Sadik Bejko: At Ali Tomori dhe Bektashizmi në Tepelenë!
Tema e këtij kumtimi është “Baba Ali Tomori dhe bektashizmi në Tepelenë”. Duke marrë shkas nga një kërkesë e tillë, do të dëshiroja shumë që ta shihja At Ali Tomorin përtej teksteve dhe librave të tij, ta zhvishja nga rroba e letrarit me të cilën vjen sot me tre libra të vëllimshme, vjen me një profil prej poeti, monografi, eseisti, prej përkthyesi, filologu e filozofi, vepër që në tërësi arrin te njëmjë faqet, krijimtari që e sjell atë si një personalitet letrar të kohës dhe të përtej kohës së tij. Të shkoja te ai kleriku bektashi në fshatra të humbura, te mistiku i përkushtuar në besim deri në mohim të egzistencës së tij. Ta ndaja, të kisha një baba bektashi në njërën anë dhe një shkrimtar të përkushtuar në anën tjetër. Kjo nuk është e mundur, ndaj mbetemi peng në vizatimin e plotë të një figure si e atij. Nuk do ta dimë kurrë ku merrte fill kleriku bektashi e ku ngjizej shkrimtaria brenda të njëjtit njeri.
Ne të sotmëve na duhet, na tërheq vetëm letrarësia e tij… jo aq dhe besimi i tij. Kjo ndodh se për një traditë pozitiviste të studimeve tona letrare, familja, koha, vendi marrin rëndësi në përcaktimin e sfondit të studimeve letrare. Kështu veprohet me të gjithë autorët që kanë lënë trashëgimi letrare me vlerë, ata analizohen si prodhues tekstesh në prozë letrare, shkencore, në poezi a eseistikë. Autori që sot marrim në shqyrtim ka qenë ushtrues i poezisë, i prozës erudite, i asaj publicistike dhe letrare. Profesioni e përkushtimi i tij parësor në jetë nuk ka qenë letrari, përthyesi, ka qenë kleriku, ushtrimi i riteve dhe i detyrimeve fetare te përdtëshme që ka një udhëheqës fetar, një drejtues teqeje. Jeta prej letrari dhe dituraku është jeta e dytë e tij.
Deri në fund të jetës mbeti një fetar i përkushtuar. Ka jetuar 20 vjet si drejtues i teqesë së Kulmakut, në qafë të malit të Tomorit, teqe që mbulohej nga bora e nga akulli për disa muaj në vit dhe të banoje atje do të thotë të mbeteshe larg, i izoluar nga çdo takim me njerëzit, me botën. Paralele me jetën e tij mund të gjesh te izolimi për 17 vjet i dom Ndre Mjedës në fshatin Kukël, midis dy kënetave. Dhe Ndre Mjeda dhe Ali Tomori (pa vënë barazi midis tyre) ishin në nivele inlelektuale të konsiderueshme, autorë me libra, me studime shkencore, me nga dy-tre gjuhë të huaja. Si duket, në vitet ’30 edhe po të ishe njeri i sferës së lartë intelektuale, mund të mos e gjeje dot veten pranë qendrave ku zhvillohej jeta e gjallë intelektuale.
Ali Tomori shkrimtar jetoi përjashta kohës së tij. Pa mjedise intelektuale pranë, pa gëzime të tilla. Prodhoi materje intelektuale, poezi, ese, publicistkë, meditime filozofike… por mbeti një i mbyllur në një shpellë të malit të Tomorit.
Ai mbajti të ndezur qiririn e besimit të tij në një vend ku bujtnin retë erërat, bora, akulli dhe ulërimat e egërsirave në dimrat me borë të rëndë. Ky përkushtim, ky dorëzim i përulur te një mision i lartë, kjo braktisje e gëzimeve tokësore, kjo jetesë prej asketi, kërkon një kalitje shpirtërore që vetëm fetarët misionarë e praktikojnë. Atë Ali Tomori iu drejtua kësaj jetese që në rininë e tij. Ai ishte bir i një familjeje që kishte mundësi ta arsimonte atë. Kur në fshatin Shalës të Tepelenës në vitin 1893 lindi Ali Skëndi, i ati, një ish-nëpunës i kohës, drejtonte teqenë e Prishtës në Skrapar. Aliu u arsimua në Berat, në Zosimea të Janinës, bëri kurse mbi bektashizmin në një teqe të njohur në Kajro. Ai u rrit në mjedise bektashinjsh të përkushtuar dhe mori vetëdijshëm rrugën e tyre. Por ai u thellua në studime mbi filozofinë e letërsinë orientale, studioi dhe letërsi e dituri perëndimore si zotërues i gjuhës frënge. Ai ishte më i thelluari në dije mbi gjithë klerikët bektashi të kohës së tij. Dhe jo vetëm ishte më i shkolluari në mjedisin e klerikëve bektashinj të kohës së tij, por ishte i pajisur dhe me talente prej letrari. Padyshim më i talentuari shkrimtar bektashi i viteve ’20-’40 të shekullit që shkoi, më prodhimtari që njohim. Me botimin e tanishëm të korpusit të veprës së tij pej tre vëllimesh, figura e tij merr përmasat e një autori me peshë në gjihë atë që quhet letërsi shqipe e periudhës së Pavarësisë. Në idetë, në poetikë është një postrilindas dhe një vazhdues i vijës naimjane në letrarësi, në poezinë, eseistikën, në vështrimet filologjike e filozofike të tij. Botimi i sotëm i plotë i veprës së tij është shpërfaqja e një akrkivi që na ishte fshehur. Në këtë vepër ai na del dhe kronikan ngjarjesh dhe dialogues me jetën kultuore të kohës, orator e hartues kanunesh mbi organizimin shtetëror të bashkësisë bektashiane shqiptare që merrte jetë më vete në kushtet e një shteti shqiptar të pavarur e sovran. Ai botoi gazeta, programe, thirrje. Botoi poezi që u bënin jehonë ngjarjeve dhe figurave me rëndësi histoike për kohërat kur jetoi, botoi folkor, himne bektashiane, përkthime, monografi diturake mbi bektashizmin në botë e në Shqipëri, studime filozofike mbi Naim Frashërin dhe poezinë e tij.
Gjithë këtë dhunti, pasuri të talenteve të tij ai, së pari dhe pa kursim, i vuri në shërbim të urdhërit fetar bektashi. Ishte një misionar në llojin e vet. Kohërat dhe i besimi i tij e farkëtuan të tillë. Lindi dhe u formua në kohëra kur të ishte klerik bektashi në Shqipëri, duhet të frymoje me dy kokë, njërën ta mbaje mbi supe e tjetrën kokë … në torbë. Rrethanat ishin të tilla. Kohë kthesash e përmbysjesh historike, kohën kur bektashizmi përndiqej nga shteti osman, ata që do të mbanin ndezur kandilin e këtij urdhëri mistik duhet ta merrnin në sy rrezikun, të kishin pranë vetes qefinin e martirit në shërbim të misionit. Ndryshe nga islamizmi i drejtimit syni që përkrahej nga shteti, që kishte xhami të bukura e të pasura në qytete e në zonat fushore, bektashinjtë ishin adhurues të majave të maleve, të kodrave në fshatrat malore ku, siç shkruante Sejfulla Malëshova, jetohej “me dy ara në zallishte, “me një balo një manar, me një lopë e një gomar”, me pesë dhi në stan… Misionarët bektashinj shërbyen si klerikë në ato zona të ashpëra fshatare të Tepelenës Kolonjës, Përmetit Skraparit, Krujës ku buka ngjyhej me djersë e me kripë. Misionarët e parë bektashinj si Sari Salltiku i Krujës, apo Demir Hani i Tepelenës, Horasanët… e kanë pasur fundin tragjik. Goditjet që mori bektashizmi nën shtetin Osman me prishjen e jeniçerëve, krijuan dervishët shëtitës midis të cilëve ishin ish-jeniçerë shqiptarë. Më 1826 Turqia e largoi prej saj urdhërin e Bektashinjve, prishi teqetë e tyre. Bektashinjtë me origjinë shqiptare gjetën strehë në malësitë shqiptare. Edhe Ali Pasha kishte pranuar të ishte muhip Bektashi dhe i ndihmoi ata për t’i pasur nën shërbim si disidentë ndaj sundimit osman. Atëherë në teqetë e Tepelenës këndohej: “Moj Turqi e madhe pse punon për lumë\ prishe bektashinë që nuk prishet kurrë”. Kjo braktisje nga Stambolli shkoi deri atje sa Dedeja i fundit i qendrës botërore të Bektashizmit, shqiptari Sali Njazi Dedeja nga Staria e Kolonjës të vijë në krye të Gjyshatës botërore në Tiranë më 1930. Presidenti Mustafa Qemal Ataturku më 1925 e zhbëri nga Turqia qendrën botërore fetare të bektashizmit.
Këto lloj përpasjesh me sektin e bektashinjve të pushtetit perandorak Osman, ndikuan në krijimin e identitetit të vaçantë të bektashizmit tek ne. Figurat më të shquara të bektashizmit në këto zona kanë qenë sa mistikë, po aq poetë dhe asketë të misionit të tyre, po aq dhe luftëtarë e komandantë çetash, përkrahës e pjesëmarrës në luftërat e komitëve shqiptarë. Kjo traditë luftarake bënte atë që teqetë të digjeshin si më 1914 dhe të rindërtoheshin prapë më të bukura. Baballarët u shërbenin të sëmurëve, muhaxhirëve, drejtonin qendra bamirësije, organizonin çetat kundër Haxhi Qamilit, nisnin luftëtarë në Luftën e Vlorës. Kjo traditë luftarake vazhdoi deri në luftën e dytë botërore kur shumë klerikë ishin në krye të formacioneve luftarake kundër pushtuesve. Që herët, ky bektashizëm shqiptar që të mbijetonte, i ktheu teqetë e veta në qendra të lëvizjes patriotike antiosmane, në qendra të arsimit e të librit shqip. Deviza ishte “pa atdhe nuk ka fe”, praktikat fetra bëheshin në gjuhën shqipe.
Mund të përmenden klerikë me emër si: baba Sali Matohasanaj, baba Ahmet Turani, baba Medin Gllava, baba Amet Koshtani, baba Fejzo Therepeli, baba Abas Rabia. Në teqenë e Koshtanit nën kujdesin e baba Ahmetit më 1908 u hap shkolla e parë shqipe në rrethin e Tepelenës.
Baballarët bektashi nuk ishin njerëz të shkolluar… por ata krijuan figurat e njeriut të perëndisë, figurën e shenjtit në tokë, e atij që “llafoset me perëndinë”. Kjo figurë do të ishte e pandarë dhe nga një përmasë tjetër: një klerik bektashi duhet të ishte gati të ndërmarrë detyra përtej profesionit të tij, ta marrë dhe armën në raste nevoje në mbrojtje të bashkësisë së tij.
Klerikë të tillë, së pari, ishin figura të larta morale. Ata jepnin prova se teqetë ishin vende përkushtimi ndaj të shenjtëve. Teqetë jepnin strehë e ushqim për nevojtarin e udhëtarin e largët. Nga ana tjetër, rrethi më i ngushtë, ai muhipëve, i nënshtrohej një disipline të rreptë morale. Myhipët që delnin nga “rruga e zotit”, përjashtoheshin nga teqeja dhe kjo quhej si një njollë morale e rëndë në gjithë opinionin përqark.Teqetë luftonin vrasjen, vjedhjen, abuzimin me të varfërin e të pambrojturin. Kështu ata luanin një rol baritor pastrues nga veset e cenet morale në bashkësinë e tyre. Njeriu, siç e quanin filozofët e lashtë, nuk është vetëm kafshë politike, por edhe “kafshë fetare”. Një qenie që ka nevojë të konsumojë ushqim fetar. Njerëzit dua të besojnë në diçka përtej arësyes, të dalin nga veshja e tyre materiale, për t’u arratisur në dehje mistike nëpërmjet poezisë, nëpërmjet këngëve, poemave epike kushtuar ngjarjeve dhe heronjve fetarë vdekur shekuj më parë. Kjo uri fetare bën që dhe sot njerëz të vijnë nga mërgimi në Shqipëri dhe të adhurojnë vende të shenjta, male, kisha etj. Kjo etje për dalje nga kufinjtë e vetes materiale edhe sot mijëra njerëz në botë i arratis në delir deri në humbje të vetëdijes kur dëgjojnë këngëtarët e adhuruar të muzikës moderne. Jo vetëm njerëzit e thjeshtë, por edhe njerëzit e kulturës së lartë dalin nga vetja, shkrihen me heronjtë e librave dhe të filmave, dramave… pësojnë katarsisin e njohur që nga Aristoteli. Ndaj artistët e mëdhenj, aktorët e njohur janë mite moderne, adhurohen si dikur klerikët.
Këtë nevojë të pashpjeguar të njerëzve për t’u bashkuar me një realitet më të lartë, klerikët bektashinj për kohën e përmbushnin atje në malet e egra të Tepelenës, të Skraparit, të Gramshit, Kolonjës, të Frashërit etj…. Bashkësitë fetare u bënë kaq të varura ndaj këtyre klerikëve sa ndiznin qirinj në tyrbetë e klerikëve të vdekur, u prisnin kurbanë… u bënin dhurata, betoheshin në emrin e tyre. U këndonin dhe këngë, disa nga të cilat vazhdojnë të dëgjohen edhe sot. Bektashinjtë nuk vinin detyrime se kur duhet të merrje takime me ata. Njerëzit shkonin më teqe dhe faleshin e përjetonin ndjeshmërinë e lutjeve, ndjenin praninë fetare në ditët që ata e shihnin të nevojshme. Ditët e shenjta si Nevruzi, Bajrami, Ashurja, Matemi festoheshin në famile, por edhe bashkësi te teqetë.
Për muhibët ushtroheshin praktika fetare të fshehta e të panjohura. Këndonin këngë fetare, bënin ziqër, kërcimin e dervishëve, bëhej rrëfimi, ai që quhej “të shkoje në vrimë të gjilpërës” përpara babait, dmth të zbërtheheshe, të rrëfeje mëkatet dhe të praktikoje rite të vështira të pastrimit. Vij nga një familje e vjetër muhipësh, kam qenë që fëmijë me një kurban në malin e Tomorrit me tim atë, kam dëgjuar nga të parët e mi si nëpër mjegull për praktika të tilla, por asgjë konkrete nuk thuhej, se ato mbaheshin të fshehta për cilindo që nuk ishte muhip. Nga ana tjetër, teqeja dhe kleriku bektashi nuk i praktikonin ato që në fe të tjera quhen sakramente apo mistere të shenjta, si ritet e vdekjes së personit, ritet e lindjes, të martesës… të lutjes për shpirtin e të vdekurit. Këto rite në Tepelenë i kryenin shehlerët e urdhërit halveti… Kleriku bektashi mbetej një qenie pak eterike sado që ulej e ndante bukë e pije me njerëzit mysafirë, me burra e me gra bashkë. Kur shkoje si familje te ai, domosdo me dhurata, me para, sa të dëshiroje ti, po mund të shkoje edhe pa to- babai të shtronte drekë që e drejtonte vetë… dhe aty lutjet dhe mençuria fetare shkriheshin në vazhdim të ushqyerjes bashkë dhe kleriku bektashi të bëhej dhe si pjesëtari i familjes dhe si një qenie e lartësuar që pranon të ulet me ty. Pra bashkësia teqenë e kishte si shtëpinë e zotit ku mund të bujtëte, të ishte pjesë e saj. Këndoheshin këngë, recitoheshin poezitë mbi Qerbelanë, poezitë mbi historinë e shenjtë, këndohej Abaz Aiu i Naim Frashërit…dhe të tjera himne fetare, gazele, nefese. Gratë kishin të drejtën të ishin myhipe. Gjithë këto bëheshin në gjuhën shqipe. Këtu duhet të ndalemi në një tipar të paluajtur: poezia, kënga ishin virtyte të jetesës së klerikëve baktashinj. Nezimi, Hasan Zyko Kamberi, Meleq Shëmbërdhenji e të tjerë klerikë bektashinj që i përmend baba Rexhepi në librin e tij, kanë pasur dhe aftësi letrare prej poetësh.
Sot duhet t’u përkulemi me nderim këtyre figurave të perënduara që e mbajtën gjallë misionin e klerkut bektashi në ato fshatra që sot janë shpopulluara përfundimisht, pothuaj të braktisura nga banorët.
Baba Ali Tomori ishte një trashëgues dhe një zhvillues i traditive dhe i virtyteve të bektashizmit tradicional të zonave ku jetoi dhe shërbeu, Tepelenë, Skrapar, Gjirokastër.
Ai jetoi nën përvujturinë karakteristike të klerikut që braktis jetën reale familje, fimijë, pronësi e pasuri, jetoi në zonat më të vështira të kohës. Ai ishte një misionar. A kërkoi qytetërim e arsimim të shiptarëve në frymën e ideve të rilindasve. Ai kërkoi të ndërtojë bibliotekën a bektashinjve, të prodhojë libra besimi që etërit bektashinj të mos ishin të pashkolluar, po të ngriheshin në nivelin arsimor që e kërkonin kohërat e reja. Ai si gjithë mistikët bektashinj ushtroi zejen e shkrimtarit, të poetit, prozën e diturakut dhe meditimin e filozofit. Atë Aliu qe organizator i kongreseve bektashiane, qe pjesëmarrës në varrimin e Avni Rustemit. Heroi i eseve të tij është Naimi, por edhe Themistokli Gërmenji. Hero i poezive të tij është Naimi, baballarët bektashinj më me ermër, ishte mbreti Zog, por edhe Konfrerenca e Pezës, edhe dëshmorët Margarita e Kristaq Tutulani. Duke qenë në vazhdën e traditës patriotke e luftarake të bektashinjve, atë Ali Tomori del krah për krah me udhëheqës të luftës partizane të zonës së Skraparit si me Mane Nishovën dhe me komandant Mestan Ujanikun. Anëtar i Qarkorit të Beratit. Anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve më 1945.
Vdekja e tij është në vazhdën e fjalës që mbajti në Vlorë më 1924 mbi varrin e Avni Rustemit, ku theksoi se ndodh që patriotët të vdesin në kohë paqeje nga plumba mbas shpine, a të vdesin të burgosur e në pranga të akuzuar pabesisht. Një profeci për fundin e tij.
Vdekja përzishëm i erdhi në krahë të tepelenasve po aq të shquar sa ai. Tepelenas që u pushkatuan si tradhtarë më 14 janar 1948 buzë një përroi në Gjirokastër. Gjaku i këtyre të lidhurve me pranga u përzie, nuk e shtyu gjakun e tjetrit. Në njërin krah atë Ali Tomori kishte baba Shefqetin e Koshtanit, patriot e luftëtar sa dhe klerik bektashi i devotshëm. Në krahun tjetër kishte Atë Gjergj Sulin e Leklit, prift që me porosinë e Fan Nolit ishte kthyer nga Amerika për të shërbyer si fetar në atdhe. Më tej ishin Zenel Shehu nga Toçi, ish-komisar i batalionit partizan Baba Abas, dhe Syrja bej Vasjari, antifashist me armë në dorë kundër pushtuesit.
Vetëm diktatura mund t’i bënte bashkë para plumbit njërëz kaq të ndryshëm: një prift ortodoks, dy baballarë bektashinj, në bej naconalist dhe një komisar partizan.
Atë Ali Tomori la amanet t’i ruhen dorëshkrimet. Me këtë botim në tre vëllime, punë e përkushtuar e studiuesit, kërkuesit dhe e botuesit Mehmet Gëzhilli, porosia e tij e fundit para varrit të hapur, mund të themi se u realizua. Ka vallë dorëshkrime të tjera? Kërkimet për më shumë materiale në arkiva mund të vazhdojnë, por ky botim i kthen kulturës shqiptare një autor që me botimet e tij sjell vlera të shënuara me rëndësi historiko-letrare, por dhe artistike e shkencore, ndërsa bektashinjve shqiptarë u kthen autorin më të shquar në të gjithë literaturën e tyre.