po humbisnin pozitat e tyre dhe vepruan me pabesi e dinakëri: vranë në prita, pushkatuan pa gjyq, arrestuan.

Enver Hoxha, i shqetësuar në kulm nga përmasat e asaj lëvizjeje që po ndodhte në Vlorë, e cila po lëkundte edhe  pozitat e tij, që nga strofkat ku fshihej në Tiranë, më 3 maj të vitit 1943, dërgoi një letër, që ishte në fakt një urdhër, që ia drejtonte Qarkorit të Vlorës dhe për njoftim gjithë Komiteteve Qarkore të Shqipërisë. Në atë letër ai urdhëronte:

“Xhepi dhe Pali duhet të pushkatohen përnjëherësh pa asnjë gjyq si tradhtarë… armiq të betuar të partisë dhe të popullit”.  Dhe më poshtë: “Të arrestohet Vangjoja e Difi dhe të gjithë ata elementë që kanë marrë pjesë në këtë punë dhe, pa humbur kohë, të bëhet gjyqi i tyre… Në rast se ata janë kurdoherë solidarë me Xhepin edhe ata të pushkatohen… Të forcohet disiplina. Të shkojnë dy vetë të flasin me Hysni Lepenicën dhe t’i japin arsyet, e ta bindin për masat që janë marrë kundër këtyre tradhëtarëve”.

Vetëm nga leximi i këtij citati të shkurtër të asaj letre, që është shumë e gjatë, të lind vetvetiu pyetja dhe shqetësimi: Ku e gjeti ai njeri legjitimitetin që të arrijë të japë vendime për arrestime dhe për pushkatime?

Në zbatim të urdhërave që jepeshin në letrën e cituar, Hysni Kapo, natën e 7 majit 1943, me dredhi e pabesi, arrestoi në Tragjas Pal Terovën dhe e izoloi nga populli. Në të njëjtën mënyrë bëri planin për ar­restimin edhe të Sadik Premtes. I vuri koburen në kokë Pal Terovës dhe e detyroi t’i shkruante letër Sadik Premtes në Gjorm të vinte ta takonte në Tragjas. Më 9 maj 1943, Sadiku u nis dhe ndërsa ishte duke kaluar malin të binte në Tragjas i dolën përpara dy besnikët e tij Abas Fejzua dhe Tanush Shyti, që pas çlirimit të vendit do të beheshin gjeneralë, dhe i thanë: Ktheu, se do të vrasin! Kështu Sadiku shpëtoi nga gracka që i kishte ngritur Hysni Kapo.

Ndërkohë, Mehmet Shehu, në zbatim të urdhrit të “Shpatit”, e thirri Xhemil Çakërrin dhe Neki Ymerin, Vangjon, komisarin dhe komandantin e çetës “Plakë”, që ndodheshin në fshatin Klos të Mallakastrës, gjoja për t’u këshilluar lidhur me një aksion që do të bëhej kundër forcave italiane. Atje, ai i arrestoi pabesisht. Pas arrestimit e detyroi Vangjon t’i shkruante një letër çetës “Plakë”, ku t’i thoshte se “ai dhe Xhemili po largoheshin përkohësisht nga çeta me punë partie” dhe se çeta, aty e tutje, do të vihej nën komandën e Mehmet Shehut.

Pasi u sigurua për këtë, të dy të arrestuarit, të lidhur, ia dha njeriut të tij besnik Idris Seitit, i njohur me pseudonimin “Sazani”, pët t’i çuar në fshatin Çorrush, ku do t’u bëhej gjyqi (!). Rrugës Idris Seiti i strehoi të arrestuarit, të lidhur, në mullirin e Kutës. Sapo morën vesh arrestimin e tyre çeta “Plakë” e udhëhequr nga Hydajet Micolli sulmoi mullirin. Idris Seiti vrau Xhemilin brenda mullirit, ndërsa Neki Ymeri mundi të shpëtojë i plagosur, nga filaqia e mullirit. Nga jashtë Idrizi vrau edhe Hydajet Micollin. Nekiu do të mbahej i burgosur në Çorrush dhe me kobure në kokë do të shkruante autokritikën e tij!, e bërë publike për herë të parë prej autorit të këtij artikulli.

Gjatë kohës së arrestit në Çorrush atë do ta vizitonte babai tij, me anë të të cilit ai u drejtoi shokëve të tij besnikë dy letra, njerën prej të cilave që e njohim po e botojmë për herë të parë më poshtë:

 

Partia mbi të gjitha!

Të dashur shokë!

Sot arriti babai im në vendin ku jam, i tronditur mjaftë se unë gjendem akoma i izoluar. U mundova që t’i mbush mëndjen, por më kot. Pse më thosh që do të vrasin. U bind që gjyqi i Partisë ëshë më se i drejtë.

Kur bisedova vetëm me të më tha që nuk e besoj skandalin që ngjau tek mulliri, duke menduar se na i kanë bërë me qëllim Besniku e Vjosa që të vriteshem. Mbasi i shpegova, iu mbush mendja, se s’ish bërë me qëllim por ish e vërtetë që qe një fatkeqësi.

Në bisedë që pata mënjanë me të iu mbush mendja se Xhepi ish tradhëtar, mbasi më parë mendonte se unë jesh i imponuar që flisja se Xhepi ish tradhëtar.

I shpegova që nuk është Besniku e Vjosa që vendosi këto, por Partia, prandaj të mos dëgjojë fjalët e Xhepit e të armiqe të tjerë, për të cilën u bind.

Prandaj duhet të gjej mënyrën që të takohem me ta, për t’i tërhequr nga Xhepi, se është fatkeqësi e madhe që Malsori ta marri në ballë për Xhepin.

I kish thënë Xhepi, Plakut, që më bëre të vras veten, pse ky i thosh më ke borxh djalin, me qëllim që ta lagonte nga fshati.

Populli i Gjormit Plakun e quajnë se mba mua veti i 10 për të vrarë Xhepin dhe nuk e besojnë, e lënë mënjanë nga fshati.

Shokë! Ju kam shkruar dhe një letër më parë kësaj, për qëndrimin tim këtu, se kur do të marri fund gjyqi im.

Shokë! Më gjet pikërisht si ai që pret çdo ditë të varet. Është e mira e Partis të qëndroj i izoluar? Nuk më duket, e di që Partia ka dhe të tjera punë, por do të mjaftonte një orë për mua që të vendos gjyqi. Ndodhem mjaft i tronidtur, se qëndrimi im karshi shokëve do të ketë lënë përshtypje se unë s’kam qenë i sinqertë. Kam qenë vetëm shokë. Se unë kam pas mjaft turp nga dushi. ( ? )

Shumë i tronditur, se unë do të vritem me plumb, mbasi i kish thënë Xhepi e të tjerë se do të vritet, kur të vritem unë thosh Xhepi. I vërtetonej më tepër nga që unë qëndroj i izoluar për një kohë të gjatë, kish humbur besimin, duke thënë se do të dërgojnë më nonjë qark tjetër Elbasan, Dibër apo Korçë dhe andej do të vrasin.

Shokë! U diva me të dhe qante gjithë natën e duke çfryrë më Xhepin. Më paraqiti sesi qëndron familja, mjaft e tronditur dhe vështronin gjithnjë në xhade, që tu vejë unë dhe veçanërisht nëna dhe motrat e vogëla.

Gjendja në fshat, mjaft e grumbulluar rreth Xhepit, më thosh. Letrën që dërgova unë nuk e kish marrë Plaku. Vetëm që bëra një letër tjetër dhe i kërkoj të vinin këtu. Më tha që do të mundohem ti çoj popullin dhe të piqen me mua që po i pres këto 3 – 4 ditë.

Malsori, Xhaferi  dhe shokë të tjerë të moshës time, thoshin që vetëm me mua të bisedonin dhe ishin gati ta linin Xhepin, por nuk besonin që të vinin këtu. Që e katandisa veten në atë mënyrë duke rarë në këtë greminë të madhe. Nga njëherë them s’kan pse të rroj më.

Do të ishte shumë mirë të shpegoheshim me një letër, sesi mendoni dhe ju që unë ndoshta mund të jem gabim për këtë që mendoj por unë dua ta çfaqë.

Shokë ! Pres mendimin tuaj rreth kësaj që kam çfaqur, të paktën ta di se deri kur do të qëndroj, pa le të jetë edhe me muaj. Kurioziteti nuk është i mirë për ne, por s’më duket të jetë në dëm të punës. Po të kish mundësi të takohem edhe me ndonjë nga juve, se ndoshta mund të skjarohesh më mirë .

  1. F. L. P. Të fala e përqafime Vangjua

12-VI-43

 

Sqarime:

Në letër bie në sy inteligjenca e N. Ymerit, shkruan qartë, pa gabime, me radhë e kryeradhë, si dhe pa i përmëndur u drejtohet udhëheqësve të partisë.

Mbahet i burgosur sekret sa që në letër nuk e tregon vendin “sot arriti babai im në vendin ku jam…”

“Kur bisedova vetëm me të, ose “në bisedë që pata mënjanë me të”, shkruan N. Ymeri… Kjo do të thotë se ai ka biseduar më babanë në prezenc të të besuarve të Mehmet Shehut, ndofta të Idris Seitit.

I gjithë Gjormi sipas traditës qëndroi në përkrahje të birit të tyre Sadik Premtes, bile dyshojnë edhe te Neki Ymeri e babai tij.

“Ju kam shkruar dhe një letër më parë”, thotë ai, letër të cilën nuk e njohim.

Ai e di që letra e tij do të censurohet prandaj shkruan: “ndodhem mjaft i tronidtur, se qëndrimi im karshi shokëve do të ketë lënë prshtypje se unë s’kam qenë i sinqertë…”

Pseudonimet e përdorura në letër:

Besniku – Hysni Kapua

Vjosa  – Mehmet Shehu

Xhepi – Sadik Premtja

Shpati – Enver Hoxha

Plakun – kështu i drejtohet të atit Neki Ymeri.

Malsori –  Lulo Shaip Lulaj . Në vitin 2022, me propozim të Shoqatës së Gjormit u shpall dëshmor i atdheut .

Xhaferi – Xhafer Dalani, u vra me atentat bashkë me Neki Ymerin më 27 gusht 1943.

Please follow and like us: