Albspirit

Media/News/Publishing

Natasha Lako: Për gjyshen time, Frosina!

Për Frosina Lakon, gjyshen time që dha frymën e saj të fundit, në 16 gusht të vitit  1986, e di se i kushtohet thellë-thellë gjithçka shkruaj, përveç dedikimeve direkte, ku mbetet poezia “Për erën e borzilokut” dhe atë që më tregoi përrallat e parapërfshirë te ‘Natyre e qetë” 1990. Për mua ajo përmbante një shekull të tërë, ku unë gjendesha rastësisht.

Por enigma e bukurisë së Frosinës është e pafund. Nuk kam lënë libër pa kërkuar në botë, për të gjetur ku dhe si fshihej ky emër nëpër libra ku tjetër së bashku me kuptimin si enigmë…

Vetëm tani vonë, kur edhe në lidhje me femrën bota mitologjike po interpretohet nga e para, zbulova se ky emër trashëgohej nga një prej tre fëmijëve që Zeusi pati me një prej perëndeshave mitologjike. Dhe ishte martuar me atë që do të ishte gjyshi im, një Perikli. I takonte të ishte një pasardhëse perëndeshash.

E tillë ishte edhe kur rrinte 96-vjeçare e ulur në gurin si sofat, para portës së shtëpisë. Frosina Lako është një mitologji e pazbuluar ende. Askush nga familja jonë e gjerë nuk u kujtua deri sa ndodhi Covid-19, të përmende gripin e tmerrshëm spanjoll që shuajti shumë familje  bashkëshortë, bashkëshorte, nëna dhe fëmijë, që të takoheshin edhe dy vejanë me njeri-tjetrin si gjyshi dhe gjyshja ime. Pastaj letrat e rralla që duhet t’i dërgonin njeri-tjetrit, nga Korça në New Jork dhe nga Xhejmstauni në Korçë, me atë shqipen e mrekullueshme që nuk dinin ta shkruanin mirë. Si i kishte mësuar përrallat ‘Kësulëkuqja’ dhe ‘E Bukura dhe bisha’ që deri sot rixhirohen si filma, është një enigmë tjetër. Ndoshta i kishte dëgjuar nga katragjyshja ime.

Nuk fliste shumë dhe nga fundi dëgjonte shumë pak, atje e ulur te guri i një tradite mijravjeçare, që për ata që s’e dinë përkthehen si vend për thashetheme korçare, armike të para të sistemeve të konsoliduara. Nuk është folur pothuaj fare për demostratën e shtatorit të vitit 1943, ku u plagosen mbi 153 vetë, një prej tyre edhe Frosina Lako, pasi gjithë vëmendja vazhdon të kthehet deri sot, te demostrata e 8 Nentorit 1941, pavarësisht se ata që u korrën dy vjet më pas njëherë e mirë si edhe më vonë një prej djemve të saj ishte me të shumtët. Nuk fliste shumë dhe nuk ia kam dëgjuar të gjitha. Por kam dëgjuar tërë jetën të rënkonte, nga dhimbjet që i shkaktonin ciflat e murtajes, që nuk kishin arritur t’i nxirreshin nga trupi të gjitha. Dhe përsëri zërin e ëmbël të përrallave.

Gjyshe si toka, e heshtur, me dhimbje, por dhe me plot lulëzime. Më vunë të shtypja po në gur kafene e përcjelljes, me një vare që ndoshta ishte që prej kohës së gurit. dhe ky ishte një nderim, po të mendoje bluarjet e tjera artizanale. M’u grisën duart, duke thënë “nënë ti e meriton”!

E arrita në grahmat e fundit, duke u nisur nga ky Pogradec në Korçë, po si ditën e sotme, por 38 vjet më parë, atëhere kur nuk festohej dita e Shën Marisë, më 15  gusht të vitit 1986.

Please follow and like us: