Albspirit

Media/News/Publishing

Premierë botërore “Morea” për Violinë dhe Orkestër Harqesh

Thoma Simaku, Fitues i Çmimit të Ministrisë së Kulturës 2022

Ditën e Premte, 27 Shtator 2024, në Teatrin e Operas dhe Baletit në Tiranë do të jepet Premiera Botërore e veprës “Morea” për Violinë dhe Orkestër Harqesh e kompozitorit shqiptar me banim në Angli Thoma Simaku – fitues i Çmimit të Ministrisë së Kulturës 2022.

Solist është violinisti shqiptar me banim në Zvicër Leonard Simaku me Orkestrën e Operas dhe Baletit nën drejtimin e dirigjentit polak Rafał Janiak. Siç shkruan kompozitori në një postim të tij në Facebook “ishte një surprizë tepër e këndshme për mua kur mora vesh që Rafał Janiak do të drejtonte Orkestrën e Operas dhe Baletit në këtë premierë botërore.

Rafał Janiak ishte dirigjenti i Orkestrës Kombëtare të Polonisë, Warsaw Philharmonic, në Premierën Botërore të Koncertit tim për Orkestër në natën e fundit të festivalit “Vjeshta e Varshavës” më 2013.

“Koncert për Orkestër” i Thoma Simakut fitoi çmimin e parë në konkursin ndërkombëtar të shpallur nga Ministria e Kulturës e Polonisë me rastin e 100 vjetorit të lindjes së kompozitorit polak Witold Lutosławski. Kjo vepër u zgjodh nga 160 kompozitorë që konkuronin anonimisht nga 37 vende të ndryshme.

Për veprën e re, premiera e së cilës do të jepet ditën e premte, kompozitori ka dhënë këtë prezantim:

“Ideja kryesore për këtë vepër buron nga një këngë e lashtë popullore, e cila e ka origjinën në Italinë e Jugut dhe këndohet edhe sot e kësaj dite nga komuniteti arbëresh, paraardhësit e të cilit u vendosën në Mbretërinë e Napolit rreth 500 vjet më parë. Në fakt, kjo është një këngë që mishëron një kulturë të pasur muzikore të ruajtur me aq zell të këtij komuniteti – një nga pakicat etnike më të vjetra në Itali. Ky kompozim mund të përshkruhet si një udhëtim imagjinar ku aspektet antike dhe moderne të shprehjes muzikore ndërthuren dhe plotësojnë njëra-tjetrën. Ky është një koncept kompozicional që e kam trajtuar në mënyra të ndryshme në krijimtarinë time, veçanërisht në veprat e viteve të fundit. Por në këtë pjesë, e cila përbëhet nga dy seksione të artikuluar mjat qartë, idioma e ashtuquajtur ‘atonale’ qëndron ‘krah për krah’ me idiomën tonale që rrjedh nga kënga arbëreshe ‘Moj e Bukura Moré’ – aq e dashur për të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen. Marrëdhënia ‘stilistike dhe kompozicionale’ e këtyre dy idiomave, që në thelb ‘kundërshtojnë’ njëra-tjetrën (në kuptimin që atonaliteti lindi si reaksion ndaj tonalitetit), mund të përshkruhet fare mirë si një ‘bashkekzistencë paqësore’, si dy anë të së njëjtës ‘monedhë’. Por këtu do të shtoja që melodia këngës ‘Moj e Bukura Moré’ është një ‘monedhë prej floriri’, që ka rezistuar ndër shekuj dhe do të rezistojë ashtu siç reziston floriri”!

https://alb-spirit.com/2024/09/26/thomas-simaku-world-premiere-of-morea-for-violin-string-orchestra/

Please follow and like us: