Albspirit

Media/News/Publishing

RIKTHIMI NË BARBARINË POST MODERNE. RROFTË MESJETA DHE PREHISTORIA (1

 

Skënder Sherifi

 

E kjo i tërheq afrikanët, aziatikët, kinezët, japonezët, pakistanezët, indianët, albanezët, turqit, grekët, bullgarët, australianët për 5 minuta, pa asnjë lloj hezitimi dhe të gjithë bëhen drejtpërdrejt me zemër dhe me shpirt amerikan dhe prandojnë për t’u angazhuar si ushtarë, për të vdekur për Amerikën, kurse do kishin dezertuar në shtetin e tyre, me pas mujtur… Nuk bëhet fjalë këtu për Kiekegardi, Emanuel Kanti, Ibsenin, Strindbergun, William Blake, Fernando Pesoa apo Walt Whitmani… se përfundon në një kamp ri-edukimi!

Dhe sinqerisht, kur fiton kjo ëndërr bazike amerikane për klasën e parë fillore, kundër 2000 vite civilizim madhor europian, është diçka super-preokupuese dhe e dhimbshme. Kur fiton Marc Zuckerbergu me shokë me Facebook, Twitter e kompani kundër bibliotekës së madhe të Romës, Parisit, Londrës, Argjentinës, Vjenës dhe Berlinit, ku është depozuar gjithë dija planetare: çka ke për të thënë dhe si mund ta ndryshosh atë tendencë globale? Kur fiton çifti i Ermal Mamaqit ndaj të cilit nuk kam asnjë antipati personale dhe e ftoj për kafe qysh nesër për qejf… mirëpo, tani seriozisht, a mund të fitojë libri i tij kundër Migjenit, Lasgushit, Jeronim de Radës, Frederik Reshpes, Anton Pashkut, me disa të tjerë? A është krejt normale për një shoqëri të shëndoshë? Pa folur për klounat patetikë të muzikës dhe këngës shqiptare, për ata të emisioneve televizive show dhe me spektakël permanentë, për editorialistët dhe komentatorët politikë, gjithologët tanë të përditshëm, të cilët nuk e kanë të dhjetën e kulturës globale, as të profesionalizmit të zotit Alain Duhamel-specialist i politikës franceze, Jean Dominique Merchet, Serge July, Jean Daniel, Jacques Julliard, Jean François Kahn, Dominique Wolton, Larry King, Dan Rather, Oriana Fallaci ose të profesionistëve ikonikë të gazetave të mëdha angleze apo amerikane?! Mirëpo, atëherë shtrohet pyetja legjitime: Po pse funksionon pra mediokriteti tek ne shqiptarët dhe nuk e denoncon askush, si të ishte diçka krejt normale?

Pse sharlatanizmi global e okupon gati gjithë hapësirën publike dhe mediatike? Me çka merren shefat e mëdhenj, drejtorët e redaksive, gazetarët e supozuar profesionalë, animatorët kinse me eksperiencë? Por tek ne funksionon anomalia për mrekulli! Me çka merret Akademia e Shkencave, ajo e Arteve, mjediset Universitare? Pse heshtin, pse nuk lëvizin, pse nuk prononcohen, pse nuk i denoncojnë të gjitha këto marrëzira dhe perversitete aq të dëmbshme për Kombin tonë dhe për Rininë shqiptare? A mund të justifikohet apo të pranohet duke u nisur vetëm për nga ana puro profesionale dhe morale parimore? Për mua, JO! A mund të veprohet njëlloj në BBC CNN, në Francë 2 ose 5 apo Arté? E pamundur, sepse janë profesionistë me kulturë autentike, me një përgjegjësi dhe një etikë bazë edukative. Ky nivelizim nga poshtë, ku lloj bastardimi global i çdo fushe të jetës shoqërore, si edukimi, si arsimimi, si mesi politik, kulturor, universitar apo mediatik si është dukuri pothuaj e përgjithshme?! Dhe e pyes veten: Po si nuk reagon askush prej nesh, për të tentuar diçka të logjikshme për ta ndalur, ose së paku, për ta frenuar? Dhe aty, pastaj e kuptoj shumë mire që shoqëritë tona janë të sëmura, nuk janë fare në rregull dhe kanë nevojë për një terapi. Më thoni: Cili njeri i shëndoshë dhe normal mund t’i thotë të keqës e mirë dhe mund ta thërrasin Derrin për Dajë? Edhe çobani i Malësisë e kupton me plot bon sens që nuk mund të jetë për shembull as Serbi, as Rusi, as Greku – vëlla – siç thonin disa prej nesh, ngaqë e demanton direkt vet historia dhe e kaluara politike e këtyre kombeve ndaj nesh. Tani për t’ua faktuar degradimin tonë global, a doni disa fakte konkrete të tjera?

Shikoni me pak kujdes programet e televizioneve shqiptare, në të gjitha kanalet dhe bëni një studim analitik të thjeshtë se çka i ofrohet realisht publikut shqiptar? Debat pas debati, llafollogjira të kota narkotike, lojëra, hajgare dhe humore vullgare, pseudokëngë dhe kompozime të kopjuara patetike, nastradinë, konspiracionistët, telerealitete katastrofike, seriale debile dhe argëtime bazike të pa asnjë vlerë. Asgjë serioze, pos për ta trulluar, për ta droguar, për t’ia pastruar trurin mirë popullit tonë, për ta vendosur në një gjendje amnezike, ku nuk do mbanë në mend asgjë. Bile, ashtu më ndodh mua, sa herë që jam në Shqipëri, kur i shikoj televizionet tona vonë në mbrëmbje, ngaqë flej pak vonë, siç bëjnë zakonisht artistët dhe sinqerisht nuk mbaj në mend asgjë! Jam në një gjendje amnezike… Mirë që më kujtohet emri im dhe adresa ku banoj! Ku është shërbimi publik, informativ, pedagogjik dhe kulturor, për t’i ngritur apo për t’i orientuar deri dikund masat popullore dhe rininë tonë shqiptare? Ku janë ato emisionet analitike dhe kritike të thelluara të stilit ARTÉ? Ku janë emisionet dokumentare, investigimet e thelluara mbi problematikat shoqërore, ekonomike dhe politike, siç i ke në disa kanale franceze dhe angleze? Ku janë produksionet e tyre filmike, në fushën e krijimtarisë, me seriale origjinale shqiptare, me filma televiziv 52 minuta deri në 1 orë për shembull? Pa folur pastaj, për faktin që kanalet e mëdha franceze, angleze apo gjermane i bashkëfinancojnë edhe disa filma të gjatë artistikë që mund të konkurojnë nëpër festivalet kryesore të Kinematografisë, siç janë ato të Kanës, Venedikut dhe Berlinit. Do të thotë që ato televizione e kryejnë me sukses misionin e tyre publik, ngaqë e kanë firmosur një marrëveshje me organet e shtetit dhe jetojnë për disa subvencioneve dhe taksave të qytetarëve, kështu që i kanë disa dëtyrime ndaj nesh. Por atëherë sipas jush, cilin mision e kryejnë të gjitha ato televizione shqiptare… ngaqë të gjitha ato kanale, nuk i ka as Belgjika, as Franca… por Shqipëria e vogël, PO! Por a është për të qeshur nga ironia… i ke 50 kanale televizive, të cilat i japin përafërsisht të njëjtat lloj programesh… ha, ha, ha… do me thënë, që po mbërri te uniformiteti monolitik, si në kohërat e Maksizmit alla Iks e Ypsilon, ose në monolitizmin alla BERLUSKONI me kanalet e tij. Po, ku është lojllojshmëria e ofertës? Janë 100 dyqane, porse e shesin të njejtin mall! Pastaj, mund të flasim për shkollat tona, prej Fillores deri në Universitete? Shikoni ju vetë ato klasifikimet tona në Pisa… Tani, keni para sysh që unë e kam ushtruar atë punë të ndershme  tash ca vite, si profesor i frëngjishtës dhe e njoh bukur mirë atë realitet të hidhur … ( kurse, për mua, profesori edukon dhe transmeton kulturë, dituri, kurse mjeku i shëron sëmundjet e Njerëzimit – pra këto janë dy profesionet të cilat unë i admiroj më së tepërmi dhe të cilat i konsideroj si parësore, për çdo shtet demokratik të shëndoshë!) Por tani, kur në Bruksel (kryeqyteti i Belgjikës dhe i Europës) në Paris, po dalin nxënësit pas ciklit të shkollës fillore, pa e zotëruar, shkrimin, leximin dhe numërimin… çka e zotëronin baballarët dhe gjyshërit tanë perfekt me 8 vjeçaren e asaj kohe në vitet 1930… si mund ta pranosh këtë realitet pa u skandalizuar? Diçka thelbësore nuk funksionon, e pse? Kush e ka fajin? Ministria e Arsimit, stafi pedagogjik, vetë studentët nëpër klasa? Apo çdokush nga pak? Ku qendron logjika e formimit shkollor, kur të del një maturant prej gjimnazi me diplomën e shkollës të mesme dhe nuk e zotëron së pari shkrimin dhe gramatikën e gjuhës franceze, ngaqë në një punim të 1 faqe A.4 me 20 apo 25 rreshte të shkruara, t’i bën mes 10 deri në 20 gabime ortografike ose drejtshkrimore, pas 12 viteve shkollim? E jemi në epiqendrën e Përendimit! A është normale sipas jush? Dhe pos imponimit diktatorial shkollor, me pretekst pedagogjik, ngaqë e ke filan autor brenda programi, nuk ta kanë lexuar 1 libër, me qejfin apo me iniciativën e lirë të tyre… Bile kur ju thoja unë vetë si profesor atyre gjimnazistave të mi belgë: “Keni për ta lexuar këtë libër të Stendalit, apo Balzakut” … luanin mendsh dhe u nervozonin, duke më thënë: “Jo, o profesor, por sa faqe ka… mëshirë të lutem… harroje atë punë… a ke një propozim tjetër pak më cool”?  – He, ju hangërt Kalukënxha të gjithëve! Po çka do bën Belgjika me ju më vonë?  Do me thënë shumë qartë, që libri nuk është më pjesë esenciale e jetës së tyre, pra, nuk është më epiqendra, baza absolute e diturisë (e shoh mirë me djalin tim adoleshent, i cili në krahasim me të tjerët, është një rast unik, super i kultivuar, por jo përmes bibliotekave) ngaqë sot është i zëvendësuar referenca e Librit të shenjtë, nga ekranet dhe imazhet e ndryshme. Dhe kur e ke këtë realitet tragjik në Bruksel dhe në Paris, përpos në disa shkolla ultra elitare, ku shkojnë vetëm klasat e larta, porse aty është vështirë për t’u regjistruar si fëmijë i një emigranti apo punëtori në fabrikë… a kemi se çka shtojmë mbi shkollat tona shqiptare? A mund të m’i rezervoni 5 diploma, për 5 kushëri nga Tropoja? Bile e marr shpeshherë shembullin personal të Bill Gates-it, Bosi multi-miliarder i Microsoftit, i cili edhe pse e ka droguar gjithë Planetin tokësorë me teknologjitë e tia … i ka çuar fëmijtë e tij për studim, në Universitetet prestigjioze britanike, alla Oksford, ku punohet akoma sot pa kompjutera në dorë dhe vetëm me metodat klasike të hulumtimëve nëpër Biblioteka dhe Arkiva. Pra, ua ka imponuar fëmijëve të tij në shekullin 21, një metodë studimi gati antik, por tamam serioz, ultra efikas në fushën e dijes së vërtetë. Ngaqë, e ka ditur shumë mirë, që çfarëdo teknologjie të kesh, nuk mund ta arrish atë rezultat të thelluar përfundimtarë. Prova tjetër: Si janë shkolluar dhe formuar Volteri, Hugo, Dante, Shekspiri, Racini, Molieri, Montaigne, Montesquieu, Rabelais, Ronsard, Erasmusi, Kanti, Spinoza? Me cilat metoda pedagogjike sipas jush? E pra, a mos kanë qenë më pak të ditur, të kultivuar dhe të formuar sesa këta të gjeneratave të sotit që kanë dalur të diplomuar nga Sorbona, Cambrixhi ose Harvardi? Do me thënë, që konkretisht po e formojmë sot, një gjeneratë gjysmë analfabete, e cila nuk i posedon bazat e diturisë, pa folur fare për kulturën e përgjithshme, e cila është e harruar me kohë. Sepse, sot kultura globale quhet informacioni telegrafik i shpjet në google apo në një rrjetë të internetit, ose çka ka thenë filani e fisteku, një “influencues Iks – i kotë”, por i cili i ka disa miliona fansa, që i ndjekin për çdo ditë këshillat e tij në çfarëdo fushe të jetës praktike dhe i cili do paguhet më vonë nga vetë firmat për ta vazhduar atë propagandim publicitar në favorin e produkteve të tyre. Mirëpo, kush janë këta influencues aq të fuqishëm sot? A mos janë Fan Noli, Konica, Frashëri, Fishta, Edgar Allan Poe, Erasmusi apo adoleshentë të vonuar, që nuk dijnë me t’i artikuluar 3 fraza me shkrim siç duhet, ose ku gjendet Holanda apo Suedia në hartën gjeografike? … dhe po na vijnë sot, gjithë ata klouna me mençurinë e Majmunit përsa i përket anës komerciale, shumë fuqishëm, me një program ultragjenial të nivelit të Akademisë së Londrës: për të na mësuar, sesi me u veshur mirë me marka të njohura, me u erëzuar me parfume të shtrenjta të modës, me shkuar në filan butik, me u rrezitur në plazhin Iks, me kërcyer në këtë diskotekë, me e përdorur këtë koktel, këtë drogë, me e shijuar këtë specialitet kuzhinor, me e përdorur këtë teknikë sharmi për vajza apo për meshkuj, me e blerë absolutisht këtë gamë produktesh… Kjo është shumë më interesant se gjithë veprimtaria e Viktor Hugoit dhe Aleksandër Dumait!

Unë po e shoh vet: ka ra niveli i profesorëve, kultura dhe përgatitja e tyre pedagogjike. Nuk e kanë më atë lloj pasioni dhe motivacioni të cilin e kishin para ardhësit e tyre. Sot, po e ushtrojnë atë detyrë arsimore, gati shkel e shkon sa për borxh dhe për ta siguruar rrogën mujore dhe 4 muaj pushime vjetore të paguara nga vet shteti, porse nuk janë aq të investuar, siç ishin dikur… kjo është sot evidente. Po ashtu, ka ra komplet niveli i nxënësve e studentëve. Ndoshta me valën e madhe të imigracionit, por edhe me fëmijët autoktonë të atyre mesave popullore të varfëra, një lumpen proletariat mizerabël, të cilët vijnë nëpër shkolla dhe klasa, pa asnjë bazë minimale të dijes, do bie patjetër automatikisht niveli global i mësimeve, sepse ju duhet pedagogëve dhe drejtorive të institucioneve arsimore për t’iu adaptuar rrethanave konkrete. Këto janë edhe dukuri shoqërore, të cilat po verifikohen kudo sot nëpër shtetet europiane. Kur i ke rreth 10 milionë turq në Gjermani dhe ku me e ditur sa milionë arabë në Francë, kuptohet që me fëmijët e tyre, të cilët flasin më tepër turqisht apo arabisht tek shtëpijtë e tyre brenda familjes, por kur vijnë nëpër shkollat publike gjermane ose franceze, nuk do mend, që do bjerë niveli global i mësimeve. Pra, të gjitha këto parametra lidhen së bashku për ta krijuar më në fund, një kontekst preciz dhe një realitet negativ. Kështu, që nivelizimi nga poshtë është një evidencë, si pasojë e të gjitha këtyre dukurive dhe problemeve të patrajtuara. Por ndoshta faji kryesor është tek Ministria e Arsimit, e cila nuk i ka organizuar gjërat siç duhet, qysh në fillim, me siguri nga mungesa e vullnetit politik dhe e buxheteve kushtuar edukimit shkollor. Sepse, para se me e futur emigracionin apo masat popullore të shkretuara dhe shpeshherë të paformuara siç duhet, me plot defiçite në zotërimin e gjuhëve të huaja, nëpër shkollat fillore apo të mesme normale të një shteti ambicioz Perërdimor, i cili e ka për popullin e tij, krejt normalisht një program pedagogjik të caktuar, duhet për ta verifikuar a i plotësojnë këto masa që i përmenda, disa kushte bazë?… Sepse, nuk ka ndonjë surprizë të madhe këtu… Kur e di nga eksperienca ime personale që një pjesë mjaft e madhe e komunitetëve shqiptare, turke apo arabe, komunikojnë gati ekskluzivisht në gjuhën e tyre amtare brenda familjes dhe janë të abonuar në programet televizive të shteteve të tyre gati gjithë ditën, do të thotë që ua imponojnë fëmijëve të tyre, po atë botë malësore, anadollake apo arabe, në mjedis të Europës Përendimore, por jo logjikën europiane moderne, kozmopolite dhe universale. Tani, kur ti vendos për të jetuar në zemrën e Brukselit, apo Londrës, apo Berlinit, në një sistem mjaft arkaik, ku ka vetëm konservatizëm, getoizim dhe mbyllje këndej e andej, mos u çudit fare që ai lloj programi do i ketë disa pasoja katastrofike për më vonë. Prandaj, kur na vjen një nxënës prej tyre që në klasën e parë fillore për shembull, ai nuk i ka as bazat elementare gjuhësore për ta ndjekur siç duhet programin shkollor belg, apo francez, apo gjerman.

Atëherë, do i duhet mësueses belge për t’iu adaptuar për nga humaniteti dhe për nga ana e tyre demokratike këtyre rrethanave reale, kur i ke parasysh në klasën tënde, gjysmën apo 70 përqind të nxënsëve të tu, të cilët nuk e kuptojnë së pari siç duhet gjuhën e vendit. Atëherë, në vend se me e ndjekur tamam siç duhet programin e Ministrisë së Arsimit destinuar belgëve, apo gjermanëve, ti do e zbresin automatikisht nivelin global të arsimimit dhe kush e paguan atë faturë, ngaqë ky nivel është duke zbritur vit pas viti tash ca dekada?

Natyrisht popullsia autoktone e vendit, fëmijët e atyre shteteve europiane. Pastaj, si mund të jam unë i kënaqur me qenë për shembull babai i një studenti gjerman apo anglez në Londër… kur e di që fëmija im nuk i ka asimiluar bazat e njohurisë gjatë shkollimit të tij? E pse? Ngaqë, asaj shkolle i është dashur për t’iu adaptuar problemeve specifike të popullsive të huaja, të cilat kanë emigruar në ato vende.

Kurse, me një logjikë të shëndoshë elementare, do kishte qenë më mirë, për t’i futur fillimisht të gjithë ato popullata dhe sidomos fëmijët e emigracioneve të ndryshme, në një kurs apo nivelizim të gjuhës gjermane, franceze, angleze apo suedeze, për minimum 1 vit komplet shkollor dhe nëse duhet edhe 2… Dhe në bazë të testeve, pasi që ta kenë zotëruar mirë gjuhen e vendit, me i rifutur nëpër shkollat normale të atyre shteteve, për t’i ndjekur pastaj tamam programet e shkollave europiane, por pa asnjë kompromis për ta ulur nivelin global të dijës. Mirëpo, ai është një vendim puro politik dhe pastaj financiar! Ngaqë, duhet për të krijuar shkolla të posaçme me një staf pedagogjik special dhe i mirëformuar, pikërisht për nivelizimin dhe riformimin e popullsive që vijnë nga emigracionet e ndryshme.

Për mua është një obligim moral krejt i logjikshëm dhe më në fund ia vlen, sepse pastaj do na kushtojë akoma më shtrenjtë. Mirëpo, me një vizion elektoralist afat shkurtër: A do shteti me investuar në atë sektor, a i duket ajo gjë prioritare apo e dorës së dytë? Por me logjikën e klientelizmit politik, do të thotë: “Hajde e t’ia mbaroj qejfin këtij dhe atij, se do votojnë më vonë për mua” do bjerë patjetër kudo niveli global i dijës dhe i shkollimit dhe mua më duket diçka e pa pranueshme. Kur një shtet e privilegjon ekonominë dhe materializmin kundër zhvillimit global njerëzor, e llogarit qeverisjen si një biznes, do e paguajë faturën pak ndryshe më vonë dhe dikur do e kuptojnë pasardhësit e tyre, që ju ka kushtuar ajo faturë 10 herë më shtrenjtë, si pasojë e asaj diagnoze krejt të gabuar, ose të oportunizmit politik të Iksit në një moment të caktuar. “Po i ekonomizoj fiktivisht sot kaq milionë, por do i paguaj disa herë më tepër nesër qeveria e ardhshme… kur do konstatohen dëmet anësore katastrofike”! Kjo quhet “Politika e qëllimshme, e të gjitha problemeve praktike të mirë njohura, por të pa trajtuara… ngaqë, nuk i ka interesuar askujt në ato momente, për t’i trajtuar, për gjithfarë arsye dhe interesash anësore”. Por dikur, ato probleme, që janë njohur mirë qysh kur, do bëhen aq urgjente, katastrofike, saqë nuk presin fare, ngaqë je në prag të eksplodimit… dhe atëherë, deshe apo nuk deshe, të duhet si shtet dhe si qeveri për t’i trajtuar diqysh, pa i pritur Bluezat Jeshile të Francës që ta kanë blokuar gjithë Shtetin për disa muaj, apo Fshatarësinë në prag të revoltës, si në vitet 1789…

Problemi i timung-ut, politik!

Pastaj, duhet folur seriozisht edhe mbi dukurinë e universiteteve apo shkollave superiorë private, që unë i konsideroj në 90 përqind të rasteve, vetëm si një biznes vullgar diplomash. Okay, po fitoj lekë duke mashtuar dynjanë dhe duke shitur diploma… Por ka pasoja të mëdha njerëzore dhe shoqërore kjo punë, ngaqë gjithë ata studentë që dalin prej atyre shkollave, a do punësohen dikur dikund? E me cilat kompetenca objektive? Me të cilat dëme anësore për shoqërinë tonë si rrjedhojë? Pa folur fare për anën morale, legale, apo për problemin e përgjegjësisë sonë kolektive së pari… Ngaqë, fillimisht, a po flasim për formimin arsimor të fëmijëve dhe të nipave tanë, apo jo? A jemi ne prindërit e tyre?  A janë vetë familjet tona shqiptare dikund përgjegjëse ndaj asaj dukurie aq të çoroditur, sepse duke e ditur mire këtë realitet, këtë lloj abuzimi dhe biznesi, ngaqë askush nuk mund të më bind për të kundërten… A jo, të shkretit, nuk e kanë pas ditur fare dhe janë viktima! Jo, e kanë ditur mirë, por e kanë pranuar edhe ata vetë atë sistem të bastarduar. E pse, nuk e pranoj unë, apo ndonjë shok i imi i formuar tamam? Se me qenë ashtu, edhe ne do e kishim blerë një thes me diploma.

Por, më në fund, janë pajtuar edhe një pjesë e familjeve tona me çfarëdo lloj dallaveresh, si të ishte ajo gjë, norma normale shoqërore, sidomos për në botën tonë shqiptare, sepse në Skandinavi apo në shtetet gjermanike, nuk ka shanse për të funksionuar ai lloj sistemi. Por tanëve, nuk ju bën shumë përshtypje ajo anomali evidente dhe prapë i regjistrojnë fëmijët e tyre në ato lloj shkollash! Ndërsa unë, me m’i falur 1 milion dollarë, nuk do e kisha dërguar djalin tim në ato lloj universitetesh fiktive. Sepse, dëshiroj që ka ketë formimin intelektual apo teknik sa më të ngritur, baras me një student të Sorbonës apo të Stanfordit. Tani, së dyti, një përgjegjësi serioze e kanë edhe ato organet tona shtetërore, pra ministritë tona përkatëse, të cilët i lejojnë me siguri kundër disa shpërblimeve financiare të gjitha këto veprime delirante, amorale dhe të pandershme… E prapë, kush i paguan më më fund të gjitha ato dëme? Fëmijët tanë të pa formuar siç duhet, familjet tona, mbarë shoqëria shqiptare, e cila e ka pas ditur shumë mirë atë dukuri që në fillim, porse e ka asimiluar si të ishte një realitet apo një normë normale në këtë vend, kishit me thënë që po flasim për Amazoninë apo Bangla Deshin… Ja pra, se çfarë lloj imazhi kanë shqiptarët mbi veten dhe mbi shtetin apo kombin e tyre! Sepse, sipas meje, ai që e do sinqerisht Kombin e tij, që e ka atë dashuri të lindur ndaj atdheu, që është i formuar dhe i edukuar tamam si njeri me plot dinjitet… ai nuk mund ta tolerojnë atë lloj veprimi, sepse jeton dhe vepron pikërisht për ta ngritur sa më larg imazhin dhe reputacionin e Kombit të tij, e jo të kundërten. A jeni të bindur? Por kur ti nuk e donë së pari vetveten, së dyti Origjinën tënde burimore, Atdheun tënd, ke siç ke, i mirë apo i keq, porse i yti… kur e ke një imazh ultra negativ ndaj vendit dhe popullit tënd, ngaqë je në thelb i kompleksuar: atëherë, e kuptoj që asnjë anomali, asnjë çorodi, asnjë bastardim nuk të bën fare përshtypje dhe do e privilegjosh vetëm mënyrën e fitimit financiar sa më të shpejtë. Porse, për mua, ajo strategji veprimi është de fakto antikombëtare dhe antiatdhetare, ngaqë nuk i shërben interesat e popullit as të shtetit tonë, për një zhvillim profesional dhe shkencor efikas. Dhe mos mendoni që po ju flas me një nacionalizëm alla shqiptar! Në asnjë mënyrë… POR kur e ke dëmtuar qëllimisht arsimin dhe kulturën e popullit tënd: si duhet me të konsideruar? Si njeri shembullor në shërbim të Kombit? E këtu, sipas meje jemi në regjistrin e psikiatrisë. Sepse, në këtë biznes të pahijshëm, patjetër që disa nga pushtetarët tanë, do e kenë marrë fitimin e tyre… mirëpo, a justifikohet tregëtia, me edukatën arsimore, me formimin profesional të fëmijëve tanë? Tamam një skeç i Marx Brothers dhe i Monthy Python, ai humori i zi dhe absurd anglofon, i shprehur me një distancë neutrale të ftohtë, gati klinike. Kështu, që të gjitha këto dukuri shto disa të tjerë, marrin pjesë në këtë cikël të dekadencës globale aktuale. Nuk është mit, por një realitet objektiv që shihet shumë qartë, o lexues të nderuar!

Por deri ku shkon gjithë kjo dekadencë, zotëri Sherifi, i Westernit albanez? – Do pak kohë për t’u koncentruar kjo temë, por po e konsultoj një fallxhore të lagjes! Sepse, imagjinojeni mirë situatën dhe kontekstin e sotit nëpër metropolet e botës dhe në qytetet tona, përmes një pleqërie të shpjetë në Odën e Shpend Sherifit në Bruksel, shefi i Mërgatës së Qyqeve: “O burra, është koha moderne tani, duhet për të lëshuar pé këndej dhe andej, kanë ndryshuar sistemet dhe parametrat, nuk po na dëgjon askush, kanë ra kudo vlerat e dikurshme, normat e sjelljes, kodet morale, kërkesat arsimore dhe profesionale, kriteret shkencore dhe kulturore… sot çdokush po pshurrë dhe po mohon çdo gjë esenciale sistematikisht, ngaqë i ka hipnotizuar kulti i Viçit të artë, bota materiale, dhe e kanë mendjen vetëm në aparatura elektronike, në tableta dhe kompjutera … janë ba njerëzit adiktë, të varur dhe komplet të droguar nga ekranet, interneti, robotika… nuk e dinë se kush janë, as çka mendojnë realisht, nuk kanë asnjë bosht kurrizor, asnjë idé, apo ideologji politike, filozofike, artistike, nuk besojnë asbsolutisht në asgjë, janë nihilistë, oportunistë për të përfituar atë çka ua ofron për një moment rasti… nuk pyesin as nuk lodhen fare për asgjë, nuk kanë shtet, as identitet, as kulturë, as histori, as trashëgimi, as pyetje, as kërkesa, as përgjigje… Notojnë në amnezi, në lekë, në konsum, në dëfrim, në zhurmë pseudomuzikore dhe në seks, në dukje dhe në spektakël narcisik, në klube nate dhe bixhoze… çka mund të pritet prej tyre”?

Kultura e BUZZ –it, informatik… e krijoi evenimentin një Debil i paparë me një zhurmë publicitare, me diçka të kotë, të pavlerë fare, baras me një pordhë, por të cilën e shijuan disa miliona të patru, që kullotin mekanikisht atë çka t’iu jepet nga sistemi aktual komercial, publicitar, teknologjik dhe propagandistik… dhe harrohet direkt Biblioteka e Luvrit, e Aleksandrisë, e Romës apo e Londrës… harrohen Shekspiri dhe Lord Byroni, Jankéléviçi ose Gaston Bachelardi, me veprimtarinë e tyre referenciale, se vjen Justini, Billi, Jimmy, Nora, Lola dhe i fshijnë me pallavra dhe prostitucione të ndryshme për 1 sekondë… ha, ha, ha…

Kjo është shoqëria e sotit, e cila po e pushton gjithë Europën, ndërsa tek ne në Shqipëri këto dukuri janë edhe më të dukshme apo të theksuara, ngaqë nuk mund t’i kamuflojmë me 2000 vite traditë kulturore, siç mund t’i kenë Franca, Anglia, Italia e ca shtete të tjera. Mos harroni, që jemi në kulturën e INFLUENCUESVE, të cilët kanë me miliona fansa bazikë që i ndjekin duke ua dëgjuar këshillat, disa prej të cilëve janë bërë dukuri komerciale të komunikimit teknologjik dhe multi-milionëra për një kohë të shpejtë. Këtu luhet ati inversim apo rrotullim i të gjitha vlerave apo normave që i kemi pasur, respektuar dhe asimiluar tash ca shekuj apo dekada. Dhe kemi hyrë gradualisht në një botë tjetër me të tjera kode dhe norma. Çka e quaj unë ajo Gjenerata e Kim Kardiashianit, Jay Z., Kenny West, Taylor Swift, me disa dishipuj të tjerë, që e kanë kapur super mirë atë botë, atë gjuhë dhe kodet e saj…

Janë natyrisht në nivelin zéro intelektual dhe kulturor, porse e kanë atë inteligjencën e kulluar të lekut, të menaxhimit të imazhit publik dhe të komunikimit… siç e ka pasur shumë kohë para tyre, me 10 shkallë superiore Andy Wahroli në botën e Arteve Plastike. Pra, e ka pas radiografuar perfekt, tamam si me pas qenë një filozof apo një sociolog alla Jean Baudrillard, shoqërinë e atyre viteve dhe e ka kuptuar se çka duan dhe sesi duhet për t’ua ofruar? Atëherë, pse më duhet të lodhem 20 apo 30 vite, me nga 12 orë punë në ditë, si Anjshtajni, Oppenheimeri, Tesla, Doktor Barnardi, Profesor Luc Montagné, për ta shpikur një vaksinë, një shpikje të rr teknologjike apo një raketë atomike kundër një rroge mujore dhe çka po na duhen Marcel Prusti, Faulkner, Albert Camus, Stéphane Mallarmé, André Gide, Jean Giono, Stendali, Balzaku, Emil Zola, Salingeri, Truman Capote, me shokë? Fuck them all, pasi unë i fitova disa mijëra dollarë për dy minuta këshilla narkotike në facebooka po instagram!

Po pra, kjo është bota e sotit, ajo që predominon në hapësirën publike dhe mediatike dhe nuk e kam pas propozuar unë, o miq! Por na u imponua nga oligarkët e sotit, kushërinjtë e Big Brotherave dhe të Silikon Valley-ve, miqtë e financave dhe të burseve planetare, ata të forcave okulte apo të dukshme, të cilat e dominojnë aktualisht shkencën, teknologjinë, informatikën, kibernetikën, inteligjencën artificiale, komunikimin postmodern të shekullit 21, frymën futuriste… Ata janë referenca e sotit! Dhe aty, dihet që nuk ka vend, për çiftin e Skënder Sherifit, as të Migjenit, as të Lasgushit. Duhet ta çojmë në një kamp ri–edukimi dikund nga Puka, Hasi, Mirdita, Malësia e Madhe… Por nga na doli ky idiot, i cili po vjen për të na folur për Pasolinin, Kurozavën, Vermeerin, Cezanin, Lacanin, Bachelard–in, Paul Klee, Klimtin, Barcelonën dhe Realin, Pilavin dhe Kuskusin algjerian… i mjeri ai për mend!

Na flet për Odat e Malësisë dhe kalon tek Allan Ginsbergu: nëse njeh dikush prej jush ndonjë medium të mirë, ndonjë Hoxhë apo Prift të lexuar, do kishit bërë mirë për t’ia dërguar, se a mos do e rikthejnë të shkretin në rrugën e Zotit… dhe do e bëni një sevap të madh me të. Sepse është mjaft simpatik si njeri, e ka një shpirt të mirë pozitiv, e do popullin tonë, studentët shqiptarë, Pleqtë dhe Plakat, është shumë i thjeshtë, i thellë kur duhet dhe i kalon gjërat me plot humor… e mban një farë distance me vetveten dhe gjithë çka e rrethon.

Por fatkeqësisht na ka çregulluar Maji ‘68 dhe Woodstoku… ka nevojë tani për një stazh me çifteli dhe me sharki, me mazë dhe me djathë dhije në një Stan të Bjeshkëve tona. Jemi në kulturën e Selfive, të postimeve nëpër rrjeta shoqërore, në facebook, twitter, instagram, apo tik-tok, cila e pasqyron vetëm narcisizmin tonë tragji-komik, pa asnjë lloj përmbajtje dhe përmes të cilave vetëm se e kamuflojmë boshësinë tonë absolute, zhveshjen globale, mungesën e kujtesës dhe të identitetit, përceptimin konfuz të absurditetit. Dhe me një fjalë: dëshmojmë që jemi akoma të gjallë, diku mbi këtë tokë duke ba diçka banale, krejt të rëndomtë, gati rutinore, por tani ia imponojmë gjithë botës, atë prezencë tonë fiktive dhe siperfaqësore, me mesazhin: JA KU JAM DHE JA ÇKA PO BËJ!… i cili do fshihet direkt pas 3 minutash, ngaqë do vijnë plot imazhe dhe mesazhe të tjera, po ashtu të kota dhe patetike. Kjo lidhet dikund edhe me atë idenë e Andy Warholit “çdokush, pra edhe çfarëdo anonimi mund të pretendojnë në shoqërinë e sotit, të spektaklit permanent, për atë çerek ore fame, me çfarëdo veprimi, edhe ai më debili i mundshëm… por do jetë në qendër të vëmendjes për atë moment të shkurtër”. A po e shihni, jam këtu duke e ngrënë një Cheesburger dhe duke e pi një Koka-Kola… jam duke blerë ushqime apo rrobe në filan dyqan, jam duke pi një birrë, jam duke puthë këtë shoqe në autobus, në park, jam duke luajtur bixhoz, jam në diskotekë, jam duke thithur kanabis, jam me Hasanin dhe me Hysenin në filan vend… kam shkarravitur këtë poezi, kam vizatuar këtë portret dhe jam baras me Rubensin apo Velaskezin, kam botuar një roman, një ese dhe i kam sakrifikuar disa Lisa për diçka të rëndomtë, sa për ta kënaqur egon time… Do me thënë, që po e pësojmë të gjithë, përmes ekranëve dhe rrjetave tona shoqërore, inskenimin permanent të zbrastësisë, të kotësisë, të injorancës, të narcisizmit dhe të absurditetit të një mase njerëzish komplet të trulluar, të çrrënjosur dhe të mjegullosur, të cilët na imponojnë ekzistencën e tyre tokësore perms këtyre kanaleve… Okay, por me çka? Me të cilën materie, përmbajtje, vepër, veprim madhështor, human apo origjinal? Me të cilën dëshmi precize, pleqëri, mesazh, porosi?

Absolutisht me asgjë, me hiçin, me zéron komplete! Por JO! – do më shikoni se jam këtu! Dakort, të pamë dhe ditën e mire… Merre një kafe dhe mos na u duk për disa kohë, të lutemi! Ha, ha, ha… ta marrim me pak distancë humoristike gjithë këtë delirium kolektiv. Na pat thënë dikur një intelektual dhe kineast japonez për popullin e tij, që është në thelb 10 herë mbi nivelin tonë në të gjitha fushat me një histori dinastike mijëvjeçare… nuk ka asnjë krahasim të mundshëm: “ngaqë nuk ishim absolutisht asgjë individualisht, u çmendem të gjithë kolektivisht”! Nëse më kujtohet ishte Nagisa Oshima, i cili ju referonte psikologjisë japoneze, mënyrën e tyre të veprimit, kujtesën e tyre antike, me filozofinë specifike të Samurajve, pastaj të Kamikazëve, diçka që kalonte mes urtësisë budiste, lutjeve nëpër Tempuj, e cila buronte direkt nga mistika e tyre tradicionale dhe egërsia ekstreme, limit një lloj barbarie e pamëshirshme gjatë të gjitha periudhave luftarake. Me idenë bazë që: çdo gjë është në shërbim të kolektivit, të shoqërisë dhe asgjë në shërbim të individit intim privat. Dhe m’u duk super interesante, sesi e përmbledhi gjithë këtë temë me një Frazë! Mund ta bëni një hartim mbi këtë temë, bile do e fitoni një diplomë reale në Tokio… Pastaj, e kemi dukurinë e rrezikshme të gjithë atyre FAKE NEWS – Dezinformimin e qëllimshëm, ku janë mjaft të specializuar Rusët, interferimin në komunikim dhe në fushatat elektorale të shteteve të tjera, Komplotizmin, Fallin, Mashtrimin, Abuzimin, Hacking-un, e ca fenomene të tjera. Por pyetja është: Se sa janë shoqëritë tona dhe sidomos rinia studenteske të përgatitur për t’i analizuar dhe deshifruar përfekt të gjitha këto perversitete të botës postmoderne aktuale? Ose qysh e dallojnë një lajm real objektiv me një pseudolajm të falsifikuar? Problem madhor, ngaqë tek ne, nuk po u jepen fare ato lloj çelsash, për t’i kuptuar gjërat tamam, pa ra viktimë e injorancës apo të manipulimëve të llojllojshme. Unë, siç ju thashë më parë, e kam konstatuar vetë me kohë, këtu në Bruksel, këtë defekt tragjik, ngaqë me sistemin pedagogjik aktual, përmes programeve shkollore të sotit, nuk ekziston fare nëpër klasa, një kurs serioz i analizës dhe të skanimit kritik të informacioneve që na vijnë non stop këtu dhe aty. Pra, atë çka e kam pas njohur dhe praktikuar unë vetë gjatë gjithë jetës sime si në Bruksel, si në Paris. Kurse, sot vetëm rrinë duke gëlltitur në një mënyrë krejt pasive dhe duke riprodhuar gati mekanikisht atë çka ua kanë transmetuar. Pa mendim, pa analizë kritike, pa debat, pa pleqëri… dhe aty qëndron pikërisht problemi. Rinia sikurse publiku në globalitet, po përpij përditë me tonelata informacione dhe imazhe të ndryshme, në një mënyrë krejt pasive apo mekanike, duke i akumuluar ashtu pa lidhje… por pa i kaluar fare në fabrikën e trurit kritik dhe analitik, pa i skanuar, pa i konfrontuar apo kryqëzuar me po ato të njëjtat informacione, por të ardhura nga disa burime të ndryshme, siç do kishte bërë çdo gazetar profesional i “Le Monde – Washington Post – BBC apo France 2”. Pse? Sepse nuk figuron ajo filozofi kritike nëpër programet shkollore aktuale. Pos faktit, që sot nuk ekziston sikurse dikur një kulturë masive globale e pranueshme, një njohuri e përgjithshme korrekte dhe pak mbi mesatarën. Bile e nivelit të një gjimnazisti të mirë! Kështu, që duke na imponuar nëpër hapësirat publike banalitetin, vullgaritetin, kotësinë, gjërat mesatare dhe nën mesatarë dhe duke mos reaguar apo duke mos i denoncuar askush (çka është për mua, një faj moral dhe profesional, gati limit skandaloz dhe i pa pranueshëm) po bie komplet sistemi dhe hierarkia e vlerave dhe po krijohen konfuzione të panumërta në kokën e njerëzve. Kështu, që me kohën, çdo serial turk do vlejë tek opinioni publik, por edhe tek Rinia Universitare më tepër se sa gjithë vepra e Michelangelo Antonionit apo Théo Angelopoulosit. Ngaqë, siç po e shihni, nuk po i kushton askush rëndësi sot bagazhit kulturor, kuriozitetit ose etjes për dituri të llojllojshme… Jemi ba të gjithë pragmatikë, praktikë, duke u fokusuar në një pike apo dy kryesore, të cilat na duhen ne në jetën tonë të përditshme, sa për të fituar lekë dhe siguruar një standard ekonomik dhe shoqëror. Kultura e minimalizmit dhe e ultra specializimit… Kanë mbaruar ato filozofitë e Rilindjeve të dikurshme, ai vizioni multidimensional dhe universalist.

Sot kanë fituar këta të Gjeneratës Silikon Valley, me Elon Muskin dhe Bill Gates, me shokë, dhe po ashtu në politikë, kanë fituar analfabetët bazikë dhe pragmatikë e jo vizionarët me pak ideologji dhe filozofi, ndosha edhe me një shpirt mistik, me një besim preciz në diçka ideale. Aktualisht, po menaxhohen shetet sikurse bizneset private, sikurse Ffrmat, ndonjë Start Up, me atë logjikën puro kapitaliste, nganjëherë edhe radikale, liberalizmi dhe globalizmi ekonomik, alla SHBA, po me atë psikologji amerikane si model ikonik, do me thënë, i diktuar nga ligji i tregjeve planetare, lëvizjet e ofertave dhe të spekulimeve mbi lëndët e para, brenda një fushe planetare komplet të lirë dhe të hapur, pa asnjë kornizë ligjore apo kufizim shtetëror… pra harroni ato nocione të socialit, të rolit dhe intervenimit të shtetit apo të humanizmit, të cilat janë duke u fshirë gradualisht nga “Hard Disku ynë mendor” E pse? Ngaqë sot: “Do vendos veç tregu, leku dhe pike”! Ose alternativa tjetër me populistët dhe ultranacionalistët, të cilët dijnë të luajnë perfekt me emocionet dhe reflekset bazike të masave popullore, të cilat do reagojnë aty për aty, pa asnjë lloj filtrimi kritik. Qysh jetojnë aq gjatë Diktatorët? Duke e krijuar një tension permanent tek populli i tyre… kinse jemi të rrethuar me armiq, të cilët po na rrezikojnë ekzistencën ose sovranitetin, kështu që duhet të bashkohemi brenda emblemës së Flamurit tonë kombëtar e të jemi të përgatitur për luftë. Sipas jush si e mbajnë pushtetin e tyre sot çifti i Putinit apo Kim Jon Hungu? Imagjinoni ato shtete me një paqe dhe qetësi alla Zvicerane apo Daneze! Do kërkojë pastaj populli i tyre kushte dhe standarde të tjera jetese, demokraci dhe liri suplementare, e të tjera, kështu që do vendosen në pikëpyetje sistemet e tyre totalitare. Si e ka mbajtur Enver Hoxha shtetin tonë aq gjatë? Me slogane nacionaliste, me bunkera, me parapërgatitje psikologjike lufte. Pra, jemi rifutur gradualisht në botën binare, lineare dhe bazike… Harrojeni Spinozën, Kantin apo Heideggerin! Pallni dy fraza: “Heil Hitler – rroftë baba Stalin dhe Mao Ce Dung” dhe e keni fituar xhehnetin, një doktoratë në filozof ! Adios pleqëritë e thelluara, nuancat, paradokset, pikëpyetjet dhe filozofitë e pafundme rreth një shishe me verë dhe pak djathëra me shokë dhe shoqe nëpër kafe dhe shtëpi private! Ju vjen Clint Eastwoodi mbi kalë shale, me një pushkë, një batanijë mbi shpinë dhe mbaroi çdo muhabet… të gjitha na u rregulluan!

Ka ndryshuar komplet edhe komunikimi me veten dhe me të tjerët përreth nesh. Cilat janë normat dhe vlerat shoqërore sot? Ku është pra, ajo hierarki e vlerave? Çka vlen çka nuk vlen dhe pse? Çka është për ne e rëndësishme, esenciale, prioritare dhe çka nuk është? Kush e përcakton dhe mbi cilat baza profesionale? Kam pas menduar dikur edhe për këtë fenomenin e dukshëm të modës aktuale, me xhinse të shqyer, si me qenë duke dalur me lecka, arna, një lloj bohemizmi apo kloshardizmi i studiuar postmodern, i inskenuar mrekullisht nga bota e modës dhe e tregëtisë komerciale. Qëllova para ca vitesh në metro me nënën Xhevahire, bijë Vuthajsh dhe dervishe e kulluar dhe po na ulet një vajzë sublime përballë nesh, super në modë me ato xhinse të shqepur sa këndej dhe andej… Dhe po i thotë nëna ime naivisht, por plot humanizëm: “Shikoni, e nderuar vajzë… po e shoh që t’u kanë shqyer pantallonat, po më vjen keq. Nëse nëna e juaj, nuk mund t’ua riparojë mund t’ua qepi unë me plot dëshirë! Jipja djalit tim, se po më dhimbesh”! Ajo ia plasi gazit duke qeshur, po ashtu unë pas saj dhe iu përgjigj nënës sime: “Po në cilën botë jeni, o zonjë? Se kjo është moda e kohës tani”! “Ah po, moda me dalur me rrobe të shqepura. Tek është moda e Shejtanit! Por të bekoftë Zoti”! Por tani, duke e analizuar atë lloj dukurie, cila është domethënia subliminale apo filozofike, psikologjike, e asaj paraqitje? Sepse, kot nuk vjen asgjë dhe çdo gjë e ka sipas meje, një sens dikund, edhe pse nuk e kuptojmë menjëherë! Por pastaj piercinget, tatuazhet, çka na tregojnë saktësisht mbi realitetin e sotit? Për mua të tri dukuritë që i përmenda tani, lidhen me idenë e një “regresioni”, nëse jo krejt koshient dhe i mbizotëruar siç duhet, së paku subkoshient… një lloj rikthimi simbolik në botën e supozuar të lirë të Bohemëve, të Artistave të Parisit, Londrës dhe Berlinit, të atyre hipikëve dhe bitnikëve amerikanë… miti i asaj rrugës legjendare 66, ose “on the road – libri referncial i Jack Kerouakut” me kloshardizëm, gabelhane, drogë, alkool, seks dhe rock and roll, duke i lypur duhan, pije dhe bukë kujtdo nëpër rrugë, duke u zhagitur nëpër bare dhe kafe, duke kërcyer kënd të qëllojnë dhe marrur pak lekë për sevap… ideja e aventurës me atë filozofi: “Je tani krejt i lirë në këto rrobe të shqyera dhe të çliruara, të zgjeruara këndej dhe andej dhe çdo gjë është e mundshme, bile edhe e mirëpritur” dhe moda i adaptohet kësaj shkolle jetësore, i propozon këto lloj normash. Pra, regresi është evident për mua, pos stilit të veshjes aktuale, fakti që po na shtohen edhe piercingjet dhe tatuazhet e ndryshme, duke e ngjyrosur çdokush trupin, lëkurën dhe kokën e tij, si të ishte një pëlhurë pikture apo një hapësirë krijuese, pse jo një “Hapening Life”, një inskenim për spektakël … ju, si e gjykoni atë dukuri? Mua, ma rikujton dikund atë idenë, që po ju afrohemi përseri fiseve primitive, prehistorike tonat, gati me atë logjikë peri-urbane të periferive afër metropoleve ultra të betonuara. Me një fjalë, ato ngjajnë me fiset prehistorike afrikane, indiane në Amazoni, me bushmenët e Australisë… me vizatime, dekorime, piercingje nëpër trup, ose inskenimi i anatomisë sonë, sipas disa normave tona, që janë tamam si një lloj alfabeti i brendshëm, si një shenjë identifikimi mes nesh… Pra, përmes këtij prezantimi Iks apo Ypsilon të vetes: I takojmë këtij grupi njerëzish, filan fisi preciz, kësaj familje, pasi i kemi adoptuar, asimiluar dhe pranuar të gjithë, të njejtat kode dhe norma. Pra, jemi në prehistorinë e lashtë, apo akoma sot nëpër Afrikë apo Brazil pranë lumit Amzonë. Mirëpo, shikoni tani Kardinalët, Peshkopët, Dervishët, Avokatët në Tribunal, Lordët anglezë, a i kanë të njëjtat kostume dhe paraqitje të jashtme? E pse ju duhen ato kostume, çfarë domethënie kanë? Pasi që e kanë diplomën dhe formimin shkollor tamam për atë profesion: Pse ju duhet gjithë ai lloj spektakli dhe inskenimi teatror? Për ta bindur veten, për ta impresionuar publikun? Porse sot, në shekullin 21, të shkencës ekstreme dhe të inteligjencës artificiale, ku njerëzit po synojnë për ta okupuar Marsin dhe ku mjekësia, avancimet teknologjike, apo astronomia kanë bërë hapa gjigantë… është pak paradoksale dhe mjaft e çuditshme, për ta konstatuar paralelisht gjithë këtë tendencë globale, ndoshta më tepër subkoshiente për t’u rikthyer në të gjitha primitivitetet e ndryshme, përmes asaj anës pikërisht fisnore, arkaike dhe prehistorike. Si të ishim duke e rikërkuar dikund atë burimin dhe pikënisjen tonë në fakt, nga një lloj boshllëku, apo mungesë identiteti, rrënjosje në diçka të fortë dhe të sigurt. Ngaqë, me siguri, po e perceptojmë brenda një lloj konfuzioni dhe mjegulle, jo në një mënyrë 100 përqind racionale dhe të qartë, që jemi duke notuar në një lloj zbrasëtie absurde, jashtë vlerave dhe realitetit të vërtetë, pra, që jemi duke flotuar në kozmos… kështu, që të gjitha arritjet tona materiale dhe profesionale, nuk po na mjaftojnë për ta mbushur shpirtin tonë tamam dhe për ta ndier veten mirë në lëkurën tonë, sepse diçka esenciale po na mungon… por çka? Atëherë, më duket mua që instinkti ynë i thellë, ai zëri i brendshëm, na drejton pulsionalisht, tek burimet tona të para. A jemi kushërinj të Kromanjonit dhe Neandertalit? E si shpjegohet ky kundrapunkt aq radikal? Në një anë inteligjenca artificiale ose zbulimi i Kozmosit, mjekësia e imtë ultra-shkencore, kurse në tjetrën anë, prehistoria primitive dhe fiset, familjet antike…? Shumë interesant në fakt! Po, por unë me antenat e mia, e kuptoj. Sepse, besoj që dikund në subkoshiencë, pavarësisht gjithë këtyre zhvillimëve dhe progresëve të hatashme në shumë fusha, po e perceptojmë një boshësi tërësorel në brendësinë tonë, ngaqë na mungon pikërisht pjesa shpirtërore, emocionale, romantike, nostalgjike, ajo që lidhet me fëmijërinë, me familjën me kujtesën, me trashëgiminë, pra na mungon kultura, rrënja identitare, historia jonë precize, bazamenti i vlerave që na kanë përbërë dhe formuar. Dhe duke e ndier këtë zbrastësi, ketë boshësi, këtë çrënjosje totale tragjike, këtë shpirt të pakënaqur dhe të paplotësuar, këtë dhimbje enigmatike të thellë, por pa emër preciz…

Gjithë atë çka nuk mund ta plotëson paraja, as miliardat e Elon Muskit, as NASA amerikane, as bankat planetare… duhet me ju përgjigjur dikund elementit të shpirtit njerëzor, po pra, esencës së Njeriut… por qysh? Me kompjuter? Jo! Por me diçka që qëndron, që ka sens dhe baza të forta! Përpos këtyre anëve materiale dhe shkencore, të cilat i kemi përqafuar natyrisht si një mekanikë veprimi normal, na duhet tani për ta plotësuar edhe atë anën e personalitetit tonë individual, pra të shpirtit dhe të mendjes sonë, të imazhit që kemi ndaj vetvetes. Është diçka evidente dhe krejt e nevojshme në fakt, e cila herët apo vonë do jetë urgjente për ne. Pse? Ngaqë, ndoshta në subkoshiencë, intuitivisht, po e perceptojmë dhe po e përjetojmë në brendësinë tonë, pa ditur mirë për ta shpjeguar racionalisht, që dikund jemi shndërruar gradualisht në qenie robotike, të pa kujtesë, të pa identitet, histori as familje, komplet amnezike dhe absurde, dikund edhe jetime… Tani, na duhet për të reaguar dhe diçka duhet për të ba? Atëherë, si hap i parë, po i plotësojmë të gjitha këto defekte qenësore dhe vakuume ekzistenciale, me të gjitha këto moda, piercingje dhe tatuazhe, a mos do e ndiejmë vetën pak më mirë dhe a mos do na i ofrojë Sherifi 10 qofte Prizreni me një birrë? Për t’iu afruar simbolikisht një grupi, një fisi, një familje, duke iu afruar para-ardhësve tanë, kushërinjëve tanë prehistorikë, duke e rikrijuar ashtu bile në imagjinatën tonë, një përkatësi familjare dhe njerëzore, atë UNITETIN antik dhe atë të LINDJES, të humbur… Pra, tash e pas, ne i takojmë kësaj dhe asaj familje me këto lloj normash dhe kodesh dhe nuk jemi komplet nul dhe të zhveshur, askushi, njerëz të izoluar në kozmos duke flotuar nëpër ajër! Kështu, që me këto moda dhe rite precize, do e krijojë tek ti, një iluzion që je dikund, që je dikushi dhe që përfaqëson diçka, por jo asgjë në rruzullin tokësor…

Është interesant, sepse kur e zgjeron analizën, i sheh për shembull grupet e Rapit amerikan, sesi vishen dhe si prezantohen ata vetë para publikut dhe në cilat vlera identifikohen? Nuk jemi larg asaj logjike. Por e njëjta gjë qëndron po ashtu edhe me gangot e banditizmit, me gangot nëpër shtetet afrikane, Yemen, Siri, Somali, Haiti, Kongo, Irak, me ato grupet e armatosura nëpër furgone dhe rrugë… qysh na prezantohen dhe pse? Po, ato kartelet meksikane, kolumbiane, apo grupet mafioze ruse, kineze dhe japoneze të triadave dhe jakuzave: si na prezantohen? Edhe ata i kanë kodet e veta, shenjat, tatuazhët precize, të cilat ju shërbejnë gati si letër njoftimi i tyre, si pasaportë… “Ky është filani dhe i takon familjes Iks, në këtë zonë, pra kartelit Yspilon, gangit Z, grupit Rap të kësaj lagjeje në Chikago, Detroit, Philadelfia…”.

Atëherë shtrohet pyetja komike dhe pak provokative: Po Viktor Hugo apo Volteri, Luchino Viskonti, Orson Welles, apo Fellini, a kanë pasur nevojë për tatuazhe dhe piercingje?

Po Eqrem Cabej, Aleks Buda, Idriz Ajeti, Ibrahim Rugova, Jeronim de Rada, Lasgush Pogradeci, Gustav Floberi, pse nuk patën nevojë për xhinse të shqyera dhe piercingje në vesh, në hundë dhe një gjuhë? Sepse ma merr mendja që ato personalitete, kanë qenë të plotësuar si persona me një kulturë reale, me një objektiv preciz në jetën e tyre, kanë qenë të okupuar me një vepër ambicioze, me disa hulumtime nëpër biblioteka dhe e kanë ditur se kush janë dhe se çka përfaqësojnë në realitet, kujt i përkasin dhe cili është roli i tyrë në këtë tokë dhe në shoqëri? Kanë qenë atdhetarë, me rrënjë të fiksuara dikund dhe me një identitet të sigurt dhe po ashtu universal, të hapur ndaj gjithë botës, pa rezerva. Kështu, që besoj që nuk kanë pasur nevojë për vathë në çdo vesh, diamante në hundë dhe unaza për çdo gisht, sepse do isha pakur duke qeshur. Por tani, kur nuk i ke të gjitha këto, të cilat janë vlera të thella dhe të vërteta, që simbolizojnë diçka të fortë dhe të qëndrueshme… atëherë, kuptohet që të duhet me i kompensuar të gjitha këto mungesa dhe boshësi, me çfarëdo elementi vizual që shihet direkt, që të huton, që të bjen në sy dhe që të krijon iluzionin, që tani ti je ba dikushi tamam, dhe që i takon kësaj familje dhe kësaj filozofie… Bravo, je një PUNK modern… më mirë sesa asgjë… shikoje shembullin e grupit SEX PISTOLS në Londër: a na kanë lënë një gjurmë dikund në historinë e muzikës Pop dhe Rock? Mirëpo, të gjitha këto moda dhe rryma, nëse do na vazhdon rryma dhe uji 24 orë në 24 nëpër Tiranë dhe Prishtinë, këto lidhen në realitet me gjithë këtë tendencë aktuale, e cila ka filluar tash ca dekada, komplet anti kulturore, anti patriotike dhe universaliste, anti filozofike, anti psikologjike, antimistike, anti hulumtuese, anti njerëzore dhe shpirtërore, anti poetike dhe romantike, por ajo çka është më negativia sipas meje, është më në fund edhe anti-kombëtare… E pra, po ua thotë një person që është natyrisht një atdhetar i lindur, por aq më tepër një Njeri multidimensional dhe universalist dhe siç e dini edhe ju, një anarshisht i lirisë së lirë, i cili për nga natyra e tij, nuk i takon asnjë lloj familje ekzistuese. Për mua, hapja totale ndaj botës, e supozon fillimisht një respekt ndaj gjenezës, origjinës, pikënisjes, do me thënë në praktikë, një dashuri dhe një respekt krejt spontan ndaj atdheut tënd, vendlindjes… por normalisht dhe pa asnjë lloj nacionalizmi!

Kurse aktualisht, të gjitha këto baza njerëzore të shëndosha, këto elemente esenciale të jetës shoqërore, janë të zavendsuar nga rryma aktuale e Spektaklit permanent mbi gjithçka, që shërben vetëm si alibi sa për show dhe drogë kolektive, por me atë pretekstin e informimit. Pa folur për të gjitha posturat teatrore dhe hipokrite fiktive, inskenimi artificial i vetvetes dhe i çdo ngjarje përreth, sforcimi mediatik dhe publicitarë i vulgaritetit dhe i absurditetit, i mediokritetit dhe i mesatarës, i idiotësisë kronike të përditshme, kolonizimi i gjithë hapësirës publike dhe mediatike me kotësira dhe debilitete të pa imagjinueshme, imponimi gradual dhe global i antivlerave, shoqëria e lojërave dhe bixhozeve… e po ndalemi këtu. Ne nuk jemi mësuar në dialog të vërtetë autentik dhe komplet të lirë, pa paragjykime, në debat, në diskutim miqësorë, në konfrontim argumentesh, po flas së pari për shtresën e quajtur intelektuale dhe e supozuar, e mirë formuar, pra, për elitën tone kombëtare. Po pse ? Ngaqë, me siguri tek neve shqiptarët, si në gjithë traditën ballkanike, ka ngelur dikund në subkoshiencën tonë, e regjistruar brez pas brezi, si një trashëgimi gjenetike, ajo psikologjia fisnore, klanore, kanunore, patriarkale antike e dikurshme… Ka folur ai Plaku i Fshatit, i urti i Katundit, Bajraktari i Mirditës apo i Tropojës, ka folur Gjyshi, babai im në odë apo në familje dhe kush ishim neve për ta diskutuar ose vendosur në pyetje? Akoma sot, është e komplikuar në shoqërinë tradicionale shqiptare për ta kundërshtuar Shefin e familjes. Pastaj, pos asaj anës feudale alla antike, na vjen monolitizmi dhe pastrimi tragjik i trurit tonë, nga komunizmi stalinian, i imponuar me dhunë, me propagandë dhe spiunim të globalizuar (me sloganin e famshëm – një spiun për çdo shtëpi!) dhe më në fund, na vjen kapitalizmi i pionierve amerikan, alla Scarface dhe the Gang of New-York … miti jonë akoma i përjetshëm edhe sot: “LAMERIKA and the GOD DOLLAR”! Ku harrohet çdo normë njerëzore, ligjore dhe morale, për ta arritur me çdo kusht objektivin. Me idealin bazik: si mund të bëhem edhe unë sa më shpejt Rockfeleri apo Donald Trumpi? Kështu, që do më vjen edhe mua Jennifer Lopezi për një natë me 1 milion dollarë, ose Demi Moore, si në atë filmin amerikan me Robert Redfordin, çka është shumë afër një farë realiteti. E kam pas thenë shpeshherë, të mirë apo komplet debil, filmat dhe këngët popullore e shprehin gjithmonë një të vërtetë!

Mirëpo në këto rrethana, edhe nëse je doktor shkencash – nuk e pranon asnjë lloj kundërshtumi apo diskutimi… Provojeni ju vetë, me emrat tonë të supozuar madhorë! Pra, si përfundim, duhet absolutisht të mendosh siç mendoj unë dhe të pajtohesh komplet me mua… atëherë do jesh i mirë dhe do pimë një kafe së bashku si pseudo Miq. Por nëse e shpreh një rezervë, një kundërshtim, nëse më vendosë mua në pyetje: nuk do jem kurrë dakort me ty, more idiot… a more vesh? Ose do jesh me mua, ose do jesh kundër meje, dhe automatikisht, je i konsideruar si kundërshtar, pra si armik potencial dhe i trajtuar si i tillë…

Ngaqë, tek ne nuk ekziston ajo distanca kritike dhe njerëzore normale, ai intelektualizmi i vërtetë, ajo kultura e debatit paqësorë dhe miqësorë, por pa kompromis, i bazuar vetëm në argumente referenciale kulturore apo shkencore. Ajo kultura demokratike autentike e bazuar në llojllojshmërinë e opinionëve dhe në të drejtën legjitime për t’i diskutuar dhe nëse duhet edhe kundërshtuar afirmimët e shprehura, pa u ba kiameti… Jo, sepse tek ne vjen në lojë direkt afekti, emocioni, statuti personal, imazhi ynë në shoqëri, rangu që kemi, çka do mendon ky dhe tjetri?… Dhe nuk e marrim atë proces demokratik të debatit të shëndoshë, si një mjet pasurimi kulturor reciprok, me atë distancën e ftohtë normale, sepse ndërfutet aty në rangun e parë, EGOJA!… E pra, tek e fundit, idetë vijnë dhe shkojnë, janë krejt të lira, lëvizin, ndryshojnë ose përforcohen, pikërisht duke u konfrontuar miqësisht me idetë e tjera, pastaj e vërteta nuk është NJË, diçka e fiksuar për gjithmonë dhe e vulosur nga Filani, diçka monolitike … sepse, sipas mikut tim Jacques Derrida, edhe ajo lëvizë non stop në bazë të rrethanave të momentit dhe, vendoset automatikisht në pyetje, po ashtu edhe SENSI i jetës, i gjërave të përditshme, kërkohet, hulumtohet zhvillohet, humbas dhe rivjen prapë ndryshe… E kjo e dallonte komplet me ata filozofët e shumtë, që vinin për të na propozuar një zgjidhje apo një formulë fikse, për t’iu përgjigjur asaj pyetje. Por ajo është një trashëgimi e kulturës të madhe franceze, të cilën e kam njohur dhe praktikuar unë me vite, dhe e cila ka dominuar gjithë Europën, aq më tepër gajtë lirisë absolute të atyre viteve 1960 – 1980, dhe tani unë si shqiptar, pak marsian me siguri, jam fatmirësisht ose fatkeqësisht për disa të tjerë, produkt direkt i asaj shkolle të kritikës dhe të analizës alla franceze, në të cilën ka qenë po ashtu komplet i dashuruar vet Ibrahim Rugova. Ndërsa shqiptarët e zonave ballkanike, nuk e kanë atë lloj profili apo dimensioni të asimiluar apo të natyrshëm dhe është vështirë për ta pasur një diskutim super sinqertë, të lirë dhe të thelluar me ta. Unë vetë, nuk kam mundur për ta pasur së pari me babain tim, produkt i kanuneve dhe i odave malësore. Dhe kjo kuptohet!

Pse? Sepse janë të formuar në një sistem mendimi krejt të mbyllur të një natyre arkaike, ku predominon klani, fisi, zakoni, riti, folklori, tradita e vjetër… pastaj, janë edhe bjeshkëtarë, fshatarë, provincialë, me atë kujtesë individuale dhe kolektive, patriarkale, kanunore, komuniste edhe postkomuniste alla Ping dhe Putin, me atë sfond autoritarë, për mos me thënë totalitarë, në psikologjinë e veprimit. Do të thotë që shqiptarët e Ballkanit kanë evoluar brenda kësaj vije monolitike të imponuar, e jo brenda logjikës të Majit 68. Këtë gjë e shpjegon shumë mirë psikoanalisti Wilhelm Reich me “Psikologjia e Fashizmit”. Dhe më në fund çka ngelet…? Vetëm klisheja siperfaqësore, afirmimi i një slogani, karikatura, ideja apo pseudo ideja e inskenuar në formë spektakli, porse do mbahet në mend vetëm forma, vetëm spektakli i momentit dhe aspak përmbajtja. Sepse, nuk jemi aspak në “Fabrikën artistike apo erotike të Andy Warholit”  në New York, ku vinin Mick Jaggeri, David Bowie, Truman Capote, Velvet Underground, Jean-Michel Basquiat, Patti Smith, Lou Reed, Allan Vega, e plot të tjerë, në një liri absolute, komplet të shfrenuar dhe ndoshta e tepruar, mirë prej të cilës dilnin disa vepra serioze dhe madhore të shekullit 20… Ndërsa, ne jemi vetëm në Fabrikën e amnezisë, të trullografisë, të narkozës dhe të drogës së përgjithshme, pa pasur fare nevojë për të konsumuar kanabis as kokainë… dhe nuk kemi prodhuar asgjë madhështore apo referenciale serioze si popull, përpos 1 ose 2 përjashtime.

Siç duket, na konvenojnë mjegullat ballkanike, të gjitha aproksimacionet në çfarëdo fushe, na mjaftojnë mitet dhe legjendat dhe nuk kemi nevojë, as për shkencën e thelluar, as për historinë profesionale të faktuar mbi arkivat… Na mjafton një këngë patriotike, një flamur, një helmet i Skënderbeut, një përrallë e lezetshme, një rapsodi e një Plaku me sharki… dhe na bind më tepër sesa të gjitha realizimet e Luigjit 14 në Francë apo të Ludvigut në Bavari. Por pasi na pëlqen ashtu, le të vazhdojmë… Jipni gaz, o burra, let’s go! Shpresojmë që rrethet politike, kancelaritë dhe qarqet universitare dhe intelektuale europiane, pasi që do na integrojnë bukur shpejt brenda familjës së tyre të BE -së, jo pse e meritojmë ne me arritjet tona, por për t’iu përgjigjur gjeo-strategjisë politike të tyre, nuk do na pyesin për më gjatë, apo më tepër se aq… sepse, nuk do dimë se çka me ju thënë? Ngaqë, ishim të abonuar gjithë jetën nëpër kafe, e jo nëpër biblioteka dhe arkiva, ngaqë luanim poker dhe domino, në vend se me shfletuar seriozisht ndonjë libër… Po i themi Skënder Sherifit që t’i drogon gjithë europianët me ndonjë poezi dhe pak humor surrealist, që ta imagjinoni ndonjë përgjigje. Dhe nëse nuk mjafton, do ua propozojmë në Parlamentin Europian të Brukselit dhe Strasburgut të gjitha vallet dhe dajret e festivalëve të famshme të Gjirokastrës, duke shpresuar që ashtu do na lënë rehat për disa vite… Arritëm në vitin zero të Barbarisë Moderne… Pshurrëm në 2000 vite art, kulturë dhe civilizim europian, për ta zëvendësuar me cirkusin patetik dhe injorancën e sotit… Ja pafshim hajrin… Shampanjë, o burra, meze dhe raki… trullografi dhe amnezi!

 

Bruksel, me datën 10 Mars 2024 

SKËNDER SHERIFI – nga një planet tjetër!

Please follow and like us: