Fritz Radovani: KOMUNIZMI T’VRET EDHE “PADASHJE”
Tiranë, 17 Nandor 1944
Kushedi sa herë e kam shikue me vrejtje këte foto të vitit 1944!
E, kam ndejë tue mendue: “Sa vetë në këte foto ka vra komunizmi”?
Askush nuk e di shifrën e saktë, shpesh vrasjet u bane edhe “padashje”!
Atë ditë kur Ever Hoxha caktoi kush duhet të fotografohet me ate në atë shesh ku do të mbesin në histori, këta persona ishin “ma besnikët e tij”!
Në janarin e vitit 1945 Everi urdhnon Mehmetin që ndodhej në Shkodër, që “të mos pushkatohej asnjë person pa dijeninë e Ever Hoxhës”! Kam pçrshtypjen se ashtu duhet të jetë veprue, mbasi listat e personave që ka mendue me vra Tito, që kontrollonte edhe Shqipninë i kalonte Everi…
Pra, dashje ose padashje “të gjitha vrasjet nga 1943 e deri në 1948, kur u ftohën mardhanjet me Titon, janë ba me aprovimin e Titos dhe Everit”.
Duhet pranue se Tito zhduku inteligjencën dhe kokat drejtuese të Klerit me mirëkuptimin e aprovimin e Everit, që “nuk pat asnjë kundërshtim”!
Kjo vepër terroriste e tyne del edhe ndër takimet e Everit me Stalinin, ku Everi shpjegon se “veprimet me Titon, bahen me marrveshje të plotë”.
Shumë pak fakte dihen sot të sakta nga vrasjet e krimet terroriste të Ever Hoxhës, mbas marrjes së posteve në drejtimin e shtetit në Shqipni.
Prej 7 antarve të Komitetit Qendror të partisë komuniste të krijueme në 1941, vetem Ever Hoxha mbeti gjallë mbas vitit 1944. Tjerët u vranë.
Vrasja e Qemal Stafës mbasi doli nga shtëpia e Everit sot asht një enigem.
Mbas vitit 1944 Everi ka pushkatue qinda intelektualë që kishin mbarue studimet në Europen Perëndimore dhe, perveç kunatit tij Bahri Omarit, në 1946, ka vra edhe 16 deputetë të qeverive shqiptare të para viteve 1944.
Everi përherë të parë asht takue me Stalinin në 1947 e, të fundit në 1951. Ndërsa me Mao Ce Dunin asht takue vetëm njëherë në vjtin 1956.
Në vitin 1967 Everi shpalli “Shqipninë shteti i parë ateist në botë”, tue shkatrrue mbi 2200 Kisha dhe Xhamija, e tue arrestue mbi 100 klerikë.
Vetëm klerikë katolikë Ever Hoxha ka vra dhe mbyt ndër kampe 66 vetë. Gjatë kenjes së Everit në krye të shtetit, janë dënue 29 ministra,
Në 41 vite janë pushkatue 9 ministra e një kryeminister. Mehmet Shehu asht ndër personat që u diskutue ma gjatë vrasja e tij. Ndërsa vrasjet e sa e sa ushtarakëve e 20 gjeneralave s’ janë shoqnue kurr me legjenda tjera.
Flitet e shkruhet për shifra të vramësh, të vdekunish në burgje e kampe të punës, të interrnuemish dhe të burgosun ndër qytete të Shqipnisë, por në të vertetë shifrat e tyne nuk janë asnjë të sakta. Për këtë pasaktësi janë të njoftuna deklaratat e bame nga ushtarakët dhe oficerat e atyne viteve në organet e Ministrisë së Mbrendshme, ndër kampe dhe burgje dhe, ma të saktat janë “shpjegimet e tyne mbas shkarkimit nga detyra ose mbas arrestimit tyne dhe burgosjes me të burgosunit e atyne viteve.” Sot dijmë sakt vetem një shifer se: “Mbas vitit 1985 kur ngordhi Everi dhe në Shqipni mori drejtimin e shtetit skilja Ramiz Alia, ky ka vra 182 vetë në Malsi të Veriut, shumicën djelm të rinj që ishin ushtarë deri në 1990. E sa ka vra në gjithë Shqipninë a kanë me e dijtë ndonjëherë shqiptarët?! – Nuk besoj, ashtusi s’ dijnë sa ka vra në 1944 – 45 nga Kuksi në Shkodër.
Një fakt pak i njohun nga shqiptarët asht se Everi kishte një Bibliotekë me 45000 libra dhe kalonte shumë kohë tue lexue, mbasi nuk kishte as “shokë dhe as miq”, sepse shumicen ai i kishte burgos ose pushkatue. Sigurisht kjo shifër librash në shtëpinë e tij asht sigurue nga bibliotekat e kishave, të klerikëve e intelektualëve që u arrestuen, u vranë e u zhdukën.
Nga botimet e disa materialeve të viteve të fundit, nuk gjejmë asnjë nga dokumentat e një pendimi për vrasjet e bame nga terroristi Ever Hoxha!
Sot dijmë shumë të saktë se “ASNJĒ VRASJE”, apo zhdukje e Shqiptarve mbrenda apo jashta Atdheut, nuk asht ba padijeninë e Ever Hoxhës.
Si shpjegohet që ky vrasës jo vetem nuk asht pendue për ASNJĒ vrasje, po edhe ka ngordh i vetmuem tue mendue se “cilin ka me vra neser po u ngrit nga shtrati i vdekjes”? Në asnjë dokument vrasje apo zhdukje nga kjo botë e një shqiptari, s’gjindet një shënim: “Ky person u vra gabim”, ose “ky person asht vra ose zhdukë me familje PADASHJE” – Jo, asnjë!
Jemi para faktit që mbas urdhnit Everit për vrasje nuk ka shpëtue asnjë!
E mendoni veten në një udhtim të gjatë disa qinda kilometra në Shqipni, po ASNJĒHERĒ mos harroni, se gjatë asaj rruge kudo “ju pershndesin nga Gropat PAEMNA të pushkatuemit: Shqiptarë, mos na harroni…”!
Edhe njëherë po Ju drejtohem ju lexuesve të nderuem të këtij materiali: Sa me vlerë do t’ishte sikur në foton siper të percaktohen sakt emnat dhe vendi ku janë pushkatue ose zhdukë nga faqja e dheut shumica e tyne? E sot pasuesit e tyne nuk dijnë as gropat ku i varrosi komunizmi ata, dijnë vetem se shumica u vrane ndoshta “padashje”, si mund të justifikohen sot vrastarët katila të Sigurimit të shtetit që nuk ngopen me terrorizem.
Ky fakt i komunizmit barbar në Shqipni, tregon sesa i mprehtë dhe sa i pamëshirë asht tehu i shpatës shfarosëse të terroristave e kriminelëve të komunizmit, atij sistemi zhdukës të njeriut të dijtun e të kulturuem!
Sot edhe ma kjartë per tiparet terroriste t’ atij sistemi flet largimi i Rinisë Shqiptare nga Trojet tona! Një akt terrorist dhe barbar jo padashje po, me bindjen ma antinjerzore, ma antiatdhetare dhe ma tradhëtare që prej ditës në ditë po bahet në Shqipninë e shkretë e të vorfen, e asnjë vrasës s’ asht tradhëtar i Atij Atdheu të pergjakun, dhe aq të shtrenjtë e të dashtun per të cilin sa shumë Atdhetarë Shqiptarë dhanë jetën e tyne! E verteta e Atyne vrasjeve e zhdukjeve asht: Komunizmi di vetem me vra e plaçkitë!
E mbasi komunistët pasunohen: “I vorfnojnë tue skllavnue Popujt e vet”!
Melbourne, 18 Mars 2024.