Agim Çiraku: Investimet në Ishullin e Sazanit duhen parë me pozitivitet
-Sazani nga një ishull i shkretë të kthehet në parajsën e Mesdheut
Agim Çiraku
Kryetar i Shoqatës Labëria “Nderi i Kombit”
“Ishulli i Sazanit është një nga vijat bregdetare më të paprekura dhe unike që kam parë, kudo në botë,” – Jared Kushner.
Këto ditë në media kryefjala e ditës ka qenë dhe mbetet ishulli i Sazanit. Jo vetëm në media, por edhe në biseda shoqërore, fisnore, familjare, debate televizive, politike, mes nxënësve të shkollave apo intelektualë, Sazani lakohet dhe përcillet në mënyra nga më të ndryshmet. Deklarata e dhëndrit të ish-presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner, i cili ka deklaruar se ka projektuar multimiliona dollarë investime në ishullin e Sazanit ka trazuar ujërat e ishullit të qetë. Saktësisht, sipas mediave, Kompania “Affinity Partners” e Jared Kushner është në diskutime të përparuara për tre investime në zhvillimin e pronave në Ballkan që mund të kalojnë 1 miliard dollarë. Firma e kapitalit privat me bazë në Miami, SHBA, planifikon të shndërrojë ishullin e Sazanit në Shqipëri, që më parë ka qenë territori i një baze ushtarake, në një komunitet luksoz eko-resort të markës “Aman”. “Affinity Partners” po kërkon gjithashtu të zhvillojë Gadishullin e Zvërnecit, në Shqipëri, një rajon bregdetar me më shumë se 5 kilometra plazhe me rërë të bardhë. Firma planifikon të shtojë disa resorte kryesore në zonë, me afro 10,000 njësi vilash dhe dhoma hoteli. Këto deklarata sollën furtunën e “Ishullit Sazan”. Për çdo orë dëgjon lajme nga më befasueset, nga më ankthndjellëse, nga më relaksueset dhe nga më të padëgjuarat. Nëse diku flitet për një investim strategjik që do ta ndihmojë bindshëm ekonominë shqiptare, diku tjetër dëgjohet fjala tradhëti, pabesi. Nëse diku dëgjohet një fjalë që dhe Sazani do të marrë jetë, nga ana tjetër dëgjohet se Shqipëria po shitet. Dialog dhe fjalor nga më kontradiktorët.
Po si qëndron e vërteta?
Aktualisht Sazani është një ishull i vdekur. Një ishull pa jetë. Ishulli i Sazanit ka një sipërfaqe prej 5.7 kilometra katrorë dhe shtrihet në hyrje të Gjirit të Vlorës. Sot aty nuk gumëzhijnë më, as repartet e shumta ushtarake, as ish-kinemaja, as nëndetëset, as katër-siluruesit, as ushtarët e marinarët shqiptarë dhe rusë… Mund të thuhet se sot nuk gjen asnjë gjurmë nga hija e rëndë e Zheleznovit. Aty ende ka tunele dhe llogore nga koha kur ishte bazë ushtarake për t’u bërë ballë sulmeve nukleare nga Perëndimi.
Dikur repartet e shumtë, porti, kazermat, qyteza, fortinot, tunelet dhe armët e rënda janë harruar tërësisht dhe vendin ia kanë lënë heshtjes, ferrave, rrënojave, pemëve dhe kafshëve të egra. Gjatë kohës së Luftës së Ftohtë ishulli i Sazanit ka shërbyer si bazë ushtarake detare ku ishin vendosur kryesisht anijet luftarake, artileria bregdetare etj. Gjatë asaj periudhe ishulli ka qenë i banuar nga rreth 10 mijë banorë, të cilët kryesisht ishin familjarë të oficerëve që shërbenin në ishull. gjatë periudhës së “Luftës së Ftohtë”, Sazani së bashku me bazën detare ushtarake të Pasha Limanit, në Orikum të Vlorës, u shndërruan në një ndër pikat kyçe të Ushtrisë së Kuqe Sovjetike dhe asaj shqiptare në Mesdhe. Në vitin 1954 Ishullin e Vizitoi Marshalli Greçko, i cili me atë rast i dorëzoi FUD shqiptare 12 katëra silurus të emërtuar “masa”. Më 14 shkurt 1954, krijohet e para skuadrilje e katerave silurues, e bazuar në Ishullin e Sazanit. Baza e Vlorës u ngrit sipas marrëveshjes dypalëshë sovjeto – shqiptare në vitin 1957. Marrëveshja u konkretizua në vitin 1959, me anë të së cilës sovjetikët pranuan të vendosnin 12 nëndetëse, 4 prej të cilave deri në vitin 1960 do t’u dorëzoheshin forcave të FUD shqiptare, vetëm me ekuipazh shqiptar. Nëndetëset e tjera do të vazhdonin të qëndronin me ekuipazh të përbashkët, deri në vitin 1961.
Pas vitit 1990
Me fillimet e demokracisë ishulli filloi të zbrazet. Deri në vitin 2009 ai ishte thuajse i harruar madje edhe nga vlonjatët. Një ishull magjik në zemër të Labërisë kishte humbur vlerat e tij reale. Para vitit 2010 ishulli Sazan përdorej si vend për stërvitje dhe operacione ushtarake. Tani aty qëndrojnë vetëm disa marinarë, të cilët kanë detyrë t’i kontrollojnë aktivitetet e paligjshme mes Shqipërisë dhe Italisë. Në këtë ishull ndodhet plazhi i vetëm, ai i Admiralit. Ishulli i Sazanit tashmë është një guidë turistike dhe është në dispozicion të turistëve. Sazani ndodhet gjysmë ore larg me traget nga Vlora, porti që pret turistët ndodhet në pjesën lindore. Nga këtu, mund të shkohet në këmbë në bregun perëndimor, ku ndodhet Gryka e Xhehenemit dhe Gjiri i Djallit, që përbëjnë një peizazh spektakolar. Sot kaq mund të thuhet!
Po tani?
Deklarata e Jared Kushne zgjoi nga gjumi jo vetëm politikën, jo vetëm Vlorën, jo vetëm Labërinë, jo vetëm Shqipërinë, por edhe gjithë Ballkanin madje dhe më tej. Për mendimin tim investimi 1 miliardë dollarë që pritet të kryhet në Sazan, konsiderohet si pozitiv për turizmin shqiptar dhe jo vetëm. Sipas atyre që kam lexuar dhe dëgjuar flitet për një ishull që do tjetërsohet. Për një ishull që do të ndriçojë. Hotele, port për vaporë dhe jahte, resorte, plazhe, linja turistike, vila, hotele, rrugë, pista ulje për helikopterë, investime që do ta kthejnë ishullin në një qytezë mahnitëse. Investim nuk do të thotë pushtim. Në çdo vend të botës firmat më prestigjioze investojnë me fitime të dyanëshme. Në tërë këtë investim do të punësohen mijëra punonjës vendas të profesioneve të ndryshme si kuzhinierë, kamerierë, shoferë, muratorë, drejtues mjetesh detare, inxhinierë, elektroaut, ekonomistë, menaxherë, pastruese, peshkatarë, blegtorë, rritës lulesh, mësues, edeukatorë, etj…Dhe kryesorja mbi 95% e të gjithë këtyre punonjësve do të jenë vetëm shqiptarë. Ishulli do të kthehet në një qytezë që do të rrisë ndjeshëm ekonominë e zones, por edhe të vendit. Me këtë sy duhet parë në thelb investimi, ky është dhe mendimi dhe opinioni i operatorëve turistikë. Për mendimin tim ky investim strategjik do të bëjë që turistët e huaj tashmë të mos shohin më nga ishulli i Korfuzit, por nga Sazani. Ishulli jonë ka një pamje piktoreske dhe një pozicion strategjik, që nuk e ka asnjë ishull tjetër në Mesdhe. Në një intervistë për RTSH-në, kryetar i shoqatës së turoperatorëve dhe agjencive turistike, Kliton Gërxhani thotë se duhet të konceptohet ndryshimi i destinacionit të ishullit, nga ushtarak në turistik. “Është emër shumë serioz në tregun botëror. Nëse kjo bëhet siç është thënë, mendoj që ndikojë në zhvillimin e të gjithë zonës”. Kjo është e vërteta e këtij investimi që ne duhet ta përkrahim.
https://telegraf.al/opinion/agim-ciraku-investimet-ne-ishullin-e-sazanit-duhen-pare-me-pozitivitet/