Astrit Lulushi: Dashuri dhe frikë
Pas një diktature 45 vjeçare, më e keqja që bota e civilizuar ka parë – ku njeriu në gjendje natyrore u bë i zymtë, i errët, i vrarë, i ngrysur, si ai që sapo kishte dalë i kërrusur nga nëndheu ose nga turni i tretë – gjithçka u çlirua.
Pastaj dolën udhëheqësit e rinj dhe së pari pyetën veten: “A është më mirë të duhem apo të jem i frikshëm në qeverisjen e tyre”?
Dikush dëshiron t’i ketë të dyja, por, për shkak se është e vështirë t’i bashkosh në një person, ata ndjehen më të sigurt të jenë të frikshëm sesa të duhen.
Është për t’u pranuar në përgjithësi, se diktatorin shumë vetë e kishin frikë, por ata që i shërbenin dhe “shokët” që vrau, e donin. Kur ish zyrtarët e tij sot thonë se e urrenin, ngjan me një film sci-fi, sepse tregohen mosmirënjohës, të rremë, frikacakë, lakmitarë dhe për sa kohë gjënjeshtra e tyre besohet, ata kanë sukses, fitojnë votat dhe bëhet udhëheqësit tuaj; dhe ju ofroni gjakun, pasurinë, jetën dhe fëmijët e tuaj, siç bënit me tiranin e shkuar, hijen e të cilit ngjallni.
Ndërsa lideri që, duke u mbështetur tërësisht në premtime, lë pas dore masat e tjera paraprake; sepse miqësitë që fitohen me pagesa dhe jo nga madhështia apo fisnikëria e mendjes, mund të fitohen vërtet, por ato nuk sigurohen. Në kohë nevoje nuk mund të mbështetesh; njerëzit kanë më pak skrupull për të ofenduar atë që është i dashur sesa atë që është i frikshëm; dashuria e tyre ruhet nga lidhja e detyruar, e cila, për shkak të poshtërsisë prishet dhe frika e dënimit nuk dështon kurrë. Megjithatë, një udhëheqës duhet të ngjallë frikë në atë mënyrë që, nëse nuk fiton dashurinë, të shmangë urrejtjen. Të mbajë duart larg pronës së të tjerëve, sepse njerëzit më shpejt harrojnë vdekjen e prindit sesa humbjen e trashëgimisë së tyre. Veç kësaj, akuzat për vjedhe të fondeve nuk janë kurrë të munguara; sepse ai që ka filluar të jetojë me grabitje do të gjejë gjithmonë pretekste për të kapur atë që u përket të tjerëve.
Ndër veprat e mrekullueshme të Hanibalit renditet kjo: që pasi udhëhoqi një ushtri të madhe, të përbërë nga shumë raca të njerëzish, për të luftuar në vende të huaja, mes ushtarëve nuk kishte mosmarrëveshje as midis tyre, as kundër komandantit. Kjo lindi nga asgjë tjetër veç mizorisë së tij çnjerëzore, e cila e bëri atë të nderuar dhe të frikshëm, por pa atë egërsi, virtytet e tij të tjera nuk ishin të mjaftueshme për të prodhuar këtë efekt. Dhe historianët dritëshkurtër i admirojnë veprat e tij nga një këndvështrim dhe nga një tjetër dënojnë shkakun kryesor të tyre. Shumë njerëz dinë shumë më mirë të mos gabojnë sesa të korrigjojnë. Duke iu rikthyer çështjes së të qenit i frikshëm apo i dashur, vimë në përfundimin se siç thotë Makiaveli, “njerëzit duke dashur sipas vullnetit të tyre dhe duke u frikësuar sipas vullnetit të atij që është në krye, duhet të përpiqet vetëm të shmangë urrejtjen”. Sigurisht ai fliste për kohën e tij të shekujve XV-XVI, kur mbretëritë dhe titujt trashëgoheshin, pak ndryshoheshin dhe vazhdonin, sido që të ishte mbreti – i dashur a i frikshëm. Fatkeqësisht, kjo është çështje e pazgjidhur edhe sot.