Albspirit

Media/News/Publishing

Mimoza Agastra: Mbi librin “Si erë vjen tek unë” i Rifat Ismailit

Kur mendimi, filozofia dhe jeta bëhen sëbashku, duket sikur lind poezia. Nuk e di pse më erdhi ky konstatim pasi shfletova për herë të parë këtë puhizë vjershore të titulluar nga autori “Si erë vjen tek unë”.
Teksa e shfletoja me padurim, seç ndjeva një freski përshkuese mbi qerpikët e mi që përpëliteshin. Më intrigoi fakti i nisjes së këtij libri me një epitaf për veten.
Në fillim s’po ia gjeja shpjegimin e përzgjedhjes për të qenë i pari në renditje edhe pse vjen  menjëherë pas titullit kaq romantik për syrin e lexuesit kur e hap për t’u prezantuar me të.
E lexova dhe e rilexova disa herë atë poezi ku ti pret të të pushtojë trishtimi dhe paradoksalisht më dha një efekt të kundërt. Kuptova që zgjedhja s’ paska qenë kaq rastësore.
Më kujtoi një shprehje kjo poezi : Prej dheut vijmë e në dhè shkojmë”, dhe fillova të reflektoj për ciklin e jetës si një rreth vicioz që nis në një pikë e përfundon po aty.:.
“Prehen tokë dhe njeri
Nën qiellin mbarsur me vetmi”.
Kuptova alegorinë e poetit për të hamendësuar që jeta dhe vdekja janë kaq pranë njëra- tjetrës, ndaj ndiqe ritmin e jetës dhe ler vepra pas për t’u kujtuar, sepse ;
“dikur ishte një zë kumbues
udhë për të tjerët…
Tani poshtë një guri…”.
Në fakt ngërthyer mbeta këtu sepse po reflektoja në idenë që një poet i vërtetë, vjen nga toka, nga vështirësitë, nga pema me rrënjë të shtrira, nga fryma e revoltës, nga vizioni përtej horizontit. Të gjitha këto koncepte Rifat Ismaili i ka trajtuar denjësisht në këtë vepër poetike në dukje si një vëllim me përmbajtje lirike.
Nuk reshta së përzgjedhuri, kështu rastësisht ndesha një tjetër poezi, (se këtë të mirë e ka kjo vepër, që mund ta lexosh pa rend kronologjik të faqeve) dhe ndalova në një tjetër poezi që përfundimisht më përforcoi bindjen që poezitë e poetit Rifat Ismaili, s’janë veçse poezi me figuracion dhe diskurs poetik, por me një mentalitet universal filozofik, në dukje të thjeshta si elementë por që brenda tyre ti sheh hirin e madhështisë, të personifikuar te Pema, simbol i jetëgjatësisë e vitalitetit duke thënë:
“Pemët janë fotografi e trupit
Monument i rinisë dhe mplakjes
Janë damarët e pasionit…”.
Aty e sheh prehjen dhe nevojën:
“Gjelbëromëni shpirtin
Ju mushkëri të jetës”.
Duke shfletuar kujdesshëm këtë pasuri shpirtërore të poetit njeh jo vetëm atë botën poetike e filozofike por edhe atë racionalen kur thotë:
“Unë e dua dhe përulem
Para gruas
Me vështrim që ndez pemët
E i vë zjarrin burrit…”.
Ky ngjyrim emocional i poetit e shoqëron edhe në poezitë e shkurtra në dukje por që mbartin brenda sintezën e jetës, atë të ringjalljes e të përtëritjes si në poezinë “Pema dashuron çdo pranverë”:
Ca gjethe ranë nga një pemë
Befas zgjoi mendimet e mia
Njeriu vrullon në jetë si erë
Pema nis prapë nga dashuria…”.
Ja pra, ju thashë që në fillim se do të gjeni këtu një miksim të ndjenjave romantike, atdhetare, familjare, filozofike, të përmbledhura në një fjalë të vetme “Poezi”, si në konstatimin e tij pikërisht për këtë term:
“Ti nxjerrësh fjalët
Si florin nga dheu…
Të ruash shpirtin
Përmes urrejtjes”!
( Kjo është poezia për poetin që keni ndër duar)
Vërehet edhe një tendencë e poetit për të  shprehur gjetjet e tija filozofike në vargjet e poezisë me strofa te tipit tercina, apo katrena si poezitë me tituj: “Poezia”, “Miqësia”, “Kafshime”, “Këtë natë”, “Jam diku gjetkë”, “Natyra njerëzore”.
Vjen kaq larmishëm kjo vepër në dukje shumë puhizë, por sa më shumë rrëmon aq më shumë ekspozohesh me furtuna e stuhi mendimesh, ndjenjash, rrokëllimash.
Ka edhe një veçanti tjetër që do e pikasni në mbyllje të këtij vëllimi poetik që po shfletoni, një risi që prezantohet kaq natyrshëm, një poezi me dy mendime poetike, një mozaik emocional shumëngjyrësh, nje duet gjinish të shkrira kaq bukur sa nuk do e dallonit penën respektive, nëse nuk do ta dinit i kujt është vargu. Eshtë pikërisht poezia:  “Çpo ndodh me mua”, bashkpunim nga Ermira Bezati dhe Rifat Ismaili.
E teksa rrëmoj e kuriozuar, pasi ia njoh penën këtij poeti, ndalem së fundmi  tek poezia “Vendi im”, të cilën me shumë vërtetësi do ua konfirmoja që kjo nuk është vetëm e Rifatit, por e të gjithë shqiptarëve të shpërndarë nëpër botë.
E lexova në fakt me një frymë, ndoshta pse doja të ndjeja atë mallin e ertë të nostalgjisë, e të  dashurisë karakteristike të një emigranti për vendlindjen. Ai na e sjell me nota mjaft prekëse siç edhe do ta lexoni, por njëkohësisht edhe do të përjetoni  përpëlitjen shpirtërore të tij që vjen nga vargjet si më poshtë vijojnë:
“Po shkoj të gjej në errësirë
Një grusht dritë për shpirtin tim
Në heshtjen e thellë të natës gri
Dashuria për ty më vesh me shkëlqim”.
Poeti emigrant duket se ka marrë me vete vetëm trupin e shpirtin e ka lënë peng atje… ku ai gjunjëzohet përpara  madhështisë së vendit  të  tij, duke mos e  kursyer grindën patriotike ndaj disa njerëzve që  shpërfillshëm po tentojnë tia prishin imazhin atdheut, për të cilin  ai shpërthen:
“Vendit tim të thyer në gjunjë
Nga tradhtarë, njerëz mizorë, të pa fe.
Me sëpatën e hakmarrjes do ti mund
Që si dikur, i bukur të jesh atdhe!
Pishtari yt do jem gjer në fund
Dhe penën në shqipen e artë do të ngjyej
Tokë e det me thirrjen time do të lëkund
Të begatohesh, të jesh i përkryer”.
Ja pra, ky tërmet ndjenjash atdhetare,  fle  jo vetëm në shpirtin e poetit Rifat Ismaili, por në zemrën e çdo emigranti që aspiron shenjtërimin e emrit të atdheut të tij për të cilin poeti na betohet:
“Me një kalë me flatra kuq e zi
Pas demonëve do rend me tërbim
Gjersa fitimtar të kthehem në shtëpi
Dhe nderin t’i kthej prapë vendit tim”.
Do të doja shumë që mendimeve të mia, t’i mbivendosnit edhe tuajat për t’ia lexuar edhe ato të pathënat e shpirtit të këtij poeti që na i ka lënë ne t’i mendojmë, ndër vargjet e pashkruara.
Ju uroj lexim të artë e poetit frymëzime të reja në rrugën e bekuar të kësaj letërsie, ku ai vetë tashmë e ka zgjedhur si  oazin e tij të paqtë.
 29. 3. 2024.
Please follow and like us: