Luan Rama: Duke shkelur mbi shi…
Luan Rama ka lindur në Tiranë në janar të vitit 1952. Ka mbaruar studimet universitare në Tiranë në Fakultetin e Shkencave Politike, për gazetari si dhe në Universitetin Parisi VII – “Denis Diderot” në Paris për audiovizual, komunikim dhe kinematografi.
Fillimin e karrierës së tij profesionale e pati në studiot kinematografike “Shqipëria e Re”, në vitin 1975, ku për 13 vjet radhazi shkroi rreth 40 skenarë të filmave dokumentarë (“Eposi i kreshnikëve, “Mos harroni” (për Mathauzenin), “Pranvera dy hapa afër”), 4 skenarë të filmave me metrazh të gjatë (“Vajzat me kordele te Kuqe”, regjisor G. Erebara, “Prilli i hidhur”, regjisor M. Fejzo, “Dëshmorët e Monumenteve”, regjisor F. Hoshafi, “Në Prag të jetës”, regjisor G. Erebara) dhe 15 filma vizatimorë (“Dy Gostitë”, i vlerësuar me çmim ndërkombëtar). Njëkohësisht është angazhuar dhe si gazetar në Shqipëri apo dhe në Paris, ku në vitet 1995-1997 ishte redaktor në “Courrier International”.
Më pas u angazhua në fushën e diplomacisë, ku gjatë viteve 1997-2001 ishte ambasadori i Shqipërisë në Francë, në Monako dhe në Portugali, si dhe përfaqësues i presidentit të Republikës në Organizatën Ndërkombëtare të Frankofonisë.
Në vitin 2002 është nderuar nga presidenti i Republikës franceze Jacques Chirac me dekoratën e lartë “Grand Officier de l’Ordre National de Merite”, (Oficer i Madh i Urdhrit Kombëtar te Meritës). Gjithashtu i është dhënë dekorata “Naim Frashëri” nga presidenti i Republikës, në vitin 1986 si dhe ka marrë në vitin 2014 “çmimin e Frankofonisë”.
Në vitet 2002-2006 ka qenë zgjedhur nga organizata e Frankofonisë në forumin e lartë të saj “Këshilli i Lartë i Frankofonisë”, ku shumica ishin ish-kryeministra, ish-ministra të Jashtëm dhe akademikë francezë. Gjatë kësaj periudhe ka drejtuar misione të vëzhgimit të zgjedhjeve në disa vende frankofone si në Madagaskar, Kongo Brazavil, Ishujt Maurice, Guiné Bisao (i dërguar nga OKB-ja) etj.
Ka marrë pjesë në shumë kolokiume e konferenca ndërkombëtare rreth Ballkanit në Paris dhe vende të tjera. Që prej disa vjetësh jep mësim në Institutin e Gjuhëve dhe të Qytetërimeve Orientale në Paris (INALCO) mbi gjeopolitikën, për Historinë e Shqipërisë dhe “Mbi traditën dhe modernitetin” – Master).
Çmime
“Personaliteti frankofon i vitit” nga Ministria e Punëve të Jashtme, 2015
Çmimi i letërsisë për Fëmijë, Panairi i Librit, Tiranë, 2016, për librin “Më quajnë Aleksandër Moisiu”
“Njeriu i Vitit” nga Fondacioni “HARPA”, 2017
Çmimi për Letërsinë nga revista “Pelegrini” 2017 për esenë “Muaji i fundit i Arthur Rimbaud”
“Aleksandri i Madh” në Salaminë të Greqisë nga Komiteti grek i Unesco-s dhe ”Café des Idées”, 2017
“Kurora e artë e poezisë”, në “Netë të poezisë korçare”, 2018
Çmimi i vitit i letërsisë për fëmijë (libri didaktik) nga Ministria e Kulturës, 2019
Vepra
Ka botuar rreth 50 libra (pa përfshirë përkthimet e shumta nga frëngjishtja në shqip e anasjelltas), ndër të cilat shumë ese, si: për François Mitterandt, Gjenerali De Gaulle, për figura të ndryshme të artit si Arthur Rimbaud etj., për themeluesin e simbolizmit francez Jean Moréas, me origjinë arvanitase; dozhët Durazzo; për piktorin Abedin Dino, piktorin Omer Kaleshi apo për artistin e shquar poetin, kineastin, piktorin dhe dramaturgun e njohur francez Jean Cocteau. Veç disa librave të tjerë si “Parisi letrar”, “Dorëshkrimet e Purpurta”, “Pont entre deux Rives” (Ura midis dy brigjeve), ai ka shkruar dhe dy romane: “Santa Quaranta” (për balerinën Isadora Dunkan gjatë qëndrimit të saj në Shqipëri) apo “Camera obscura-Origjina e botës” etj. Eseja “Udha e gjatë në tunelin e Platonit”, botuar në Francë, është vlerësuar me çmimin e Shoqatës së Shkrimtarëve të Gjuhës Frënge, në vitin 2002. Gjithashtu ka botuar në Francë vëllimin poetik “Couvrez-moi avec un morceau de ciel” (Mbulomëni me një copëz qiell), “Territoret e shpirtit”, “Leon Rey, zbuluesi i Apollonisë”, “Pont entre deux Rives” (Ura mbi dy brigje) etj.
Është vlerësuar me çmimin europian të Shoqatës së Shkrimtarëve të Gjuhës Frënge në vitin 2002 për esenë në frëngjisht “Udha e gjatë nën tunelin e Platonit”. Ka shkruar gjithashtu skenarin e filmit “Omer, shtërgu nga Ballkani” me regji të E. Musliu dhe E. Ibro (2004), skenarin e filmit dokumentar “Marko Boçari-një mit për Europën”, e D. Muçit etj.
Në vitet e fundit ka shkruar disa libra historikë si “Shqipëria në kohën e luftrave bizantino-normande”, “Kalorësit e Stuhisë”, librin “Bonjour d’Albanie” mbi ushtrinë franceze gjatë Luftës së Parë Botërore dhe “Shqipëria e konsullit francez Auguste Dozon”, i cili bëri të njohura pasurinë e përrallave dhe të kulturës e gjuhës shqiptare në Francë në vitet 1880.
Vitet e fundit ka botuar gjithashtu “Tek Frankët”, mbi emigracionin shqiptar në Francë; “Shqipëria në luftën bizantino-normande”, “Në udhëkryqet e kohës I, II, III”, “Korrespondenca Paris-Tirana”, “Bonjour d’Albanie”, “Shqiptarët e Léon Gérôme” (Les Albanais de Léon Gérôme) libër dygjuhësh shqip-frëngjisht apo “Shqipëria dhe shqiptarët në piktorët francezë të shekullit XIX”; “Territoret e shpirtit”, poezi, botuar dhe në frëngjisht e në greqisht; “Përballë tablosë”, ese; “Vjeshta e Alberto Savianit”, tregime; “Durazzot – dozhët e purpurt”, histori, ribotim i plotësuar; “Legjenda shqiptare” ; librat për fëmijë “Udhëtim në botën e pikturës ”, “Më quajnë Aleksandër Moisiu”, (dhe një seri librash të tjerë në këtë kolanë si: “Më quajnë Skënderbeu”; “Më quajnë Dora d’Istria”; “Më quajnë Ismail Qemali”; “Më quajnë Ibrahim Kodra”; “Më quajnë Mbretëresha Teuta”; “Më quajnë Tefta Tashko”, “Mbretëresha ilire Teuta” etj.). Po kështu dhe librin për verën: “Vera, ky nektar i hyjnive dhe i njeriut”.
Ka përkthyer nga frëngjishtja në shqip dhe nga shqipja në frëngjisht rreth 15 romane, vëllime poetike, libra ese, ndër të cilët: “Dozon – le consul qui aimait les contes albanaises, En Grèce avec les arvanites” etj.
Së fundi janë botuar dhe librat me tregime “Vjeshta e Aberto Savianit”, vëllimet poetike “Les territories de l’âme”, në Francë, libri “Epistolari i Zaratës” i botuar gjithashtu në Francë e në Australi (Zaratha’s Epistolary), “Mbresa parisiane” etj.
Është botuar në shqip, frëngjisht, anglisht dhe greqisht.