Ende s’kam arrit paqtimin me vendin tim
Intervistoi për ResPublica: Eleana Zhako
Gentiana Kone më priste në Galerinë Mbretërore të Roi Konings, e cila është pjesë e Galerisë së Shën Hubertit (Galeries Royales Saint – Hubert), galeria më e famshme e Brukselit, e ngjashme në stil me galerinë e famshme të Milanos “Vittorio Emanuele II”. Galeria e projektuar nga arkitekti Jean-Pierre Cluysenaer, është inaguruar në vitin 1847 dhe përfshin brande të njohura çokollatash, veshjesh, aksesuaresh, galeri arti, por edhe Théâtre du Vaudeville, Cinéma des Galeries dhe Taverne du Passage, që deri në vitin 1892 quhej Café des Arts ku mblidheshin shkrimtarë e piktorë shumë të njohur. Ka qenë vendtakimi i refugjatëve politikë francezë si Victor Hugo, Alexandre Dumas, Edgar Quinet, që në atë kohë kishin gjetur strehim në Bruksel.
Me Gentianën u ulëm në Maison Dandoy, kompani e njohur biskotash speculoos, që daton prej vitit 1829, në pjesën e tea-room, një nga ato must-see ndërtesat arkitekturore të Galerisë, por jo vetëm. Gentiana ruan ende fytyrën e vajzukes, që ndeshet në librin e saj me rrëfenja (“Rrëfenja”, Botimet Muzg, 2021) dhe silueta e saj, më kujton adhuruesen e vogël të Lasgushit me këmbët e gjata prej lejleku nga i njëjti libër. Ajo flet gegnishten e butë të Tiranës, që i shkon poetikës dhe delikatesës së krijimtarisë së saj.
***
Kam lindë më 5 tetor të ’64-ës në Tiranë në një shtëpi, që nuk i shpëtoi furisë së kuqe të shëmbjes, aty ku sot ndodhet shkolla “Fan Noli”. Personalisht të qënit toskë e gegë, kanë bashkëjetuar gjithmonë paqësisht brenda meje, si në gjuhën e shprehur ashtu edhe në shkrime.
Im atë ka qenë me origjinë kolonjare, por lindur e rritur nga gjyshi e gjyshja e tij nga ana e mëmës në Leskovik, ndaj dhe ka përkatësuar këtë anë të origjinës së tij. Kjo edhe për shkakun, që deri në moshë madhore ka qenë në padije (ashtu si edhe unë më vonë) për të vërtetën e prejardhjes së tij dhe fatin e të atit, ekzekutuar pa gjyq, në Korçë, në vitin 1945, me akuzën e bashkëpunimit me Ballin Kombëtar. “Varrin” e gjyshit e kemi gjetë, pas ‘90-s. Një gropë e përbashkët eshtrash, ku kufomat dekompozuar në skelete, ishin ende lidhur me zinxhirë. Tregimi im i shkurtër me titull “Nën hijen e kohës”, që ka si personazh Ihsan Beun, flet mes të tjerash edhe për tragjedinë e tim gjyshi. Shtëpia e tyre në Leskovik ishte ngjitur me shtëpinë e Tashove, paraardhësit e fotografit të njohur, Roland Tasho. Gjyshja më rrëfente, që festat e besimit i festonin bashkë, edhe pse familja e tim eti i përkiste besimit mysliman dhe ajo e Tashove, besimit të krishterë ortodoks.
Shtëpia në Leskovik u dogj tre herë, dy herë nga grekët dhe një herë nga gjermanët. Së fundi me ardhjen e komunizmit në pushtet, nën formën e shtetëzimit, shtëpia iu grabit të zotërve dhe ata u detyruan të ikin nga Leskoviku, veç me rrobat e trupit. U vendosën në Tiranë falë dajës së tim eti, Bubul Kones, i cili ka qenë një nga veterinerët e parë shqiptarë, diplomuar në Itali para lufte. Ai u kujdes si një babë për atin tim dhe duke qenë vetë i shkollum, i dha drejtimin për të ndjekë studimet e larta në veterineri, studime që im atë i kreu shkëlqyeshëm. Fati i njeriut është në duart e tre tjerrësve dhe shpesh besoj, që ai ka qenë bujar për tim atë. Fakti që i gjyshi e adoptoi duke i dhënë mbiemrin e tij Kone, besoj që i ka shpëtuar jetën. Pak vetë, të besuar, dinin atësinë e mbiemrin e tij të vërtetë dhe ironia e deshi, që pak vite pas emërimit të tij si Profesor në Insitutin e Lartë Bujqësor, Fakulteti i Veterinerarisë, të pushohej nga puna si rrjedhim i biografisë së bashkëshortes së tij, mëmës sime, mbesë e Mustafa Merlika Krujës. E kujtoj tim atë, ndjesë pastë, si një natyrë shumë të butë e të përmbajtur, në kundërshti me natyrën e mamës sime, e cila zotëronte; e zotëron edhe dita sot, një kurajo e guximtari të natyrshme, që të bëjnë për vete. Ishte dhe është, nga ato burrnesha që të marrin “gjak në vetull”.
Mëma ime, Afërdita Kërçiku dhe dy motrat e saj, rrjedhin nga një familje e hershme tiranase. I ati, Hamdi Kërçiku, ish-nxënës i “Harry Fultz”, Drejtues i Dhomës së Tregtisë dhe Drejtor i një shkolle teknike për djem në Tiranë, u arratis nga Shqipëria në nëntor të 1944 bashkë me Karl Gurakuqin, intelektual i shquar shkodran, anëtar i Institutit të Albanologjisë, drejtor i Bibliotekës Kombëtare. Im gjysh, pas shumë peripecish në një botë paslufte, kërkoi strehim politik në SHBA, ku edhe u vendos e jetoi në San Diego, Kaliforni, deri në vdekjen e tij. Fati e deshi që mos t’i shihte kurrë më, bashkëshorten e tij të shtrenjtë, gjyshen time Fitrete Merlika dhe tri vajzat e tij; i dënuar me vdekje në mungesë, siç ishte nga pushteti komunist. E megjithatë ky gjysh, kundruar fshehtas veç në pak fotografi, ka qenë, falë rrëfimeve të mëmës sime, tejet i pranishëm, shpirtërisht dhe mendërisht në rritjen e formimin tim.
Ishte një nga vëllezërit e tim gjyshi, Dr. Kadri Kërçiku, ai që iu doli për zot e u mbajti dorën mbi kokë mëmës sime dhe dy motrave të saj. Ai i shpëtoi ato nga internimi në fshatrat e Fierit, si dhe u kujdes që të ndiqnin studimet e larta. Në një nga gjyqet e para të viteve ‘45-‘46 në Tiranë, kundër intelektualëve, ndër të pandehurit qe edhe Dr. Kadri Kërçiku. Për shkak të ramies së sëmundjes së tifos dhe një sërë sëmundjesh të tjera infektive me pasoja të rënda, pushteti komunist i fali jetën dhe e liroi nga burgimi. Studiuar në Vjenë, si doktor dermatolog ai ka qenë edhe një nga pionierët e parë për sëmundjet veneriane dhe infektive në Shqipëri. Një intelektual dhe njeri human, që shumë e kujtojnë ende sot. Nga dega e familjes Merlika, jemi nga të paktët, që nuk kemi qenë të internum a të burgos’. Natyrisht shtëpia e tim gjyshi dhe ato apartamente, që ai kishte ndërtuar për tri vajzat e tij, u konfiskuan me gjithë orenditë në to e gjyshja ime u nxor në rrugë me tre fëmije të vegjël, ku e madhja, mëma ime, ishte 5 vjeç dhe më e vogla s’kish mbushur 1 vjeç. Lista e Merliksve që u vranë nga regjimi mbas lufte, si dhe e të internuarve e të burgosurve, është tejet e gjatë për ta përmendur këtu. Gjyshes sime të mënçur, po aq sa të vuajtur, iu hoq e drejta e mësuesisë dhe punoi në hapje kanalesh deri më sa vdiq, në moshën 54 vjeçare.
Kujtoj me dhimbje, isha 11 vjeç atëherë, internimin e vëllait tjetër të saj, atij që banonte në Korçë, Dr. Asllan Merlikës, diplomuar për mjekësi në Bolonja, Itali. I paralizuar në shtrat, i pagojë, pas një jete në shërbim të shëndetit e mirëqënies së fëmijve, në veçanti atyre jetimë, e nxorën nga shtëpia mbi një barrelë, për ta dërguar në internim me gruan e tij italiane dhe dy djemtë e nuset e tyre. Përfitoj të kujtoj këtu, dy italianet në familjen tonë, zia Xhanën dhe zia Lenën. Dy burrnesha, që nuk pranuan të lënë bashkëshortët dhe fëmijët e i përballën vuajtjet e internimit me një dinjitet shenjtëror.
Është folë e flitet ende, për sukseset e Partisë dhe popullit në ndërtimin e vendit dhe veprave bonifikuese e industriale të mëdha. Lejomë të ndalem e të shfuqizoj këtë mit të rremë me disa shembuj.
Kombinati i tullave në Tiranë si plot vepra të tjera të Partisë” është ndërtu nga puna e papaguar e skllevërve e të burgosurve politikë. Një prej këtyre të burgosurve, ishte edhe Petrit Merlika, inxhinier mbaruar në Sorbonë të Francës dhe bashkëshortja e tij Elena Gjika Merlika. Në kënetën e Maliqit, në tharjen e saj, ka punu, vëllai tjetër i tij, Fatos Merlika. Mëma ime, edhe pse e mitur shkonte shpesh tek ta me ushqime ngarkuar. Falë kujtesës së mrekullueshme që ajo zotëron, plot ngjarje që ajo më ka treguar në lidhje me rrugët që bënte ngarkuar me torba dhe gjendjen e dajës së saj të burgosur, i kam përjetuar, si të kisha qenë vetë aty.
Në Shqipni, pas rënies së diktaturës, biografia është kthyer në një lloj panairi kotësie e absurditeti, ku nuk ka ngelë njeri pa dalë i persekutum. Vrasësit edhe më tepër se viktimat e tyre! Ndaj edhe pse i përkas një shtrese të luftuar sistematikisht nga diktatura, theksoj që nuk mund të quhem e persekutueme. Fatet tragjike të të afërmve të mi, i përmend për t’i kujtuar dhe në emër të atij principi moral, që quhet drejtësi. Nuk e quaj veten të përndjekur, sepse m’u dha e drejta për të studjuar për inxhinieri, dega mekanike, pa shkëputje nga puna. Kur kujtoj njerëzit e mi, që jeta iu kaloi në internim, më pushton një trishtim i thellë, edhe sot. Në Shqipëri nuk m’u dha asnjëherë e drejta të punoj si inxhiniere. Unë isha e fundit nga familja, që u largova nga Shqipëria. Më të shumtët u arratisën përmes ambasadave, me ikjen e parë të madhe të shqiptarëve, në korrik të 1990. Ato vite, me ndarje e ikje të njerëzve të dashur, kanë lënë gjurmë emocionale tejet të ndjeshme.
Më ka tronditë shumë pas ‘90-s, mosdënimi i atyre, që kishin kryer krime në kohën e diktaturës. Ata të cilët nuk i kishte detyruar askush, por që në torturat mbi të pafajshmit, gjenin plotësimin e instikteve të tyre jonjerëzore. Flas për hetuesit, drejtorët e burgjeve, prokurorët etj. Mosvënia e shtetit të së drejtës, qe zhgënjimi më i thellë në vlerat e shtetit post-komunist. Nuk konsideroj asnjë qeveri të mëvonshme tërësisht demokratike, edhe pse ka pasë përpjekje nga individë të veçantë dhe idealistë. Në të vërtetë, qenë komunistët, që morën fuqinë ekonomike dhe “demokratët” e rinj qenë më së shumti komunistë me petka demokrati. Pasi humba dhe shpresën e fundit në një rimëkëmbje të shpejtë mbi baza demokratike të shoqërisë e shtetit, vendosa të largohem përfundimisht për të ndërtuar të ardhmen e djalit tim, atëherë 6 vjeç, në një shtet europian perëndimor. Tre breza kanë shkuar kot, mendova. I katërti, biri im, duhet dhe do të ketë tjetër fat! Ndaj në fundin e vitit 1995 u largova përfundimisht nga Shqipëria.
Belgjika, kjo tokë mërgatash! Zgjedhja e Belgjikës si shtet për të jetuar, qe krejt e rastësishme. Në Gjermani duke pasë familje të afërt, ishte e pamundur të shkoja, sepse do të më refuzohej e drejta e azilit. Për Belgjikën kisha informacion, që nëse zotëroje një shumë të vogël parash, mund të qëndroje në pritje të vendimit nga Komisioni për Refugjatët; në një apartament modest, marrë me qira, pa qenë e detyruar me ndejt në kampet a qendrat për refugjatët. Për mua kjo ishte primare, mbasi s’dojsha që im bir të rrinte në kamp refugjatësh. Qëndruam në kamp vetëm dhjetë ditët e para, deri më sa gjeta një apartament me qira. Tetë vitet e para qenë ato edhe më të vështirat, si për plot emigrantë të tjerë. Mbushur me sfida e vështirësi të shumëllojshme, por edhe me shpresë e besim tek një e ardhme më e mirë për veten dhe tim bir, Orin. Prania e tij, besimi i tij tek unë, qenë ingrendienti më i fuqishëm për të gjet’ energjinë e kurajën, që as dija që e kisha, për t’u integru denjësisht në shoqërinë belge. Që vitin e parë, ndoqa kurse intensive në Universitetin e Anversës për gjuhën hollandeze, më pas në shkollën e lartë për përkthyese, teksa kërkova dhe bëra barazimin e diplomës si inxhiniere. Kjo e fundit, u bë e mundur, mbasi ndoqa disa kurse universitare dhe dhashë disa provime të kërkuara. Gjatë atyre viteve kam punuar kryesisht si pastruese dhe pjatalarëse në azil pleqsh. Krahas kam kryer edhe punë mbi bazë vullnetare.
Vetëm në vitin 2003, m’u dha e drejta e qëndrimit të përhershëm, me motivacionin e integrimit të plotë. Shumë shpejt pas kësaj ngjarjeje, gjeta punë si inxhiniere kërkimi në fushën e galvanizimit të metaleve. Në Shqipëri, në ndërmarrjen e Konsumit të Gjerë, ku punova fill mbas mbarimit të shkollës së mesme, Politeknikumit “7 Nëntori” (sot, Harry Fultz), kam punuar edhe në një repart galvanizimi. Ajo përvojë, sado modeste, më vleu në fillimet e mia si inxhiniere në një laborator industrial të një firme gjermane. Pas një viti pune, m’u ngarkua veç kërkimit, edhe zbatimi i gjetjeve laboratorike nëpër fabrika të ndryshme, si dhe drejtimi i procesit kimik në gjithë fabrikat, që firma zotëronte në Belgjikë e më vonë në Hollandë, Gjermani dhe në vendet e lindjes Poloni e Rumani.
Ajo ka qenë periudha më e lumtur nga ana profesionale! Bashkëpunimi me universitete të ndryshme europiane dhe institute për studimin e metaleve, e kthyen punën që kryeja në një aventurë të zbulimit të vazhdueshëm, në fushën e shkencës së materialeve. Mund të them që njoha poetikën që qëndron pas galvanizimit. Inxhinieria s’ka qenë as zgjedhja, as ëndrra ime e parë. Dikur, nëse do të kishim pasë liri, do të zgjidhja të studioja për letërsi a histori, por jeta na rezervon të papriturat e saj. Në Belgjikë, përtej profilit tim, kam punuar edhe si vullnetare tek “Kryqi i Kuq”. Periudha më e rëndësishme ka qënë ajo e 1999-s, pas fillimit të luftës në Kosovë. Kënaqësia më e madhe e imja, ishte t’u ndihja fëmijëve shqiptarë të Kosovës, që arritën me kontigjentin e parë, që mori Belgjika. Atë kohë isha ende pa leje qëndrimi. Kryqi i Kuq i Flandrës ndërtoi, në anën e majtë të lumit që kalon në Anvers, një qendër të madhe për refugjatët e luftës. Më morën për gjithë periudhën e verës, që të shoqëroja fëmijët nga mëngjesi në darkë, në një qendër kreative si dhe të përktheja për ta. I kujtoj shumë herë me mall kur më thrritshin: “O Gentjon”, dhe qeshnim me lot së bashku. Me i pa ata fëmijë me qesh sërish, ishte balsam për shpirtin.
Ndër vite, krahas punës si inxhiniere, kam punuar si përkthyese për Gjykatën e Shkallës së Parë, atë të Lartë si dhe për Policinë Federale në kërkimet e tyre paraprake. E kam vujtë imazhin e “bëmave” kriminale të shqiptarëve, në Anvers. U deshën shumë vite që të arrija të distancohesha, e të mos merrja fajin e tyre, për ta ndjerë timin. Në Belgjikë kriminaliteti shqiptar ka qenë dhe është i pranishëm. Mundet, sipas mendimit tim, sepse policia belge njihet si e butë dhe tolerante. Më parë ka qenë kontrolli i rrjetit të prostitucionit dhe “ taksa për mbrojtje” e diskotekave imponuar me dhunë, ndërsa tashmë ai i drogës. Shqiptarët e kësaj kategorie famëkeqe, shquhen për mizorinë dhe agresivitetin e tyre. Fatkeqësisht për sukseset nuk flet njeri, sepse është i keqi ai që bën lajm, jo i miri.
Jetoj në veri të Belgjikës, në kryeqytetin kulturor të Flandrës, në Antwerpen ose Anvers, sipas frankofonëve. Shumë herë kam qesh me miq, që më pyesin “Po gjuha belge është e vështirë?”. Nuk ekziston një gjuhë belge, por tre gjuhë zyrtare të cilat janë frëngjishtja (flitet në Jug), hollandishtja ( flitet në Veri) dhe gjermanishtja. Kemi të bëjmë me tre etni të ndyshme, jo me një komb. Belgjika u krijua në 1832 me dëshirën e vullnetin e Anglisë për të qenë një barrierë midis Gjermanisë, Francës dhe Hollandës.
Flamanët, janë njerëz të paqtë, pa dëshirë për konfliktin e hapur, prirur për kompromis e dialog. Të drojtur e modestë, të vetëdijshëm për përmasat e tyre tejet të vogla numerike si etni, të japin përshtypjen si njerëz të ftohtë, (në krahasim me frankofonët). Frankofonët i kam përjetuar më të hapur, më të çelët, më jugorë, gati mesdhetarë në komunikim. Por, që të dyja anët, veri e jug, kanë të përbashkët modestinë dhe moton “Jeto e lër të jetojnë”. Gjatë viteve kam njohur njerëz tejet të aftë e talentuar, me një modesti të jashtëzakonshme, gjë që ka qenë një mësim për mua. Në mënyrë të veçantë në universitet, kur profesorët konstatonin dëshirën e madhe të ndigjuesit për të përvetësuar, shpjegonin në mënyrën më të bukur e didaktike, konceptin për çfarë flitej. Flamanët nëse të ofrojnë miqësi, i ke miq për gjithë jetën. Frankofonët janë më shumë entuziastë në çfarë thonë. Besoj që ende kanë rrugë për të bërë e për ta njohur më shumë njëri-tjetrin.
Klima është një vuajtje e vërtetë! Rrallë ka gjuhë në botë me kaq shprehje për shiun e dukuritë e lidhur me të, sa hollandishtja. Por Belgjika, ka një kulturë e trashëgimi për t’u pasur zili! Madhështia dhe thellësia e artit belg, veçanërisht në pikturë, është në shpërpjestim të pabesueshëm me numrin e popullsisë dhe shtrirjen e vendit. I madh, territorialisht sa Shqipëria, me një popullsi prej 10 milion banorësh, numri i artistëve të rëndësishëm, ndikues në artin dhe kulturën botërore, është tejet i madh. Arti që gjeta në këtë vend, qe zbulimi i një gjithësie të re inspiruese. Nuk mund mos të sjell ndërmend, që edhe ne shqiptarët jemi gati 10 milion gjithë-gjithë!
Letërsia është ajo që më ka bubrru në gjak, që e vogël. Mundet që nga krahu i mëmës ta kem trashëgu një dell e pasion për të. Daja i saj, Mustafa Merlika, para se të ishte politikan e firmëtar i pavarësisë, ka qenë së pari gjuhëtar. Letrat, që janë gjet në arkiv nga nipi i tij, dëshmojnë edhe për talentin e gjyshes sime në të shkruar. Nuni im, miku i familjes, gjeologu Vladimir Heba ishte gjithashtu shumë i apasionum pas letërsisë. Me të flisnim për orë të tëra për shkrime e shkrimtarë të ndaluar e plot të tjerë. Ai më kish bërë dhuratë edhe një koleksion me gurë të çmuar mineralë nga malet e Shqipërisë, koleksion që unë ia dhurova asokohe shkollës ku kisha ndjekur ciklin 8-vjeçar. Mëma ime, ka qenë një rrëfimtare shumë e këndshme dhe kjo ndizte imagjinatën dhe dashurinë time për gjuhën dhe letërsinë. Ajo më tregonte shpesh për bibliotekën e të atit, i cili ishte koleksionist që kishte botime të rralla në shqip, veç atyre në gjuhë të huaja. Midis të tjerash mbante mend një nga 14 kopjet e “Njëmijë netëve” botuar për herë të parë në shqip, koleksionin e plotë të “Hyllit të Dritës”, “Visaret e Kombit” dhe plot libra në frëngjisht, italisht, anglisht.
Fatkeqësisht në fillimet e valës së arrestimeve dhe internimeve në vitin 1975, mëma zgjodhi të digjte gjithë librat e të jatit, gjë që e kreu në oborrin e shtëpisë së Kërçikve. Së bashku me kushëririn e saj, Gëzim Peshkëpia, djalin e poetit Manush Peshkëpisë, ky i fundit pushkatuar pa gjyq, me grupin e intelektualëve, për hedhjen së bombës në ambasadën sovjetike, ajo dogji të gjithë visaret e të jatit të arratisur dhe trashëgiminë e tij shpirtërore për ne. Edhe pse me dhimbje, dëshmoj, që vendimi i mëmës sime, qe me vend. Vetëm një muaj më vonë, shtëpitë e Kërçikve u bastisën dhe dy nga djemtë, Refi Kërçiku dhe Gëzimi, u arrestuan. Vetëm një libër, e kishte marrë nga turra Gëzimi, para se të digjej. “Lahutën e Malsisë” të At Gjergj Fishtës. Gjatë bastisjes i gjetën edhe atë libër. Kështu libri përfundoi si një pikë e akt-akuzës, në dënimin prej 15 vjet burg që iu dha. Kujtoj me mall edhe familjet e dy tezeve të tim eti, me të cilat isha shumë e lidhur. Ato kishin një marrëdhënie të ngushtë me leximin dhe letërsinë. Njëherë në vit, shkoja te tezja e tim eti, në Pogradec, ku rrija një muaj.
Pogradeci, për mua, ishte liqeni, librat dhe Lasgushi. Dy fëmijët e tezes, kishin një bibliotekë të jashtëzakonshme, ku çdo libër e vishnin vetë me kapakë lëkure të veçantë. Si Engjëlli dhe Tori Sulstarova, ishin duarartë. Për arsye biografike nuk u ishte dhënë e drejta e studimit, por ata gjithsesi shkëlqenin në çfarë bënin. Mua më thërrisnin Lasgushi i vogël, ngaqë e dojsha shumë Poetin si dhe përpiqesha të krijoja. E njihja falë tregimeve të burrit të tezes (mësues në kohën e mbretërisë, magazinier në kohën e diktaturës) dhe e shihja në çdo shëtitje, bashkë me qenushin. Në mendjen time prej fëmije, ai ishte hero. Jo nga ata të gënjeshtërtit, krijuar nga historiografia komuniste, por i vërtetë. Në shi, në erë, gjithmonë buzëliqenit. Nuk pranonte kurrë ta qerasnin, se s’kishte mundësi t’u a kthente pas. Nuk arrija të kuptoja se si ky njeri që krijonte poezi, kishte trupin e një fëmije. Atëherë isha vetë fëmijë dhe prapë ai më dukej shtatvogël. Plot njerëz e quanin të çmendur, të tjerë pëshpëritnin që ai, Lasgushi, bënte sikur, që të mos ta bezdisnin nga Partia.
Shumicën e atyre që kam shkruar në moshë të re, i kam djegë, përjashtuar një bllok të vogël dhuruar mikeshës sime më të shtrenjtë, Arianës. Rreth të njëzetave pata bindjen, që ç’kisha shkruar deri atëherë ishin vjershërime a prozë tejet e thjeshtë, pa një vlerë të shtuar, për ta ndarë me të tjerë. Riti i djegies ishte edhe një katarsis shpirtëror me shpresën e rilindjes së fjalës plot hir, nga hiri. Më ka obseduar përherë fjala e bukur, e saktë, e shkruar, e thënë, mirë shqip. Një e vetme, që thotë gjithshka. Ajo e përkorë, vërtet e bukur, ka një tingull të brendshëm. Është më shumë se çka ndijmë falë shqisës së dëgjimit. Kujtoj përherë çka i ndjeri Dom Lazër Shantoja ka thënë për At Gjergj Fishtën se ai “shkruente mirë shqip, krejt shqip, vetëm shqip”.
Letërsia është një nevojë e brendshme, që mundet edhe për shkak të mërgimit të ketë marrë përmasa të thella, të cilat arrijnë deri në nënvetëdije. Fëmijë, shkruaja në varg, adoleshente në prozë. Deri vonë kam besuar se habitati im i natyrshëm është proza. Atë e ndiej si truall të fortë e të qëndrueshëm, nën këmbë. Me kalimin e moshës vej re, që poezia më ngacmon përherë e më shumë. E konsideroj esencë, thelb, farë nga ku lindin bimë të reja. Gjithashtu, më pëlqen ideja që gjithkush që e lexon mund ta perceptojë në një mënyrë krejt të vetën, autentike. Ky perceptim e kjo ndjesi mund të mos ketë asgjë të përbashkët me atë të autorit dhe pikërisht kjo më pëlqen. Me qenë i lirë në mendim e ndjesi!
Që në moshë të vogël, bubrroja shpesh në bibliotekën e shtëpisë, në radhët e mbrapme, te librat paksa të fshehur. Ndër ta ndodheshin disa librete operash në italisht, që i përkisnin nona Fitit dhe datonin nga koha, kur ajo kishte qenë me tim gjysh, për muajin e mjaltit në Italinë e paraluftës. Me profesion mësuese, ajo kishte blerë atje edhe disa libra për fëmijë në italisht, libra që ishin ilustruar mrekullisht e ku çdo kaptinë fillonte me një shkronjë të artë. Kam filluar të lexoj rrjedhshëm që në moshën 5 vjeçare, këto libra më ngacmonin kureshtjen, edhe pse italishten nuk e zotëroja ende. Mundet që ato, si dhe bisedat e prindërve midis tyre në italisht (për tema delikate që nuk donin që t’i kuptoja), të kenë qenë shtysa e parë për të mësuar gjuhën italiane herët. Kujtoj me dashuri Mimika Rusin, që më dha mësimet e para kur kisha veç 6 vjeç dhe më vonë profesor Zoin. Gjuha italiane ishte një dritare lirie, nga ku bota kundrohej e tingëllonte e bukur, plot ngjyra e aroma. Një gjuhë, muzikë e letërsi që ngacmonte shpirtin dhe hollonte shqisat. Ndaj dhe në librin tim të vetëm me poezi, disa prej tyre janë të shkruara në italisht. Edhe pse tejet të thjeshta, ato janë një dëshmi dashunie e imja për atë gjuhë.
Gegnishtja e butë e Tiranës në poezitë e mia është instiktive, vjen e natyrshme. Do dëshiroja ta zotëroj ashtu siç duhet. Fatkeqësisht nuk e kam arritë këtë, deri më sot. Gjurmët e saj në poezi janë si flaka e një qiriri të brendshëm, që digjet për sa kohë jam në këtë jetë. Poezia duke qenë esencë, paraqet edhe atë çka është e pranishme në nënvetëdijen time, thirrmën e gjakut. Arsyeja që pas kaq vitesh, iu riktheva në kohë të plotë krijimit, ka qenë shëndeti. Disa vite më parë m’u desh të tërhiqem nga jeta profesionale aktive dhe të pushoj për një kohë të gjatë. Kështu iu riktheva ëndrrës së parë e rinisa të shkruaj në prozë dhe poezi. Në vitin 2019 botova librin e parë “ Poezi” dhe në 2021, librin në prozë “Rrëfenja”, ku mjaft skica kanë ngjyrime autobiografike. Të dy këto libra, redaktuar nga zonja e mikja ime e shtrenjtë Ariana Mero, janë botuar nga shtëpia botuese “Muzgu”, me drejtues Mark Simoni. Në të tashmen vijoj e shkruaj, edhe pse pa ambicien për të botuar. Veç këtyre botimeve, krijimet e mia në prozë e poezi, janë botuar tek Revista letrare e Tiranës “iIlz”, tek “Antologjia e Tregimit Shqiptar, shekulli XXI”, kujdesur nga Rexhep Shahu dhe botuar nga Klubi i Poezisë dhe tek Antologjia “Veshun me diell, mbathun me hanë” kujdesur nga Rudolf Marku, si dhe te Revista letrare “Palimpsest”, kujdesur nga Gazmend Krasniqi, sot nga Albert Gjoka. Jam relativisht aktive në rrjetet sociale ku edhe te Radi& Radi, janë botuar disa krijime të miat.
Lexoj letërsi shqipe, por jo aq sa lexoj letërsi të huaj, hollandeze, franceze e italiane. Kam ndjesinë që letërsia shqipe duke pasë kalu me detyrim në periudhën e real-socializmit, ka mbetë ende në një largësi të madhe nga pjesa tjetër e botës. Largësi, që nuk mund të mbushet njëherazi nga krijimi e zhvillimi i tregut të lirë apo bum-i në rrjetet sociale. Shterpëzimi e ngurtësia, që imponoi diktatura, e ndau me thikë këtë letërsi nga ai lulim i mrekullueshëm që kishte nisë, falë letërsisë së viteve ‘30 në Shqipëri, letërsi që ishte fara për t’u rritur e për t’u bërë pjesë e letërsisë botërore, duke u ndarë nga ajo e provincës. Mes tyre ka xhevahire, si shkrimet e E. Koliqit, Zef Zorbës, Dom Lazër Shantos, e plot të tjerë, ndjekur në vite të mëvonshme nga Anton Pashku, Arshi Pipa, Faredin Guga, pa harruar të magjishmin Martin Camaj.
Pa rinjohje e hulumtim të letërsisë të viteve ‘30, letërsisë në mërgim gjatë viteve të diktaturës në Shqipëri, letërsisë së burgjeve si dhe asaj të Kosovës, nuk besoj në një evolucion me baza të plota të letrave shqipe, edhe pse talenti individual nuk mungon të shfaqet. Izolimi nuk ishte thjesht izolim nga bota e madhe. Gjatë tij, edhe letërsia u kthy në një tokë djerrë, të djegur, mbjellur me kripë, për të mos lindur thuajse asgjë. Nga autorët e sotëm shqiptarë, admiroj dhe dua fjalën e një shpirti poetik të veçantë si Albert Vataj. Gjithashtu më pëlqen Gazmend Krasniqi, për stilin e tij posmodernist. Lexoj me andje krijimtarinë e Primo Shllakut, Gëzim Hajdarit, Zija Çelës, Luljeta Lleshanakut, Vlora Ademit, Visar Zhitit, pa harruar publicistikën e të dashurit Eugjen Merlika, etj.
Kur iki nga Shqipëria kam ndjesinë e njëkohshme të arratisë dhe të kthimit. Të mallit dhe trishtimit, dhimbës ende të prekshme. A thua që jo gjithë varret e njerëzve të shtrenjtë, i kam vizituar. Më duket sikur ende kam gjëra për të thënë, për të shkruar, njerëz për të kujtuar. Ende s’kam arrit paqtimin me vendin tim dhe ndodhitë atje. Mundet, një ditë…
Falë shkrimit e gjuhës shqipe, k’saj dhurate hyjnore nga vetë Shëlbyesi.
https://www.respublica.al/2024/10/05/ende-s-kam-arrit-paqtimin-me-vendin-tim