Albspirit

Media/News/Publishing

MANASTIRI I DEÇANIT, ASOCIACIONI SERB DHE DINARI KUNDËR KOSOVËS

 

Vetëm ushtria dhe policia e fortë, zbatimi i plotë e i drejtë i ligjit dhe respektimi i kushtetutës garantojnë pavarësinë e Kosovës.

Nga AGIM ALIÇKAJ 

Zbatimi i vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për dhënien e 24 hektarëve tokë Manastirit të Deçanit ishte i pashmangshëm. Qeveria aktuale e Kosovës nuk kishte zgjidhje tjetër. Ky është edhe kusht për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Nëse Evropa nuk e bën këtë, rrezikon të humbasë edhe grimcat e fundit të besimit tek ajo.

Ky vendim i dhimbshëm për tokën përreth manastirit mund dhe duhet të përdoret për të forcuar ligjshmërinë dhe funksionalitetin e shtetit të Kosovës në të gjithë territorin. Kosova është bërë shembull i ligjshmërisë, demokracisë dhe të drejtave të njeriut. Diplomatët perëndimorë herët a vonë do të turpërohen për presionin e tyre ndaj Kosovës për të shkelur ligjin dhe kushtetutën për të kënaqur dëshirat e errëta të Serbisë.

Ndërtimi i shtetit të pavarur ka qenë dhe është shumë i vështirë për shkak të agresionit serb dhe presionit të padrejtë, joparimor të diplomatëve evropianë dhe amerikanë për interesa të përkohshme gjeopolitike. Qeveria e Kosovës duhet të mbrojë interesat e popullit që e ka votuar. Formula e veprimit është shumë e qartë dhe e thjeshtë. Konsultimi, koordinimi, bashkëpunimi dhe ndërveprimi me ndërkombëtarët, veçanërisht ata amerikanë, për të gjitha çështjet pa cenuar sovranitetin, integritetin territorial dhe funksionimin normal të shtetit. Pikë.

Liderët e pakorruptuar të Kosovës, presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca me zyrtarë dhe bashkëpunëtorë të tjerë qeveritarë, po dëshmojnë çdo ditë aftësitë e tyre udhëheqëse në nivel ndërkombëtar. Akuzat kontradiktore për kinse “prishje të marrëdhënieve me Amerikën” dhe “tradhti kombëtare” nga politikanët e dështuar dhe mediat e shitura nuk janë të pranueshme për popullin inteligjent të Kosovës.

Mbështetja e shumicës së popullit brenda dhe jashtë Kosovës, si dhe mospërçarja, janë garanci për qeverisjen e tyre të suksesshme afatgjatë. Ata kanë zgjedhur rrugën e vështirë të lavdisë kombëtare. Duhet t’i permbahen qendrimeve te veta deri në fund, përndryshe pas gjithë përpjekjeve, rrezikojnë të bëhen si qeveritë e tjera të dështuara.

Kosova ka pranuar dhe është e gatshme të nënshkruajë Marrëveshjen e Bashkimit Evropian. Ky duhet të jetë kompromisi i fundit i Kosovës. Serbia, përkundrazi, jo vetëm që nuk e ka pranuar dhe nënshkruar, por edhe kryeministrja serbe Brnabiq e ka refuzuar me shkrim. Pretendimi se ai është i detyrueshëm dhe se secila palë duhet të fillojë ta zbatojë në mënyrë të pavarur nga pala tjetër është një mashtrim kolosal, i rrezikshëm për ekzistencën e Kosovës.

Deklaratat e diplomatëve të huaj se gjoja të dyja palët janë fajtore për moszbatimin e marrëveshjes janë të padrejta dhe të pabaza. Akoma më e neveritshme është kërkesa për miratimin e Asociacionit Serb para zbatimit të pikave të para të marrëveshjes, ku Serbia është e detyruar të pranojë kufijtë e Kosovës dhe të mos pengojë anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare. Përderisa Serbia nuk e heq Kosovën nga kushtetuta si pjesë e Serbisë, nuk duhet biseduar fare për ndonjë asociacion serb në Kosovë.

Minoriteti serb në Kosovë gëzon të gjitha të drejtat e stolisura me privilegje. Deklarata e emisarit amerikan Gabriel Escobar se asociacioni siguron përfshirjen e pakicës serbe në shtetin e Kosovës është e pabazë. Përkundrazi, asociacioni shkakton humbjen përfundimtare të pavarësisë deri në shkatërrimin e plotë të Kosovës. Ai mendon se zyrtarët serbë kanë kulturë holandeze dhe nuk i kupton lajkat dhe mashtrimet e tyre. Populli i Kosovës i njeh mirë, sepse e ka vuajtur në kurrizin e vet me shekuj.

Çështja e dinarit të fryrë nga Serbia do të ishte qesharake po të mos ishte e rrezikshme për Kosovën. Të gjithë ata që trumbetojnë se minoriteti serb nuk është në gjendje të shkëmbejë dhe përdorë euron, i nënçmojnë dhe ua mohojnë të drejtën për të marrë pjesë në demokraci. Shtrohet pyetja, a duhet Kosova të marrë leje nga Serbia dhe Evropa për të adresuar çdo problem të brendshëm?

Në të vërtetë minoriteti serb në Kosovë është i kërcënuar nga kriminelët e shtetit serb, jo nga shteti i Kosovës. Në momentin kurë të bllokohet plotësisht ndikimi kriminal i regjimit fashist serb në Kosovë, ky minoritet do ta përqafojë pa ngurim shtetin e vet, Republikën e Kosovës.

Dëshpërimi i Evropës për të tërhequr Serbinë nga Rusia i ka mundësuar Serbisë të mashtrojë dhe të luajë me diplomatët e saj. Duket ndonjëherë se edhe “i pëlqejnë” gënjeshtrat serbe. Amerika, për shkak të problemeve më të mëdha, ia ka lënë Evropës zgjidhjen e problemeve me Serbinë në Ballkan. Të dyja së bashku kanë hyrë në një rrugë pa krye. Politika e ledhatimit të agresorit dhe nënshtrimit të viktimës nuk sjell kurrë rezultate.

Serbia vazhdon përgatitjet e saj dhe jeton me shpresa të kota për asgjësimin e plotë të kombit shqiptar. Ata po e shtyjnë zgjidhjen me shpresën që Putini të fitojë në Ukrainë dhe ish-presidenti Trump në zgjedhjet amerikane. Të mjerët nuk e kuptojnë realitetin se asgjë dhe askush nuk mund t’i ndihmojë në aspiratat e tyre të errëta hegjemoniste. Ata e pushtuan Kosovën me dhunë dhe e humbën me luftë përgjithmonë.

Ata që mendojnë se orekset serbe shuhen me Asociacion apo shkëmbim territoresh, ëndërrojnë në ditë me diell. Këto janë vetëm kërkesat e radhës të Serbisë. Në komentet e shovinistëve serbë në X dominon slogani “së shpejti në Prizren”, jo në Mitrovicë. Nga Prizreni e kanë të lehtë të dalin në det sepse përtej kufirit i pret njeriu i tyre Edvin Kristaq Rama. I shkreti, vrapon dëshpërimisht pas Vuçiqit, duke shpresuar se do t’i ngrenë një monument në Beograd bashkë me Jani Kondo-Bimbashin!

Kosova nuk duhet të varet nga mëshira dhe pamëshirshmëria e të tjerëve. Ajo duhet të përqendrohet në ndërtimin dhe forcimin e shtetit ekonomikisht dhe ushtarakisht. Nuk ka nevojë për qyqana dhe humbës. Njerëzit tanë në diasporë duhet të përfshihen në strukturat e vendeve ku jetojnë dhe të rrisin aktivitetin lobues, veçanërisht në Amerikë. Mbi të gjitha shqiptarët duhet të mbajnë familje të forta me shumë fëmijë sepse kombi shqiptar është në rrezik.

Toka e Deçanit që i është dhënë pa të drejtë manastirit është një gjë shumë e dhimbshme. Edhe zogjtë e pishave të Deçanit e dinë se për këtë nuk ka faj kryeministri Kurti dhe qeveria aktuale e Kosovës. Gazetarët hulumtues, politikanë, veprimtarë të ndryshëm dhe sidomos historianët kanë kohë të mjaftueshme për të emëruar fajtorët kryesorë për arsye historike.

Por të gjithë së bashku mund të ndihmojnë më mirë për të gjetur mënyra për ta kthyer këtë humbje në një fitore ose të paktën për ta zvogëluar atë. Ka shumë mundësi për sa i përket dokumentimit zyrtar ndërkombëtar të origjinës shqiptare të manastirit, negocimit me klerin serb për mundësitë e zhvillimit të turizmit aty ku ka ekzistuar prej dekadash, bllokimin e veprimeve antishtetërore në ambientet e manastirit dhe përfshirjen e tij në jetën sociale dhe ekonomike lokale.

Ekspertë të ndryshëm kanë mundësinë të tregojnë aftësitë e tyre. Si deçanas, ekspert i turizmit dhe një nga kontribuuesit kryesorë në zhvillimin e turizmit në vitet e 80-ta, në ndërtimin e hotelit të ri dhe projektimin e kompleksit turistik për turizëm dimëror pranë manastirit me vazhdim në Bjeshkë të Belegut, jam gati të jap kontributin tim në çdo aspekt.

Manastiri i Deçanit është i Dardanisë! Dardania është e jona!

Please follow and like us: